Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Forschner Albania, e specializuar në prodhimin e  pjesëve teknologjike për automjetet  Mercedes-it është një ndër shembujt pozitivë të marrëdhënies së re mes punëdhënësit dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Forschner Albania e ka filluar aktivitetin në Shqipëri në vitin 2016 dhe sot, ajo ka të punësuar 430 punonjës, edhe në bashkëpunim me zyrat e punës. Kompania planifikon hapjen e një fabrike të re në Durrës dhe brenda vitit 2019 të shkojë në 1600 të punësuar, në ndjekje të ambicies së saj për t’u rritur në treg, kryesisht atë gjerman.

“Sot kemi 430 veta, 300 janë këtu në Vaqar dhe 130 janë në Durrës. Kemi kërkesa të larta për punë. Tani për tani jemi akoma duke u rritur me gati 20-30 veta në muaj. Kërkesat janë rritur nga Gjermania. Ne jemi të varur nga tregu gjerman për automjetet. Janë sisteme kabllore, kryesisht për autobusë dhe makina mercedez. Kemi edhe klientë të tjerë si Philips, që prodhojmë pajisje si scaner. Ne planifikojmë në Durrës të bëjmë një fabrikë të re nga fillimi dhe atje duhet të shkojmë diku tek 1200 veta. Në total diku 1600, brenda 2019-s,” – shpjegoi përfaqësuesi i kompanisë.

Të ngushtë dhe rezultativ e vlerëson bashkëpunimin me Forschner drejtuesja e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Elira Çaushi. “Është një nga kompanitë që ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me zyrat e punës. Përgjithësisht i ka kërkuar punonjësit tek ne. I kemi bërë gati dhe i kanë intervistuar.”

Kompania aplikon modelin e trajnimit profesional përmes punës dhe trajnimeve brenda e jashtë vendit. Kjo ka bërë që sot, drejtues të linjave të prodhimit apo në logjistikë ta kenë nisur punën si punëtorë të thjeshtë në vitin 2016.

“E fillova nga baza nga operatore e thjeshtë deri tani që jam në nivel drejtues”, – thotë Sidorela, sot menaxhere prodhimi.

“Unë studioj për inxhinieri ekonomike. Falë memorandumit të bashkëpunimit që ka kompania me Universitetin Politeknik të Tiranës, na u mundësua dhe kjo praktikë dhe ky është hapi i parë drejt asaj çka na duhet të përballemi me tregun e punës, me realitetin. Është një mundësi shumë e mirë që po na jep kompania. Kemi njohur javët e para sektorin e prodhimit dhe më pas na kanë ndarë dhe nëpër departamente për të parë detyrat specifike,” – shprehet një nga studentet që po kryejnë praktikën profesionale tek Forschner.

Përfaqësuesi i kompanisë thotë se 60% e atyre që janë punësuar kanë qenë praktikantë që kanë kryer 3 muaj praktikën në fabrikë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj nënvizon si shumë pozitive faktin se Forschner ka ngritur një akademi teknike me gjithë logjistikën e  shkollës profesionale, duke marrë përsipër të trajnojnë jo vetëm punonjësit e tyre, por edhe për industrinë në përgjithësi.

Kryeministri Rama u kërkon bizneseve të shfrytëzojnë skemën e re të financimit të trajnimit nga qeveria.

“Ju duhet të shfrytëzoni edhe skemën e re të financimit të trajnimit nga qeveria. Me skemën e nxitjes së punësimit kemi përfshirë paketën financiare për trajnim, 1,2,3 mujor, me pagesë dhe pagesa është më e lartë sesa mesatarja e ndihmës ekonomike. Që do të thotë se kush ka dalë nga ndihma ekonomike, apo kush është i papunë dhe do të punojë, – se ka dy lloj të papunësh në Shqipëri, të papunë që duan të punojnë dhe nuk kanë aftësitë e nevojshme profesionale apo teknike për të përballuar hyrjen e menjëhershme në një kompani dhe të papunë që nuk duan të punojnë e rrinë presin çdo gjë nga shteti, duan të punojnë në shtet me patjetër dhe tundin teserën e partisë dhe flamujt në pritje të rrotullimit të tepsisë, – ajo që ne po bëjmë për të ndihmuar e për t’i dhënë efiçencë më të lartë skemës së nxitjes së punësimit, është që të japim para për çdokënd që thotë unë jam i gatshëm të punoj, por nuk më marrin sepse nuk kam asnjë dituri dhe asnjë aftësi, ose kam një diplomë juridiku prej kristali, apo e kam në vitrinë. Për këta, ne jemi të gatshëm të mbështesim financiarisht.”

Sfidë mbetet identifikimi punëkërkues të papunë të gatshëm për t’u punësuar pranë bizneseve dhe kualifikimi profesional i tyre, duke i përputhur me nevojat e biznesit për punonjës të kualifikuar në një treg gjithnjë e më konkurrues. Pjesë e kësaj sfide është edhe aktivizimi i personave në moshë pune nëpërmjet programeve të punësimit dhe zyrave të punës.

“Ajo që po ndeshim tani, – nënvizon Kryeministri, – është se po rritet shumë kërkesa për arsim profesional dhe ndërkohë kapacitetet e infrastrukturës së arsimit profesional janë ngushtuar. Përpara 4 vitesh thuajse nuk shkonte asnjeri në arsim profesional, se ishte një farsë, tani e kanë kuptuar që është rruga për t’u punësuar. E faktikisht, ata që janë me arsim profesional, nga të dhënat që ne kemi nxjerrë kanë një probabilitet punësimi të barabartë me ata me shkollë të lartë, ose më të lartë se ata që janë me arsim të mesëm të përgjithshëm. Kjo është sfida, të rrisim kapacitetet, të shfrytëzojmë rastet si i juaji, që kompanitë duan ë krijojnë vetë atë vatrën e formimit profesional dhe pastaj të mbështesim këtë aspekt. Të mos mbështesim punësimin në përgjithësi, sepse aty ka dhe abuzime, por të mbështesim formimin profesional të atyre që mund të jenë të rinj, por mund të jenë dhe në moshë. Sepse edhe në një moshë të caktuar ku duket se nuk ke më shpresë që të punësohesh, mjafton të pranosh të trajnohesh dhe ke gatishmërinë për punë e të marrin në punë.”

“Në këtë vend ku të gjithë thonë u rritën taksat, – shprehet më tej Kryeministri në bashkëbisedim me drejtuesit e fabrikës, – kemi ulur taksat ku kemi mundur dhe sa kemi mundur dhe realisht jemi në një pikë delikate të ekuilibrit, sepse faktikisht shteti me taksa mbahet. Ju e dini shumë mirë se pavarësisht se ne e kishim thënë dhe e bëmë se kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe për biznesin e madh, ne e çuam 15%, faktikisht e vetmja taksë që kemi rritur, plus taksën e karburantit, duke përfituar nga koniunktura ndërkombëtare, duke e kuptuar që nuk po rëndojmë në xhepat e njerëzve përtej mundësive të tyre dhe faktikisht, edhe nga taksa e karburantit dhe nga çmimi me taksë të rritur që bën të mundur që ne të kemi të ardhura për të balancuar uljen e taksave të tjera, përsëri janë 120 milionë euro që nuk kanë shkuar për naftë, siç do të shkonin po të ishte çmimi i koniunkturës së para 5 viteve dhe të gjithë taksat e tjera janë ulur. Punonjësit që janë deri në 300 mijë lekë nuk paguajnë asnjë taksë, zero. Të tjerët e kanë minimale dhe në rritje progresive, por nuk arrin kurrë në taksën 10 % që kishin deri para 5 vitesh. U hoq TVSH-ja e makinerive prodhuese. Ajo ka sjellë shumë impakt, sepse ka rritur shumë importin e makinerive prodhuese. Biznesi i vogël, zero taksë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.