Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
 
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 1 qershor 2016
 
V E N D I M 
 
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10031, DATË 11.12.2008, “PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
 
###
 
P R O J E K T L I G J
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10031, DATË 11.12.2008, “PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
 
Neni 1
 
Paragrafi i parë, i nenit 47, ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Masat e tarifave, sipas nenit 48, të ligjit, llojet e shërbimeve përmbarimore të tarifuara dhe rastet e përjashtimit nga parapagimi i tarifës, për kategori të caktuara, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave, pasi merret dhe mendimi i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.”. 
 
Neni 2
 
Neni 48 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 48
Tarifa bazë dhe tarifa e suksesit
 
Pagesa e shërbimit ndaj subjektit përmbarimor përbëhet nga:
 
a) një tarifë bazë, që përfshin kostot dhe shpenzimet për:
i. fillimin e procedurave të ekzekutimit;  
ii. kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, deri në ekzekutimin përfundimtar.
 
b) një tarifë suksesi, e përcaktuar si e tillë në kontratën përkatëse, që mund të jetë në formën e një shume të caktuar, një përqindjeje të caktuar mbi vlerën e padisë ose një kombinimi të të dyjave dhe që paguhet pas përfundimit me sukses, nga ana e përmbarimit, të të gjitha veprimeve ligjore, të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e urdhrit të ekzekutimit, apo edhe çdo procedure tjetër ligjore të suksesshme. 
 
Vlera e tarifës së suksesit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin 10, të këtij ligji.”.
 
Neni 3
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8730, DATË 18.1.2001, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.8730, datë 18.1.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8730, DATË 18.1.2001, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHËRBIMIT TË PËRMBARIMIT GJYQËSOR”
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.8730, datë 18.1.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor”, bëhet kjo shtesë:
 
Neni 1
 
Pas nenit 12 shtohet neni 12/a, me këtë përmbajtje:
 
“Neni  12/a
Tarifa bazë dhe tarifa e suksesit
 
1. Pagesa e shërbimit ndaj subjektit përmbarimor përbëhet nga:
 
c) një tarifë bazë, ku përfshihen:
 
iii. kostot dhe shpenzimet e nevojshme për fillimin e procedurave të ekzekutimit;
iv. kostot dhe shpenzimet për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale deri në ekzekutim përfundimtar.
 
d) një tarifë suksesi, e përcaktuar si e tillë në kontratën përkatëse, e cila mund të jetë në formën e një shume të caktuar, një përqindjeje të caktuar mbi vlerën e padisë ose nëpërmjet kombinimit të të dyjave dhe që paguhet pas përfundimit me sukses nga ana e përmbarimit të të gjitha veprimeve ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile për ekzekutimin e urdhrit të ekzekutimit apo edhe çdo procedure tjetër ligjore të suksesshme. 
 
2. Vlera e tarifës së suksesit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin 12, të këtij ligji.
 
3. Të ardhurat e mbledhura nga pagesa e tarifës së suksesit derdhen në buxhetin e shtetit.”.
 
Neni 2
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8116, DATË 29.3.1996, “KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
###
P R O J E K T L I GJ
 
PËR 
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8116,  DATË 29.3.1996, “KODI I PROCEDURËS CIVILE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.8116, datë 29.3.1996, “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
 
Neni 1
 
Shkronja “b”, në nenin 320, ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“b) mosmarrëveshjeve tregtare dhe të procedurave të falimentimit;”.
 
Neni 2
 
Neni 323 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
 
“Neni 323
 
Dispozitat e këtij kodi janë të zbatueshme për të gjitha gjykimet e posaçme, përveç sa parashikohet ndryshe në këtë titull dhe në ligje të tjera të posaçme.”.
 
Neni 3
 
Në fund të nenit 511 shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje: 
 
“Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit, bazuar mbi dokumentet e depozituara nga kërkuesi dhe pasi merr në shqyrtim pretendimet me shkrim të palës tjetër. Nëse debitori nuk gjendet, urdhri i ekzekutimit lëshohet sipas dokumentacionit të depozituar nga kërkuesi. Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit në seancë gjyqësore, në prani të palëve. Mosprania e palëve në seancë nuk përbën shkak për shtyrjen e saj.
 
Urdhri i ekzekutimit përmban:
a) gjeneralitetet e debitorit dhe kreditorit;
b) origjinën e detyrimit;
c) detyrimin konkret që buron nga titulli ekzekutiv;
ç) llogaritjen e kamatëvonesave të mundshme;
d) kufizime të tjera, që Gjykata i çmon të nevojshme, sipas natyrës së çështjes.
 
Kur titulli ekzekutiv, për të cilin lëshohet urdhri i ekzekutimit, është akt për dhënien e kredive bankare, Gjykata, në vendim, duhet të parashikojë se nga data e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit deri në përmbushjen e plotë të detyrimit llogaritet kamata ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, si dhe kushtet penale, të rëna dakord mes palëve në momentin e nënshkrimit të titullit ekzekutiv për të cilin lëshohet urdhri i ekzekutimit.
 
Në përllogaritjen e detyrimit dhe të kamatave gjykata mund të thërrasë ekspertë të licencuar. Eksperti nuk duhet të ketë pasur lidhje të mëparshme me asnjë nga palët.”.
 
Neni 4
 
Në shkronjën “c”, të paragrafit të parë të nenit 515, fjalët “… së vënies në ekzekutim;”, zëvendësohen me “… sipas nenit 525, të këtij kodi;”. 
 
Neni 5
 
Pas paragrafit të fundit, të nenit 517, shtohet paragrafi me përmbajtje, si më poshtë vijon:
 
“Përmbaruesi gjyqësor kryen lajmërimet dhe njoftimet, duke zbatuar parashikimet e kreut IV, “Njoftimet”, të këtij kodi.”.
 
Neni 6
 
Neni 525 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 525
 
Tarifat e përcaktuara për ekzekutimin e urdhrit ekzekutiv mund të paguhen, fillimisht, nga kreditori dhe, pas përfundimit të procedurës së ekzekutimit, i ngarkohen debitorit. Shpenzimet e tjera, gjatë procedurës së ekzekutimit, paguhen nga pala që i ka shkaktuar ato.
 
Tarifat bazë dhe tarifat e suksesit, si dhe rradha e pagesës së tyre përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave.”.
 
Neni 7
 
Neni 564 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 564
Vlerësimi i sendit të sekuestruar
 
Nëse kreditori dhe debitori, brenda një jave, nuk arrijnë një marrëveshje për vlerën e sendit, mbi të cilin është vendosur sekuestroja, përmbaruesi gjyqësor, me asistencën teknike të një eksperti të licencuar të fushës, brenda 15 ditëve përcakton, me vendim, vlerën e sendit, sipas metodologjisë dhe procedurës së përcaktuar me udhëzim të Këshillit të Ministrave.
 
Përmbaruesi gjyqësor, brenda 10 ditëve nga data e caktimit të vlerës, njofton kreditorin dhe debitorin për çmimin e caktuar.”.
 
Neni 8
 
Paragrafi i dytë, në nenin 577, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të sendit, në masën 30% të çmimit të përcaktuar nga përmbaruesi, sipas nenit 564, të këtij kodi. Ankandi i tretë për shitjen e sendit bëhet sipas rregullave të përcaktuara në nenin 568, të këtij kodi, dhe zhvillohet jo më vonë se 30 ditë nga e nesërmja e datës së caktimit të çmimit të ri. Në rast se në ankandin e tretë nuk është paraqitur asnjë ofertues, përmbaruesi gjyqësor i propozon, në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të tretë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi gjyqësor heq sekuestron mbi sendin e sekuestruar dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të debitorit.”. 
 
Neni 9
 
Në nenin 609 bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
 
a) Paragrafi i parë i nenit ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Debitori mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit që të deklarohet se titulli ekzekutiv është i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston apo është shuar më pas. Afati për të paraqitur këtë kërkesë është 30 ditë nga marrja dijeni për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm.”.
 
b) Në fund të paragrafit të tretë shtohet fjalia me këtë përmbajtje:  
 
“Pezullimi i vendimit nuk vendoset nga gjykata kur debitori pretendon se detyrimi i caktuar në titullin ekzekutiv, i cili është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, ekziston në një masë më të vogël.”.
 
Neni 10
 
Paragrafi i parë, i nenit 610,  ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor në kundërshtim me procedurat e parashikuara nga ky kod dhe kundër refuzimit të përmbaruesit gjyqësor për të kryer një veprim që ia ngarkon ligji, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve, nga dita e kryerjes së veprimit apo refuzimit, kur palët kanë qenë të pranishme në kryerjen e veprimit ose kanë qenë thirrur, dhe, në raste të tjera, nga dita që u është njoftuar ose kanë marrë dijeni për veprimin ose refuzimin.”.
 
Neni 11
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
   
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7850, DATË 29.7.1994, “KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
###
P R O J E K T L I GJ
PËR 
 
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7850, DATË 29.7.1994, “KODI CIVIL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
 
Neni 1
 
Në fund të nenit 605 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
 
“Radha e preferimit, e parashikuar në këtë nen, nuk zbatohet në procedurën e falimentimit, parashikuar me ligj të veçantë.”.
 
Neni 2
 
Në fund të nenit 607 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
 
“Ky nen nuk zbatohet në procedurën e falimentimit, parashikuar me ligj të veçantë.”.
 
Neni 3
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.380, DATË 25.5.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE MASËN E MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Listat I e II dhe pasqyrat 1 e 2, bashkëlidhur vendimit nr.380, datë 25.5.2016, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me listat I e II dhe pasqyrat 1 e 2 që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR
 
PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE  PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE  TË CIKLIT TË PARË DHE PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2016-2017.
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.  
 
2. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë). Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
 
a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në  arsimin e  mesëm të lartë;
b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
3. Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim. 
 
4. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
 
5. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit bazuar në përcaktimet e pikës 2, të këtij vendimi, me përjashtim të rasteve kur nuk aplikohen provime mature, maturë shtetërore apo provime lirimi. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës përcjell të dhënat tek njësitë arsimore vendore dhe tek Agjencia Kombëtare e Provimeve.
 
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore, dhe institucionet e arsimit të lartë, për zbatimin e këtij vendimi.
     
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.