Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Prill 2023:

 

P R O J E K T LI GJ
PËR

ARBITRAZHIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton rregullat për organizimin dhe zhvillimin e procedurave të arbitrazhit vendas dhe ndërkombëtar kur vendi i arbitrazhit është në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka si qëllim të krijojë kuadrin ligjor për organizimin dhe zhvillimin e procedurave të arbitrazhit, si dhe të garantojë organizimin e zhvillimin e procedurave të arbitrazhit në mënyrë profesionale, cilësore, efiçente dhe efektive.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Arbitër”, personi fizik, i caktuar në përputhje me parashikimet e këtij ligji për të shqyrtuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjen midis palëve nëpërmjet procedurës së arbitrazhit.

2. “Arbitrazh”, procedura përmes së cilës palët vullnetarisht caktojnë një arbitër ose një trup gjykues arbitrash për shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që rrjedhin nga një marrëdhënie juridike e caktuar, që kanë lindur ose që mund të lindin ndërmjet tyre, pavarësisht nëse mosmarrëveshjet janë me natyrë kontraktore ose jo.

3. “Arbitrazh ndërkombëtar”, procedura e shqyrtimit dhe zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje kur:

a) palët, në kohën e lidhjes së marrëveshjes së arbitrazhit, kanë vendbanimin, vendqëndrimin ose selinë në shtete të ndryshme; ose
b) vendi i arbitrazhit, sipas marrëveshjes së arbitrazhit, ose vendi me të cilin mosmarrëveshja, objekt i arbitrazhit, lidhet më ngushtë, ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; ose
c) një pjesë thelbësore e detyrimeve që rrjedhin nga marrëdhënia juridike, objekt i mosmarrëveshjes, përmbushet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

4. “Institucion i përhershëm arbitrazhi”, një person juridik, i themeluar nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, sipas ligjit shqiptar, që ka si objekt të veprimtarisë së tij organizimin e procedurave të arbitrazhit.

5. “Gjykata”, trup ose organ i sistemit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë.

6. “Gjykata e arbitrazhit”, një arbitër ose një trup gjykues arbitrash, të caktuar sipas rregullave të parashikuara në marrëveshjen e arbitrazhit ose nga ky ligj për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje.

7. “Marrëveshje arbitrazhi”, marrëveshja midis palëve për të shqyrtuar dhe zgjidhur përmes arbitrazhit të gjitha ose disa mosmarrëveshje që rrjedhin nga një marrëdhënie juridike e caktuar, që kanë lindur ose që mund të lindin ndërmjet tyre, pavarësisht nëse mosmarrëveshjet janë me natyrë kontraktore ose jo. Marrëveshja e arbitrazhit mund të jetë pjesë e një kontrate në formën e një klauzole arbitrazhi ose një marrëveshjeje të posaçme.
8. “Vendi i arbitrazhit”, vendi i caktuar nga palët për zhvillimin e procedurës së arbitrazhit.

Neni 4
Fusha e zbatimit

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha procedurat e arbitrazhit vendas dhe ato të arbitrazhit ndërkombëtar, kur vendi i arbitrazhit është në territorin e Republikën e Shqipërisë.

2. Neni 11 i këtij ligji zbatohet edhe në rastet kur vendi i arbitrazhit është jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ose kur vendi i arbitrazhit nuk është përcaktuar në marrëveshjen e arbitrazhit.

Neni 5
Roli i gjykatave në procedurat e arbitrazhit

Gjykata nuk mund të shqyrtojë çështjet që rregullohen nga ky ligj, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

Neni 6
Organizimi i arbitrazhit

1. Procedura e arbitrazhit mund të organizohet nga një institucion i përhershëm arbitrazhi, sipas rregullave procedurale të tij dhe përcaktimeve të këtij ligji, kur marrëveshja e arbitrazhit parashikon që procedura e arbitrazhit zhvillohet nga një institucion i përhershëm arbitrazhi.

2. Palët mund të bien dakord për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet arbitrazhit ad hoc. Procedura e arbitrazhit ad hoc zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga palët në marrëveshjen e arbitrazhit, si dhe sipas përcaktimeve të këtij ligji.

KREU II
MARRËVESHJA E ARBITRAZHIT

Neni 7
Objekti i marrëveshjes së arbitrazhit

Objekt i një marrëveshjeje arbitrazhi mund të jetë çdo pretendim pasuror ose kërkesë që rrjedh nga një marrëdhënie pasurore, me përjashtim të rastit kur legjislacioni i posaçëm e ndalon zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet arbitrazhit ose kur përcakton që zgjidhja e një mosmarrëveshjeje nëpërmjet arbitrazhit mund të kryhet vetëm në kushte të caktuara.

Neni 8
Marrëveshja për arbitrazh

1. Një mosmarrëveshje mund të shqyrtohet dhe të zgjidhet përmes arbitrazhit vetëm nëse ekziston një marrëveshje mes palëve, me anë të cilës ato pranojnë t’ia nënshtrojnë arbitrazhit mosmarrëveshjet me karakter pasuror që kanë lindur ose mund të lindin nga një marrëdhënie juridike, pavarësisht, nëse mosmarrëveshjet janë me natyrë kontraktore ose jo.

2. Palët mund të lidhin një marrëveshje arbitrazhi edhe nëse mosmarrëveshja mes tyre është duke u shqyrtuar nga gjykata, përveç rasteve kur zgjidhja e mosmarrëveshjes është nën juridiksionin ekskluziv të gjykatës.

3. Marrëveshja e arbitrazhit mund të lidhet nga çdo person fizik ose juridik privat. Zotësia e personave fizikë dhe juridikë privatë për të lidhur një marrëveshje arbitrazhi dhe për të qenë palë në një procedurë arbitrazhi rregullohet sipas ligjit të posaçëm që përcakton fitimin e zotësisë për të vepruar.

4. Marrëveshja e arbitrazhit mund të lidhet edhe nga një ministri ose një njësi e vetëqeverisjes vendore. Institucioni i varësisë, agjencia autonome, si dhe shoqëria shtetërore mund të lidhë një marrëveshje arbitrazhi pas marrjes së pëlqimit paraprak, sipas rastit të ministrit përgjegjës ose Kryeministrit. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të lidhin një marrëveshje arbitrazhi pas marrjes së pëlqimit paraprak, sipas rastit nga këshilli bashkiak ose këshilli i qarkut.

Neni 9
Forma e marrëveshjes së arbitrazhit

1. Marrëveshja e arbitrazhit bëhet me shkrim, ndryshe është e pavlefshme.

2. Marrëveshja e arbitrazhit plotëson formën e kërkuar sipas këtij neni, edhe nëse vullneti i palëve shprehet përmes faksit, telegramit, teleksit, postës elektronike apo mjeteve të tjera të komunikimit ose regjistrimit të të dhënave, të cilat mund të dokumentohen dhe të sigurojnë një provë të shkruar të marrëveshjes së arbitrazhit.

3. Në rastet kur njëra palë është konsumator, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e konsumatorëve, marrëveshja e arbitrazhit duhet të nënshkruhet personalisht nga palët dhe të jetë e veçantë dhe e pavarur nga marrëveshja bazë.

4. Klauzola e marrëveshjes së arbitrazhit, kur është pjesë e një kontrate apo marrëveshjeje, përbën një marrëveshje të posaçme dhe të pavarur nga kushtet e tjera të kontratës. Pavlefshmëria e kontratës nuk sjell ipso jure pavlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit.

5. Përjashtimisht, marrëveshja e arbitrazhit është e vlefshme edhe kur, pavarësisht se palët nuk kanë zbatuar parashikimet e këtij neni për formën e marrëveshjes, ka filluar procedura e arbitrazhit dhe pala tjetër nuk ka kundërshtuar mungesën e juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit.

Neni 10
Interpretimi i marrëveshjes së arbitrazhit

Në rast dyshimi mbi juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit për të shqyrtuar mosmarrëveshjen, marrëveshja e arbitrazhit ose kushtet e saj interpretohen duke u bazuar në qëllimin që palët kanë për t’ia nënshtruar mosmarrëveshjen arbitrazhit.

Neni 11
Marrja e masave të përkohshme përpara formimit të gjykatës së arbitrazhit

1. Palët mund të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme nga gjykata, përpara formimit të gjykatës së arbitrazhit, kur pala provon se nga mosmarrja e masës mund t’i vijë një dëm i rëndë dhe i pariparueshëm.

2. Palët mund të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme nga gjykata edhe në rastet kur vendi i arbitrazhit është jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ose kur vendi i arbitrazhit nuk është përcaktuar në marrëveshjen e arbitrazhit. Në këtë rast, kompetenca territoriale e gjykatës për marrjen e masave të përkohshme caktohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.

Neni 12
Paditë përpara gjykatave

1. Kur ngrihet një padi për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje, që është objekt i marrëveshjes së arbitrazhit, gjykata, edhe kryesisht, vendos nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, përveç rastit kur marrëveshja e arbitrazhit është haptazi e pavlefshme.

2. Kur procedura e arbitrazhit ka filluar, nuk mund të ngrihet padi në gjykatë për pavlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit.

KREU III
ARBITRAT

Neni 13
Kushtet për të qenë arbitër

1. Arbitër mund të jetë vetëm personi fizik që ka zotësi të plotë juridike për të vepruar.

2. Arbitri duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm.

3. Arbitri duhet të plotësojë kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë të caktuara në marrëveshjen e arbitrazhit apo rregulloren e institucionit të përhershëm të arbitrazhit.

4. Përveç kualifikimeve profesionale të arbitrit, të përcaktuara në marrëveshjen midis palëve apo rregulloren e institucionit të përhershëm të arbitrazhit, arbitri duhet të plotësojë njëkohësisht edhe kushtet e mëposhtme:

a) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
b) Të mos jetë ndaluar nga e drejta për të ushtruar funksione publike me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Neni 14
Numri i arbitrave

1. Gjykata e arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm ose nga një trup gjykues arbitrash, sipas përcaktimit të marrëveshjes së arbitrazhit. Në rastet kur marrëveshja e arbitrazhit përcakton shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga një trup gjykues arbitrash, palët janë të lira të përcaktojnë numrin e arbitrave, me kusht që numri i arbitrave të jetë një numër tek.

2. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet numri i arbitrave dhe palët nuk bien dakord për të, numri i arbitrave do të jetë tre.

Neni 15
Emërimi i arbitrave

1. Procedura e emërimit të arbitrave përcaktohet nga palët në marrëveshjen e arbitrazhit. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet procedura e emërimit të arbitrave apo palët nuk bien dakord për të, arbitrat emërohen sipas parashikimit të këtij neni.

2. Në rast se palët kanë rënë dakord që procedura e arbitrazhit organizohet nga një institucion i përhershëm arbitrazhi, arbitrat ose arbitri i vetëm, sipas përcaktimit të marrëveshjes së arbitrazhit ose këtij ligji, emërohet nga lista e arbitrave në përputhje me rregullat procedurale të institucionit të përhershëm të arbitrazhit, duke u bazuar në parimin e barazisë së palëve.

3. Në rast se palët kanë rënë dakord për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nëpërmjet arbitrazhit ad hoc, secila palë ka të drejtë të emërojë një arbitër, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga fillimi i procedurës së arbitrazhit. Të dy arbitrat, me marrëveshje, emërojnë arbitrin e tretë, i cili është njëkohësisht edhe kryesuesi i trupit gjykues të arbitrave, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e emërimit të tyre. Në rast se gjykata e arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm, palët duhet të emërojnë arbitrin e vetëm brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i procedurës të arbitrazhit.

4. Në rast se një nga palët nuk ka emëruar arbitrin ose dy arbitrat nuk kanë emëruar arbitrin e tretë, si dhe në rastet kur gjykata e arbitrazhit përbëhet nga një arbitër i vetëm, palët nuk kanë emëruar arbitrin e vetëm brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, arbitri, sipas rastit, emërohet nga një palë e tretë, e përcaktuar nga palët në marrëveshjen e arbitrazhit. Në rastet kur marrëveshja e arbitrazhit nuk përcakton emërimin e arbitrit nga një palë e tretë ose pala e tretë nuk emëron arbitrin brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, arbitri emërohet nga gjykata e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit.

5. Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, pala, e cila ka emëruar arbitrin dhe ka njoftuar palën tjetër për emërimin e tij, nuk mund të zëvendësojë ose të shkarkojë arbitrin, pa pëlqimin e palës tjetër.

6. Gjykata e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit emëron arbitrin, sipas këtij neni, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, përveç rastit kur marrëveshja e arbitrazhit nuk ekziston ose është haptazi e pavlefshme. Gjykata, përpara emërimit të arbitrit, merr edhe mendimin e palëve.

7. Në emërimin e arbitrit, gjykata merr në konsideratë cilësitë dhe kualifikimet profesionale, sipas përcaktimeve të palëve në marrëveshjen e arbitrazhit ose që janë të nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, si dhe çdo rrethanë tjetër që garanton emërimin e një arbitri të pavarur dhe të paanshëm. Gjykata, kur e çmon të përshtatshme, mund të emërojë arbitrin nga lista e arbitrave të institucioneve të përhershme të arbitrazhit.

8. Arbitri, i cili nuk pranon të kryejë këtë detyrë, duhet të njoftojë gjykatën, duke dhënë argumentet përkatëse, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni për emërimin. Në këtë rast, gjykata cakton një arbitër tjetër, sipas procedurës së përcaktuar në këtë nen.

9. Kundër vendimit të gjykatës për emërimin e arbitrit nuk lejohet ankim.

Neni 16
Pranimi i detyrës nga arbitri

1. Gjykata e arbitrazhit formohet në datën që arbitri i vetëm ose të gjithë arbitrat pranojnë detyrën.

2. Arbitri pranon detyrën përmes një deklarate me shkrim, nëpërmjet së cilës deklaron edhe që nuk ekzistojnë shkaqe që mund të krijojnë një dyshim të arsyeshëm për mungesën e pavarësisë ose paanësisë së tij, si dhe që plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, të caktuara në marrëveshjen e arbitrazhit.

Neni 17
Rastet e mbarimit të mandatit të arbitrit

Mandati i arbitrit mbaron në rastet kur:
a) heq dorë nga detyra;
b) përjashtohet nga shqyrtimi i mosmarrëveshjes, sipas përcaktimit të neneve 18 dhe 19, të këtij ligji;
c) palët bien dakord për përfundimin e mandatit të tij;
ç) gjykata e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit ka pranuar kërkesën e palëve apo të njërit prej arbitrave të tjerë për përfundimin e mandatit;
d) i hiqet apo kufizohet zotësia për të vepruar, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
dh) nuk plotëson më kushtet për të qenë arbitër, sipas përcaktimeve të këtij ligji, marrëveshjes së arbitrazhit ose rregullores së institucionit të përhershëm të arbitrazhit;
e) përfundon procedura e arbitrazhit, sipas këtij ligji.

Neni 18
Përjashtimi i arbitrit

1. Arbitri është i detyruar të njoftojë palët ose të heqë dorë nga shqyrtimi dhe zgjidhja e një mosmarrëveshjeje në rastet kur:

a) nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, të caktuara në marrëveshjen e arbitrazhit;
b) ka qenë përfaqësues i ndonjërës prej palëve ose ekspert apo dëshmitar në një çështje ose mosmarrëveshje ku kanë marrë pjesë të njëjtat palë;
c) ai vetë ose bashkëshortja ka interes në një çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me mosmarrëveshjen, objekt i marrëveshjes së arbitrazhit;
ç) ai vetë ose bashkëshortja është i afërt deri në shkallë të katërt apo krushqi deri në shkallë të dytë ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme më njërën nga palët ose përfaqësuesit e tyre;
d) është në marrëdhënie pune me ndonjërën nga palët ose përfaqësuesit e tyre ose ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në shqyrtim, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë;
dh) ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve ose njërin prej përfaqësuesve;
e) është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një ent, shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër që ka interesa për mosmarrëveshjen që është objekt i marrëveshjes së arbitrazhit;
ë) në çdo rast tjetër, kur vërtetohen rrethana të tjera që krijojnë dyshime të arsyeshme për paanësinë ose pavarësinë e arbitrit.

2. Arbitri, i cili vlerëson se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në shqyrtimin dhe zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje, është i detyruar të njoftojë palët ose të heqë dorë prej saj, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e emërimit ose e marrjes dijeni për shkakun e përjashtimit.

3. Arbitri është i detyruar të njoftojë palët për çdo rrethanë që mund të krijojë dyshime të arsyeshme për pavarësinë ose paanësinë e tij, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga marrja dijeni, me përjashtim të rastit kur provohet se palët kanë marrë dijeni për këto rrethana.

4. Palët kanë të drejtë të kundërshtojnë emërimin ose të kërkojnë përjashtimin e një arbitri kur ekziston një nga shkaqet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni. Pala mund të kërkojë përjashtimin e arbitrit të emëruar prej saj, vetëm në rastet kur shkaqet për përjashtimin e arbitrit kanë lindur pas emërimit të tij ose pala ka marrë dijeni për shkaqet e përjashtimit pas emërimit të tij.

Neni 19
Procedura për përjashtimin e arbitrit

1. Palët kanë të drejtë të përcaktojnë procedurën e përjashtimit të arbitrit në marrëveshjen e arbitrazhit ose në një marrëveshje të posaçme. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet procedura e përjashtimit të arbitrit dhe palët nuk bien dakord për të, përjashtimi i arbitrit kryhet sipas parashikimeve të këtij neni.

2. Palët mund të kërkojnë me shkrim përjashtimin e arbitrit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni për shkakun e përjashtimit ose jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga formimi i gjykatës së arbitrazhit, kur pala ka marrë dijeni për shkaqet e përjashtimit përpara formimit të gjykatës së arbitrazhit. Kërkesa për përjashtimin e arbitrit i dërgohet palës tjetër dhe gjykatës së arbitrazhit dhe duhet të përmbajë shkaqet për të cilat kërkohet përjashtimi i arbitrit.

3. Në rast se arbitri nuk heq dorë nga shqyrtimi dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes ose pala tjetër nuk pranon përjashtimin e arbitrit, kërkesa për përjashtimin e arbitrit shqyrtohet nga gjykata e arbitrazhit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja e kërkesës.

4. Në çdo rast, kur kërkesa për përjashtimin e arbitrit, e paraqitur sipas procedurës së posaçme të përcaktuar nga palët, sipas pikës 1, të këtij neni, ose sipas procedurave të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, është rrëzuar, palët kanë të drejtë që të paraqesin një kërkesë për përjashtimin e arbitrit pranë gjykatës së rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga njoftimi ose marrja dijeni për vendimin e rrëzimit të kërkesës. Gjykata shqyrton kërkesën, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga depozitimi i saj dhe, pasi thërret dhe dëgjon palët, vendos mbi pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

5. Kundër vendimit të gjykatës për pranimin ose rrëzimin e kërkesës nuk lejohet ankim.

6. Shqyrtimi i kërkesës për përjashtimin e arbitrit nga gjykata nuk pezullon procedurat e arbitrazhit ose marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata e arbitrazhit.

Neni 20
Moskryerja e detyrës

1. Kur, për shkak të ligjit ose rrethanave të faktit, ose për çfarëdo arsye tjetër, një arbitër nuk është në gjendje të përmbushë detyrat e tij apo nuk kryen ose vonon kryerjen e një veprimi që lidhet me ushtrimin e funksioneve të tij, mandati i tij përfundon nëse heq dorë nga detyra apo nëse palët bien dakord për përfundimin e mandatit të tij.

2. Kur arbitri nuk jep dorëheqjen ose kur palët nuk bien dakord për përfundimin e mandatit të tij, palët ose secili prej arbitrave të gjykatës së arbitrazhit mund të kërkojnë nga gjykata e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit përfundimin e mandatit të arbitrit.

3. Gjykata shqyrton kërkesën, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga depozitimi i saj dhe, pasi thërret dhe dëgjon palët si dhe arbitrin ndaj të cilit është kërkuar përfundimi i mandatit, vendos për pranimin ose rëzimin e kërkesës.

4. Kundër vendimit të gjykatës për pranimin ose rrëzimin e kërkesës nuk lejohet ankim.

Neni 21
Zëvendësimi i arbitrit

Kur mandati i arbitrit përfundon, në përputhje me nenet 17, 18, 19 dhe 20, të këtij ligji, apo kur ai jep dorëheqjen, zëvendësimi i arbitrit bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara për emërimin e arbitrave, përveç kur në marrëveshjen e arbitrazhit parashikohet ndryshe.

KREU IV
JURIDIKSIONI I GJYKATËS SË ARBITRAZHIT

Neni 22
Juridiksioni i gjykatës së arbitrazhit

1. Gjykata e arbitrazhit ka të drejtë të marrë në shqyrtim dhe të vendosë nëse mosmarrëveshja në shqyrtim është në juridiksionin e saj, si dhe të përcaktojë vlefshmërinë e marrëveshjes së arbitrazhit.

2. Pretendimi për mungesën e juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit duhet të parashtrohet, jo më vonë se data e dorëzimit të deklaratës së mbrojtjes. Palët kanë të drejtë të parashtrojnë pretendime për mungesën e juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit edhe nëse kanë emëruar ose kanë marrë pjesë në emërimin e një arbitri. Pretendimi që gjykata e arbitrazhit ka tejkaluar juridiksionin duhet të parashtrohet në të njëjtin moment kur çështja, që pretendohet të jetë jashtë juridiksionit të gjykatës së arbitrazhit, paraqitet për shqyrtim përpara gjykatës së arbitrazhit. Gjykata e arbitrazhit mund ta pranojë pretendimin për tejkalimin e juridiksionit edhe kur nuk paraqitet në të njëjtin moment me paraqitjen e çështjes para gjykatës së arbitrazhit, me kusht që të paraqitet brenda 30 ditëve nga paraqitja e çështjes për shqyrtim në gjykatën e arbitrazhit dhe provohet se vonesa ka qenë për shkaqe të arsyeshme.

3. Gjykata e arbitrazhit, në rastet kur çmon që ka juridiksionin për shqyrtimin e mosmarrëveshjes, vendos rrëzimin e kërkesës me vendim të ndërmjetëm. Ndaj vendimit të ndërmjetëm, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga njoftimi ose marrja dijeni për vendimin e rrëzimit të kërkesës. Gjykata shqyrton kërkesën, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga depozitimi i saj dhe, pasi thërret e dëgjon palët, vendos për pranimin ose rrëzimin e ankimit.

4. Shqyrtimi i ankimit, sipas pikës 3, të këtij neni, nuk pezullon procedurat e arbitrazhit ose marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata e arbitrazhit.

Neni 23
Masat e përkohshme

1. Përveç nëse palët bien dakord ndryshe, gjykata e arbitrazhit, me kërkesën e njërës prej palëve, mund të vendosë marrjen e masave të përkohshme, nëse pala paraqet prova me shkresë që vërtetojnë se ekziston mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë e të pariparueshëm, gjatë kohës së shqyrtimit të mosmarrëveshjes, në rast se nuk merret një masë e tillë. Gjykata e arbitrazhit mund të kërkojë nga palët që të japin një garanci, në masën dhe në llojin e caktuar nga gjykata e arbitrazhit, për dëmin që mund të shkaktohet nga marrja e masës së përkohshme.

2. Gjykata e rrethit gjyqësor të vendit të arbitrazhit, me kërkesë të palës, mund të urdhërojë ekzekutimin e masës së përkohshme të vendosur nga gjykata e arbitrazhit, përveç rasteve kur kërkesa për marrjen e një mase të ngjashme të përkohshme është paraqitur më parë në gjykatë, sipas parashikimit të nenit 11, të këtij ligji. Gjykata, pavarësisht se kërkesa është paraqitur më parë në gjykatë, sipas parashikimit të nenit 11, të këtij ligji, kur e çmon të nevojshme ekzekutimin e masës së përkohshme të vendosur nga gjykata e arbitrazhit, mund të urdhërojë ekzekutimin e saj.

3. Gjykata, me kërkesë të palëve, mund të shfuqizojë ose të ndryshojë vendimin për urdhërimin e ekzekutimit të masës së përkohshme.

4. Vendimi i gjykatës për urdhërimin e ekzekutimit të masës së përkohshme, të vendosur nga gjykata e arbitrazhit, si dhe vendimi për shfuqizimin ose ndryshimin e vendimit për urdhërimin e ekzekutimit të masës së përkohshme ekzekutohen drejtpërdrejt nga shërbimi përmbarimor, pas njoftimit të vendimit.

5. Në rast se provohet që masa e përkohshme e vendosur nga gjykata e arbitrazhit, sipas pikës 1, të këtij neni, ishte e paarsyeshme, pala, që ka kërkuar marrjen e masës së përkohshme, është e detyruar të shpërblejë dëmin që ka ardhur nga ekzekutimi i masës së përkohshme. Gjykata e arbitrazhit ka juridiksionin për të shqyrtuar kërkesën për arsyeshmërinë e masës së përkohshme, si dhe shpërblimin e dëmit, në rastet kur masa e përkohshme provohet si e paarsyeshme.

KREU V
ZHVILLIMI I PROCEDURËS SË ARBITRAZHIT

Neni 24
Rregulla të përgjithshme

1. Gjykata e arbitrazhit kujdeset për zhvillimin e rregullt të procedurës së arbitrazhit, nëpërmjet garantimit të kushteve të njëjta e të barabarta për çdo palë.

2. Gjykata e arbitrazhit duhet të garantojë të drejtën e palëve për të paraqitur mjetet dhe faktet për të cilat mbështesin pretendimet e tyre, provat dhe dispozitat ligjore që do t’u referohen, në mënyrë që të bëhet e mundur për secilën palë mbrojtja e interesave të tyre në procedurat e arbitrazhit, sipas parimit të kontradiktoritetit.

3. Përpara gjykatës së arbitrazhit, palët mund t’i kryejnë veprimet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar. Palët janë të lira të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë ato në procedurën e arbitrazhit. Përfaqësuesi i autorizuar nga pala nuk mund të përjashtohet nga procedura e arbitrazhit.

4. Përveç rasteve kur ky ligj parashikon ndryshe, palët kanë të drejtë të përcaktojnë rregullat për zhvillimin e procedurës së arbitrazhit ose mund t’i referohen rregullave procedurale të një institucioni të përhershëm arbitrazhi. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohen rregullat procedurale dhe palët nuk bien dakord për to, zbatohen dispozitat e këtij ligji. Kur një çështje nuk rregullohet nga dispozitat e këtij ligji, gjykata e arbitrazhit ka të drejtë të përcaktojë rregullat procedurale përkatëse, duke zbatuar me analogji dispozitat e Kodit të Procedurës Civile ose rregullat procedurale të një institucioni të përhershëm arbitrazhi.

Neni 25
Vendi i arbitrazhit

1. Palët kanë të drejtë të caktojnë vendin e arbitrazhit në marrëveshjen e arbitrazhit. Në rast se nuk është caktuar nga palët, vendi i arbitrazhit përcaktohet nga gjykata e arbitrazhit, duke mbajtur në konsideratë rrethanat e mosmarrëveshjes, si dhe përshtatshmërinë për palët.

2. Në rast se procedura e arbitrazhit organizohet nga një institucion i përhershëm arbitrazhi, vendi i arbitrazhit, kur nuk është caktuar nga palët, caktohet sipas rregullave procedurale të institucionit të përhershëm të arbitrazhit.

3. Gjykata e arbitrazhit, pavarësisht parashikimeve të pikave 1 e 2, të këtij neni, përveç rasteve kur palët kanë rënë dakord ndryshe, mund të mblidhet në çdo vend që e çmon të përshtatshëm për mbajtjen e seancës dëgjimore, pyetjen e dëshmitarëve, ekspertëve ose palëve, diskutimin ndërmjet arbitrave, si dhe për këqyrjen në vend të sendeve ose të dokumenteve.

Neni 26
Gjuha

1. Palët kanë të drejtë të përcaktojnë gjuhën ose gjuhët që përdoren në procedurën e arbitrazhit. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet gjuha ose gjuhët që do të përdoren apo palët nuk bien dakord për to, gjuha ose gjuhët që përdoren në procedurën e arbitrazhit përcaktohen nga gjykata e abitrazhit, duke pasur në konsideratë vendin e arbitrazhit, si dhe gjuhën që palët kanë përdorur në marrëveshjen e arbitrazhit.

2. Në rast se procedura e arbitrazhit organizohet nga një institucion i përhershëm arbitrazhi, gjuha ose gjuhët që përdoren në procedurën e arbitrazhit, kur nuk është caktuar nga palët, mund të caktohet sipas rregullave procedurale të institucionit të përhershëm të arbitrazhit.

3. Marrëveshja ndërmjet palëve ose vendimi i gjykatës së arbitrazhit për përcaktimin e gjuhës, përveç kur është përcaktuar ndryshe, zbatohet edhe për çdo shpjegim dhe pretendim me shkrim të paraqitur nga palët, për çdo seancë dëgjimore, si dhe për çdo vendim ose njoftim tjetër të kryer nga gjykata e arbitrazhit.

4. Gjykata e arbitrazhit mund të urdhërojë që çdo provë me shkresë të paraqitet së bashku me një përkthim në gjuhën ose gjuhët e caktuara me marrëveshje midis palëve ose të përcaktuar nga gjykata e arbitrazhit.

5. Kërkesa për arbitrazh, kërkesëpadia, deklarata e mbrojtjes, kundërpadia dhe çdo parashtrim ose shpjegim tjetër, deri në datën e përcaktimit të gjuhës ose gjuhëve që përdoren në procedurën e arbitrazhit, mund të paraqiten në gjuhën e kontratës që përmban klauzolën e arbitrazhit, në gjuhën e marrëveshjes së arbitrazhit ose në gjuhën shqipe.

Neni 27
Njoftimet dhe llogaritja e afateve

1. Palët kanë të drejtë të përcaktojnë procedurën e njoftimit të akteve në marrëveshjen e arbitrazhit ose në një marrëveshje të posaçme. Në rast se në marrëveshjen e arbitrazhit nuk përcaktohet procedura e njoftimit të akteve dhe palët nuk bien dakord për të, njoftimi i akteve kryhet sipas parashikimeve të këtij neni.

2. Çdo njoftim me shkrim mund t’i dorëzohet personalisht marrësit ose t’i dërgohet nëpërmjet postës së porositur në:

a) vendbanimin ose vendqëndrimin e tij;
b) në çdo vend ku marrësi ndodhet, përfshirë edhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
c) selinë ose çdo vend ku ushtron veprimtarinë marrësi, në rastin e personave juridikë;
ç) adresën e përcaktuar në kontratë ose në marrëveshjen e arbitrazhit;
d) çdo vend tjetër, të përcaktuar dhe të njoftuar paraprakisht nga marrësi.

3. Nëse asnjë prej vendeve të sipërpërmendura nuk mund të gjendet, njoftimi me shkrim quhet i kryer në rast se i dërgohet marrësit nëpërmjet postës së porositur në adresën e fundit të regjistruar të vendbanimit, vendqëndrimit, selisë ose adresën e tij postare.

4. Njoftimi me shkrim quhet i kryer sipas pikave 1 e 2, të këtij neni, në datën e dorëzimit personalisht të njoftimit ose në datën kur është dorëzuar në një nga vendet e sipërpërmendura. Një njoftim me shkrim quhet i kryer edhe nëse marrësi refuzon ta pranojë atë, si dhe nuk di ose nuk mund të nënshkruajë. Në këtë rast, bëhet shënimi në kopjen e njoftimit dhe, kur është e mundur, vërtetohet edhe me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm.

5. Njoftimi mund të kryhet edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik ose me faks, në rast se palët kanë rënë dakord paraprakisht për kryerjen e njoftimeve nëpërmjet këtyre mjeteve. Në këtë rast, njoftimi quhet i kryer në rast se marrësi konfirmon me shkrim ose nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik marrjen e njoftimit.

6. Afatet për kryerjen e veprimeve procedurale të caktuara nga ky ligj llogariten nga dita e nesërme e dorëzimit të njoftimit. Kur afati është caktuar me ditë dhe me orë, përjashtohet dita dhe ora në të cilën ka filluar ngjarja ose koha nga e cila duhet të fillojë afati. Afati që është caktuar në javë, në muaj ose në vite mbaron me kalimin e asaj dite të javës së fundit ose të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës që ka filluar afati. Kur një ditë e tillë mungon në muajin e fundit, afati mbaron me kalimin e ditës së fundit të këtij muaji. Kur dita e fundit e një afati bie në ditë pushimi, afati mbaron në ditën e punës, që vjen pas asaj të pushimit.

7. Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen për njoftimin e akteve nga gjykata.

Neni 28
Fillimi i procedurës së arbitrazhit

Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, procedura e arbitrazhit fillon në datën kur pala tjetër ka marrë kërkesën për të shqyrtuar dhe zgjidhur një mosmarrëveshje nëpërmjet arbitrazhit. Kërkesa për të shqyrtuar dhe zgjidhur një mosmarrëveshje nëpërmjet arbitrazhit duhet të përmbajë emrin e palëve, objektin e mosmarrëveshjes si dhe t’i referohet marrëveshjes së arbitrazhit.

Neni 29
Kërkesëpadia, deklarata e mbrojtjes dhe kundërpadia

1. Paditësi është i detyruar të paraqesë kërkesëpadinë dhe provat për të cilat mbështet kërkesëpadinë, si dhe i padituri është i detyruar të paraqesë deklaratën e mbrojtjes, si dhe provat për të cilat mbështetet deklarata e mbrojtjes, brenda afatit të caktuar nga palët ose, në rastet kur palët nuk kanë caktuar një afat, brenda afatit të caktuar nga gjykata e arbitrazhit. Palët mund t’i bashkëngjisin kërkesëpadisë ose deklaratës së mbrojtjes edhe çdo akt tjetër provues, si dhe të përcaktojnë çdo provë tjetër që mund të merret.

2. Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, palët kanë të drejtë të shtojnë, të pakësojnë ose të ndryshojnë kërkesëpadinë ose deklaratën e mbrojtjes. Palët nuk mund të shtojnë, të pakësojnë ose të ndryshojnë kërkesëpadinë ose deklaratën e mbrojtjes kur gjykata e arbitrazhit çmon që kërkesa për shtimin, pakësimin ose ndryshimin është paraqitur me vonesë dhe shkakton zvarritje të shqyrtimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

3. I padituri ka të drejtë të paraqesë kundërpadi kur kërkimi i kundërpadisë bazohet në të njëjtën marrëdhënie juridike, për të cilën palët kanë lidhur marrëveshjen e arbitrazhit. Kundërpadia paraqitet së bashku me deklaratën e mbrojtjes ose në një fazë të mëvonshme të procedurës së arbitrazhit, kur gjykata e arbitrazhit, duke marrë në konsideratë rrethanat e rastit, çmon që vonesa në paraqitjen e kundërpadisë është për shkaqe të justifikuara. Për paraqitjen e kundërpadisë zbatohen të njëjtat rregulla, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni.

Neni 30
Seancat dëgjimore dhe procedurat me shkrim

1. Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, gjykata e arbitrazhit ka të drejtë të vendosë nëse shqyrtimi i çështjes bëhet në bazë të dokumenteve dhe materialeve të tjera me shkrim pa praninë e palëve apo çështja do të shqyrtohet në seancë dëgjimore me praninë e palëve. Gjykata e arbitrazhit mund të vendosë edhe që të shqyrtojë çështjen duke kombinuar të dyja procedurat. Përveç rasteve kur palët kanë përjashtuar shqyrtimin e çëshjes në seancë dëgjimore, gjykata e arbitrazhit, kur kërkohet nga pala, vendos shqyrtimin e çështjes në seancë dëgjimore në një fazë të përshtatshme të gjykimit. Seanca dëgjimore zhvillohet me dyer të mbyllura, përveç rasteve kur palët kanë rënë dakord ndryshe.

2. Gjykata e arbitrazhit u njofton palëve datën dhe orën e çdo seance dëgjimore si dhe të çdo mbledhjeje që ka si qëllim marrjen e provave, në mënyrë të rregullt e në kohë, me qëllim që të garantojë mundësinë e palëve për të mbrojtur interesat e tyre.

3. Çdo deklaratë, dokument, akt provues ose informacion tjetër, i cili i paraqitet gjykatës së arbitrazhit nga njëra palë, i dërgohet edhe palës tjetër. Palëve u dërgohet edhe çdo raport me shkrim që përgatitet nga ekspertët, si dhe çdo dokument ose akt tjetër provues, në të cilin bazohet gjykata e arbitrazhit për marrjen e vendimit.

Neni 31
Pasojat juridike të mospërmbushjes së detyrimeve nga palët

1. Në rast se paditësi, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqet kërkesëpadinë, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 29, të këtij ligji, gjykata e arbitrazhit vendos pushimin e gjykimit.

2. Në rast se i padituri, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqet deklaratën e mbrojtjes, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 29, të këtij ligji, gjykata e arbitrazhit vijon shqyrtimin e çështjes. Mosparaqitja e deklaratës së mbrojtjes nga i padituri nuk duhet të konsiderohet si pranim i pretendimeve të paditësit, të parashtruara në kërkesëpadi.

3. Nëse ndonjë nga palët nuk paraqitet në seancën dëgjimore ose nuk paraqet prova shkresore brenda afatit të caktuar nga gjykata, gjykata e arbitrazhit mund të vijojë gjykimin dhe, në përfundim të tij, të vendosë zgjidhjen e mosmarrëveshjes duke u bazuar në provat e marra.

4. Në çdo rast, pavarësisht parashikimeve të pikave 1, 2 dhe 3, të këtij neni, palët kanë të drejtë të caktojnë me marrëveshje pasojat juridike të mospërmbushjes së detyrimeve, të përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni.

Neni 32
Provat

1. Palët kanë detyrimin të provojnë faktet për të cilat bazohen kërkimet dhe pretendimet e tyre.

2. Gjykata e arbitrazhit ka të drejtë të përcaktojë mënyrën e marrjes së provave, rëndësinë e tyre për çështjen, saktësinë e vërtetësinë e tyre si dhe vlerën e tyre provuese.

3. Gjykata e arbitrazhit, në çdo kohë gjatë gjykimit, mund të kërkojë nga palët që, brenda afatit të caktuar prej saj, të paraqesin dokumente ose akte të tjera provuese.

Neni 33
Dëshmitarët

1. Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, dëshmitarët dëgjohen nga gjykata e arbitrazhit në seancë dëgjimore.

2. Dëshmitarët, me pëlqimin e palëve, mund të pyeten nga gjykata e arbitrazhit jashtë seancës dëgjimore. Gjykata e arbitrazhit mund të vendosë që dëshmitë e dëshmitarëve të merren nëpërmjet deklaratave me shkrim. Në këtë rast, gjykata e arbitrazhit cakton një afat, brenda të cilit dëshmitari duhet të paraqesë deklaratën me shkrim, si dhe deklarata të nënshkruhet nga dëshmitari. Në çdo rast, palët kanë të drejtë t’i bëjnë pyetje plotësuese dëshmitarit për të sqaruar apo plotësuar përgjigjet e dhëna nga ai.

3. Dëshmitarët dëgjohen dhe pyeten nga gjykata e arbitrazhit, duke zbatuar, për aq sa është e mundur, parashikimet e legjislacionit procedural civil për pyetjen e dëshmitarëve.

Neni 34
Ekspertët

1. Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, gjykata e arbitrazhit mund të caktojë një ose më shumë ekspertë, të cilët duhet të paraqesin mendimin e tyre me shkrim për çështje të caktuara nga gjykata e arbitrazhit.

2. Gjykata e arbitrazhit mund të urdhërojë një palë për t’i lejuar ekspertit kryerjen e detyrave të caktuara nga gjykata e arbitrazhit, nëpërmjet njohjes me sende, evidenca, llogari e dokumente të tjera ose të lejojë këqyrjen në vend të tyre.

3. Pas marrjes së raportit me shkrim, gjykata e arbitrazhit ia dërgon raportin palëve, të cilat kanë të drejtë të paraqesin mendimin dhe vërejtjet e tyre me shkrim për raportin e ekspertimit. Përveç nëse palët kanë rënë dakord ndryshe, gjykata e arbitrazhit, me kërkesë të palëve ose kryesisht, pas depozitimit të raportit me shkrim, mund të thërrasë në seancë dëgjimore ekspertin për të dhënë shpjegime dhe për të parashtruar përfundimet e ekspertimit dhe, pasi të ketë dhënë mendimin, ekspertit mund t’i bëhen pyetje. Në seancën dëgjimore, palët mund të thërrasin ekspertët e tyre, me qëllim që të paraqesin mendimin për çështjet e caktuara nga gjykata e arbitrazhit ose të japin sqarime plotësuese për to.

4. Palët kanë të drejtë të kundërshtojnë emërimin ose të kërkojnë përjashtimin e një eksperti kur ekziston një nga shkaqet e përcaktuara në nenin 18, të këtij ligji.

Neni 35
Mbështetja e gjykatës në marrjen e provave

1. Gjykata e arbitrazhit ose palët, pas miratimit nga gjykata e arbitrazhit, mund të kërkojnë nga gjykata kompetente e rrethit gjyqësor marrjen e provave ose kryerjen e çdo veprimi tjetër juridik që nuk mund të kryhet nga gjykata e arbitrazhit për shkak të mungesës së juridiksionit për kryerjen e veprimit.

2. Kompetenca e gjykatës së rrethit gjyqësor, si dhe rregullat për marrjen e provave ose kryerjen e veprimeve të tjera juridike caktohen në përputhje me rregullat e Kodit të Procedurës Civile. Në çdo rast, arbitrat kanë të drejtë të marrin pjesë në marrjen e provave si dhe të bëjnë pyetje.

Neni 36
Heqja dorë nga e drejta për kundërshtim

Pala, që është në dijeni të shkeljes së një dispozite të këtij ligji apo të mospërmbushjes nga pala tjetër të një detyrimi që rrjedh nga marrëveshja e arbitrazhit dhe, pavarësisht kësaj, vijon procedurën e arbitrazhit, duke mos kundërshtuar menjëherë dhe, në çdo rast, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga marrja dijeni për shkeljen përkatëse, konsiderohet se ka hequr dorë nga e drejta për kundërshtim.

KREU VI
VENDIMI I GJYKATËS SË ARBITRAZHIT

Neni 37
Rregullat e zbatueshme për themelin e mosmarrëveshjes

1. Në procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar, gjykata e arbitrazhit e zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me parashikimet e legjislacionit material në fuqi, të zgjedhur nga palët. Në rast se palët nuk kanë përcaktuar legjislacionin e zbatueshëm, gjykata e arbitrazhit zbaton legjislacionin e përcaktuar nga rregullat e së drejtës ndërkombëtare private. Në të gjitha rastet e tjera gjykata e arbitrazhit zbaton legjislacionin shqiptar.

2. Gjykata e arbitrazhit mund të vendosë zgjidhjen e mosmarrëveshjes, sipas parimit ex aequo et bono ose amiable compositeur vetëm nëse palët kanë rënë dakord shprehimisht.

3. Gjykata e arbitrazhit, në të gjitha rastet, vendos në përputhje me kushtet e kontratës dhe merr në konsideratë zakonet e mira tregtare të zbatueshme për marrëdhënien juridike që ekziston ndërmjet palëve.

Neni 38
Marrja e vendimit

1. Përveç kur palët kanë rënë dakord ndryshe, vendimi i gjykatës së arbitrazhit merret me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të saj. Arbitrat që kanë mendim të kundërt me shumicën kanë të drejtë t’i parashtrojnë me shkrim mendimet e tyre. Vendimi i nënshkruar nga shumica e arbitrave ka të njëjtin efekt sikur të jetë nënshkruar nga të gjithë arbitrat.

2. Veprimet procedurale, si dhe kërkesat për kryerjen e tyre mund të shqyrtohen dhe të vendosen nga kryesuesi i trupit gjykues të arbitrave ose një nga arbitrat, në rast se kanë rënë dakord palët ose të gjithë anëtarët e trupit gjykues të arbitrave.

Neni 39
Forma dhe përmbajtja e vendimit

1. Vendimi i gjykatës së arbitrazhit hartohet me shkrim dhe duhet të përmbajë:

a) përbërjen e trupit gjykues të arbitrave;
b) vendin e arbitrazhit;
c) identitetin e palëve dhe përfaqësuesve të tyre;
ç) të dhëna rreth marrëveshjes së arbitrazhit dhe pretendimeve përfundimtare të palëve;
d) paraqitjen e përmbledhur të arsyetimit;
dh) dispozitivin e vendimit;
e) nënshkrimin e arbitrave;
ë) datën e marrjes së vendimit;
f) sekretarinë e gjykatës;
g) vendin e depozitimit të një nga kopjet origjinale të vendimit.

2. Vendimi nënshkruhet personalisht nga arbitri apo arbitrat, sipas rastit. Vendimi është i vlefshëm edhe nëse nënshkruhet nga shumica e arbitrave, me kushtin që në vendim të shpjegohen shkaqet për mungesën e nënshkrimeve të tjera.

3. Vendimi hartohet në një ose më shumë kopje origjinale. Vendimi njoftohet në përputhje me rregullat e përcaktuara nga palët. Në rast se palët nuk kanë përcaktuar rregulla për njoftimin e vendimit, vendimi njoftohet nëpërmjet dorëzimit të origjinalit ose të një kopjeje të njësuar me origjinalin nga arbitrat ose institucioni i përhershëm i arbitrazhit.

4. Vendimi i gjykatës së arbitrazhit është përfundimtar dhe i formës së prerë në lidhje me marrëveshjen e shqyrtuar, që nga data e shpalljes.

5. Vendimi bëhet publik vetëm me pëlqimin e palëve.

Neni 40
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim

1. Palët kanë të drejtë që, gjatë zhvillimit të procedurës së arbitrazhit, të përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim.

2. Kur palët zgjidhin mosmarrëveshjen me mirëkuptim, i paraqesin gjykatës së arbitrazhit marrëveshjen e tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Kjo marrëveshje, me kërkesë të palëve, miratohet me vendim të gjykatës së arbitrazhit, me përjashtim të rastit kur përmbajtja e marrëveshjes është në kundërshtim me rendin publik. Vendimi i gjykatës së arbitrazhit për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me mirëkuptim merret, në përputhje me parashikimet e nenit 39, të këtij ligji, dhe ka efekt të njëjtë me çdo vendim tjetër të marrë për themelin e çështjes.

3. Me miratimin e marrëveshjes së palëve për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me mirëkuptim, gjykata e arbitrazhit vendos përfundimin e procedurës së arbitrazhit.

Neni 41
Përfundimi i procedurave të arbitrazhit

1. Procedura e arbitrazhit përfundon kur gjykata e arbitrazhit merr një vendim përfundimtar për zgjidhjen në themel të çështjes ose kur vendos pushimin e gjykimit, për një nga shkaqet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni.

2. Gjykata e arbitrazhit vendos pushimin e gjykimit, kur:

a) paditësi, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqet kërkesëpadinë, sipas përcaktimit të pikës 1, të nenit 29, të këtij ligji;
b) paditësi tërheq kërkesëpadinë; Përjashtimisht, gjykata e arbitrazhit mund të vijojë gjykimin e çështjes, me kërkesën e të paditurit, në rast se çmon që i padituri ka një interes të ligjshëm për zgjidhjen përfundimisht të mosmarrëveshjes;
c) palët bien dakord për pushimin e gjykimit të mosmarrëveshjes;
ç) palët nuk vijojnë me procedurat e arbitrazhit, pavarësisht kërkesës së gjykatës së arbitrazhit ose kur gjykata e arbitrazhit çmon se vazhdimi i procedurave, për çdo arsye tjetër, është bërë i panevojshëm ose i pamundur.

3. Mandati i gjykatës së arbitrazhit mbaron me përfundimin e procedurave të arbitrazhit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj.

Neni 42
Shpenzimet procedurale

1. Përveç kur palët kanë rënë dakord ndryshe, gjykata e arbitrazhit cakton shpenzimet procedurale në vendimin përfundimtar. Në shpenzime përfshihen:

a) tarifa e gjykatës së arbitrazhit;
b) shpenzimet dhe shpërblimet e arbitrave;
c) shpenzimet për ekspertët dhe për çdo ndihmë tjetër, të cilën e ka kërkuar gjykata e arbitrazhit dhe për të cilat palët kanë rënë dakord;
ç) shpenzimet për udhëtimin dhe shpenzimet e tjera të dëshmitarëve, deri në masën e miratuar nga gjykata e arbitrazhit;
d) shpenzimet për përfaqësimin dhe këshillimin ligjor; Në çdo rast, kompensimi i shpenzimeve për përfaqësimin dhe këshillimin ligjor duhet kërkuar gjatë procedurës së arbitrazhit dhe njihet nga gjykata e arbitrazhit vetëm deri në atë masë që gjykohet i arsyeshëm;
dh) të gjitha taksat dhe shpenzimet e gjykatës, në rast se ka emëruar ndonjë nga arbitrat.

2. Shpenzimet procedurale duhet të jenë të arsyeshme, duke marrë parasysh kompleksitetin e çështjes, objektin e mosmarrëveshjes, kohën e shpenzuar nga arbitrat dhe rrethanat e tjera të çështjes. Mosmarrëveshjet për shpenzimet procedurale shqyrtohen dhe zgjidhen nga gjykata e arbitrazhit.

3. Përveç kur palët kanë rënë dakord ndryshe, shpenzimet procedurale të paguara nga paditësi i ngarkohen të paditurit, në masën e pjesës së padisë që është pranuar nga gjykata e arbitrazhit dhe shpenzimet procedurale të paguara nga i padituri paguhen nga paditësi, në përpjesëtim me pjesën e refuzuar të padisë. Gjykata e arbitrazhit mund t’i ngarkojë një pale shpenzimet procedurale, pavarësisht nga masa e pranuar ose e rrëzuar e padisë, në rastet kur diktohet nga rrethanat e çështjes ose sjellja e palës gjatë procedurave të arbitrazhit.

4. Në rastet kur shpenzimet procedurale mund të caktohen vetëm pas përfundimit të procedurës së arbitrazhit, shpenzimet caktohen me një vendim të posaçëm të gjykatës së arbitrazhit.

Neni 43
Ndreqja e gabimeve, interpretimi dhe plotësimi i vendimit të arbitrazhit

1. Përveç kur palët kanë rënë dakord ndryshe, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e vendimit të arbitrazhit, palët mund të kërkojnë nga gjykata e arbitrazhit:

a) të ndreqë gabimet e bëra në shkrim ose në llogari ose ndonjë pasaktësi të dukshme të vendimit;
b) të japë sqarime ose të bëjë interpretimin e vendimit që ajo ka dhënë, kur ky është i paqartë;
c) të plotësojë vendimin, në rast se gjykata e arbitrazhit nuk është shprehur për të gjitha pretendimet e paraqitura nga pala.

2. Çdo kërkesë, sipas pikës 1, të këtij neni, i njoftohet edhe palës tjetër.

3. Gjykata e arbitrazhit, edhe kryesisht, mund të ndreqë çdo gabim sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendimit. Gjykata e arbitrazhit, kur çmon se kërkesa është e bazuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, ndreq gabimet ose jep sqarime apo bën interpretimin e vendimit.

4. Kur gjykata e arbitrazhit çmon që kërkesa për plotësimin e vendimit duhet pranuar, si dhe në rast se nuk është e nevojshme mbajtja e një seance dëgjimore ose marrja e provave, vendos plotësimin e vendimit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës.

5. Vendimi i gjykatës së arbitrazhit për ndreqjen e gabimeve, sqarimin ose interpretimin e vendimit, si dhe për plotësimin e saj merret në përputhje me parashikimet e nenit 38, të këtij ligji.

KREU VII
ANKIMI KUNDËR VENDIMIT TË GJYKATËS SË ARBITRAZHIT

Neni 44
Anulimi i vendimit të gjykatës së arbitrazhit

1. Mjeti për t’u ankuar ndaj një vendimi të gjykatës së arbitrazhit është vetëm kërkesa për anulimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit. Kërkesa për anulimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit paraqitet në gjykatën e apelit me juridiksion të përgjithshëm, në juridiksionin e së cilës është vendi i arbitrazhit, për shkaqet e mëposhtme:

a) Njëra nga palët e marrëveshjes së arbitrazhit nuk ka pasur zotësinë për të vepruar, sipas ligjit të posaçëm që përcakton fitimin e zotësisë për të vepruar, si dhe organizimin e funksionimin e tyre; ose
b) Marrëveshja e arbitrazhit është e pavlefshme, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi të përzgjedhur nga palët ose nga gjykata e arbitrazhit, ose, në rastet kur palët nuk kanë përcaktuar legjislacionin e zbatueshëm, sipas parashikimeve të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë; ose
c) Palët nuk janë njoftuar rregullisht për emërimin e një arbitri ose për fillimin e procedurës së arbitrazhit, si dhe për çdo shkak tjetër, që nuk ka lejuar palët të paraqesin mbrojtjen e tyre; ose
ç) Vendimi ka zgjidhur një mosmarrëveshje që nuk është shqyrtuar nga gjykata e arbitrazhit ose vendimi ka zgjidhur një mosmarrëveshje që nuk ishte pjesë e marrëveshjes së arbitrazhit, si edhe një ose disa mosmarrëveshje, të zgjidhura nga gjykata e arbitrazhit, nuk ishin në juridiksionin e saj. Në këtë rast, kur është e mundur që vendimi për mosmarrëveshjet që ishin nën juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit, të ndahet nga ajo pjesë e vendimit për mosmarrëveshjet që nuk ishin pjesë e juridiksioni të saj, gjykata anulon vetëm atë pjesë të vendimit të gjykatës së arbitrazhit që ka zgjidhur mosmarrëveshjet që nuk ishin nën juridiksionin e saj; ose
d) Përbërja e gjykatës së arbitrazhit ose procedura e arbitrazhit nuk ishte në përputhje me dispozitat e këtij ligji ose me marrëveshjen e arbitrazhit, me kushtin që shkelja e tyre të jetë me pasoja për mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjes nga gjykata e arbitrazhit; ose
dh) Vendimi ka zgjidhur një mosmarrëveshje që ndalohet nga ligji që të zgjidhet nëpërmjet arbitrazhit; ose
e) Ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.

2. Përveç kur palët kanë rënë dakord ndryshe, kërkesa për anulimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit bëhet brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit të gjykatës së arbitrazhit. Në rast se një palë ka kërkuar ndreqjen e gabimeve, interpretimin ose plotësimin e vendimit, sipas parashikimit të nenit 43, të këtij ligjit, afati fillon të llogaritet nga data e njoftimit të vendimit të gjykatës së arbitrazhit për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

3. Kur gjykata e apelit vendos anulimin e vendimit, mund që, në rast se çmohet e arsyeshme, të vendosë edhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e arbitrazhit ose të urdhërojë ndërmarrjen e çdo veprimi tjetër që mënjanon shkaqet e anulimit të vendimit.

Neni 45
Shqyrtimi nga gjykata e apelit

1. Gjykata e apelit e shqyrton kërkesën për anulimin e vendimit, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile për shqyrtimin e çështjeve në apel.

2. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga depozitimi i tij në gjykatë.

3. Paraqitja e kërkesës për anulimin e vendimit nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit. Përjashtimisht, gjykata, me kërkesën e palës, mund të pezullojë ekzekutimin e vendimit, kur vlerëson se ka rrezik që palës mund t’i shkaktohet një dëm i madh e i pariparueshëm.

4. Kundër vendimit të gjykatës së apelit nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.

KREU VIII
NJOHJA DHE EKZEKUTIMI I VENDIMEVE TË GJYKATAVE TË ARBITRAZHIT

Neni 46
Vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë

1. Vendimet e gjykatave të arbitrazhit, kur vendi i arbitrazhit është në Republikën e Shqipërisë, përbëjnë titull ekzekutiv dhe vihen në ekzekutim pas nxjerrjes së urdhrit të ekzekutimit nga gjykata, në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.

2. Gjykata refuzon kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në rast se çmon që ekzistojnë një ose disa nga shkaqet për anulimin e vendimit, sipas nenit 44, të këtij ligji.

Neni 47
Vendimet e një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë

1. Njohja e vendimit përfundimtar të një gjykate arbitrazhi jashtë Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit të Nju Jork-ut, 10 qershor 1958, e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.8658, datë 9.11.2000, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja të Arbitrazhit””, si dhe Kodin e Procedurës Civile.

2. Shkaqet për refuzimin e njohjes së vendimit përfundimtar të arbitrazhit të një shteti të huaj përfshijnë rastet kur:
a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin;
b) palët në marrëveshjen e arbitrazhit, në bazë të ligjit të zbatueshëm për to, nuk kishin zotësi të plotë për të vepruar, ose marrëveshja në fjalë nuk është e vlefshme sipas ligjit, të cilit i janë nënshtruar palët ose mungon ndonjë përcaktim sipas ligjit të vendit ku është dhënë vendimi ose palës kundër së cilës jepet vendimi;
c) kërkesëpadia nuk i është njoftuar palës tjetër në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet apo nuk i është dhënë njoftimi i rregullt për caktimin e arbitrit ose të procedurës së arbitrazhit ose pala ka qenë e paaftë për të paraqitur rastin e saj;
ç) vendimi trajton një mosmarrëveshje të paparashikuar në marrëveshjen për arbitrazh ose nuk hyn në klauzolën për arbitrazhin ose përmban vendime për çështjet që tejkalojnë fushën që i nënshtrohet arbitrazhit; Megjithatë në qoftë se vendimet për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit mund të veçohen nga ato që nuk i janë nënshtruar, ajo pjesë e vendimit, e cila përmban vendime për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit, mund të njihet dhe të ekzekutohet;
d) përbërja e autoritetit të arbitrazhit ose e procedurës së arbitrazhit nuk ishte në përputhje me marrëveshjen e palëve ose mungon një marrëveshje e tillë;
dh) gjykata konstaton se:

i. objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar;
ii. ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.

KREU IX
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 48
Dispozita kalimtare

1. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për procedurat e arbitrazhit që kanë filluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur palët kanë rënë dakord shprehimisht ndryshe.

2. Çështjet, që janë në gjykim në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji në gjykatën e shkallës së parë, në gjykatën e apelit ose në Gjykatën e Lartë, do të vazhdojnë të gjykohen sipas dispozitave të ligjit në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesëpadisë.

Neni 49
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ARBITRAZHIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për arbitrazhin në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE, TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE DHE PËRFITIMEVE TË TË PUNËSUARVE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS PUBLIKE, SI DHE TË PAGËS BAZË MINIMALE NË SHKALLË VENDI

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton institucionet dhe organet që kanë të drejtë të propozojnë dhe të miratojnë:

a) paga, trajtime të tjera financiare dhe përfitime për të punësuarit e institucioneve të administratës publike;
b) pagën bazë minimale në shkallë vendi, të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka si qëllim të krijojë kuadrin rregullator për kompetencat për caktimin e pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe për përcaktimin e pagës bazë minimale në shkallë vendi.

Neni 3
Përkufizime

Në kutim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Institucion i administratës publike”, institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura, njësitë e vetëqeverisjes vendore, njësitë e fondeve speciale dhe ndërmarrjet shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror.

2. “Institucion i administratës shtetërore”, Kryeministria, ministritë, institucionet në varësi të Kryeministrit apo ministrave, Forcat e Armatosura, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome dhe administrata e prefektit.

3. “Institucion i pavarur”, institucioni i pavarur, i parashikuar si i tillë në Kushtetutë apo i krijuar me ligj dhe që i raporton Kuvendit, përfshirë degët e tyre territoriale;

4. “Njësi e vetëqeverisjes vendore”, ka të njëjtin kuptim të përcaktuar sipas ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.

5. “Njësi e fondeve speciale”, ka të njëjtin kuptim të përcaktuar sipas ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

6. “Trajtime të tjera financiare”, shpërblimi për rezultate në punë apo
inovacion sipas sektorëve, mbështetja financiare e menjëhershme, shtesa e veçantë e kushtëzuar e pagës mbi pagën bruto mujore, çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion, çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi.

7. “Përfitime”, shërbimet e veçanta, trajtime të veçanta për nëpunësin, punonjësin dhe/ose fëmijën/familjen e tij, trajnimet, aftësimi, riaftësimi dhe edukimi gjatë gjithë jetës.

8. “Sektor publik”, institucionet e administratës publike dhe entet
publike që janë krijuar si të tilla në legjislacionin e krijimit të tyre.

Neni 4
Fusha e veprimit

1. Ky ligj zbatohet për funksionarët e zgjedhur apo të emëruar, të përcaktuar në këtë ligj, nëpunësit civilë, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë, në vijim të punësuarit në institucionet e administratës publike.

2. Në këtë ligj kompetenca për përcaktimin e pagës bazë minimale në shkallë vendi shtrihet në sektorin publik dhe privat.

3. Në këtë ligj parimet për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha entet publike.

Neni 5
Parimet për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare, si dhe përfitimeve

Në përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në sektorin publik, institucionet dhe organet duhet të garantojnë shpërblimin e drejtë dhe dinjitoz të tyre, duke siguruar që institucionet/entet publike:

a) të jenë në gjendje të marrin në punë të punësuar të motivuar dhe që përmbushin me shpejtësi dhe cilësi funksionet e tyre;
b) të motivojnë të punësuarit nëpërmjet skemave të posaçme që të rrisin performancën në punë;
c) të sigurojnë një shpërblim të drejtë dhe të barabartë për punë të njëjta;
ç) të krijohet një sistem pagash, trajtimesh të tjera financiare dhe përfitimesh, që mund t’i përgjigjet nevojës për të përmbushur prioritetet;
d) të jenë në gjendje të konkurrojnë me sektorin privat për punësimin e punonjësve të talentuar.

KREU II
KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE, TË TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE DHE PËRFITIMEVE

Neni 6
Organet kompetente

Në Republikën e Shqipërisë kanë kompetencë për caktimin e pagës, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve, sipas përkatësisë:

a) Kuvendi;
b) Këshilli i Ministrave;
c) këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore;
ç) organet kolegjiale drejtuese të njësive të fondeve speciale;
d) organet kolegjiale drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore me kapital mbi 50 për
qind shtetëror;
dh) organet kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura apo të institucioneve të administratës shtetërore, në rastet kur këto institucione financohen pjesërisht apo tërësisht nga fonde të tjera, të ndryshme nga ato të buxhetit të shtetit, dhe kur kjo kompetencë është përcaktuar shprehimisht në ligjin e krijimit dhe organizimit e funksionimit të tyre.

Neni 7
Kompetencat e Kuvendit

Kuvendi miraton me ligj:

a) pagën bruto mujore të Presidentit, në kuadër të miratimit të ligjit vjetor të buxhetit;
b) raportet e pagave për Kryeministrin, deputetët, ministrat dhe titullarët e anëtarët e organeve kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj;
c) elementet përbërëse të pagës bruto mujore për të punësuarit, me përjashtim të të punësuarve në njësitë e fondeve speciale dhe në ndërmarrjet shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror;
ç) vlerën e çdo elementi të pagës bruto mujore për titullarët e institucioneve të
pavarura kushtetuese, në kuadër të miratimit të ligjit të krijimit, organizimit
dhe funksionimit të institucionit përkatës.

Neni 8
Kompetencat e Këshillit të Ministrave

1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit, miraton pagën bazë minimale mujore, në shkallë vendi, e cila është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë. Gjatë procesit të përgatitjes së projektvendimit ministri përgjegjës për çështjet e punësimit e bashkërendon atë me Departamentin e Administratës Publike dhe ministrinë përgjegjëse për financat.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Zëvendëskryeministrit ose të ministrit nën përgjegjësinë e të cilit është Departamenti i Administratës Publike, në rastin kur DAP-i është nën përgjegjësinë e një ministri, miraton:

a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerën për çdo element të pagës bruto mujore për të punësuarit në institucionet e administratës publike, për të cilët këto elemente nuk janë shprehur në ligjet e posaçme/të tjera, me përjashtim të të punësuarve për të cilët kjo kompetencë i është dhënë një institucioni/organi tjetër, sipas përcaktimit në këtë ligj;
b) masën e indeksimit të pagave të të punësuarve në institucionet administratës publike, jo më vonë se dy vite nga indeksimi i fundit, si dhe rregullat për zbatimin e tij. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë;
c) rregullat, kriteret dhe masën për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, si dhe rregullat për pagesën shtesë për punën e kryer mbi kohën normale të punës, në ditët e festave zyrtare e të pushimit javor dhe për raste të tjera, të parashikuara në Kodin e Punës dhe në ligje të tjera të veçanta, me përjashtim të të punësuarve, për të cilët kjo kompetencë i është dhënë një institucioni/organi tjetër, sipas përcaktimit në këtë ligj apo në ligje të tjera;
ç) klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore për efekt page dhe kufijtë maksimalë e minimalë të pagave për funksionarët e zgjedhur, të emëruar dhe të punësuarit e tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore;
d) shtesën e veçantë të kushtëzuar mbi pagën bruto mujore, sipas fushave dhe/ose nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit, që nuk tejkalon vlerën e pagës mesatare mujore të sektorit respektiv në vendet e Bashkimit Evropian, por, në çdo rast, nuk mund të tejkalojë pagën mesatare mujore më të lartë të një prej vendeve të Bashkimit Evropian, referuar të dhënave të Eurostat-it;
dh) listën e fushave dhe/ose nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit, si dhe pozicionet apo funksionet që përfitojnë shtesën e veçantë të kushtëzuar, të përcaktuar në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij neni;
e) kriteret, procedurat dhe institucionet kompetente për lidhjen e marrëveshjeve me entitete të treta, që u mundësojnë punonjësve të administratës publike shërbime dhe tarifa preferenciale.

3. Gjatë procesit të hartimit të projektvendimeve të parashikuara në pikën 2, të këtij neni, Departamenti i Administratës Publike i bashkërendon ato me ministrin përgjegjës për financat për sa u përket efekteve të tyre financiare.

4. Projektvendimet e Këshillit të Ministrave, sipas parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, vlerësohen dhe përgatiten nga Departamenti i Administratës Publike:

a) kryesisht, në rastin e rritjeve apo reformës së përgjithshme të pagave, bazuar në disponueshmërinë e fondeve përkatëse, të vëna në dispozicion nga ana e ministrisë përgjegjëse për financat;
b) pas kërkesës së Kryeministrit;
c) pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, në rastin e ndryshimeve për Kryeministrinë apo ndryshimeve dhe krijimit të institucioneve në varësi të Kryeministrit;
ç) pas kërkesës së ministrave të linjës në rastin e ministrive të linjës apo
ndryshimeve dhe krijimit të institucioneve në varësi të ministrave të linjës;
d) pas kërkesës së titullarëve të institucioneve të pavarura, organeve drejtuese të njësive të vetëqeverisjes vendore apo Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore.

5. Këshilli i Ministrave, sipas rastit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, miraton:

a) shpërblimin e anëtarëve të këshillave, të bordeve ose të çdo organi tjetër kolegjial të institucioneve të administratës shtetërore, kur legjislacioni përkatës parashikon krijimin e një këshilli/bordi drejtues apo organi kolegjial me të drejtë pagese në këto institucione, me përjashtim të atyre të shoqërive aksionare/tregtare apo të institucioneve të tjera, rregullimi i të cilave bëhet me ligje të veçanta;
b) masën e mbështetjes financiare të menjëhershme në rastet e situatave të vështira ekonomiko – shoqërore apo situata të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të punësuarit në institucionet e administratës publike, me përjashtim të të punësuarve të njësive të vetëqeverisjes vendore.

6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për ekonominë, miraton kufirin maksimal të pagës dhe të shpërblimit të titullarit të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror, si dhe kufirin e shpërblimit të anëtarëve të këshillave a të bordeve drejtuese të tyre.

7. Gjatë procesit të përgatitjes së projektvendimeve të parashikuara në pikat 5 dhe 6, të këtij neni, ato bashkërendohen me Departamentin e Administratës Publike.

Neni 9
Kompetencat e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore

Këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore miratojnë:

a) vlerën e pagës për çdo funksion të zgjedhur, të emëruar, dhe për çdo të punësuar tjetër, brenda kufijve të pagave për çdo grup të njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
b) njësimin në pagë, në përputhje me klasifikimin e funksioneve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, për çdo funksion të ri që vendosin të krijojnë;
c) shpërblimin mujor të këshilltarëve dhe të kryetarëve të fshatrave, në masën deri në 10 për qind të pagës mujore të kryetarit të këshillit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
ç) shpërblime të personave nga burimet e veta financiare, të cilat caktohen në
komitete, borde, këshilla, komisione e të tjera të kësaj natyre, që ngrihen me
vendim të këshillit përkatës;
d) pagat e punonjësve të njësive ekonomike dhe të institucioneve të varësisë së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me përjashtim të rasteve kur me ligj të veçantë është parashikuar ndryshe;
dh) masën e mbështetjes financiare të menjëhershme në rastet e situatave të vështira ekonomiko – shoqërore apo situatave të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të punësuarit e tyre.

Neni 10
Kompetencat e organeve kolegjiale

1. Organet kolegjiale drejtuese, të përcaktuara në shkronjat “ç” dhe “d”, të nenit 6, të këtij ligji, miratojnë:

a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre;
b) vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre, duke respektuar kufirin maksimal të caktuar nga Këshilli i Ministrave, në varësi të mundësive të tyre financiare dhe pas miratimit nga Kryeministri apo ministri nën përgjegjësinë e të cilit janë;
c) masën e shpërblimit për rezultate në punë, por jo më shumë se një pagë mujore në vit, pas daljes së rezultatit financiar vjetor, si dhe pas miratimit nga Kryeministri apo ministri përkatës nën përgjegjësinë e të cilit janë.

2. Për ndërmarrjet shtetërore, veprimtaria e të cilave është me humbje ose që subvencionohen nga shteti, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përkatës dhe të ministrit përgjegjës për financat, miraton, me akte të veçanta, nivelin e pagave dhe të shpërblimeve të të punësuarve të tyre.

3. Organet kolegjiale drejtuese, të përcaktuara në shkronjën “dh”, të nenit 6, të këtij ligji, kur nuk ka përcaktime në ligjin e tyre specifik, miratojnë:

a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre;
b) vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre;
c) rregullat, kriteret dhe masën e trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimet.

KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 11
Shfuqizime

Ligji nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, shfuqizohet.

Neni 12
Dispozitë kalimtare

1. Aktet nënligjore, të miratuara në zbatim të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, mbeten në fuqi dhe do të zbatohen deri në miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji.

2. Aktet nënligjore, të miratuara në zbatim të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të cilat përcaktojnë paga dhe shpërblime për institucione të administratës publike dhe ente publike, të cilat nuk janë në fushën e veprimit të këtij ligji, mbeten në fuqi dhe do të vazhdojnë të zbatohen deri në miratimin e akteve të reja nënligjore nga autoritetet përgjegjëse, në zbatim të legjislacionit të posaçëm në fuqi.

Neni 13
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE, TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE DHE PËRFITIMEVE TË TË PUNËSUARVE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS PUBLIKE, SI DHE TË PAGËS BAZË MINIMALE NË SHKALLË VENDI”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDYSHIME NË LIGJIN NR.113/2020, “PËR SHTETËSINË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “b”, e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 7, pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve”.

Neni 2

Në pikën 4, të nenit 8, pas fjalëve “në shkronjën “c” shtohet “dhe “e””.

Neni 3

Në pikën 1, të nenit 9, togfjalëshi “që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç”, hiqet.

Neni 4

Në nenin 9, pas pikës 1, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Për shtetasin e huaj, që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, shtetësia shqiptare, sipas pikës 1, të këtij neni, mund të fitohet vetëm me pëlqimin e të dy prindërve, ose të kujdestarit ligjor.”.

Neni 5
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDYSHIME NË LIGJIN NR.113/2020, “PËR SHTETËSINË””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.