Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me sipërmarrës:
Mirëdita të gjithëve!
Dua ta nis këtë fjalë me disa fakte që janë të dokumentuara dhe që, nëse nuk do të ishin të dokumentuara, do të dukeshin pjellë e imagjinatës së shfrenuar të dikujt.
– Rasti i parë; Prona ndodhet në Dhërmi, Himarë. Komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave nuk e merr parasysh pretendimin për 39 hektarë, me argumentin që nuk ka origjinë prone. Gjykata e Shkallës së Parë vendos kthim dhe kompensim, duke e rritur sipërfaqen nga 39 hektarë që kërkojnë pretenduesit, në 43 hektarë. Çështja ndodhet aktualisht në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Komisioni i kthimit dhe i kompensimit të pronës ka vendosur mosnjohje të sipërfaqes së pretenduar prej 392.550 m2, kullotë, ullishte dhe vreshtë, në mungesë të plotë të dokumentacionit. Ndërsa gjykata ka vendosur njohje të pronësisë, duke detyruar ose me kompensim me 42.691.777 lekë shtetin dhe duke e pakësuar fondin e tokës në pronësi të shtetit, me një vlerë prej 52.883.419 lekë.
– Rasti i dytë; Prona ndodhet në zonën e Velipojës. Pretendimin për 4.8 hektarë, Komisioni e rrëzon, sepse nuk ka asnjë dokument të origjinës së pronës. Gjykata e Shkallës së Parë vendos që pretenduesit që kërkon 4.8 hektarë, t’i japë 15.2 hektarë. Dhe jo vetëm i jep 15.2 hektarë, por i ndryshon tërësisht pozicionin e pronës, duke e vendosur atë në breg të detit. Rasti në fjalë, jo vetëm që është një vjedhje e pronës haptazi, përmes vendimit të gjykatës, por vendimi i gjykatës i sjell një dëm ekonomik buxhetit të shtetit dhe pasurisë publike, duke vendosur një detyrim për kompensim në vlerën 7.863.792 lekë dhe duke e pakësuar fondin e tokës në pronësi të shtetit me 18.170.128 lekë.
Rasti i tretë; Pretendimi përsëri në një zonë sipër në Velipojë, për 49.8 hektarë. Asnjë dokument për origjinën e pronës për sipërfaqen e pretenduar. Gjykata vendos kthim, kompensim për 498 hektarë, pra, 49.8 ia heq pikën dhe e bën 498 hektarë, duke i grabitur faktikisht shtetit, as më shumë e as më pak, por një pronë me vlerë 897.623.760 lekë dhe buxhetit të shtetit, një dëm ekonomik me një vlere të përafërt prej 28.460.700 lekë.
– Rasti i katërt; Një pronë në zonën e Durrësit, tek Ura e Dajlanit. Komisioni i kthimit të pronës përsëri thotë “nuk e njoh” për shkak të një mbivendosje të pronës midis dy pretenduesve, pasi të parët kanë marrë një tjetër vendim më parë nga Komisioni. Argumenti është përsëri “nuk ka dokument të origjinës së pronës”. Gjykata vendos kthim dhe kompensim për sipërfaqen 9000 m2 dhe ndryshon tërësisht pozicionin e pronës nga pretendimi i paraqitur përpara Komisionit. I kthen një pronë në një territor tjetër, natyrisht, përsëri shumë pranë bregut të detit dhe e pakëson fondin e tokës në pronësi të shtetit me një vlerë ekonomike prej 27.236.280 lekë.
-Rasti i pestë; Një pronë në zonën e Beratit. Kërkohen 740 hektarë truall. Komisioni refuzon ta njohë kërkesën, e bazuar vetëm në një vërtetim fakti juridik dhe pa asnjë dokument të origjinës së pronës. Gjykata vendos kthim dhe kompensim të sipërfaqes 740 hektarë, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe duke mos bërë asnjë njoftim për t’i hapur rrugë të drejtës së ankimimit në Gjykatën e Apelit. Këtu zhvillohet një histori e pafundme mes gjykatash, që përfundon me dëmin për shtetin 687.240.000 mijë lekë. Të gjitha këto janë të paraqitura në hartat përkatëse.
-Rasti i gjashtë; Një tjetër pronë në bregdet, në Zvërnec të Vlorës. Kërkohen 167 hektarë tokë me një vërtetim fakti juridik dhe asnjë dokument me origjinë prone. Gjykata në këtë rast vendos mosnjohje. Çuditërisht, Gjykata e Shkallës së Parë e mbështet vendimin e Komisionit të kthimit të pronave. Në Gjykatën e Apelit, prona grabitet e gjitha, 167 hektarë në breg të detit. Po të thellohemi është edhe më absurde, sepse Gjykata e Shkallës së Parë e vendos rrëzimin ,pasi thotë se nuk është pozicionuar saktë, natyrisht është pozicionuar pranë bregut të detit, ndërkohë që edhe mbi vërtetimin e faktit nuk është pranë bregut të detit. Gjatë këtij gjykimi, ndërhyrës dytësorë depozitojnë në gjykatë vendime të prokurorisë, ku rezulton se dokumentacioni ligjor i paraqitur nga pala paditëse dhe me të cilin kërkon të provojë të drejtën e pronësisë, është i falsifikuar. Ndërhyn prokuroria dhe bllokon praktikisht një vendim të mundshëm të shkallës së parë për grabitjen e pronës. Megjithëse Gjykata e Apelit në Tiranë ka bllokimin nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe dokumentacionin e prokurorisë që vërteton falsifikimin, njeh këtë pronë dhe 156 hektarë ia kalon nga shteti këtij privati, me një dëm 257.400.000 mijë lekë.
-Rasti i tetë. Spektakël! Komisioni i kthimit të pronave rrëzon kërkesën, këtu në qarkun e Tiranës, për kompensim financiar nga buxheti i shtetit. Argumenti është lidhur me një sipërfaqe prone, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë vendos kompensimin e plotë financiar. Gjykata e Apelit vendos lënien në fuqi të vendimit për kompensimin financiar, ndërkohe që shfaqet një pronar tjetër, me vendime gjykate, që është kompensuar financiarisht në të njëjtën pronë.
– Rasti i nëntë; Një histori në zonën e Vlorës. Në këtë rast, pretenduesit kërkojnë 2.28 hektarë. Komisioni i kthimit të pronës njeh 2.28 hektarë. Gjykata vendos kthim dhe kompensim 228 hektarë. E heq një pikë dhe 2.28 e bën 228. Por ajo që e bën heqjen e pikës gabim jo ortografik, është se harta bashkëngjitur nuk është 2.28, por është 228 hektarë. Dhe një pronë, e cila i takon shtetit, përsëri ikën e grabitur nga gjykata. Ajo çka figuron më pas është se në ZRPP, prona regjistrohet, pas regjistrimit bëhen transaksione, ndërkohë gjykata e rrethit me një vendim tjetër ndryshon një vendim të ish Komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave të falsifikuar dhe kryen një zhvendosje të pronës, e cila e çon pronën që folëm më parë në një shifër edhe më të madhe si hektarë dhe i godet financat e shtetit me 446.600.000 mijë lekë.
– Rasti i dhjetë; Pretendimi për 20 hektarë pyll dhe 1.3 hektarë livadh dhe ajo që është interesante, është vendndodhja e ndryshme, një copë këtu, një copë atje. Komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave vendos të njohë pronësinë për 200 dynymë tokë pyll, jo për gjithë sasinë e kërkuar dhe çështja shkon në gjykatë. Në gjykatë, 200 dynymët bëhen 200 hektarë. Ai kërkon 20 hektarë, shkon dhe përfundon me 200 hektarë.
Për ta mbyllur me një tjetër pretendim në zonën poshtë të Sarandës, ku Komisioni i kthimit të pronave nuk njeh 1087 hektarë kullotë dhe pyje, pasi nuk kanë asnjë dokument të origjinës së pronës. Gjykata e Shkalles së Parë vendos të japë 440 hektarë nga këto 1087 të kërkuara dhe kështu historia vazhdon. Kjo histori është kuptimplotë, se flet shumë për pengesën e jashtëzakonshme që ka ekonomia jonë dhe rruga jonë për të rritur punësimin për shkak të këtij terreni të minuar që pengon rritjen e investimeve të brendshme dhe të huaja, posaçërisht në sektorin e turizmit ku potenciali është jashtëzakonisht i madh.
Më lejoni t’ju sjell në vëmendjen tuaj që sot, vendi i parë në rajon për investime të huaja direkte është Mali i Zi dhe të gjithë diferencën mes Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit, në volumin e investimeve të huaja e bëjnë investimet në komplekset turistike. Ne kemi një potencial disa herë më të madh sesa Mali i Zi në kuptimin e sasisë dhe të shumëllojshmërisë së portofolit të investimeve në turizëm, sepse ne kemi një natyrë shumë më diverse dhe me potenciale të jashtëzakonshme. Problemi i madh i paqëndrueshmërisë juridike të gjendjes faktike dhe i pasigurisë për shkak të një sistemi drejtësie që i kërcënon kontratat, bën që investitorët të jenë jashtëzakonisht skeptikë. Eksperienca e këtyre viteve na bën që jo vetëm t’i japim atyre të drejtë, por të jemi shumë të vendosur për ta shembur pallatin e vjetër të drejtësisë.
Asnjë mundësi tjetër nuk ka. Asnjë rrugë tjetër nuk ka.
Nëse duam ta rrisim ekonominë më shumë sesa rritja e qëndrueshme dhe e përcaktuar nga faktorët që aktualisht kemi në fushën e zhvillimit ekonomik, kjo rritje e mëtejshme kalon përmes shembjes së sistemit të vjetër të drejtësisë, kalon përmes goditjes së këtyre gjykatësve dhe prokuroreve që e kanë shkatërruar bazën e shtetit shqiptar, për 25 vjet, me vendime të tilla. Këto janë disa vendime flagrante, por janë me mijëra e mijëra vendimet që kanë sjellë konflikte pronësie në nivelet më të ulëta, në kuptimin e metrave katrorë.
Ne kemi qenë këtu, kur ishim në opozitë dhe Luan Bregasi bashkë me shumë nga ju kërkonin me insistim Gjykatën Administrative, a thua se Gjykata Administrative do t’ju zgjidhte hallin e tmerrshëm të proceseve gjyqësore. Le të çohet njëri këtu e të thotë se ka fituar një proces në gjykata pa paguar lekë. Ju kam thënë atëherë se nuk është çështja të shtojmë një gjykatë, por duhet të përmbysim këtë sistem, sepse një gjykatë më shumë do jetë një kasap më shumë, ku ju do shkoni dhe do lini lëkurën.
A jeni sot të kënaqur me Gjykatën Administrative? Keni parë gjykatë më aventuroze në mënyrën sesi i merr vendimet?
Thjesht është shtuar një kasap më shumë në rrugën e “tregut të mishit” të sipërmarrësve dhe qytetarëve. Në ligj thuhet se duhet të punojmë më shpejt, duhet të veprojmë më shpejt, – sepse ky ishte edhe argumenti, – por thjesht rrjep më shpejt. E meqenëse rrjepja është më e shpejtë dhe më e sipërfaqshme, edhe pagesa është pak më e ulët. Tek “kasapët” e nivelit të lartë, ju e dini vetë sesi bëhen transaksionet.
Sot jemi në një pikë ku kemi bërë atë që nuk imagjinohej në tre vjet e ca më parë. Kemi bërë ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Ne e kishim në programit tonë dhe pothuajse të gjithë thoshin se pse duhet ta shkruajmë ne në program, një çështje që nuk është në mundësitë e një shumice. Kjo reformë që kërkon ti, më thanë, kërkon ndryshime kushtetuese. Këmbëngulja ime ishte se ne do ta vendosim në program, pasi kjo është një aspiratë e njerëzve dhe popullit që u ka ardhur në majë të hundës dhe në një mënyrë apo tjetër, kjo do të realizohet. Kur të gjithë mendoni se ishte një ndërmarrje e destinuar të falimentonte, e patë vetë sesi 140 deputetë erdhën dhe e votuan, sepse nuk mund të shtyhet nga asnjë forcë e pjesshme, një çështje e një populli të cilës i ka ardhur koha.
Tani jemi në momentin kur duhet të zhbllokojmë vetting-un.
Vetting-u nuk është një çështje politike, nuk është asnjë çështje partiake, nuk është një çështje interesash të pjesshme, por një çështje e një interesi të madh kombëtar. Këta mjeshtër, që për 20 e ca vitesh e kthyen drejtësinë në tregun më të madh në këtë vend, ku e drejta blihet ose shitet, njësoj siç blihet dhe shitet mish tek “EHË”, duhet të marrin përfundimisht atë që meritojnë, duhet të zhduken nga rruga e këtij populli dhe e sipërmarrësve të këtij vendi, që nuk kanë asnjë arsye të vazhdojnë të kenë në buxhetin e tyre vjetor, zërin gjykata, çështje gjyqësore.
Ju këtu, për fat të mirë, jeni zgjedhës të të dy palëve. Ka jo pak prej jush këtu që as nuk na kanë dhënë votën mua dhe Partisë Socialiste dhe as nuk do na e jepni dhe kjo është e drejta juaj. Unë ju falënderoj shumë që jeni të pranishëm në çdo tryezë dhe ju inkurajoj që të kërkoni tryeza me të gjitha palët, edhe me opozitën, për të gjitha çështjet tuaja. Ka ikur koha kur të shfaqeshe në tryezë me opozitën, të sillte nga mbrapa një bandë tatimorësh. Por unë ju kërkoj që ju të bëheni pjesë e kësaj përpjekjeje, për të rritur në maksimum presionin publik për të zhbllokuar vetting-un dhe për të çuar përpara reformën në drejtësi.
