Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e përbashkët për shtyp në Pallatin e Brigadave, e Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!

Natyrisht që përtej aspekteve protokollare dhe formalizmit dua të them që ishte kënaqësi për ne, të mirëpresim sot delegacionin e kryesuar nga Kryeministri i sapodekretuar i Kosovës!

I dashur Albin, mirëserdhe!

Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, intensiv, për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë dhe gatishmëritë të plotë reciprokisht.

Kemi rënë dakord të fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër, sepse e fundit ishte në Pejë dhe aty u dakordësuam për Shkodrën. Një vakum mes të dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe jo vetëm kaq, por në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror, të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare, për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, për të identifikuar problematikat në zbatimin e tyre dhe për t’ia adresuar mbledhjes së të dy qeverive në funksion qoftë të arritjeve, qoftë të nevojave për vendimmarrje të tjera.

Kemi diskutuar natyrisht, me Kryeministrin, edhe për Procesin e Berlinit dhe do vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e 4 lirive themelore të Bashkimit Europian në rajonin tonë, ku, për ne, bashkëpunimi me Kosovën mbetet natyrisht, prioritet i prioriteteve. E kam thënë dhe më parë, ia thashë edhe Kryeministrit sot, po e them edhe këtu publikisht, përsëri, që për mua, nëse nuk realizojmë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve, në radhë të parë dhe pastaj edhe lëvizjen e plotë të mallrave, të kapitaleve dhe të shërbimeve nuk e kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe ndaj njerëzve tanë. Është themelore që të jemi të gatshëm, të angazhuar dhe të qartë në çdo hap, për të hequr kufirin mes dy shteteve dhe për ta bërë faktikisht hapësirën e përveçme të secilit shtet, një hapësirë të përbashkët lëvizjeje, ndërveprimi, bashkëpunimi, zhvillimi.

Në fund dua të theksoj që ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në të gjithë betejën për të çuar përpara procesin e njohjes së plotë dhe të afirmimit të plotë, përfundimtar, si një shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat dhe në raport me të gjitha shtetet dhe institucionet.

Edhe njëherë, shumë faleminderit i dashur Albin!

Kryeministri Albin Kurti: Ju faleminderit shumë i nderuar Kryeministër Rama!

Unë jam shumë i gëzuar që sot ndodhem në Tiranë. Edhe një orë bëhet një javë që jam në këtë detyrë të re, si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës kryeqytet ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Mitrovica. Ndërkaq, natyrisht, shteti i parë jashtë Kosovës ku vij, patjetër që duhet të ishte Shqipëria. Unë ju falënderoj shumë edhe për mikpritjen, edhe për bisedën që kishim, për mikpritjen e përzemërt e për bisedën shumë konstruktive.

Unë dua që në këtë dekadën e tretë të shekullit 21-të të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri, çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona. Pra, Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë.

U dakorduam, siç e tha dhe Kryeministri Rama, që të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë edhe nga ministra e deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja. Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin, duke e thelluar e duke e zgjeruar atë.

Me këtë rast dua ta falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar për ndihmën, përkrahjen e pakursyer e të parezervë për Kosovën. Kosova nuk do ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por, po ashtu, as në paqe pa Shqipërinë. Prandaj, ne kurrë nuk e harrojmë këtë gjë dhe duam që në shekullin 21-të të ecim bashkë, shpejt, fuqishëm. Në veçanti duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, të arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme. Besojmë që këto janë fusha në të cilat i kemi preokupimet e njëjta dhe gjithashtu, edhe partnerët e aleatët tanë demokratikë, të zhvilluar e perëndimorë janë po të njëjtët.

Ju faleminderit edhe një herë Kryeministër dhe besoj që do ta dëshmojmë se si dy kryeministra të dy shteteve tona do të avancojmë bashkëpunimin tonë ndërshtetëror në fusha dhe përmasa, çfarë i ka dëshiruar gjithmonë kombi ynë, por ende nuk i ka parë e këtë do ta ketë rastin pikërisht me ne.

I nderuar Kryeministër Kurti, në të shkuarën ju jeni treguar shumë i kujdesshëm në deklaratat tuaja përsa i përket Shengenit Ballkanik, në ato çfarë ka deklaruar Kryeministri Rama. Do doja të dija nëse në takimin e ardhshëm të Shengenit Ballkanik, Kosova do të marrë pjesë?

I nderuar Kryeministër Rama, cila është qasja përsa i përket vijueshmërisë së Shengenit Ballkanik?

Kryeministri Albin Kurti: Ky ishte takimi ynë i parë. Ka edhe shumë tema të cilat do t’i trajtojmë në të ardhëm e mund të them që kjo ishte një temë që e trajtuam, por shkurtimisht,  meqenëse takimi ynë sot ishte, le të themi më parë për makro Shengenin shqiptar sesa për mini Shengenin ballkanik.

Kryeministri Edi Rama: Po, faleminderit, është e vërtetë që në këtë pikë, ne kemi një diskutim për të çuar përpara. Unë besoj që nuk ka makro shengen shqiptar pa mini shengen ballkanik, edhe pse kjo fjala “mini” – e përsëris – nuk e di kush ia vuri, por unë edhe për shkak të gjatësisë, nuk jam i prirur të bëj gjëra “mini”. Por besoj që makro shengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me shengenin rajonal, sepse, nëse ne jemi konsistentë në vazhdën e Procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, çka e kemi diskutuar dhe do të bëjmë çmos që të jemi, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, – numërojini si të doni – për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve, për të pasur lëvizje të lirë mes nesh. Për të pasur lëvizje të lirë, jo vetëm të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve, por dhe të njerëzve, çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë, por dhe të gjitha vendeve të tjera.

Sot është vetëm në dorën tonë, sepse dua ta them me plot gojën që këtë rezistencë, unë e kam thyer dhe sot na takon ne të bëjmë më të mirën e mos të humbasim kohë, por ta çojmë përpara këtë proces, pasi askush, as Serbia e as vendet e tjera nuk na thonë dot që po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin. Për këtë arsye kam diskutuar me Kryeministrin që të fillojmë menjëherë nga puna me të gjitha agjencitë që garantojnë aspektet e sigurisë, sipas modelit të Shengenit e po ashtu, me të gjitha agjencitë e tjera që duhet të çlirojnë tregtinë nga barrierat e panumërta që janë ende me nesh.

Një pyetje për të dy kryeministrat; Sa do të jetë e efektshme një mbledhje tjetër e qeverisë që ju e përmendët, do të mbahet në Shkodër, duke pasur parasysh që edhe marrëveshjet e kaluara që u nënshkruan në nëntor të vitit 2018 nuk janë implementuar, pra, sa do të jetë e efektshme kjo mbledhje e të dy qeverive dhe a do i rishikoni ato marrëveshje që janë nënshkruar deri tani?

Kryeministri Albin Kurti: Ne jemi kryeministra, të cilët shprehim vullnetin dhe planet dhe parashikimet le t’i bëjnë të tjerët. Pra, ekziston vullneti, ekziston plani, komisioni ndërshtetëror që do të trajtojë edhe zbatueshmërinë e plotë të marrëveshjeve dhe shtimin e tyre. Prej kontrolleve dhe verifikimeve të ndryshme të dyfishta që i kanë dy shtetet tona e deri tek fakti që në Kosovë, për të pasur leje qëndrimi, duhet të kesh leje pune e për të pasur leje pune, duhet të kesh leje qëndrimi, përbëjnë një vistër anomalish, të cilat ne do t’i trajtojmë e do t’i eliminojmë në mënyrë që dy vendet tona të jenë sa më afër me njëra-tjetrës e të integruara për hir të qytetarëve tanë, të cilët e kanë edhe nevojë, se lëre më të drejtë, një bashkëpunim e një afrim të tillë.

Kryeministri Edi Rama: Unë dua të them që është e vërtetë që kemi nevojë për përshpejtim, për një shpejtësi të re. Albini e quan fillim i ri, është i ri në detyrë, por një shpejtësi e re është e domosdoshme, sepse faktikisht kemi shumë marrëveshje, një pjesë e tyre kanë ecur mirë, një pjesë e tyre nuk kanë ecur mirë. Besojmë që komisioni ndërshtetëror do t’i japi mundësi të dy qeverive që të mblidhen jo thjesht për të nënshkruar marrëveshje të reja, por për të parë ecurinë e marrëveshjeve ekzistuese e do të na japë mundësinë të dyve për të ndjekur dhe shtyrë në drejtimin e duhur në ato pika ku komisioni do të konstatojë që ka nevojë për ushtrim të vullnetit qeverisës. Po ju jap një shembull. Përmendni lejen e punës. Ministri Cakaj ka marrë një iniciativë, të bazuar tek dakordësia e që ishte në rendin e ditës dhe sot, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë fare të bëjnë asnjë procedurë burokratike për të punuar në Shqipëri. Ndërkohë që në Kosovë ka mbetur akoma procedura njësoj, si për kinezët, si për shqiptarët. Kjo është thjesht dhe vetëm çështje burokracie, nuk ka lidhje me vullnetin qeverisës që është i plotë. E sfida jonë, e ndamë dhe sëbashku, është ta bëjmë makinën burokratike që të lëvizi me shpejtësinë e dëshirës tonë dhe në këtë aspekt, duke qenë se Albini vjen me energji të reja, është një potencial për të shtyrë më shumë dhe besoj që do të arrijmë ta shtyjmë më shumë. Në mbledhjen e fundmarsit, ma merr mendja, do të na gjykoni për faktet dhe jo më për përshëndetjet ceremoniale.

Shumë faleminderit, sepse Kryeministri ka dhe takime të tjera dhe sot e ka kaluar më gjatë me mua, sesa e kishte parashikuar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.