Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Dhjetor 2025:
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.46/2018, “PËR KONTROLLIN SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. “Eksport” është:
a) regjimi doganor i eksportit, sipas kuptimit të nenit 241, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) rieksporti, sipas kuptimit të nenit 242, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë; rieksporti mund të bëhet pasi mallrat joshqiptare kanë qenë nën magazinimin doganor, përpunimin aktiv, lejimin e përkohshëm, në një zonë të lirë ose magazinim të përkohshëm, në kuptim të neneve 242-246, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;
c) regjimi i përpunimit pasiv, sipas kuptimit të nenit 232, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë; ose
ç) transmetimi i programeve software apo i teknologjisë nëpërmjet medias elektronike, përfshirë nëpërmjet faksit, telefonit, postës elektronike ose çdo mjet tjetër elektronik, përfshirë bërjen të disponueshme të këtyre soft-eve dhe të kësaj teknologjie në formë elektronike, për personat juridikë dhe fizikë jashtë territorit shqiptar ose për një person të huaj brenda territorit shqiptar.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. “Deklaratë përmbledhëse e daljes”, sipas kuptimit të pikës 10, të nenit 6, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.”.
3. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. “Tranzit i mallrave me përdorim të dyfishtë” është transporti tokësor, detar, ajror dhe/ose transporti i kombinuar i mallrave, në kuptim të Kodit Doganor të Shqipërisë, që hyjnë dhe kalojnë nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë, me destinacion një vend jashtë Shqipërisë, përfshirë artikujt, që:
a) janë vënë në një procedurë tranziti të jashtme, në përputhje me Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) janë transhipuar brenda ose eksportohen/rieksportohen drejtpërdrejt nga një zonë e lirë;
c) ndodhen të magazinuara përkohësisht dhe që rieksportohen drejtpërdrejt nga ambientet e magazinimit të përkohshëm;
ç) janë sjellë në territorin e Shqipërisë me të njëjtin mjet lundrimi apo fluturimi, që do t’i nxjerrë ato jashtë atij territori, pa i shkarkuar.”.
4. Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1. “Tranziti i mallrave ushtarake”, në kuptim të këtij ligji, është transporti rrugor, ujor, ajror dhe i kombinuar i armatimeve dhe i pajisjeve ushtarake, i cili hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë, transportohet nëpërmjet tij (me ose pa transhipim) dhe largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë.”.
5. Shkronja “c”, e pikës 16, shfuqizohet.
6. Pika 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“19. Ofrues i asistencës teknike” do të thotë:
a) çdo person fizik ose juridik apo çdo partneritet, që ofron asistencë teknike nga territori i Republikës së Shqipërisë, në drejtim të një vendi tjetër;
b) çdo person fizik ose juridik apo çdo partneritet i rezidentit në territorin e Republikës së Shqipërisë, që ofron asistencë teknike për një banor rezident të një vendi të huaj, që ndodhet përkohësisht në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.”.
7. Pika 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. “Mallra me përdorim të dyfishtë” janë:
a) artikujt, përfshirë programe kompjuterike dhe teknologji, të cilat mund të përdoren për qëllime civile e ushtarake, dhe përfshijnë mallra që mund të përdoren për projektimin, zhvillimin, prodhimin ose përdorimin e armëve bërthamore, kimike ose biologjike apo të mjeteve për shpërndarjen e tyre, përfshirë të gjitha mallrat që mund të përdoren si për qëllime joshpërthyese, ashtu edhe për të ndihmuar në çfarëdo mënyre në prodhimin e armëve bërthamore ose të pajisjeve të tjera shpërthyese bërthamore;
b) artikujt e specifikuar në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë;”.
8. Në pikën 23, fjalët “… një përdoruesi apo marrësi përfundimtar …” zëvendësohen me “… një përdoruesi përfundimtar apo marrësi …”.
9. Pika 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“24. “Licencë globale” është licenca e lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për një person juridik ose fizik, në lidhje me një mall apo një kategori të caktuar të mallrave me përdorim të dyfishtë, e cila është e vlefshme për transferimet ndërkombëtare te një ose te më shumë përdorues të fundit apo marrësish të specifikuar dhe/ose në një ose më shumë vende të huaja të specifikuara.”.
10. Pas pikës 24 shtohet pika 24/1, me këtë përmbajtje:
“24/1. “Licencë për projekte të mëdha” është licenca individuale ose globale e lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, e dhënë për një person juridik ose fizik specifik, në lidhje me një lloj apo kategori të mallrave me përdorim të dyfishtë, e vlefshme për eksporte drejt një ose më shumë përdoruesve përfundimtarë në një ose më shumë vende të huaja të specifikuara për qëllimin e një projekti të madh të specifikuar.”.
11. Në pikën 25, fjalët “… të mallrave të kontrolluara …” zëvendësohen me “… të mallrave me përdorim të dyfishtë …”.
12. Pika 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“27. “Ndërmjetësues” është çdo person fizik ose juridik apo partneritet, që ofron shërbime ndërmjetësimi, nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë në territorin e një vendi të huaj.”.
13. Pas pikës 33 shtohet pika 34, me këtë përmbajtje:
“34. “Mallra për mbikëqyrje kibernetike” do të thotë mallra me përdorim të dyfishtë, të projektuara posaçërisht për të mundësuar mbikëqyrjen e fshehtë të individëve nëpërmjet monitorimit, përftimit, grumbullimit ose analizimit të të dhënave nga sistemet e informacionit dhe të telekomunikacionit.”.
Neni 2
Në pikën 2, të nenit 4, fjalët “… ushtarakë të vendit.” zëvendësohen me “… sigurisë së vendit.”.
Neni 3
Pas pikës 1, të nenit 7, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në përputhje me rregullat e BE-së dhe legjislacionin në fuqi, mund të shkëmbejë me Komisionin Evropian të dhëna për aktet ligjore kombëtare, autoritetet kompetente, licencat e lëshuara, zbatimin e kritereve të kontrollit, operatorët me program përputhshmërie të brendshëm, masat e zbatuara ndaj shkelësve, si dhe informacion për përdorues fundorë të ndjeshëm e tentativa për shmangie, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave.”.
Neni 4
Pas pikës 3, të nenit 9, shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Marrëdhëniet e punës së titullarit dhe të punonjësve të AKSHE-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i titullarit të AKSHE-së bëhet nga ministri përgjegjës për mbrojtjen. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i punonjësve të AKSHE-së bëhen nga titullari.”.
Neni 5
Në pikën 3, të nenit 10, togfjalëshi “… në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”…” zëvendësohet me “… në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh” “e” dhe “ë” …”.
Neni 6
Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 11
Mallrat me përdorim të dyfishtë, që nuk janë të listuara, por kontrollohen për arsye të përdorimit përfundimtar të ndaluar
1. Licenca për eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë, që nuk janë të listuara në listën kombëtare, nëse eksportuesi është informuar nga AKSHE-ja se mallrat në fjalë janë ose mund të jenë të destinuara, në tërësi ose pjesërisht, kërkohet në rastet:
a) për përdorim në lidhje me zhvillimin, prodhimin, trajtimin, funksionimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, zbulimin, identifikimin ose përhapjen e armëve kimike, biologjike ose bërthamore apo pajisjeve të tjera shpërthyese bërthamore ose për zhvillimin, prodhimin, mirëmbajtjen apo ruajtjen e raketave, që janë në gjendje të mbartin armë të tilla;
b) për një përdorim ushtarak nëse vendi blerës ose vendi i destinacionit është subjekt i një embargoje armësh. Për qëllimet e kësaj pike, “përdorim ushtarak” do të thotë:
i. përfshirja në artikuj ushtarakë, të listuar në listën e mallrave ushtarake;
ii. përdorimi i pajisjeve të prodhimit, testimit ose analizës dhe i komponentëve përkatës për zhvillimin, prodhimin apo mirëmbajtjen e artikujve ushtarakë, të listuar në listën e mallrave ushtarake; ose
iii. përdorimi i çdo produkti të papërfunduar në një fabrikë për prodhimin e artikujve ushtarakë, të listuar në listën e mallrave ushtarake.
c) për përdorim si pjesë ose komponentë të artikujve ushtarakë, të listuar në listën e mallrave ushtarake kombëtare, të cilët janë eksportuar pa licencë ose në shkelje të një licence.
2. Nëse një eksportues është në dijeni, që mallrat me përdorim të dyfishtë që ai synon të eksportojë, të cilat nuk janë të listuara, janë të destinuara, në tërësi ose pjesërisht, për ndonjë nga përdorimet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, ai duhet të njoftojë AKSHE-në. Ky autoritet kompetent vendos nëse eksporti përkatës do të bëhet subjekt i licencimit.
3. Kërkohet licencë për eksportin e mallrave për mbikëqyrje kibernetike, që nuk janë të listuara në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë, nëse eksportuesi është informuar nga AKSHE-ja se mallrat në fjalë janë ose mund të jenë të destinuara, në tërësi ose pjesërisht, për përdorim në lidhje me shtypjen e brendshme dhe/ose kryerjen e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut e të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
4. Nëse një eksportues është në dijeni, në përputhje me rezultatet e kujdesit të duhur (due diligence), se mallrat për mbikëqyrje kibernetike, që ai synon të eksportojë, e, që nuk janë të listuara në listën e përditësuar të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, janë të destinuara, në tërësi ose pjesërisht, për ndonjë nga përdorimet e përmendura në pikën 3, të këtij neni, ai duhet të njoftojë AKSHE-në. Ky autoritet vendos nëse eksporti përkatës do të bëhet subjekt i licencimit.”.
Neni 7
Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Kriteret për vlerësimin e riskut
1. Transferimi ndërkombëtar i mallrave të kontrolluara kryhet në bazë të licencës së lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Në marrjen e vendimit për lëshimin e licencës për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe autoritetet e tjera shtetërore, të përfshira në sistemin e kontrollit, vlerësojnë riskun, sipas analizës së kritereve të përcaktuara më poshtë:
a) Licenca refuzohet nëse miratimi bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të mëposhtme:
i. Masat kufizuese të miratuara nga organizatat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;
ii. Traktatet ndërkombëtare për mospërhapjen, çarmatimin dhe detyrimet, që rrjedhin nga Traktati i Tregtisë së Armëve;
iii. Angazhimet në kuadër të regjimeve të kontrollit të eksporteve, si Australia Group, regjimit të kontrollit të teknologjisë së raketave, Wassenaar, grupi i furnizuesve bërthamorë dhe regjime të tjera, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
b) Licenca refuzohet nëse ekziston rrezik i qartë që pajisjet të përdoren për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare, si:
i. shtypje të brendshme;
ii. dhunë serioze me bazë gjinore apo ndaj grave/fëmijëve;
iii. shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndaj civilëve gjatë konfliktit.
c) Licenca refuzohet nëse pajisjet do të ndikonin në situatën e brendshme të vendit përfundimtar dhe:
i. do të provokonin apo do të zgjatnin konfliktet e armatosura;
ii. do të përkeqësonin tensionet e brendshme në vendin pritës.
ç) Licenca refuzohet nëse stabiliteti rajonal dhe i paqes rrezikohet, pasi:
i. pajisjet do të përdoren për agresion ndaj një shteti tjetër;
ii. pajisjet do të përdoren për forcim të pretendimeve territoriale me forcë;
iii. pajisjet do të ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.
d) Gjatë aplikimit, në përputhje me sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe aleatëve, duhet të vlerësohet:
i. rreziku që pajisjet të përdoren kundër interesave të sigurisë së Shqipërisë ose të vendeve partnere;
ii. mundësia e përdorimit të tyre kundër trupave tona ose atyre aleate.
dh) Gjatë aplikimit vlerësohet sjellja ndërkombëtare e vendit pritës, si:
i. qëndrimi ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar;
ii. respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i angazhimeve për mospërhapje;
iii. nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për çarmatim.
e) Gjatë aplikimit vlerësohet rreziku i devijimit apo i rieksportit të padëshiruar, duke analizuar:
i. kapacitetin e vendit pritës për kontroll të brendshëm dhe të eksportit;
ii. rrezikun e dërgimit të produkteve te palët e treta të padëshiruara;
iii. mundësinë e përdorimit nga organizata terroriste;
iv. rrezikun e transferimit të teknologjisë.
ë) Gjatë aplikimit vlerësohet përputhshmëria me kapacitetet teknike e ekonomike të vendit pritës, si dhe ndikimi i eksportit në:
i. shpenzimet ushtarake në raport me nevojat sociale;
ii. zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit pritës;
iii. ndikimin në politikat e ndihmës zhvillimore ndërkombëtare dhe Shqipërisë.
2. Ministri i Mbrojtjes miraton udhëzimin për implementimin e kritereve, të përcaktuara në këtë nen, për t’u zbatuar nga ana e autoriteteve, të cilat janë të përfshira në procesin e vlerësimit të riskut.”.
Neni 8
Në pikën 2, të nenit 17, togfjalëshi “…1 vit.” zëvendësohet me “… 2 vjet.”.
Neni 9
Pika 2, e nenit 18, ndryshohet si më poshtë vijon:
“2. Tranzitimi i mallrave ushtarake në rrugë ajrore, i cili përfshin transportimin e mallrave ushtarake me aeroplanë mbi territorin e Republikës së Shqipërisë, me ulje ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë (mbifluturim), realizohet në bazë të lejes me shkrim të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi për mbifluturimet ajrore.”.
