Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 05 Qershor 2019
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9636, DATË 6.11.2006, “PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT”, TË NDRYSHUAR[1]
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
- Pikat 1 dhe 7 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. “Produkte duhani” nënkupton produktet që mund të konsumohen dhe të përmbajnë, qoftë dhe pjesërisht duhan, të modifikuar gjenetikisht ose jo.”.
“7. “Pirje duhani” është ndezja, thithja dhe mbajtja në dorë e ndezur e çdo produkti duhani si dhe e cigares elektronike e shishave/nargjileve.”.
- Pas pikës 18 shtohen pikat 19, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34, 35 e 36, me këtë përmbajtje:
“19. “Cigare” nënkupton një mbështjellje duhani të grirë e cila konsumohet nëpërmjet procesit të djegies, përveç purove, cigarillove dhe mbështjelljeve të tjera të duhanit.
- 20. “Duhan kaush/për t’u dredhur” nënkupton duhanin e grirë në fije të imëta që përdoret për pirje pa përpunim të mëtejshëm industrial.
- “Duhan për llullë” nënkupton duhanin e grirë trashë për pirje me llullë.
- “Puro” nënkupton duhanin e grirë, të mbështjellë me gjethe duhani ose me mbështjellëse letre me ngjyrë duhani, me ose pa filtër, që konsumohet nëpërmjet procesit të djegies.
- “Duhan për nargjile (shisha)” nënkupton duhanin i cili kosumohet në formë tymi ose avulli, duke kaluar detyrimisht në një enë uji, i cili mund të jetë ose jo i aromatizuar, ose i përzier me sheqer frutash ose melasë.
- “Duhan për t’u nuhatur (burnot)” nënkupton një produkt duhani pa tymosje, që konsumohet nëpërmjet nuhatjes.
- 25. “Duhan për përdorim oral” nënkupton të gjitha produktet e duhanit për përdorim oral, me përjashtim të atyre produkteve që janë për t’u thithur me hundë apo për përtypje, të prodhuara tërësisht ose pjesërisht prej duhanit, në formë pluhuri, grimcash apo të kombinuara së bashku, që paketohen në qeska poroze.
- “Duhan pa tym” nënkupton një produkt duhani që nuk digjet, duke përfshirë duhanin për përtypje, duhanin për thithje me hundë, duhanin për përdorim oral dhe duhanin me ngrohje.
- “Tym” nënkupton grimcat e ngurta ose të lëngëta në ajër dhe gazet e krijuara kur një material digjet së bashku me sasinë e ajrit që përthithet apo përzihet me masën, përfshirë edhe tymin e nxjerrë prej mushkërive gjatë duhanpirjes.
- “Djegie” nënkupton një proces kimik oksidimi që ndodh me një shpejtësi aq të madhe sa të prodhojë nxehtësi dhe zakonisht dritë në formë inkandeshente ose flake.
- “Produktet e reja të duhanit” nënkuptojnë produktet e duhanit që:
- a) nuk bëjnë pjesë në asnjë nga kategoritë e mëposhtme si: cigare, duhan kaush/për t’u dredhur, duhan për nargjile, puro, cigarillo, duhan për përtypje, duhan për thithje me hundë, duhan për përdorim nga goja;
- b) vendosen në treg pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
- “Cigare elektronike” nënkupton një produkt që mund të përdoret për konsum të avullit që përmban nikotinë me anë të një pjese që vendoset pranë gojës ose çdo përbërës tjetër i atij produkti, duke përfshirë një mbajtëse, një depozitë dhe një pajisje pa mbajtëse ose depozitë. Cigaret elektronike mund të jenë njëpërdorimshe ose me rimbushje me anë të një ene për rimbushje ose një depozite, ose mund të rikarikohen me një mbajtëse njëpërdorimshe.
- “Enë rimbushëse” nënkupton një pajisje që mban një lëng me përmbajtje nikotine, e cila mund të përdoret për rimbushje të një cigareje elektronike.
- “Duhan me ngrohje” nënkupton një produkt duhani, posaçërisht i krijuar për t’u ngrohur që përdoret për të çliruar aerosol që përmban nikotinë dhe substanca të tjera, i cili thithet nga përdoruesit nëpërmjet gojës.
- “Shije karakteristike” nënkupton një shije apo aromë qartësisht të dallueshme, e ndryshme nga ajo e duhanit, si rezulat i përdorimit të një lënde shtesë apo i një kombinimi lëndësh shtesë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: fruta, erëza, barishte, alkool, karamele, mentol ose vanilje; të cilat janë të kuptueshme para ose gjatë konsumit të produkteve të duhanit.
- “Cigarillo” nënkupton një lloj puroje, me peshë jo më të madhe se 3 gram.
- “Substancë shtesë” nënkupton një substancë të ndryshme nga duhani, e cila i shtohet një produkti duhani, një njësie pakete ose çdo paketimi të jashtëm.
- “Aromatizues” nënkupton një substancë shtesë e cila mundëson aromë dhe/ose shije.”.
Neni 2
Pas pikës 3, të nenit 5, shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:
“4. Çdo njësi paketimi e cigareve elektronike dhe paketim i rimbushjeve të lëngut të nikotinës duhet të përmbajë një fletë informuese në gjuhën shqipe, ku të përfshihen informacion rreth: instruksioneve të përdorimit dhe magazinimit të produktit, duke përfshirë dhe një referencë që ky produkt nuk rekomandohet të përdoret nga të rinjtë dhe nga joduhanpirësit; kundërindikacionet e përdorimit; paralajmërimet për grupet e veçanta të riskut, paralajmërimet për efektet anësore; shkallën e varësisë dhe toksicitetit; dhe detajet e kontaktit të prodhuesit ose importuesit.
- Lëngu me përmbajtje nikotine vendoset në treg vetëm kur është në mbajtëse të dedikuara për rimbushje, me volum jo më shumë se 10 ml ose në formën e cigareve elektronike njëpërdorimshe, me volum jo më shumë se 2 ml.
- Nuk lejohet vendosja në treg e lëngut që përmban më shumë se 20mg/ml nikotinë.”
Neni 3
Në fund të nenit 8 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Prodhuesit dhe/ose importuesit e produkteve të reja të duhanit, përfshirë cigaret elektronike dhe duhanin me ngrohje, janë të detyruar të njoftojnë ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë për produktet e reja të duhanit. Ky lajmërim duhet dorëzuar, jo më vonë se 30 ditë para hedhjes në treg të produktit. Njoftimi duhet të përmbajë:
- a) informacion kontakti të prodhuesit ose importuesit në Shqipëri;
- b) një përshkrim të detajuar të produktit;
- c) instruksionet e lidhura me përdorimin e tij;
ç) listën e përbërësve të produktit;
- d) materialet e disponueshme të kërkimeve shkencore, rrezikun e varësisë dhe tërheqjen e produktit.”.
Neni 4
Në nenin 9, pas togfjalëshit “… produkteve të duhanit …” shtohen fjalët “… cigareve elektronike, shishave/nargjileve …”.
Neni 5
Në nenin 10, pas togfjalëshit “… produkteve të duhanit …” shtohen fjalët “… cigareve elektronike, shishave/nargjileve …”.
Neni 6
Pas fjalisë së parë, të nenit 11, shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Ndalohet vendosja në treg e produkteve të duhanit me shije karakteristike. Nuk ndalohet përdorimi i substancave shtesë të cilat janë të domosdoshme për prodhimin e produkteve të duhanit, siç është përdorimi i sheqernave që zëvendësojnë sheqerin e humbur gjatë procesit të përpunimit të duhanit, me kusht që këto substanca shtesë nuk shkaktojnë shije karakteristike dhe nuk rrisin në një nivel domethënës dhe të matshëm shkallën e varësisë, toksicitetit ose karakteristikave karcinogjene, mutagjene dhe toksicitetit për riprodhim të produktit të duhanit.
Ministria përgjegjëse për shëndetësinë përcakton nëse një produkt duhani konsiderohet produkt duhani me shije karakteristike. Procedurat për mënyrën e përcaktimit të produkteve të duhanit me shije karakteristike bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ndalohet vendosja në treg e produkteve të duhanit që përmbajnë aromatizues në secilin prej komponentëve, si filtra, letra, paketime, kapsula apo çdo modifikim teknik që lejon modifikimin e aromës ose shijes së produktit të duhanit ose intesitetin e tymit. Filtrat, letrat dhe kapsulat nuk duhet të përmbajnë duhan apo nikotinë.
Një njësi pakete cigare duhet të përmbajë të paktën 20 cigare. Një njësi pakete duhan për dredhje duhet të përmbajë jo më pak se 30 gram neto produkt duhani.”.
Neni 7
Fjalia e fundit, e paragrafit të parë, të nenit 13, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Ndalohet çdo llojforme tjetër reklamimi i produkteve të duhanit, përfshirë promocionin indirekt përmes ngjyrave që përfaqësojnë logot e kompanive, ose promocionin nëpërmjet ekspozimit të produkteve që imitojnë paketimin e jashtëm të një produkti duhani.”.
Neni 8
Pas pikës 1, të nenit 20, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Për shkelje të nenit 15 dy herë brenda një perjudhe 3-mujore, subjekti i tatueshëm dënohet me gjobë sa dyfishi i gjobës së vendosur në nënndarjen “i”, të shkronjës “ë”, të këtij neni.
Nëse subjekti i tatueshëm i penalizuar për herë të dytë gjendet përsëri në shkelje nenit 15 brenda një afati kohor 1 vjeçar, atëherë ndaj tij vendoset gjobë në vlerën gjashtëfish i gjobës së vendosur në nënndarjen “ii”, të shkronjës “ë”, të këtij neni, dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës.”.
Neni 9
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të paragrafi të parë, të dytë dhe të tretë, të nenit 6, të këtij ligji, që hyjnë në fuqi 48 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe të paragrafit të katërt, të nenit 6, të këtij ligji, që hyn në fuqi 24 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUCI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9636, DATË 6.11.2006, “PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PROVËS
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës, përcaktimin e procedurave për mbikëqyrjen dhe ekzekutimin e dënimeve alternative, ekzekutimin e masave dhe dënimeve jo me burgim për të miturit, trajtimin e individualizuar të nevojave dhe aftësive të personit të mbikëqyrur për të siguruar përshtatjen e tij në komunitet për riintegrimin e tij në jetën shoqërore, si dhe zbatimin e përgjithshëm të aktiviteteve të vënies në provë.
Neni 2
Misioni i Shërbimit të Provës
Veprimtaria e Shërbimit të Provës është funksion publik, që kryhet në interes të komunitetit dhe synon udhëheqjen, dhënien e ndihmës dhe përkrahjen ndaj autorit të veprës penale, rehabilitimin dhe riintegrimin e tij shoqëror, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale, uljen e kostove sociale dhe kontribuon në rritjen e sigurisë shoqërore.
Neni 3
Përkufizime
Termat e përdorur në këtë ligj kanë kuptimin e mëposhtëm:
- “Dënime alternative”, një prej alternativave të dënimit me burgim, të parashikuara në kreun VII, të ligjit nr.7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
- “Dënime jo me burgim për të miturit”, dënimet e parashikuara në nenin 95, të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit;
- “Masa alternative”, masat alternative për shmangien nga ndjekja penale, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, si dhe masa shtrënguese e arrestit në shtëpi me mbikëqyrje elektronike, sipas Kodit të Procedurës Penale;
- “Mbikëqyrje”, aktivitetet që kryhen nga Shërbimi i Provës për zbatimin e masave alternative dhe alternativave të dënimit me burgim, si dhe urdhërimeve të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta, me qëllim asistim, këshillim dhe riintegrim të të mbikëqyrurit në komunitet;
- “I mbikëqyrur”, i dënuari me vendim gjyqësor me njërën prej alternativave të dënimit me burgim ose personi ndaj të cilit gjykata ka vendosur një urdhër mbrojtjeje apo ndonjë masë tjetër shtrënguese, të parashikuar me ligje të veçanta;
- “I mbikëqyrur i mitur”, çdo person që ka përgjegjësi penale dhe është subjekt i drejtësisë penale për të mitur sipas këtij kodi;
- “Shmangie”, masa alternative për mosfillimin, pezullimin ose pushimin e ndjekjes penale ndaj të miturit në konflikt me ligjin;
- “Vënia në provë”, plotësimi i kushteve të caktuara nga organi procedues ndaj personit të vendosur nën mbikëqyrje për një periudhë të caktuar kohore. Vënia në provë përfshin një sërë aktivitetesh dhe ndërhyrjesh, të tilla si: kontrollin, orientimin dhe asistencën, me qëllim përfshirjen sociale të të mbikëqyrurit, si dhe sigurinë në komunitet;
- “Përkujdesje e mëtejshme”, proces i planifikuar nga Shërbimi i Provës në bashkëpunim me të mbikëqyrurin, me pëlqimin e tij, për t’u zhvilluar edhe pas përfundimit të vënies në provë, me qëllim riintegrimin e tij në komunitet.
- “Punonjës të Shërbimit të Provës”, nëpunësit e Shërbimit të Provës dhe punonjësit administrativë.
Neni 4
Parimet e veprimtarisë së Shërbimit të Provës
- Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësore, në respektim të lirive e të të drejtave themelore të njeriut, të parimit të ligjshmërisë, objektivitetit, transparencës, mosdiskriminimit, kontrollit dhe llogaridhënies.
- Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në respektim të standardeve të larta etike e profesionale. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, Shërbimi i Provës garanton dinjitetin, integritetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të të mbikëqyrurit e të familjes së tij, të viktimës së veprës penale dhe të familjes së saj. Të gjitha aktivitetet dhe ndërhyrjet e Shërbimit të Provës janë në përputhje me standardet më të larta etike dhe profesionale, kombëtare e ndërkombëtare.
- Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në respektim të parimit të njoftimit në një gjuhë të kuptueshme nga personi, në rast se është e nevojshme, përmes një përkthyesi zyrtar apo përmes një përkthyesi të gjuhës së shenjave, nëse personi nuk flet apo nuk kupton gjuhën shqipe apo nuk mund të shprehet.
- Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në respektim të jetës private të të mbikëqyrurit dhe familjes së tij, duke kufizuar atë brenda kufijve të natyrës dhe përmbajtjes së dënimeve dhe masave të dhëna nga gjykata dhe nëse janë si rezultat i veçorive të ndërhyrjes, në varësi të faktit dhe rrezikshmërisë së veprës së kryer.
- Shërbimi i Provës synon të zhvillojë ndjenjën e përgjegjësisë të të mbikëqyrurit ndaj komunitetit dhe viktimës, si dhe të mbështetë e të nxitë riintegrimin social të të mbikëqyrurit nëpërmjet shtetit ligjor dhe rregullave të ndërveprimit social e ndërhyrjeve të posaçme.
- Veprimtaria e Shërbimit të Provës realizohet në mbrojtje dhe në respektim të privatësisë e të konfidencialitetit për informacionin e mbledhur dhe të prodhuar për shkak të detyrës, parashikuar nga kuadri ligjor në fuqi.
- Veprimtaria e Shërbimit të Provës zhvillohet pa asnjë diskriminim race, kombësie, etnie, gjuhe, besimi fetar, gjinie, orientimi seksual, opinioni ose përkatësie politike, pasurie, origjine sociale, moshe, paaftësie, sëmundjeje kronike jongjitëse ose infeksion HIV/SIDA ose për rrethana të tjera të këtij lloji, përveç rasteve të diskriminimit pozitiv, në përputhje me Kushtetutën.
- Shërbimi i Provës bashkëpunon me institucionet shtetërore e joshtetërore, kombëtare ose ndërkombëtare, për të promovuar përfshirjen sociale të personave, me qëllim uljen e recidivizmit, adresimin e shtysave kriminale dhe rehabilitimin e riintegrimin e tyre.
KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I SHËRBIMIT TË PROVËS
Neni 5
Organizimi i Shërbimit të Provës
- Shërbimi i Provës është institucion publik e buxhetor, në varësi të ministrit të Drejtësisë, dhe gëzon personalitet juridik.
- Struktura dhe organika e Shërbimit të Provës miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
- Shërbimi i Provës organizohet në:
- a) nivel qendror, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës;
- b) nivel vendor, nëpërmjet degëve territoriale të Shërbimit të Provës të organizuara pranë gjykatave të rretheve gjyqësore.
- Për ushtrimin e veprimtarisë, Shërbimi i Provës ka buxhetin e vet, si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.
Neni 6
Funksionet e Shërbimit të Provës
Shërbimi i Provës, gjatë veprimtarisë së tij, ushtron këto funksione:
- Mbikëqyr zbatimin e detyrave të ngarkuara ndaj personit nën mbikëqyrje, të përcaktuara në urdhrin e ekzekutimit të nxjerrë nga prokurori;
- Harton dhe mbikëqyr mënyrën e zbatimit të programit individual të trajtimit të të mbikëqyrurit, duke synuar mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e viktimave të veprave penale dhe parandalimin e kryerjes së veprave penale;
- Mbështet të mbikëqyrurin në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin shoqëror para, gjatë dhe pas përfundimit të periudhës së provës.
