Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Shtator 2019:

P R O J E K T L I GJ

PËR

SHKËMBIMIN AUTOMATIK TË INFORMACIONIT TË LLOGARIVE FINANCIARE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë:

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave në lidhje me:

a) shkëmbimin automatik të informacionit, në zbatim të Standardit të Përbashkët të Raportimit dhe marrëveshjes shumëpalëshe të autoritetit kompetent për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare, të miratuar me vendimin nr.178, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes shumëpalëshe, të autoritetit kompetent, për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarisë financiare”;
b) detyrimin e institucioneve financiare raportuese për mbledhjen dhe raportimin e informacioneve të caktuara financiare pranë Autoritetit Kompetent, në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit;
c) përcaktimin e termave dhe të kushteve të përgjithshme, që lidhen me grumbullimin, përpunimin, përditësimin, bashkëveprimin, përqasjen, ruajtjen, përdorimin dhe arkivimin e informacionit në lidhje me shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare në çështjet tatimore;
ç) detyrat dhe kompetencat e autoritetit kompetent për të siguruar zbatimin efektiv dhe përputhshmërinë me Standardin e Përbashkët të Raportimit, duke përfshirë marrjen dhe përdorimin e informacionit.

Neni 2
Qëllimi

Ky ligj synon sigurimin e zbatimit të dispozitave të Konventës për Ndihmën e Ndërsjellë Administrative në Çështje Tatimore, ratifikuar me ligjin nr.146/2013, “Për ratifikimin e konventës për ndihmën administrative të ndërsjellë në çështjet tatimore”, të marrëveshjes shumëpalëshe të Autoritetit Kompetent për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare, për shmangien e mashtrimit tatimor dhe të evazionit fiskal, si dhe për përmirësimin e pajtueshmërisë tatimore kombëtare e ndërkombëtare, duke zbatuar dispozitat e konfidencialitetit dhe të mbrojtjes së të dhënave personale në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi.

Neni 3
Subjektet

Subjekte të këtij ligji janë institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë, që ngarkohen për raportimin e llogarive të raportueshme, të mbajtura nga persona të raportueshëm, sipas dispozitave të vendosura në këtë ligj dhe në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji.

Neni 4
Përkufizime

1. Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Autoriteti Kompetent”, administrata tatimore, e ngarkuar nga ky ligj për mbledhjen e informacionit nga institucionet financiare raportuese dhe për shkëmbimin automatik me juridiksionet e tjera, në përputhje me marrëveshjen;
b) “Institucion financiar në Republikën e Shqipërisë”:

i. çdo institucion financiar rezident në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të çdo dege të atij institucioni financiar, por që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
ii. çdo degë e një institucioni financiar jorezident në Republikën e Shqipërisë, nëse kjo degë është e vendosur në Republikën e Shqipërisë;
iii. çdo institucion kujdestarie, institucion depozitues, shoqëritë e investimit ose një kompani e specifikuar sigurimi, sipas përcaktimeve të Standardit të Përbashkët të Raportimit.

c) “Institucioni financiar raportues”, çdo institucion financiar në Republikën e Shqipërisë që ka detyrimin të raportojë veprimtarinë financiare të klientëve pranë administratës tatimore;
ç) “Juridiksion i raportueshëm”, një juridiksion i identifikuar në listën e publikuar, sipas përcaktimit në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji;
d) “Llogari e raportueshme”, një llogari e mbajtur nga institucioni financiar raportues, e cila, sipas procedurave të vigjilencës së duhur, në përputhje me Standardet e Përbashkëta të Raportimit, është identifikuar si një llogari që mbahet nga një ose më shumë persona të raportueshëm në lidhje me juridiksionin tjetër ose nga një njësi ekonomike jofinanciare pasive, me një ose shumë persona kontrollues, të cilët konsiderohen persona të raportueshëm në lidhje me Juridiksionin tjetër;
dh) “Marrëveshje”, marrëveshja shumëpalëshe e autoritetit kompetent për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare, e miratuar me vendimin nr.178, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes shumëpalëshe, të autoritetit kompetent, për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarisë financiare”;
e) “Ofruesi i shërbimit palë e tretë”, personi, i cili mbledh, mban dhe raporton tek autoriteti kompetent informacionin e llogarive të raportueshme për një institucion financiar raportues;
ë) “Person i raportueshëm”, një individ ose njësi ekonomike, që është identifikuar si i/e tillë nga një institucion financiar raportues në Republikën e Shqipërisë, rezident i një Juridiksioni tjetër, sipas procedurave të vigjilencës së duhur, në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit;
f) “Standard i përbashkët i raportimit”, standardi i vendosur nga Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) për informacionin që do të raportohet nga institucionet financiare dhe që do të shkëmbehet me juridiksionet përkatëse, në të cilin përfshihet dhe Komentari;
g) “Vigjilenca e duhur”, procedurat e përcaktuara për të identifikuar llogaritë e raportueshme, që mbahen nga personat e raportueshëm.

2. Çdo term tjetër, i përcaktuar ndryshe në këtë ligj ose në vendimin e Këshillit të Ministrave të nxjerrë në zbatim të tij, do të ketë kuptimin që ai ka në atë moment, sipas dispozitave të tjera ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe në përputhje me kuptimin e përcaktuar në Standardin e Përbashkët të Raportimit.

KREU II
DETYRIMI PËR RAPORTIM

Neni 5
Raportimi tek Autoriteti Kompetent

1. Çdo institucion financiar raportues në Republikën e Shqipërisë i raporton autoritetit kompetent informacionin mbi llogaritë e raportueshme vjetore, të specifikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të këtij neni, brenda datës 30 maj të vitit vijues, për të cilin mblidhet informacioni, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 6, të këtij ligji.

2. Nëse institucioni financiar raportues pas aplikimit të procedurave të vigjilencës së duhur, të përcaktuara në nenin 6, të këtij ligji, për një vit kalendarik nuk identifikon asnjë llogari si Llogari të raportueshme, dërgon brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, pranë autoritetit kompetent, një deklaratë, e cila konfirmon mospasjen e një llogarie të raportueshme për vitin raportues.

3. Informacioni duhet të dërgohet elektronikisht, sipas një formati të standardizuar, duke përdorur teknologjinë e përshtatshme, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të këtij neni.

4. Dispozitat zbatuese të këtij ligji miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.

Neni 6
Vigjilenca e duhur

1. Për qëllim të nenit 5, institucionet financiare raportuese në Shqipëri duhet të veprojnë në përputhje me rregullat e vigjilencës së duhur, të parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji, përfshirë edhe mbledhjen e vetëdeklarimeve për të gjitha llogaritë financiare të raportueshme, subjekte të këtij ligji.

2. Institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin të informojnë mbajtësit e llogarive të raportueshme për përpunimin e të dhënave të tyre personale, në kuadër të procesit të vigjilencës së duhur dhe detyrimit të raportimit, të kryer në përputhje me këtë ligj dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, përpara fillimit të procesit të raportimit dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 7
Ndarja e informacionit brenda të njëjtit grup ose me ofruesit e shërbimit palë e tretë

1. Institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë mund të ndajnë me ofruesit e shërbimeve, palë e tretë, ose me institucione të tjera financiare, që janë pjesë e të njëjtit grup, dokumentacionin dhe informacionet e mbledhura në lidhje me mbajtësit e llogarive të raportueshme, me qëllim përmbushjen e mbledhjes së të dhënave, të raportimit dhe rregullave për vigjilencën e duhur, të parashikuara nga nenet 5 dhe 6, të këtij ligji.

2. Ofruesit e shërbimit, palë e tretë, që mbajnë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për të bërë të mundur mbledhjen e të dhënave, procedurën e vigjilencës së duhur dhe detyrimet e raportimit të përmendura nga nenet 5 e 6, të këtij ligji, mundet që, për qëllime të pajtueshmërisë së institucioneve të tilla financiare me detyrimet e lartpërmendura, të ndajnë informacionin dhe dokumentacionin përkatës që disponojnë me institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë.

