Shumë të nderuar dhe njëkohësisht të dashur përfaqësues të shkëlqyer të Forcave tona të Policisë së Shtetit, që nga drejtuesit e lartë, deri tek të gjithë ju, njerëzit që përpiqeni në çdo ditë dhe në çdo orë të vështirë për të qëndruar në krahun e ligjit, për të qëndruar në krahun e qytetarëve të këtij vendi.
Është realisht e vështirë që të gjesh aq fjalë sa duhen për t’u shprehur sot të gjithë nderimin dhe njëkohësisht falënderimin, për atë që ju bëtë në vetëm pak ditë, pas një lajmi tronditës që shqetësoi të gjithë shoqërinë. Sepse asnjë fjalë dhe as të gjitha fjalët që mund të rreshtohen njëra pas tjetrës, nuk mund dot të përshkruajnë, qoftë shkallën e jashtëzakonshme të vështirësisë me të cilën ju përballeni, qoftë përmasën e kësaj vepre të shkëlqyer që ju të gjithë vutë në jetë.
Megjithatë, unë dëshirova me gjithë zemër që të isha sot këtu, në këtë ditë që për një koincidencë fatlume përkon edhe me ditën e çlirimit të vendit, sepse e ndjeva për detyrë që në emër të të gjithë qytetarëve t’ju përulem me mirënjohje, duke ju shprehur jo vetëm nderimin me fjalë, por edhe përkushtimin tonë dhe përkushtimin tim më të madh që ju, dita ditës, të ndjeni të gjithë rëndësinë që ka për ne ajo që ju bëni çdo ditë.
Siç e tha edhe Ministri, dua ta përsëris: Jemi shumë të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ju përballeni në të përditshmen tuaj, për vështirësitë me të cilat përballeni në punë, për vështirësitë me të cilat përballeni në familjet tuaja. Por, ajo që ju bën të gjithëve ju të veçantë, është fakti se pavarësisht vështirësive, përpara të cilave shumëkush mund të dorëzohej, mund të tërhiqej, apo mund të fshihej, pasioni juaj për t’i shërbyer detyrës që keni marrë përsipër, por edhe për t’i shërbyer asaj ëndrre që qysh fare të rinj ju ka sjellë në radhët e Policisë së Shtetit, është më i madh se çdo vështirësi.
Me siguri, secili prej jush e kujton ditën e parë kur ka marrë rrugën për t’u përfshirë në radhët e Policisë së Shtetit. Me siguri, secili prej jush në qoftë se kthen kokën pas në fëmijërinë e vet, e kujton kohën kur ka ëndërruar të bëhet polic. Me siguri, secili para jush e ka fort mirë parasysh fytyrën e nënës kur ju ka përcjellë, duke ju bekuar me zemrën e dridhur, sepse po hynit në një rrugë të vështirë; dhe dorën e babait që ju ka rrahur shpatullat, me dëshirën që ju të jeni në lartësinë e edukatës që ju kanë dhënë familjet tuaja dhe në lartësinë e dëshirës së çdo prindi që ju ta mbani gjithmonë të pastër emrin që ju ka dhënë familja.
Ju jeni bij dhe bija familjesh të thjeshta shqiptarësh në përgjithësi, por besoj familjesh që e kanë jetuar të përditshmen e tyre me disa norma të thjeshta, por shumë domethënëse të një edukate që sot i bën forcat tuaja dhe posaçërisht, forcën kaq speciale të RENEA-s, një forcë të bazuar në disa norma të pathyeshme. Norma të pathyeshme që faktikisht e bëjnë forcën tuaj speciale një forcë të pathyeshme përballë kujtdo. Ajo që ju dëshmuat, duke kthyer prapa hekurave një grusht kriminelësh shumë të rrezikshëm, është pikërisht pathyeshmëria juaj dhe në fakt, pathyeshmëria e shtetit përballë kujtdo që sfidon ligjet e bashkëjetesës dhe kërcënon shoqërinë.
Këtë pathyeshmëri duam që të nderojmë, duam që të përkrahim dhe duam që të forcojmë, bashkë me ju.
Sigurisht, ne i kemi detyrat e ndara. Ju keni një detyrë jashtëzakonisht të vështirë që sa herë e keqja shfaqet, ashtu siç u shfaq në ditët e shkuara, t’i dilni asaj përballë, duke vënë në rrezik qysh sa dilni nga reparti, vetë jetën tuaj. E ju këtë e bëni në mënyrën më të shkëlqyer, siç e bëtë edhe në ato pak ditë, kur dëshmuat se asgjë nuk mund t’ju zmbrapsë, në rast se ata që ju japin urdhrat nuk ia kanë kujt me hile, por përkundrazi, janë në lartësinë e aspiratave dhe të nevojave të këtij populli.
Detyra jonë nuk është më pak e lehtë. Në kushte të vështira ekonomike, në kushte të vështira financiare, në kushte të vështira edhe morale për një shtet që po përpiqemi ditë-natë ta rikthejmë të tërin në krye të detyrës, ne kemi detyrën që t’ju bëjmë ju të ndiheni përditë e më mirë, jo vetëm moralisht, por edhe ekonomikisht. E pra, kjo nuk është e lehtë, për shkak se objektiviteti i kushteve në të cilat ndodhemi, imponon shumë pamundësi. Por nuk është as e pamundur. Unë ju siguroj se ne jemi 100 % të angazhuar dhe se, më besoni, asnjë ditë nuk e harrojmë, asnjë ditë unë vet nuk e harroj, se duhet të bëjmë çdo ditë më shumë për ju. Jam i bindur që ju i dini vështirësitë, jam i bindur që ju i mirëkuptoni problemet e mëdha që ne kemi përballë të trashëguara nga e shkuara, por edhe të diktuara nga vështirësitë e një vendi që ende nuk e ka kapërcyer tranzicionin. Ashtu sikundër, jam plotësisht i bindur se ajo që ju bëni dhe kjo vepër e jashtëzakonshme që bëtë në ditët e fundit, do të krijojë mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë që në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare në përgjithësi është i vështirë, përmirësimi i kushteve tuaja financiare të jetë e para gjë që ne të bëjmë, qysh vitin e ardhshëm, kur ndoshta të tjerët do të duhet të presin pak dhe me mirëkuptim të pranojnë se Policia e Shtetit, Forcat Speciale, janë të parat që meritojnë një rritje të përfitimit financiar.
E di që kur jeni betuar nën uniformën e policit të shtetit nuk ju ka shtyrë përfitimi financiar. Mbase ka qenë gjëja e fundit që keni menduar, sepse e para ka qenë pasioni për të qenë në radhët e Policisë së Shtetit, pasioni për t’u bërë polic i shtetit, pasioni për të luftuar me të këqijat, përballë të cilave shumëkush do të frikej dhe jo pa të drejtë, do të tërhiqej. Ndërkohë që frika dhe tërheqja janë ndjesi që nuk kanë lidhje me forcat e rendit, nuk kanë lidhje me forcat e sigurisë, nuk kanë lidhje me policin dhe ushtarin e një Republike si kjo e jona.
E pra, më lejoni që sot, në këtë Ditë të bekuar të Çlirimit të vendit, unë t’ju përulem me mirënjohje, në emër të të gjithë atyre që u tronditën nga lajmi i keq i arratisjes prej burgut të 7 kriminelëve super të rrezikshëm, por edhe në emër të të gjithë atyre që çdo ditë ndjejnë nevojën e Policisë së Shtetit në krah të tyre, për shkak se përballen me lloj-lloj rrugaçësh, me lloj-lloj kriminelësh që shfaqen krejt papritur në mjedisin e jetës së tyre, me lloj-lloj shfaqjesh të shëmtuara të shkeljes së ligjit në dëm të pronës dhe në dëm të jetës.
Në këtë ditë, unë dua t’ju them se ju jo vetëm e çliruat shoqërinë nga një ankth i shkaktuar, natyrshëm, prej atij lajmi të keq, por edhe se ditët, javët, muajt dhe vitet në vijim, falë jush, falë Policisë së Shtetit, ne do t’i kthejmë në kohën e çlirimit përfundimtar nga ankthi që krijon superioriteti i krimit ndaj shtetit, nga ankthi që krijojnë vrasjet, përdhunimet, dhunimet dhe grabitjet ndër qytetarët e këtij vendi, të cilët meritojnë shumë më shumë dhe në radhë të parë, meritojnë të jetojnë në një shtet, ku jeta dhe prona e tyre të jetë e garantuar.
Jam i bindur, të dashur miq, se në detyrat tona të ndryshme, por plotësisht komplementare me njëra-tjetrën, ne së bashku do të bëjmë më të mirën që të ndjehemi krenarë pikërisht për kryerjen me përkushtim, me cilësi dhe me vetëdije të lartë atdhetare dhe qytetare, të një detyre që është në të njëjtën kohë edhe një privilegj. Privilegji për t’i shërbyer një populli të tërë, privilegji për t’i shërbyer familjeve të thjeshta dhe shpesh herë të pambrojtura të këtij vendi, privilegji për t’i shërbyer të ardhmes së fëmijëve tanë. Shumë nga ju janë prindër, shumë nga ju do të bëhen prindër, por pa asnjë dyshim, të gjithë ju jeni fëmijë prindërish, të cilët kanë qenë dhe duhet të mbeten gjithmonë një arsye e fortë që secili prej jush ta kryejë detyrën për të qenë kryelartë karshi prindërve të vet, në radhë të parë, si zëdhënësit e një morali që duhet të jetë në mënyrë të palëkundshme morali i Policisë së Shtetit.
Në fund, më lejoni t’ju siguroj për një gjë:
Pa asnjë dyshim ne do të bëjmë gjithçka, siç e thashë, për të përmirësuar kushtet tuaja, kushtet tuaja vetjake dhe të familjes suaj, kushtet tuaja të stërvitjes dhe të punës suaj, kushtet tuaja të bashkëjetesës brenda kësaj force të madhe, duke qenë të bindur se ju do të mirëkuptoni çdo vështirësi të kësaj natyre. Por, një gjë është e sigurt se, që nga dita e parë në këtë detyrë, ne kemi plotësuar dhe do ta plotësojmë deri në ditën e fundit në këtë detyrë një kusht themelor:
Ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë! Ne nuk do t’ua lëmë kurrë shpinën të pambrojtur! Ne nuk do të lejojmë kurrë që të përsëritet tradhtia që në të shkuarën e ka bërë Policinë e Shtetit të dobët, e ka bërë Policinë e Shtetit të pafuqishme, e ka bërë Policinë e Shtetit humbëse karshi së keqes dhe karshi gjithfarë kriminelësh që përballë jush, nuk kanë pasur avantazhin e forcës, as avantazhin e zgjuarsisë, as avantazhin e ndonjë zotësie tjetër të veçantë, por fatkeqësisht kanë pasur në momente kulmore avantazhin e të qenit të mbuluar politikisht përballë jush që në ndeshjen me ta, keni qenë të zbuluar politikisht. Kjo është vetëm një kujtesë e hidhur e një të shkuare që për sa kohë ne do të jemi në krye të detyrës sonë, nuk do të përsëritet kurrë. E për sa kohë ne do të jemi në krye të detyrës sonë, çdonjëri nga ju do të jetë njeriu ynë më i çmuar në përballjen me një të keqe që, bashkërisht, ne do ta zmbrapsim. Ju duke qenë në vijën e parë të frontit të betejës me krimin, që pa asnjë dyshim shteti dhe jo krimi do ta fitojë dhe ne duke qenë në mbështetjen tuaj më të plotë, më të palëkundur dhe më sistematike.
Ju uroj nga zemra Gëzuar këtë ditë të bekuar, ditën kur ne nderojmë të rënët për këtë vend, ditën kur në radhë të parë ju keni të gjithë arsyet që, bashkë me kujtimin e atyre që çliruan këtë vend në 29 Nëntorin e vitit 1944, të keni edhe kujtimin e të gjithë atyre që i njohët, i kishit në krahë, ndanit me ta bukën dhe hallet dhe që sot nuk janë më, sepse ranë në betejën e gjatë, padrejtësisht të gjatë dhe padrejtësisht sfilitëse me krimin, shpesh herë të ngrënë pas shpine dhe jo të mundur në rrugën e kësaj beteje.
Prandaj, sot është dita për të thënë para jush, jo vetëm lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare, por edhe lavdi përjetë të gjithë atyre që nën uniformën e Policisë së Shtetit, sakrifikuan jetën e tyre për të mbrojtur ngjyrën e kësaj skuadre që është skuadra më e rëndësishme e këtij shteti dhe që për ne do të jetë, deri në orën e fundit të kryerjes së kësaj detyre, një skuadër që do ta duam dhe do ta mbështesim me të gjithë forcën e zemrës e të mendjes.
Qofshi gjithnjë mirë, paçi gjithnjë shëndet në familjet tuaja!
Qofshin gjithnjë krenarë për ju, prindërit dhe fëmijët tuaj!
Faleminderit!