Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Korrik 2018:
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH QË PËRDITËSON MARRËVESHJEN, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË POLICISË EVROPIANE (EUROPOL), PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK DHE OPERACIONAL, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.28/2014
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (Europol), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH QË PËRDITËSON MARRËVESHJEN, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË POLICISË EVROPIANE (EUROPOL), PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK DHE OPERACIONAL, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.28/2014”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane (Europol), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.109/2017, “PËR BUXHETIN E VITIT 2018”
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, bëhen këto ndryshime :
Neni l
Nenet 2, 3, 4, 5 dhe 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Neni 2
Buxheti i shtetit për vitin 2018 është:
Të ardhurat 353 354 milionë lekë;
Shpenzimet 385 720 milionë lekë;
Deficiti 32 366 milionë lekë.
Neni 3
Buxheti vendor për vitin 2018 është:
Të ardhurat 46 221 milionë lekë;
Nga të cilat:
– transferta e pakushtëzuar nga buxheti qendror 16 580 milionë lekë;
– transferta specifike 7 454 milionë lekë;
– Të ardhura të tjera 22 187 milionë lekë;
Shpenzimet 46 221 milionë lekë.
Neni 4
Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2018 është:
l. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror
Të ardhurat, gjithsej 122 276 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet 77 160 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 40 646 milionë lekë;
– transferta nga buxheti për indeksimin
e pensioneve 1 470 milionë lekë;
– transferta për bonusin e pensionistëve 3 000 milionë lekë
Shpenzimet 122 276 milionë lekë.
Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi, si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar, duke mbuluar nga buxheti i shtetit diferencën midis këtyre kontributeve me masën e kontributit të përcaktuar për personat e vetëpunësuar në qytet. Për vitin 2018, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve të sigurimit shoqëror dhe programeve të tjera të veçanta e suplementare, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.
2. Skema e sigurimit suplementar
Të ardhurat, gjithsej 5 809 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet 1 376 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 4 333 milionë lekë;
– fondi për indeksimin e pensioneve 100 milionë lekë;
Shpenzimet 5 809 milionë lekë.
Fondi për indeksimin e pensioneve është 1 570 milionë lekë. Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 550 milionë lekë dhe janë të ndara sipas skemave në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.
Neni 5
Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2018 është:
Të ardhurat, gjithsej, 40 400 milionë lekë;
Nga të cilat:
– kontributet dhe të tjera 12 526 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 27 874 milionë lekë;
Shpenzimet 40 400 milionë lekë.
Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
…
Neni 8
Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
Grantet 14 500 milionë lekë;
Të ardhurat tatimore 313 097 milionë lekë;
Të ardhurat jotatimore 25 757 milionë lekë.”.
Neni 2
Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:
⦁ Shpenzime të buxhetit qendror 379 120 milionë lekë;
⦁ Fondi rezervë 2 600 milionë lekë;
⦁ Kontingjencë për risqet e borxhit 4 000 milionë lekë.”.
b) Tabela 1 e përmendur në nenin 10 zëvendësohet me tabelën me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhet këtij akti normativ dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 3
Në nenin 11 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë bëhet 81 672 veta.
b) Tabela 2, e përmendur në nenin 11, zëvendësohet me tabelën me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhet këtij akti mormativ dhe është pjesë përbërëse e tij.
Neni 4
Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Fondi rezervë i buxhetit prej 2 600 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave:
– deri në 1 800 milionë lekë, për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore;
– deri në 800 milionë lekë, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, pas miratimit paraprak nga Kuvendi.
Kontingjenca për risqet e borxhit prej 4 000 milionë lekësh përdoret për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.”.
Neni 5
Neni 14 shfuqizohet.
Neni 6
Tabela 3 dhe aneksi 3, që përmenden në nenin 16, zëvendësohen përkatësisht me tabelën dhe aneksin me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhen këtij akti normativ dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Neni 7
Ky akt normativ hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA