Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Tetor 2016
 
V E N D I M
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME  NË LIGJIN NR.107/2015, “PËR IDENTIFIKIMIN ELEKTRONIK DHE SHËRBIMET E BESUARA””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.107/2015, “PËR IDENTIFIKIMIN ELEKTRONIK DHE SHËRBIMET E BESUARA”
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, bëhen këto ndryshime:
 
Neni 1
 
Në fund të pikës 1, të nenit 7, hiqet termi “elektronik”.
 
Neni 2
 
Paragrafi i fundit, i nenit 27, zëvendësohet me paragrafin, me këtë përmbajtje:
 
“Rregullat për ofrimin e shërbimeve publike elektronike, që përfitohen nëpërmjet   transmetimit elektronik, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 3
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9880, DATË 25.2.2008, “PËR NËNSHKRIMIN ELEKTRONIK”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
###
 P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9880, DATË 25.2.2008, “PËR NËNSHKRIMIN ELEKTRONIK”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
 
Neni 1
 
Pika 15, e nenit 3, ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“15. “Autoriteti përgjegjës për certifikimin elektronik dhe sigurinë kibernetike” (Autoriteti), është organi shtetëror i ngarkuar për mbikëqyrjen e kuadrit rregullator, të përcaktuar në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.”.
 
Neni 2
 
Neni 10 riformulohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 10
Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike
 
1. Autoriteti është autoriteti kombëtar përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë elektronike, i cili funksionon sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
 
2. Autoriteti është institucion juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës të fushës.
 
3. Autoriteti financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
 
4. Autoriteti përfaqësohet nga drejtori i përgjithshëm.
 
5. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të përgjithshëm dhe tw nëpunësve të Autoritetit rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës të punonjësve administrativë rregullohen në bazë të Kodit të Punës.
 
6. Autoriteti, në ushtrim të funksioneve të tij, nxjerr udhëzime për të rregulluar veprimtarinë e ofruesve të kualifikuar të shërbimit të besuar.
 
7. Organizimi dhe funksionimi i Autoritetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”. 
 
Neni 3
 
Neni 22 riformulohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 22
Transferimi i detyrave të shërbimeve të certifikimit
 
1. Ofruesi i shërbimeve të certifikimit mund t’u transferojë, me marrëveshje, personave të tretë, këto detyra:
a) Procesin e identifikimit të zotëruesve të certifikatave; 
b) Gjenerimin e certifikatave të kualifikuara; 
c) Dorëzimin e pajisjes përkatëse, ku ruhet certifikata e kualifikuar. 
 
2. Transferimi nuk përjashton përgjegjësinë e ofruesit të shërbimit për detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.
 
3. Procedurat për transferimin e detyrave, të përcaktuara në pikën 1, janë pjesë e rregullave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.”.
 
Neni 4
 
Neni 59 riformulohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 59
Aktet nënligjore
 
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 10, 14, 19, 22, 28, 52, 54 e 55, të këtij ligji.
 
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për miratimin e rregullores së brendshme të Autoritetit.”.
 
Neni 5
Dispozita tranzitore
 
1. Të gjitha të drejtat, detyrimet dhe buxheti i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik i transferohen autoritetit përgjegjës, që krijohet me këtë ligj.
 
2. Për nëpunësit civilë ekzistues të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik zbatohen dispozitat e legjislacionit të nëpunësit civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.
 
3. Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik do të vazhdojë të kryejë veprimtarinë e tij deri në momentin e fillimit të funksionimit të autoritetit të ri përgjegjës.
 
4. Kudo në këtë ligj, termi “Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik” zëvendësohet me “Autoriteti përgjegjës për certifikimin elektronik dhe sigurinë kibernetike”.
 
Neni 6
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E T A R I 
ILIR META
***
V E N D I M
PËR 
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10273, DATË 29.4.2010,  “PËR DOKUMENTIN ELEKTRONIK”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10273, DATË 29.4.2010, “PËR DOKUMENTIN ELEKTRONIK”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: 
 
Neni 1
 
Pas pikës 11, të nenit 3, shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:
 
“12. “Vulë elektronike”, të dhëna në formë elektronike, sipas përkufizimit të ligjit nr.107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.”.
 
Neni 2
 
Shkronja “a”, e nenit 6, riformulohet, si më poshtë vijon:
 
“a) Nënshkrim elektronik dhe/ose vulë elektronike, sipas legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”.
 
Neni 3
 
Në shkronjën “b”, të nenit 7, pas fjalëve “… nënshkrime elektronike …” shtohen fjalët “… dhe/ose vula elektronike …”.
 
Neni 4
 
Në pikën 2, të nenit 12, pas fjalëve “… nënshkrimit elektronik …”, shtohen fjalët “… dhe/ose vulës elektronike …”.
 
Neni 5
 
Në nenin 13, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf, me këtë  përmbajtje: 
 
“Procedura dhe rregullat për qarkullimin e dokumentit elektronik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 6
 
Në nenin 18 bëhen këto shtesa:
 
1. Në shkronjën “a”, të pikës 3, pas fjalëve “… të dhënat e nënshkrimit elektronik…” shtohen fjalët “… dhe/ose vulës elektronike…”.
 
2. Në shkronjën “b”, të pikës 3, pas fjalëve “… së bashku me nënshkrimin elektronik…” shtohen fjalët “… dhe/ose vulën elektronike…”.
 
Neni 7
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
ILIR META
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.