Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shtator 2021:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9917, DATË 19.5.2008, “PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. “Bankë guaskë” është një bankë ose institucion financiar apo një institucion që kryen aktivitete të ngjashme me ato që kryhen nga bankat ose institucionet financiare, e cila, pavarësisht se është themeluar në territorin e një vendi, nuk ka prani fizike në të, si dhe nuk është pjesë e një grupi të rregulluar financiar. Për qëllime të këtij përkufizimi, prania fizike nënkupton ekzistencën e funksioneve drejtuese dhe administruese në territorin e vendit në të cilin është themeluar banka. Ekzistenca vetëm e agjentëve lokalë apo e punonjësve të nivelit të ulët nuk përbën prani fizike.”.

2. Pika 3.1 shfuqizohet.

3. Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:

“7/1. “Marrëdhënie korrespondente” është:

a) ofrimi i shërbimeve bankare nga një bankë si korrespondente te një bankë tjetër si pritëse, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve të llogarisë rrjedhëse apo të llogarive të tjera të detyrimit dhe të shërbimeve të ndërlidhura, si administrimi i parave, transferimi ndërkombëtar i fondeve, klerimi/shlyerja e çeqeve, llogaritë për pagesa dhe shërbimet e këmbimit valutor;
b) marrëdhënia ndërmjet bankave dhe institucioneve financiare, duke përfshirë rastet kur shërbimet e ngjashme ofrohen nga një institucion korrespondent te një institucion pritës, duke përfshirë marrëdhëniet e krijuara për transaksionet e titujve apo transferimin e fondeve.”.

4. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10. “Personat e ekspozuar politikisht”, në kuptim të këtij ligji, janë:

a) individët, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, pavarësisht nëse kanë detyrimin për deklarimin sipas legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë;
b) individët, të cilët kanë apo kanë pasur funksione të rëndësishme si brenda vendit apo jashtë vendit, në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, të tillë si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, ministra, zëvendësministra ose pozicione të ngjashme me to, anëtarë të Kuvendit ose organeve legjislative të ngjashme, politikanë të lartë, anëtarë të organeve drejtuese të partive politike, gjyqtarët e gjykatave të larta ose kushtetuese si dhe çdo gjyqtar i një gjykate, ndaj vendimeve të së cilës nuk mund të ushtrohen mjetet e zakonshme të ankimit, anëtarët e organeve drejtuese të bankave qendrore, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë si dhe oficerët me gradë madhore në Forcat e Armatosura, drejtuesit e lartë dhe/ose anëtarët e organeve drejtuese të shoqërive shtetërore, si dhe drejtorët, zëvendësdrejtorët ose anëtarët e bordit ose çdo pozicion tjetër i ngjashëm me to në një organizatë ndërkombëtare. Për qëllime të kësaj shkronje, persona të ekspozuar politikisht janë edhe anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personave të mësipërm.
Individët e përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, do të konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 3 (tri) vite pas largimit nga funksioni.”.

5. Pas pikës 10 shtohen pikat 10/1 dhe 10/2, me këtë përmbajtje:

“10/1. Anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë:

a) bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht;
b) fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set;
c) prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.

10/2. Persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personit të ekspozuar politikisht për qëllime të këtij ligji janë:

a) individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht;
b) personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht. ”.

6. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“12.“Pronar përfitues” ka të njëjtin kuptim si në legjislacionin në fuqi për Regjistrin e Pronarëve Përfitues.”.

7. Në pikën 13, fjala “pronësi” zëvendësohet me fjalën “pasuri”.

8. Pika 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“19. “Trust” është marrëdhënia ligjore midis të gjallëve apo për shkak të vdekjes, me të cilën një person, themeluesi, vendos asete nën kontrollin e një kujdestari për llogari të një përfituesi apo për një qëllim të posaçëm. Trusti ka karakteristikat e mëposhtme:

a) Asetet formojnë një zë të ndarë dhe nuk përfshihen në pasurinë e kujdestarit;
b) Titulli i aseteve të trustit mbahet nga kujdestari apo nga një person tjetër për llogari të kujdestarit;
c) Kujdestari ka të drejtën dhe detyrën për të kryer me përgjegjshmëri administrimin, përdorimin dhe disponimin e aseteve në përputhje me kushtet e trustit dhe detyrimet e posaçme të parashikuara me ligj.”.

9. Në pikën 25, pas fjalëve “… është një pasqyrim digjital i një vlere që mund …” shtohet fjala “… të depozitohet …” dhe pas fjalës “… investimesh …” shtohen fjalët “… apo si mjet shkëmbimi …”.

10. Në pikën 26, në nënndarjen “ii”, pas fjalëve “… pasurive të çdo lloji …” shtohen “… me vlerë mbi 1 000 000 (një milion) lekë …”.

11. Në pikën 29 hiqet fjala “financiar”.

Neni 2

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në shkronjën “e”, fjalët “… shtëpi brokerimi …” zëvendësohen me “… shoqëri komisionere …”.

2. Shkronja “gj” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“gj) avokatët, noterët dhe profesionet e tjera, kur përgatisin transaksione apo kur marrin pjesë duke vepruar në emër dhe për llogari të klientit të tyre në çfarëdo transaksioni financiar apo të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme apo duke ndihmuar në planifikimin dhe kryerjen e transaksioneve për klientët e tyre, apo kryejnë veprime të tjera që mund të rezultojnë si mbështetje për përcaktimin e vlerës së kuotave të pronësisë apo për kryerjen e transaksioneve të mëposhtme:
i. Kalimin e pronësisë të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, administrimin e parave, titujve ose të aseteve të tjera;
ii. Hapjen apo administrimin e llogarive bankare, të kursimeve apo të kasetave të sigurisë;
iii. Administrimin e pjesëve të kapitalit që do të përdoren për themelimin, funksionimin ose administrimin e shoqërive tregtare;
iv. Krijimin, funksionimin, blerjen, shitjen ose administrimin e personave juridikë dhe/ose organizimeve ligjore;
v. Marrëveshjet ligjore, shitblerjen e aksioneve ose të pjesëve të kapitalit të shoqërive aksionare dhe transferimin e veprimtarive tregtare, rritjet apo pakësimet e kapitalit, përcaktimin e pjesëve;
vi. Aktet që lidhen me njohjen apo shlyerjen e detyrimeve ndërmjet personave.”.

3. Në shkronjën “h”, pas fjalëve “… që lidhen me blerje ose shitje të pasurive të paluajtshme …” shtohen “… apo kur veprojnë si ndërmjetës në dhënien me qira të pasurive të paluajtshme, në lidhje me transaksionet për të cilat qiraja mujore arrin në vlerën e barabartë apo më të madhe se 500 000 (pesëqind mijë) lekë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura …”.

4. Në fillim të nënndarjes “v”, të shkronjës “k”, hiqen fjalët “… shitblerjen e veprave të artit apo …”.

5. Pas nënndarjes “v”, të shkronjës “k”, shtohen nënndarjet “v/1” dhe “v/2”, me këtë përmbajtje:

“v/1. shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit, përfshirë kur kjo kryhet nga galeritë e artit apo shtëpitë e ankandeve, kur vlera e transaksionit të vetëm apo e transaksioneve të lidhura me njëra-tjetrën është e barabartë apo më e madhe se 1 000 000 (një milion) lekë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën;
v/2. magazinimin, shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit, kur kjo kryhet në “zonat e lira”, kur vlera e transaksionit të vetëm apo e transaksioneve të lidhura me njëra-tjetrën është e barabartë apo më e madhe se 1 000 000 (një milion) lekë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën.”.

6. Pas shkronjës “ll” shtohen shkronjat “m” dhe “n”, me këtë përmbajtje:

“m) çdo individ, person fizik apo juridik, që tregton mallra apo shërbime në masën që kryen apo pranon pagesa në para fizike në një shumë prej 1 000 000 (një milion) lekësh ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura;
n) audituesit ligjorë, kontabilistët e miratuar, këshilltarët tatimorë, si dhe çdo person tjetër që merr përsipër të ofrojë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet personave të tjerë me të cilët ai person ka lidhje, ndihmë materiale, asistencë apo këshillim për çështje tatimore, si biznes kryesor apo veprimtari profesionale.”.

Neni 3

Në nenin 3/1 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Në pikën 2, fjala “Organizimet” zëvendësohet me fjalët “Kujdestarët e organizimeve”;.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Personi përgjegjës për zbatimin e detyrimeve të organizimeve ligjore që rrjedhin nga ky ligj është kujdestari i këtyre organizimeve.”.

Neni 4

Në shkronjën “c”, të nenit 4, pas fjalës “… vërtetësinë …” shtohen fjalët “… ose përshtatshmërinë …”.

Neni 5

Në pikën 1, të nenit 4/1, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Në shkronjën “b” shtohet nënndarja “iii”, me këtë përmbajtje:

“iii) në rastin e përfituesve të trusteve apo organizimeve ligjore të përcaktuara në bazë të karakteristikave apo klasës duhet të marrin informacion të mjaftueshëm rreth përfituesit në mënyrë që të garantohet identifikimi i përfituesit në momentin e kryerjes së pagesës apo të ushtrimit të të drejtave nga përfituesi.”;

2. Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:

“b/1) Për sigurimin e jetës apo sigurimet e tjera të lidhura me investimet përveç ushtrimit të detyrueshëm të masave që duhet të ndërmerren për ushtrimin e vigjilencës së duhur ndaj klientit dhe pronarit përfitues, subjektet marrin masat e mëposhtme ndaj përfituesit të sigurimit të jetës dhe policave të tjera të sigurimit të lidhura me investimet, sapo përfituesi/sit identifikohet/hen apo përcaktohet/hen:

i. Në rast të përfituesve të identifikuar si persona të emëruar specifikisht apo në rastin e organizimeve ligjore, merren të dhënat për identifikimin e personit;
ii. Në rastin e përfituesve të përcaktuar në bazë të karakteristikave, klasës apo nga mjete të tjera, banka apo institucioni financiar duhet të marrin informacion të mjaftueshëm në lidhje me përfituesin/sit, për të përcaktuar identitetin e përfituesit në kohën e pagesës;
Në lidhje me nënndarjet “i” dhe “ii”, verifikimi i identitetit të përfituesve do të bëhet në momentin e kryerjes së pagesës. Në rastin e kryerjes, tërësisht ose pjesërisht, të sigurimit të jetës ose të investimeve në dobi të një pale të tretë, subjektet në dijeni të caktimit të një pale të tretë duhet të identifikojnë pronarin përfitues në kohën e caktimit të personit fizik, të personit juridik apo të organizimit ligjor që përfiton nga polica e sigurimit.”.

3. Shkronja “dh”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) të përcaktojnë se cilët janë individët, të cilët zotërojnë apo kontrollojnë klientin, përfshirë ata persona, të cilët ushtrojnë kontrollin e fundit efektiv mbi personin juridik apo organizimin ligjor. Për personat juridikë kjo duhet të përfshijë dhe identifikimin e individëve, të cilët përbëjnë pjesën vendimmarrëse dhe administruese të personit juridik dhe mbajtjen e të dhënave të veprimeve të ndërmarra si dhe të çdo vështirësie të hasur gjatë procesit të verifikimit. Në rast të organizimeve ligjore, kjo përfshin dhe identifikimin e themeluesit, të përfituesit, të kujdestarit ose të personit me një kontroll faktik mbi to;”.

Neni 6

Në nenin 6/1 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në shkronjën “c”, të pikës 1, fjalët “… për këtë veprimtari …” zëvendësohen me “… për sistemin parandalues të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit …”.

2. Në fund të fjalisë së dytë, të pikës 3, shtohen fjalët “… përveç nëse pala e tretë është një degë ose zyrë përfaqësimi me pronësi të shumicës së aksioneve të subjektit të detyruar, të krijuar në Shqipëri sipas politikave dhe procedurave të shoqërisë mëmë, të cilat janë në përputhje me këtë ligj.”.

Neni 7

Fjalia e dytë, e pikës 1, të nenit 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për zvogëlimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit, krahas kategorive të përcaktuara në këtë ligj dhe faktorëve e situatave tw pwrcaktuara në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij me vendim të Këshillit të Ministrave, subjektet përcaktojnë kategori të tjera marrëdhëniesh biznesi, klientësh, transaksionesh, produktesh, shërbimesh, kanalesh shpërndarjeje, vendesh ose rreziqesh gjeografike, të vlerësuara me rrezik të lartë dhe ndaj të cilave duhet të zbatohen masat e vigjilencës së zgjeruar.”.

Neni 8

Në nenin 8 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Në lidhje me marrëdhëniet e biznesit apo transaksionet që përfshijnë vendet me risk të lartë sipas shkronjës “f”, të nenit 22, të këtij ligji, subjektet duhet të zbatojnë masat e mëposhtme të vigjilencës së zgjeruar ndaj klientit:

a) Të marrin informacion shtesë për klientin dhe pronarin përfitues;
b) Të marrin informacion shtesë mbi natyrën e marrëdhënies së biznesit;
c) Të marrin informacion mbi burimin e fondeve dhe burimin e pasurisë së klientit dhe pronarit përfitues;
ç) Të marrin informacion mbi arsyet e transaksioneve të synuara ose të kryera;
d) Të marrin miratimin e drejtuesve të lartë për vendosjen ose vazhdimin e marrëdhënieve të biznesit;
dh) Të kryejnë monitorim të zgjeruar të marrëdhënieve të biznesit duke rritur numrin, shpeshtësinë apo periodicitetin e kontrolleve të aplikuara dhe zgjedhjen e modeleve të transaksioneve që kanë nevojë për kontroll të mëtejshëm.
Krahas masave të mësipërme, subjektet zbatojnë një ose më shumë nga masat shtesë lidhur me klientët apo transaksionet që përfshijnë vende me risk të lartë:

i. zbatojnë elemente shtesë të vigjilencës së zgjeruar;
ii. përdorin mekanizma të përmirësuar për raportime apo raportim sistematik të transaksioneve financiare te personi/strukturat përgjegjëse brenda subjektit;
iii. kufizojnë marrëdhëniet e biznesit ose transaksionet me individët apo persona juridikë nga vendet me risk të lartë.”.

2. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Të dhënat, analizat, informacioni dhe dokumentacioni i mbledhur në zbatim të këtij neni ruhet për një periudhë 5-vjeçare nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit, apo data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 (dyzet) vite nga data e secilit transaksion apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo kryerjes së analizës.”.

Neni 9

Në nenin 10 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Fjalia e parë, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, në rastin e transfertave në nisje dhe në mbërritje, duhet të marrin dhe të identifikojnë emrin, mbiemrin, adresën, numrin e dokumentit të identifikimit ose numrin e llogarisë së dërguesit dhe përfituesit si dhe emrin e institucionit financiar të përfshirë në transfertë.”;

2. Në fjalinë e dytë, të pikës 4, fjalët “… i cili duhet t’i trajnojë për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe të sigurohet që ata zbatojnë të njëjtat masa të vigjilencës së duhur ndaj klientit, mbajtjes të të dhënave dhe raportimit …” shfuqizohen.

3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Të dhënat, informacioni dhe dokumentacioni i mbledhur në zbatim të këtij neni ruhen për një periudhë 5-vjeçare nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit, apo data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 (dyzet) vite nga data e secilit transaksion apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo kryerjes së analizës.”.

4. Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:

“6. Detyrimet e këtij neni zbatohen edhe nga ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale.”.

Neni 10

Në nenin 11 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në fund të nënndarjes “ii”, të shkronjës “a/1”, të pikës 1, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Faktorët minimalë që duhet të vlerësohen janë qëllimi i hapjes së llogarisë apo vendosjes së marrëdhënies, niveli i aseteve që do depozitohen nga klienti apo madhësia e transaksioneve, rregullshmëria ose kohëzgjatja e marrëdhënies së biznesit;”.

2. Nënndarja “iii”, e shkronjës “a/1”, të pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“iii) të marrin në konsideratë vlerësimet kombëtare të riskut, vlerësimet sektoriale, të dhëna të tjera të ngjashme, rekomandimet e autoritetit përgjegjës dhe/ose autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe vlerësime ose raporte, të hartuara nga organizata ndërkombëtare dhe autoritete me kompetencë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për sa i përket riskut që përbëjnë vende të veçanta;”.

3. Pas shkronjës “b”, të pikës 1, shtohen shkronjat “b/1” dhe “b/2”, me këtë përmbajtje:

“b/1) personi përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit duhet të jetë drejtues apo punonjës me njohuri të mjaftueshme për rrezikun e ekspozimit ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të subjektit dhe të ketë kompetencë për të marrë vendime që ndikojnë në ekspozimin ndaj riskut dhe që nuk nevojitet, në të gjitha rastet, të jetë anëtar i bordit të drejtorëve;
b/2) personi përgjegjës i emëruar sipas parashikimeve të pikës 1, shkronja “b”, të këtij neni, është personi që dërgon raportet sipas nenit 12, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji, si dhe u kthen përgjigje kërkesave të autoritetit përgjegjës;”.

4. Në shkronjën “d”, të pikës 1, pas fjalëve “… dhe të financimit të terrorizmit …” shtohen “… përfshirë detyrimin për mosdeklarim sipas nenit 15, të këtij ligji, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale …”.

5. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Kur një individ, që bën pjesë në kategoritë e parashikuara në nenin 3, të këtij ligji, ushtron veprimtarinë profesionale si i punësuar i një personi juridik apo personi fizik tregtar, detyrimet e këtij neni zbatohen vetëm nga punëdhënësi.”.

Neni 11

Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:

1. Paragrafi i parë numërtohet “1”.

2. Pas pikës 1 shtohen pikat 2, 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

“2. Zgjidhja e kontratës së punës, masat disiplinore apo diskriminuese për punonjësin që përmbush detyrimin për raportim brenda subjektit ose tek autoriteti përgjegjës konsiderohen masa pa shkaqe të arsyeshme.

3. Punëdhënësi ka detyrimin të provojë që masa nuk është dhënë për arsyet e mësipërme.

4. Punëmarrësi ka të drejtë të ankohet tek autoriteti përgjegjës i cili, pas shqyrtimit, urdhëron anulimin e masës disiplinore ose korrigjimin e pasojave të diskriminimit si dhe vendos sanksionet sipas nenit 27, pika 3, shkronjat “d” dhe “dh”.”.

Neni 12

Neni 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 16

1. Subjektet duhet të ruajnë dokumentet që rrjedhin nga procesi i vigjilencës së duhur dhe asaj të zgjeruar, të dhënat e llogarive, transaksioneve, korrespondencën me klientin, si dhe rezultatet e analizave të kryera për 5 vjet nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit apo data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 (dyzet) vite nga data e secilit transaksion apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo kryerjes së analizës.

2. Subjektet duhet të mbajnë regjistra për të dhënat, raportimet dhe dokumentacionin për transaksionet kombëtare dhe ndërkombëtare, pavarësisht nëse transaksioni është kryer në emër të klientit ose në emër të palëve të treta, së bashku me të gjithë dokumentacionin mbështetës, përfshirë dosjet e llogarive dhe korrespondencën e biznesit, për 5 (pesë) vite nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit apo nga data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 (dyzet) vite nga data e secilit transaksion në veçanti apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo e kryerjes së analizës.

3. Subjektet duhet të ruajnë të dhëna për transaksionet, përfshirë edhe ato të përcaktuara në nenin 10, të këtij ligji, me të gjitha hollësitë e duhura për të lejuar rindërtimin e ciklit të plotë të transaksioneve, me qëllim sigurimin e informacionit për autoritetin përgjegjës dhe për autoritetet e tjera kompetente, në bazë të këtij ligji e të akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Ky informacion ruhet për 5 (pesë) vite nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit apo nga data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 (dyzet) vite nga data e secilit transaksion në veçanti apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo e kryerjes së analizës.

4. Me kërkesë të autoritetit pëgjegjës dhe të autoriteteve të tjera kompetente, dokumentacioni ruhet edhe për 5 (pesë) vite të tjera nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit ndërmjet klientit dhe subjektit apo nga data e transaksionit rastësor, por jo më shumë se 40 (dyzet) vite nga data e secilit transaksion në veçanti apo data e mbledhjes së dokumentacionit apo e kryerjes së analizës.

5. Dokumentacioni i parashikuar në këtë nen ruhet në formë shkresore apo elektronike, në varësi të mënyrës së krijimit.

6. Subjektet duhet të sigurohen që të gjitha të dhënat për klientin dhe transaksionin dhe informacioni i kërkuar për t’u mbajtur, sipas kësaj dispozite, të vihen menjëherë në dispozicion me kërkesën e autoritetit përgjegjës dhe të autoriteteve të tjera kompetente.”.

Neni 13

Në pikën 2, të nenit 17, fjalët “… e nenit 11, të këtij ligji,…” zëvendësohen me “… e nenit 28, pika 3, shkronja “b”, të këtij ligji …”.

Neni 14

Në nenin 18 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, pas fjalëve “… në nenin 4 …” shtohen “… shkronjat “c” dhe “ç” …”.

2. Në pikën 2, fjalët “… e nenit 11, të këtij ligji,…” zëvendësohen me “… e nenit 28, pika 3, shkronja “c”, të këtij ligji …”.

Neni 15

Në nenin 22 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Në shkronjën “ç”, pas fjalës “… inspektimet …” shtohen “… në vend dhe në distancë …”.

2. Pas shkronjës “d” shtohet shkronja “d/1”, me këtë përmbajtje:

“d/1) mund të refuzojë shkëmbimin e informacionit me agjencitë homologe të huaja vetëm në rrethana të jashtëzakonshme kur shkëmbimi vlerësohet se është në kundërshtim me parimet themelore të legjislacionit shqiptar.”.

3. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “e/1”, me këtë përmbajtje:

“e/1) mund të refuzojë kërkesat për informacion nga organet ligjzbatuese kur dhënia e informacionit:

i. cenon një hetim apo analizë të nisur;
ii. është qartazi jo në proporcion me interesat e ligjshme të një personi apo pa lidhje me qëllimin për të cilin është bërë kërkesa.”.

Neni 16

Pas paragrafit të parë, të nenit 22/1, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Organet ligjzbatuese informojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për përdorimin e informacionit apo të dhënave të dërguara kryesisht nga kjo e fundit, si dhe për rezultatet e hetimeve apo të inspektimeve të bazuara mbi të dhënat dhe informacionin e dërguar, në mënyrë periodike çdo 6 (gjashtë) muaj.”.

Neni 17

Shkronja “dh”, e pikës 1, të nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) Bordi i Mbikëqyrjes Publike për audituesit ligjorë dhe kontabilistët e miratuar.”.

Neni 18

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 24/1
Masa shtesë për vendet me risk të lartë

Autoritetet mbikëqyrëse dhe/ose licencuese zbatojnë një apo disa nga masat e mëposhtme në raport me vendet me rrezik të lartë:

a) Refuzimi i themelimit të degëve apo zyrave përfaqësuese të subjekteve nga vende me risk të lartë, apo, në raste të tjera, marrja në konsideratë e faktit se subjekti është nga një shtet i cili nuk ka apo nuk zbaton sisteme të duhura për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
b) Ndalimi i subjekteve që të themelojnë degë apo zyra përfaqësuese në vendin me risk të lartë apo marrja parasysh e faktit se dega apo zyra përfaqësuese përkatëse do të ishte në një vend i cili nuk ka apo nuk zbaton sisteme të duhura për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
c) Të kërkohet mbikëqyrje e shtuar apo kërkesa të shtuara për auditim të jashtëm për degët dhe zyrat e përfaqësimit të subjekteve që gjenden në vende me risk të lartë;
ç) Të kërkohet shtimi i kërkesave për auditim të jashtëm për grupet financiare në raport me cilëndo prej degëve dhe filialeve të tyre që gjenden në vende me risk të lartë;
d) Të kërkohet nga bankat ose institucionet financiare rishikimi dhe ndryshimi apo, nëse është e nevojshme, përfundimi i marrëdhënieve korrespondente me institucionet përkatëse në vendin/et me risk të lartë.”.

Neni 19

Fjalia e parë, e pikës 2, të nenit 25, shfuqizohet.

Neni 20

Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjën “d”, të pikës 3, fjalët “… në nenin 15 …” zëvendësohen me “… në nenin 14 dhe 15 …”.

2. Në nënndarjen “i”, të shkronjës “dh”, të pikës 3, pas fjalëve “… dhe/ose administrimi, …” shtohen fjalët “… apo agjent, …” dhe pas fjalës “… personi …” shtohet fjalët “… apo agjenti …”.

3. Pas shkronjës “dh”, të pikës 3, shtohen shkronjat “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje:

“e) Për rastet kur shkeljet e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij janë të rënda, të përsëritura, sistematike apo një kombinim i tyre, ndaj subjekteve vendoset gjoba maksimale në së paku dyfishin e shumës së përfitimit të nxjerrë nga shkelja kur ai përfitim mund të përcaktohet ose deri në 125 000 000 (njëqind e njëzet e pesë milionë) lekë në rastet kur nuk mund të përcaktohet apo është më i vogël.
ë) Përveçse sa parashikohet në pikat më sipër, për rastet kur shkeljet e detyrimeve të parashikuara në këtë ligj si dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij kryhen nga subjektet e përcaktuara në nenin 3, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, kur:

i. subjekti është person juridik, vendoset gjobë deri në 10 (dhjetë) përqindëshin e qarkullimit total vjetor sipas pasqyrave financiare të konsoliduara të vitit të fundit, të miratuara, ku përfshihen edhe pasqyrat financiare të bijave në rastet kur subjekti është një shoqëri mëmë. Në rast se 10 (dhjetë)- përqindëshi i qarkullimit total vjetor është më pak se 625 000 000 (gjashtëqind e njëzet e pesë milionë) lekë, nga autoriteti përgjegjës vendoset gjoba deri në 625 000 000 (gjashtëqind e njëzet e pesë milionë) lekë;
ii. subjekti është person fizik vendoset gjoba deri në 625 000 000 (gjashtëqind e njëzet e pesë milionë) lekë.”.

Neni 21

Në nenin 28 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i paraqet, në format elektronik, sa herë ndryshohet, autoritetit përgjegjës listën e plotë dhe të përditësuar të personave të ekspozuar politikisht, duke përfshirë detajet e nevojshme për identifikimin e personave, funksionin, datën e emërimit/largimit, personat e lidhur, për 3 (tri) vitet e fundit, të hartuar sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë.”.

2. Shkronja “a”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) mënyrat dhe procedurat për zbatimin nga subjektet raportuese të detyrimeve të parashikuara në këtë ligj;”.

3. Shkronja “ç”, e pikës 3, shfuqizohet.

Neni 22

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9917, DATË 19.5.2008, “PËR PARANDALIMIN E PASTRIMIT TË PARAVE DHE FINANCIMIT TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR”

 

Në mbështetje neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
DHE MINISTËR PËR RINDËRTIMIN
DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
ARBEN AHMETAJ 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.