Është një reformë që nuk e votuam sot dhe nesër do ta bëjë Shqipërinë lule, por çdo ditë që humbim sot, është një vit që humbim në rrugën e të ardhmes. Për ketë arsye, besoj se kush ka një fije logjike dhe jo më ju që keni shumë fije, nuk e vë në dyshim se kjo është një çështje kombëtare, është një çështje publike, nuk është një çështje politike dhe se politizimi i kësaj çështje me lloj-lloj argumentesh pa lidhje, është vetëm një mënyrë për ta lënë pa zgjidhje. Ky është problemi i madh.
Nëse, sot, sistemi bankar ka një problem në Shqipëri dhe nuk është problem i sotëm, por një problem i trashëguar, ky problem nuk vjen as nga qeveria, as nga sipërmarrja, por vjen nga gjykatat. Nga gjykatat që vendosin në mënyrë të paligjshme si trajtojnë çështjen e kolateraleve. Është e paimagjinueshëm që në një vend që kërkon të bëhet shtet dhe të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, gjykatat të bllokojnë bankat, ndërkohë që gjykatat janë aty, për të bllokuar asetet e atyre që nuk i përgjigjen marrëveshjeve kontraktuale me bankat. Këtu gjykata bllokon bankat.
Ne kërkojmë me të drejtë një rritje ekonomike më të shpejtë, më shumë investime të huaja, më shumë punësim. Do vijë nga qielli një rritje e kuajve të fuqisë së motorit të ekonomisë tonë? Ekonomia jonë sot rritet me 3.5 % nga 0 presje asgjë tre vjet e gjysmë më parë, por ndërkohë, ne te gjithë e dimë që 3.5% është statistikë, nëse flasim për familjet më të varfra, apo qoftë edhe për familjet me të ardhura mesatare. Na duhet një rritje ekonomike mbi 5% dhe është plotësisht e mundshme. Është plotësisht e mundshme aq me tepër me programin “Një miliardë për rindërtim”, ku, e përsërisë, jeni të gjithë të ftuar të financoni, ndërkohë që bankat kanë shprehur gatishmërinë. Por asnjë program e asnjë projekt nuk zëvendëson atë që sjellin në ekonomi, investimet e huaj direkte.
Tre projekte të mëdha në turizëm, për të cilat punojmë prej vitesh dhe që do të na sillnin, apo do të na sjellin, shpresoj, të njëjtin impakt që kanë sjellë investimet në turizëm në Mal të Zi, janë të kërcënuar nga kjo situatë historish me prona. Mbi të gjitha janë të kërcënuar nga frika e investitorëve, të cilët thonë se kjo që i ka ndodhur “x” mund të më ndodhë dhe mua.
Kemi bërë dy vjet punë me një investitor, për të bërë një kompleks turistik dhe një marinë, në një pronë shtetërore. Një marinë për herë të parë në Shqipëri. Jemi i vetmi vend në Mesdhe pa marinë. Kur ne ishim në fund, gati për të firmosur, na vjen vendimi i gjykatës dhe fluturojnë të gjithë hektarët e pronës shtetërorë ku do të ndërtohej resorti turistik. Gjë që menjëherë e bën investitorin të ikë, ose të paraqitet tek grabitësi, i cili i thotë ndalu “beg se ka hendek,” tani jam unë këtu dhe jo shteti, ndaj eja të flasim bashkë.
Faleminderit!
* * *
Tomor Kërçuku, sipërmarrës i vogël në fushën e bujqësisë solli rastin e tij personal. Unë jam një viktimë e këtij sistemi, që duhet të jetë rast unikal, tha ai, me 106 seanca gjyqi për një pronë të fituar me gjakun e djersën time. Nëse do të kishte një mundësi, një hapësirë juridike, që të bëhej qoftë një referendum, jemi apo s’jemi ne dakord për këtë reformë, 99.9% e popullit shqiptar do votonin “pro”. Vetëm 1% nuk e do këtë reformë. Dhe nuk jam vetëm unë, janë me dhjetëra e dhjetëra raste.
Kryeministri Edi Rama: Janë pafund historitë. Unë mund t’ju them se ka edhe më keq se 106 seanca dhe prapë të jesh në këmbë dhe të investosh.
Po ju tregoj një histori nga shumë historitë, që të jesh i ngushëlluar sadopak. Punonte roje në parkim, baba i dy vajzave në universitet dhe gjendet komplet jashtë dëshirës së tij, dëshmitar i një përplasjeje gangosh para derës së parkimit në mesnatë. Një gango plagoset me armë zjarri. Vjen policia dhe roja është i vetmi dëshmitar. Jep dëshminë e tij dhe është dëshmitari i vetëm në gjyq.
