Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë në Dibër:
Sot jemi në Dibër, nesër jemi në Dibër, në bazë çka kemi marrë zotim se çdo muaj, qeveria do të spostohet në një qark të vendit, për të parë nga afër problematikat dhe për të diskutuar drejtpërdrejtë në disa nivele, qoftë me njerëzit që punojnë në administratën qendrore në rajon, qoftë me njerëzit në komunitet.
Kemi marrë disa vendime, ku vendimi më i rëndësishëm është nxitja e turizmit, për të krijuar kushtet që në vendin tonë, përveç zhvillimit të mëtejshëm të turizmit të masës, për të cilin kërkesa është çdo vit në rritje, të kemi edhe një infrastrukturë me 4 dhe 5 yje, duke filluar të synojmë të ndërtojmë projektet e para.
Ajo që vlen të theksohet është se nesër do të bëjmë edhe prezantimin e projektit përfundimtar të Rrugës së Arbrit, tanimë që është përzgjedhur edhe kompania dhe Ministria e Infrastrukturës është në negociata për firmosjen përfundimtare të kontratës, duke garantuar kështu financimin dhe më në fund mosndërprerjen deri në fund të punimeve për këtë rrugë, për të cilën për 27 vite me radhë, kush ka kaluar e ka premtuar, kush e ka premtuar, e ka harruar dhe kush është rikthyer, është rikujtuar.
Ky është një zotim madhor për një aks që në këndvështrimin tonë nuk i takon thjesht Dibrës. Me ndërtimin e tij, Dibra bëhet de facto pjesë e metropolit dhe krijohet një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin social dhe për një integrim të plotë të bashkësive me qendër Tiranën, por me shtrirje drejt Durrësit e Dibrës, por është dhe një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar në funksion të lidhjes me pjesën matanë kufirit, për të cilën ne kemi filluar të diskutojmë me qeverinë maqedonase.
Për më tepër do të ndiqni zhvillimet e mëtejshme të këtij aktiviteti intensiv të qeverisë ditën e nesërme, ku të gjithë anëtarët e qeverisë, pasi të kryejnë vizitat, takimet në të gjitha pikat e shërbimeve të qeverisjes qendrore këtu në këtë zonë, do të shkojnë edhe në hapësirën rurale për të zhvilluar takime me komunitetin, sipas grupeve të interesit, por edhe për të kontaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me banorët e të gjithë zonës.
Shumë faleminderit!