Fjala e Kryeministrit Rama në takimin me kryetarët e bashkive, fitues në zgjedhjet vendore të 21 qershorit:
Faleminderit për prezencën tuaj!
Në radhë të parë ju uroj të gjithëve edhe njëherë tjetër sukses dhe punë të mbarë.
Thashë dhe njëherë tjetër, sepse pjesën dërrmuese e kam uruar dhe më parë. Përfitoj nga rasti të uroj në mënyrë specifike kryetarin e bashkisë së Përmetit dhe kryetarin e bashkisë së Dropullit që janë këtu të pranishëm dhe nuk kam pasur mundësi t’i uroj më parë. Urime dhe suksese!
Jam i keqardhur që pjesa tjetër nuk ka hipur mbi lartësinë e atij mesazhit të famshëm të fushatës elektorale “kam frikë se më shohin”. Por, po ashtu jam i keqardhur, sepse ky është një takim me rëndësi të posaçme dhe mungesa e kryebashkiakëve që kishin konfirmuar apo që refuzuan të konfirmojnë është një dëm i drejtpërdrejtë për punën e tyre dhe për shërbimin ndaj komunitetit, sepse jemi në kushte të jashtëzakonshme. Nuk jemi në kushte normale, pasi puna fillon me një barrë të madhe përgjegjësie dhe me domosdoshmërinë për të harmonizuar një sërë hapash në funksion të një tranzicioni jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe aspak të lehtë të kalimit nga tërësia e njësive të vjetra administrative në 61 njësitë e reja.
Sot për të gjithë kryetaret dhe kryetarët e bashkive është përgatitur një material i plotë nga Ministri i Çështjeve Vendore dhe Agjencia për Zbatimin e Reformës Administrative Territoriale që funksionon në bazë të ligjit, këtu në Këshillin e Ministrave. Ky material është një udhëzues praktik për të gjitha aspektet ligjore dhe administrative që duhen mbajtur parasysh në këtë proces tranzicioni me objektiv konsolidimin e njësive të reja administrative.
Është një sfidë e jashtëzakonshme kjo që kemi së bashku. Është një sfidë, pa dyshim, në radhë të parë e secilit prej jush, të zgjedhurve të 21 qershorit, por është pa as më të voglin dyshim edhe një sfidë e jona si qeveri për të qenë bashkë me ju në përballjen me një numër të madh problematikash që kërkojnë një vizion të qartë, një program të qartë, një lidership të vendosur në nivelin vendor, por pa diskutim edhe mbështetjen e plotë të qeverisë.
Dua ta nënvizoj që në fillim, se qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjithë bashkitë e vendit, do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjithë kryetaret dhe kryetarët e bashkive të vendit, që do të kenë vullnetin dhe padyshim edhe dëshirën që të bashkëpunojnë me qeverinë.
Ne nuk do të lutemi për bashkëpunim, sepse ne besojmë që është e drejta e zgjedhjes së çdonjërit nga të zgjedhurit dhe çdonjërës nga të zgjedhurat e 21 qershorit, të synojë bashkëpunimin me qeverinë, ose ta refuzojë atë. Por, ne do të jemi këtu, të gatshëm që të bashkëpunojmë me çdonjërin dhe çdonjërën që do ta kërkojë këtë bashkëpunim dhe do të mbështesim pa asnjë dallim politik dhe partiak të gjithë të zgjedhurit vendorë të Republikës së Shqipërisë, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne.
Duke e mbyllur këtë hyrje shpreh edhe njëherë keqardhjen për mungesën e të zgjedhurve vendore të Partisë Demokratike dhe uroj që të dalin sa më parë nga guaska mbytëse e politikës qorre të partisë së tyre dhe të vihen një orë e më parë në shërbim të komuniteteve, duke kuptuar një orë e më parë se janë kryetarët dhe kryetaret e të gjithë komunitetit, e të gjithë zgjedhësve, e të gjitha familjeve në çdo komunitet, pavarësisht se për kë kanë votuar zgjedhësit dhe pavarësisht se në ç’pozicion gjeografik ndodhen familjet që përbëjnë komunitetet e tyre.