Neni 10
Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 21
Licencat për transferimin ndërkombëtar të artikujve me përdorim të dyfishtë
1. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve lëshon licenca individuale, globale apo të përgjithshme për transferim ndërkombëtar të artikujve me përdorim të dyfishtë, duke aplikuar kriteret e përcaktuara në nenin 12, të këtij ligji.
2. Licencat individuale dhe globale, të vlefshme deri në dy vjet, përveç rasteve kur Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve vendos ndryshe.
3. Licencat për projekte të mëdha janë të vlefshme për një kohëzgjatje të përcaktuar nga autoriteti kompetent, por jo më shumë se katër vjet, përveç rasteve të justifikuara në mënyrë të arsyeshme, bazuar në kohëzgjatjen e projektit.
4. Aplikuesit duhet t’i paraqesin autoritetit kompetent të gjitha informacionet përkatëse, të nevojshme për aplikimet e tyre, për licenca individuale e globale eksporti, në mënyrë që të sigurojnë informacion të plotë, në veçanti për përdoruesin përfundimtar, vendin e destinacionit dhe përdorimin përfundimtar të artikullit të eksportuar.
5. Licencat individuale të eksportit i nënshtrohen një deklarate për përdorim përfundimtar. Autoriteti kompetent mund të përjashtojë disa aplikime nga detyrimi për të paraqitur një deklaratë për përdorim përfundimtar.
6. Licencat globale të eksportit mund të jenë subjekt i një deklarate për përdorim përfundimtar, nëse është e përshtatshme.
Eksportuesit, që përdorin licenca globale të eksportit, duhet të zbatojnë një program të përputhshmërisë së brendshme, përveç nëse autoriteti kompetent e konsideron të panevojshëm, në bazë të informacionit që ka marrë në shqyrtim gjatë aplikimit për licencë globale, të paraqitur nga aplikuesi.
7. Licencat e përgjithshme duhet:
a) të përcaktojnë se mund të përdoren nga të gjithë personat fizikë ose juridikë, që janë rezidentë apo të vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse plotësojnë kërkesat e këtij ligji;
b) të mos përdoren nëse personi fizik ose juridik është informuar nga autoriteti kompetent se mallrat në fjalë janë ose mund të jenë të destinuara, në tërësi ose pjesërisht, për përdorim në lidhje me zhvillimin, prodhimin, trajtimin, funksionimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, zbulimin, identifikimin apo përhapjen e armëve kimike, biologjike ose bërthamore apo pajisjeve të tjera shpërthyese bërthamore ose për zhvillimin, prodhimin, mirëmbajtjen apo ruajtjen e raketave, që janë në gjendje të mbartin armë të tilla; për një përdorim ushtarak, nëse vendi blerës ose vendi i destinacionit është subjekt i një embargoje armësh; për përdorim si pjesë ose komponentë të artikujve ushtarakë të listuar në listën ushtarake kombëtare, të cilët janë eksportuar pa licencë ose në shkelje të një licence.
8. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve mund ta ndalojë përdorimin e licencave të përgjithshme nëse ka dyshime të arsyeshme për aftësinë e personit fizik ose juridik për të respektuar një licencë të tillë apo ndonjë dispozitë të legjislacionit për kontrollin e eksporteve.”.
Neni 11
Neni 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 22
Tranziti i artikujve me përdorim të dyfishtë
1. Tranzitimi i artikujve dhe i teknologjive me përdorim të dyfishtë nuk është objekt licencimi nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, përveç rastit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.
2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore, merr vendimin për të ndaluar ose për të licencuar tranzitin e artikujve me përdorim të dyfishtë, të përcaktuar në listën e kontrollit apo në artikujt që nuk bëjnë pjesë në listën e kontrollit, por mund të jenë të destinuar, në tërësi apo pjesërisht, për qëllime të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji.
3. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve informon autoritetet doganore për vendimin për ndalimin e tranzitit apo licencimin e tij, menjëherë pas marrjes së vendimit, të cilit i referohet pika 2, e këtij neni.
4. AKSHE-ja, në rastet kur vlerëson se nevojitet një licencë për tranzitin e artikujve me përdorim të dyfishtë, të përcaktuar në listën e kontrollit apo artikujve që nuk bëjnë pjesë në listën e kontrollit konsideron tranzitues personin fizik ose juridik apo shoqërinë tregtare që ka kontratën me marrësin në vendin e huaj dhe që ka kompetencën për të vendosur për dërgimin e mallrave, që kalojnë nëpër territorin doganor Republikës së Shqipërisë.
5. Nëse personi fizik ose juridik apo shoqëria tregtare nuk është rezidente ose nuk është e vendosur në territorin doganor Republikës së Shqipërisë, autoriteti kompetent mund të vendosë të përcaktojë si tranzitues:
a) deklaruesin, sipas kuptimit të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;
b) transportuesin, sipas kuptimit të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë;
c) personin fizik/individin që transporton mallrat me përdorim të dyfishtë në tranzit, kur ato mallra ndodhen në bagazhin personal të këtij personi.”.
Neni 12
Në nenin 24 bëhen shtesat dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Në pikën 1, pas togfjalëshit “… në pikën 2 …” shtohet “… dhe 3 …”.
2. Në pikën 2, fjalët “… jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë …”, hiqen.
3. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Pikat 2 dhe 3, të këtij neni, nuk zbatohen, nëse asistenca teknike:
a) merr formën e transferimit të informacionit, që është në domain-in publik ose kërkim bazik shkencor, sipas kuptimit të shënimit të përgjithshëm për teknologjinë ose shënimit për teknologjinë bërthamore të përcaktuar në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë;
b) ofrohet nga autoritetet ose agjencitë e një shteti partner, në kuadrin e detyrave të tyre zyrtare;
c) ofrohet për forcat e armatosura të një shteti partner, në bazë të detyrave që u janë caktuar;
ç) ofrohet për një qëllim që është përfshirë në përjashtimet për artikujt e Regjimit të Kontrollit të Teknologjisë së Raketave;
d) është minimumi i nevojshëm për instalimin, funksionimin, mirëmbajtjen (verifikimin) ose riparimin e atyre mallrave, për të cilat është lëshuar një licencë eksporti.”.
Neni 13
Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 24/1
Masa kombëtare për arsye të sigurisë publike, politikës së jashtme, sigurisë kombëtare ose të drejtave të njeriut
1. AKSHE-ja mund të ndalojë ose të vendosë një kërkesë për licencim për eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë, që nuk janë të listuara për arsye të sigurisë publike, politikës së jashtme, sigurisë kombëtare ose të drejtave të njeriut, duke përfshirë parandalimin e akteve terroriste, përdorime që paraqesin shqetësim në lidhje me sigurinë publike apo për konsiderata që lidhen me të drejtat e njeriut.
2. Në marrjen e këtij vendimi, AKSHE-ja konsideron informacionin dhe/ose kërkesat që vijnë nga institucionet e tjera shtetërore, të përfshira në kontrollin e transferimeve ndërkombëtare të mallrave me përdorim të dyfishtë.”.
Neni 14
Në nenin 25 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët “… si dhe përdoruesve të licencës së përgjithshme …” hiqen.
2. Në pikën 2, fjalët “… dhe përdoruesit e licencës së përgjithshme …” hiqen.
3. Në pikën 4, fjalët “… apo përdorimin e licencave të përgjithshme.” hiqen.
Neni 15
Pas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 29, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Nga vlerësimi i autoritetit licencues rezulton se pas shqyrtimit paraprak dhe njoftimit për mangësitë e konstatuara, operatori ekonomik:
i. nuk ka paraqitur formularin e plotësuar në të gjitha rubrikat, sipas udhëzimeve;
ii. nuk ka paraqitur të gjitha dokumentet e tjera shoqëruese dhe ato nuk janë paraqitur në formën e kërkuar apo përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tyre nuk duket qartë apo është e palexueshme;
iii. nuk përmbush kriteret përkatëse të licencimit/autorizimit/lejimit;
iv. nuk ka kryer pagesën e tarifës së shërbimit.”.
Neni 16
Në nenin 30 bëhen shtesat e mëposhtme:
1. Në titullin e nenit, pas fjalës “Pezullimi …” shtohen fjalët “…, ndryshimi, kufizimi …”.
2. Në pikën 1, pas fjalës “ … pezullon …” shtohen fjalët “…, kufizon për një ose disa produkte …”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Nëse subjekti titullar i licencës, i autorizimit, i certifikatës së lëshuar paraqet një kërkesë për ndryshim të një ose të disa elementeve, AKSHE-ja ndryshon licencën, autorizimin, certifikatën e lëshuar, duke ndjekur të njëjtën procedurë si aplikim i ri.”.
Neni 17
Pas pikës 2, të nenit 48, shtohet pika 3, me ketë përmbajtje:
“3. Ministri i Mbrojtjes miraton aktin nënligjor, në zbatim të pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji.”.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.46/2018, “PËR KONTROLLIN SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA