Deklarata e Dr. Marjeta Dervishi, Instituti i Shëndetit Publik:
Si çdo ditë, ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit sa i përket të prekurve nga COVID 19 ku sot rezulton se numri i pacientëve të shëruar është dyfish më i lartë se i qytetarëve që janë prekur nga ky virus.
Nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 3 raste janë në Krujë, 2 raste në Tiranë dhe 2 raste në Shkodër.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 persona të dyshuar me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 8253 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 773 raste.
Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 470.
Aktualisht në vendin tonë janë 272 pacientët aktivë me COVID19 dhe siç shihet numri i të shëruarve vazhdon të jetë më i lartë prej më shumë se dy javësh.
Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 31 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar. 1 pacientë është në terapi intensive në gjendje më të rënduar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Krujë dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive dhe e shërimeve, është si vijon:
| Bashkia | Të prekur | Të shëruar |
| Tiranë | 320 | 207 |
| Shkodër | 110 | 74 |
| Krujë | 105 | 11 |
| Durrës | 42 | 38 |
| Fier | 37 | 32 |
| Kurbin | 31 | 3 |
| Korçë | 19 | 19 |
| Elbasan | 18 | 15 |
| Kukës | 18 | 10 |
| Lezhë | 14 | 14 |
| Has | 14 | 12 |
| Kavajë | 9 | 9 |
| Lushnje | 7 | 4 |
| Vlorë | 5 | 4 |
| Pukë | 5 | 4 |
| Mirditë | 5 | 3 |
| Rrogozhinë | 4 | 4 |
| Tropojë | 4 | 4 |
| Berat | 4 | 2 |
| Mallakastër | 1 | 1 |
| Mat | 1 |
Pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore situata vazhdon të jetë e kontrolluar.
Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i pacientëve që kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar.
Në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.
Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.