Shërbimi i ri Hemodializës, tashmë realitet edhe në spitalin rajonal të Korçës. Me ofrimin e këtij shërbimi përmbyllet me sukses investimi fillestar prej rreth 4 milionë dollarësh në infrastrukturën spitalore dhe në pajisje mjekësore, nga partneriteti publik-privat.
Shërbimi modern dhe bashkëkohor i dializës i ofruar tashmë në 5 spitale rajonale, kryesore të vendit, i jep fund kalvarit të gjatë dhe mundues, plot vuajtje fizike të pacientëve me insuficiencë renale, për të cilët ai është jetik. Një godinë tërësisht e re, brenda spitalit është vënë në funksion të këtij shërbimi me 2 salla për trajtimin e pacientëve, si dhe ambiente të tera ndihmëse.
Në total, janë 1050 pacientë në të gjithë vendin, të cilët marrin shërbimin e dializës sipas standardeve bashkëkohore.
Për të vizituar qendrën e re ishte në Korçë, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila shpjegoi se ndërtesa e qendrës, dikur ishte një lavanteri e papërdorshme. “Tani është shembur dhe është ndërtuar”, tha ajo.
Në qendër po prisnin të merrnin shërbimin në kushtet më optimale, shumë pacientë, të shoqëruar nga familjarët, të cilët ndanë falenderimet, por edhe mundimet e ditëve të vështira me Kryeministrin Rama.
“Ne i dimë vuajtjet që kemi hequr, edhe natën shkonim.” – shprehet një prej familjarëve.
“Më shumë kam qenë refugjat në vendin tim. Erdha mbrëmë, 3 vite e ca lart e poshtë. Kjo është rilindje për shpirtin tim. Uroj të gjithë nga zemra se kjo është rilindje për ne dializantët. Ne nuk duhet të ecim në rrugë më shumë se me 30 km/orë kur dalim nga dializa” thotë njëri prej pacientëve, i cili tashmë nuk ka nevojë të udhëtojë në distanca të gjata, por e merr shërbimin pranë vendbanimit të tij.
Ndërsa një zonjë, paciente prej shumë kohësh, teksa bisedon me kryeministrin tregon se këtë proces jetik e kryen prej 8 vitesh, gjatë të cilave shkonte dhe vinte në Tiranë 3 herë në javë. “Shkoja dhe kthehesha. Unë di sesi kthehesha në shtëpi,” tregon ajo.
Një lule simbolike është dhurata që Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë morën prej një pacienti nga Pogradeci, që detyrohej të bënte udhëtimin rraskapitës deri në Tiranë, 3 herë në javë. Sot ai ndihet komod në qendrën fare pranë vendbanimit të tij. “Nuk di si t’ju falenderoj juve personalisht, në emër të pacientëve këtu, dhe ma do shpirti të dhuroj një lule simbolike ju dhe ministres që ju shoqëron.” u shpreh ai me mirënjohje.
Ministrja shpjegon se për Korçën dhe për zonat përreth, ky është investimi i parë në këtë shërbim. “Për Korçën ky është investimi i parë në dializë, sepse Korça, Pogradeci dhe bashkitë përreth nuk kanë pasur shërbim dialize, që do të thotë, shtohet një shërbim dhe shtohet brenda spitalit publik. Me këtë investim mbyllim të gjithë ciklin e ndërveprimit publik-privat me investimet në dializë.”
Kryeministri pohoi se përveçse një shërbim tejet modern, falë këtij partneriteti, kostoja është edhe më e ulët se dikur. “Shteti paguante edhe përpara për të gjithë për këta që shkonin në Tiranë 90 euro për seancë dhe për më tepër 3 herë në javë në Tiranë, me tortura. Me partneritetin publik-privat paguajmë 80 euro për seancë dhe njerëzit e marrin shërbimin këtu,” tha Kryeministri duke nënvizuar standardet moderne në çdo qendër të re të këtij shërbimi.
“Kemi mbetur të shokuar për mirë. Stafi është i mrekullueshëm, me doktorët, me infermierët,” u shpreh i kënaqur një tjetër pacient, i cili po ashtu pohoi se e merrte më parë shërbimin në Tiranë 3 herë në javë.
Në bisedë me të Kryeministri Rama u ndal në një tjetër fakt “Kush nuk merr shëndetësi dhe e shikon nga jashtë flet keq. Kush merr shërbim thotë, “o po qenka më mirë, po qenka rregulluar, po qenka ndryshuar goxha”.
Ministrja Manastiliu tha ndër të tjera se një lehtësim të ndjeshëm të fluksit ka edhe në QSUT, pasi tani qytetarët në nevojë e marrin shërbimin pranë vendbanimeve të tyre. “Tirana po lehtësohet dhe të gjithë ju që bënit dializën në Tiranë, sot po vini ta bëni pranë vendbanimit tuaj. Kjo është e rëndësishme edhe për shërbimin e pacientëve në Tiranë.”