Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 6 gusht 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10304, DATË 15.7.2010, “PËR SEKTORIN MINERAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10304, DATË 15.7.2010, “PËR SEKTORIN MINERAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 2, fjalët “… që mbulon çështjet …” zëvendësohen me “… përgjegjëse për veprimtarinë …”.
2. Në pikën 3, fjalët “… që mbulon çështjet …” zëvendësohen me “… përgjegjëse për veprimtarinë minerare …”.
3. Në pikën 30, pas fjalës “… social …” shtohet “… mjedisor …”.
4. Në pikën 40, fjala “realizuar” zëvendësohet me “hartuar”.
5. Pas pikës 40 shtohet pika 41, me ketë përmbajtje:
“41. “Ndryshim koordinatash” është zmadhimi, zvogëlimi apo rikonfigurimi i sipërfaqes së zonës së lejes minerare.”.
Neni 2
Fjalia e dytë, e pikës 4, të nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për ushtrimin e të drejtave minerare, marrëveshja koncesionare e miratuar me ligj u nënshtrohet edhe përcaktimeve të këtij ligji, për aq sa dispozitat e tij nuk bien në kundërshtim me parashikimet e marrëveshjes koncesionare.”.
Neni 3
Në nenin 9 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Për zonat e hapura, në mundësinë e zbulimit të rezervave të reja minerare, interesin e veçantë të subjektit të licencuar për vazhdimin e shfrytëzimit në sipërfaqe ngjitur me konturet e lejes ekzistuese të tij, kur kanë mbaruar rezervat minerare brenda zonës së lejuar, objektivat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe planifikimin e territorit. Procedurat dhe kushtet teknike, financiare e ligjore për dhënien e miratimit për shfrytëzimin në sipërfaqe ngjitur me konturet e lejes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Në pikën 2, fjalët “kërkim – zbulimit ose” shfuqizohen.
3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Objekti i dhënies së lejes së kërkim – zbulimit me procedurë konkurruese, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, kur nuk ka kërkesa për leje shfrytëzimi, janë të gjitha zonat:
a) për të cilat nuk ka informacion gjeologjik;
b) për të cilat ka informacion gjeologjik, por ka interes për studim më të hollësishëm dhe besueshmëri më të lartë në lidhje me të dhënat për zonën;
c) që u përkasin lejeve të kërkim – zbulimit, nëse në përfundim të afatit të tyre subjekti minerar, edhe pse ka zbuluar një sasi rezervash, nuk e ka kaluar në leje shfrytëzimi dhe ka interes për të vazhduar kërkim – zbulimin për këtë zonë me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe sasisë së rezervave;
ç) në minierat apo punimet e vjetra e të braktisura për të cilat ka interes për studime ose saktësime në drejtim të rezervave minerare.
Për rastet e përcaktuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç” afati maksimal i lejes se kërkim – zbulimit do të jetë deri në 1 (një) vit.”.
Neni 4
Në nenin 13 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në fjalinë e parë, të shkronjës “a”, të pikës 4, fjalët “… lë pjesë …” zëvendësohen me “… zvogëlon …”.
2. Pas pikës 13 shtohet pika 14, me këtë përmbajtje:
“14. Të ketë personel të kualifikuar teknik gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes.”.
Neni 5
Në fund të pikës 2, të nenit 14, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Afati i aplikimit është prekluziv dhe, me kalimin e tij, zotëruesi i lejes minerare humbet të drejtën e aplikimit për shtyrje të afatit të lejes së kërkim – zbulimit.”.
Neni 6
Pika 5, e nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, pronë shtetërore, zëri “Tokë e zënë, tokë me bimësi pyjore”, dhe regjistrohet në zërin “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për ushtrimin e veprimtarisë minerare”, sipas legjislacionit në fuqi për ndryshimin e zërit kadastral të fondit pyjor e kullosor.”.
Neni 7
Në nenin 16 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Afati i aplikimit është prekluziv dhe, me kalimin e tij, zotëruesi i lejes minerare humbet të drejtën e aplikimit për shtyrje të afatit të lejes së shfrytëzimit.”.
2. Në pikën 3, fjalët “… për komunitetin e zonës përkatëse …” zëvendësohen me “… kombëtar ose lokal …”.
3. Në fund të pikës 4 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e një marrëveshjeje koncesionare, ministri negocion vetëm zgjatjen e afatit të marrëveshjes, sipas të gjithë objektit të saj.”.
4. Në fund të pikës 5 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në marrëveshjet koncesionare, miratimi i zgjatjes së afatit të lejes minerare bëhet nga ministri, për aq sa zgjatja e këtij afati nuk bie në kundërshtim me ligjin për koncesionet dhe afatet kohore të marrëveshjes koncesionare, të miratuar me legjislacionin e posaçëm. Në çdo rast, leja minerare nuk mund të jetë me afat kohor më të gjatë se afati kohor i marrëveshjes koncesionare”.
Neni 8
Pas nenit 17 shtohet neni 17/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 17/1
Nënkontraktimi
1. Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë të përdorë nënkontraktorë për kryerjen e shërbimeve të ndryshme në funksion të realizimit të veprimtarisë minerare. Nënkontraktori i përzgjedhur duhet të jetë i specializuar në shërbimin për të cilin është kontraktuar nga zotëruesi i lejes minerare.
2. Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë të japë me nënkontraktim të drejtën e shfrytëzimit të lejes minerare, për kërkim – zbulim, për shfrytëzim apo për kërkim – zbulim – shfrytëzim.
Nënkontraktori i përzgjedhur nga zotëruesi i lejes minerare duhet të marrë miratimin paraprak nga ministria, lidhur me plotësimin e kushteve kryesore ligjore, teknike e financiare, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit. Ministri përcakton, me udhëzim, edhe kushtet e procedurat e nënkontraktimit, të drejtat dhe detyrimet e nënkontraktuesit.
3. Zotëruesi i lejes minerare është përgjegjës përpara strukturave përgjegjëse për zbatimin e kushteve e të kërkesave të lejes minerare si dhe për përmbushjen e detyrimeve të tjera të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, ndërsa nënkontraktori është përgjegjës përpara strukturave përgjegjëse për zbatimin e kushteve dhe të rregullave të sigurimit teknik në zonën në të cilën ushtrohet aktiviteti minerar i nënkontraktuar.”.
Neni 9
Pas shkronjës “ë”, të pikës 1, të nenit 18, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) Të ketë personel të kualifikuar teknik gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes së shfrytëzimit.”.
Neni 10
Pas shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 20, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) Të ketë personel të kualifikuar teknik gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes së kërkim – zbulimit.”.
Neni 11
Në nenin 22 bëhen këto shtesa:
1. Në titull, pas fjalës “… vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
2. Në pikën 1 bëhen këto shtesa:
a) Pas fjalëve “… njësitë e qeverisjes vendore …” shtohen “… ose institucioni i cili menaxhon projekte me rëndësi kombëtare …”.
b) Pas fjalëve “… qëllime publike vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
3. Në pikën 3 bëhen këto shtesa:
a) Pas fjalëve “… qëllime publike vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
b) Pas fjalëve “… ndodhet karriera …” shtohen “… ose subjekti i cili ka fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare …”.
Neni 12
Në nenin 23 bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Në titull, pas fjalës “… vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
2. Në pikën 1 bëhen këto shtesa:
a) Pas fjalëve “… qëllime publike vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
b) Pas fjalëve “… nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore …” shtohen “… ose subjektit i cili ka fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare …”.
c) Në fund të pikës 1, pas fjalëve “… qëllime vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
3. Në pikën 2, pas fjalëve “… qëllime publike vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
4. Në pikën 3, pas fjalëve “… qeverisjes vendore …” shtohen “… ose subjekti i cili ka fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare …”.
5. Në pikën 4, pas fjalëve “… qëllime publike vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
6. Në pikën 5 bëhen këto shtesa:
a) Pas fjalëve “… qëllime publike vendore …” shtohen “… ose kombëtare …”.
b) Pas fjalëve “… sipas legjislacionit në fuqi …” shtohen “… ose subjekti i cili ka fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare …”.
Neni 13
Në nenin 24 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në pikën 6, fjalët “… jo më të gjatë se …” zëvendësohen me “… deri në …”.
2. Në fund të pikës 6 shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
“Afati i aplikimit është prekluziv dhe, me kalimin e këtij afati, zotëruesi i lejes minerare humbet të drejtën e aplikimit për shtyrje të afatit të lejes së shfrytëzimit.”.
3. Në pikën 7, fjalët “… për komunitetin e zonës përkatëse …” zëvendësohen me “… kombëtar ose lokal …”.
Neni 14
Në fund të pikës 6, të nenit 26, shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:
“Afati i aplikimit është prekluziv dhe, me kalimin e këtij afati, zotëruesi i lejes minerare e humbet të drejtën e aplikimit për shtyrje të afatit të lejes së kërkim – zbulim – shfrytëzimit.”.
Neni 15
Në nenin 27 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 2, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) Të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e bimësisë dhe të peizazhit ose të pasurive të tjera, si dhe të rehabilitojë të gjitha dëmtimet në sipërfaqen e tokës, të bëra gjatë kërkim – zbulim – shfrytëzimit.”.
2. Pikat 3 dhe 4 shfuqizohen.
Neni 16
Në nenin 28 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 3, fjalët “… për komunitetin e zonës përkatëse …” zëvëndësohen me “… kombëtar ose lokal …”.
2. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, pronë shtetërore, zëri “Tokë e zënë, tokë me bimësi pyjore” dhe regjistrohet në zërin “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për ushtrimin e veprimtarisë minerare”, sipas legjislacionit në fuqi për ndryshimin e zërit kadastral të fondit pyjor e kullosor.”.
Neni 17
Shkronja “ë”, e pikës 1, të nenit 29, shfuqizohet.
Neni 18
Në nenin 31 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Në fjalinë e parë, pas fjalëve “… planit të rehabilitimit …” shtohen “… progresiv dhe …”.
b) Në fjalinë e dytë, fjala “… ajo …” zëvendësohet me “… garancia financiare …”.
c) Në fjalinë e fundit, pas fjalës “… rehabilitimin …” shtohen “… progresiv dhe …”.
2. Në fjalinë e dytë, të pikës 2, fjala “… ajo …” zëvendësohet me fjalët “ … garancia financiare …”.
3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garancia financiare për realizimin e investimit llogaritet në vlerë monetare dhe i kthehet zotëruesit të lejes së shfrytëzimit pas realizimit të investimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Garancia depozitohet pas marrjes së lejes minerare të shfrytëzimit dhe afati i vlefshmërisë së saj duhet të jetë deri në 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e përfundimit të periudhës së investimeve. Vlera e saj llogaritet në 10 për qind të vlerës së investimit maksimal vjetor, që përcaktohet në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare për çdo leje minerare shfrytëzimi.”.
4. Në fjalinë e parë, të pikës 6, fjala “… tërheqjes …” zëvendësohet me “… kthimit …”.
5. Në fjalinë e parë dhe në fjalinë e dytë, të pikës 9, fjalët “… çdo 6 (gjashtë) muaj …” zëvendësohen me “… çdo vit …”.
6. Pika 11 shfuqizohet.
7. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Vlera e garancisë financiare për realizimin e investimit për lejet e shfrytëzimit i kthehet zotëruesit të lejes në fundin e periudhës së investimeve të përcaktuara sipas programit të zhvillimit të veprimtarisë minerare, kur vlera e investimit është realizuar mbi 90 % dhe brenda afatit kohor të parashikuar.
Kthimi i plotë ose i pjesshëm i garancisë financiare të investimit bëhet kur janë plotësuar dy kushtet e mësipërme pas hartimit të raportit të detajuar për propozimin me shkrim të strukturave përgjegjëse e për miratimin nga ministria. Në rastin kur vlera e investimit është realizuar brenda afatit dhe në nivelin mbi 90% dhe më pak se 100%, kthimi i garancisë financiare të investimit do të bëhet pjesor, në përputhje me përqindjen e realizimit të investimit.”.
8. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Kur zotëruesi i lejes minerare të shfrytëzimit ka dështuar në përmbushjen e kushteve të përcaktuara në paragrafin e parë, të pikës 12, atëherë vlera e plotë e garancisë financiare të investimit kalon në favor të shtetit.”.
Neni 19
Neni 35 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 35
Të drejtat e zotëruesit të lejes minerare mbi pasuritë e paluajtshme
fqinje
1. Zotëruesi i lejes minerare gëzon të drejtën e servitutit ligjor (të detyrueshëm) të rrugës së kalimit në sipërfaqen e mbitokës së pronës fqinje me zonën e lejuar minerare, në mënyrë që të marrë masat e nevojshme për të ndërtuar hyrjen dhe galerinë përkatëse për realizimin e veprimtarisë minerare.
2. Ushtrimi i së drejtës së servitutit, të parashikuar nga pika 1, e këtij neni, bëhet në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet palëve, pra zotëruesit të lejes minerare dhe pronarit të pronës fqinje, që përcakton mënyrën e ushtrimit të servitutit, dhe kundrejt pagesës vjetore të pronarit të pronës fqinje.
3. Nëse palët e përcaktuara në pikën 2 nuk arrijnë një marrëveshje brenda një afati 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës me shkrim nga zotëruesi i lejes, drejtuar pronarit të pronës fqinje, zotëruesi i lejes mund t’i drejtohet gjykatës. Gjykata përcakton pagesën vjetore dhe rregullat e ushtrimit të servitutit të kalimit në sipërfaqen e pronës fqinje. Në rastin e lejeve minerare, që jepen sipas ligjit për koncesionet, çështja gjykohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
4. Afati i servitutit të kalimit në sipërfaqen e pronës fqinje është afati i vlefshmërisë së lejes minerare dhe rruga e kalimit te prona fqinje shërbyese përcaktohet sipas parimit të dëmit më të vogël për pronën shërbyese.
5. Servituti ligjor i detyrueshëm nuk zbatohet në punimet minerare
nëntokësore horizontale apo vertikale, që i përkasin një zone ekzistuese të lejuar minerare.
6. Zotëruesi i lejes minerare është i detyruar të realizojë investimet e përcaktuara në planin e investimeve për sa i përket kryerjes së punimeve të hapjes së galerive të nëntokës, nëpërmjet të cilave do të bëhet i mundur depërtimi dhe shfrytëzimi i zonës dhe trupit minerar. Nuk lejohet depërtimi në zonën dhe trupin minerar, duke shfrytëzuar galeritë nëntokësore që janë ndërtuar apo shfrytëzohen nga zotërues të tjerë të lejeve minerare apo koncesionare, përveç rastit kur gjatë shqyrtimit nga strukturat përgjegjëse të dokumetacionit të aplikimit ka një marrëveshje paraprake ndërmjet palëve. Në këtë rast, depërtimi në zonën dhe trupin minerar nëpërmjet galerive të ndërtuara nga zotërues të tjerë të lejeve minerare duhet të prezantohet që në planin e investimit të paraqitur nga zotëruesi i lejes minerare.”.
Neni 20
Në nenin 36 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në fund të pikës 10, pas fjalës “… ndotjeve …” shtohen “… brenda zonës së lejes dhe jashtë saj, kur ndotja vjen si rezultat i ushtrimit të veprimtarisë minerare të subjektit …”.
2. Pika 24 shfuqizohet.
3. Në fund të pikës 25 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në kuadër dhe vetëm në funksion të veprimtarisë së saj, Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë informacion nga organet tatimore e doganore si dhe të publikojë në raportin vjetor të dhëna që kanë të bëjnë me pagesat e detyrimeve fiskale, të kryera nga subjektet minerare.”.
Neni 21
Në nenin 43 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli “Struktura përgjegjëse” zëvendësohet me “Mbikëqyrja dhe monitorimi i veprimtarive minerare”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Mbikëqyrja dhe monitorimi i veprimtarive minerare kryhen nga ministria dhe nga strukturat përgjegjëse, në varësi të saj. Organizimi dhe funksionimi i strukturave përgjegjëse të varësisë bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Siguria dhe mbrojtja e shëndetit të punonjësve si dhe operacionet e inspektim – shpëtimit realizohen e monitorohen nga struktura përgjegjëse.”.