ç) Adreson problematikat e të mbikëqyrurit për punësimin, strehimin, formimin e tij, në mënyrë që të reduktohet në të ardhmen rreziku i recidivizmit.
- Harton raporte vlerësimi pranë prokurorisë dhe gjykatës, në përputhje me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale dhe aktet e tjera ligjore apo nënligjore në fuqi.
Neni 7
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës
- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës është përgjegjëse për:
- a) planifikimin dhe drejtimin strategjik të veprimtarisë së Shërbimit të Provës;
- b) organizimin, drejtimin e koordinimin e procesit të ekzekutimit të masave dhe dënimeve nga degët territoriale;
- c) organizimin, drejtimin dhe koordinimin e procesit të zbatimit të Kodit të Drejtësisë për të Miturit;
ç) organizimin, drejtimin dhe koordinimin e procesit të mbikëqyrjes elektronike nga ana e Drejtorisë së Mbikëqyrjes Elektronike dhe degëve territoriale të Shërbimit të Provës, bazuar në ligjin nr.10494, datë 22.12.2011, “Për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor”;
- d) koordinimin dhe përgatitjen e standardeve, metodologjisë së punës, me qëllim unifikimin e praktikës e përmirësimin e veprimtarisë së punonjësve të Shërbimit të Provës;
- dh) vlerësimin, kontrollin dhe inspektimin e aktivitetit të zhvilluar nga degët territoriale të Shërbimit të Provës;
- e) koordinimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore të Shërbimit të Provës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloren e Shërbimit të Provës;
ë) organizimin e trajnimeve profesionale të posaçme të nëpunësve dhe për koordinimin e punës për trajnime të vazhdueshme të ofruara nga institucione, donatorë ose organizata vendase apo të huaja;
- f) mbajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucione të ndryshme, shtetërore apo private, organizata jofitimprurëse, vendase apo të huaja, për realizimin e veprimtarisë institucionale;
- g) përfaqësimin në proceset gjyqësore, ku Shërbimi i Provës është palë;
- gj) koordinimin e punës për mbledhjen e të dhënave statistikore në fushën e Shërbimit të Provës, përpunimin e trajtimin e mëtejshëm të tyre;
- h) promovimin e veprimtarisë së Shërbimit të Provës;
- i) administrimin financiar të institucionit të Shërbimit të Provës;
- j) kryerjen e detyrave të tjera të nevojshme për zbatimin e masave dhe të dënimeve.
- Rregullorja e Shërbimit të Provës miratohet nga ministri i Drejtësisë.
Neni 8
Kompetenca tokësore e degëve territoriale
- Dega territoriale, ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin i mbikëqyruri, është kompetente për realizimin e mbikëqyrjes në territorin e vet të kompetencës.
- Dega territoriale, ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin personi që vlerësohet, kompetente është për hartimin e raportit të vlerësimit. Nëse personi që vlerësohet ndodhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, është kompetente dega territoriale pranë rrethit gjyqësor ku ndodhet institucioni i vuajtjes së dënimit.
- Në rast konflikti kompetence ndërmjet degëve territoriale, zgjidhja e konfliktit bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja dijeni për këtë konflikt.
Neni 9
Drejtori i Përgjithshëm
Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës në marrëdhënie me të tretët, organizon dhe kontrollon veprimtarinë e saj dhe është përgjegjës për mirëfunksionimin e institucionit të Shërbimit të Provës.
Neni 10
Drejtori i degës territoriale
- Drejtori i degës territoriale është përgjegjës për drejtimin, bashkërendimin dhe kontrollin e përmbushjes së detyrave nga punonjësit e degës territoriale të Shërbimit të Provës.
- Drejtori i degës territoriale duhet të zotërojë të paktën diplomë të nivelit “Master shkencor” / “Master i arteve” / “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike apo të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët psikologji, drejtësi, punë sociale ose sociologji.
Neni 11
Specialisti i Shërbimit të Provës
- Specialisti i Shërbimit të Provës është personi përgjegjës për mbikëqyrjen e masave alternative, dënimeve jo me burgim, sipas Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, alternativave të dënimit me burgim, si dhe masave të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta, me qëllim asistimin, këshillimin dhe riintegrimin e të mbikëqyrurve në komunitet.
- Specialisti i Shërbimit të Provës duhet të zotërojë të paktën diplomë të nivelit “Master profesional” apo të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët psikologji, drejtësi, punë sociale ose sociologji.
Neni 12
Të drejtat dhe ndalimet e punonjësve të shërbimit të provës
- Punonjësi i Shërbimit të Provës ka të drejtë të njihet me informacionin e administruar gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor, për aq sa është e nevojshme për kryerjen e detyrave funksionale e me informacionin e administruar nga institucione të tjera shtetërore, në përputhje me kushtet dhe kërkesat ligjore.
- Punonjësi i Shërbimit të Provës nuk mund të kryejë funksione të tjera publike apo private, të cilat bien ndesh me detyrat e tij funksionale dhe ligjore.
- Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Shërbimit të Provës në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe të degëve territoriale rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.
- Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe të degëve territoriale rregullohen sipas Kodit të Punës.
Neni 13
Rastet e konfliktit të interesit
- Punonjësi i Shërbimit të Provës ka detyrimin të shmangë çdo konflikt ndërmjet interesit të tij privat dhe interesit publik në kryerjen e detyrës, sipas legjislacionit përkatës.
- Punonjësi i Shërbimit të Provës, gjatë kryerjes së detyrave të tij për mbikëqyrjen dhe asistimin e të mbikëqyrurit, deklaron të gjitha rastet e rënies së tij në konflikt interesi, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike.
- Punonjësi i Shërbimit të Provës është i detyruar të kërkojë heqjen dorë nga mbikëqyrja dhe asistimi i të mbikëqyrurit në rastet e konfliktit faktik e të vazhdueshëm të interesit me të dënuarin.
- Deklarimi i konfliktit të interesit dhe kërkesa për heqjen dorë i paraqiten për vendimmarrje drejtorit të degës përkatëse të Shërbimit të Provës. Në rastet kur konflikti i interesit deklarohet nga drejtori i degës territoriale përkatëse, aktet i paraqiten për vendimmarrje drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës. Përmbajtja e kërkesës dhe e vendimit u njoftohet palëve në çdo rast, brenda afateve ligjore.
KREU III
MBËSHTETJA E SHËRBIMIT TË PROVËS GJATË PROCESIT GJYQËSOR
Neni 14
Detyrimi për të paraqitur raport vlerësimi
- Shërbimi i Provës, me kërkesë të prokurorit ose të gjykatës, paraqet raport vlerësimi për të miturin në konflikt me ligjin, personin nën hetim, për të pandehurin ose për të mbikëqyrurin:
- gjatë fazës së hetimeve paraprake;
- përpara vendimit të masës së shmangies dhe në përfundim të ekzekutimit të saj;
- c) gjatë gjykimit përpara dhënies së vendimit penal;
ç) gjatë fazës së ekzekutimit të alternativës së dënimit me burgim në rastin e:
- mbikëqyrjes së personit të dënuar;
- shqyrtimit të kërkesës për lirimin me kusht;
- përfundimit para kohe të periudhës së vënies në provë;
- përfundimit të dënimit alternativ apo përfundimit të përmbushjes së detyrimeve të caktuara;
- mospërmbushjes së detyrimeve nga i mbikëqyruri.
- d) në raste të tjera të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
- Shërbimi i Provës paraqet në raportin vlerësues rekomandime të arsyetuara, sipas pikës 1, të këtij neni.
- Punonjësi i Shërbimit të Provës, i ngarkuar me mbikëqyrjen e të dënuarit, kryen vlerësime periodike dhe harton raporte periodike vlerësimi, në përputhje me modelet standarde të miratuara nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.
Neni 15
Raporti i Shërbimit të Provës
- Raporti i vlerësimit përmban të dhëna për:
- a) familjen;
- b) mjedisin shoqëror të personit;
- c) formimin arsimor e profesional;
ç) sjelljen e përgjithshme dhe analizën e sjelljes;
- d) rrezikshmërinë për përsëritje;
- dh) sjelljen kundrejt viktimës;
- e) çdo të dhënë që vlerësohet si e dobishme.
- Shërbimi i Provës raporton në mënyrë objektive dhe të paanshme, pavarësisht nga qëndrimet e prokurorisë apo të mbrojtësit, mendimin e tij.
- Shërbimi i Provës njofton prokurorin ose gjykatën për pamundësinë e hartimit të raportit të vlerësimit, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës për hartimin e këtij raporti.
- Raportet përpilohen sipas modeleve të standardizuara, të miratuara me urdhër të ministrit të Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.
KREU IV
VEPRIMET E SHËRBIMIT TË PROVËS PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMEVE PENALE
Neni 16
Zbatimi i urdhrit të ekzekutimit
Shërbimi i Provës zbaton urdhrin e ekzekutimit të nxjerrë nga prokurori bazuar në vendimin e gjykatës.
Neni 17
Administrimi i të dhënave gjatë zbatimit të urdhrit të ekzekutimit
- Specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës, për çdo të mbikëqyrur, hap dosje personale, ku administrohen të gjitha aktet e nxjerra nga Shërbimi i Provës për të dënuarin gjatë procesit penal dhe ekzekutimit të vendimit gjyqësor përkatës.
- Të dhënat personale të administruara gjatë periudhës së provës përpunohen e trajtohen në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
- Dosja personale dhe përmbajtja e saj, pas përfundimit të periudhës së provës, trajtohet në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat.
- Çdo degë territoriale e Shërbimit të Provës, në përmbushje të detyrave funksionale, mban në formë shkresore regjistrat e mëposhtëm:
- a) Regjistrin themeltar të personave të dënuar;
- b) Regjistrin e kërkesë-ankesave;
- c) Regjistrin e shkeljeve të planit individual të trajtimit;
ç) Regjistrin e ngjarjeve të rënda;
- d) Regjistrin e organizatave jofitimprurëse, të institucioneve shtetërore ose joshtetërore që ofrojnë këshillim dhe asistencë të çdo forme për të dënuarit me alternativa të dënimit me burgim.
- Formati dhe përmbajtja e regjistrave të parashikuar në pikën 4 përcaktohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës.
- Të dhënat e regjistrave të përcaktuara në pikën 4, të këtij neni, trajtohen në përputhje me kushtet dhe kërkesat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 18
Veprimet që kryhen në zbatim të urdhrit të ekzekutimit
- Veprimet që kryhen nga Shërbimi i Provës, në zbatim të urdhrave të ekzekutimit, janë, si më poshtë vijon:
- Verifikimi dhe përcaktimi i kompetencës territoriale;
- Vendosja e kontaktit të parë dhe realizimi i intervistës me të mbikëqyrurin;
- Informimi për të drejtat dhe detyrimet që gëzon gjatë procesit të mbikëqyrjes;
ç) Hartimi i sistemit të vlerësimit të rrezikshmërisë;
- Hartimi i programit individual të trajtimit në bashkëpunim me të mbikëqyrurin.
- Shërbimi i Provës, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, joshtetërore dhe shoqërinë civile, merr masa për zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në vendimin e gjykatës.
- Rregullat për zbatimin e urdhrave të ekzekutimit përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të Shërbimit të Provës.
Neni 19
Veprimet që kryhen në zbatim të vendimeve të parashikuara në kuadër të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur
- Në kuadër të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, Shërbimi i Provës kryen veprime në zbatim të vendimeve për:
- masën e shmangies nga ndjekja penale;
- dënimet jo me burgim.
- Rregullat për zbatimin e këtyre vendimeve përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të Shërbimit të Provës.
Neni 20
Detyrimet e tё mbikëqyrurit në rast të ndryshimit të vendbanimit
- I mbikëqyruri njofton me shkrim specialistin përgjegjës për mbikëqyrjen, për ndryshimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit. Në raste urgjente, i mbikëqyruri njofton paraprakisht, nëpërmjet telefonit ose me anë të postës elektronike, dhe më pas me shkrim, për adresën e vendit ku do të qëndrojë.
- Në rastin e dënimit me qëndrim në shtëpi, procedurat për ndryshimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit bëhen sipas përcaktimeve të bëra nga legjislacioni në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale.
- Nëse vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i personit ndodhet në një zonë jashtë kompetencës tokësore të degës territoriale të Shërbimit të Provës të ngarkuar fillimisht me çështjen, kjo e fundit i dërgon degës territoriale të Shërbimit të Provës, në kompetencën tokësore të së cilës gjendet vendbanimi apo vendqëndrimi i ri i të mbikëqyrurit, dosjen personale.
- Rregullat më të hollësishme për arsyet e ndryshimit të vendbanimit apo vendqëndrimit dhe për mënyrën e realizimit të mbikëqyrjes përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të Shërbimit të Provës.
Neni 21
Përkujdesja për të mbikëqyrurin
- Specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës ndihmon dhe mbështet të mbikëqyrurin për riintegrimin social të tij, duke e referuar atë pranë institucioneve dhe strukturave shtetërore kompetente për punësimin, strehimin, formimin profesional dhe shërbimet sociale, bazuar në informacionin e administruar gjatë të gjithë procesit dhe vlerësimin e personalitetit e të mjedisit social të të mbikëqyrurit.
- Specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës mban kontakte të vazhdueshme me të mbikëqyrurin gjatë gjithë periudhës së vënies në provë dhe, kur kërkohet nga i mbikëqyruri, ofron mbështetje për përkujdesjen e mëtejshme edhe pas përfundimit të periudhës së provës, e cila i jepet vullnetarisht.
Neni 22
Mbështetja për viktimën
- Specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës mbikëqyr zbatimin e detyrimeve për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga i dënuari gjatë kryerjes së veprës penale.
- Specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës bashkëpunon me ndërmjetësues të licencuar, nisur nga referimi i rasteve dhe trajtimi i tyre përmes drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit, në përputhje me ligjin për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
- Specialisti i Shërbimit të Provës, gjatë procesit të ndërmjetësimit, nuk ka detyrimin të informojë lidhur me fakte apo ngjarje për të cilat merr dijeni, me përjashtim të rasteve kur informacioni shërben për parandalimin e një vepre penale.
Neni 23
Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara nga gjykata
- Kur specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës konstaton mospërmbushje të programit të realizimit të mbikëqyrjes, ka detyrimin të verifikojë faktet dhe rrethanat penguese.
- Kur faktet dhe rrethanat penguese për përmbushjen e detyrimeve ekzistojnë objektivisht, specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës ka detyrimin të njoftojë prokurorin.
- Kur faktet dhe rrethanat e parashtruara nga i mbikëqyruri nuk qëndrojnë, specialisti përgjegjës i Shërbimit të Provës harton raport për mospërmbushjen me rekomandimet përkatëse drejtuar prokurorit.
- Rregullat më të hollësishme në rast mospërmbushjeje të detyrimeve nga ana e të mbikëqyrurit përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të Shërbimit të Provës.
Neni 24
Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë
- Kur Shërbimi i Provës vlerëson se duhen zbatuar rregullat e Konventës Evropiane për mbikëqyrjen e personave të dënuar ose të liruar me kusht apo rregullat e përcaktuara në akte të tjera ndërkombëtare të ratifikuara, bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë për zbatimin e alternativës së dënimit me burgim.
- Procedurat e bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 25
Shfuqizime
Vendimi nr.302, datë 25.3.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores, “Për organizimin e funksionimin e Shërbimit të Provës dhe për përcaktimin e standardeve e të procedurave, për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative”, shfuqizohet, pas miratimit të rregullores së re, të nxjerrë sipas këtij ligji.
Neni 26
Dispozita kalimtare
- Nëpunësit aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, sipas rregullimeve aktuale në fuqi, vazhdojnë të gëzojnë të njëjtin status edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
- Punonjësit administrativë vazhdojnë të mbeten në detyrë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
- Procedurat e filluara për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative, të nisura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë të ndiqen sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
Neni 27
Akte nënligjore
Ngarkohet ministri i Drejtësisë që, në zbatim të neneve 7, pika 2, 14, pika 3, 15, pika 4, 17, pika 5, e 24, pika 2, të nxjerrë aktet në zbatim të këtij ligji.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PROVËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
[1] Ky projektligj përafrohet pjesërisht me direktivën 2014/40/BE e Parlamentit Europian dhe e Këshillit e datës 3 prill 2014 “Mbi përafrimin e ligjit, rregullave dhe dispozitat administrative të shteteve anëtare rreth prodhimit, prezantimit dhe shitjes së duhanit dhe produkteve të duhanit dhe shfuqizimi i Direktivës 2001/37/KE.
Gazeta Zyrtare e Komunitetit Europian, L 127/1, 29.4.2014, CELEX nr. 32014L0040.