Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.108/2014, “PËR POLICINË E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Pika 16, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë:
“16. “Punonjës policie” është personi i emëruar në strukturat e policisë pas përfundimit të arsimit/kualifikimit përkatës dhe mban gradë policore.”.

Neni 2

Shkronja “b”, e pikës 2, të nenit 13, ndryshohet, si më poshtë:
“b) të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici ose në strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, nga të cilat, të paktën, 10 vjet në pozita të larta drejtuese në këto struktura.”.

Neni 3

Shkronja “b”, e pikës 1, të nenit 14, ndryshohet, si më poshtë:
“b) të ketë të paktën 12 vjet përvojë në polici ose në strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, nga të cilat, të paktën, 8 vjet në pozita të larta drejtuese në këto struktura.”.

Neni 4

Pika 1, e nenit 19, ndryshohet, si më poshtë:
“1. Policia e Shtetit është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor. Ajo organizohet mbi bazë shërbimi, e profilizuar në Policinë Kriminale, Policinë për Sigurinë Publike dhe Policinë për Kufirin dhe Migracionin. Kategoritë e profilizuara të Policisë së Shtetit dallojnë midis tyre nga arsimi, kualifikimi, simbolet, detyrat dhe përgjegjësitë që ushtrojnë.”.

Neni 5

Në nenin 38, bëhen këto ndryshime e shtesa:
1. Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë:
“b) të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil.”.
2. Shkronja “d”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë:
“d) të ketë mbaruar së paku arsimin e mesëm.”.
3. Në pikën 2, pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
“g) të plotësojë standardet dhe kriteret e tjera të veçanta të përcaktuara nga Akademia e Sigurisë dhe të miratuara nga ministri i Brendshëm.”.
4. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni. Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore “Nënkomisar”.”.

Neni 6

Në pikën 4, të nenit 40, fjalët “… 1 për qind …” zevëndësohen me “… 3 për qind …”.

Neni 7

Pas nenit 40 shtohet neni 40/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 40/1
Pranimi nga radhët e Forcave të Armatosura
1. Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji.
2. Për ushtarakët e shërbimit, pranimi realizohet mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen.
3. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet pas nxjerrjes në lirim të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
4. Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
5. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke njohur ruajtur vjetërsinë e shërbimit.
6. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit.”.

Neni 8

Në pikën 2, të nenit 46, pas shkronjës “ë” shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) i refuzohet pajisja me certifikatën përkatëse të sigurisë nga autoritetet përgjegjëse.”.

Neni 9

Në pikën 1.1, të nenit 53, pas fjalëve “… vjetërsisë në punë …”, shtohet fjala “… funksionit …”.

Neni 10

Pika 1, e nenit 54, ndryshohet, si më poshtë:
“1. Fitimi i gradës “Nënkomisar” deri në “Drejtues i parë” bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces aplikimi, verifikimi, vlerësimi konkurrues dhe përfundimit me sukses të programit përkatës të arsimim/trajnimit.”.

Neni 11

Shkronja “b”, e pikës 1, të nenit 55, ndryshohet, si më poshtë:
“b) të përmbushë kriteret për pozicionin e punës dhe të ketë përfunduar arsimin e lartë.”.

Neni 12

Në nenin 57 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë:
1. Në pikën 2, fjalët “… intervista me gojë …” zëvendësohen me “… në intervistë …”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë:
“3. Kufiri minimal për kalimin me sukses të testimit përkatës nuk mund të jetë më i ulët se 70 për qind e vlerës së përgjithshme të pikëve të testimit.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Përbërja e komisioneve të gradimit dhe ankimimit, rregullat dhe procedurat e zhvillimit dhe vlerësimit të kandidatëve në fazat e testimit përcaktohen me rregullore të veçantë të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.”.

Neni 13

Në nenin 58 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli ndryshohet dhe bëhet:
“Shpallja e fituesve për procesin e gradimit”
2. Fjalët “… fitimin e gradës përkatëse …” hiqen.

Neni 14

Neni 59 ndryshohet, si më poshtë:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë:
“3. Pas përfundimit të programit të arsimimit/trajnimit, renditja e konkurrentëve bëhet sipas shumës së pikëve të arritura gjatë testimit dhe arsimimit/kualifikimit për gradën përkatëse, duke filluar nga punonjësi i cili ka vlerësimin më të lartë.”.

2. Pika 4 shfuqizohet.

Neni 15

Pas nenit 59 shtohet neni 59/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 59/1
Dhënia e gradës
Në përfundim të procesit të testimit dhe të arsimimit/kualifikimit, dhënia e gradës bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, bazuar në aktin e vlerësimit të komisionit të gradës. Në urdhër përcaktohet edhe funksioni që do të kryejë punonjësi.”.

Neni 16

Në nenin 96 bëhen këto ndryshime:
1. Nënndarja “ii”, e shkronjës “b”, të pikës 1, ndryshohet, si më poshtë:
“ii. mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në 6 muaj.”.
2. Shkronja “a”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë:
“a) 6 muaj nga njoftimi i masës “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim.”.
3. Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë:
“b) një vit nga mbarimi i afatit për të cilin është zbatuar masa disiplinore “shtyrje e afatit të gradimit deri në 2 vjet” ose “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në 6 muaj.”.

Neni 17

Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë vendim në zbatim të nenit 7, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri Brendshëm që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë udhëzimin në zbatim të nenit 7, të këtij ligji.

Neni 18
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.108/2014, “PËR POLICINË E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.