Neni 22
Pika 5, e nenit 45, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Subjekti, ndaj të cilit vendoset masa administrative, ka të drejtën e ankimit pranë ministrit brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit të vendimit. Ministri ngre njësinë e ankimit e cila shqyrton ankimin administrativ, administron dhe shqyrton provat e njofton vendimin brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së ankimit. Ky afat mund të shtyhet nga ministria deri në 10 (dhjetë) ditë kalendarike, në rast se çmohet kryerja e verifikimeve në vendin ku ushtrohet veprimtaria minerare dhe me kusht që të njoftohet subjekti ndaj të cilit është vendosur masa administrative. Kundër vendimit të strukturës përgjegjëse dhe vendimit të njësisë së ankimit mund të bëhet ankim në gjykatën administrative sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 23
Pika 5, e nenit 46, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Subjekti, ndaj të cilit merret masa e pezullimit, ka të drejtën e ankimit pranë ministrit brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit të vendimit. Ministri ngre njësinë e ankimit e cila shqyrton ankimin administrativ, administron e shqyrton provat dhe njofton vendimin brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së ankimit. Ky afat mund të shtyhet nga ministria deri në 10 (dhjetë) ditë kalendarike në rast se çmohet kryerja e verifikimeve në vendin ku ushtrohet veprimtaria minerare dhe me kusht që të njoftohet subjekti ndaj të cilit është vendosur masa administrative. Kundër vendimit të strukturës përgjegjëse dhe vendimit të njësisë së ankimit mund të bëhet ankim në gjykatën administrative sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 24
Në pikën 1, të nenit 47, bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:
“a/1) konstatohet se zona e licencuar ka mbivendosje me një leje minerare që është dhënë më parë konform legjislacionit në fuqi në atë periudhë kohore. Në këtë rast, leja minerare e cila është dhënë në një periudhë kohore të mëvonshme është e pavlefshme dhe ministri e revokon atë.”.
2. Pas shkronjës “i” shtohet shkronja “j”, me këtë përmbajtje:
“j) Në rast se zotëruesi i lejes minerare shkel kërkesat e shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 18.”.
Neni 25
Pikat 2 dhe 3, të nenit 48, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Ministri, në bazë të propozimit të strukturës përgjegjëse, njofton zotëruesin e lejes minerare, duke specifikuar qëllimin e tij për të revokuar lejen minerare dhe arsyen e një veprimi të tillë. Njoftimi konsiderohet se është bërë në rast se kanë kaluar 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga data e dërgimit me postë, në adresën që zotëruesi ka deklaruar në përmbajtjen e lejes minerare dhe nëse është publikuar në faqen zyrtare të ministrisë.
Zotëruesi i lejes minerare ka të drejtë që brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit sipas kushteve të paragrafit të mësipërm, të paraqesë sqarime për shkaqet e përmendura në njoftim për fillimin e procedurave të revokimit të lejes minerare.
3. Ministri vendos revokimin e lejes minerare 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike pas kalimit të afateve të përcaktuara në pikën 2. Në rast se brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e dytë, të pikës 2, zotëruesi i lejes minerare paraqet argumente dhe prova të mjaftueshme që provojnë mungesën e shkaqeve, për të cilat është iniciuar revokimi, ministri vendos pushimin e procedurës së revokimit.”.
Neni 26
Pas pikës 2, të nenit 56, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministra, që, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore që lidhen me ndryshimet e bëra me këtë ligj.”.
Neni 27
Në nenin 57 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 1 shfuqizohet.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Ndryshimi i koordinatave në lejen minerare lejohet në raste të veçanta, për lejet ekzistuese të dhëna në bazë të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994, “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, kufijtë e të cilave janë dhënë në hapësirë me 3 (tri) koordinata, sipas kushteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
3. Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Zotëruesit e lejeve minerare, që depërtojnë dhe shfrytëzojnë zonën dhe trupin minerar nëpërmjet galerive nëntokësore të zotëruesve të tjerë të lejeve minerare, duhet të marrin masa që të realizojnë investimet për hapjen e galerive të tyre sipas parashikimeve të planit të investimit, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
5. Në zbatim të shkronjës “a/1”, të pikës 1, të nenit 47, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministria dhe strukturat përgjegjëse në varësi të saj, identifikojnë rastet e mbivendosjeve të lejeve minerare dhe marrin masa për revokimin e lejeve që mbivendosen me leje minerare të dhëna më parë, në përputhje me legjislacionin në fuqi në atë periudhë kohore.”.
Neni 28
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META