Kryeministri Edi Rama zgjodhi qytetin e Vlorës, ceremoninë e çeljes së Zyrës së re të Punës, për të uruar ndryshe 8 Marsin, Ditën e Gruas.
Kryeministri vizitoi mjediset e Zyrës dhe u njoh nga Drejtoresha e këtij institucioni, Marjana Cani, me mundësitë që u ofrohen punëkërkuesve dhe punëdhënësve. Ajo tha se “aktualisht janë 219 vende të lira pune, kryesisht në biznesin fason, call center dhe disa vende të lira në aktivitete shërbimi si recepsionist, kuzhinier, etj.. Gjithashtu janë sistemuar me punë dy ekonomiste, kemi një kërkesë për inxhinier elektrik”. Punëkërkuesit, tha ajo, kanë nisur të bëjnë kërkesa edhe për pozicione më të larta pune.
Pas urdhrit të Ministrit të Mirëqenies Sociale për kurse kualifikimi falas, Drejtoresha e Zyrës së Punës tha se është vendosur bashkëpunim edhe me Qendrën e Trajnimit Profesional, me qëllim që punëkërkuesi të specializohet, duke bërë jo vetëm më të lehtë sigurimin e një vendi pune për ta, por njëkohësisht edhe të përmbushen kërkesat që vijnë nga bizneset për punonjës. “Ne po rakordojmë edhe me Qendrën e Trajnimit. Pjesës më të madhe të njerëzve që vijnë dhe kërkojnë punë, dhe nuk kanë një kualifikim, ne u ofrojmë kurse kualifikimi. I pa kualifikuar nuk mund të dalësh në tregun e punës. Mentaliteti ka filluar të ndryshojë dhe pas vendimit të Ministrit për kurset e kualifikimit falas, dhe ka dyndje në kurset e kualifikimit”, tha znj. Cani.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi rëndësinë që ka çelja e kësaj zyre punësimi në Vlorë, por edhe zyra të tjera në mbarë vendin, duke vlerësuar se shërbejnë si pika kontakti mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve, në kushtet kur shteti nuk mund të jetë kurrsesi punëdhënësi më i madh, gjë që nuk mund ndodh askund ku qeveria bën punën e vetë dhe ku shteti është shtet.
“Duhet të punojmë intensivisht për t’u vënë në kontakt me të gjithë sipërmarrjet për të vënë në dispozicion të gjithë vendet e lira të punës. Të jepet sa më shumë informacion për njerëzit që kërkojnë punë, që nëse duan punë, punë ka dhe punët janë këtu,” u shpreh ai në bashkëbisedim me drejtuesen e këtij institucioni.
Nisur nga kjo ditë, 8 Marsi, Kryeministri tha se nuk është e paarsyeshme që pikërisht në këtë ditë, të mos mjaftohemi me anën festive, por të vëmë theksin tek puna, duke çelur në Vlorë Zyrën tonë të 3- të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. “Zyra e Punës, me siguri, mund të kthehet në një instrument që të nxisë punësimin e grave dhe të vajzave, si dhe të nxisë përpjekjen për barazi në trajtim mes burrave dhe grave, për të njëjtën punë”, tha Rama.
Referuar statistikave, Kryeministri theksoi se gratë dhe vajzat sot e vuajnë papunësinë shumë më tepër sesa burrat dhe, fatkeqësisht, gratë paguhen 35 % më pak se burrat, për të njëjtën punë.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu, se krahas rëndësisë që ka punësimi dhe arsimimi profesional i grave dhe vajzave, në Strategjinë për Punësim dhe Aftësim zë një vend të veçantë dhe angazhimi për të nxitur dhe mbështetur në mënyrë të posaçme të gjitha ato biznese që punësojnë gra dhe vajza. “Unë besoj se të gjitha masat për zhvillim dhe rimëkëmbje ekonomike, duke filluar që nga shlyerja e borxhit, për të cilin qeveria është angazhuar dhe tanimë kemi arritur të sigurojmë edhe marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të ketë padyshim një efekt pozitiv edhe në punësimin e grave dhe të vajzave”, tha Rama, duke sjellë në vëmendje se “aty ku ka ekonomi të fortë, ka barazi gjinore të fortë; aty ku ka zhvillim ekonomik dhe social, ka jo vetëm barazi gjinore të fortë, por ka një grua të fortë si rol dhe si prani, në hapësirën e vendimmarrjes”.
Për sa i përket barazisë gjinore në Shqipëri, nisur nga të dhënat, Kryeministri nënvizoi se operohet në një terren shumë të vështirë diferencash dhe diskriminimesh të shumëfishta. “Për kohën që kemi pasur në dispozicion mund ta themi me plotë gojën që nuk kemi bërë pak. E, mbi të gjitha, kemi dhënë mesazhe të qarta dhe me fakte, jo me fjalë. Kemi provuar se ne besojmë te barazia gjinore; ne besojmë tek forca dhe roli i pazëvendësueshëm i grave dhe vajzave; ne besojmë tek rritja e cilësisë së vendimmarrjes, duke filluar që nga vendimmarrja në Qeveri dhe në Parlament, përmes rritjes së pranisë së grave dhe të vajzave”, vijoi Kryeminstri Rama, ndërsa shprehu bindjen që “sfida e jashtëzakonshme dhe shumë e vështirë për të krijuar kushte reale për barazi gjinore në Shqipëri mund të fitohet”.
Projekti për Zyrën e Punës u realizua në bashkëpunim edhe me komunitetin e biznesit, për të cilët Kryeministri shprehu mirënjohje që janë vënë në krye të një pune vullnetare dhe koordinuese, duke realizuar vazhdimësinë e këtij projekti me sukses dhe pa harxhuar asnjë qindarkë nga paratë e taksapaguesve.