Ne nuk i ndajmë bashkitë në të kuqe dhe blu. Për ne të gjitha bashkitë janë njësitë e reja ekonomike të zhvillimit urban dhe social, përveçse ekonomik të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Harmonizimi i veprimeve tona bashkërisht është një parakusht për sukses.
Jam i bindur që fillimi i zbatimit të Reformës Administrative Territoriale, pas vulosjes nga populli sovran i kësaj reforme më 21 qershor, është sfida e madhe në jetën tonë politike, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me një proces historik transformimi të shtetit shqiptar. Me një proces, të pandodhur më parë riorganizimi nga themelet të shtetit shqiptar. Është një sfidë që kërkon një pasion të madh politik dhe qytetar në drejtimin e bashkive, që kërkon një vizion të qartë dhe administrata të afta për ta jetësuar vizionin dhe padyshim një lidership kurajoz dhe inovativ. Këtu ka jo pak kryetarë bashkish të rizgjedhur. Unë besoj që edhe për ta është fare e qartë që ajo çka fillon pas 21 qershorit është diçka krejt tjetër nga ajo që ka vazhduar deri në 21 qershor. Është një sfidë shumë komplekse, shumë dimensionale dhe shumë e ndërlikuar. Nuk jemi më në stadin e bashkive si ente komunale, punësh komunale dhe shërbimesh komunale, por jemi në një stad tjetër nënbashkish si instrumente zhvillimi ekonomik, social dhe urban. Faktikisht, jemi në kushtet kur realisht merr kuptim nocioni i qeverisjes vendore. Besoj që, jeni në dijeni të qasjes së qeverisë dhe të shumicës qeverisëse lidhur me këtë proces që jo vetëm nuk ka mbaruar, por sapo ka filluar me hartën e re administrative, pasi tanimë sfida është një decentralizim real në funksion të forcimit të qeverisjes vendore si entitet dhe si përgjegjësi.
Duam të shkojmë shpejt përpara me decentralizmin, pasi janë një sërë çështjesh që kërkojnë adresim konkret dhe të përshtatshëm në funksion të mos humbjes së kohës dhe të mos shpërdorimit të parave duke bërë vendnumëro.
Duke filluar nga uji;
Sistemi ynë kombëtar i ujësjellësve është një katastrofë të cilës ne duam t’i japim fund në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë. Reforma e ujit do të jetë një reformë rrënjësore, që ndër të tjera do të synojë dhe do të arrijë kalimin e drejtpërdrejt të kompetencës së miradministrimit të ujit të pijshëm, të miradministrimit të ujit për vaditje në të njëjtën kohë dhe të miradministrimit të sistemeve të pastrimit të ujërave dhe po ashtu të kullimit të ujërave në duart e kryetarëve të bashkive, kryetarëve të bashkive dhe bashkive të reja.
Kjo kërkon një sërë masash për të cilat ne jemi të përgatitur dhe të cilat do t’i vëmë në zbatim në bazë të një kalendari të qartë bashkëveprimi me ju, por thelbi është që çdo bashki do të bëhet pronare e vetme e sistemit të vet të furnizimit me ujë të pijshëm, të garantimit të ujit për vaditje dhe padyshim pastaj edhe të pjesës tjetër që ka të bëjë me pastrimin e ujërave dhe me kullimin. Është një reformë jashtëzakonisht jetike që, faktikisht, duhet të na ndajë me një periudhë afrikane të të trajtuarit të kësaj pasurie të madhe kombëtare dhe të shpërdorimit të pashoq të kësaj vlere të madhe për jetën dhe për financat e çdo njësie vendore.
Mbeturinat;
Edhe këtu e dimë fare mirë se çfarë kemi trashëguar, por njëkohësisht jemi shumë të vetëdijshëm që ju takon bashkive të marrin përsipër në mënyrë të drejtpërdrejt administrimin e këtij sektori kaq delikat dhe kaq të prapambetur në vendin tonë, që është sektori i mbledhjes dhe i përpunimit të mbetjeve.