Imagjinojeni, në Gjykatën e Apelit, ai është i vetmi fajtor që dënohet si dëshmitar i rremë, sepse jep dëshminë. Gangot merren vesh me njëri-tjetrin dhe me gjykatësit dhe del roja dëshmitar i rremë dhe dënohet si dëshmitar i rremë, me një gjobë që ishte më e madhe sesa rroga e një viti si roje në parkim. Qante në kokërr të lotit, sepse kishte dy vajza në universitet. Kjo nuk është histori e para shumë vitesh, por e para pak viteve.
Kam përpara një tjetër pasqyrë të tallavasë legale. Borxhet e shtetit ndaj investitorëve, që shkonin në 120 milionë dollarë. Nuk po i numëroj emrat e kompanive, por janë 28 milionë dollarë, 16 milionë dollarë, 10 milionë dollarë, 8 milionë dollarë, 4.8 milionë dollarë, 4.5 milionë dollarë, 1.5 milionë dollarë dhe me radhë, 120 milionë dollarë. Të gjitha të shlyera. Asnjë shans nuk kishin të shlyheshin deri para vitit 2013. Zero shans! Edhe në këtë histori, gjykatat kanë pasur një rol skandaloz. Të mos flasim për rimbursimet e TVSH-së etj..
Të gjitha reformat që ne bëjmë, po nuk u kurorëzuan me zbatimin e Reformës në Drejtësi, mbeten gjysmake, pasi aty është baza që mbledh shtetin bashkë. Janë disa qindra rastet e personave që kanë kryer vrasje, përdhunime, grabitje me forcë, të arrestuar nga policia dhe të liruar në sallë nga gjykatësit, të cilët kanë përsëritur krimin për të cilin gjykata ka thënë “s’e kanë bërë”. Të liruar në sallë, në mënyrë spektakolare.
Është e habitshme sesi diskutohen fakte nga më rrëqethëset, diskutohen vendime gjykatash nga më tronditëset dhe kur vjen puna në nivelin e debatit politik, përdoren si argumente kundër qeverisë. Kur qeveria thotë të bëjmë vetting-un që t’i pastrojmë këta gjykatës e prokurorë, që nuk kanë vend në pallatin e drejtësisë, por diku tjetër, në vend që të vijnë të bëjnë vetting-un, përdorin çdo ngjarje që ndodh, skandaloze apo e perceptuar si e tillë në gjykatë, për të thënë “ja po e bën qeveria”. Ç’hyn qeveria me gjykatat dhe me vendimet e gjykatave, ndërkohë që ka 3 vjet që ka vënë lëkurën në këtë betejë dhe ka pësuar goditje nga kjo betejë!
Ju kujtohet ndalimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. E paimagjinueshme! Në cilin vend të botës ndalohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, për një supozim?! Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nëse bën një krim, arrestohet dhe shkon në burg, por nuk pezullohet nga detyra, bashkë me drejtues të lartë policie.
Ne nuk e kemi problem. Është një mendje e ndarë. Kjo nuk është një luftë thjesht dhe vetëm për të vendosur drejtësinë brenda një sistemi ku me siguri ka dhe nuk duhet ta dyshojë njeri që ka, gjykatës dhe prokurorë me dije, integritet dhe eksperiencë, por molla e kalbur kalb gjithë shportën. Në një mjedis ku pushtetin e kanë këta lloj killera-sh të drejtësisë, të tjerët nuk kanë çfarë bëjnë.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë foli për konsekuencat e vendimeve të padrejta të gjykatave mbi sipërmarrjen dhe theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi. Është shumë e rëndësishme, tha ai, që secili prej nesh të jetë i orientuar dhe njëkohësisht të jetë qartësisht i përgjegjshëm për ata çfarë ne duhet të kërkojmë, sepse këtu u trajtuan më shumë edhe rastet flagrante, që nuk kanë ndikuar vetëm tek ata që kanë përfituar, por ndikimi është tek ne, se ne jemi sipërmarrësit. Unë jam i bindur, tha ndër të tjera Jaka, që edhe opozitës shqiptare i vlen shumë, edhe ligji i vettingut, edhe reforma në drejtësi, edhe pastrimi i sistemit nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, edhe pastrimi i administratës publike nga njerëz të mumifikuar dhe pa pikë emocioni në mbrojtje të interesave kombëtare apo në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Të gjitha këto janë në shërbim edhe të opozitës, edhe të maxhorancë, edhe të kësaj klase politike. Ne i bëjmë një thirrje të hapur, në cilësinë e kryetarit të Dhomës së Tregtisë, por edhe të sipërmarrësit, por edhe të qytetarit, një thirrje të hapur, jo vetëm për implentimin e reformës në drejtësi, por për krijimin e një qëndrueshmërie të stabilitetit politik, të dialogut dhe debatit në parlament. Është 370 km bregdet që pret investimin shqiptar dhe të investitorëve të huaj. Çfarë ndryshimi ka Mali i Zi? Ndërkohë që kemi një bregdet të mrekullueshëm dhe të pa imagjinueshëm dhe të pa krahasueshëm me vendet e rajonit. Pse duhet të shkojmë ne nëpër gjykata dhe konflikte pa fund për statusin juridik të pronësisë? Unë mendoj që ne duhet të heqim dorë dhe të kërkojmë me forcë të zbatohet ligji, të implementohet reforma në drejtësi dhe t’i kthehemi dialogut dhe stabilitetit politik.
Fitnete Sula, gjithashtu foli për përballjen që ajo ka pasur me gjykatat. Unë si industri sigurimesh, tha ndër të tjera zonja Sula, kam vuajtur shumë dhe vazhdojmë të vuajmë me këta mega gjykatës, se nuk di fjalë tjetër ta them. Është jashtëzakonisht katastrofike për situatën. Është dhimbje e madhe t’i denoncosh, këta njerëz të dalin edhe në “Fiks fare”, dhe të mos arrestohen.
Duke marrë fjalën, Silvio Pedrazzi, u shpreh se në korrik të vitit të kaluar kur reforma u miratua ishim të gjithë të lumtur, bashkësia e brendshme dhe e jashtme e festuan këtë ngjarje të madhe, miratimin e reformës në drejtësisë, e cila ishte parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe të qytetarëve të vendit. Pas 6 muajsh nga kjo, vijoi zoti Pedrazzi, jo vetëm që shohim se ka pengesa mjaft të mëdha për zbatimin e reformës, por kemi edhe shenja të forta nga bashkësia e biznesit, por edhe në familjet tona, që tregojnë pakënaqësi, sepse njerëzit ndihen të tradhtuar. Pasojat, nëse reforma do të dështonte, do të ishin akoma më të këqija, sepse njerëzit e biznesit, gjithashtu do të ndiheshin të tradhtuar. Ai shtoi ndër të tjera se një vend me 3 milion banorë nuk mund të mbahet peng i pak njerëzve, të cilët po përpiqen të plotësojnë interesat e tyre vetjake. Kam menduar shpesh çfarë mund të bëjmë si bashkësi biznesi dhe nuk është e thjeshtë. Shohim kaq shumë mitingje, protesta dhe nuk kuptohet më se cili është synimi real. Ndoshta ai i rrezikimit të reformës. Le të nisim, sidoqoftë me individët. Le të flasim me punonjësit tanë. Le të ndajmë me ta vlerat që duam të nxisim në këtë vend. Ka sinjale mjaft të qarta, shtoi më tej, nga bashkësia e biznesit si edhe nga investuesit e huaj që kanë një lloj deziiluzioni.
Në fjalën e tij, Alban Zusi, solli edhe rastet e disa sipërmarrësve me drejtësinë. Solla vetëm pak raste, theksoi zoti Zusi, për të kuptuar se drejtësia, prokuroria, gjykatat dhe përmbarimi ndikojnë drejtpërdrejtë në sipërmarrjen tonë, në sfidën që ne kemi marrë, në xhepat tanë. Unë jam një ndër ato që kam marrë pjesë edhe në takimet e opozitës, edhe në takimet e këshilltarëve të bashkisë. Unë besoj se nuk ka sipërmarrës, i majtë, i djathte, dhe kushdo qoftë, që mundet të aprovojë çdo lloj pengese që mund t’i vihet sistemit të drejtësisë. Më tej ai shtoi se përsëri kur të jem i ftuar, nëse do jemi ftuar në tryezat e opozitës, do shkoj dhe do ta them siç po e them këtu, se kushdo që nuk do të lejojë që në këtë vend të krijohen rregulla të barabartë, sepse drejtësia është garantuesi i rregullave të barabartë të lojës, edhe kur të prishen rregullat e lojës, ne dimë se do të shkojmë në një vend dhe kemi parashikueshmëri që rregullat e lojës do të rivendosen, nuk do jetë jo vetëm i mirëpritur për të qeverisur, por absolutisht do të jetë objekt i çdo lloj refuzimi që vjen nga ana jonë. Me reformën në drejtësi nuk bëhet lojëra politike, sepse këtu vihet në pikëpyetje gjithë sfida jonë, gjithë sipërmarrja jonë, gjithë jeta jonë, në fund të fundit.
Kryeministri Rama: Një ndërhyrje dua të bëj lidhur me një nga rastet që përmendët. Nuk është i vetmi rast që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apo doganave ka denoncuar në prokurori, persona të trupës së doganiereve apo tatimorëve për shkelje të ligjit, për ndikim të drejtpërdrejtë në favorizimin e kontrabandës dhe evazionit. Nuk është i vetmi rast, kur gjykata i ka nxjerrë të pafajshëm dhe ka kërkuar kthimin e tyre të menjëhershëm në punë. Ju me plot të drejtë dhe gjithë njerëzit mund të thonë si ka mundësi që njerëz që janë çuar në prokurori për krim ekonomik të jenë prapë në punë. Fatura që ne si shtet i paguajmë abuzuesve që nxirren nga radhët e administratës është shumë e madhe. Përtej faktit që një pjesë e atyre që ankohen në gjykatë, për arsye të largimit nga puna, mund të kenë të drejtën e tyre ta bëjnë këtë gjë, janë miliona e miliona euro që gjykatat detyrojnë shtetin t’ju paguajnë rroga, t’i mbajnë me rroga këto lloj individësh që turpërojnë shtetin. Nëse llogaria është miliona e miliona, kjo është një tjetër llogari që duhet t’ia dimë për nder këtyre gjykatave.
Ne kemi bërë shumë diskutime dhe unë ju jam mirënjohës për kontributet që ju keni dhënë në ketë proces, që operacioni kundër informalitetit filloi me një vizibilitet të madh publik, për shkak se në fillim duhej që të shkonim dhe të bënim vizita tatimore në shumë biznese të vogla. Ju e mbani mend shumë mirë sesa shumë u përsërit “merren me të varfërit, merren me të vegjlit dhe nuk merren me mëdhenjtë”. Në fakt nuk është e vërtetë! Ju e dini që të marrurit me të mëdhenjtë nuk është si të marruarit me të vegjlit, në kuptimin e vizibilitetit. Është fjala për të studiuar dosje nëpër zyra etj.. Kemi çuar dhe do të vazhdojmë të çojmë në prokurori dosje për evazion fiskal. Pjesa dramatike e kësaj historie nuk është vetëm që këto dosje që përfundojnë në sistemin e drejtësisë prokurori–gjykatë përfundojnë me dëme ndaj shtetit. Pjesa dramatike është që biznesmenët që refuzojnë të jenë transparentë dhe korrektë me shtetin, detyrohen të paguajnë për t’iu ikur kthetrave të sistemit të drejtësisë. Pra, dyfish problem dhe si përfundim me të drejtë mund të çohet një sipërmarrës i vogël apo një propagandist portalesh dhe të thotë ku janë kompanitë e mëdha që kanë marrë ndëshkim për evazion? Ku të jenë?!
Kompanitë e mëdha që rezultojnë me detyrime ndaj shtetit dhe pasi iu është kërkuar që të bëjnë rivlerësimin dhe prapë kanë gënjyer, ne do t’i ndjekim këmba-këmbës, derisa të japin qindarkën e fundit që i kanë detyrim shtetit.
Nga ana tjetër është fatkeqësi që kompanitë e mëdha, që nuk janë pjesa më e madhe, për hir të së vërtetës, përfundojnë në një batak me të korruptuarit në sistemin e drejtësisë dhe në vend se t’i paguajnë detyrimet publikut, negociojnë lirinë e tyre me maskat në sistem. Patjetër që është e vërtetë që nuk janë të gjithë njësoj, siç nuk janë të gjithë njësoj ata që merren me politikë, siç nuk janë të gjithë njësoj ata që merren me biznes. Nuk janë të gjithë njësoj edhe në sistemin e drejtësisë, por problemi është se një sistem i korruptuar, korrupton!
Njerëzit nuk e korruptojnë dot sistemin, sistemi i korrupton njerëzit. Për të luftuar korrupsionin duhen ndërtuar sisteme që e minimizojnë kapacitetin tundues për njerëzit dhe sistemi i drejtësisë është sistemi më korruptiv dhe i korruptuar që ka Republika e Shqipërisë.
Ne kemi sisteme të korruptuara brenda sistemit tonë të përgjithshëm të organizimit të shtetit, ku ende nuk është modernizuar mekanizmi për ta bërë korrupsionin të pamundur. Po ju marr një shembull; Ne sot kemi një sistem mature shtetërorë dhe pranimesh në universitet ku nuk ka korrupsion, sepse është sistemi që e pengon. Nuk e merr dot me para apo me mik, atë që nuk ta jep kompjuteri. Por, nëse ka një tumor mëmë në gjithë ketë rrjet kanceroz të korrupsionit që është ngritur dhe sofistikuar në 20 e kusur vite, ai është sistemi i drejtësisë. Një korporatë që është makineria më e madhe fitimprurëse në këtë vend. Industria më e madhe fitimprurëse në këtë vend është të shesësh drejtësi. Askush nuk e konkurron dot këtë korporatë, flasim në pikëpamjet einfluencës dhe të kapaciteteve korruptive. Kështu që patjetër që edhe vettingu këtë do të bëjë. Siç është e provuar botërisht, eksperienca e pastrimit nuk do të vlejë vetëm për të hequr, por do të vlejë dhe për të energjizuar gjithë pjesën tjetër, ashtu siç një kancer influencon mbi gjithë pjesën tjetër. Nga heqja me operacion e tumorit, pjesa tjetër energjizohet, kështu do energjizohet pjesa tjetër e sistemit. Gjykatësit që përmendët ju, jam i bindur që ka edhe plotë të tjerë në të gjitha nivelet. Por në këtë mjedis kanceroz është shumë e vështirë të presësh reagime sistemike në funksion të së drejtës.
Presidenti i “Bussiness Albania”, Luan Bregasi tha se sipërmarrja e ka mbështetur këtë projekt të politikës shqiptarë dhe kjo nuk bëhet thjeshtë për të përmirësuar dhe ndryshuar disa emra, por për të ndryshuar realisht një sistem që e ka penguar ekonominë të jetë konkurrente në treg dhe ne sipërmarrësit të ndjehemi të barabartë në sipërmarrjet tona. Ne këtu kemi përfaqësues nga i gjithë spektri shoqëror, por edhe politik, tha ndër të tjera ai, dhe kjo nuk ka pengon që të shprehim gatishmërinë në çdolloj tavoline, për ta mbështetur këtë sipërmarrje kaq të rëndësishme për ne. Duhet përmirësuar, – shtoi më tej ai, – gjithë sistemi i drejtësisë, me qëllim që të ndërtojmë institucione të suksesshme dhe këto institucione do vetëshërbejnë pastaj nesër edhe me sipërmarrësit. Së dyti, mendoj se përmirësimi vjen dhe me funksionimin e vete administratës. Biznesi, për shembull, vuan ende burokracitë e administratës shtetërore. Kemi shumë raste ku kërkesat, letrat tona rrinë nëpër zyra dhe nuk i jepet rrugë. Nuk duhet të përmirësojmë vetëm drejtësinë, duhet të përmirësojmë të gjithë institucionet, por sistemi i drejtësisë dhe drejtësia vetë do t’i hapë rrugë edhe përmirësimit të këtyre ingranazheve të tjera. Në emër te “Bussiness Albania” dhe në emrin tim mbështes projektin politik për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, ligjin e sistemit të drejtësisë, reformat në drejtësi dhe le të fillojë ky vettingu dhe duhet ta përqafojnë të gjithë, klasa politike shqiptare për të ndihmuar vetveten, për të ndihmuar sistemin e drejtësisë dhe për të ndihmuar sipërmarrjen private.
Kryeministri Rama: Edhe unë ju falënderoj! Është një nismë e mirëseardhur kjo tryeze, me ftesën e Inesit dhe të Luanit, si përfaqësues të dy institucioneve që mbledhin edhe të tjerë. Pavarësisht se ku aderon secili dhe pavarësisht simpative apo përkatësive politike që janë e drejtë dhe pasuri intelektuale e secilit, unë dua ta ritheksoj se kjo nuk është një betejë mes të majtës dhe të djathtës, nuk është një betejë mes qeverisë dhe opozitës. Kjo është një beteje mes të shkuarës dhe të ardhmes, në kuptimin më të plotë të fjalë. Nëse i hapet rruga vetting-ut, i hapet rruga zbatimit të një reforme që do ta përmbysë sistemin e vjetër, do ta shembë pallatin e vjetër të drejtësisë dhe do të krijojë kushtet për të ndërtuar një sistem të ri. Një sistem, i cili patjetër do kërkojë kohën e vet, por thjeshtë dhe vetëm pastrimi do t’i japë një energji të shtuar pozitive ekonomisë, punësimit, konkurrencës dhe ndjesisë së përkatësisë në këtë vend dhe në ketë shoqëri. Ata që do të kalojnë me sukses vetting-un, do të ndjejnë barrën e madhe të përgjegjësisë dhe do të ndjehen të vendosur në kushte të reja për të ushtruar profesionet e tyre.
Kjo është diçka që është e mirëseardhur, jam i bindur, për çdo kompani, për çdo punonjës, për çdo familje. Patjetër edhe për ne, sepse shteti, interesat e së cilit ne përfaqësojmë, është viktimë, siç e patë dhe në rastet që unë ju paraqita, por ka raste pafund në të gjitha fushat e vendimmarrjeve skandaloze dhe kriminale të gjykatave, të cilat kanë një kosto financiare marramendëse dhe një efekt frenues për ekonominë, të pakonkurrueshëm nga asnjë efekt tjetër. Unë jam i bindur që, nëse ne hyjmë në këtë fazë, ne mund t’i japim një shtytje të re, të fuqishme ekonomisë dhe punësimit.