Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 06 prill 2016:
P R O J E K T L I GJ
PËR
SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm.
Neni 2
Objekti dhe fusha e veprimit
Objekti i këtij ligji është ndalimi i përkohshëm ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 3
Pezullimi i përdorimit të zonave të gjuetisë dhe pezullimi i gjuetisë në zonat e mbarështimit të faunës së egër
1. Përdorimi i zonave të gjuetisë, të dhëna për këtë qëllim nëpërmjet ofertës publike, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë, pezullohet.
2. Kontratat për mbarështimin e faunës së egër janë të vlefshme, por edhe në këto zona, ku mbarështohet fauna e egër, nuk mund të ushtrohet gjuetia deri në afatin e zbatimit të këtij ligji.
Neni 4
Përjashtim nga fusha e veprimit
1. Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji, rastet e:
– konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti, të përcaktuara në nenin 8, të ligjit nr.10253, datë 11.3.2010, “Për gjuetinë”, të ndryshuar, në rezervatet e mbarështimit;
– veprimtarive kërkimore-shkencore.
2. Përjashtimi, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë.
Neni 5
Afati i zbatimit
Afati i zbatimit të këtij ligji është pesë vjet, nga data e hyrjes së tij në fuqi.
Neni 6
Sanksionet
1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:
a) kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë, në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë;
b) kur shkelësi është një individ ose është individ, pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, dënohet me gjobë, në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe me konfiskim të armës së gjahut.
2. Shqyrtimi i kundërvajtjes bëhet nga inspektorati shtetëror përgjegjës për gjuetinë. Vendimi i dënimit, ankimi kundër tij dhe ekzekutimi i dënimeve me gjobë bëhen në përputhje me ligjin nr.10253, datë 11.3.2010 “Për gjuetinë”, të ndryshuar.
Neni 7
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit
Ngarkohen ministri i Mjedisit, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Financave, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve për zbatimin e këtij ligji.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHPALLJEN E MORATORIUMIT TË GJUETISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9355, DATË 10.3.2005, “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 6, 7 dhe 11 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“6. Bashki/njësi administrative” është institucioni, nën juridiksionin e të cilit subjektet përfituese, sipas këtij ligji, ushtrojnë të drejtën për të kërkuar kompensimin e të ardhurave materiale ose/dhe monetare, të cilat u mungojnë plotësisht ose pjesërisht, si dhe shërbime shoqërore.
7. “Administrator shoqëror” është nëpunësi civil i organeve të pushtetit vendor, i cili vlerëson, verifikon e administron procesin dhe dokumentacionin për aplikimin e përfitimin e ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ofrimin e shërbimeve shoqërore për individët në nevojë, nëpërmjet përdorimit të regjistrit elektronik kombëtar.
……………
11. “Familje në nevojë” është familja që nuk ka të ardhura ose ka të ardhura të pamjaftueshme nga programi i mbrojtjes sociale, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera.”.
2. Pika 12 shfuqizohet.
3. Në fund të pikës 13 shtohen fjalët “…dhe të familjes në nevojë, sipas pikës 4, të nenit 19.”.
4. Në pikën 14, fjalët “… pa prindër …”, shfuqizohen.
5. Pikat 20, 21 dhe 30 shfuqizohen.
6. Pas pikës 31 shtohen pikat 32, 33, 34 dhe 35, me këtë përmbajtje:
“32. “Formula e unifikuar e pikëzimit” nënkupton një formulë të pranueshmërisë së familjeve për ndihmë ekonomike, duke përdorur koeficientë dhe ndryshore të përcaktuara qartë, të cilët dalin nga lidhjet reciproke, objektive, me statusin ekonomik dhe me varfërinë.
33. “Vlerësimi bio-psiko-social” është një proces vlerësimi i faktorëve të ndryshëm dhe të ndërvarur, të cilët dëmtojnë aftësinë e një individi për të kryer veprimtari të jetës së përditshme dhe për të marrë pjesë në shoqëri në kushte të barabarta me të tjerët. Këta faktorë janë: struktura trupore, funksionet trupore e psikologjike si dhe faktorë personalë, shoqërorë, ekonomikë dhe kulturorë.
34. “Komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar” është një ekip i përzgjedhur, me mjek dhe punonjës social/psikolog, të cilët janë të punësuar pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe janë përgjegjës për procesin e vlerësimit bio-psiko-social të aplikuesve për përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar, bazuar në dokumentet e përgatitura nga mjekët, informacionin e marrë nga intervistat e zhvilluara dhe verifikimin e informacionit me institucione të tjera.
35. “Ri/integrimi social” nënkupton tërësinë e veprimtarive të integruara në pagesa dhe shërbime, që synojnë fuqizimin ekonomik të përfituesve të ndihmës ekonomike nëpërmjet punësimit.”.
Neni 2
Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 6
Përfituesit e shërbimeve shoqërore janë fëmijët, të rinjtë, deri në moshën 25 vjeç, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë, vajzat në nevojë, azilkërkuesit e mitur, të pashoqëruar, për efekt të përfitimit të shërbimit të kujdestarisë, sipas përcaktimeve të nenit 15, të këtij ligji, si dhe të gjithë ata që janë në rrezik të bëjnë pjesë në grupet në nevojë.”.
Neni 3
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ndihma ekonomike është një pagesë e kufizuar në kohë, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike bëhet sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave. Masat përjashtuese nga skema e ndihmës ekonomike për familjet, të cilat nuk zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike vlerësohen sipas nevojave dhe mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë, të cilat vlerësohen bashkërisht, duke u dhënë pesha specifike të qarta, objektive e transparente, si pjesë e një formule të pikëzuar. Kriteret dhe detajet e formulës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Rishikimi i parametrave të programeve të ndihmës ekonomike, duke përfshirë rishikimin e kritereve të vlerësimit për ndihmën dhe aftësinë e kufizuar dhe përditësimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila ndihmon në përcaktimin e kritereve të pranueshmërisë së familjeve për përftimin e ndihmës ekonomike, bazuar në ndryshimin e nivelit të varfërisë në vend, realizohet nga autoriteti shtetëror përgjegjës për ndihmën dhe shërbimet shoqërore.”.
3. Pika 3 shfuqizohet.
4. Pika 6 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“6. Masa mujore e ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes, procedurave, dokumentacionit dhe kritereve që duhet të plotësojnë familjet dhe individët në nevojë për përfitimin e ndihmës ekonomike, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 4
Në nenin 19 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Fjalia e parë dhe pika 1 ndryshohen, me këtë përmbajtje:
“Ndihma ekonomike, që përfitojnë familjet dhe individët në nevojë, është e plotë.
1. Ndihmë ekonomike të plotë përfitojnë familjet ose individët që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme nga programi i mbrojtjes sociale, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera.”.
2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
Neni 5
Në nenin 20 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj, me vendim të strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Bashkia/njësia administrative njofton kërkuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike brenda 24 orëve nga marrja e njoftimit për vendimin e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, nëpërmjet publikimit të tij, dhe kryen veprimet financiare për pagesën.”.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Pagesa e personave me aftësi të kufizuara shpërndahet një herë në muaj, me vendim të këshillit bashkiak.”.
Neni 6
Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 21
Këshilli bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror. Këto familje në nevojë do të trajtohen nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% dhe/ose me fonde të buxhetit vendor, sipas përcaktimeve që do të bëhen nga ministri përgjegjës për çështjet sociale.”.
Neni 7
Neni 25 shfuqizohet.
Neni 8
Pikat 2 dhe 3, në nenin 26, shfuqizohen.
Neni 9
Në nenin 27 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 2, fjalët “Statusi i Shërbimit Social Shtetëror…” zëvendësohen me “Organizimi dhe funksionimi i Shërbimit Social Shtetëror…”.
2. Pikat 3 dhe 4 shfuqizohen.
3. Në pikën 5 bëhen këto shtesa:
a) Në shkronjën “c”, pas fjalës “… përcaktimin …” shtohet “… dhe miratimin …”.
b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) kontrollin e veprimtarisë e të zbatimit të legjislacionit në strukturat dhe institucionet në varësi të tij dhe pranë pushtetit vendor, për ndihmën dhe shërbimet shoqërore. Procedura e kryerjes së kontrollit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 10
Pas nenit 27 shtohet neni 27/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 27/1
Strukturat Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, për ndihmën ekonomike, kanë këto përgjegjësi:
1. Verifikimin e të dhënave të regjistruara nga administratori shoqëror në regjistrin kombëtar elektronik të të dhënave dhe në autoritetet shtetërore përgjegjëse për familjet/individët në nevojë, të cilët janë propozuar me vendim të këshillit bashkiak, që të trajtohen me ndihmë ekonomike;
2. Vendimmarrjen për:
a) caktimin e familjes/individëve në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike, që plotësojnë kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe masën e përfitimit të tyre. Për familjen në proces zgjidhjeje martese, kur nuk ka ende një vendim të formës së prerë, masa e përfitimit caktohet e ndarë për të dy bashkëshortët;
b) refuzimin e kërkesës për caktimin e përfitimit të ndihmës ekonomike, për familjet/individët në nevojë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Dërgimin e vendimit, për rastet e parashikuara në shkronjat “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, kryetarit të bashkisë për:
a) të njoftuar kërkuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike;
b) të kryer veprimet financiare për pagesën, për përfituesit e ndihmës ekonomike.”.
Neni 11
Në nenin 29 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Merr vendimin për propozimin që familja/individët në nevojë të trajtohen me ndihmë ekonomike dhe parashikon masën përkatëse të përfitimit. Ky vendim i përcillet menjëherë, zyrtarisht, strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror;”.
2. Pikat 7, 9, 10 dhe 11 shfuqizohen.
Neni 12
Pas nenit 30 shtohet neni 30/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 30/1
Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, për efekt të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar, kryen këto detyra:
1. Harton projektvendimin për familjet/individët në nevojë, nën juridiksionin e bashkisë, për trajtim me ndihmë ekonomike dhe përllogarit fondin për mbulimin e tyre;
2. Paraqet në këshillin bashkiak projektvendimin për propozimin për familjet/individët në nevojë që do të trajtohen me ndihmë ekonomike dhe masën e përfitimit për këto familje/individë në nevojë;
3. Harton projektvendimin për përfituesit e pagesave të aftësisë së kufizuar;
4. Harton kërkesën për buxhetin dhe projektbuxhetin për vitin pasardhës për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuar;
5. Grumbullon dhe përgatit informacione e statistika, të cilat i dërgon pranë strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, mban regjistrin e përfituesve dhe ndjek shpenzimet për ndihmën ekonomike, pagesën e personave me aftësi të kufizuar.”.
Neni 13
Në nenin 31 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronjat ‘b” dhe “c” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“b) të verifikojnë gjendjen shoqërore e ekonomike të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dy herë në vit dhe, për familjet që shpallen përfituese për herë të parë, verifikimi i parë të kryhet brenda tre muajve;
c) të paraqesin pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki të dhënat për familjet/individët në nevojë, që kanë aplikuar për ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe personat që do të trajtohen me shërbime të përkujdesit shoqëror;”.
2. Në shkronjën “ç”, në fund të fjalisë shtohen fjalët “… si edhe të administrojë këtë dokumentacion…”.
3. Shkronjat “d” dhe “dh” shfuqizohen.
4. Pas shkronjës “gj” shtohen shkronjat “h”, “i” dhe “j”, me këtë përmbajtje:
“h) të hedhin në regjistrin elektronik kombëtar të dhënat e deklaruara nga aplikuesit për ndihmë ekonomike;
i) të kontribuojë në procesin e hartimit të projektvendimit për propozimin që familja/individët në nevojë të trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe të listës së personave me aftësi të kufizuara;
j) të raportojnë pranë bashkisë të dhëna statistikore për numrin dhe fondin për familjet/individët përfitues të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar.”.
Neni 14
Neni 36 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 36
Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore transferon çdo dy muaj fondin e bllok-ndihmës ekonomike në bashki.”
Neni 15
Në pikën 1, të nenit 41, fjalia e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shkeljet e detyrimeve të përcaktuara në nenet 27/1, 30/1 dhe 31, të këtij ligji, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, kur nuk përbëjnë vepër penale:”.
Neni 16
Neni 41/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 41/1
Ankimimi
1. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike, kur gjykon se vendimi zyrtar i organit përkatës është i padrejtë, mund të paraqesë ankesë, me shkrim, pranë bashkisë/njësisë administrative, brenda 10 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit. Struktura vendore shqyrton ankesën dhe njofton, me shkrim, ankuesin, brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.
2. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike ka të drejtë të paraqesë ankesë me shkrim pranë strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, brenda 10 ditëve kalendarike nga marrja e përgjigjes nga struktura vendore, pas ezaurimit të ankimimit të përcaktuar në pikën 1.
3. Struktura rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, pas shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, njofton me shkrim të interesuarin dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore brenda 10 ditëve pune, nga marrja e ankesës.
4. Aplikuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara, që pretendojnë se u është shkelur dhe/ose mohuar një e drejtë ligjore, gëzojnë të drejtën për të ngritur padi në gjykatë, në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr.49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.”.
Neni 17
Neni 42 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 42
Dispozita kalimtare
1. Përdorimi i regjistrit elektronik kombëtar të të dhënave për aplikuesit dhe përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të përkujdesit shoqëror do të pilotohet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
2. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në të cilat nuk do të kryhet pilotimi, do të zbatohet legjislacioni në fuqi për aftësinë e kufizuar dhe shërbimet shoqërore.”.
Neni 18
Nenet 42/1 dhe 42/2 shfuqizohen.
Neni 19
Shtohen nenet 42/3, 42/4 dhe 42/5, me këtë përmbajtje:
“Neni 42/3
Në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në të cilat do të kryhet pilotimi i regjistrit elektronik kombëtar dhe modeli bio-psiko-social i vlerësimit të aftësisë së kufizuar me grup/komision vlerësimi shumëdisiplinor, për të gjithë personat, të cilët kërkojnë të vlerësohen/rivlerësohen për aftësinë e kufizuar, do të ndiqen këto procedura:
1. Kërkesa dhe dokumentacioni për vlerësimin e aftësisë së kufizuar paraqiten pranë zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, e cila hedh të dhënat e aplikuesit në regjistrin elektronik kombëtar, administron dokumentacionin, kryen verifikimin dhe vlerësimin e individëve dhe merr vendimin për aftësinë e kufizuar.
2. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror pajis me dokumentin përkatës personin me aftësi të kufizuar dhe i dërgon kryetarit të bashkisë vendimin përfundimtar për të gjithë përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar, për të kryer veprimet financiare.
3. Masa, kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për vlerësimin dhe përfitimin e aftësisë së kufizuar e ndihmësit personal, si dhe strukturat përgjegjëse dhe detyrat e tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 42/4
1. Regjistri elektronik kombëtar për aplikuesit dhe përfituesit e shërbimeve shoqërore do të pilotohet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për përfitimin e shërbimeve shoqërore përcaktohen me vendime të Këshillit të Ministrave.
Neni 42/5
1. Familjet/individët përfitues të ndihmës ekonomike, të përcaktuar në nenin 5, të këtij ligji, të cilët janë në moshë pune, përfshihen në programe të ri/integrimit social.
2. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë personat që do të përfshihen në programe të ri/integrimit social përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Miratimi i programeve të ri/integrimit social bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 20
Kudo në ligj, emërtimi “Këshilli i Bashkisë/Komunës” zëvendësohet me “Këshilli bashkiak”; emërtimi “komunë” zëvendësohet me “njësi administrative”; emërtimet “Njësi e qeverisjes vendore” dhe “organe të qeverisjes vendore” zëvendësohen me “Njësi e vetëqeverisjes vendore”.
Neni 21
Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet pas datës 1 shtator 2016.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V e N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9355, DATË 10.3.2005, “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhë shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.