Transporti;
Është një tjetër nyje gordiane që duhet prerë një orë e më parë, për të krijuar kushte që në çdo njësi të re qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në qendër të bashkisë së re apo në fshat, të kenë një transport urban dinjitoz.
Jemi duke studiuar edhe përfshirjen e bashkive të reja drejtpërdrejt në çështjet e rendit publik. Mendojmë që edhe këtu ka ardhur koha për një reformë të guximshme që do të çojë në shkrirjen e policive bashkiake dhe në dhënien kryetarëve të bashkive të të drejtës për të nxjerrë urdhër administrativ për strukturat e Policisë së Shtetit. Urdhra administrativ që kanë të bëjnë me rendin, me qetësinë, me qarkullimin dhe me të gjitha ato aspekte për të cilat kryetari i bashkisë është i zgjedhur dhe për të cilat bashkia do të përgjigjet përpara qytetarëve. Është një reformë realisht shumë rrënjësore, por ne besojmë që është një reformë e domosdoshme për t’ju dhënë kryetarëve të bashkive një forcë që nuk e kanë pasur deri më sot në raport me domosdoshmërinë për të siguruar rend, në raport me domosdoshmërinë për të bërë politikat e tyre lidhur me qarkullimin, në raport me domosdoshmërinë për të qenë krahë për krahë me qeverinë, për frenimin përfundimtar të ndërtimeve të paligjshme, si dhe për ndëshkimin e çdo përpjekje që dëmton infrastrukturën në çdo bashki.
Çdo dëmtim rruge, çdo dëmtim në sistemet e ndriçimit, çdo dëmtim në gjithçka që është bërë me mund dhe me para, duhet të adresohet menjëherë. Duhet të bëhet e mundur që askush të mos guxojë më që t’i trajtojë pasuritë e përbashkëta, që nga infrastruktura deri të pemët si mall pa zot. Për këtë arsye besojmë, që ndërveprimi ligjor institucional mes kryetarëve të bashkive dhe Policisë së Shtetit tanimë është një domosdoshmëri.
Sigurisht, edhe për këtë reformë do të kemi diskutime të hapura. Do të dëgjojmë me shumë vëmendje opinionet e të gjithëve ju. Posaçërisht të atyre që kanë një eksperiencë dhe nuk janë zgjedhur për herë të parë në mënyrë që të adresojmë saktësisht problemet dhe të gjejmë zgjidhjet e duhura për të mos humbur më shumë kohë se ç’kemi humbur.
Duam t’i japim bashkive po ashtu një mundësi të re, për të pasur një raport të ri me pronën dhe për të qenë edhe ato mekanizma të thithjes së investimeve direkte në territoret e administruara prej tyre, qoftë investime të huaja qoftë investime të brendshme dhe për të pasur shumë më tepër të drejta sesa ç’kanë kanë sot lidhur me administrimin e pronës dhe lidhur me mundësinë për t’ju ofruar sipërmarrësve oportunitet që deri më sot nuk iu ofrohej dot.
Pra, duam që dyert e bashkive të jenë të hapura edhe për sipërmarrësit në çdo fushë, që nga infrastruktura tek bujqësia dhe kryetarët e bashkive të mos ngrenë supet siç i kanë ngritur deri më sot duke iu thënë sipërmarrësve, ikni në Tiranë, dhe shikoni gjeni ndonjë zgjidhje në Tiranë se ne nuk kemi asgjë në dorë. Kjo do t’ju kalojë patjetër si një mundësi e re e shtuar bashkive dhe të zgjedhurve të 21 qershorit.
Duam po ashtu të ndërtojmë një sistem të ri që të na mundësojë një ndërveprim shumë më aktiv lidhur me titujt e pronësisë në fshat, dhe t’i japim kryetarëve të bashkive dhe bashkive të reja, shumë më tepër përgjegjësi, por edhe instrumentet e nevojshëm që sëbashku të mbyllim në një kohë sa më të shpejtë, problemin 20 e kusur vjeçar të mungesës të titujve të pronësisë në fshat.
Edhe për këtë do të diskutojmë bashkërisht, si për të gjithë të tjerat, për ta adresuar këtë problem në mënyrën më të saktë dhe për t’ju krijuar ju mundësinë, që të mos justifikoheni dot përpara njerëzve për pamundësi që kanë ardhur deri më sot si shkak i pafuqisë tuaj administrative.
Jemi po ashtu duke punuar lidhur me kadastrën, sepse besojmë që është e domosdoshme, që të ketë një ndërveprim dhe që të ketë një mundësi të re për njësitë e reja vendore lidhur me pronësinë në tërësi dhe me gjithçka që ka të bëjë me territorin. Sigurisht që, nuk do të bëjmë në asnjë rast shpikje alla shqiptarçe, por do të shohim praktikat më të mira. Duam që bashkitë të jenë në të njëjtën kohë dhe aleatet e qeverisë për të luftuar zvarritjet e pafundme dhe korrupsionin në hipoteka. Është një problem 20 e kusur vjeçar, por që nuk mund të zgjidhet, ne besojmë, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të bashkive në këtë proces. Sigurisht që, këtu bëhet fjalë për përgjegjësi të ndara, por në të njëjtën kohë dhe për ndërveprim.
Nga ana tjetër e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm aspektin financiar që nuk e lashë në fund për nga rëndësia po për të vendosur një theks të fortë.
Do të diskutojmë në vijim edhe për mënyrën sesi do të shikojmë të gjithë sistemin tonë fiskal si një sistem të përbashkët. Do të shohim mundësinë që të fillojmë dhe me praktikën e taksave të ndara, në mënyrë që dhe bashkitë të kenë akses në të ardhura, në të cilat deri më sot s’kanë pasur asnjë akses, edhe pse kanë pasur kontribut të drejtpërdrejtë.
Padyshim, që këto janë çështje jetike që nuk janë adresuar prej 20 e kusur vitesh. Është thënë që kemi bërë decentralizim, por ne nuk kemi bërë decentralizim. Në fakt ne kemi bërë copëtim dhe shkatërrim. Kjo është e vërteta. Fakti që sot trashëgojmë një situatë kaq kriminale lidhur me pronën, një situatë kaq konfuze dhe të ngatërruar lidhur me tituj e pronësisë, një situatë kaq dramatike lidhur me sistemin e ujësjellësve, me sistemet pastrimit e shërbimeve dhe të transportit dhe me radhë, për të shkuar deri tek situata e një barbarie që nuk ka të ngjashme në botën e qytetëruar, tek pyjet, kullotat, lumenjtë, plazhet e me radhë, nuk është asgjë tjetër, përveçse prova ulëritëse e faktit që në Shqipëri nuk është bërë decentralizim, por është bërë shkatërrim.
Gjërat mund të kishin shkuar edhe më keq. Natyrisht, gjërat mund të shkojnë edhe më keq, nëse ky proces i sapofilluar nuk zhvillohet me kurajë dhe me forcë. Me forcën e bindjes që, për të pasur një shtet modern dhe një shtet që di të mbrojë vetveten dhe t’u krijojë kushte të gjithë individëve dhe grupeve të interesit që të zhvillojnë vetveten, na duhet një nivel krejt tjetër qeverisjeje vendore, i cili garantohet vetëm përmes një decentralizimi real.
Pjesë e kësaj sfide është domosdoshmëria që secili prej jush të kuptojë që nuk ka shans të bëjë sukses duke marrë më shumë përgjegjësi, nëse nuk garanton kapacitetet administrative për t’i mbajtur këto përgjegjësi. Prandaj, apeli im është që duhet të jeni jashtëzakonisht të vendosur dhe jashtëzakonisht të vëmendshëm për të ndërtuar administrata që t’i përgjigjen kësaj sfide. Në të kundërt, gjithë kjo peshë e re mund të kthehet në një barrë mbytëse, jo thjesht për ju, por për gjithë Shqipërinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Nga ana tjetër janë një sërë çështjesh emergjente që kërkojnë po ashtu adresim, duke filluar nga fakti që sot asnjë bashki nuk ka më instrumentin e zhvillimit hapësinor, pasi të gjitha planet rregulluese kanë rënë dhe çdo njësi e re duhet të ketë një dokument të ri zhvillimi. Për këtë, ne jemi përgatitur që t’ju asistojmë dhe na duhet me patjetër ndërveprimi, në mënyrë që të mos humbasim kohë, bashkërisht, dhe të keni mundësi të çelni dyert e zhvillimit, bazuar mbi dokumente të mirëfilltë zhvillimi.
Agjencia që kemi këtu në kryeministri, e ngritur me ligj, ka specifikisht detyrën për t’ju shërbyer në gjithë këtë proces, qoftë duke ju asistuar teknikisht, qoftë duke ju mundësuar mbajtjen vijimisht në këmbë, të urës së komunikimit dhe bashkëpunimit me qeverinë. Brenda agjencisë, siç do ta shikoni edhe brenda Udhëzuesin Praktik që do të merrni në dispozicion, janë ndarë detyrat. Çdo bashki ka personin e vet të kontaktit që është brenda agjencisë dhe që ka detyrën të përkujdeset, në emër të agjencisë dhe të qeverisë shqiptare, për secilin prej jush, duke siguruar këmbimin e informacionit dhe duke siguruar që asnjërit nga ju të mos i mungojë asistenca teknike e nevojshme, në të gjitha rastet kur kjo është e dëshiruar.
Dua ta përsëris, duke e mbyllur aty ku e nisa, ne nuk do t’i lutemi askujt për bashkëpunim, ne nuk do t’i shkojmë mbrapa askujt që nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe që mund ta konsiderojë rolin e kryetarit apo kryetares së bashkisë si një mision politik të partisë së vet. Ne do të bashkëpunojmë me këdo, pa asnjë paragjykim, por me kushtin që bashkëpunimi të bazohet në reciprocitet dhe në parimin se i shërbejmë bashkërisht komuniteteve që juve ju kanë zgjedhur.
Ne nuk i ikim asnjë përgjegjësie dhe nuk do të lëmë pas askënd, por cilido që do të marrë rrugën e marrjes peng të komunitetit të vet për arsye të mosarsyes politike duhet ta mbajë këtë përgjegjësi përpara komunitetit të vet. Ne do të jemi shumë transparentë me të gjitha komunitetet. Do t’ua bëjmë shumë të qartë të gjitha komuniteteve se çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mund të bëjmë, çfarë mund të bëjmë sot dhe çfarë mund të bëjmë nesër, çfarë mund të bëjmë në afat të mesëm dhe çfarë mund të bëjmë në afatin e katër viteve. Por, po ashtu, do të jemi transparentë në të gjitha rastet kur do të gjendemi përballë të arsyes së mosarsyes politike.
E them këtë, sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe ne nuk do të humbim kohë në asnjë rast dhe për asnjë arsye, duke u futur në llogore politike dhe duke bërë politikë me nevojat e komuniteteve.
Politika jonë, në raport me 21 qershorin, është ajo që jemi zotuar të kemi, t’ju shërbejmë të gjithë komuniteteve pa dallim dhe t’u japim mundësi bashkive të reja të jenë njësi ekonomike zhvillimi, të jenë njësi sociale zhvillimi, të jenë njësi urbane zhvillimi. Kjo është sfida e përbashkët. Është një sfidë historike dhe ne jemi të gatshëm që ta përballojmë atë. Por, sigurisht, jo pa ju dhe padyshim duke ju mbështetur fuqimisht, pa hyrë në meritën e autonomisë tuaj të plotë, për të marrë vendimet që prej jush do të gjykohen më të arsyeshme. Pastaj, populli i çdo komuniteti do t’ju gjykojë ju dhe do të na gjykojë edhe ne.
Ju faleminderit!