3. Institucioni financiar raportues mbetet përgjegjës për detyrimin e raportimit dhe të zbatimit të rregullave të vigjilencës së duhur, në përputhje me këtë ligj dhe vendimin e Këshillit të Ministrave referuar pikës 4, të nenit 5, në zbatim të këtij ligji.

Neni 8
Detyrat dhe kompetencat e autoritetit kompetent

1. Autoriteti kompetent, nëpërmjet strukturave të tij të varësisë, mund të kërkojë informacion nga çdo institucion financiar raportues në Republikën e Shqipërisë dhe në çdo kohë të arsyeshme, gjatë orarit zyrtar të punës së një institucioni të tillë financiar. Me lajmërim paraprak, ai mund të hyjë në ambientet ku ushtrohet veprimtaria ekonomike e tij, me qëllim verifikimin e përmbushjes së detyrimit të përcaktuar me këtë ligj.

2. Një institucion financiar raportues në Republikën e Shqipërisë i vë në dispozicion autoritetit kompetent regjistrimet apo të dhënat e mbajtura sipas nenit 9, të këtij ligji, si dhe çdo dokument tjetër, që kërkohet për të kryer verifikimin e përmbushjes së detyrimit të përcaktuar me këtë ligj, brenda një afati kohor prej jo me shumë se 15 ditëve pune, pas kërkesës me shkrim, të dërguar nga autoriteti kompetent.

3. Ky afat mund të shtyhet sipas komunikimit formal ndërmjet palëve, me kërkesë të institucionit financiar raportues drejtuar autoritetit kompetent dhe me miratimin e titullarit të autoritetit kompetent.

4. Me kërkesë të autoritetit kompetent, një institucion financiar raportues në Republikën e Shqipërisë duhet të japë shpjegime shtesë. Ky detyrim përfshin, por nuk kufizohet vetëm në,:

a) plotësimin, nënshkrimin dhe kthimin e pyetësorëve ose kërkesave të tjera me shkrim për informacion nga autoriteti kompetent brenda 15 ditëve pune, nga data e marrjes së kërkesës;
b) takimin me punonjësit e autoritetit kompetent gjatë orarit të punës, dhënien e përgjigjeve për pyetjet e adresuara si dhe të informacionit lidhur me zbatimin e këtij ligji.

5. Autoriteti kompetent mund të njoftojë institucionin financiar kur ka arsye të besojë se një gabim mund të ketë çuar në informacione të pasakta ose të paplota, apo nëse raportimi nuk është në pajtim me kërkesat e zbatueshme dhe procedurat e vigjilencës së duhur, në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit.

Neni 9
Mbajtja e të dhënave dhe detyrimi për ruajtjen e tyre

1. Institucioni financiar raportues në Republikën e Shqipërisë duhet të krijojë, mbajë dhe dokumentojë procedurat e vigjilencës së duhur, në zbatim të këtij ligji, të cilat janë hartuar për të identifikuar llogaritë e raportueshme të mbajtura nga institucione të tilla financiare.

2. Institucioni financiar raportues:

a) mban regjistrimet që institucioni merr ose krijon, me qëllim përmbushjen e Standardit të Përbashkët të Raportimit, rregullave dhe procedurave, përfshirë vetëdeklarimet, hapat e ndërmarrë për identifikimin e llogarive të raportueshme dhe të dëshmive të dokumentuara. Të dhëna të tilla mbahen në formë elektronike ose letër;
b) i mban këto të dhëna për një periudhë prej, të paktën, pesë vite, pas përfundimit të periudhës brenda së cilës institucioni duhet të raportojë informacionin e kërkuar për raportim, sipas Standardit të Përbashkët të Raportimit. Me përfundimin e këtij afati këto të dhëna shkatërrohen;
c) merr masat e nevojshme teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e të dhënave personale, që përpunohen në kuadër të këtij ligji.

3. Nëse këto regjistrime mbahen në një gjuhë tjetër, përveç asaj shqipe, në bazë të kërkesës së autoritetit kompetent, institucioni financiar raportues në Republikën e Shqipërisë duhet të sigurojë përkthim të tyre në gjuhën shqipe.

Neni 10
Shkëmbimi i informacionit mbi llogaritë e raportueshme

Në përputhje me dispozitat e neneve 6 dhe 22, të Konventës për Ndihmën e Ndërsjellë Administrative në Çështjet Tatimore, ratifikuar me ligjin nr.146/2013, dhe në varësi të rregullave të raportimit e të Vigjilencës së duhur, në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit, autoriteti kompetent shkëmben me juridiksione të tjera kompetente çdo vit, brenda nëntëmujorit të parë dhe në mënyrë automatike, informacionet e marra në bazë të procedurave dhe rregullave të specifikuara në këtë ligj dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji.

KREU III
SANKSIONET DHE ANKIMIMI ADMINISTRATIV

Neni 11
Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e kryera nga institucionet financiare raportuese apo persona të tjerë përgjegjës, të cilat janë në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:

a) Mosdorëzimi në afat i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar, i përcaktuar sipas këtij ligji, 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
b) Dorëzimi i pasaktë i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar, jo në përputhje me nevojën dhe formën e përcaktuar në këtë ligj dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji, 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
c) Kryerja e deklarimit të rremë ose mosdhënia e informacionit të kërkuar nga çdo mbajtës llogarie të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji, përveç nëse ky informacion ka të bëjë me një person të tretë dhe provohet se dhënia e një deklarate të rreme apo mosveprimi nuk ishte e qëllimshme, 1 000 000 (një milion) lekë;
ç) Pengimi nga personat përgjegjës, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të Autoritetit Kompetent për kryerjen e detyrave të përcaktuara në këtë ligj dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji, 1 000 000 (një milion) lekë;
d) Aplikimi jokorrekt i rregullave të vendosura mbi Vigjilencën e duhur, të ardhur si pasojë e neglizhencës, si dhe i veprimeve të qëllimshme të subjekteve përgjegjëse, 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

2. Për raste të tjera kundërvajtjesh administrative, të paparashikuara në këtë ligj, zbatohen dispozitat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.

Neni 12
Ankimi

Subjektet e këtij ligji kanë të drejtën e ankimit kundër vendimit apo veprimit të autoriteti kompetent, sipas parashikimeve të nenit 106, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Neni 13
Rregulli kundër shmangies

Institucioni financiar, ndërmjetësi, ofruesi i shërbimit apo çdo person tjetër, që hyn në një marrëveshje ose angazhohet në një praktikë, që synon të shmangë apo anashkalojë detyrimet që rrjedhin nga ky ligj dhe vendimi i Këshillit të Ministrave në zbatim të tij, do të konsiderohet subjekt i këtyre detyrimeve, pavarësisht marrëveshjes së lidhur apo angazhimit në këtë praktikë.

KREU IV
KONFIDENCIALITETI DHE SIGURIMI I TË DHËNAVE

Neni 14
Konfidencialiteti

1. Informacioni i siguruar nga institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë është konfidencial, në përputhje me dispozitat e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

2. Çdo punonjës i autoritetit kompetent, institucionit financiar raportues dhe çdo funksionar publik, që ka akses në të dhënat personale që përpunohen në kuadër të këtij ligji, ka detyrimin që të nënshkruajë deklaratën e konfidencialitetit, e cila administrohet nga institucionet përkatëse, në cilësinë e punëdhënësit.

3. Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit vazhdon edhe pasi zyrtarët ose punonjësit nuk janë më të punësuar nga autoriteti kompetent, institucioni financiar raportues apo institucioni përkatës.

4. Informacioni i marrë nga autoritetet kompetente të huaja duhet të mbahet konfidencial, në përputhje me dispozitat e nenit 22, të Konventës “Për ndihmën e ndërsjellë administrative në çështjet tatimore”, ratifikuar me ligjin nr.146/2013, “Për ratifikimin e Konventës për Ndihmën Administrative të Ndërsjellë në Çështjet Tatimore” dhe çdo ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Neni 15
Siguria e të dhënave

Përpunimi i të dhënave personale në kuadër të procesit të shkëmbimit automatik të informacionit të llogarive financiare për çështje tatimore do të kryhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 16
Interpretimi

Dispozitat e këtij ligji dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave të dalë në zbatim të tij interpretohen në përputhje me komentarin e Standardit të Përbashkët të Raportimit.

Neni 17
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e aktit nënligjor në zbatim të pikës 4, të nenit 5, të këtij ligji, jo më vonë se tre muaj, nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Neni 18
Dispozita kalimtare

1. Përjashtimisht për raportimin e parë, institucioni financiar raportues, pas aplikimit të procedurave të vigjilencës së duhur, raporton brenda datës 30 maj 2020 për të gjitha llogaritë e raportueshme ekzistuese në datën 1.1.2019,, si dhe llogaritë e raportueshme të hapura përgjatë vitit 2019, sipas detyrimit të përcaktuar në nenin 5, të këtij ligji.

2. Për raportimet në vitet pasuese, institucioni financiar raportues raporton pranë administratës tatimore brenda datës 30 maj, për llogaritë e raportueshme të vitit kalendarik paraardhës.

Neni 19
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

# # #

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHKËMBIMIN AUTOMATIK TË INFORMACIONIT TË LLOGARIVE FINANCIARE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

* * *
P R O J E K T L I GJ
PËR
PRODUKTET PLEHËRUESE

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës Së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:

a) garantimin e shëndetit të njerëzve e të kafshëve, si dhe mbrojtjen e mjedisit nga përdorimi i produkteve plehëruese;
b) rritjen e efikasitetit në të ushqyerit e bimëve me elemente ushqyese;
c) përmirësimin e cilësive fiziko-kimike dhe të pjellorisë së tokës.

Neni 2
Objekti

Ky ligj përcakton rregullat për prodhimin, regjistrimin, tregtimin, importin, eksportin, përdorimin, kontrollin e cilësisë, gjurmueshmërinë, informimin, reklamimin dhe inspektimin e veprimtarive që lidhen me produktet plehëruese, si dhe organizimin e funksionimin e strukturave përkatëse.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për:

a) produktet plehëruese që regjistrohen, prodhohen, eksportohen, tregtohen, importohen dhe përdoren në Republikën e Shqipërisë;
b) personat fizikë e juridikë që ushtrojnë veprimtari të parashikuara në dispozitat e këtij ligji, si dhe të legjislacionit në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet, vlerësimin e ndikimit në mjedis, lejet e mjedisit e kimikatet.

Neni 4
Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Ambalazhim”, një ambalazh i mbyllur që përdoret për të mbajtur, mbrojtur e për të lehtësuar shpërndarjen e produkteve plehëruese.

2. “Aplikant”, personi apo subjekti që prodhon një produkt plehërues, që ia beson prodhimin e tij një të treti ose një personi të emëruar nga prodhuesi, si përfaqësues i autorizuar i tij, i cili paraqet kërkesë për regjistrimin e produktit plehërues.

3. “Deklarim për produktet plehëruese”, specifikimi i përqendrimit të lëndëve ushqyese, duke përfshirë formën dhe tretshmërinë, të garantuara brenda tolerancave të përcaktuara.

4. “Dokumentacion shoqërues”, dokumentacioni që shoqëron produktin plehërues.

5. “Elemente ushqyese”, elementet kimike të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e bimëve, përveç karbonit (C), oksigjenit (O) dhe hidrogjenit (H), të cilët furnizohen/disponohen kryesisht nga ajri dhe uji. Elementet kimike ushqyese klasifikohen si:

a) “elemente ushqyese kryesore”, vetëm elementet azot, fosfor dhe kalium.
b) “elemente ushqyese dytësore”, elementet kalcium, magnez, natrium dhe squfur.

6. “Etiketë”, format i shkruar në letër, plastikë apo material tjetër i ngjashëm me to që i bashkëngjitet një produkti dhe jep informacion për të.
7. “Etiketimi”, vendosja e etiketës në paketimin parësor ose të jashtëm.

8. “Grupet e produkteve plehëruese”, produktet plehëruese që kanë të njëjtin emër tipologjik, si dhe tipare e cilësi të përbashkëta mes tyre.

9. “Gjurmueshmëri”, ndjekja e një produkti plehërues në të gjitha fazat, nga prodhimi deri te përdoruesi i fundit.

10. “Hedhje në treg”, bërja e disponueshme e produktit plehërues në treg për shpërndarje, konsum ose përdorim të tij gjatë një veprimtarie tregtare, me ose pa pagesë.

11. “Heqje nga tregu”, çdo masë që synon parandalimin e të bërit të një produkti plehërues në zinxhirin e furnizimit të disponueshëm në treg.

12. “Import”, hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë e produkteve plehëruese. Importi është pjesë e veprimtarisë së tregtimit me shumicë.

13. “Importues”, çdo person fizik ose juridik i regjistruar në Shqipëri, i cili vendos në tregun shqiptar një produkt plehërues nga një vend tjetër.

14. “Institucioni përgjegjës”, institucioni/institucionet që ngarkohen me zbatimin e këtij ligji, sipas përcaktimeve të nenit 22 të tij.

15. “KRPP”, komisioni i regjistrimit të produkteve plehëruese.

16. “Korrektues”, materialet që duhet të shtohen në tokë, kryesisht për të modifikuar e përmirësuar vetitë kimike anormale të saj, të shkaktuara nga reaksioni, kripshmëria, përmbajtja e natriumit.

17. “Laborator i akredituar”, laboratori që ka kaluar një procedurë akreditimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e akreditimit.

18. “Laborator reference”, laboratori i akredituar që vlerëson cilësinë e besueshmërinë e analizave të kryera nga laboratorët e miratuar dhe jep vlerësimin përfundimtar të analizave të kryera nga këta laboratorë.

19. “Laborator i miratuar”, laboratori publik ose privat, i miratuar nga ministri, për kryerjen e analizave të produkteve plehëruese.

20. “Llojet e produkteve plehëruese”, produktet plehëruese që përfshihen brenda një grupi.

21. “Magazinё”, objekt i veçantë qё shёrben për ruajten dhe shpërndarjen me shumicë të produkteve plehëruese te njёsitё e tregtimit me pakicё.

22. “Magazinim”, koha e qëndrimit të produkteve plehëruese në magazinë.

23. “Material organik”, produkti organik me origjinë natyrore, i cili mund të identifikohet si lëndë për prodhimin e produkteve plehëruese organo-minerale.

24. “Mikroelemente”, elementet bor (B), kobalt (Co), bakër (Cu), hekur (Fe), mangan (Mn), molibden (Mo) dhe zink (Zn). Këto elemente janë thelbësore për rritjen dhe zhvillimin e bimëve, edhe pse në sasi të vogla, nëse krahasohen me elementet ushqyese kryesore dhe dytësore.

25. “Ministër”, ministri përgjegjës për fushën e bujqësisë.

26. “Ministri”, ministria përgjegjëse për fushën e bujqësisë.

27. “Njësi e tregtimit me shumicë”, njësia që shërben për tregtimin e produkteve plehëruese te njësitë e tregtimit me pakicë.

28. “Njësi e tregtimit me pakicë”, njësia që shërben për tregtimin e produkteve plehëruese te përdoruesi i fundit.

29. “Përfaqësues i autorizuar”, çdo person fizik ose juridik, i regjistruar në Shqipëri, i cili ka një akt përfaqësimi nga prodhuesi për të vepruar në emër të tij për detyra specifike, për detyrimet e prodhuesit që parashikohen në këtë ligj ose aktet nënligjore në zbatim të tij.

30. “Përmbajtje e deklaruar për produktet plehëruese”, përmbajtja e një elementi ose e formave të tij, e cila tregohet në etiketën ose dokumentin që shoqëron një produkt plehërues.
31. “Përmbajtje e padeklaruar për produktet plehëruese”, përmbajtja e një elementi ose e formave të tij, e cila nuk tregohet në etiketën ose dokumentin që shoqëron një produkt plehërues.

32. “Përmirësues të tokës”, materialet që duhet të shtohen në tokë, kryesisht për të ruajtur ose përmirësuar karakteristikat fizike ose kimike, ose aktivitetin biologjik të saj, veçmas ose së bashku me njëri-tjetrin.

33. “Plehërues”, produkti, funksioni kryesor i të cilit është të sigurojë elemente ushqyese për bimët.

34. “Produkt plehërues – PP”, lënda, përzierja, mikroorganizmi ose çdo material tjetër që përdoret te bimët ose rizosfera e tyre, vetëm ose i përzier me material tjetër, me qëllim furnizimin me elemente ushqyese ose përmirësimin e efikasitetit në të ushqyerit e bimëve.

35. “Produkt plehërues inorganik”, produkti plehërues, në të cilin elementet ushqyese të deklaruara janë të pranishme në formën e përbërjeve minerale të përftuara nga nxjerrja ose proceset fizike e kimike industriale ose proceset industriale fizike ose kimike. Kalcium cianamidi, ureja dhe produktet e saj të kondensimit e të lidhjes, si dhe produktet plehëruese që përmbajnë mikroelemente të keluara ose komplekse mund të klasifikohen si produkte plehëruese inorganike.

36. “Produkt plehërues organik”, produkti plehërues që rrjedh nga materialet organike me origjinë shtazore ose bimore, të përbërë nga përbërësit organikë, në të cilët elementet kryesore të fertilitetit janë të lidhura kimikisht në formë organike ose, në çdo rast, formojnë një pjesë integrale të materialit.

37. “Produkt plehërues organo-mineral”, produkti plehërues, i përftuar nga reaksioni ose përzierja e një ose më shumë produkteve plehëruese organike, ose të një apo më shumë materialeve organike, ose të dyja, me një ose më shumë produkte plehëruese inorganike.

38. “Produkte plehëruese me veprim specifik”, produkte plehëruese që kontribuojnë në mënyrë specifike në tokë, bimë ose te produktet plehëruese, të cilat nxisin ose rregullojnë përvetësimin e elementeve ushqyese ose korrigjojnë anomalitë e caktuara fiziologjike.

39. “Produkte plehëruese të veçanta”, produkte plehëruese që veprojnë si substanca për të nxitur efikasitetin e për të rregulluar përthithjen e elementeve ushqyese.
40. “Produkt plehërues i thjeshtë”, produkti plehërues azotik, fosfatik ose potasik, për të cilin mund të deklarohet vetëm një nga përbërësit kryesorë të elementeve ushqyese.

41. “Produkt plehërues i përbërë”, produkti plehërues që ka një përmbajtje të deklaruar të të paktën dy prej elementeve ushqyese kryesore dhe të siguruara në rrugë kimike ose nga përzierja apo një kombinim i të dyjave.

42. “Produkt plehërues i përzier”, produkti plehërues që sigurohet nga përzierja e thatë e produkteve plehëruese të ndryshme, pa shkaktuar reaksione kimike.

43. “Produkt plehërues kompleks”, produkti plehërues i përbërë, i përftuar nga reaksioni kimik, si solucion apo në gjendje të ngurtë nga granulimi, që ka një përmbajtje të deklaruar të të paktën dy prej elementeve ushqyese kryesore. Në gjendje të ngurtë çdo grimcë përmban të gjitha elementet ushqyese përbërëse të tyre, të deklaruara.

44. “Produkte plehëruese për bujqësinë organike”, produktet plehëruese për të cilat lejohet përdorimi sipas metodës së prodhimit organik, sipas legjislacionit të bujqësisë organike.

45. “Produkt plehërues i hapur”, produkti plehërues jo i paketuar (rifuxho).

46. “Produkt plehërues i tjetërsuar”, çdo ndryshim i treguesve të produktit plehërues nga ato të deklaruara në etiketë ose në certifikatën shoqëruese të analizës.

47. “Produkt plehërues i rrjedhur”, produkti plehërues i lëngshëm, i cili ka rrjedhur gjatë ruajtjes ose transportit.

48. “Produkt plehërues me rrezikshmëri”, produkti plehërues i thjeshtë me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti.

49. “Prodhim”, procesi i nxjerrjes së gatshme për përdorim të produkteve plehëruese, përfshirë ambalazhimin dhe etiketimin e tyre.

50. “Prodhues”, çdo person fizik ose juridik, i cili prodhon një produkt plehërues ose ka një produkt të disenjuar dhe e tregton këtë produkt nën emrin dhe/ose markën e tij tregtare.

51. “Regjistër i prodhuesve të produkteve plehëruese”, tërësia e të dhënave zyrtare, ku regjistrohen prodhuesit e produkteve plehëruese në territorin e Republikës së Shqipërisë.

52. “Reklamim për produktin plehërues”, çdo formë informimi, veprimtarie mbështetëse ose nxitëse e destinuar për të rritur informimin për përdorimin e produktit plehërues.

53. “Seri”, një sasi e caktuar e lëndës së parë e materialit ambalazhues ose e produktit përfundimtar, prodhuar gjatë një procesi të vetëm ose e disa proceseve të njëpasnjëshme, e cila siguron homogjenitetin e gjithë sasisë.

54. “SPPP”, struktura përgjegjëse për produktet plehëruese në ministri.

55. “Substrate kultivimi”, materialet, përveç tokës, ku rriten bimët.

56. “Tolerancë”, shmangia e lejuar e vlerave të matura të përmbajtjes së elementeve ushqyese nga vlera e deklaruar e tyre.

57. “Tregtim i produkteve plehëruese”, veprimtaria e tregtimit me shumicë dhe me pakicë, e cila lidhet me blerjen, magazinimin, shpërndarjen, prezantimin pёr shitje ose shitjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve plehëruese.

58. “Vendosje në treg”, bërja e disponueshme për herë të parë e produktit plehërues në treg.

Neni 5
Klasifikimi produkteve plehëruese

1. Produktet plehëruese klasifikohen në grupe, si më poshtë vijon:

a) Produktet plehëruese inorganike;
b) Produktet plehëruese organike;
c) Produktet plehëruese organo-minerale;
ç) Produktet plehëruese bazuar në elemente ushqyese dytësore;
d) Produktet plehëruese bazuar në mikroelemente;
dh) Produktet plehëruese me veprim specifik (frenuesit, biostimulantët e bimëve);
e) Produktet plehëruese të veçanta;
ë) Korrektuesit;
f) Substratet e kultivimit (rritjes);
g) Përmirësuesit e tokës;
gj) Materialet organike të destinuara për prodhimin e produkteve plehëruese organo-minerale.

2. Klasifikimi i hollësishëm i produkteve plehëruese të lejuara për regjistrim miratohet me urdhër ministri.

KREU II
PRODHIMI DHE REGJISTRIMI I PRODUKTEVE PLEHËRUESE

Neni 6
Prodhimi i produkteve plehëruese

1. Prodhimi i produkteve plehëruese në Republikën e Shqipërisë kryhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji, të legjislacionit në fuqi për licencat, autorizimet e lejet, si dhe të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
2. Prodhimi i produkteve plehëruese në vend kryhet nga persona juridikë ose fizikë, pas certifikimit nga një trupë certifikuese, e akredituar në përputhje me standardin SSH ISO/IEC 17065.

3. Prodhimi i produkteve plehëruese me rrezikshmëri përfshihet në kategorinë II.5, të shtojcës së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Prodhimi i produkteve plehëruese me rrezikshmëri kryhet nga persona fizikë ose juridikë të licencuar e të pajisur me lejen përkatëse të mjedisit për këtë veprimtari, referuar kërkesave të legjislacionit në fuqi, si dhe pas certifikimit nga një trupë certifikuese, e akredituar në përputhje me standardin SSH ISO/IEC 17065.

Neni 7
Kërkesat që duhet të plotësohen për regjistrimin e produkteve plehëruese

1. Të gjitha produktet plehëruese që prodhohen, importohen e tregtohen për t’u përdorur në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënshtrohen procedurës së regjistrimit.

2. Një produkt plehërues mund të regjistrohet, nëse përmbush kërkesat, si më poshtë vijon:

a) Produkti plehërues të jetë i miratuar, sipas pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji;
b) Lënda ushqyese garanton siguri, cilësi dhe efektshmëri;
c) Ekzistojnë metodat e analizave dhe të testimeve;
ç) Nuk ndikon negativisht në shëndetin e njerëzve, kafshëve, bimëve dhe në mjedis;
d) Përmbush të gjitha kërkesat për ambalazhimin, etiketimin dhe magazinimin, sipas dispozitave të këtij ligji;
dh) Përmbush kufijtë e tolerancës.

Neni 8
Aplikimi dhe procedura për regjistrimin e produkteve plehëruese

1. Aplikimi për regjistrimin e produktit plehërues përmban:

a) kërkesën e aplikantit për regjistrimin e produktit plehërues në gjuhën shqipe;
b) të dhënat teknike të produktit plehërues në gjuhën shqipe ose angleze, në dosje dhe në formë elektronike (CD);
c) etiketën, të përkthyer dhe në gjuhën shqipe;
ç) dokumentacionin për të dhënat e sigurisë (MSDS). MSDS të jetë e përkthyer në gjuhën shqipe dhe në përputhje me kërkesat specifike, përmbajtjen e formatin e përcakuar nga legjislacioni përkatës në fuqi për kimikatet;
d) mostrën e produktit plehërues që kërkon të regjistrojë.

2. Aplikimi për regjistrim, sipas shkronjave “a” dhe “ç”, të këtij neni, depozitohet në SPPP, nëpërmjet zyrës së protokollit të ministrisë, ndërsa mostra, sipas shkronjës “d”, të këtij neni, depozitohet te laboratori i referencës.

3. Pas pranimit, ky dokumentacion dërgohet nga SPPP-ja te laboratori i referencës, për të kryer vlerësimin e të dhënave të produktit plehërues. Në përfundim të këtij vlerësimi, laboratori i referencës harton raportin teknik, të cilin e paraqet në SPPP.

4. Procedura e regjistrimit të produktit plehërues përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga aplikimi.

5. Përmbajtja e të dhënave teknike të produkteve plehëruese miratohet me urdhër të ministrit.

6. Procedura e hollësishme e regjistrimit të produkteve plehëruese miratohet me rregullore ministri.

Neni 9
Komisioni i regjistrimit të produkteve plehëruese

1. Komisioni është organ kolegjial teknik i përhershëm dhe vendimmarrës.

2. Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Zëvendësministri, i cili kryeson komisionin;
b) Dy përfaqësues nga SPPP-ja në ministri;
c) Një përfaqësues nga laboratori i referencës;
ç) Një përfaqësues nga institucioni përgjegjës.

Sekretar i komisionit të regjistrimit të produkteve plehëruese është specialisti që mbulon produktet plehëruese pranë SPPP-së në ministri, caktuar me urdhër të ministrit.

3. Lista emërore e anëtarëve të komisionit miratohet me urdhër të ministrit, pas propozimit të bërë nga institucionet përkatëse.

4. Komisioni është organ vendimmarrës dhe funksionon, si më poshtë vijon:

4.1. Komisioni mblidhet kur e kërkon kryetari ose 2/3 e anëtarëve të tij;
4.2. Radha e shqyrtimit të dokumentacionit për regjistrimin e produkteve plehëruese bëhet sipas datës së pranimit të tyre;
4.3. Komisioni i zhvillon mbledhjet me pjesëmarrjen e shumicës së thjeshtë të anëtarëve të tij dhe, pasi shqyrton mendimet e laboratorit të referencës, merr vendim me 2/3 e anëtarëve të pranishëm;
4.4. Komisioni, në mbledhjet e tij, shqyrton:

a) etiketën përfundimtare të produktit plehërues, bazuar në etiketën e paraqitur nga aplikanti;
b) regjistrimin e produkteve plehëruese në procedurë regjistrimi;
c) riregjistrimin e produkteve plehëruese, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji;
ç) çregjistrimin e produkteve plehëruese sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji;
d) modifikimin e dokumentit të regjistrimit të produktit plehërues, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 13, të këtij ligji.

4.5. Në përfundim të mbledhjes hartohet procesverbali përmbledhës për vendimet e marra. Procesverbali mbahet në dy kopje, nga të cilat, njërën e mban SPPP-ja dhe tjetra depozitohet në arkivin e ministrisë bashkë me një kopje të dokumenteve të regjistrimit (certifikatë dhe etiketë). Procesverbali nënshkruhet nga anëtarët pjesëmarrës në mbledhje;
4.6. Dokumentet e regjistrimit (certifikata dhe etiketa) të produkteve plehëruese të miratuara përgatiten nga sekretari dhe firmosen nga kryetari i komisionit.

5. Vendimi për refuzimin e regjistrimit mund të ankimohet pranë ministrit.

Neni 10
Lista e produkteve plehëruese dhe lista e prodhuesve tё produkteve plehëruese

1. SPPP-ja pёrgatit listёn e produkteve plehëruese të regjistruara dhe listёn e prodhuesve tё produkteve plehëruese në vend dhe i publikon nё faqen zyrtare tё ministrisё sa herё qё pёsojnё ndryshime.

2. Lista e produkteve plehëruese të regjistruara pёrmban kёto tё dhёna:

a) Emrin tregtar;
b) Përmbajtjen e çdo përbërësi të produktit plehërues;
c) Emrin e aplikantit;
ç) Prodhuesin (emri, adresa e fabrikimit);
d) Grupin;
dh) Numrin dhe datën e regjistrimit.
e) Importuesin (emri dhe adresa).

3. Lista e prodhuesve tё produkteve plehëruese në vend pёrmban kёto tё dhёna:

a) Prodhuesin (emrin, adresёn e selisё ose tё fabrikimit tё produkteve plehëruese);
b) Emrin/emrat tregtar/ë tё produkteve plehëruese, qё prodhon/prodhojnë;
c) Grupin;
d) Numrin dhe datёn e regjistrimit;
ç) Emrin/emrat e lёndёve tё para, qё pёrdor pёr prodhimin e produkteve plehëruese.

Neni 11
Tarifat administrative pёr regjistrimin e produkteve plehëruese

1. Tarifat administrative pёr regjistrimin e produkteve plehëruese pёrballohen nga aplikantёt dhe derdhen nё buxhetin e shtetit.

2. Tarifat administrative pёrcaktohen me udhёzim tё pёrbashkёt tё ministrit dhe tё ministrit pёrgjegjës për financat.

Neni 12
Dokumenti i regjistrimit të produktit plehërues

1. Dokumenti i regjistrimit të produktit plehërues përmban certifikatën e regjistrimit dhe etiketën. Certifikata e regjistrimit lëshohet nga kryetari i komisionit, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e mbledhjes së komisionit dhe shoqërohet me etiketë.

Dokumenti i regjistrimit mbahet në tri kopje origjinale, nga të cilat, njëra mbahet në arkivin e ministrisë, njëra në SPPP, ndërsa kopja tjetër i jepet aplikantit.

2. Në certifikatën e regjistrimit, e cila plotësohet në gjuhën shqipe, jepen të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Emri tregtar;
b) Numri dhe data e regjistrimit;
c) Emri i aplikantit dhe adresa e tij;
ç) Emri i prodhuesit dhe adresa e tij;
d) Emri i importuesit në Shqipëri dhe adresa e tij;
dh) Grupi;
e) Pamja e jashtme e tij;
ë) Përmbajtja;
f) Afati i vlefshmërisë;
g) Mënyra e përdorimit (me shënimin: Shih etiketën bashkëlidhur!).

3. Në etiketën e produktit plehërues jepen të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Emri tregtar;
b) Numri dhe data e regjistrimit;
c) Emri i aplikantit dhe adresa e tij;
ç) Emri i prodhuesit dhe adresa e tij;
d) Emri i importuesit në Shqipëri dhe adresa e tij;
dh) Emri i pakuetuesit, nëse kryhet paketimi në Shqipëri dhe adresa e tij;
e) Emri i grupit, i cili shkruhet me shkronja të mëdha;
ë) Pamja e jashtme e tij;
f) Përmbajtja e përbërësve të produktit plehërues, përfshirë edhe përmbajtjen e elementeve të përshkruara me fjalë e simbole kimike dhe në lidhje me ushqyesit e format e tretshme;
g) Numri i serisë;
gj) Mënyra e përdorimit;
h) Sasia neto e produktit plehërues, qё ndodhet nё ambalazhin parёsor;
i) Afati i ruajtjes;
j) Kushtet e ruajtjes;
k) Udhëzimet për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, sigurinë e mbrojtjen e mjedisit.

Përmbajtja e etiketës të jetë në gjuhën shqipe dhe në përputhje me rregullat e parashikuara në pikën 4, të nenit 17, të këtij ligji.

Neni 13
Riregjistrimi, çregjistrimi dhe modifikimi i dokumenteve të regjistrimit të produkteve plehëruese të regjistruara

1. Riregjistrimi i produktit plehërues bëhet direkt nga komisioni, kur ky kërkohet nga aplikanti 30 (tridhjetë) ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit.

2. Çregjistrimi i produktit plehërues kryhet nga komisioni në rastet kur:

a) produkti plehërues përmban lëndë ushqyese, të cilat janë të hequra me urdhër të ministrit;
b) aplikanti e kërkon me shkrim një gjë të tillë;
c) nuk vazhdon të plotësojë kërkesat, sipas nenit 7, të këtij ligji.
Nё rastet e çregjistrimit njoftohet aplikanti.

Pas çregjistrimit, nëse produkti plehërues është ende në treg, duhet të përdoret brenda afateve të skadencës së tij, për rastet e cituara në shkronjën “b”, të kësaj pike, dhe të tërhiqet nga tregu, nga importuesi ose nga prodhuesi për rastet e cituara në shkronjat “a” dhe “c”, të kësaj pike. Monitorimi i tërheqjes nga tregu kryhet nga institucioni përgjegjës.

3. Modifikimi i dokumentit të regjistrimit të produktit plehërues kryhet nga komisioni kur ka ndryshim të:

a) emrit tregtar;
b) mbajtësit të dokumentit të regjistrimit (aplikanti);
c) prodhuesit;
ç) prodhimit (shtim, transferim në një stabiliment tjetër prodhues);
d) mënyrave të përdorimit dhe të sasive të përdorura;
dh) periudhës dhe të kushteve të ruajtjes;
e) zgjerimit të fushёs sё pёrdorimit.

Në të gjitha rastet e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, aplikanti duhet të paraqesë kërkesë në gjuhën shqipe, shoqëruar me dokumentacionin provues.

KREU III
TREGTIMI, TRANSPORTI, RUAJTJA, ETIKETIMI DHE PËRDORIMI I PRODUKTEVE PLEHËRUESE

Neni 14
Tregtimi i produkteve plehëruese

1. Lejohet vetëm importimi dhe tregtimi i produkteve plehëruese të regjistruara.

2. Tregtimi me shumicë dhe me pakicë i produkteve plehëruese me rrezikshmëri përfshihet në kategorinë II.5, të shtojcës, së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Në njësitë e tregtimit me pakicë të produkteve plehëruese ndalohet:

a) mbajtja dhe tregtimi i produkteve plehëruese, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji;
b) asgjësimi i ambalazheve dhe i produkteve plehëruese të skaduara apo të dëmtuara;
c) mbajtja dhe tregtimi i ushqimeve për njerëz e kafshë;
ç) riambalazhimi i produkteve plehëruese, pasi janë vendosur në treg.
4. Institucioni përgjegjës nё pikat e kalimit kufitar (PIK) ka për detyrё:

a) tё kontrollojё e të verifikojё produktet plehëruese qё hyjnё pёr t’u tregtuar dhe pёrdorur nё Republikёn e Shqipёrisё e t’i evidentojë ato nё njё regjistёr tё veçantё;
b) tё ndalojё hyrjen nё Republikёn e Shqipёrisё tё produkteve plehëruese tё paregjistruara.

5. Produktet plehëruese, të cilave u skadon afati i përdorimit, të klasifikohen si mbetje dhe të etiketohen sipas kodeve të përcaktuara në vendimin nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve”, të ndryshuar.

6. Grumbullimi, transportimi, trajtimi dhe asgjësimi i produkteve plehëruese të klasifikuara mbetje të trajtohen sipas detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar, dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.

Neni 15
Transporti, ruajtja dhe magazinimi i produkteve plehëruese

1. Transporti i produkteve plehëruese bëhet me mjete të sigurta e të përshtatshme, të mbuluara tërësisht, si masë mbrojtjeje, në çdo rast, nga kontakti me lagështirën, si dhe mënjanon rrjedhjet gjatë udhëtimit.

2. Të gjitha produktet plehëruese, pas prodhimit apo sjelljes nga importi, ruhen në magazinat e tregtimit me shumicë, si dhe në mjediset e tregtimit me pakicë.

3. Kushtet në magazinat dhe njësitë e tregtimit me pakicë duhet të garantojnë ruajtjen e cilësive fiziko-kimike të produkteve plehëruese, sipas kërkesave të përcaktuara në etiketë, si dhe përmbushjen e kërkesave në fuqi për mbrojtjen e mjedisit e kimikatet.

4. Magazinat dhe njësitë e tregtimit me pakicë të produkteve plehëruese duhet të jenë të pajisura me:

a) mjetet e nevojshme për thithjen e dezaktivizimin e rrjedhjeve të produkteve plehëruese të rrjedhura;
b) këndin e ndihmës së shpejtë dhe mjetet mbrojtëse individuale;
c) pajisjet e mbrojtjes nga zjarri;
ç) mjediset higjieno-sanitare me ujë të rrjedhshëm;
d) sistemet e duhura të ajrimit.

5. Produktet plehëruese, gjatë magazinimit, duhet:

a) të jenë të ndara nga njëri-tjetri;
b) të jenë të etiketuara në mënyrë të qartë;
c) të mos jenë të përziera me substanca të tjera;
ç) të jenë në ambalazhe parësore të padëmtuara.

Neni 16
Ambalazhimi dhe etiketimi i produkteve plehëruese

1. Produktet plehëruese mund të vendosen në treg vetëm të ambalazhuara.

2. Ambalazhi duhet të ruajë karakteristikat fizike dhe kimike të produkteve plehëruese.

3. Ambalazhi parësor, që është në kontakt direkt me produktin plehërues, duhet të jetë i mbyllur në mënyrë të tillë që, në rast se hapet, nuk duhet të ripërdoret.

4. Etiketa të jetë e ngjitur në mënyrë të pashqitshme në ambalazhin parësor të produktit plehërues, si dhe përmbajtja e saj të jetë qartësisht e lexueshme dhe jo e shuajtshme.

5. Ambalazhimi dhe etiketimi i produkteve plehëruese me rrezikshmëri përfshihet në licencën “Prodhimi”, me kodin II.5.B.1.

Neni 17
Përdorimi i produkteve plehëruese

1. Lejohet vetëm përdorimi i produkteve plehëruese të regjistruara.

2. Produktet plehëruese të përdoren nga përdoruesi i fundit, duke respektuar kërkesat dhe udhëzimet që jepen në etiketë.

3. Përdorimi i produkteve plehëruese të sigurojë mbrojtjen e shëndetit të përdoruesve, të konsumatorëve, të kafshëve dhe të mjedisit.

4. Rregullat e hollësishme për prodhimin, tregtimin, ruajtjen, ambalazhimin, etiketimin dhe përdorimin e produkteve plehëruese përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe aktet nënligjore për klasifikimin, etiketimin dhe ambalazhimin e kimikateve.

KREU V
KUFIJTË E TOLERANCËS. PRODUKTET PLEHËRUESE TË THJESHTA ME BAZË NITRAT AMONI, ME PËRMBAJTJE TË LARTË AZOTI

Neni 18
Kufijtë e tolerancës

1. Përmbajtja e deklaruar në produktet plehëruese të jetë në përputhje me kufijtë e tolerancës.

2. Në përcaktimin e kufijve të tolerancës merren parsysh variacionet në aspektin e prodhimit, marrjes së mostrave për analizë, pasiguritë e matjeve, si dhe metodat analitike të përdorura.

3. Kufijtë e tolerancës miratohen me urdhër të ministrit.

Neni 19
Produktet plehëruese të thjeshta me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti

1. Produktet plehëruese të thjeshta me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, mund të përmbajnë substanca inorganike ose inerte. Substancat që janë përdorur në prodhimin e këtij produkti plehërues nuk duhet të rrisin ndjeshmërinë e tij ndaj nxehtësisë e ndaj shpërthimit.

2. Prodhuesi duhet të sigurojë që produktet plehëruese të thjeshta me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, duhet të plotësojnë kërkesat e këtij ligji.

3. Kontrolli, analizat dhe testimet zyrtare të produkteve plehëruese të thjeshta me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, të referuara në këtë nen, duhet të jenë në përputhje të plotë me standardet e harmonizuara apo të miratuara nga institucioni përgjegjës për standardizimin.

4. Për të siguruar kontrollin e produkteve plehëruese të thjeshta me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, të vendosura në treg, prodhuesi mban një regjistër të veçantë vetëm për këtë lloj produkti plehërues, ku përcaktohen emri, adresa dhe vendndodhja e prodhuesit, si dhe e përdoruesve të tij. Ky regjistër duhet të jetë i disponueshëm për kontrollet që kryhen për të gjithë periudhën e vendosjes në treg të këtij produkti plehërues.

5. Prodhuesi duhet të sigurojë që produkti plehërues me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, që vendoset në treg, të ketë kaluar testin e rezistencës ndaj shpërthimit. Ky test duhet të jetë bërë në një laborator testues të akredituar, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kalimi i testit të shpërthyeshmërisë është kusht i domosdoshëm për të gjitha produktet plehëruese që vendosen në treg.

6. Produktet plehëruese me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, duhet të jenë të disponueshme, përpara përdorimit përfundimtar, vetëm në formë të paketuar.

KREU VI
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I STRUKTURAVE

Neni 20
Organizimi

Strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij janë, si më poshtë vijon:

a) Struktura përgjegjëse për produktet plehëruese (SPPP) në ministri;
b) Institucioni përgjegjës, sipas nenit 22, të këtij ligji;
c) Komisioni i regjistrimit të produkteve plehëruese (KRPP) në ministri;
ç) Laboratori i referencës dhe laboratorët e miratuar.

Neni 21
Struktura përgjegjëse për produktet plehëruese

SPPP-ja ka këto detyra:

a) Është autoriteti kompetent që harton politikat dhe legjislacionin e produkteve plehëruese;
b) Zhvillon proceduarat që lidhen me regjistrimin e produkteve plehëruese, në përputhje me kërkesat e këtij ligji;
c) Ndjek e monitoron aktivitetin e produkteve plehëruese në nivel qendror dhe rajonal, në zbatim të këtij ligji.

Neni 22
Institucionet përgjegjëse

1. Institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen, kontrollin, prodhimin, importimin, eksportimin, ruajtjen, tregtimin dhe përdorimin e produkteve plehëruese, si dhe institucioni përgjegjës për licencimin, revokimin, pezullimin e licencës së kategorisë II.5.B përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të këtij ligji e të akteve nënligjore që rrjedhin prej tij.
2. Çdo vendim i institucionit përgjegjës për miratimin ose revokimin e kërkesës për licencim, si dhe çdo vendim për pezullimin ose revokimin e licencës publikohet nga institucioni përgjegjës në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.

Neni 23
Laboratori i referencës dhe laboratorët e miratuar

1. Laboratori i referencës miratohet me urdhër ministri dhe ka për detyrë:

a) vlerësimin e të dhënave teknike të produkteve plehëruese gjatë procedurës së regjistrimit të tyre;
b) kryerjen e analizave laboratorike zyrtare të produkteve plehëruese;
c) testimin e produktit plehërues sipas standardeve përkatëse dhe vlerësimin, nëse është në përputhje me kërkesat e përcaktuara në këtë ligj;
ç) kryerjen e analizave të mostrave të produkteve plehëruese, që merren për efekt verifikimi dhe vlerësimin e treguesve cilësorë të tyre;
d) hartimin e raportit teknik, sipas pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji;
dh) vlerësimin e laboratorëve të miratuar për:

i. rezultatet e analizave të kryera;
ii. bashkërendimin e punës dhe dhënien e mbështetjes, përfshirë trajnimet e shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe mënyrat e analizave që ato kryejnë;
iii. organizimin e testeve paralele të mostrave të standardizuara.

2. Laboratorët miratohen me urdhër ministri dhe kanë për detyrë kryerjen e analizave laboratorike të produkteve plehëruese të hedhura në treg.

3. Laboratori i referencës dhe laboratorët e miratuar miratohen vetëm pasi të jenë akredituar. Lista e analizave të miratuara duhet të jetë e përfshirë në listën e analizave për të cilat ato janë akredituar dhe miratohet me urdhër të ministrit.

4. Kriteret që duhet të plotësojë laboratori i referencës dhe laboratorët e miratuar, si dhe procedura për miratimin e tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit.

5. Metodat e analizave të produkteve plehëruese të jenë në përputhje me standardet e harmonizuara apo të miratuara nga institucioni përgjegjës për standardizimin.

6. Tarifat e shërbimeve e të analizave, që kryhen nga laboratori i referencës dhe laboratorët e miratuar, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Këto të ardhura derdhen në buxhetin e shtetit.

KREU VII
ANALIZIMI, GJURMUESHMËRIA DHE REKLAMIMI I PRODUKTEVE PLEHËRUESE

Neni 24
Analizimi

1. Analizat laboratorike të mostrave të produkteve plehëruese bëhen në laboratorin e referencës dhe në laboratorët e miratuar, sipas metodave të përcaktuara në pikën 5, të nenit 23, të këtij ligji.

2. Kontrolli pёr cilёsinё e produkteve plehëruese të vendosura nё treg kryhet në bazë tё planit vjetor tё marrjes dhe të analizimit tё mostrave, miratuar me urdhër të ministrit.

3. Rregullat për marrjen e mostrave, analizat e procedurat, dhënia e rezultateve të tyre, si dhe vlerësimi i analizave të produkteve plehëruese janë në varësi të metodave apo të standardeve me të cilat kryhet testimi.

Neni 25
Gjurmueshmëria

1. Gjurmueshmëria përcaktohet në të gjitha nivelet e prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të produkteve plehëruese.

2. Prodhuesit dhe tregtuesit e produkteve plehëruese krijojnë sisteme për mbajtjen e të dhënave, të cilat mundësojnë identifikimin nё çdo çast të produktit plehërues, si dhe të çdo personi fizik apo juridik që i ka furnizuar apo është furnizuar me produkte plehëruese. Këto të dhëna ruhen për tre vjet dhe vihen në dispozicion të institucionit përgjegjës.

3. Për qëllimet e gjurmueshmërisë së produkteve plehëruese, nga SPPP-ja në ministri mbahet “Regjistri i produkteve plehëruese”, i cili përmban një seksion të veçantë për ata që lejohen në bujqësinë organike, si dhe “Regjistri i prodhuesve të produkteve plehëruese”.

Neni 26
Informimi dhe reklamimi i produkteve plehëruese

1. Ministria publikon në faqen e saj zyrtare listën e produkteve plehëruese që lejohet të qarkullojnë në vendin tonë, si dhe median e shkruar ose elektronike, prodhuesit, importuesit, tregtuesit për veprimtaritë e organizuara lidhur me sigurinë, cilësinë, efektshmërinë, përdorimin dhe parandalimin e rreziqeve nga tregtimi dhe përdorimi i produkteve plehëruese.

2. Reklamimi në median e shkruar ose elektronike bëhet nga aplikanti dhe lejohet vetёm pёr produktet plehëruese tё regjistruara dhe nё pёrputhje me dokumentin e regjistrimit.

3. Ndalohet reklamimi në median e shkruar ose elektronike i produkteve plehëruese me rrezikshmëri.

KREU VIII
VEPRIMTARI TË NDALUARA DHE MUNGESA NË PESHË. ASGJËSIMI I PRODUKTEVE PLEHËRUESE

Neni 27
Veprimtari të ndaluara

1. Ndalohet prodhimi, importi, vendosja në treg dhe përdorimi:

a) i produkteve plehëruese të paregjistruara;
b) i produkteve plehëruese me përmbajtje substancash të dëmshme, të cilat mund të përbëjnë rrezik për sigurinë ose shëndetin e njerëzve, kafshëve ose bimëve ose një rrezik për mjedisin;
c) i produkteve plehëruese të falsifikuara;
ç) i produkteve plehëruese të tjetërsuara;
d) i produkteve plehëruese me përmbajtje të padeklaruar;
e) i produkteve plehëruese të skaduara.

Neni 28
Mungesa në peshë

Pesha neto e produkteve plehëruese të ambalazhuara për tregtim duhet të jetë e njëjtë me atë të shkruar në etiketë. Kufijtë e tolerancës miratohen me urdhër të ministrit.

Neni 29
Asgjësimi i PP-ve dhe i ambalazheve të tyre

1. PP-të, ambalazhet dhe materialet e tjera, që duhet të asgjësohen ose të trajtohen, janë:

a) PP-të e cituara në shkronjat “b”, “c”, “ç” e “d”, të nenit 27, të këtij ligji;
b) PP-të që kanë rrjedhur gjatë ruajtjes e transportit dhe materialet e përdorura për thithjen e dezaktivizimin e tyre;
c) ambalazhet, si: fuçi, bidonë, shishe, kuti, qese dhe objekte të tjera të ngjashme, të boshatisura;
ç) sendet e ndotura gjatë punës, si: pajisje mbrojtëse, enë të ndryshme, mjete pastrimi, objekte të tjera të ngjashme, të cilat nuk mund të përdoren më.

2. Importuesit dhe prodhuesit e PP-ve, për PP-të e përmendura në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, janë të detyruar t’i largojnë ato nga territori i Republikës së Shqipërisë ose të bëjnë djegien (inçinerimin) e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndotjen e mjedisit.

3. Asgjësimi i PP-ve me djegie (inçinerim) brenda territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet nga subjekte të specializuara për këtë qëllim, të licencuara sipas legjislacionit në fuqi për lejet e licencat.

4. Rastet e përmendura në shkronjat “b”, “c” e “ç”, të pikës 1, të këtij neni, trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

KREU IX
KUNDËRVAJTJE ADMINISTRATIVE

Neni 30
Kundërvajtje administrative

1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme të dispozitave të këtij ligji përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me:

a) gjobë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikën 2, të nenit 25, dhe të nenit 28, të këtij ligji;
b) gjobë 100 000 (njëqind mijë) lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me pikën 3, të nenit 14, pikat 1, 4 e 5, të nenit 15, nenin 16, si dhe pikat 4 e 5, të nenit 19, të këtij ligji;
c) gjobë 200 000 (dyqind mijë) lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me nenin 6, pikat 1 e 2, të nenit 14, pikën 1, të nenit 18, si dhe pikat 1, 2 e 6, të nenit 19, të këtij ligji;
ç) gjobë 500 000 (pesëqind mijë) lekë, në rastet kur veprohet në kundërshtim me nenin 27, si dhe në rast përsëritjeje të kundërvajtjeve administrative të parashikuara në pikat 1 e 2, të nenit 14, pikën 1, të nenit 6, si dhe pikat 1, 2 e 6, të nenit 19, të këtij ligji.

2. Për shkeljet e dispozitave të këtij ligji, të cilat, sipas pikës 1, të këtij neni, përbëjnë kundërvajtje administrative, përveç masës së vënies së gjobës, e cila është dënim kryesor, vendosen edhe dënime plotësuese, si: masa e kthimit të ngarkesave, në rastin e shkeljeve të dispozitave të nenit 27, të këtij ligji; heqja e së drejtës së tregtimit me shumicë ose pakicë dhe heqja e licencës aty ku parashikohet licencimi, në rastin e shkeljeve të dispozitave të shkronjave “b”, “c” dhe “d”, të pikës 1, të nenit 27, të këtij ligji; asgjësimi, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 29, të këtij ligji, si dhe masa urgjente, si: masa e bllokimit, në rastin e shkeljeve të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “e”, të pikës 1, të nenit 27, të këtij ligji, dhe masa e bllokimit, në rast përsëritjeje të shkeljeve të përcaktuara në nenin 28, të këtij ligji.

3. Të gjitha të ardhurat nga gjobat derdhen në buxhetin e shtetit.

Neni 31
Procedurat e kundërvajtjes administrative

1. Institucioni përgjegjës jep masat administrative, siç është përcaktuar në nenin 30, të këtij ligji.

2. Procedura e konstatimit dhe e vendosjes të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

3. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KREU X
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 32
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë, brenda një viti pas hyrjes në fuqi, aktet nënligjore, në zbatim të pikës 4, të nenit 17, të pikës 2, të nenit 22, dhe të pikës 6, të nenit 23, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri të nxjerrë, brenda një viti pas hyrjes në fuqi, aktet nënligjore, në zbatim të pikës 2, të nenit 5; të pikave 5 e 6, të nenit 8; të pikave 2, 3 e 4, të nenit 9; të pikës 3, të nenit 18; të pikave 1, 2, 3 e 4, të nenit 23, dhe të nenit 28, të këtij ligji.

3. Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për financat të nxjerrin, brenda një viti pas hyrjes në fuqi, aktet nënligjore, në zbatim të pikës 2, të nenit 11, të këtij ligji.

Neni 33
Shfuqizimet

1. Ligji nr.10390, datë 3.3.2011, “Për plehrat e përdorimit për bimësinë”, shfuqizohet.

2. Deri në nxjerrjen e akteve nënligjore të përcaktuara në nenin 31, të këtij ligji, mbeten në fuqi aktet nënligjore, të dala në zbatim të ligjit nr.10390, datë 3.3.2011, “Për plehrat e përdorimit për bimësinë”, për aq sa përputhen me ligjin në fuqi.

Neni 34
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
# # #
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PRODUKTET PLEHËRUESE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për produktet plehëruese”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.