Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimin e fundit të vizitës së tij të ngjeshur në Bruksel, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e zhvilloi me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy.

Diskutimet u përqendruan në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama prezantoi në vija të përgjithshme koalicionin e ri, objektivat e tij, duke theksuar se integrimi i vendit është një prioritet kyç i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.

Presidenti Van Rompuy u shpreh se “progresi varet nga Shqipëria dhe puna e saj në këtë drejtim. Statusi i vendit kandidat po bëhet gjithmonë e më shumë një realitet. Ju inkurajoj që të vazhdoni në këtë rrugë. Nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është brenda Bashkimit Evropian.”

Kryeministri Rama u shpreh se ndjehej i nderuar që ndau me Presidentin Van Rompuy kënaqësinë për zgjedhjet në Shqipëri, për faktin që Shqipëria më së fundi ishte e aftë të kryejë zgjedhjet që shqiptarët meritojnë.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy janë ndalur në takimin e tyre edhe në kontributin e Shqipërisë në rajon.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian nënvizoi se “mirëprita faktin që kryeministri theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të investohet për kufij të sigurt në rajon dhe gjithashtu vlerësoj synimin e tij për t’i thelluar më tej marrëdhëniet me të gjithë vendet fqinje.”

Në këtë kuadër Kryeministri Rama tha se “do të punojmë shumë të gjithë së bashku, me shqiptarët në Kosovë, me serbët, me malazezët, maqedonasit, boshnjakët, sigurisht me kroatët si anëtarë të rinj, me grekët si anëtarë të vjetër të bashkimit në rajon, për të forcuar bashkëpunimin dhe për t’i dhënë më shumë kuptim këtij momentumi të ri paqeje duke e transformuar në një zhvillim ekonomik, social dhe kulturor.”

Kryeministri Edi Rama ka garantuar Presidentin Van Rompuy që fryma konstruktive, e cila ishte në diskutimin e parë të parlamentit të ri do të forcohet dhe nën drejtimin e ri të parlamentit. Të gjitha partitë do të kenë mundësinë të shprehen në një mënyrë të re dhe nën rregulla dhe procedura të reja të aprovuara me konsensus.

Kryeministri Rama në të gjithë vizitën e tij me zyrtarët më të lartë të Brukselit ka garantuar se “qeveria e re do të jetë tërësisht e dedikuar ndaj një Shqipërie Evropiane.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.