Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Dhjetor 2019:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.108/2013, “PËR TË HUAJT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Pika 32, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“32. “Vizë” është autorizimi në formën e një vize pullë në një dokument të vlefshëm udhëtimi ose vizë elektronike, e printuar në format elektronik, lëshuar nga autoritetet përgjegjëse sipas procedurave të këtij ligji, që lejon të huajin të hyjë, të qëndrojë ose të kalojë transit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
Neni 2
Pika 1, e nenit 21, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Viza e tipit “C” është viza që lëshohet në formën e një vize pullë ose e printuar në format elektronik, e cila i jep të drejtën mbajtësit të saj të hyjë dhe të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë deri në 90 (nëntëdhjetë) ditë, brenda 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve, duke filluar nga data e hyrjes së parë.”.
Neni 3
Në nenin 22 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Viza e tipit “D” është viza që lëshohet në formën e një vize pullë ose e printuar në format elektronik për shtetasin e huaj që kërkon të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë më shumë se 90 (nëntëdhjetë) ditë, brenda 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve, dhe kur, për t’u pajisur me leje qëndrimi, për këta shtetas kërkohet vizë.”.
- Në pikën 5, pas fjalëve “… vizës pullë …” shtohen “… dhe vizës elektronike.”.
Neni 4
Në nenin 24 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Në pikën 1, pas fjalëve “… jashtë vendit, …” shtohen “… nëpërmjet sistemit elektronik të vizave, …”.
- Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për të aplikuar për vizë, shtetasi i huaj paraqitet personalisht në konsullatë ose aplikon on-line në sistemin elektronik të vizave.”.
- Pika 5 shfuqizohet.
- Fjalia e dytë, e pikës 6, shfuqizohet.
Neni 5
Në nenin 25 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
- Në pikën 1, në fund të fjalisë shtohen fjalët “… ose duke printuar vizën elektronike të miratuar.”.
- Në pikën 2, pas fjalëve “Lëshimi i vizës …” shtohen “… pullë dhe vizës elektronike …”.
Neni 6
Në nenin 28, në titull dhe në përmbajtje, pas fjalës “… viza/vizës …” shtohen, përkatësisht “… pullë dhe elektronike …”.
Neni 7
Në nenin 29, në titull dhe në përmbajtje, pas fjalës “…viza/vizës/vizën …”, shtohen, përkatësisht, “… pullë dhe elektronike …”.
Neni 8
Në nenin 38 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
- Në pikën 1, fjalët “… dhe 60 ditë …” zëvendësohen me “… dhe brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve …”.
- Në pikën 3, fjalët “… brenda 60 ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 30 (tridhjetë) ditëve …”.
Neni 9
Në nenin 71 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Në pikën 3, pas fjalëve “… me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë …” shtohen “… pavarësisht motivit të qëndrimit …”.
- Pika 4 shfuqizohet.
- Në pikën 5, fjalët “… 30 (tridhjetë) ditëve …” zëvendësohen me “… 10 (dhjetë) ditëve pune …”.
- Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Përjashtohen nga përcaktimet e pikës 1, të këtij neni, dhe gëzojnë të drejta të barabarta me shtetasit shqiptarë në fushën e punësimit e të vetëpunësimit:
- a) shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen dhe anëtarët e familjes së shtetasve të njërit prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen që nuk janë shtetas të këtyre vendeve dhe që janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë;
- b) shtetasit e njërit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë – Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut;
- c) të huajt që punësohen në sektorë të ndryshëm, me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësi natyrore.”.
Neni 10
Në nenin 72 bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
- Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… shtetas të një prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen …” shtohen “… dhe anëtarët e familjes së shtetasve të njërit prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen që nuk janë shtetas të këtyre vendeve dhe që janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë …”.
- Pas shkronjës “a” shtohet shkronja “a/1”, me këtë përmbajtje:
“a/1. shtetas të njërit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë – Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.”;
- Në nënndarjen “iii” të shkronjës “b”, fjalët “… të anijeve apo …” hiqen.
- Pas shkronjës “b” shtohen shkronjat “b/1” dhe “c”, si më poshtë vijon:
“b/1. për qëndrim deri në 2 (dy) muaj, brenda 1 (një) viti, të pjesëtarëve të ekuipazheve të anijeve;
- c) që punësohen në sektorë të ndryshëm, me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësi natyrore. Deklarimi për punësimin e tyre bëhet në zyrën përkatëse të punësimit nga punëdhënësi ose vetë i huaji i vetëpunësuar apo investitor, pranë zyrës së punësimit në vendin ku kryhet aktiviteti”.
Neni 11
Në nenin 82 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
- Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kuotat vjetore për punësimin e të huajve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e migracionit të punës dhe të ministrit përgjegjës të sektorit përkatës.”.
- Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Kur nevojat e parashikuara për numrin e punëtorëve të huaj për një sektor të caktuar tejkalojnë numrin e përcaktuar në kuotën vjetore, ministri përgjegjës për çështjet e migracionit të punës, në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për një sektor të caktuar, i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e kuotave të reja për atë sektor.”.
- Pikat 3 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Kuotat vjetore për punësimin e të huajve përcaktohen duke marrë parasysh analizën e nevojave për aftësi në tregun shqiptar të punës, projeksionet për zhvillimin ekonomik në sektorë të caktuar dhe fuqinë punëtore të nevojshme për ata sektorë.
…
- Procedurat e bashkëpunimit institucional dhe ndërinstitucional për përcaktimin e kuotave vjetore për punësim miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e migracionit të punës.”.
Neni 12
Në nenin 84 bëhen këto ndryshime:
- Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Leja e punës për të huajin si punëmarrës, brenda kuotave vjetore të përcaktuara në nenin 82, të këtij ligji, lëshohet duke mbajtur parasysh nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë.”.
- Paragrafi i parë i pikës 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“Autoriteti shtetëror përgjegjës për punësimin, përpara miratimit të kërkesës për leje pune për një shtetas të huaj, propozon, brenda afatit kohor të publikimit të vendit të lirë të punës, kandidatë të përshtatshëm, sipas profilit të kërkuar, të gatshëm të punojnë në vendin vakant të punës, si më poshtë vijon:”.
- Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kërkesa për plotësimin e një vendi të lirë pune bëhet publike nga autoriteti shtetëror përgjegjës për punësim, për një periudhë kohore prej 7 (shtatë) ditësh kalendarike, që nga dita e regjistrimit të kërkesës për leje pune për një shtetas të huaj pranë këtij autoriteti.”.
- Pika 5 shfuqizohet.
Neni 13
Pas shkronjës “dh”, të nenit 85, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) është punëmarrës/i vetëpunësuar në fushën e teknologjisë së informacionit”.
Neni 14
Pika 1, e nenit 87, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Të huajit, me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë, i jepet leje pune si punëmarrës nëse pozicioni i punës që i ofrohet në rajonin gjeografik, ku punëdhënësi i tij ushtron veprimtarinë ekonomike, nuk mund të plotësohet nga kategoritë e përcaktuara në pikën 2, të nenit 84, të këtij ligji.”.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.108/2013, “PËR TË HUAJT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 8/1, pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme të shtetasve të huaj me origjinë shqiptare apo të atyre nga vendet e Bashkimit Evropian, me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të shtetasve të huaj që kanë marrë shtetësinë shqiptare e janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë dhe që i përfitojnë këto të ardhura sipas legjislacionit të vendit ku përfitojnë pensionin apo shpërblimet e tjera të ngjashme. Mënyra e përfitimit për kategoritë sipas kësaj pike përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 2
Pas nenit 8/1 shtohet neni 8/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 8/2
1. Për të përfituar nga përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat, personat përfitues sipas pikës 1/1, të nenit 8/1, të këtij ligji, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Të jenë përfitues të pensionit sipas legjislacionit në fuqi në vendet ku e kanë përfituar atë;
b) Të jenë pajisur me leje qëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë;
c) Të mos kenë qenë ndonjëherë të dënuar në shtetin e vet apo në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet tjetër për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie;
ç) Të kenë marrë përgjigje pozitive nga struktura përgjegjëse administrative për përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale të përfitimit të pensionit. Kërkesa e palëve të interesuara duhet të shoqërohet me dokumentet provuese për parashikimet e shkronjave “a”, “b” e “c”, të kësaj pike, si dhe një kopje të pasaportës së tyre të lëshuar nga shteti ku kanë vendbanimin e përhershëm.
2. Strukturat e organeve tatimore janë përgjegjëse dhe garantojnë trajtim të barabartë të çdo kërkese të depozituar nga palët e interesuara për të qenë përfitues nga zbatimi i këtij ligji. Në rast përgjigjeje negative ose të mungesës së përgjigjes nga struktura përgjegjëse administrative, brenda afateve ligjore të parashikuara, palës së interesuar i lind e drejta për ankimim administrativ, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
3. Personat përfitues sipas pikës 1/1, të nenit 8/1, të këtij ligji, humbasin të drejtën e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat në kushtet e mosripërtëritjes së lejes së qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, kur për këtë nuk është bërë kërkesë në strukturat përgjegjëse deri 6 (gjashtë) muaj nga data e mbarimit të lejes. Në rast përgjigjeje negative ose të mungesës së përgjigjes nga struktura përgjegjëse administrative, brenda afateve ligjore të parashikuara, palës së interesuar i lind e drejta për ankimim administrativ, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.”.
Neni 3
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA