Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Prill 2023:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9774, DATË 12.7.2007, “PËR VLERËSIMIN DHE ADMINISTRIMIN E ZHURMËS NË MJEDIS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Kudo në tekstin e ligjit termat:
1. “Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve” zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Mjedisit”.
2. “Bashki/komunë” dhe “bashkisë/komunës” zëvendësohen përkatësisht me “bashki” dhe “bashkisë”.
3. “Organi/t/n, “organet”, ”njësia e qeverisjes vendore” zëvendësohen përkatësisht me “bashki”, “bashkisë”, “bashkia”, “bashkitë” , “bashkinë”.
Neni 2
Pas pikës 19, të nenit 3, shtohen pikat 20 dhe 21, me këtë përmbajtje:
“20. “Aglomerat” është pjesa e një territori, me numër popullsie më të madhe se 100 000 (njëqind mijë) banorë dhe dendësi popullsie prej më shumë se 3 000 (tre mijë) banorësh/km2.
21. “Zonë turistike” është zona me vlerë natyrore të peizazhit, historike, kulturore, sportive, shëndetësore dhe pushimi, e përcaktuar sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi.”.
Neni 3
Në nenin 5 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Ministria është organi qendror përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit nga zhurma dhe për përcaktimin e niveleve kufi.
2. Ministria që mbulon shëndetësinë është organi qendror përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit nga ndikimet negative të zhurmës dhe vlerësimin e tyre në shëndetin e njeriut, nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik, si qendër reference e kërkimit shkencor në fushën e shëndetit publik.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Ministria që mbulon rendin dhe sigurinë është organi përgjegjës për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika mbi nivelet e lejuara kufi”.
Neni 4
Nenet 6 dhe 7 shfuqizohen.
Neni 5
Neni 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 8
Bashkia
Bashkia është përgjegjëse për marrjen e masave për mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit nga veprimtaritë ekonomike apo sociale që lëshojnë zhurma brenda juridiksionit të saj, nëpërmjet:
a) hartimit dhe zbatimit të planeve vendore të veprimit për zhurmën, të cilat miratohen nga këshilli i bashkisë;
b) hartëzimit të zhurmës;
c) shpalljes së zonave të qeta në një mjedis të banuar apo në një mjedis të hapur, si dhe vendosjes së kufizimeve për zhurmën, në përputhje me nivelet e lejuara të zhurmave në mjedis dhe kriteret e parashikuara në planin vendor të veprimit;
ç) kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës, të personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë, si dhe marrjen e masave administrative, pezullimin apo mbylljen e veprimtarive, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji, me përjashtim të veprimtarive që kontrollohen nga organet e tjera të përcaktuara në këtë ligj;
d) bashkëpunimit me strukturat e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij ligji dhe akteve të dala në zbatim të tij.”.
Neni 6
Pas nenit 8 shtohet neni 8/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 8/1
Policia e Shtetit
1. Policia e Shtetit është përgjegjëse për marrjen e masave për ruajtjen e qetësisë publike nga veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika mbi nivelet e lejuara kufi, nëpërmjet:
a) kontrollit me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të personave fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që lëshojnë zhurmë nga muzika;
b) kontrollit, matjes, pezullimit apo mbylljes së veprimtarive, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji.
2. Për mjediset e hapura në zona apo qendra të banuara dhe në zonat turistike, muzika lejohet nga ora 12:00 deri në orën 24:00. Brenda orarit të lejuar, personat fizikë e juridikë respektojnë nivelin kufi të zhurmës, të përcaktuar me akt nënligjor, sipas parashikimeve të këtij ligji.
3. Në rast se punonjësi i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit nuk ushtron kontroll, në zbatim të pikës 1, të këtij neni, apo nuk merr masë administrative, sipas parashikimeve të këtij ligji, ndaj tij merret masë sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.”.
Neni 7
Pas shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 9, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) oraret për ushtrimin e veprimtarive ekonomike, industriale, sociale, kulturore, argëtuese.”.
Neni 8
Pika 2, e nenit 12, shfuqizohet.
Neni 9
Pika 4, e nenit 18, shfuqizohet.
Neni 10
Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Bashkia, një vit pas hartëzimit të zhurmës dhe përgatitjes së hartave strategjike të zhurmës, harton planin vendor të veprimit, duke mbajtur në konsideratë Planin e Përgjithshëm Vendor, kur:
a) brenda territorit të tyre kanë nën administrim të paktën një aglomerat;
b) brenda territorit të tyre ndodhen zona turistike;
c) gjenden në afërsi të:
i. një rruge kryesore rajonale, kombëtare ose ndërkombëtare, në të cilën ka më shumë se 3 (tre) milionë lëvizje automjetesh në vit;
ii. një hekurudhe kryesore, në të cilën ka 30 000 (tridhjetë mijë) lëvizje trenash në vit;
iii. një aeroporti kryesor civil, në të cilin ka më shumë se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lëvizje në vit, ku lëvizje është një ngritje ose një ulje, duke përjashtuar lëvizjet për qëllime të trajnimit të avionëve të lehtë.”.
2. Pas pikës 4 shtohen pikat 5, 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
“5. Plani i veprimit për menaxhimin e zhurmave miratohet nga këshilli bashkiak dhe rishikohet çdo 5 (pesë) vjet nga data e miratimit të tij.
6. Gjatë hartimit të planeve të veprimit për menaxhimin e zhurmës, bashkia konsultohet me publikun, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi për konsultimin me publikun në vendimmarrjen për mjedisin.
7. Çdo bashki raporton në ministri, brenda muajit dhjetor të çdo viti, për zbatimin e planit të veprimit.”.
Neni 11
Pika 2, e nenit 21, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Bashkia publikon hartën strategjike, duke siguruar që informacioni për zhurmën mjedisore dhe efektet e saj të vihet në dispozicion të publikut.”.
Neni 12
Kreu V shfuqizohet.
Neni 13
Pika 3, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Vetëmonitorimi i zhurmës në mjedis kryhet nga personat fizikë e juridikë, të pajisur me leje mjedisi, të cilëve u përkasin veprimtaritë, instalimet dhe burimet e zhurmës që monitorohen.”.
Neni 14
Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 25
Matjet
1. Matjet për nivelin e zhurmës kryhen nga:
a) Agjencia Kombëtare e Mjedisit për instalimet e pajisura me leje mjedisi;
b) Policia e Shtetit për veprimtaritë që lëshojnë zhurmë nga muzika, mbi nivelet e lejuara kufi;
c) bashkia për veprimtaritë e tjera që lëshojnë zhurmë, mbi nivelet e lejuara kufi.
2. Matjet kryhen në kuadër të kontrolleve dhe në funksion të zgjidhjes së ankesave të organeve shtetërore, të publikut e të personave juridikë e fizikë drejtuar ministrisë, ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë dhe bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet burimi i zhurmës.”.
Neni 15
1. Pika 1, e nenit 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. “Kontrolli i zbatimit të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij kryhet nga struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake dhe struktura përgjegjëse për kontrollin e automjeteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre.”.
2. Pika 2 shfuqizohet.
Neni 16
Neni 30 shfuqizohet.
Neni 17
Në pikën 1, të nenit 32, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) ushtrimi pa leje mjedisore, me specifikim për zhurmat, i veprimtarive që lëshojnë zhurmë mbi nivelin kufi të lejuar, nga 300 000 (treqind mijë) lekë deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;”.
2. Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:
“a/1) lëshimi i zhurmës nga veprimtaritë mbi nivelin kufi të lejuar, përfshirë edhe muzikën, nga 200 000 (dyqind mijë) lekë deri në 400 000 (katërqind mijë) lekë;”.
3. Shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “e” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) lëshimi i zhurmës në mjedise të qeta, të shpallura të tilla me akt nënligjor të organeve të qeverisjes qendrore apo të vetëqeverisjes vendore, nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
ç) refuzimi ose moslejimi i grupit të kontrollit për të kryer matjet, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
d) fillimi i punës ose i veprimtarisë, pa zbatuar masat e mbrojtjes nga zhurma, që kërkohen për zhvillimin veprimtarisë që lëshon zhurmë, nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 300 000 (treqind mijë) lekë;
e) instalimi dhe vënia në punë e makinerive dhe impianteve në mjedise të brendshme apo të jashtme, pa zbatuar masa mbrojtëse, zhurma e të cilave kapërcen nivelin kufi, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.”.
4. Shkronja “dh” shfuqizohet.
5. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Gjoba e vendosur për kundërvajtjet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përbën titull ekzekutiv dhe paguhet brenda periudhës së përcaktuar në nenin 30, të ligjit nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”. Modeli i gjobës përcaktohet nga organi kompetent, sipas fushës së përgjegjësisë.”.
Neni 18
Nenet 33 dhe 34 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Neni 33
Dhënia e masës administrative dhe ankimi
1. Të drejtën e dhënies së masave administrative e ka organi kompetent, sipas fushës së përgjegjësisë.
2. Shqyrtimi, dhënia e masës administrative dhe ankimi bëhen në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.”.
“Neni 34
Ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative
Ekzekutimi i masave administrative, në zbatim të këtij ligji, bëhet në përputhje me ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative.”.
Neni 19
Shfuqizime
Ligji nr.79/2012, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.2, datë 25.7.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”, shfuqizohet.
Neni 20
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9774, DATË 12.7.2007, “PËR VLERËSIMIN DHE ADMINISTRIMIN E ZHURMËS NË MJEDIS”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9774, datë 12.7.2007, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU