Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në kuadër të festimeve të Ditës së Verës, Kryeministri Edi Rama së bashku me bashkëshorten znj. Linda Rama vizituan edhe qytetin e Elbasanit, ku fillimisht u ndalën në Panairin “Dita e Verës 2014”.

Kryeministri i shoqëruar në këtë vizitë edhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit z. Qazim Sejdini, u përshëndet me qytetarë të shumtë elbasanas, por edhe të tjerë të ardhur nga qytete të ndryshme, të cilët vizitonin Panairin e Ditës së Verës. Po ashtu, disa të rinj u përshëndetën me Kryeministrin dhe i dhuruan atij veroren, simbolikën e Ditës së Verës.

Në vijim, Kryeministri u takua me tregtarë të ndryshëm dhe bisedoi më nga afër me ta. Përfaqësuesit e një prej bizneseve të pranishme në Panair, të cilit ishin kthyer nga emigracioni, e njohën Kryeministrin me eksperiencën dhe ecurinë e biznesit të tyre në Shqipëri. “Këtë vit kishte një dyndje shumë të madhe. Nuk e di çfarë është. A është rritje mirëqenie apo është diçka tjetër, por është ndryshe”, tha një prej sipërmarrësve. Duke i përgëzuar për iniciativën, Kryeministri përsëriti se biznesi duhet të jetë punëdhënësi më i madh. “Unë besoj se këtë vit është rritur më shumë besimi. Dhe ata që si ju vijnë këtu nga emigracioni, përdorin eksperiencën për të hapur një biznes, bëjnë dy gjëra të mëdha: E para, përmirësojnë jetën e tyre; E dyta japin një shembull të shkëlqyer që kush do punë dhe kush ka talent dhe zotësi e gjen rrugën”, nënvizoi Kryeministri.

Pasi bisedoi edhe me sipërmarrës të tjerë, në stenda të ndryshme të Panairit, Kryeministri shprehu kënaqësi për takimet me ta dhe theksoi se ky vit ka më shumë besim dhe më shumë optimizëm, duke vënë theksin veçanërisht te sipërmarrjet dhe bizneset e hapura nga emigrantë të kthyer në Shqipëri, të cilët po investojnë dhe sipërmarrjet tyre po rezultojnë të suksesshme. “Janë të kënaqur e të motivuar dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer, qoftë për të tjerë që dëshirojnë të kthehen e t’i investojnë kurimet e veta këtu, qoftë për ata që në Shqipëri janë në kërkim të një pune e të ardhmeje dhe që duhet të shikojnë më shumë tek talenti e zotësia e tyre dhe tek sistemi privat, qoftë për të filluar një biznes të vogël, qoftë për t’u angazhuar në sektorin privat, sepse shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh”, u shpreh Rama.

Më tej, Kryeministri nënvizoi se angazhimi i Qeverisë për punësim është në radhë të parë i fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat. “Lufta jonë për punësim real dhe kundër papunësisë është në radhë të parë e fokusuar tek krijimi i hapësirave të reja për sektorin privat. Për të hapur vende të reja pune përmes sipërmarrjes private dhe sigurisht, me mbështetjen e pakursyer dhe me politika të reja, ide të reja, energji të reja, nga ana e qeverisë”, theksoi Rama.

Në vijim, Kryeministri së bashku me zonjën Rama i’u bashkuan qytetarëve të shumtë në bulevardin kryesor të Elbasanit dhe shkëmbyen urime me ta.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.