Për hir të së vërtetës unë kam një grup të vogël ndihmësish shumë të mirë për përgatitjen e fjalimeve. Por sot, megjithëse ata e bënë punën e tyre, unë e bëra përpjekjen time, fjalimi im është kështu i gjithi…
Sepse, realisht është bërë si një ritual i mësuar përmendësh, prej vitesh që ne e përsërisim çdo muaj dhe çdo javë që duhet të luftojmë korrupsionin, se kemi shumë korrupsion. Por, e vërteta është se korrupsioni është shumë më i shpejtë sesa strategjitë, shumë më efikas sesa vendimet dhe në fund të ditës, shumë më fitimtar sesa institucionet. Kjo është e vërteta!
Sigurisht që, është pozitive që ne në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit që rastis edhe në harkun e 100-ditëshit të parë të qeverisjes, kemi gati një Strategji Kombëtare kundër korrupsionit. Fatkeqësisht, nuk është e para!
Çdo Qeveri e ka pasur një Strategji Kombëtare. Uroj të jetë e fundit! Por, këtë do ta tregojë koha, do ta tregojnë rezultatet.
Sigurisht që, përderisa ka një Ditë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, korrupsioni është problem i të gjithëve, jo vetëm i shqiptarëve dhe të gjithë kush më shumë e kush më pak, duhet të merret me të. Mirëpo, përsëri nuk mendoj se kjo përbën ndonjë arsye për t’u ngushëlluar ne, apo aq më pak pastaj për t’u ndjerë pjesë e një klubi. Sepse fatkeqësisht, ne jemi në fund të tabelës evropiane në renditjen për korrupsion. E madje jemi në fund, me distancë nga i parafundit.
Sot kur jemi në vigjilje të një tjetër tentative për të marrë statusin e vendit kandidat, është e mirëkuptueshme që kjo trashëgimi shumë e hidhur nuk ndihmon për të zmbrapsur skepticizmin e disa vendeve anëtare. Ndërkohë që, pa dyshim sot është dita për të thënë se shumë është folur për korrupsionin. Madje sot, është dita për të thënë se qeveria paraardhëse mund të kritikohet për shumë gjëra, por nuk mund të kritikohet për sa ka folur për korrupsionin. Jam i bindur që nëse do të kishte statistika, do të dilte Qeveria që ka folur më shumë kundër korrupsionit, ndërkohë që shifrat tregojnë se është Qeveria që e ka lejuar më shumë korrupsionin, duke e kthyer madje sistemin e korrupsionit në një sistem të kapjes së shtetit, në kuptimin më të mirëfilltë të kësaj fjale.
Fjalët kundër korrupsionit, jo vetëm nuk mjaftojnë, por është e sigurt tanimë që nëse ato teprohen, ndodh siç ka ndodhur deri më sot që bëhen si një jorgan i trashë dhe i thurur përditë, nën të cilin korrupsioni vazhdon, gëlon dhe zhvillohet, si në një serë të ngrohtë. Jorgani shërben për ta mbuluar, ndërkohë që sot ai është bërë tërësisht i pambulueshëm në sytë e shqiptarëve, në sytë e partnerëve të Shqipërisë, në sytë e të gjithëve atyre që e ndeshin atë ose të atyre që dëgjojnë për të përditë nga njerëzit rreth e rrotull. Nëse ka diçka që e dallon qartë korrupsionin në Shqipëri nga korrupsioni në vende të tjera të Bashkimit Evropian, është fakti se korrupsioni në Shqipëri është endemik, është në çdo qelizë të organizmit të shtetit dhe në çdo prekje të shtetit nga dora e shtrirë e qytetarit për të marrë një shërbim.
Sigurisht që shembujt vlejnë, por ka jo pak raste në historinë e luftës kundër korrupsionit nëpër botë që tregojnë se shembujt janë të pamjaftueshëm. Nganjëherë shembujt bëjnë transferimin e pushtetit të korrupsionit dhe jo shkuljen e korrupsionit. Çka do të thotë sipas meje, se paralelisht me shembujt duhet modernizimi. Duhet modernizimi i shtetit, modernizmi i institucioneve, modernizimi i shërbimeve që e bën shtetin gjithnjë e më pak subjektiv dhe gjithmonë e më shumë objektiv në zbatimin e ligjit dhe në dhënien e shërbimeve për qytetarët.
Sa është endemik, është edhe strukturor, çka do të thotë se sot ne vazhdojmë të vuajmë pasoja të rënda nga korrupsioni, për shkak se në vite ne kemi nguruar apo kemi gabuar, herë nguruar dhe herë gabuar, me reformat strukturore. Strukturalisht, Shqipëria është reformuar pak dhe në një sërë aspektesh të rëndësishme që kanë të bëjnë drejtëpërdrejt me prodhimtarinë e korrupsionit, është deformuar shumë.
Reformat strukturore janë ato që mund të ndihmojnë dhe ndikojnë shpeshherë shumë më tepër se sa shembujt, në ndryshimin e mendësisë reciprokisht, të mendësisë së shtetit, të mendësisë së qytetarëve.
Mendësisë së shtetit, duke filluar nga mendësia e atyre që shtetin e përfaqësojnë dhe të mendësisë së qytetarëve, duke vazhduar me mendësinë e atyre që fatkeqësisht, gjenden pa armë tjetër përveç korrupsionit, në kushtet kur duhet të marrin me patjetër një shërbim që nuk arrijnë ta marrin dot, ashtu siç e thotë ligji dhe ashtu siç sipas ligjit qytetarët e meritojnë.
Unë do t’u sjell një shembull këtu. Ne jemi në diskutime me FMN-në dhe BB-në për programin e ri që me patjetër Shqipëria duhet të hapë me FMN-në, në kushtet kur ekonomia jonë është në rrezikun e humbjes së të gjithë ekuilibrave të vet dhe në kushtet kur situata jonë financiare imponon një disiplinë të re fiskale.
Dihet botërisht që një nga problemet tona organike strukturore është borxhi. Ashtu siç dihet se borxhi, i cili është rritur shumë në vitet e fundit, në një pjesë të tijin, është një borxh Qeveria ka akumuluar në kurriz të qytetarëve, duke mos paguar shërbimet e kontratuara me të tretët. Por, borxhi ka dhe një pjesë tjetër që është pjesa strukturore. Në këtë pjesë bie shumë në sy fakti që një pjesë e konsiderueshme e borxhit vjen nga borxhet e pushtetit vendor.
Sigurisht që ka mënyra të ndryshme interpretimi, por besoj se nuk mund të mos ketë konsensus me një fakt që një territor i organizuar, kështu siç është riorganizuar territori i Shqipërisë, me një numër kaq të madh njësish administrative, ku pothuajse gjysma e tyre nuk prodhojnë asnjë të ardhur vetë, nuk mund të mos jetë një territor pjellor edhe për korrupsionin. Ja pse na duhet në këtë rast që këtij borxhi më shumë se sa me instrumente fiskalë, t’i përgjigjemi me një reformë të thellë administrative dhe territoriale, duke mos lejuar më që një numër kaq i madh njësish, të marrin një sasi të konsiderueshme parash dhe të mos kthejnë mbrapsh asgjë, por përkundrazi të bëhen burime që gjenerojnë korrupsion. Që gjenerojnë korruspion, jo sepse një kryetar bashkie apo komune është i korruptuar dhe një tjetër jo. Gjenerojnë korrupsion, sepse është sistemi në mënyrë të tillë që e bën shumë të lehtë punën dhe rrugën e korrupsionit.
Edhe pjesa e borxhit që lidhet me invalidët apo me personat në ndihmë ekonomike, lidhet drejtpërdrejt përsëri me mungesën e kahershme të një reforme strukturore që duke vendosur në një raport të ri Qeverinë me pushtetin vendor, do ta bënte skemën shumë më transparente dhe shumë më të besueshme dhe nuk do të lejonte atë që ndodhi këtë vit, kur për hesapet e një fushate elektorale, numri i invalidëve në Shqipëri u shtua njëzetfish më shumë sesa në Irak, ku ka luftë të përditshme nëpër rrugë me bomba dhe gjymtime. U shtua me korrupsion, në një terren tërësisht pjellor për korrupsionin, për t’i kthyer pagesat e invalidëve dhe të personave në nevojë për ndihmë ekonomike, në pagesa për të blerë vota. E pra, solla një shembull e gjysëm, por që është një shembull, sepse lidhet me reformën strukturore që ne do t’i bëjmë territorit për të krijuar shumë më tepër kompaktësi, shumë më tepër transparencë dhe shumë më tepër dobishmëri në angazhimin dhe në shfrytëzimin e parave të mbledhura nga taksapaguesit.
Por, shembuj të tillë ka në çdo sektor.
Ka korrupsion që buron nga mungesa e një reforme strukturore në sektorin e energjisë. Ka korrupsion që buron nga mungesa e një reforme strukturore në sektorin e ujit. Ka korrupsion që buron nga mungesa e një reforme strukturore në çështjen e tokës. Jemi vendi i vetëm në Evropë, por nuk e di se kush ka mbetur akoma në shoqërinë tonë në botë që pas kaq e kaq shumë vitesh, jo vetëm nuk e kemi zgjidhur, por përkundrazi e kemi kokolepsur me keq çështjen e tokës, çështjen e pronës private, të pronës publike dhe të marrëdhënies së njeriut, shoqërisë dhe pronës. Ka korrupsion në sektorin e burimeve minerare të vendit. Keni parë në ditët e fundit veprime policore kundër këtij korrupsioni. Por, sado efektive të jenë veprimet policore dhe sado të efektive të bëhet me ndihmën e Zotit, Prokuroria apo Gjykata, përsëri është sistemi që duhet reformuar rrënjësisht për të krijuar marrëdhënie të qarta, transparente dhe të dobishme për palët, në funksion të shfrytëzimit të pasurive tona.
Ka korrupsion në sistemin tonë arsimor dhe sidomos në arsimin e lartë. E përsëri është një sistem i tërë për t’u reformuar, në kushtet kur nga njëra anë kemi universitetet shtetërore që e konsiderojnë veten të nënës dhe që nëna në të gjitha rastet do t’i mbajë, qofshin edhe parazite. E nga ana tjetër, universitetet private që e konsiderojnë veten të njerkës dhe që në të gjitha rastet do të nxjerrin paratë e tyre, qoftë edhe duke fabrikuar diploma që nuk kanë asnjë vlerë, përtej vlerës që shpenzojnë studentët dhe familjet e tyre.
Ka korrupsion në shëndetësi dhe sigurisht shembujt vlejnë. Por, nuk duhet të ketë asnjë iluzion që duke ndaluar apo arrestuar mjekë, ne mund t’i japim fund korrupsionit në shëndetësi. Sepse tek e fundit, ne nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se nuk janë njerëzit që e korruptojnë sistemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Për këtë arsye, unë besoj se strategjia jonë për antikorrupsionin është një bazë për t’ia dalë me sukses, sepse adreson, pikërisht, problemin kompleks të një sistemi funksionimi të makinerisë së shtetit shqiptar që është në fakt baza e korrupsionit. Nuk është një betejë mes engjëjve dhe djajve, por është një betejë mes të ardhmes si modernizim dhe të shkuarës si çorodi. Mes të ardhmes si shtet që funksion pa subjektivizëm dhe të shkuarës, si një shtet i bërë njësh me pushtetin dhe që për arsye të pushtetit, funksionon tërësisht mbi baza subjektive.
Sigurisht, është e pamjaftueshme të flasësh për të gjitha këto dhe për më tepër, është e kotë të flasësh për korrupsionin në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, pa prekur drejtësinë. Por, përsëri jemi përpara një domosdoshmërie për një reformë rrënjësore të sistemit. Ne do ta bëjmë këtë reformë.
E kemi braktisur rrugën ku kemi parë në mënyrë të rëndomtë, Qeverinë dhe Kryeministrin që ta konceptojnë luftën kundër korrupsionit si luftë me Presidentin e Republikës, si luftë me Prokurorin e Përgjithshëm, si luftë me gjykatat. Sepse, nuk kemi besuar për asnjë moment, se ajo luftë mund të sjellë rezultate. Rezultatet ja ku janë, rezultate si nuk ka më keq. Por, nga ana tjetër, reforma në drejtësi dhe vendosja e sistemit të drejtësisë në funksion të drejtësisë, kërkon përfshirjen edhe të vetë njerëzve të sistemit dhe kërkon domosdoshmërisht daljen e tyre nga logjika e kastës, nga logjika e korporatës, nga logjika e ndërmarrjes me vetëfinancim që e jep drejtësinë jo sipas nevojës, por sipas xhepit, fatkeqësisht.
Së fundi, besoj se ne kemi një barrë të vështirë, por kjo është barra jonë që treguesit e suksesit në këtë luftë që është një luftë në fakt për jetë a vdekje për Shqipërinë, për zhvillim apo prapambetje kronike, ta vendosim mbi bazën e zbatueshmërisë së ligjit dhe jo mbi bazën e prodhimit të ligjeve. Gjithmonë, kur ne jemi në Parlament, i shoh dhe i dëgjoj ata që deri dje ishin në qeveri, të krenohen se kanë prodhuar me mijëra ligje dhe të na kritikojnë se nuk po prodhojmë ligje për stinë. Ndërkohë që e kam fort mirë parasysh fjalën e historianit dhe Senatorit të famshëm romak Tacitus, i cili thoshte se: “sa më i korruptuar të jetë shteti aq më shumë ligje ka”.
Do ta mbyll këtu sepse nuk dua të flas më gjatë edhe për arsye se sinqerisht, nuk ia vlen të flitet gjatë për këtë plagë kaq të tmerrshme që më duket sikur ushqehet nga fjalimet, nga konferencat, nga seminaret, nga strategjitë, nga bashkëpunimet strategjike që mbeten në nivelin e fjalëve.
Kjo plagë është plaga mbi sipërfaqen e gjithë lëkurës së shtetit tonë që nga brenda gëlon prej një kanceri agresiv dhe kanceri nuk shërohet me terapi të sipërfaqshme dhe aq më pak pastaj shërohet, duke i mbuluar plagët me operacione kozmetike.
Na duhet një aksion i fortë, sigurisht na duhet një aksion i përbashkët. Por, unë dua të them vetëm kaq: Me ose pa të tjerët, ne do të bëjmë gjithçka na takon, me shumicën që na kanë dhënë shqiptarët më 23 qershor që pas 4 vitesh, të flasim ndryshe kur flasim për korrupsionin.
Faleminderit!”
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën për prezantimin e draftit të parë të Strategjisë Kombëtare kundër korrupsionit 2014-2017.