Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2022:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

PËRFUNDIMIN E PROCESIT TË PRIVATIZIMIT TË OBJEKTEVE TË ISH – NDËRMARRJEVE BUJQËSORE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i fushës së zbatimit, autoriteteve përgjegjëse për përfundimin e procesit të privatizimit dhe procedurën e privatizimit të objekteve të ish – ndërmarrjeve bujqësore dhe trojeve të tyre funksionale.

Neni 2
Qëllimi

Ky ligj përcakton procedurat dhe organin shtetëror përgjegjës për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish – ndërmarrjeve bujqësore dhe trojeve të tyre funksionale, për të cilat ky proces nuk ka përfunduar, si dhe të transferimit të pronësisë së tyre te subjektet blerëse.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen:

1. “Ministri” ose “ministria”, ministri ose ministria përgjegjëse për bujqësinë.

2. “Përfundimi i procesit të privatizimit”, kalimi i pronësisë së pronës shtetërore të ish – ndërmarrjeve bujqësore te subjektet përfituese.

3. “Ish – ndërmarrja bujqësore”, i referohet ndërmarrjes bujqësore sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin në fuqi deri në datën 1.8.1991.

4. “Objekt i ish – ndërmarrjeve bujqësore”, ndërtesat për të cilat ka filluar, por nuk është përfunduar me dokumentacion të rregullt apo të plotë procesi i privatizimit me ligjin nr.7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të shfuqizuar, ose procesi i shitjes nga ndërmarrjet bujqësore shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991, “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të shfuqizuar.

5. “Subjekt”, individët të cilët posedojnë objektet dhe njëkohësisht zotërojnë një nga këto cilësi:

a) janë përfitues të drejtpërdrejtë që identifikohen në bazë të dokumentacionit të privatizimit sipas legjislacionit të kohës së privatizimit;
b) janë trashëgimtarë të tyre (të përfituesve të identifikuar në bazë të dokumentacionit të privatizimit sipas legjislacionit të kohës së privatizimit);
c) janë të tretë të cilët kanë lidhur marrëveshje noteriale me individët e përcaktuar në shkronjat “a” ose “b” të kësaj pike, me qëllim kalimin e të drejtave mbi objektin apo të së drejtës për ta përfituar atë.

Neni 4
Fusha e zbatimit

1. Në fushën e zbatimit të këtij ligji përfshihen objektet e ish – ndërmarrjeve bujqësore, procedura e privatizimit ose shitjes të të cilave ka nisur, por nuk është përfunduar, ose përmban mangësi në dokumentacion, sipas përcaktimeve të mëposhtme:

a) Objekte për të cilat ka përfunduar procesi i vlerësimit, likuidimit dhe pajisjes me kontratë shitjeje nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, sipas vendimit nr.161, datë 8.4.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa e ndryshime në vendimin nr.452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore””, dhe vendimit nr.510, datë 26.10.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin e mjeteve themelore, pasuri shtetërore të ndërmarrjeve bujqësore”, të ndryshuar, por jo të nënshkruara para noterit;
b) Objekte për të cilat ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe pajisjes me kontratë, por me likuidime të pjesshme ose të papaguara të vlerës së kontratës dhe jo të nënshkruara para noterit;
c) Objekte për të cilat ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja dhe është kryer likuidimi i plotë, por nuk është pajisur me kontratë shitjeje nga ish – Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore;
ç) Objekte për të cilat ka përfunduar procesi i vlerësimit nga ndërmarrja dhe është kryer likuidimi i pjesshëm, por nuk është pajisur me kontratë shitjeje nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore;
d) Objekte për të cilat nga ish-Drejtoria e Ndërmarrjeve të Braktisura është hartuar një aktdorëzim i objekteve, dorëzuar personave privatë dhe për të cilat është bërë një vlerësim sipas akteve në fuqi për privatizimin.

2. Fusha e zbatimit të këtij ligji shtrihet edhe mbi truallin funksional të objekteve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, në rastet kur ky truall nuk është privatizuar më parë, është ende në pronësi shtetërore si dhe nuk përbën pronë publike të patjetërsueshme në kuptim të legjislacionit për pronat e paluajtshme të shtetit. Në fushën e zbatimit përfshihen edhe rastet kur për këtë truall është lidhur kontratë shitjeje pa akt noterial, mes subjektit dhe AQRPN-së.

3. Në fushën e zbatimit të këtij ligji nuk përfshihen:

a) objektet shtetërore të ndërmarrjeve të varësisë së ish – Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, të cilat aktualisht janë të paprivatizuara;
b) trojet e paprivatizuara për të cilat nuk ka asnjë kontratë shitjeje, qoftë edhe pa akt notarial, nga ish – Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore dhe që janë në funksion të objekteve të privatizuara.

Neni 5
Kusht përjashtues

1. Objektet e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, trajtohen sipas kreut II, të tij duke përfunduar procedurat e privatizimit, vetëm në rast se aktet përkatëse të privatizimit/shitjes nuk janë regjistruar më parë në regjistrat kadastralë në favor të subjekteve përfituese të tyre.

2. Kur aktet e privatizimit/shitjes së objekteve të përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, pavarësisht mangësive ose jo në procedurë e dokumentacion, janë regjistruar më parë në regjistrat kadastralë në favor të subjekteve përfituese, ose kur pasuritë janë tjetërsuar te të tretët, nuk zbatohen procedurat sipas kreut II të tij. Në këto raste, merret i mirëqenë regjistrimi i mëparshëm i tyre dhe procedohet nga ASHK-ja, si më poshtë vijon:

a) Kur objekti figuron i regjistruar në regjistrat kadastralë dhe i tjetërsuar te të tretët, edhe nëse nuk ka akt të origjinës së fitimit të pronësisë (akti i privatizimit/shitjes) apo ai nuk është në formën e kërkuar nga ligji (pa akt noterial), ASHK-ja vijon me kalimin e pronësisë së truallit për subjektin që ka pronësinë mbi ndërtesën, sipas të njëjtave rregulla të parashikuara në nenet 62 dhe 63, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.
b) Kur objekti figuron i regjistruar në regjistrat kadastralë në emër të përfituesit të privatizimit/shitjes edhe nëse dokumentacioni i privatizimit/shitjes nuk është i plotë apo nuk është në formën e kërkuar nga ligji (pa akt noterial), ASHK-ja vijon me kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim, sipas të njëjtave rregulla të parashikuara në nenet 62 dhe 63, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.
c) Kur pasuritë, objekt (ndërtesë) dhe truall, figurojnë të regjistruara në regjistrat kadastralë ende në pronësi të përfituesit të parë të tyre, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, por akti i privatizimit/shitjes nuk është sipas formës së kërkuar nga ligji (pa akt noterial), vijohet me trajtimin e kërkesës për shërbime kadastrale të përfituesit. I njëjti rregull zbatohet edhe kur trualli dhe objekti janë tjetërsuar dhe regjistruar në pronësi të të tretëve, edhe nëse nuk ka akt të origjinës së fitimit të pronësisë (akti i privatizimit/shitjes).

Në të gjithë rastet e sipërpërmendura, ASHK-ja heq nga regjistrat kadastralë kufizimet e vendosura më parë mbi pasuritë.

KREU II
ORGANET PËRGJEGJËSE DHE PROCEDURA

Neni 6
Parimet e procesit

Veprimtaria administrative për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve dhe trojeve të tyre funksionale sipas këtij ligji udhëhiqet nga parimet bazë të sigurisë juridike, shtetit të së drejtës, transparencës, ligjshmërisë, barazisë e mosdiskriminimit dhe objektivitetit.

Neni 7
Autoritetet përgjegjëse për përfundimin e procesit të privatizimit

Ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor janë autoritetet publike përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, me qëllim përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish – ndërmarrjeve bujqësore dhe trojeve të tyre funksionale.

Neni 8
Subjektet përfituese

1. Subjektet përfituese, për përfundimin e procesit të privatizimit, të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe trojeve të tyre funksionale, duhet të plotësojnë sipas rastit këto kushte:

a) Për objektet e parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 4, të këtij ligji, subjekti duhet të paraqesë kontratën e shitjes së objektit të privatizuar, ku të figurojë palë blerëse;
b) Për objektet e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 4, të këtij ligji, subjekti duhet të paraqesë kontratën e shitjes së objektit të privatizuar, ku të figurojë palë blerëse dhe mandat arkëtimi për likuidimin e pjesshëm të vlerës së privatizimit të objektit;
c) Për objektet e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 4, të këtij ligji, subjekti duhet të paraqesë mandat arkëtimi për likuidimin e plotë të vlerës së privatizimit të objektit;
ç) Për objektet e parashikuara në shkronjën “ç”, të pikës 1, të nenit 4, të këtij ligji, subjekti duhet të paraqesë mandat arkëtimi për likuidimin e pjesshëm të vlerës së privatizimit të objektit;
d) Për objektet e parashikuara në shkronjën “d”, të pikës 1, të nenit 4, të këtij ligji, subjekti duhet të paraqesë akt dorëzimi të objektit, për të cilin është bërë një vlerësim sipas akteve në fuqi për privatizimin.

2. Në rastet kur subjekti përfitues ka një nga cilësitë e parashikuara në shkronjat “b” ose “c” të pikës 5, të nenit 3, të këtij ligji, ai duhet të paraqesë, përveç dokumenteve të sipërpërmendura, edhe dëshminë e trashëgimisë ose aktin noterial që vërteton njohjen/kalimin e të drejtave.

Neni 9
Procedura për përfundimin e privatizimit

1. Për objektet e përcaktuara në nenin 4, të këtij ligji, ndiqet procedura e mëposhtme:

a) Subjektet paraqesin kërkesën për përfundimin e procesit të privatizimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku identifikojnë objektin për të cilin kërkohet përfundimi i procesit të privatizimit. Ministria, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës, njofton Agjencinë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor për depozitimin e dokumentacionit.
b) Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga kërkesa, paraqet në ministri dokumentacionin e procesit të privatizimit për objektin dhe truallin funksional. Dokumentacioni vlerësohet nëse është i rregullt nga struktura përgjegjëse për privatizimin në ministri, e cila kthen përgjigje brenda 10 (dhjetë) ditëve.
c) Kontrata e shitjes nënshkruhet nga titullari i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, në territorin e të cilit ndodhet objekti, pas autorizimit të dhënë nga ministri përgjegjës për bujqësinë, sipas legjislacionit në fuqi për shitjen e pasurive të paluajtshme.

2. Formati i kontratës së shitjes miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë.

3. Dokumentacioni për përfundimin e procesit të privatizimit, mënyrën e përllogaritjes së vlerës së pagesës së mbetur dhe afatet e pagesës së privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe financat.

Neni 10

Kontrata e shitjes regjistrohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bazë të kërkesës së subjektit përfitues, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kadastrën.

Neni 11
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet ministri, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor në zbatim të pikës 2, të nenit 8, të këtij ligji.

2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktin nënligjor në zbatim të pikës 3, të nenit 8, të këtij ligji.

Neni 12
Shfuqizime

Vendimi nr.666, datë 26.10.1998, i Këshillit të Ministrave, “Për disa masa lidhur me procesin e likuidimit të ndërmarrjeve të varësisë së ish – Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 13
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR PËRFUNDIMIN E PROCESIT TË PRIVATIZIMIT TË OBJEKTEVE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I

Propozimin e projektligjit “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E REZOLUTAVE NR.271 “RRITJA SELEKTIVE E KAPITALIT SCI” DHE NR.272 “RRITJA E PËRGJITHSHME E KAPITALIT GCI”, TË VITIT 2018, TË KËSHILLIT TË GUVERNATORËVE TË KORPORATËS NDËRKOMBËTARE FINANCIARE (IFC)”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e rezolutave nr.271 “Rritja selektive e kapitalit SCI” dhe nr.272 “Rritja e përgjithshme e kapitalit GCI”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC)”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës, sipas tekstit dhe relacionit që bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

MIRATIMIN E REZOLUTAVE NR.663 “ RRITJA E PËRGJITHSHME E KAPITALIT GCI” DHE NR.664 “RRITJA SELEKTIVE E KAPITALIT SCI”, TË VITIT 2018, TË KËSHILLIT TË GUVERNATORËVE TË BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD)

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Miratimin e rezolutave nr.663 “Rritja e përgjithshme e kapitalit (GCI)” dhe nr.664 “Rritja selektive e kapitalit (SCI)”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).

Neni 2

Këshilli i Ministrave përcakton me vendim rregullat dhe autoritetin kompetent për realizimin e rritjes së përgjithshme të kapitalit të Republikës së Shqipërisë në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E REZOLUTAVE NR.663 “RRITJA E PËRGJITHSHME E KAPITALIT GCI” DHE NR.664 “RRITJA SELEKTIVE E KAPITALIT SCI”, TË VITIT 2018, TË KËSHILLIT TË GUVERNATORËVE TË BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD)”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e rezolutave nr.663 “Rritja e përgjithshme e kapitalit GCI” dhe nr.664 “Rritja selektive e kapitalit SCI”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD)”, për shqyrtim dhe miratim ne Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

MIRATIMIN E REZOLUTAVE NR.663 “ RRITJA E PËRGJITHSHME E KAPITALIT GCI” DHE NR.664 “RRITJA SELEKTIVE E KAPITALIT SCI”, TË VITIT 2018, TË KËSHILLIT TË GUVERNATORËVE TË BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD)

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Miratimin e rezolutave nr.663 “Rritja e përgjithshme e kapitalit (GCI)” dhe nr.664 “Rritja selektive e kapitalit (SCI)”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).

Neni 2

Këshilli i Ministrave përcakton me vendim rregullat dhe autoritetin kompetent për realizimin e rritjes së përgjithshme të kapitalit të Republikës së Shqipërisë në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.