Sadri Gjoka nga Kukësi, si shumë bashkëqytetarë të tij, kishte vite që priste një leje legalizimi për shtëpinë e ndërtuar. Vetëm sot, mundi dhe pritja e tij u shpërblyen me dokumentin që e bën Sadriun pronar të ligjshëm, të shtëpisë ku jeton së bashku me familjen. Sadriu lejen e legalizimit e mori nga Kryeministri Edi Rama, i cili sot ishte mik në shtëpinë e tij.
Kryeministri shpjegoi se dokumenti që mori jo vetëm Sadriun por edhe të tjerë në Kukës sot, iu rikthen atyre shumëfish mundin dhe djersën e shpenzuar për ndërtimin e shtëpisë. “Kur shtëpia futet në regjistrin e pronës dhe bëhet pasuri e patundshme, gjithë ky kapital që është harxhuar për të ndërtuar shtëpinë, e që sot është i vdekur, bëhet i gjallë. Me këtë titull pronësie shkon në një bankë, merr një kredi, bën një investim. Merr një kredi të vogël për një fermë të vogël. Kështu që ta gëzoni dhe nga momenti që regjistroheni në hipotekë, atëherë këtë kapital që keni harxhuar për të ndërtuar shtëpinë e keni në dispozicion për ta investuar në ekonominë e familjes.”
Duke krahasuar ndërtimin e një shtëpie, me ndërtimin e shtetit, Kryeministri tha se krejt ndryshe do të ishte nëse shumë gjëra do të bëheshin disa dekada më parë. “6 vjet për të ndërtuar shtëpinë. Po një shtet si bëhet, për 6 ditë? Po të ishin bërë gjërat që 20 vjet përpara, do ishin ndryshe. Njerëzit kanë kohë që presin dhe e kanë humbur durimin. Gjithashtu kanë pasur shpresa e zhgënjime, por një ditë duhet të fillonte kjo punë e duhet të fillonte me themel, se gjysma paguanin energjinë, gjysma jo, e kush e paguante quhej “budalla” e ai që e vjedh quhej “i zgjuar””.
Historia e Sadriut është e veçantë. Para shumë vitesh, familja e tij u detyrua të shpërngulej së bashku me 4 familje të tjera për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Por, ndërsa familjet e tjera u favorizuan me dëmshpërblim, për shkak të përkatësisë partiake, Sadriu nuk e përfitoi atë dhe investoi vetë për shtëpinë e re. Dëshirës së Sadriut për një shtet ku drejtësia të funksionojë për të gjithë njësoj, Kryeministri Rama iu përgjigj se Reforma në Drejtësi është zgjidhja e duhur, por të cilën e pengojnë ata që kanë frikë prej saj. “Ata kanë problemin se kanë frikë Reformën në Drejtësi. Se mund të rrinin në çadër për ditë të tjera dhe të enjten të vinin në parlament, të votonin Vetingun, që është një fshesë për të pastruar pallatin e drejtësisë nga gjithë këto pirgjet e zullumit. Këta nuk e bëjnë, sepse janë të lidhur se mishi me thoin me atë zullum.”
Në bisedën që vijon natyrshëm tek perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit, Kryeministri tha se krahasuar me gjendjen e tre viteve më parë, përmirësimi është i dukshëm, por mbetet ende shumë punë për të bërë, për Shqipërinë që duan të gjithë shqiptarët. “Na duhet për të vazhduar punën që bëjmë të gjithë dhe për të përmirësuar vazhdimit gjërat sepse ka shumë për të bërë akoma. Po të shohim shifrat e ekonomisë, në 2013, ishim në gjendje komplet stanjacioni, me një rritje 0, pak përqind. Tani është në 3.5 %, por përsëri nuk është mjaft që të arrijë tek njerëzit. Që të vijë rritja ekonomike në çdo shtëpi duhet të kalojë 5 %dhe ky është objektivi ynë.”