Kryeministri Edi Rama, sot në seancën plenare në Kuvend:
Si do ia bëjmë me këtë punën e të huajve, sepse, për shembull, Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet ka dalë. Unë kam kënaqësinë të ndaj me ju dhe me të gjithë opinionin publik, në mënyrë shumë të përmbledhur, disa përcaktime që nuk lënë asnjë ekuivok dhe nuk krijojnë asnjë mundësi për të rënë në gropën e përkthimit të gabuar, ku ju keni rënë shpesh gjatë kësaj periudhe.
Vlerësimi kryesor i Raportit është: Përputhshmëri midis procesit zgjedhor dhe angazhimeve të OSBE-së, të detyrimeve të tjera ndërkombëtare dhe standardet për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin vendas.
Raporti vlerëson pozitivisht marrëveshjen politike të 18 majit, por për këtë nuk po ju ngacmoj se jeni në një përpjekje për ta kompleksuar maksimalisht atë që puna më e mirë që ka bërë deri tani ka qenë marrëveshja e 18 majit.
Më tutje, Raporti saktëson se falë ndryshimeve ligjore, pas marrëveshjes u ulën kostot financiare të fushatës, u rrit monitorimi financiar dhe u shtuan sanksionet ndaj shkeljeve elektorale.
Raporti evidenton faktin që legjislacioni i amenduar kontribuoi në transparencën dhe llogaridhënien për shpenzimet financiare. E pavarësisht vonesave në numërim, në disa qendra votimi administrimi i zgjedhjeve u bë më mirë, madje, saktësisht shumë më mirë se çdo herë tjetër. Ndërsa ankimimet dhe apelimet u mbyllën në një kohë shumë të shkurtër, pa reklamim. Pakicave kombëtare iu dha mundësi e barabartë. E të tjera e të tjera, që do kemi kohë t’i diskutojmë.
Por në thelb, një gjë sjell tani, në këtë sallë, ky Raport; Edhe këta janë të blerë, janë të verbër, janë të trembur nga krimi, që kanë dalë në këto konkluzione kaq diametralisht të kundërta nga konkluzionet ku ju keni dalë në fakt, jo pas këtyre zgjedhjeve, por që pas zgjedhjeve të 2013-ës, të cilat i përsërisni e i përsërisni si në jerm dhe akoma nuk keni kuptuar çfarë ju ka ndodhur në vitin 2013 dhe jo më të kuptoni çfarë ju ndodhi në 2017-ën?
Kësaj pyetje duhet t’i jepni përgjigje.
Ndërkohë nuk po rikthehem për më gjatë tek çfarë thotë anglezi e çfarë thotë danezi, por është turp për çdo politikan shqiptar, i majtë apo i djathtë, që përfaqëson popullin e vet, që të pranojë se terminologjia “krim etnik shqiptar” është jo vetëm e arsyetuar, por edhe e përdorshme nga vetë ne në këtë parlament, vetëm e vetëm për të ulur njëri-tjetrin. Kjo është e neveritshme!
Mos flisni në emër të Shteteve të Bashkuara, mos flisni në emër të Bashkimit Europian, se pastaj detyroheni të vini në pikën që keni ardhur sot, që, kur ju pyesin se çfarë ju ndodhi, thoni “na detyruan ata”. Gjë që deri përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, jo vetëm nuk e thatë, por e thatë ndryshe, që ju na rrëzuat gjysmën e qeverisë dhe tani ishte thjesht një formalitet rrëzimi i gjysmës tjetër. Tani thoni “na detyruan ata, se na e thanë copë, që po nuk hymë në zgjedhje na hodhën nga penxherja”. E nga kush penxhere? Nga frëngjia e PPE-së, se për të tjerët nuk po diskutojmë fare se çfarë ju thanë, se e dimë mirë unë, kryetari juaj dhe ai që do flasë pas meje këtu, pa të cilin natyrisht tek ju nuk merret asnjë vendim. Të paktën, ne të tre e dimë shumë mirë se çfarë ju thanë juve. E dinë dhe të tjerë, sigurisht. Kështu që mos flisni në emër të Shteteve të Bashkuara, as për Gramozin, as për Fatmirin. Shumë shpejt do t’ju duhet të caktoni kë do të çoni në delegacion me Gramozin në Amerikë. Pastaj, ose do i bashkoheni delegacionit, ose do ndaheni edhe me Shtetet të Bashkuara, si në bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit.