Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Mars 2023:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.91/2013, “PËR VLERËSIMIN STRATEGJIK MJEDISOR”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.91, datë 28.2.2013, “Për vlerësimin strategjik mjedisor”, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në pikën 1, të nenit 10, fjalët “… të licencuara nga Qendra Kombëtare e Licencimit …” zëvendësohen me “… të regjistruara në regjistrin tregtar …”.

Neni 2

Pika 3, e nenit 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Në rast se ministria konstaton të meta ose pasaktësi në dokumentet e paraqitura, brenda 7 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës, i kërkon autoritetit propozues plotësimin e tyre brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Në rast se autoriteti propozues nuk plotëson të metat ose pasaktësitë brenda afatit të kërkuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet bashkë me aktet e tjera.”.

Neni 3

Neni 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 14
Ankimi

Grupet e interesit, përfshi edhe publikun, kanë të drejtën e ankimit administrativ ndaj deklaratës së ministrit dhe qëndrimit të ministrisë brenda 30 ditëve nga njoftimi për nxjerrjen e deklaratës apo qëndrimit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Administrative.”.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT ‘PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.91/2013, “PËR VLERËSIMIN STRATEGJIK MJEDISOR””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.91/2013, “Për vlerësimin strategjik mjedisor””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

SHFUQIZIMIN E LIGJIT NR.115/2017, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve, 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ligji nr.115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, të ndryshuar, si dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, shfuqizohen.

Neni 2
Dispozita kalimtare dhe të fundit

1. Funksionet, kompetencat, përgjegjësitë dhe detyrat e përcaktuara për Agjencinë Kombëtare të Diasporës do të vijojnë të kryhen nga kjo agjenci deri në krijimin/organizimin e institucionit/strukturës përkatëse përgjegjëse për to.

2. Nëpunësit civilë aktualë dhe punonjësit aktualë, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, të trajtohen përkatësisht sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil dhe Kodit të Punës, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHFUQIZIMIN E LIGJIT NR.115/2017, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për shfuqizimin e ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, të ndryshuar””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.16/2018, “PËR DIASPORËN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pika 1, e nenit 2, shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 3 bëhen këto ndryshime:

a) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Këshilli koordinues për diasporën”;

b) Pika 5 shfuqizohet.

Neni 3

Pas nenit 4/1 shtohet neni 4/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 4/2
Agjencia Kombëtare e Diasporës

Agjencia Kombëtare e Diasporës është institucion qendror në varësi të ministrit përgjegjës për diasporën. Krijimi, organizimi dhe funksionimi i Agjencisë Kombëtare të Diasporës miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 4

Në nenin 6 bëhen këto ndryshime:

a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Kreu i QKD-së emërohet dhe lirohet me urdhër të ministrit përgjegjës për punët e jashtme dhe është në varësi të kreut të misionit diplomatik. Gjatë kohës së shërbimit në misionin diplomatik, kreu i QKD-së gëzon të njëjtin status me diplomatët, me përjashtim të rasteve kur kreu i QKD-së vjen nga diaspora.”;

b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Marrëdhëniet e punës për personelin administrativ, teknik dhe të shërbimit të QKD-së rregullohen sipas dispozitave në fuqi të Kodit të Punës.”;

c) Pika 8 shfuqizohet.

Neni 5

Në nenin 7 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) të promovojë dhe të ruajë identitetin kombëtar të diasporës;
b) të nxisë ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në diasporë;
c) të nxisë bashkëpunimin ekonomik, shkencor, teknologjik, kulturor, arsimor, sportiv, ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës;
ç) të ofrojë informacione për investimet në Shqipëri;”.

2. Pika 2 shfuqizohet.

Neni 6

Shkronjat “b” dhe “c”, të nenit 9, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“b) mësimit dhe përdorimit të gjuhës shqipe, si dhe ruajtjes së identitetit kulturor, etnik, gjuhësor;
c) promovimit të bashkëpunimit ekonomik;”.

Neni 7

Pika 6, e nenit 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Ministri përgjegjës për diasporën, në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për arsimin, përgatit dhe zbaton programe për mësimin e gjuhës shqipe në distancë, organizon seminare trajnuese për mësuesit, promovon dhe merr masa të ndryshme për inkurajimin e mësimit plotësues për pjesëtarët e diasporës.”.

Neni 8

Pikat 3 dhe 4, të nenit 18, shfuqizohen.

Neni 9

Në pikën 2, të nenit 19, hiqet emërtimi “Agjencia Kombëtare e Diasporës”.

Neni 10

Pika 4, e nenit 20, shfuqizohet.

Neni 11

Pika 1, e nenit 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Botimi i teksteve shqip, të cilat i shërbejnë mësimit në diasporë, financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa procesi i shpërndarjes realizohet përmes bashkëpunimit ndërmjet Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe ministrisë përgjegjës për diasporën, përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë. Qendra e Botimeve për Diasporën organizohet dhe funksionon në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin.”.

Neni 12

Pas nenit 22 hiqen fjalët “… kreu V, “Dispozita kalimtare dhe të fundit” …” dhe pas nenit 26 shtohen fjalët “… kreu V, “Dispozita kalimtare dhe të fundit” …”.

Neni 13

Në nenin 27, togfjalëshi “6, pikat 5 e 6” ndryshohet me “6, pika 6”.

Neni 14

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e aktit nënligjor, në zbatim të nenit 4/2, të këtij ligji.

Neni 15
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.16/2018, “PËR DIASPORËN”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.68/2017, “PËR FINANCAT E VETËQEVERISJES VENDORE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenet 55, pikat 1 dhe 2, 56, pika 1, 57, pika 1, e 59, pika 1, fjalët “… të shpenzimeve vjetore të miratuara …” zëvendësohen me “… të shpenzimeve vjetore faktike …”.

Neni 2

Pas nenit 60 shtohet neni 60/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 60/1
Përdorimi i fondeve të trashëguara nga viti i kaluar

1. Nga fondet e trashëguara dhe të paangazhuara, jo më pak se 30 % e tyre përdoren për:

a) shlyerjen e detyrimeve të prapambetura;
b) pagimin e nënhuave të papaguara në kohë.
2. Procedurat dhe mënyra e përdorimit të fondeve të trashëguara nga viti i kaluar dhe të paangazhuara, që do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe pagimin e nënhuave të papaguara në kohë, miratohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.”.

Neni 3
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.68/2017, “PËR FINANCAT E VETËQEVERISJES VENDORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.