Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Tetor 2026:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.131/2015, “PËR QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë si vijon:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Shkronjat “ç”, “f”, “g” dhe “gj” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ç) lëshon certifikata, ekstrakte të regjistrimeve në mënyrë elektronike dhe kopje të vërtetuara të akteve të depozituara, sipas përcaktimit të ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit;
…
f) informon dhe këshillon publikun dhe personat e interesuar për procedurat e regjistrimit të biznesit në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, si një gjuhë e kuptuar gjerësisht nga numri më i madh i mundshëm i përdoruesve ndërkufitarë, si dhe për procedurat e licencimit, autorizimit, lejimit e të regjistrimit të pronarëve përfitues;
g) jep mendim për çdo nismë ligjore apo nënligjore në fushën e regjistrimit të biznesit e të licencave, autorizimeve e lejeve si dhe të regjistrimit të pronarëve përfitues;
gj) kryen studime për cilësinë e mjedisit rregullator, mbështet me informacion, analiza e këshilla ministrin, Këshillin e Ministrave apo institucionet qendrore, njësitë e qeverisjes vendore dhe të pavarura, në lidhje me nismat e tyre normative dhe organizative në fushën e regjistrimit të biznesit dhe të licencave, autorizimeve e lejeve e të regjistrimit të pronarëve përfitues, si dhe asiston në përgatitjen e politikave për përmirësimin e mjedisit rregullator në këto fusha.”.
b) Pas shkronjës “gj” shtohen shkronjat “h”, “i”, “j”, “k”, “l”, “ll”, “m”, “n”, “nj”, “o”, “p”, “q”, “r”, “rr”, “s” dhe “sh”, si dhe paragrafi, me këtë përmbajtje:
“h)mban dhe administron regjistrin e pronarëve përfitues, në përputhje me ligjin që rregullon regjistrimin e pronarit përfitues;
i) kryen regjistrimet në regjistrin e pronarëve përfitues, në përputhje me dispozitat e ligjit që rregullon regjistrimin e pronarëve përfitues;
j) vendos në dispozicion në faqen e internetit, pa pagesë, në mënyrë të përmbledhur, të qartë dhe lehtësisht të kuptueshme, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze, informacion mbi:
i. rregullat për themelimin e shoqërive, përfshirë procedurat e regjistrimit në mënyrë elektronike, përdorimin e formateve standarde të statutit dhe të aktit të themelimit, dokumentet e kërkuara për themelimin, identifikimin e personave, përdorimin e gjuhëve dhe tarifat e zbatueshme, nëse ka;
ii. rregullat për regjistrimin e degëve dhe zyrave të përfaqësimit, përfshirë procedurat e regjistrimit në mënyrë elektronike, dokumentet e kërkuara për regjistrim, identifikimin e personave dhe përdorimin e gjuhëve;
iii. rregullat e zbatueshme për emërimin dhe ushtrimin e funksionit si administrator, anëtar i këshillit të administrimit ose anëtar i këshillit mbikëqyrës të një shoqërie, përfshirë rregullat për skualifikimin e administratorëve dhe anëtarëve të këtyre organeve, si dhe autoritetet përgjegjëse për mbajtjen dhe administrimin e informacionit për personat e skualifikuar;
iv. një përshkrim të detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave të administratorëve, këshillit të administrimit dhe këshillit mbikëqyrës për të përfaqësuar shoqërinë në marrëdhëniet me palët e treta;
v. formatet standarde të statutit dhe të aktit të themelimit të shoqërive, në përputhje me ligjin që rregullon regjistrimin e biznesit;
k) vendos në dispozicion dispozitat e përditësuara të legjislacionit shqiptar sipas të cilave palët e treta mund të mbështeten në informacionet dhe të gjitha llojet e dokumenteve të përmendura në nenet 32, 33, 34, 35, 36, 43 dhe 46, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar;
l) vendos në dispozicion kopje të informacionit dhe dokumentacionit të përmendur në shkronjën “i”, të kësaj pike, për sistemin e ndërlidhjes si dhe për emrin dhe formën ligjore të shoqërive, selinë dhe shtetin e regjistrimit, numrin unik të identifikimit të subjektit dhe identifikuesin unik evropian (EUID), faqen e internetit të shoqërive, kur ky informacion është i regjistruar në ekstraktin tregtar, statusin e shoqërive, informacion mbi hapjen e procedurave të hapjes e të mbylljes së procedurave të likuidimit apo falimentimit të shoqërisë ose çregjistrimin e shoqërisë nga regjistri, objektin e veprimtarisë, të dhënat e administratorëve dhe të të gjithë personave që përfaqësojnë shoqërinë me palë të treta, informacionin mbi çdo degë të hapur të regjistruar nga shoqëria në një shtet të Bashkimit Evropian, duke përfshirë informacionin mbi emrin, numrin e regjistrimit, identifikuesin unik evropian (EUID) dhe shtetin ku është regjistruar dega;
ll) jep informacionin e kërkuar për publikim në portalin evropian e-Justice, në përputhje me rregullat dhe kërkesat teknike të portalit;
m) në rastin e regjistrimit në Republikën e Shqipërisë të një dege të një shoqërie të regjistruar në Bashkimin Evropian, QKB-ja informon shtetin anëtar ku shoqëria është regjistruar për regjistrimin e degës nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes;
n) në rastin e çregjistrimit të një dege të regjistruar në Republikën e Shqipërisë të një shoqërie të regjistruar në Bashkimin Evropian, QKB-ja informon shtetin anëtar, ku shoqëria është regjistruar, për çregjistrimin e degës nga regjistri tregtar nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes;
nj) vendos në dispozicion dispozitat e përditësuara të legjislacionit shqiptar, sipas të cilave palët e treta mund të mbështeten në informacionet dhe të gjitha llojet e dokumenteve të degëve të përmendura në nenet 28, pika 4, 37, 43, 46 dhe 49, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar;
o) vendos në dispozicion kopje të informacionit e të dokumentacionit të përmendur në shkronjën “m” për sistemin e ndërlidhjes si dhe për selinë dhe shtetin e regjistrimit, regjistrin e regjistrimit të shoqërisë që ka regjistruar degën, së bashku me numrin e regjistrimit në atë regjistër, emrin dhe formën ligjore të shoqërisë dhe emrin e degës, emërimin, përfundimin e mandatit dhe të dhënat e personave që përfaqësojnë shoqërinë me palë të treta, së bashku me një përmendje të kompetencave të tyre, prishjen e shoqërisë, emërimin e likuiduesve, të dhëna mbi likuiduesit dhe kompetencat e tyre, përfundimin e procesit të likuidimit, procedurat e falimentit të hapura për shoqërinë, mbylljen e degës;
p) njofton, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, për shoqëritë e regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë një degë në një shtet të Bashkimit Evropian, pa vonesë, regjistrin e shtetit anëtar ku është regjistruar dega që një ndryshim është depozituar pranë QKB-së lidhur me ndryshimin e emrit të shoqërisë, ndryshimin e selisë, formën ligjore të shoqërisë, ndryshime në personat përgjegjës për administrimin apo kompetencat e përfaqësimit, depozitimin e pasqyrave financiare;
q) në rastin e marrjes së një informacioni, sipas shkronjës “nj”, për degë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, njofton nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes marrjen e informacionit dhe përditëson dokumentacionin dhe informacionin në regjistrin tregtar pa vonesë;
r) jep, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, informacionin mbi hapjen dhe mbylljen e procedurës së likuidimit e të falimentit si dhe çregjistrimin nga regjistri tregtar të një shoqërie apo dege si dhe njofton marrjen e këtij informacioni lidhur me shoqëri apo degë të regjistruara në shtete të Bashkimit Evropian;
rr) në rastin e marrjes së informacionit për çregjistrimin e një shoqërie të regjistruar në një shtet të Bashkimit Evropian nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, QKB-ja çregjistron nga regjistri tregtar edhe degën e regjistruar në Republikën e Shqipërisë të kësaj shoqërie pa vonesë, përveçse kur çregjistrimi i shoqërisë është pasojë e ndryshimit të formës së saj ligjore, bashkimit ose ndarjes apo transferimit ndërkufitar të selisë së saj;
s) njofton, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, operacionet lidhur me operacionet ndërkufitare, të dhënat dhe dokumentacionin siç parashikohen në ligjin për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare dhe në formën siç parashikohen në vendimin nr.391, datë 3.5.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar.
sh)njofton, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, të dhënat dhe dokumentacionin mbi administratorët e ndaluar, siç parashikohen në vendimin nr.391, datë 3.5.2017, të Këshillit të Ministrave.”.
“Sistemi i ndërlidhjes”, siç përkufizohet në ligjin që rregullon regjistrimin e biznesit, është sistemi i ndërlidhjes së regjistrave tregtarë që siguron ndërveprimin e regjistrave tregtarë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Platformës Qendrore Evropiane. Ky sistem mundëson shkëmbimin automatik të të dhënave dhe ofron një pikë të vetme aksesi nëpërmjet portalit evropian e-Justice, nëpërmjet të cilit mund të kërkohet informacion mbi subjektet e themeluara në Shqipëri apo në shtetet e tjera anëtare.”.
2. Në fund të pikës 2, pas fjalës “… lejet …” shtohen fjalët “…, si dhe në ligjin që rregullon regjistrimin e pronarëve përfitues …”.
3. Pas pikës 3 shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“3. QKB-ja, për ushtrimin e funksioneve të përcaktuara në shkronjat “c”, “f”, “g” dhe “gj”, të pikës 1, të nenit 3, si dhe për çdo funksion tjetër të lejuar shprehimisht me ligj bashkërendon me Dhomën Ekonomike Kombëtare dhe bashkëvepron me të, sipas rregullimeve të kreut I, të këtij ligji.
4. Procedurat për ushtrimin e funksioneve të QKB-së, të parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, përcaktohen në ligjin që rregullon regjistrimin e biznesit, ligjin që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet, dhe në ligjin që rregullon regjistrimin e pronarëve përfitues.”.
Neni 2
Pas nenit 3 shtohet neni 3/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 3/1
Bashkëveprimi me Dhomën Ekonomike Kombëtare
1. QKB-ja, për ushtrimin e funksioneve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 3, si dhe për çdo funksion tjetër të lejuar me ligj, bashkërendon me Dhomën Ekonomike Kombëtare dhe bashkëvepron me të për:
a) identifikimin, verifikimin, saktësimin, certifikimin, shpërndarjen, përditësimin periodik vjetor dhe mirëmbajtjen e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) nga Dhoma Ekonomike Kombëtare për subjektet që kanë detyrim regjistrimin në regjistrin tregtar, sipas përcaktimeve në këtë ligj;
b) informimin dhe njoftimin e subjekteve të regjistruara në regjistrin tregtar për detyrime ligjore dhe procedurale në lidhje me regjistrin tregtar;
c) këshillimin e personave të interesuar në proceset e regjistrimit apo ndryshimeve të regjistrimit në regjistrin tregtar, regjistrin e lejeve/licencave/autorizimeve, regjistrin e pronarëve përfitues;
ç) ofrimin e shërbimeve dytësore, përfshirë kryerjen e analizave ekonomike, studimeve, statistikave zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për statistikat;
d) funksione të tjera, të lejuara në ligj.
2. Dhoma Ekonomike Kombëtare do të ketë akses si përdorues në regjistrin tregtar, regjistrin e lejeve, licencave dhe autorizimeve, regjistrin e pronarëve përfitues, për qëllimet e përcaktuara më lart, si dhe në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.
3. Mënyra, procedura dhe organizimi i aksesit, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëveprimit ndërmjet QKB-së dhe Dhomës Ekonomike Kombëtare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në mënyrë të hollësishme me marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet tyre.”.
Neni 3
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.QKB-ja ushtron funksionet e saj drejtpërdrejt për publikun, nëpërmjet portalit “e-Albania” për kryerjen e procedurave përkatëse, në përputhje me parashikimet e ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit, të ligjit që rregullon licencat, lejet dhe autorizimet dhe të ligjit që rregullon regjistrimin e pronarit përfitues.”.
2. Pikat 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 shfuqizohen.
Neni 4
Pika 3, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Drejtori i Përgjithshëm i QKB-së ushtron udhëheqjen metodologjike për zbatimin e procedurave që ndiqen sipas ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit, ligjit që rregullon licencat, autorizimet e lejet dhe ligjit që rregullon regjistrimin e pronarit përfitues dhe nxjerr, për këtë qëllim, urdhra e udhëzime të detyrueshme për nëpunësit e QKB-së.”.
Neni 5
Në pikën 1, të nenit 7, fjalët “… përfshirë nëpunësit e sportelit qendror të shërbimit dhe të sporteleve të shërbimit, të krijuara sipas pikës 7, të nenit 4, të këtij ligji,…” hiqen.
Neni 6
Neni 8 shfuqizohet.
Neni 7
Pika 2, e nenit 9, shfuqizohet
Neni 8
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Buxheti i QKB-së përbëhet nga të ardhurat dhe shpenzimet që realizohen, sipas këtij ligji, përfshirë fondet për shpenzime operative dhe kapitale. Fondet për funksionimin e QKB-së janë fonde buxhetore.”.
2. Pikat 3, 4 dhe 5 shfuqizohen.
Neni 9
Në pikën 4, të nenit 11, fjalët “… në çdo sportel shërbimi dhe …” hiqen.
Neni 10
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët “… përfshirë edhe ato të krijuara në sportelet e shërbimit …” hiqen.
2. Në pikën 2, fjalët “… nëpërmjet sportelit qendror apo nëpërmjet sporteleve të shërbimit, sipas pikave 4, 5, 7 apo 9, të nenit 4, të këtij ligji …” hiqen.
Neni 11
Pas pikës 2, të nenit 16, shtohet pika 2./1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Këshilli i Ministrave miraton mënyrën, procedurën dhe organizimin e aksesit, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëveprimit ndërmjet QKB-së dhe Dhomës Ekonomike Kombëtare, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e nenit 3/1, të këtij ligji.”.
Neni 12
Pas pikës 2, të nenit 21, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:
“3. Shkronjat “j”, “k”, “l”, “ll”, “m”, “n”, “nj”, “o”, “p”, “q”, “r”, “rr”, “s” dhe “sh”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji, hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të Traktatit të Anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
4. Disoziat e këtij ligji, që parashikojnë funksione, kompetenca dhe detyrime për Dhomën Ekonomike Kombëtare, përfshirë ato që lidhen me administrimin dhe certifikimin e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), bashkëveprimin me Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe pjesëmarrjen në procedurat e regjistrimit tregtar, hyjnë në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për Dhomën Ekonomike Kombëtare.”.
Neni 13
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.131/2015, “PËR QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
P R O J E K T L I GJs
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen ndryshimi shtesat e mëposhme:
1. Në pikën 15, fjalët “… i QKB-së, i aksesueshm nëpërmjet faqes zyrtare në internet, e hapur nga QKB-ja …” hiqen.
2. Pas pikës 16 shtohen pikat 17, 18, 19 , 20, 21, 22, 23, me këtë përmbajtje:
“17. “Format standard” është një model për aktin e themelimit të nënshkruar elektronikisht dhe statutin e një shoqërie, i hartuar në përputhje me legjislacionin, dhe përdoret për regjistrimin në mënyrë elektronike të një shoqërie, në përputhje me nenin 70/4, të këtij ligji.
18. “Regjistrimi në mënyrë elektronike” është regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër i kryer në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke përfshirë përdorimin e formateve standarde, aty ku është e zbatueshme.
19. “Portali Evropian i e-Drejtësisë” është platforma elektronike, e krijuar dhe administruar nga Komisioni Evropian, e cila shërben si pikë e vetme qasjeje për publikun, bizneset dhe administratat publike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, për të marrë informacion dhe dokumente zyrtare nga regjistrat tregtarë të ndërlidhur nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes së regjistrave (BRIS), si dhe për të kryer procedura ose kërkime të tjera gjyqësore dhe administrative me karakter ndërkufitar.
20. “Sistemi i ndërlidhjes” është sistemi i ndërlidhjes së regjistrave tregtarë, që siguron ndërlidhjen e regjistrave tregtarë të çdo shteti anëtar të Bashkimit Evropian në një platformë qendrore evropiane. Sistemi i ndërlidhjes ofron një pikë të vetme aksesi nëpërmjet portalit evropian “e-Justice”, nëpërmjet të cilit qytetarët, bizneset dhe administratat publike mund të kërkojnë informacion për subjektet e themeluara në shtete të tjera anëtare.
21. “Kodi NVE” është kodi që identifikon dhe klasifikon veprimtarinë kryesore dhe, sipas rastit, veprimtaritë e tjera, në përputhje me Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike (NVE), të harmonizuar me klasifikimin NACE të Bashkimit Evropian, sipas rishikimit në fuqi (rev. 2.1) dhe çdo rishikimi pasues, të miratuar nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën. Kodi NVE identifikohet, verifikohet, saktësohet, administrohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Dhoma Ekonomike Kombëtare, në bashkëveprim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, dhe përdoret për të përcaktuar fushën e veprimtarisë dhe objektin për efekte regjistrimi, licencimi, klasifikimi statistikor dhe shkëmbimi ndërinstitucional të të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
22. “Koordinatat gjeografike (GPS)” përbëjnë pozicionin gjeografik, që gjenerohet, regjistrohet ose verifikohet elektronikisht nga platforma e regjistrimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në ndërveprim me sistemet shtetërore të informacionit gjeohapësinor, në përputhje me standardet dhe specifikimet teknike, të miratuara nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).
23. “Dhoma Ekonomike Kombëtare” (në vijim DHEK) është personi juridik publik, që ushtron funksione përfaqësuese, koordinuese, si dhe funksione e shërbime të tjera administrative publike, në interes të subjekteve të regjistruara në regjistrin tregtar, që organizohet dhe funksionon sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 2
Në nenin 18 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Shkronja “b”, e pikës 2, shfuqizohet.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Të gjitha dokumentet dhe informacionet e dorëzuara elektronikisht, për të gjitha subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar, ruhen nga regjistri në një format të lexueshëm dhe të kërkueshëm nga pajisjet ose si të dhëna të strukturuara.”.
Neni 3
Në nenin 20 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët “… pranë çdo sporteli shërbimi të QKB-së, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht vendit të ushtrimit të veprimtarisë, vendbanimit apo selisë së aplikantit.” zëvendësohen me “… nëpërmjet portalit “e-Albania.”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ministri, me propozimin e titullarit të QKB -së, miraton formularët e aplikimit, përmbajtjen e rubrikave të tyre dhe formatin standard të akteve, sipas këtij ligji.”.
Neni 4
Pika 1, e nenit 22, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Subjektet që detyrohen të regjistrohen janë:
a) subjektet tregtare;
b) shoqëritë e thjeshta, sipas dispozitave të Kodit Civil;
c) personat fizikë, sipas kuptimit të Kodit Civil, që nuk kanë cilësinë e tregtarit, që ushtrojnë veprimtari ekonomike apo një profesion të pavarur;
ç) zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare dhe të shoqërive të huaja;
d) shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit;
dh) shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;
e) shoqëritë evropiane;
ë) shoqëritë evropiane të bashkëpunimit;
f) grupimet ekonomike me interes evropian;
g) çdo subjekt tjetër, i cili me ligj, detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së.”.
Neni 5
Në nenin 24 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 1, fjalët “… duke paguar tarifën përkatëse …” hiqen.
2. Në pikën 2, pas fjalëve “… QKB-ja lëshon …” shtohen “… në format elektronik, nëpërmjet portalit “e-Albania” …”.
Neni 6
Në nenin 25 fjalët “… përkundrejt pagesës së tarifës përkatëse …” hiqen.
Neni 7
Pikat 2, 3, 5 dhe 6, të nenit 26, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive të thjeshta bëhet nga secili prej anëtarëve, personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët apo nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.
3. Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet nga secili prej themeluesit, nga administratori ose nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike, me të cilat lidhen pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhet gjithashtu dhe nga anëtari, ortaku apo aksionari, të cilit ato i përkasin.
5. Aplikimi për regjistrimin fillestar e regjistrimet e tjera të shoqërive dhe unioneve të kursim-kreditit bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.
6. Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive të bashkëpunimit reciprok bëhet nga kryetari i këshillit administrativ ose nga çdo person i autorizuar prej tij.”.
Neni 8
Pikat 2 dhe 4, të nenit 27, ndryshojnë, si më poshtë vijon:
“2. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë hartuar sipas formaliteteve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës apo nga dispozitat e këtij ligji. Dokumentet shoqëruese ngarkohen në portalin “e-Albania” gjatë aplikimit, sipas parashikimeve të kreut VI, të këtij ligji.
4. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, aplikanti duhet të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private me karakter zyrtar dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe nga përkthyesi i licencuar. Dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Për efekt të këtij neni, “akte private me karakter zyrtar” konsiderohen dokumentet juridike, të hartuara nga persona fizikë ose juridikë privatë, të cilat, kur vërtetohen ose përpilohen nga noteri, i nënshtrohen detyrimit për apostilim ose legalizim, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.”.
Neni 9
Neni 28 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 28
Mënyra e aplikimit për regjistrimin fillestar
1. Personat fizikë regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar nëpërmjet portalit “e-Albania”, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji.
2. Shoqëritë e thjeshta regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar nëpërmjet portalit “e-Albania”, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, kontratën përkatëse, sipas parashikimeve të Kodit Civil.
3. Shoqëritë tregtare regjistrohen në regjistrin tregtar, nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta, aktet e emërimit të organeve të shoqërisë, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme, si dhe një deklaratë nga administratori ose individët e emëruar, që konfirmon përshtatshmërinë e personave të emëruar, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare, si dhe aktet e tjera të nevojshme për themelimin, sipas legjislacionit në fuqi.
3/1.Shoqëritë evropiane regjistrohen nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke depozituar aplikimin, të plotësuar me të gjitha të dhënat dhe dokumentet e detyrueshme, sipas ligjit të posaçëm për këtë lloj shoqërie.
3/2.Shoqëritë evropiane të bashkëpunimit me seli në Republikën e Shqipërisë regjistrohen nëpërmjet portalit “e-Albania” në QKB, duke depozituar aplikimin, të plotësuar me të gjitha të dhënat dhe dokumentet e detyrueshme, sipas ligjit të posaçëm për këtë lloj shoqërie.
3/3.Grupimet ekonomike me interes evropian regjistrohen nëpërmjet portalit “e-Albania” në QKB, duke depozituar aplikimin, të plotësuar me të gjitha të dhënat dhe dokumentet e detyrueshme, sipas ligjit të posaçëm për këtë lloj shoqërie.
3/4.Objekti për subjektet e referuara në nënpikat 3/1, 3/2, 3/3, të këtij neni, regjistrohet sipas dispozitave të këtij ligji, lidhur me Kodin NVE.
4. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrohen nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, si dhe:
a) aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë së huaj, kur këto janë dy dokumente të veçanta apo, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit, sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasshme;
b) dokumentacionin, që vërteton regjistrimin e shoqërisë së huaj në juridiksionin e huaj;
c) dokumentacionin, që vërteton gjendjen aktuale të shoqërisë së huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 ditë nga data e aplikimit, me të dhënat e regjistrimit dhe të përfaqësimit, përfshirë informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi;
ç) bilancin e shoqërisë së huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj, nëse shoqëria e huaj ka pasur veprimtari për më shumë se një vit;
d) vendimin ose aktet e tjera të organit përkatës të shoqërisë së huaj, sipas legjislacionit të huaj për hapjen e degës ose të zyrës së përfaqësimit. Aktet e kësaj pike zëvendësohen nga aplikimi për regjistrim, në rastin kur personi, që kërkon regjistrimin, është njëkohësisht organi përgjegjës për të vepruar i vetëm, në emër të shoqërisë së huaj.
5. Shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit, si dhe shoqëritë e bashkëpunimit reciprok, regjistrohen nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke depozituar në regjistrin tregtar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta, si dhe çdo dokument tjetër, të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 10
Në nenin 30 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në fund të shkronjës “b” shtohen fjalët “… nëpërmjet adresës së përcaktuar nga sistemi (GPS);”.
2. Në shkronjën “c”, fjalët “… në qoftë se është e përcaktuar;” zëvendësohen me “… sipas Kodit NVE;”.
Neni 11
Në nenin 31 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në shkronjën “b”, fjalët “… në qoftë se është e përcaktuar;” zëvendësohen me “… sipas Kodit NVE;”.
2. Në fund të shkronjës “c” shtohen fjalët “… nëpërmjet adresës së përcaktuar nga sistemi (GPS);”.
Neni 12
Në nenin 32 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në fund të shkronjës “d” shtohen fjalët “… nëpërmjet adresës së përcaktuar nga sistemi (GPS);”.
2. Në shkronjën “dh” fjalët “ … në qoftë se është i përcakuar;” zëvendësohen me “… sipas Kodit NVE;”.
Neni 13
Pas nenit 32 shtohen nenet 32/1, 32/2, 32/3, me këtë përmbajtje:
“Neni 32/1
Kodi NVE për subjektet që regjistrohen në regjistrin tregtar
1. Kodi i Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) është referenca zyrtare administrative për përcaktimin e objektit ose fushës së veprimtarisë kryesore dhe, sipas rastit, edhe për veprimtaritë e tjera.
2. Çdo përshkrim i fushës ose objektit të veprimtarisë, i parashikuar në aktet e themelimit apo statutin e subjektit, është i lejuar për sa kohë është në përputhje me dispozitat e të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe nuk prodhon efekte juridike të pavarura, për qëllime regjistrimi, licencimi, klasifikimi statistikor dhe shkëmbimi ndërinstitucional të të dhënave.
3. Kodi NVE mund të përfshijë veprimtarinë kryesore dhe veprimtaritë e tjera, pa kufizim numerik apo lloji, në përputhje me fushën dhe objektin e veprimtarisë së subjektit, përveç rasteve kur legjislacioni i posaçëm sektorial parashikon shprehimisht ndryshe.
4. Funksionet që lidhen me identifikimin, verifikimin, saktësimin, certifikimin, shpërndarjen, përditësimin periodik vjetor dhe mirëmbajtjen e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), për subjektet që regjistrohen në regjistrin tregtar, kryhen nga Dhoma Ekonomike Kombëtare, pa dallim anëtarësie, sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”.
5. Zbatimi i Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) bëhet në përputhje me Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike të Revizionuara (NVE rev. 2.1), të miratuar me vendimin nr.552, datë 1.10.2025, të Këshillit të Ministrave.
6. Modalitetet e zbatimit, që lidhen me identifikimin, verifikimin, saktësimin, certifikimin, shpërndarjen, përditësimin, mirëmbajtjen e Kodit (NVE), si dhe modalitetet e bashkëveprimit ndërinstitucional përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave
7. Për subjektet ekzistuese të regjistrit tregtar, që nuk janë certifikuar më parë me Kod NVE nga DHEK-ja, procedura dhe afatet përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 32/2
Kodi NVE në regjistrimin fillestar
1. Në regjistrimin fillestar, çdo subjekt që regjistrohet në regjistrin tregtar është i detyruar të deklarojë objektin ose fushën e veprimtarisë, e cila për qëllime regjistrimi, përcaktohet nëpërmjet Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) për veprimtarinë kryesore dhe, sipas rastit, edhe për veprimtaritë e tjera.
2. Procesi i identifikimit, verifikimit, saktësimit, certifikimit dhe shpërndarjes së Kodit NVE është pjesë e procesit të regjistrimit fillestar dhe kryhet nga DHEK-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Certifikimi i Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) nga DHEK-ja nuk është parakusht për regjistrimin fillestar të subjektit dhe pajisjen e tij me NIPT.
4. Subjekti është i detyruar që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e regjistrimit në regjistrin tregtar, të ngarkojë në portalin “e-Albania” certifikatën e lëshuar nga DHEK-ja dhe të saktësojë kodet përkatëse, në rast mospërputhjeje, ndërmjet deklarimit të bërë gjatë regjistrimit fillestar dhe certifikatës së lëshuar nga DHEK-ja.
5. Procedura dhe afatet për saktësimin dhe certifikimin e Kodit NVE, në rast regjistrimi fillestar, si dhe mënyra e ndërveprimit institucional ndërmjet DHEK-së dhe QKB-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Mosparaqitja e certifikatës së Kodit NVE, brenda afatit të përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, përbën shkak për kalimin e subjektit në statusin “i pezulluar”, i cili vendoset automatikisht nga QKB-ja dhe vazhdon deri në momentin e depozitimit të certifikatës së Kodit NVE.
Neni 32/3
Deklarimi i vendndodhjes së ushtrimit të veprimtarisë dhe të dhënat gjeohapësinore
1. Subjekti deklaron vendndodhjen e ushtrimit të veprimtarisë në momentin e regjistrimit fillestar, si dhe në çdo rast ndryshimi.
2. Identifikimi i vendndodhjes plotësohet për qëllime verifikimi administrativ me të dhëna gjeohapësinore (GPS), në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Modalitetet e deklarimit të vendodhjes nëpërmjet sistemit GPS do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 14
Në nenin 37 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në shkronjën “d”, fjalët “… në qoftë se kjo është e përcaktuar;” zëvendësohen me “… sipas Kodit NVE;”.
2. Në fund të shkronjës “dh” shtohen fjalët “… nëpërmjet adresës së përcaktuar nga sistemi (GPS);”.
Neni 15
Në nenin 38, fjala “… kredive …” zëvendësohet me “… kreditit …”.
Neni 16
Në nenin 39 dhe kudo në ligj, fjala “të ndërsjellë” zëvendësohet me “reciprok”.
Neni 17
Neni 41 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 41
Regjistrimi fillestar dhe kapitali themeltar
1. Vërtetimi i shlyerjes së kapitalit themeltar nuk përbën kusht për regjistrimin fillestar në regjistrin tregtar të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, me përjashtim të rastit kur në ligje të posaçme parashikohet ndryshe.
2. Në rastet kur pagesa e kapitalit apo një pjese të kapitalit është e nevojshme për regjistrimin fillestar të një shoqërie, QKB-ja do të pranojë që pagesa e kapitalit të jetë në mënyrë elektronike, në një llogari bankare të një banke që operon në një shtet të Bashkimit Evropian, dhe do të sigurojë që prova e pagesës të ofrohet edhe në mënyrë elektronike.”.
Neni 18
Në nenin 43 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në rast ndryshimi të aktit të themelimit, statutit ose ndryshimit të kontratës së shoqërisë së thjeshtë (kur është në formë të shkruar), depozitohet edhe teksti i plotë i tyre, që pasqyron ndryshimet e mëpasshme. Në rast regjistrimi të administratorëve, anëtarëve të këshillit mbikëqyrës dhe anëtarëve të këshillit të administrimit të rinj, depozitohet një deklaratë nga administratori ose individët e emëruar, që konfirmon përshtatshmërinë e personave të emëruar, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare. Për degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja depozitohet statuti dhe akti i themelimit të shoqërisë së huaj apo dokumenti ekuivalent i krijimit, sipas legjislacionit të huaj, me tekstin e plotë, që pasqyron ndryshimet e bëra.”.
2. Në pikën 3 bëhen këto shtesa:
a) Në fund të shkronjës “d” shtohen fjalët “ … nëpërmjet adresës së përcaktuar nga sistemi (GPS);”;
b) Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë”, “f”, “g” dhe “gj”, me këtë përmbajtje:
“ë) Çdo degë të shoqërive të themeluara në shtete anëtare të Bashkimit Evropian;
f) Shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare, të përcaktuara sipas ligjit të posaçëm, nëse, të paktën, njëra nga shoqëritë pjesëmarrëse në shndërrim, bashkim dhe ndarje është shoqëri shqiptare;
g) Përditësimin/konfirmimin vjetor të kodit NVE, brenda 1 viti nga data e certifikimit të fundit nga DHEK-ja;
gj) Përditësimin/konfirmimin e kodit NVE, në rast ndryshimi objekti veprimtarie, sipas certifikatës së lëshuar nga DHEK-ja.”.
3. Në pikën 4, fjala “… nominative …” hiqet.
Neni 19
Pas nenit 43 shtohen nenet 43/1, 43/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 43/1
Verifikimi periodik vjetor i Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE)
1. Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar janë të detyruara të kryejnë deklarimin periodik vjetor të Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), duke paraqitur certifikatën përkatëse të lëshuar nga DHEK-ja, jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga përfundimi i afatit 1-vjeçar të certifikatës së fundit nga DHEK-ja.
2. Mosparaqitja e certifikatës së Kodit NVE, brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, sipas parashikimeve të nënpikave 3/3 dhe 3/5, të nenit 74, të këtij ligji.
3. Procedura dhe afatet për deklarimin, verifikimin dhe certifikimin vjetor të Kodit NVE nga DHEK-ja, si dhe mënyra e ndërveprimit institucional ndërmjet DHEK-së dhe QKB-së përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 43/2
Kodi NVE në rast ndryshimi të objektit të veprimtarisë
1. Në rast ndryshimi të objektit ose fushës të veprimtarisë, subjekti është i detyruar të aplikojë për regjistrimin e ndryshimit përkatës pranë regjistrit tregtar, duke ngarkuar në aplikim certifikatën e Kodit NVE, të lëshuar nga DHEK-ja, së bashku me dokumentacionin tjetër shoqërues, sipas legjislacionit në fuqi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e lëshimit të certifikatës nga DHEK-ja.
2. Kur nga verifikimet e kryera konstatohet mungesa, pasaktësia, pavlefshmëria ose mospërputhja me kërkesat ligjore e certifikatës së lëshuar nga DHEK-ja, si dhe mangësi apo pasaktësi të tjera në dokumentacionin shoqërues të aplikimit, QKB-ja njofton subjektin për arsyet e pezullimit. Subjekti është i detyruar të plotësojë ose të korrigjojë të metat e konstatuara, brenda një afati maksimal prej 21 (njëzet e një) ditësh kalendarike nga data e njoftimit. Nëse subjekti nuk i plotëson ose korrigjon të metat brenda këtij afati, aplikimi refuzohet.
3. Mosparaqitja e certifikatës së Kodit NVE, brenda afatit të pikës 1, të këtij neni, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe sanksionohet nga QKB-ja, sipas parashikimeve të nënpikave 3/4 dhe 3/5, të nenit 74, të këtij ligji.
4. Procedura dhe afatet për deklarimin, verifikimin dhe certifikimin e Kodit NVE nga DHEK-ja, në rast ndryshimi objekti ose fushe veprimtarie, si dhe mënyra e ndërveprimit institucional, ndërmjet DHEK-së dhe QKB-së, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 20
Neni 45 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 45
Regjistrimet e akteve të autoriteteve publike
1. QKB-ja, regjistron në regjistrin tregtar dhe publikon, kryesisht ose me aplikim, nga çdo person i interesuar, aktet e autoriteteve publike për të dhënat e regjistruara ose veprimtarinë e subjektit tregtar.
2. Regjistrimi kryhet brenda afatit njëditor, nga data e paraqitjes së aplikimit.”.
Neni 21
Neni 46 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 46
Depozitimi i pasqyrave financiare dhe ndërveprimi ndërinstitucional
1. Çdo subjekt që ka detyrim për hartimin dhe paraqitjen e pasqyrave financiare vjetore, si dhe dokumenteve shoqëruese, sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, përfshirë raportin e ecurisë së veprimtarisë, raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, në rastet kur përgatitja e tyre është e detyrueshme, i depoziton këto dokumente, së bashku me raportet shoqëruese, pranë QKB-së, jo më vonë se data 30 prill e viti pasardhës për subjektet tregtare, person fizik, dhe jo më vonë se data 30 qershor të vitit pasardhës për subjektet tregtare, person juridik.
2. Pasqyrat financiare dhe dokumentacioni shoqërues depozitohen pranë QKB-së, në formë elektronike të strukturuar, në përputhje me modelet dhe standardet e miratuara, sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.
3. Depozitimi i pasqyrave financiare dhe dokumentacionit shoqërues pranë QKB-së do të shoqërohet me shkëmbim dhe ndërveprim automatik të dhënave me administratën tatimore, nëpërmjet sistemeve elektronike ndërinstitucionale, sipas përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Pasqyrat financiare, të depozituara pranë QKB-së, konsiderohen burim zyrtar i të dhënave financiare për institucionet publike dhe nuk kërkohet riparaqitja e tyre pranë administratës tatimore.”.
Neni 22
Në nenin 54 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. QKB-ja asiston aplikantin në plotësimin e aplikimit dhe verifikon:
a) identitetin dhe zotësinë për të vepruar të nënshkruesit, si edhe faktin nëse është person i autorizuar për të bërë regjistrimin;
b) plotësimin e të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara, si dhe dokumentet shoqëruese;
c) paraqitjen, në formën e kërkuar, të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;
ç) faktin nëse të dhënat e shprehura në formularin e regjistrimit nuk kundërshtojnë, në mënyrë të dukshme, të dhënat që përmbajnë dokumentet, që shoqërojnë formularin;
d) faktin nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë, është e palexueshme apo pengon marrjen e imazhit elektronik;
dh) nëse emri i zgjedhur mund të regjistrohet;
e) faktin nëse aplikuesi ka shlyer sanksionet administrative të dhëna dhe ka kryer regjistrimet e kërkuara, sipas nenit 46, të këtij ligji;
ë) vlefshmërinë e mjetit të identifikimit elektronik;
f) verifikimin e emërimit të administratorëve;
g) përdorimin e saktë të formatit standard, sipas nenit 70/4, të këtij ligji, nëse është e zbatueshme;
gj) certifikimin e Kodit NVE nga Dhoma Ekonomike Kombëtare.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. QKB-ja nuk shqyrton saktësinë e të dhënave ose vërtetësinë e dokumenteve, që i bashkëlidhen aplikimit për regjistrim apo përputhshmërinë e përmbajtjes së tyre me kërkesat e ligjit në fuqi. Përjashtimisht, në rastin e procedurave për emërimin dhe shkarkimin e administratorit, QKB-ja verifikon përmbushjen e kërkesave të ligjit nr.9901 datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, si dhe noterizimin e vendimit të asamblesë, si kusht për vlefshmërinë e tij.”.
3. Pas pikës 6 shtohet pika 7, me këtë përmbajtje:
“7. Përpunimi i të dhënave personale, që kryhet në kuadër të këtij ligji, i nënshtrohet parashikimeve të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.”.
Neni 23
Në pikën 1, të nenit 55, fjalët “… dhe lëshon certifikatën e regjistrimit …” hiqen.
Neni 24
Neni 56 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 56
Pezullimi aplikimit
1. Në rastet kur pas verifikimeve, të parashikuara në nenin 54, të këtij ligji, rezulton se nuk janë përmbushur kushtet për regjistrim, ka sanksione administrative të papaguara apo nuk janë kryer regjistrimet e kërkuara, sipas nenit 46, të këtij ligji, QKB-ja pezullon aplikimin dhe njofton aplikuesin nëpërmjet portalit “e-Albania” për shkakun e saktë të pezullimit, duke i dhënë një afat prej 21 ditësh kalendarike, për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin.
2. Njoftimi i shkakut të pezullimit bëhet nëpërmjet një formulari standard të QKB-së, i cili dërgohet elektronikisht nëpërmjet portalit “e-Albania” me vulë digjitale. Nëse aplikanti plotëson ose ndreq elementet që pengojnë regjistrimin, brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, QKB-ja është e detyruar të kryejë regjistrimin brenda një afati 1-ditor nga data e plotësimit ose ndreqjes së dokumentacionit. Në këtë rast, regjistrimi mban datën e paraqitjes së aplikimit të parë.”.
Neni 25
Në nenin 57 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) aplikimi nuk është në përputhje me kriteret e përcaktuara në këtë ligj dhe aplikanti nuk plotëson elementet, që pengojnë regjistrimin brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj;”.
2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Refuzimi i njoftohet aplikantit në rrugë elektronike, sipas formularit standard, në të cilin jepet edhe shkaku i këtij refuzimi. Riaplikimi nga subjekti pas refuzimit trajtohet si aplikim i ri.”.
Neni 26
Titulli i seksionit II ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Regjistrimi i njëkohshëm, numri unik i identifikimit, identifikuesi unik evropian, publikimi dhe lëshimi i certifikatave.”.
Neni 27
Pas nenit 60 shtohet neni 60/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 60/1
Identifikuesi unik evropian (EUID)
“1. Me regjistrimin në regjistër, subjekteve u jepet një identifikues unik evropian (EUID), që bën të mundur identifikimin e tyre në mënyrë të qartë në kontekstin e komunikimeve ndërmjet regjistrave, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes. Ky identifikues unik evropian përfshin elemente që mundësojnë identifikimin e Republikës së Shqipërisë në sistemin e ndërlidhjes, regjistrin tregtar, numrin unik të identifikimit të subjektit dhe, kur është e nevojshme, karakteristika për të shmangur gabimet në identifikim.
2. Identifikuesi unik evropian u caktohet në mënyrë automatike gjithashtu të gjitha subjekteve ekzistuese, të regjistruara në regjistrin tregtar të QKB-së.
3. Identifikuesi unik evropian jepet vetëm një herë dhe është i pandryshueshëm, si dhe nuk u jepet subjekteve të tjera edhe pas çregjistrimit.”.
Neni 28
Paragrafi i katërt, i nenit 62, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Certifikata e regjistrimit në format elektronik lëshohet për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë. Subjekti detyrohet të afishojë certifikatën përkatëse në çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë”.
Neni 29
Në nenin 65 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Pasaktësitë, gabimet e shtypit ose gabimet e tjera të dukshme të këtij lloji, të bëra gjatë regjistrimeve, të cilat rezultojnë qartë nga dokumentacioni i depozituar dhe nuk cenojnë vlefshmërinë e regjistrimit, mund të korrigjohen nga QKB-ja, kryesisht, apo aplikimit nëpërmjet portalit “e-Albania”.”.
2. Pika 4 shfuqizohet.
Neni 30
Në nenin 66, fjalët “… pranë çdo sporteli shërbimi …” hiqen.
Neni 31
Neni 67 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 67
Ekstraktet e regjistrit
1. QKB-ja konfirmon të dhënat e regjistruara nga subjektet, nëpërmjet lëshimit pa pagesë të ekstrakteve të regjistrit tregtar, të cilat përmbajnë vetëm të dhënat bazë, në format elektronik, në faqen web të QKB-së ose të pajisura me vulë elektronike, nëpërmjet portalit “e-Albania”.
2. Ekstrakti tregtar përmban të dhënat bazë të subjektit dhe përfshijnë:
a) numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS);
b) emrin e subjektit;
c) formën ligjore;
ç) datën e regjistrimit dhe datën e themelimit;
d) kohëzgjatjen e shoqërisë, kur është e përcaktuar;
dh) adresën e zyrës qendrore;
e) statusin e subjektit;
ë) kapitalin e regjistruar;
f) objektin e veprimtarisë, sipas të dhënave të regjistrit tregtar;
g) të dhëna bazë për organet përfaqësuese/ pjesëmarrësit në kapitalin e subjektit dhe administruese, në masën që këto pasqyrohen në regjistrin tregtar;
gj) identifikuesin EUID;
h) informacionin nëse personat e autorizuar për të përfaqësuar subjektin mund ta përfaqësojnë atë individualisht apo kërkohet përfaqësim i përbashkët;
i) informacionin për çdo degë të hapur nga subjekti në një shtet tjetër anëtar, duke përfshirë emrin, numrin e regjistrimit, EUID-in dhe shtetin anëtar, ku është regjistruar dega.
3. Përveç të dhënave bazë, të referuara në pikën 1, të këtij neni, QKB-ja, nëpërmjet ekstraktit historik, konfirmon të dhënat e zgjeruara të subjektit, të cilat përfshijnë çdo të dhënë ose informacion të subjektit, duke nisur nga data e regjistrimit deri në datën e lëshimit të ekstraktit nga QKB-ja. Ekstraktet historike lëshohen pa pagesë, në format elektronik, nëpërmjet faqes zyrtare të QKB-së ose përmes portalit “e-Albania”, të pajisura me vulë elektronike.”.
4. Ministri përgjegjës, me propozimin e titullarit të QKB-së, miraton formatin e ekstrakteve të thjeshtë dhe historik.
Neni 32
Neni 68 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 68
Vërtetimi i dokumenteve shoqëruese
1. Vërtetimi i dokumenteve shoqëruese në format shkresor, si rregull, lëshohet nga QKB-ja, si kopje e njëjtë me dokumentin elektronik, për të dhënat e regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse.
2. Për dokumentacionin që lidhet me regjistrimet e ekstraktit historik, QKB-ja lëshon kopje të dokumenteve shoqëruese, si kopje e vërtetuar e të dhënave, të regjistruara në regjistrin tregtar.
3. Në rast se kërkesa, sipas pikës 2, të këtij neni, paraqitet nga një person i interesuar, i ndryshëm nga subjekti, kërkuesi deklaron arsyen e përdorimit për qëllime informimi, pa përbërë kusht pengues për pajisjen me dokumentacionin nga QKB-ja, brenda 10 ditësh punë, pas pagesës së tarifës së shërbimit. Tarifa e shërbimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Në rastet kur kërkesa paraqitet nga subjektet që u përkasin të dhënat e regjistruara në regjistrin tregtar apo nga institucionet publike, dokumentacioni shoqërues, sipas pikës 2, të këtij neni, i vihet në dispozicion në çdo kohë dhe pa pagesë nga QKB-ja.
5. Në rastet kur të dhënat dhe dokumentet e depozituara në regjistër vihen në dispozicion të publikut, të dhënat personale i nënshtrohen anonimizimit, përpara publikimit ose dhënies së aksesit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.”.
Neni 33
Neni 70/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 70/1
Identifikimi elektronik
1. Veprimet pranë sportelit elektronik të QKB-së, për të cilat ky ligj kërkon identifikimin elektronik, kryhen nëpërmjet mjeteve elektronike, që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik.
2. Për veprimet që lidhen me shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë komandite dhe degët e tyre, Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) garanton mundësinë e përdorimit të mjeteve elektronike edhe nga shtetasit e Bashkimit Evropian. Identifikimi elektronik i shtetasve të Bashkimit Evropian mund të kryhet edhe nëpërmjet një mjeti identifikimi elektronik, të lëshuar sipas një skeme të identifikimit elektronik të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe të njohur për qëllime të autentifikimit ndërkufitar.
3. Të gjitha mjetet e identifikimit, të njohura nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, publikohen në faqen zyrtare të internetit të QKB-së.
4. Kur është e justifikueshme, në mbrojtje të interesit publik, për të parandaluar keqpërdorimin ose ndryshimin e identitetit, QKB-ja, për qëllime të verifikimit të identitetit të një aplikanti, mund të marrë masa që mund të kërkojnë praninë fizike të atij aplikanti për të trajtuar çdo aspekt të procedurave në internet, të përmendura në këtë ligj, duke përfshirë hartimin e aktit të themelimit të një shoqërie. Prania fizike e aplikantit mund të kërkohet vetëm rast pas rasti, kur ekzistojnë arsye për të dyshuar për falsifikim të identitetit dhe që çdo hap tjetër i procedurës mund të realizohet në internet.”.
Neni 34
Neni 70/2 ndryshohet, si më pohtë vijon:
“Neni 70/2
Kushtet procedurale dhe teknike
Ministri përgjegjës për ekonominë përcakton me urdhër kushtet, afatet dhe procedurat për ofrimin e shërbimeve nga QKB-ja, nëpërmjet portalit “e-Albania”, në zbatim të këtij ligji.”.
Neni 35
Pas nenit 70/2 shtohen nenet 70/3, 70/4 dhe 70/5, me këtë përmbajtje:
“Neni 70/3
Regjistrimi në mënyrë elektronike
1. Përveçse sa parashikohet ndryshe në këtë ligj, QKB-ja garanton regjistrimin plotësisht në mënyrë elektronike për të paktën shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, shoqëritë aksionare, shoqëritë komandite dhe degët e tyre, ku regjistrimi mund të kryhet plotësisht përmes portalit “e-Albania”, pa qenë e nevojshme që aplikantët të paraqiten personalisht pranë QKB-së për të trajtuar çdo aspekt të regjistrimit në mënyrë elektronike, duke përfshirë hartimin e aktit të themelimit dhe statutit të një shoqërie, për të cilët mund të përdoren formatet standarde.
2. QKB-ja siguron që për procesin e regjistrimit, në mënyrë elektronike të subjekteve, duke përfshirë përdorimin e formateve standarde, të referuara në këtë ligj, depozitimi i dokumenteve dhe informacionit të mund të kryhet plotësisht në formë elektronike.
3. Gjatë regjistrimit të një dege të një shoqërie, të themeluar në një shtet të Bashkimit Evropian, QKB-ja mund të verifikojë informacionin në lidhje me shoqërinë nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes.
4. Kur është e justifikueshme, në mbrojtje të interesit publik, për të garantuar respektimin e rregullave për zotësinë juridike dhe kompetencën e aplikantëve për të përfaqësuar një subjekt, QKB-ja, për të trajtuar çdo aspekt të regjistrimit në mënyrë elektroniket, duke përfshirë hartimin e aktit të themelimit, mund të kërkojë që aplikanti të paraqitet fizikisht. Prania fizike e aplikantit mund të kërkohet vetëm rast pas rasti kur ekzistojnë arsye për të dyshuar për mosrespektim të rregullave të lidhura me zotësinë juridike për të vepruar dhe kompetencën e aplikantëve për të përfaqësuar një shoqëri. Kushtet për të kërkuar praninë fizike të aplikantit do të parashikohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 70/4
Formatet standarde
1. QKB-ja vendos në dispozicion formate standarde për aktthemelimin dhe statutin e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, shoqërive aksionare dhe shoqërive komandite në faqen zyrtare të internetit, e cila është e aksesueshme përmes portalit evropian të “e-Drejtësisë”.
2. QKB-ja garanton që formatet standarde të mund të përdoren nga aplikantët, në kuadër të procedurës së krijimit të shoqërive përmes internetit, të përmendur në nenin 70/3, të këtij ligji. Kur këto formate standarde përdoren nga aplikantët, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kërkesa për hartimin dhe certifikimin e akteve të themelimit të shoqërisë, në formën e rregullt, ligjore konsiderohet se është përmbushur.
3. Formatet standarde do të vendosen në dispozicion edhe në gjuhën angleze, si një gjuhë e kuptuar gjerësisht nga numri më i madh i mundshëm i përdoruesve ndërkufitarë.
Neni 70/5
Pjesëmarrja në sistemin e ndërlidhjes së regjistrave
1. Republika e Shqipërisë merr pjesë në sistemin e ndërlidhjes së regjistrave të Bashkimit Evropian dhe garanton ndërveprueshmërinë e regjistrit tregtar, brenda sistemit të ndërlidhjes së regjistrave.
2. Kopjet elektronike të dokumenteve dhe informacioneve për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera bëhen publike, në një format standard mesazhesh dhe të aksesuesshme përmes mjeteve elektronike, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes së regjistrave të Bashkimit Evropian.
3. QKB-ja do të garantojë që dokumentet dhe informacionet në vijim të vihen në dispozicion falas, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes së regjistrave:
a) Emri dhe forma ligjore e subjektit;
b) Selia e shoqërisë;
c) Numri unik i identifikimit të subjektit dhe identifikues unik evropian i tij;
ç) Statusi i subjektit (d.m.th. çregjistrimi i saj nga regjistri, prishja, faktin nëse është në proces likuidimi, falimenti, nëse është aktiv apo pasiv);
d) Objekti i subjektit;
dh) Të dhënat e çdo personi, të cilët, qoftë si organ ose si anëtarë të një organi të tillë, aktualisht janë të autorizuar nga subjekti për ta përfaqësuar atë në marrëdhëniet me palë të treta dhe në procedurat ligjore, si dhe informacionin nëse personat e autorizuar për ta përfaqësuar subjektin mund ta bëjnë këtë, duke vepruar individualisht apo bashkërisht me të tjerë;
e) Informacioni për çdo degë të hapur në Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë emrin, numrin unik të identifikimit të subjektit dhe identifikuesin unik evropian.
4. Pas regjistrimit në Republikën e Shqipërisë të një dege të një shoqërie të regjistruar në një shtet të Bashkimit Evropian, QKB-ja do të njoftojë, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, shtetin anëtar ku është regjistruar shoqëria për regjistrimin e degës.
5. Pas çregjistrimit të një dege të një shoqërie të regjistruar në një shtet të Bashkimit Evropian, QKB-ja njofton, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, regjistrin e shtetit anëtar ku është regjistruar shoqëria se dega e saj është mbyllur dhe është çregjistruar nga regjistri tregtar.
6. Pas marrjes së njoftimit nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian se një degë e një shoqërie të regjistruar në Republikën e Shoqërisë është themeluar në shtetin anëtar, QKB-ja do të konfirmojë marrjen e njoftimit me anë të sistemit të ndërlidhjes dhe do të regjistrojë informacionin në regjistrin tregtar pa vonesë.
7. Pas marrjes së njoftimit nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian se një degë e një shoqërie të regjistruar në Republikën e Shqipërisë është mbyllur dhe është çregjistruar në shtetin anëtar, QKB-ja do të konfirmojë marrjen e njoftimit me anë të sistemit të ndërlidhjes dhe do të regjistrojë informacionin në regjistrin tregtar pa vonesë. Degët do të çregjistrohen nga regjistri tregtar pa vonesë.
8. QKB-ja do të njoftojë pa vonesë, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, për shoqëritë e themeluara në Republikën e Shqipërisë, shtetin anëtar ku është regjistruar një degë e shoqërisë, në rast se është depozituar një ndryshim në lidhje me:
a) emrin e shoqërisë;
b) selinë e regjistruar të shoqërisë;
c) numrin e regjistrimit të shoqërisë në regjistër;
ç) formën ligjore të shoqërisë;
d) emërimin, përfundimin e detyrës dhe të dhënat e personave që janë të autorizuar të përfaqësojnë shoqërinë në marrëdhëniet me palë të treta apo që marrin pjesë në administrimin, mbikëqyrjen ose kontrollin e shoqërisë;
dh) dokumentet kontabël për çdo vit financiar, përveçse për degët e institucioneve të kreditit dhe të institucioneve financiare të themeluara në një shtet anëtar, që e kanë zyrën qendrore jashtë atij shteti anëtar.
9. Pas marrjes së një njoftimi, sipas pikës 8, të këtij neni, në lidhje me një shoqëri të regjistruar në një shtet të Bashkimit Evropian dhe që ka degë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, QKB-ja konfirmon marrjen e njoftimit dhe garanton përditësimin pa vonesë të informacioneve dhe dokumenteve.
10. Shkëmbimi i çdo informacioni nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes do të bëhet falas.”.
Neni 36
Në nenin 72 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Ankimi administrativ, sipas nenit 71, të këtij ligji, i drejtohet titullarit të QKB-së dhe paraqitet, sipas formave e procedurave, të përcaktuara nga Kodi i Procedurave Administrative, si edhe nëpërmjet portalit “e-Albania”.”.
2. Në pikën 2, togfjalëshi “… brenda 5 ditëve …” zëvendësohet me “… brenda 15 ditëve …”.
Neni 37
Pas nënpikës 3/2, të nenit 74, shtohen nënpikat 3/3, 3/4, 3/5 dhe 3/6, si më poshtë vijon:
“3/3. Mosrespektimi i detyrimeve, të parashikuara në nenin 43/1, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.
3/4. Mosrespektimi i detyrimeve, të parashikuara në nenin 43/2, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.
3/5. Përveç gjobës së parashikuar në pikat 3/3, 3/4, të këtij neni, ndaj subjektit pezullohet e drejta për kryerjen e veprimeve në regjistrin tregtar, deri në saktësimin/përditësimin dhe certifikimin e Kodit NVE nga DHEK-ja.
3/6. Heqja e masës së pezullimit kryhet menjëherë pas depozitimit në regjistrin tregtar të certifikatës së Kodit NVE, të lëshuar nga DHEK-ja, si dhe pas reflektimit përkatës të këtij kodi në regjistër.”.
Neni 38
Pas pikës 5, të nenit 76, shtohen pikat 6, 7 dhe 8, me këtë pëmbajtje:
“6. Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore, në zbatim të nenit 32/1, pikat 6 dhe 7, nenit 32/2, pika 5, nenit 32/3, pika 3, nenit 43/1, pika 4, nenit 43/2, pika 4, nenit 46, pika 3, dhe nenit 68, pika 3, të nenit 70/3, pika 4, të këtij ligji.
7. Deri në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ministri përgjegjës për ekonominë miraton, me urdhër, formatin standard, në zbatim të nenit 20, pika 2, dhe nenit 70/4, të këtij ligji.
8. Ministri përgjegjës për ekonominë miraton:
a) formatin e ekstrakteve të regjistrit tregtar, në zbatim të pikës 4, të nenit 67, të këtij ligji;
b) kushtet, afatet dhe procedurat për ofrimin e shërbimeve nga QKB-ja nëpërmjet portalit “e-Albania”, në zbatim të nenit 70/2, të këtij ligji.”.
Neni 39
Pas nenit 78 shtohet neni 78/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 78/1
1. Neni 28, nënpika 3/4, neni 30, shkronjat “b” dhe “c”, neni 31 shkronjat “b” dhe “c”, neni 32, shkronjat “d” dhe “dh”, neni 32/1, neni 32/2, neni 32/3, neni 37, shkronjat “d” dhe “dh”, neni 43, pika 2, pika 3, shkronjat “g” dhe “gj”, neni 43/1, neni 43/2, neni 46, neni 54, pika 1, neni 67, me përjashtim të pikës 2, shkronjat “gj”, “h”, “i”, neni 68, neni 74 nënpikat 3/3, 3/4 , 3/5 , 3/6, bëhen të zbatueshme pas plotësimit të kushteve, që lidhen me anën teknike të sistemit dhe ndërveprimin ndërinstitucional.
2. Parashikimet e këtij ligji për funksione, kompetenca dhe detyrime për Dhomën Ekonomike Kombëtare, përfshirë ato që lidhen me administrimin dhe certifikimin e Kodit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE), bashkëveprimin me Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe pjesëmarrjen në procedurat e regjistrimit tregtar, hyjnë në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për Dhomën Ekonomike Kombëtare.”.
Neni 40
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të:
a) nenit 70/1, pikat 2, 3 dhe 4, nenit 70/3, dhe nenit 70/4, të cilët hyjnë në fuqi brenda 12 muajve nga miratimi i këtij ligji;
b) nenit 60/1, nenit 67, pika 2, shkronjat “gj”, “h”, “i”, dhe nenit 70/5, të cilat kërkojnë ndërlidhje me regjistrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, hyjnë në fuqi në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9723, DATË 3.5.2007, “PËR REGJISTRIMIN E BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU