Kryeministri Edi Rama në takimin publik të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, në Pukë:
Shumë faleminderit për mikpritjen!
Më vjen shumë mirë që sot më jepet mundësia të flas këtu, pasi kemi mundur të shohim pak zhvillimet e periudhës së fundit, qysh se kam qenë për herë të fundit. Besoj që jo vetëm për ju që jeni këtu, jo vetëm për ata që kanë votuar për Gjonin, apo për Partinë Socialiste, por për këdo, edhe për ata që nuk e kanë votuar Gjonin apo Partinë Socialiste, nëse duan të shohin, ajo që sytë tregojnë është fare e qartë.
Patjetër që problemet, hallet, shqetësimet e familjeve këtu në këtë zonë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë nuk kanë të mbaruat. Patjetër që secili nga ju ka probleme dhe halle. Zona ku jemi, një zonë e mahnitshme për nga bukuritë natyrore, ka probleme të mëdha, kjo nuk diskutohet, por, nëse e shohim Pukën që duam me sytë e të sotmes, sigurisht që kjo që kemi nuk është ajo që duam, por, nëse e shohim këtë që kemi me sytë e të djeshmes, kjo që kemi nuk ka krahasim me atë që kishim.
Ajo që kishim ishte ferr. Mjafton të kthesh kokën majtas dhe aty ku sot është një atraksion i mirëfilltë për këdo dhe jam i bindur do të jetë gjithmonë e më shumë një atraksion për ata që do vijnë gjithnjë e më të shumtë në këtë zonë, ishte një vatër turpi, braktisjeje, infeksionesh. 90 mijë metër kub plehra, mbeturina spitalore përzier në to, gjarpërinj janë hequr nga ajo gropë e zezë, që sot është kthyer në një liqen në mes të qytetit. Ashtu sikundër këtu ku ne jemi sot ishte një shesh me gropa dhe rruga ishte një rrugë braktisjeje, pa folur për godinat dhe pa folur për hijen e përgjithshme mbi qytet, që ishte hija e një zymtie të pangushëllueshme.
Sot jemi në një situatë krejt tjetër dhe nuk është e rastit që është rritur dhe rritet vazhdimisht numri i atyre që vijnë këtu për të kaluar një ditë, apo edhe një natë. Tani sfida është që të rriten kapacitetet e mikpritjes. Sfida është që të investohet shumë më tepër në zonën rurale, të investohet në agroturizëm, të shfrytëzohet bukuria, sepse bukuria është pasuri, nuk është thjesht hijeshi, për të promovuar turizmin në të gjithë këtë zonë ku janë potenciale të jashtëzakonshme.
Tani e kemi bazën. Kemi një pikë referimi që është këtu, kem një tjetër pikë referimi që është Fushë Arrëzi, ku ishte si të kaloje ferrin dhe sot ka filluar të marrë një tjetër hije, të marrë një dritë shprese, e përsëris, pavarësisht se problemet për t’u zgjidhur, problemet me punësimin, me varfërinë, me cilësinë e shërbimeve janë ende të mëdha.
E njëjta gjë vlen edhe për vendin tonë. Besoj se këtu qëndron dhe dallimi mes nesh dhe atyre që sot kanë dalë hapur si pengesë për ecurinë e mëtejshme të vendit tonë drejt çeljes së negociatave dhe janë kthyer në bojatisës me pahir të një imazhi të papëlqyeshëm për Shqipërinë. Është njëlloj si dallimi mes Pukës sot dhe Pukës dje.
Ky shesh sot jemi ne. Ai shesh që ishte dje këtu janë ata që janë sot. Njësoj.
Ajo pasqyrë atje jemi ne. Ajo gropë me plehra, me mbeturina spitalore dhe me gjarpërinj janë ata.
Kështu në çdo aspekt, sepse, në fund të fundit, politika nuk mund të matet thjesht me çfarë thotë njëri, çfarë thotë tjetri, por duhet të matet me çfarë bën njëri, çfarë bën tjetri. Se çfarë bëjnë ata, ju i dini më mirë se unë që këtu kam ardhur shpesh, por nuk kam jetuar. Se çfarë bënë ata për Pukën, çfarë bënë ata për familjet tuaja, për zhvillimin e të gjithë kësaj zone, ju i dini më mirë, sesa të gjithë ne të tjerët që mund të flasim. Se çfarë po bëjmë ne, ju e shihni.
E njëjta gjë vlen dhe për mbarë Shqipërinë. Se çfarë bënë ata për Shqipërinë është diçka që gjithkush e di dhe gjithkush e mban mend, për fat të mirë. Ndërkohë që ajo që ne po bëjmë shihet.
Patjetër ne kemi të metat tona, kemi gabimet tona. Nuk diskutohet që në punët tona ka plot për të ndrequr, por, ama, unë besoj se kush ka sy për të parë, kush ka veshë për të dëgjuar dhe kush mendon me kokën e vet, jo me kokën e tyre, nuk e diskuton që këtu s’ka krahasim.
Më e keqja është se edhe në opozitë, ata janë përsëri një pengesë e madhe për rrugën tonë të zhvillimit dhe të përparimit, pa asnjë vizion për Shqipërinë, pa asnjë program zhvillimi alternativ, pa asnjë ide, pa asnjë lidership, por thjesht bam e bum, ku rafsha, mos u vrafsha dhe punë e madhe se po bie e po vritet shpresa e njerëzve të zakonshëm nga sjellje dhe akte të papranueshme.
Ajo çka na ka sjellë edhe këtu është iniciativa për të pasur një seri takimesh në të gjithë Shqipërinë, takime publike për Bashkinë që Duam. Natyrisht këtu nuk ka shumë për të folur, sepse flet vetë puna. Është një qytet i vogël, që është prekur thuajse në të gjitha poret e veta dhe transformimi është spektakolar. Nuk kemi çfarë diskutojmë për këtë. Është një qytet tjetër. Nëse do të bënim një album fotografik me Pukën që ishte dhe Pukën siç është sot, shumëkush mund të thoshte nuk është i njëjti qytet, është montazh. Kështu që nuk kemi çfarë flasim shumë për këtë aspekt, ashtu sikundër besoj që, qoftë Gjoni, qoftë Frani meritojnë të gjithë respektin dhe besimin që iu keni dhënë me votën tuaj dhe ne me përzgjedhjen dhe mbështetjen që e kemi dhënë, sa kemi mundur, për Pukën dhe Fushë Arrëzin.
Një gjë është e rëndësishme. Ne jemi sot në një rreth njerëzish, që nuk është as një takim fushate dhe as një takim që ndodh për herë të parë. Rrathë të tillë, ne kemi ndërtuar qysh sa fituam zgjedhjet. Pasi njerëzit na dhanë votën, ne nuk shkuam për pushime, por u rikthyem për t’i falënderuar dhe për t’i dëgjuar. Të njëjtën gjë bëmë pas një periudhe të parë pune, u rikthyem te njerëzit për t’i dëgjuar, për të folur me ta dhe për të vazhduar për të mbajtur këtë marrëdhënie. Ndërkohë kemi ndërtuar një mekanizëm që përmes internetit jemi të lidhur në kohë reale me këdo, me çdo njeri të zakonshëm që jeton në qytet apo në fshat, në qendër apo periferi, në një zonë të afërt, apo të largët dhe që ka nevojë për ne.
Platforma www.shqiperiaqeduam.al është pikë referimi për çdo njeri të zakonshëm që nuk arrin të zgjidhë një hall të vetin në rrugën e burokracisë, që ka nevojë për ndihmë dhe ndihmën e merr pa pasur nevojë të gjejë një kushëri, një parti që e ndihmon, apo të fusë dorën në xhep. Mjafton të na drejtohet te Platforma dhe menjëherë qeveria vetë, unë personalisht, ministri apo ministrja përkatëse, i vihet në dispozicion. Ne kemi arritur të zgjidhim mijëra halle të padukshme në këtë periudhë kohe, halle njerëzish, halle nënash, halle pensionistësh, halle familjesh apo komunitetesh, që nuk bëjnë lajm, nuk dalin nëpër lajme, por që janë jeta reale e njerëzve. Për mua është krenaria më e madhe, që ne kemi një qeveri që, më shumë se kurrë më parë, shqiptarët i dëgjon, i respekton dhe bën çmos që t’iu zgjidhë problemet.
Nuk i zgjidhim dot të gjitha. Nuk jemi gjithmonë të përsosur kur komunikojmë, por gjithçka e bëjmë me zemër, gjithçka e bëjmë me vëmendje të plotë për t’iu gjendur pranë njerëzve.
Ky është ndryshimi më i madh, në këndvështrimin tim.
Nuk janë as infrastrukturat, nuk janë as ndryshimet e ndodhura në çdo sektor, nuk janë as reformat, nuk janë transformimet që kanë nisur dhe që do të vazhdojnë, por është baza e të qenit të kësaj qeverie, që është një qeveri që nuk është ndërtuar mbi logjikën e pazareve me parti të tjera, nuk është ndërtuar me logjikën e të ashtuquajturave koalicione, që pastaj e merrnin shtetin dhe e ndanin siç ndahet byreku apo bakllavaja në një tepsi, por është ndërtuar mbi dëshirën e madhe dhe vullnetin për të bashkëqeverisur me njerëzit, duke i dhënë çdo individi mundësinë që të ketë drejtpërdrejtë komunikim me Kryeministrin apo me ministrin përkatës, për të zgjidhur një problem të vetin.
Këtë e ka mundësuar vota, e ka mundësuar besimi që njerëzit na kanë dhënë.
Ne duam ta çojmë përpara e ta përsosim këtë mekanizëm, por unë nuk do të resht së përsërituri, që gjithkush sot ka një derë që i hapet dhe është dera e qeverisë shqiptare, në nivelin më të lartë.
Gjithkush sot, nëse e gjen mbyllur derën e shtetit, aty ku do të marrë një certifikatë, një dokument apo një licencë, ku do të marrë një përgjigje, apo të zgjidhë një hall, nuk është vetëm, nuk është i pashpresë, përkundrazi ka derën e qeverisë ku troket, thjesht duke çuar një mesazh te www.shqiperiaqeduam.al. Brenda 10 ditësh merr përgjigje dhe zgjidhje për problemin, nëse zgjidhja i takon ashtu siç është me të drejtën që ka me vete.
Këtu dua të ftoj dikë që ka përfituar nga ky kontakt, për ta sjellë si shembull. Për mua kjo është pjesa më e rëndësishme e punës tonë, sepse është ajo zonë e qeverisjes që nuk përbën lajm, nuk del nëpër lajme, nuk është bombastike, është e heshtur, por është shumë, shumë e rëndësishme. Sepse i jep qeverisë dhe qeverisjes sonë përmasën e halleve dhe të shpresave të njerëzve të zakonshëm.
Ftoj zonjën që thjesht të ndajë me ju eksperiencën me Platformën e Bashkëqeverisjes.
Unë kisha një problem gjatë kohës që u bë rruga Fushë Arrëz – Reps, ku mbeti një pjesë që nuk ishte riparuar. Ne komunikuam shumë me firmën, me inxhinierët. Jo vijmë sot, jo nesër dhe na u sos durimi. Ne kishim dëgjuar që është hapur portali www.shqiperiaqeduam.al. Menjëherë sapo aplikova në portal, erdhi mesazhi i Bashkisë Pukë, e cila kishte nisur stafin e saj prej 4-5 vetash në një kohë rekord. Ata kanë ardhur atje, kanë komunikuar, kanë bërë matje, kanë parë gjithë çfarë ishte lënë pa bërë. Shumë shpejt iu dha zgjidhje problemit që unë kisha. Prandaj kam ardhur t’ju falënderoj juve Zoti Kryeministër, për këtë punë që po bëni për qytetin e Pukës dhe për problemin që më zgjidhët.
Kryeministri Rama: Rruga e Repsit është një rrugë shumë e rëndësishme dhe faktikisht ishte një rrugë që nuk kalohej dot. E kishin premtuar të gjithë. Unë thashë do bëhet dhe u bë, por ka një nevojë të korrigjohet në shtresën asfaltike në disa zona, sepse, për shkak se është punuar në të ftohtë, janë shfaqur disa probleme teknike. Kështu që i siguroj të gjithë ata që kanë parë këtë problem, që ne nuk jemi si ata të parët, që premtonin dhe s’bënin asgjë, por jemi edhe më të mirë seç na kujtojnë disa, sepse kur i bëjmë gjërat, i bëjmë tamam. Kështu që ajo do korrigjohet dhe do bëhet perfekt.
Kam konkurruar në Portalin Mësues për Shqipërinë dhe u rendita i pari. Normalisht prisja që të emërohesha mësues. Kisha një dëshirë për të dhënë kontributin tim për vendin dhe iu drejtova Platformës së Bashkëqeverisjes. Brenda pak kohësh më emërojnë mësues TIK-u në gjimnazin “Sherif Hoxha”.
Kryeministri Rama: Këto raste nuk janë një e dy, janë mijëra. Faktikisht vlejnë për të reflektuar mbi faktin që, përndryshe, këta mijëra njerëz do ishin akoma sot duke pritur. Kështu kanë pritur në të shkuarën, ose do të kishin gjetur rrugë të tjera, siç i kanë gjetur në të shkuarën dhe siç fatkeqësisht edhe sot ka jo pak njerëz që kërkojnë rrugë të tjera, në vend se t’i drejtohen kësaj adresë dhe t’i bien rrugës më të shkurtër, që është dy-tre minuta, një aplikim te shqipëriaqëduam.al, e cila është një adresë që ka lindur pikërisht nga zotimi ynë që me votën e njerëzve të mund të bashkëqeverisim.
Dua të them edhe diçka lidhur me këtë moment të vështirësuar në mënyrë komplet artificiale dhe realisht të turpshme për vetë vendin, duke eksportuar në gjithë Europën, imazhet skandaloze të vandalizmit mbi godinën e qeverisë dhe duke marrë përsipër të gjithë sulmin mbi jetën institucionale të vendit, në një rrugë që është e njohur për të gjithë. Është një film i parë. Sa herë afrohen zgjedhjet, ata ia fillojnë këtij avazi, sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Ndërtuan një çadër në mes të bulevardit, bllokuan rrugën dhe bënë çmos që të shmangnin zgjedhjet dhe t’i përdornin ato kundër Reformës në Drejtësi.
Sot është e njëjta situatë, ndërkohë që Reforma në Drejtësi po ecën përpara dhe po hyn në fazën e ngritjes së institucioneve, duke realizuar një proces që do të vazhdojë, pastrimit të thellë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar. Ata përsëri i vihen barrikadë vendit dhe drejtësisë dhe përdorin argumente që janë vetëdiskretitues për këdo që ka veshë të dëgjojë dhe dëgjon me veshët e vet, jo me veshët e tyre. Kujt shqiptari që di sadopak për procesin zgjedhor në Shqipëri mund t’i besohet se këta që flasin për blerje votash janë zgjidhja dhe nuk janë problemi. Kujt shqiptari që ka sy për të parë dhe shikon me sytë e vet dhe jo me sytë e tyre mund t’i besohet që këta që flasin për korrupsion, për luftë kundër varfërisë e për drejtësi janë zgjidhja dhe nuk janë problemi. Pikërisht pse janë problemi, apo pse ishin problemi, ata u larguan dhe nuk fitojnë dot zgjedhjet, sepse vazhdojnë të jenë problemi, nuk janë zgjidhja. Kjo është arsyeja pse nuk fitojnë dot zgjedhje dhe kjo është arsyeja që, sa herë afrohen zgjedhjet, ata dalin nga binarët. Nuk ka asnjë arsye tjetër.
Të gjitha janë justifikime. Të gjitha janë alibi. Të gjitha janë mënyra për t’i ikur ballafaqimit me qytetarët, për t’i ikur ballafaqimit me zgjedhësit. Ne jetojmë në një sistem ku vendimet mbi kush qeveris dhe kush është në opozitë i marrin qytetarët në zgjedhje.
Më e bukura është se flasim për zgjedhjet e shkuara, por kush e ka harruar që në zgjedhjet e shkuara, ata ishin në qeveri, ata kishin Ministrin e Brendshëm. Kush e ka harruar këtë? Ata kishin të gjitha institucionet që i kërkuan, sepse, medemek, ne do të përdornim administratën. Atëherë, si u blenë votat nga ne dhe si u përdor administrata nga ne, kur në qeveri, në zgjedhje ishin ata, sepse ua dhamë mundësinë dhe u thamë merrini të gjitha, ama me një kusht: të njihni rezultatin e zgjedhjeve. I morën të gjitha dhe kur mbaruan zgjedhjet, nuk e njohën rezultatin, sepse ata nuk janë në gjendje të kuptojnë pse humbasin dhe prandaj vetëm do të humbasin. Nuk kanë shans të fitojnë, deri kur ta kuptojnë sepse humbasin.
Ngatërrojnë popullin, shumicën që vendos në demokraci, me punonjësit e bashkive, apo me ndjekësit fanatikë të tyre, që i mbledhin për të bërë demonstrime force. Ngatërrojnë këto të dyja. Shumë keq për ata, aspak mirë për vendin, por ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër.
Rruga jonë është ajo që është përcaktuar nga populli shqiptar në zgjedhje dhe detyra jonë është të zbatojmë kontratën me popullin shqiptar, të bëjmë maksimumin për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe të imponojmë atë që ka imponuar populli shqiptar në zgjedhje, në një palë zgjedhje ku qeveria ishte e përbashkët dhe ishte e përbashkët pikërisht për t’i dhënë zgjedhjeve legjitimitet të plotë, në aspektin e pranimit të rezultatit.
Kjo është e gjitha dhe të tjerat janë të gjitha gjëra të thjeshta për t’u kuptuar, sepse ua kam thënë atyre dhe ua kam përsëritur, përsa kohë vazhdoni të mendoni se shqiptarët mund t’i bëni për budallenj, për aq kohë, shqiptarët do t’u lënë aty ku keni vendin. Jo vetëm do të rrini aty ku jeni, por do të zvogëloheni gjithmonë e më shumë.
Sot po iu them, unë nuk e di çfarë do bëjnë ata, por në ballafaqimin e ardhshëm zgjedhor, kurdo qoftë ai, në këto zgjedhje, apo në zgjedhjet e 2021-it, mbani mend fjalën time, populli shqiptar do t’i lërë aty ku janë, por do të jenë më pak seç janë sot.
Zoti Kryeministër të përshëndesim për mirëseardhjen. Të dëgjova me vëmendje dhe më pëlqeu që the se Puka është e rregulluar e gjitha. Unë jam një 53 vjeçare që jam larguar nga puna para dy javësh. Jemi 6 veta dhe unë po flas dhe në emrin e tyre. Unë kam 6 muaj që jetoj vetëm dhe me 37 vite pune. Motra, po në të njëjtin vend dhe është e vetmja ajo që me 26 vite punë, me pleq të paralizuar dhe i hiqet burri nga puna.
Kryeministri Edi Rama: Tani, më fal, ma shprehe këtë, unë nuk e zgjidh dot tani këtë, besoj e kupton, unë them që ti ta çosh zyrtarisht tek portali, që të merren personat e duhur, ta shikojnë në mënyrë zyrtare e nëse ti ke të drejtë do e marrësh të drejtën, por mund edhe të mos kesh të drejtë dhe mund të mos e marrësh, por këtë nuk e vendos unë.
-Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë gëzohem që kam parë gjithë këto ndryshime. Unë kam dhe një problem që ndoshta më ndihmoni ju. Prindërit e mi kanë jetuar në fshat. Në 2012 ka vdekur mami, në vitin 2000 babi dhe u organizua nga bashkia që të vlerësonte njëherë ato parcelat e tokave, ku unë mora pjesë dy herë. Herën e parë më thanë që mos hajde sepse nuk kanë asnjë problem me vijën kufitare. Në fillim kërkuan dëshminë e trashëgimisë që ishte e vështirë për t’u nxjerrë sepse ishte grisur fleta e regjistrit e trungut familjar.
Kryetari i Bashkisë Gjon Gjonaj: Unë e kam pritur në zyrë, e kam sqaruar. Kam ngritur grupin e punës, por ka pasaktësi në dokumente, gjë për të cilën nuk mund të marr përsipër një korrigjim tek regjistri i madh. Ka mbivendosje. Ne shpesh herë jemi nisur për të thënë që “toka më takon mua se e kam pasur unë”, por në fund unë mund t’i referohem vetëm dokumentacionit. Dokumentacioni është, nga bashkia nuk ka asnjë gjë që e ka penguar, këto janë probleme të zyrës së regjistrimit të pasurive. Kështu unë nuk marr dot një hap arbitrar për të dhënë tokë ose për të hequr tokën.
Kryeministri Edi Rama: E kuptova për çfarë bëhet fjalë, është çështje dokumentacioni i hipotekës. Nuk ma sqaron dot se nuk jam gjykatës.
-E kuptoj, por problemi është se këto më thonë që nuk ke plotësuar letrat.
Kryeministri Edi Rama: Nuk bëjmë dot gjyq tokash këtu. Unë nuk jam gjykatës. Bashkia nuk ka lidhje me këtë punë. Komisioni i bashkisë është mbi bazën e dokumentacionit. Nëse dokumentacioni i zyrës së regjistrimit të pasurive ka mbivendosje, bashkia nuk e bën dot gjykatësin.
–Nuk janë të gjitha parcelat me mbivendosje, por nuk janë të gatshëm për ta kaluar me emrin.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e bëj dot gjykatësin këtu. Zgjidhja që të jap unë është e njëjta qjë që i thashë zonjës. Siç e ke dokumentacionin. Këtu është një vajzë që është e platformës, do shkruash tek platforma Shqipëriaqëduam. Për 10 ditë do marrësh përgjigjen e saktë. Nëse të takon, do marrësh atë që të takon, nëse është problem mbivendosje, pastaj është më e komplikuar. Nëse duhet t’i drejtohesh prokurorisë do me thënë që është çështje e dokumentacionit. Çështjet e dokumentacionit nuk i zgjidh as platforma, as Gjoni, as Frani, as unë, e zgjidh vetëm gjykata dhe askush tjetër. Megjithatë, jepja dokumentin asaj vajzës, ndërkohë bëj ankesën tek platforma e brenda 10 ditësh do e marrësh përgjigjen zyrtare nga ministrja e Drejtësisë.
-Faleminderit që erdhe në rrethin e Pukës dhe të falënderoj shumë që na ke radhitur mbas Vlorës. Ke ardhur para 4 vitesh, e ke përmbledh elektoratin me 2 fjali. në rast se e doni Pukën si lufin, votoni Rrok Dodën. Në rast se e doni Pukën si Europën, votoni Gjon Gjonin. E shef këtë elektorat? Mos kujto se janë në punë të tërë, por kanë ardhur se duan Gjonin dhe ty.
Kryeministri Edi Rama: Më fal, tani Puka është më afër si Europa apo si Lufi? Ai edhe 4 vjet të tjera, e di si do e bënte këtu? Jo si Lufi, se do ishte lule.
-Kur votuam për Gjon Gjonin, pra për Europën, nuk na ka zhgënjyer fare. Çdo krye bashkiak që ka qenë këtu e 30 vite, ka blerë nga një shtëpi, kanë shkuar në Tiranë, kanë çuar fëmijët në shkollë. Ky nuk na ka zhgënjyer fare. Për 30 vjet s’ka pasur investim Puka si është bërë tani. Këtu në Pukë, puna është të hapen nja 100 vende pune stabël. Ne, po na gjete një vend pune stabël, ne nuk duam të dimë se kush fiton. Unë faktikisht jam e hequr nga puna, por nuk mund të flas keq se të gjithë duan të hanë. Gjoni është munduar të fusë rininë në punë për të mos i larguar. Të uroj shëndet!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Të them diçka për çështjen e punësimit. Së pari, isha, nuk e di se nuk doja të pyes kur kishe mikrofonin se do ishe përgjigj, nuk e di çfarë mendon për atë tjetrin që ka atë hanin lart por problemi kryesor është që ka punë dhe nuk gjen punëtorë. Jo se këtu nuk ka njerëz të papunë, por se përgjithësisht duan punën në shtet, ky është problemi. Ndërkohë që ajo që kemi diskutuar disa herë e që do ta bëjmë me Gjonin është të ndërtojmë një rrjet grumbullimi të gjithë këtyre që grumbulloni ju, plus edhe bimë medicinale se këtu ka shumë. Një rrjet grumbulluesish dhe janë pikë grumbullimi që pastaj ata të mundet të dalin në treg ose të eksportohen e të sjellin më shumë të ardhura se sa dil, mblidh dhe shit. Kjo besoj që do krijojë goxha mundësi punësimi për ata që duan të punojnë e për ata që kur thonë dua punë nuk mendojnë një zyrë shteti, por mendojnë punë. Kjo është e para. E dyta është që të vazhdojmë të investojmë në agroturizëm sepse unë jam i bindur, kanë filluar të duken rezultatet e ka filluar të rritet numri i njerëzve që vijnë. Më thanë për shembull që vijnë nga Shkodra çifte dhe bëjnë video këtu, tek liqeni. E kupton tani, e imagjinoje të vinin tek kjo gropa këtu? Kishin hyrë brenda dhe ishin bërë lëmsh me gjarpërinjtë atje. Ajo që duhet të bëjmë është agroturizmi plus sot kemi parë një projekt tjetër për një park aventure për të sjellë shumë të rinj nga vende të tjera për të shfrytëzuar gjithë këtë zonën këtu deri poshtë tek liqeni, edhe ajo do sjelli njerëz dhe sa më shumë njerëz që të vijnë më shumë konsum, do me thënë me shumë shitje këtu, do me thënë që do duhen më shumë dhoma për ti mirëpritur, do fillojnë edhe shtëpitë të hapin derën për të mikpritur njerëz, kuptohet në këmbim të pagesës e kështu do fillojë të krijohet një ekonomi e një qyteti të vogël turistik.
Qyteti është i vogël, por zona është goxha e madhe dhe ka shumë potenciale. Kështu që hap pas hapi, besoj që në këtë drejtim do shkojmë, por hapi i parë ishte ky sepse na duhet të krijojmë tërheqje. Këta thonë që pse i lyeni e pse i rregulloni godinat. Se këta janë tek boja, ne jemi tek ngjyrat. Kush do bojë, është me Lufin, ne jemi me ngjyrat, kështu që besoj që jemi në rrugën e duhur. Do durim, nuk diskutohet, do mund të madh se nuk është një fjalë goje, ju të gjithë e dini vetë historinë e familjes e të shtëpisë suaj, si keni ecur në vite dhe si përmirësimet nuk janë fjalë goje, por janë rezultat mundimesh të mëdha.
-Ju uroj mirëseardhjen në qytetin tonë. Unë dua ta filloj me një thënie tuajën shumë të bukur që e përdorni shpesh. Punë ka, por nuk ka profesioniste. Tek unë ndodh e kundërta. Jam profesioniste në profesionin e gastronomisë me 36 vite punë pa ndërprerje në këtë pozicion pune dhe jam larguar në 2015 nga puna në reformën analitike të drejtorit që është aktualisht në këtë pozicion pune. Gastronomi në spitalin e Pukës. Më kanë thënë që në atë vend pune, do afrohesh ti, se unë kam qenë më e vjetra në atë pozicion pune dhe unë jam larguar e para ku në atë pozicion pune ku un kam punuar 25 vjet kuzhiniere aty dhe 11 vjet i kam në tregti, që kam mbaruar shkollën e ushqimit në 1977 dhe jam larguar padrejtësisht nga puna. Në vendin tim është futur një person që nuk ka punuar asnjëherë në jetën e vetë kuzhiniere dhe me një kurs 3 mujor që ka marrë një dëshmi.
Unë kam 1 vit pa punë. Pas këtij viti kam filluar sanitare në drejtorinë e shëndetit publik, aktualisht jam edhe sot. Aty me datën 29 janar më ka ardhur largim nga puna, deri më datën 4 prill, më shkëputën marrëdhëniet e punës. Jam sanitare që me atë bisht fshese mbaj 5 pjesëtarë të familjes. 3 fëmijë i kam në shkollë. Burrin aktualisht e kam të pa punë. Mësues me 35 vjet arsim të larte dhe bëhen dy vjet që është i papunë. Këtë bisht fshese mua sot duan të ma heqin të më lënë fëmijët pa bukë që detyrohen fëmijët e mi të lënë shkollën përgjysmë dhe të marrin rrugët e botës. Unë kërkoj mbështetje.
Kryeministri Edi Rama: Po të them kaq, nëse është si thua ti, ti do shkosh ku ishe. Ndërsa ajo që është bërë kuzhiniere me kurs 3 mujor do shkojë sanitare. E dëgjove çfarë të thashë? Unë të kuptova.
-Kam blerë dy objekte në tokën time, në vendin tim, e kam komplet dokumentacionin. Në gusht kam çuar tek portali letrat e mija dhe jam regjistruar. Para 1 muaji më kanë marrë në telefon më kanë thënë që nuk gjendet e maili a ku di unë se çfarë më thanë dhe prapë sot nuk më kanë kthyer përgjigje.
Kryeministri Edi Rama: E para e punës të jesh i sigurt 100% që do i kesh çuar në ndonjë drejtim tjetër se na ndodh shumë shpesh që thonë e kemi çuar tek portali pastaj i kanë çuar tek facebook-u im. Nuk ka shans që tek portali të humbasë gjë, megjithatë, e kemi shumë të thjeshtë, është këtu një nga vajzat, dorëzoja dhe do e shohim konkretisht. Po pse nuk ta fusin në Hipotekë?
-Sepse kryetari i bashkisë së Pukës, i ka çuar drejtorisë së pronës letër që këto objekte mi ka dhënë kryeministria mua, ndërkohë që asnjë objekt i imi nuk përputhet me këto.
Kryeministri Edi Rama: Atëherë ka një problem.
-Jo “ka një problem”, por ka mashtrim nga kryetari i bashkisë.
Kryeministri Rama: E thua ti
-E them unë dhe e them me fakte sepse të gjitha letrat që në atë kohë i paska postuar Sali Berisha. Unë i kam blerë objektet.
Kryeministri Edi Rama: Dakord, nuk e bëjmë dot këtu gjyqin e saj. Ti e the, unë e kuptova.
-Tjetra, kanë bërë ca objekte me demek për të pastrehë dhe më kanë marrë tokën që e kam pasur me hipotekë. E kanë marrë tokën pa më thënë mua asnjë gjë. Kam shkuar për të folur, nuk më kanë kthyer përgjigje. Në tokën time, të babait tim, gjithë ky popull më njeh.
Kryeministri Edi Rama: Tani, më thuaj, a të ka ardhur përgjigje me datën 15 janar nga portali?
-Më kanë marrë në telefon dhe më kanë thënë na ço emailin.
Kryeministri Edi Rama: A të kanë thënë nuk ke dokumentacion të plotë?
-Dokumentacionin e plotë e ka çuar drejtoria e drejtimit të pronës.
Kryeministri Edi Rama: U morëm vesh, do ta shohim dhe do marrësh përgjigje të saktë.
-Kisha një problem që jam i shtruar në spital këtu dhe kam diçka për spitalin. Kemi problem që nuk kemi mek kardiolog kur ata kanë mbaruar specializimin dhe ministria nuk i emëron këtu.
Kryeministri Edi Rama: Po ti nga i more vesh këto apo dëgjon ata. Kështu thanë që e ka fajin ministrja.
-Ndërsa shërbimi në spital bëhet shumë i mirë, shumë në rregull.
Kryeministri Edi Rama: Ore kush të ka sjellë, drejtori i spitalit të ka sjellë këtu?Ajo që ka ndodhur është që për arsye të çuditshme, qeveria e mëparshme, nga viti 2009 deri në vitin 2013 i ndërpreu të gjithë specializimet dhe nuk bëri më specializime në mjekësi dhe 4 vjet u krijua një gropë dhe kështu u krijua një vakum. Tani ne rifilluam specializimet. Në janar kanë filluar të dalin të parët sepse u bë cikli dhe shumë shpejtë do të plotësohen me specialistë të gjitha spitalet. Plus kësaj, ne kemi vendosur edhe një shumë, një bonus për të gjithë specialistët që pranojnë të dalin nga Tirana të punojnë në një spital jashtë Tiranës që është i barabartë me pagën që do merrnin po të punonin mjekë në Gjermani, është faktikisht 2 milionë plus rrogën dhe kjo e ka ndihmuar shumë madje kemi edhe rreth 12-13 rast mjekesh që kanë ardhur nga jashtë për të punuar në spitalet shqiptare, mjekë shqiptarë kuptohet, kështu që kjo është një çështje e trashëguar, por pak nga pak do rikuperohet.
Unë falenderoj në mënyrë të veçantë gratë e Pukës dhe zonjat që folën. Për çështjet që u ngritën do t’i zgjidhim, ato që mund të zgjidhen, ato që janë çështje gjykatash ne nuk i zgjidhim dot. Ndërkohë, ju e shikoni që pavarësisht gjithë këtij procesi, pavarësisht se kemi pastruar gjithë ata gjykatës e prokurorë e do vazhdojmë të pastrojmë akoma me reformën, akoma ka probleme, ka situata dramatike si puna e asaj të atyre gjykatësve që lehtësuan dënimin e atij vrasësit të policëve sepse ka akoma luftë për të bërë, nuk është e thjeshtë ama një gjë është e sigurt dhe e thyem këtë se e dëgjoj nga shumë njerëz, që këta prokurorë dhe gjykatës që dalin nga sistemi për shkak se janë të korruptuar, nuk justifikojnë dot pasurinë, kanë marrë vendime në kundërshtim me ligjin, nuk është se mbaron historia e tyre këtu, nuk është pushim nga puna, por kjo është faza e pastrimit të pallatit të drejtësisë, e ngritjes së institucioneve të reja dhe pastaj edhe ata të cilët mes tyre janë konstatuar në shkelje flagrante të ligjit do paraqiten para drejtësisë. Është drejtësia që po afrohet që i ka trullosur apo i ka tërbuar gjykatës, prokurorë dhe politikanë. Kështu që në këtë aspekt, dua ta them se shumë nga dëmet që kanë bërë gjykatat ne nuk i rregullojmë dot më, por ama është shumë e rëndësishme që reformën në drejtësi do bëjmë të mundur që gjykatat do të bëhen gjykata të barabarta për të gjithë njerëzit.
Shumë faleminderit edhe do shihemi përsëri shumë shpejt.