Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në konferencën “Reforma në ekonomi dhe klima e biznesit”:

Dua të falënderoj parafolësin e parafolësit, i cili është i vetmi investitor me optimizëm këtu në sallë me sa arrita të kuptoj nga gjithë ata që dëgjova më përpara, por dhe mesa kuptoj nga fytyrat që kam përballë. Besoj që ky është një problem me të cilin të gjithë duhet të merremi pak më seriozisht sepse s’ka diskutim që të gjitha ato që u thanë këtu bëjnë sens, por besoj asgjë nuk mund ta shkëpusim nga konteksti dhe nëse rivendosemi në kontekst, ma ha mendja se jemi në kushtet kur mund të jemi shumë më tepër optimist për atë që po ndodh dhe për atë që vjen më tej.

Ne e kemi filluar punën 32 muaj më përpara, në tetor të vitit 2013. E dua t’ju kujtoj vetëm që Fondi Monetar nuk ishte këtu fare, ishte përzënë pa ceremoni. Dua t’ju kujtoj që Banka Botërore kishte ndaluar çdo lloj vazhdimësie të programeve të veta, për shkak të një reforme të kërkuar me këmbëngulje, si kusht për të vazhduar financimin e programeve, që ishte reforma e pensioneve.

Dua t’ju kujtoj që ishim në kulmin e një konflikti me kompaninë e shpërndarjes së energjisë si rezultat i një shpronësimi të dhunshëm nga ana e qeverisë së mëparshme.

Dua t’ju kujtoj që kishim një bllokim të plotë të të gjitha kompanive që kryenin punë publike dhe shërbime për llogari të shtetit për shkak se nuk paguheshin.

Nga ana tjetër, kishim një bllokim të plotë të kredive nga ana e bankave, për shkak se marrëdhëniet me këto kompani të papaguara e impononin këtë gjë dhe 720 milionë dollarë për të zhbllokuar kompanitë dhe për të rifilluar ngritjen e mundimshme, nga një situatë ku rritja ekonomike lëkundej midis 0 dhe 1, pa llogaritur forcat politike që mundoheshin ta shtynin drejt 1-shit me shifra të fabrikuara.

Unë jam absolutisht dakord me çfarë u tha këtu, por besoj që midis një situate ku nuk bëhej një rimbursim i vetëm i TVSH-së për askënd pa paguar 30%-50%, atë që bënte rimbursimin dhe një situate ku kemi rimbursimin automatik të TVSH-së, – është një kapërcim epokash.

Sot, kompanitë rimbursohen automatikisht. E dinë shumë mirë të gjithë ata që janë sipërmarrës këtu në sallë se çfarë do të thotë kjo për kompanitë.

Nga ana tjetër, ju kujtoj që ishim në kushtet, ku për shkak të konfliktit me kompaninë e energjisë dhe për shkak të borxhit të akumuluar nga kompania e shpërndarjes së energjisë, – 1.1 miliardë dollarë borxh, i akumuluar nga viti 2007 në vitin 2013, – prej të cilave 273 milionë dollarë të akumuluara nga janari në gusht të vitit 2013 që ishte vit elektoral, duke u thënë të gjithëve, “konsumoheni, ne nuk i duam lekët.”

Sot, jemi pas vitit të parë historik kur qeveria nuk ka dhënë asnjë qindarkë për të financuar mbajtjen në këmbë të kompanisë së shpërndarjes, nga mesatarisht 150 milionë dollarë që jepte çdo vit për të mbushur gropën e krijuar nga vjedhjet dhe nga mospagesat, kemi 320 mijë familje konsumatorë që kanë nënshkruar kontrata, marrëveshje për të filluar të shlyejnë borxhin e vjetër. Sepse ne flasim për investimet, por harrojmë që për të rritur volumin e investimeve kemi nevojë të rrisim gjithë elementët e sigurisë, që nga energjia, tek raporti me administratën. Jam absolutisht dakord që ka ende shumë për të bërë për të pasur një administratë tatimore, e cila performon si duhet, por është hera e parë që administrata tatimore fillon të punojë mbas 20 e kusur vitesh, me platformën në bazë të riskut.

Sigurisht, që nga fillimi i punës me platformën në bazë të riskut, deri me krijimin e një kulture dhe një dijeje të qëndrueshme që platforma në bazë të riskut, të jetë baza e që kontrollet e sipërmarrjeve të mos jenë rutina barbare e viteve, – do kërkojë kohën e vet. Se këtu në sallë ka disa që kanë dalë kundër aksionit për informalitetin. Përfaqësues dhomash tregtie, kundër! Dhe nuk ma tregojnë dot se si do të kishim formalizuar ne apo do të kishim regjistruar ne 42 mijë biznese të reja, pra që për herë të parë pranonin ti nënshtroheshin ligjeve të këtij vendi e të regjistroheshin, në rast se ne nuk do kishim nisur një operacion kundër informalitetit që nuk ishte perfekt, se s’mund të ishte perfekt. Por, që rezultatet flasin që ishte jo vetëm i domosdoshëm, por dhe një ilaç shumë i rëndësishëm për të kuruar, se mbase nuk do shërohet kurrë. E tha Andi, kemi dy vëllezër të mëdhenj që janë italianët dhe grekët, e me këta dy vëllezër të mëdhenj ne gjithmonë do kemi një marrëdhënie pak më flirtuale me informalitetin se sa po të kishim vëllezër gjermanët apo suedezët. Por, në luftën kundër informalitetit kemi bërë një progres që nuk është bërë kurrë. E unë besoj fort që një nga arsyet pse shumë flitet me një ndjenjë pakënaqësie, vjen sepse këtu gjithmonë e më shumë po shtrëngohet rrethi lirisë për të mos paguar, i lirisë për të shkuar me shpejtësi të ndryshme, në varësi nga marrëveshjet e ndryshme me kontrollorë e me inspektorë të ndryshëm, e kështu me radhë.

Sepse unë nuk mund ta kuptoj dot, e ne e kemi të vështirë ta kuptojmë. Si ka mundësi që të gjitha fitimet e kompanive janë të rritura, – të gjitha fitimet e kompanive të mëdha rezultojnë me rritje, – nëse ne do të kishim një situatë pesimiste në ekonomi?! Por sigurisht që pjesë e kësaj rritje është edhe dalja nga zona informale, në zonën formale. Kemi kompani me emër, kompani shumë të mëdha, të cilat kanë bërë namin, duke punuar si pika pakice. Nuk i fajësojmë, – ka qenë koha si thonë ata, – e nga ana tjetër kompanitë janë në treg për të fituar e jo për të vendosur ligjin. Është detyra janë ta bëjmë këtë gjë. Por nëse sot kemi një rritje eksponenciale të volumit të deklaruar e një ulje eksponenciale të informalitetit, kjo sigurisht që nuk është diçka për tu gëzuar për kompanitë apo për sipërmarrjet e mësuara duke ja hedhur shtetit. Por nga ana tjetër kjo është diçka për tu nënvizuar si një hap shumë i rëndësishëm përpara që vendos një platformë konkurrence të lirë e të ndershme në treg.

Padyshim që nga ana tjetër, nuk e kam besuar asnjë ditë të vetme e as nuk kam për ta besuar asnjëherë që në këtë vend problemi janë taksat. Se edhe këtu ka predikues të taksës së sheshtë. Të kthehemi tek taksa e sheshtë e të shkojmë tek 9%. Po më thoni ju, pse duhet t’ia rrisim taksën infermierëve, pse duhet t’ia rrisim taksën mësueseve, pse duhet t’ia rrisim taksën nëpunësve, pse duhet t’ia rrisim taksën gjithë shtresës së mesme, për të shkuar tek 9% apo 10% për sipërmarrjen e madhe?! Nuk ka asnjë teori që të mund të vërtetojë se kjo është më e mirë. Ndërkohë që e kundërta është e provuar. Ne vendosëm një sistem të ri taksash, e vendosëm një sistem të ri taksash me ulje taksash për 97% të njerëzve që paguajnë taksa e faktikisht kemi të ardhura më të larta edhe nga rrogat më të larta.

Nga ana tjetër, ne kemi bërë disa reforma të cilat të gjitha janë të lidhura në fund të ditës me klimën, se energjia ishte duke na futur në gropë. Qeveritë vlerësohen për atë që bëjnë. Nuk ka kush nge ti vlerësoj për atë që qeveritë ndalojnë të ndodhi, por unë mund t’ju them me shifra në dorë, që duke u futur në marrëveshje me FMN, duke iu nënshtruar një programi shumë të rëndë korrektimi fiskal dhe duke filluar pagesat për borxhet e kompanive, ne shmangëm falimentin financiar të nëntorit, dhjetorit të vitit 2013. Do të ishim në kushtet kur nuk do të kishim më për të paguar rrogat e pensionet. Kjo është e vërteta. E nënvizoj këtë, konteksti është shumë i rëndësishëm. Nuk kam asnjë dyshim që do bëjmë të gjithë sëbashku një luftë frontale, kundër çdo shfaqjeje negativizmi, abuzivizmi, korrupsioni që vazhdon të ndodhë, sepse modernizimi i administratës është ende larg. Por ama, nëse sot, tatimet i lajmërojnë bizneset me e-mail për situatën e tyre dhe i kërkojnë që të korrigjohen, si e bëjnë?

E bëjnë duke u nisur nga platforma elektronike që ne kemi ndërtuar tek tatimet. Ndjekja e bizneseve nuk bëhet më duke shkuar bandat e duke abuzuar me kontrollet, por bëhet duke ndjekur në distancë, në mënyrë dixhitale një proces të tërë transaksionesh të përditshme.

E çfarë po them nuk po bëjmë një krahasim, sot me 15, 20, 25, apo 40 vjet përpara, por po e bëjmë sot, me 32 muaj përpara. Bëmë reformën e pensioneve, një reformë që të gjithë i kishin ikur si djalli, temjanit. E bëmë në bashkëpunim me BB dhe faktikisht kemi hyrë në trendin pozitiv. Ishim  kërcënuar nga kolapsi i skemës për shkak të deficitit që rritej vit pas viti. Kishim shkuar në mbi 400 milionë dollarë deficit.

Bëmë reformën e  ndihmës ekonomike. Një reformë kapilare, e cila faktikisht ishte një tjetër hap shumë i rëndësishëm për të luftuar korrupsionin sistemik.

Bëmë reformën administrative territoriale, që praktikisht ka përmbytur nga themeli mënyrën e ndërtimit të qeverisjes se nivelit të dytë, por i ka hequr vendit një tjetër barrë të rëndë korrupsioni.

Bëme reformën e pronës. Për herë të parë pas 25 vitesh morëm përsipër të bëjmë një ligj prone, që nuk i thotë pronarëve “do ti merrni të gjitha” dhe që nuk i shkel syrin të tjerëve që “jo, nuk do ti marrin këta, do ti merrni ju.” Jemi i vetmi vend në Europë, i vetmi vend anëtar i Këshillit të Europës që nuk kishim akoma një ligj për pronat, që ti jepte një zgjidhje problemit të pronave. Ne e morëm përsipër dhe e bëmë. Nuk është ligji më i mirë në botë, nuk është perfekt, nuk i kënaq të gjithë, por u jep të gjithëve aq sa mund tu japë. E kjo përsëri ka lidhje me stabilitetin e platformës së të bërit biznes.

Nga ana tjetër po bëjmë një reformë rrënjësore në arsim. Po hapim rrugën vit pas viti për të ndërtuar një arsim profesional të besueshëm, i cili do të na japë njerëz të kualifikuar. Ja ku është Shkëlqimi, pyeteni se çfarë problemesh ka sot kompania për rekrutimin e punonjësve të kualifikuar. Unë e kuptoj shumë mirë që është shumë seksi që të bësh një debat pervers duke u nisur nga një rast skandaloz abuzimi, apo pesë raste abuzimi apo 10 po të doni, me mënyra të ndryshme me dëshirën e njerëzve për tu futur në punë. Por e vërteta që është e vërtetë si drita e diellit është që problemi i madh që ne trashëgojmë është mungesa e krahut të kualifikuar të punës dhe me të cilin ne po merremi.

Dua tu them një shifër. 173 mijë njerëz që sot janë të siguruar, që sot paguajnë sigurimet shoqërore, që sot paguajnë sigurimet shëndetësorë, dhe marrin rrogën si njerëz me dinjitetin e tyre, një pjese e madhe prej tyre ishin në punë, ishin skllevër në të zezë që nuk figuronin asgjëkundi. A janë ata një arsye për të besuar se këtu po ndërtohen bazat për të hapur më shumë mundësi dhe për ti dhënë më shumë mundësi dhe për ti dhënë më shumë instrumenta në duar sipërmarrjes që do të punojë me rregulla apo nuk janë diçka e rëndësishme?!

Padyshim që reforma në drejtësi është themelore për ti dhënë gjithë këtyre reformave të tjera qëndrueshmëri. Unë kam patur me disa kontakte me disa kompani, që janë dhe këtu në sallë që kanë hasur në arbitraritete të paimagjinueshme në gjykatë, por besoj shumë që duhet të ndajmë bashkërisht një bindje. Shqipëria nuk mund të bëhet vendi që duam nëse informaliteti, privilegjet dhe shpejtësitë e ndryshme të siguruara përmes korsive preferenciale nuk do të luftohen përditë dhe kudo, qoftë një biznes i brendshëm, qoftë një biznes i huaj. Dëgjova Jensenin që tha “çështja e Bankers”. Çështja e Bankersit është një çështje shumë e thjeshtë. Ne nuk besojmë që një kompani e huaj, pse është me flamur amerikan apo kanadez apo gjerman apo çfarë të doni, – të gjithë flamujt para të cilëve ne përulemi me shumë respekt, – ka të drejtën të mos paguajë taksa në Republikën e Shqipërisë. Ne nuk e besojmë këtë. Ne nuk e besojmë që fakti që kjo kompani mund të mobilizoje lobingje, mund të mobilizojë përfaqësues nga më të ndryshmit të shtetit të vet, mund ta bëjë këtë kompani të paprekshme. Bankersi nuk paguante taksat. E faktikisht ne bëmë thjeshtë dhe vetëm detyrën tonë. Si mundet një kompani e  huaj ti kërkojë qeverisë që ti thotë tatimeve “lëre mënjanë atë se nuk na duhet tani kjo punë se është investitor i huaj dhe do na prishet imazhi”. Kush mund ta bëjë këtë?! Në cilën qeveri të BE bëhet kjo?! Kujt mund ti shkojë mendja?! Kush mund ta shikojë në ëndërr që t’i thotë Angela Merkelit këtë  kompaninë thuaj tatimeve që ta lërë mënjanë sepse është kompania e një vendi të rëndësishëm partner.

Kjo nuk ndodh. Pse në Shqipëri qenka kaq e lehte që kjo të konsiderohet si e mundshme, çfarë është Shqipëria? Ja pra të gjitha këto janë pjesë e të njëjtës gjë. Nuk do ta bëja unë këtë debat, nëse gjykata ndërkombëtare  s’do t’i kishte dhënë të drejtë shtetit shqiptar. E fituam në gjykatë betejën. E fituam në gjykatë të drejtën që ata të ulen dhe çfarë kërkonim ne? Ne kërkonim thjeshtë një marrëveshje për të paguar taksat. E fituam në gjykatë dhe ata filluan të paguajnë taksat. Çdo gjë u normalizua. Ne s’kishim gjë me kompaninë dhe madje kompania është dhe në fazën që po shitet. Një gjë pa vlere nuk shitet, dhe kinezët nuk blejnë gjëra pa vlere. Çfarë janë këta që çohën dhe thonë: Po ikin investitorët? Kush investitor po ikën? E kam dëgjuar nga përfaqësues të dhomave te huaja të tregtisë. Kush janë investitorët që po ikin?! Më thoni një investitor që po ikën nga Shqipëria? Bankersi nuk po ikën nga Shqipëria. Bankersi po shitet domethënë që po fiton, ata që e kanë po fitojnë. Bankers do vazhdojë të qëndrojë aty, do vazhdojë të punojë aty, do ketë gjithë mbështetjen tonë.

Nuk ka gjermanë në aeroportin  e Rinasit. Po ikin gjermanët, po ikin amerikanët. Nuk ka gjermanë, që ta dini. Gjermanët në aeroportin e Rinasit e kanë shitur me kohë pjesën e tyre dhe kanë thjeshtë dhe vetëm një administrator, nuk janë gjermanë fare.

Që këtu fillon A-ja dhe B-ja është, çfarë po bëjnë, po shesin. Po e shesin dhe shumë më tepër seç e morën. Mos duhet ti ndalojmë edhe gjermanët dhe amerikanët të shesin se duhet të rrinë këtu?! Kanë ardhur të fitojnë, kanë bërë fitimet e tyre, po shesin dhe po vijnë  të tjerët. Siç është gjermani që ka ardhur këtu dhe që na jep ne mundësinë te bëjmë këtë konference këtu. Pse shpërndahet gjithë ky tym, për çfarë? Ju them unë për çfarë.

Sepse këtu ka shumë, ka forca brenda biznesit që janë mësuar të hapin dyert për interesat e tyre dhe të bëjnë çfarë të duan. Parafytyroni një komunitet biznesi që nuk pranon që ka një bilanc për vete, për tatimet, një bilanc e ka për bankat. Sot, janë të huajt që e përballojnë këtë gjë, që vijnë nga BE, sipërmarrës që thonë: “Në asnjë mënyre, është skandal që ne te kemi te njëjtin bilanc në tatime dhe në banka” Sepse kur shkojmë në tatime, e ulim, kur shkojmë në banka e fryjnë, se te banka duhet të tregohesh sa më i fortë që të marrësh sa më shumë kredi, te tatimet duhet të tregohesh sa më copë-copë që të paguash sa më pak taksa. Ja kjo është historia. Unë përsëri me shumë modesti dua t’ju them. Ne jemi të parët, unë jam i pari ndër të parët që besoj se ka 1001 arsye që ne mos te jemi të kënaqur me situatën, në raport me gjithë shërbimet që i kryejmë biznesit, ndër to pa diskutim hyjnë dhe administratat; pa diskutim hyjnë dhe kanalet e burokracisë që shpesh here bëhen të padurueshme; pa diskutim hyjnë edhe shumë barriera të natyrave të ndryshme administrative dhe për të gjitha këto ne duam mbështetjen dhe jo vetëm mbështetjen për qeverinë me vota, por mbështetjen dhe  bashkëpunimin për t’i bërë bashkërisht gjërat që të lëvizin në drejtimin e duhur. Ministri ka nisur një operacion të tërë ku ka ftuar të gjithë sipërmarrësit të japin mendimet e tyre dhe shumë shpejt në muajin qershor, ne do dalim me një plan të ri për lehtësimin e burokracisë për biznesin, por nga ana tjetër, besoj që ka shumë për të humbur, gjithkush. Ka shumë për të humbur vendi, publiku, sipërmarrja, nëse ne nuk i japim vendin e duhur në botëkuptimin tonë, atyre që janë bërë.

Çdo kthim mbrapa është vdekjeprurës për ekonominë dhe për gjithë parimet dhe vlerat themelore të konkurrencës, që për ne janë ylli polar për të cilin ne punojmë. Do të isha shumë i kënaqur që të shikonit vetëm një dokument, i cili provon se në të gjitha rastet, pa përjashtim kur sipërmarrja ka denoncuar apo ka shprehur shqetësim në administratën tatimore për një inspektor apo një grup inspektimi, përgjigja në shkelje të të drejtave të njeriut, ka qënë shkarkimi, pra pa kushte. Por ky bashkëpunim duhet të jetë shumë më i fortë dhe sipërmarrja në radhë të parë duhet të zgjedhi komunikimin me institucionet, me drejtorinë e përgjithshme të tatimeve, me drejtorinë e përgjithshme të doganave, me ministrinë e financave, me ministrinë e ekonomisë dhe jo të zgjedhe rrugën e shkeljes së syrit inspektorëve. Korrupsioni është si baleti, si tango, nuk e bën dot vetëm njeri. Nuk është valle shpatash, ajo bëhet tek-pull me një shpatë edhe hidhesh dhe përdridhesh përpara publikut, kurse tangoja do dy dhe në shumë raste këtë tango e stimulojnë ata, të cilët pastaj dalin nëpër media edhe flasin sesa probleme të mëdha paska sot për biznesin dhe investitorët e huaj.

Investitorët e huaj në Shqipëri janë njerëzit më të respektueshëm dhe janë njerëzit më të mbështetur. Kjo është pak, por e sigurt. Bindja jonë që nga fillimi deri në fund, ka qënë dhe do jetë, në raport me investitorët e huaj, të garantojmë maksimimun e mbështetjes. Nuk ka investitor të huaj që gjen një derë të mbyllur, në rast se do të zgjidhi një problem. Ka probleme që mund të zgjidhen më shpejtë, ka probleme që mund të zgjidhen më ngadalë, por nuk ekziston një investitor i huaj që nuk i hapet dera dhe që nuk gjen, pas shprehjes së shqetësimit, gjithë shtetin në mbështetje për të zgjidhur problemin. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ne besojmë që investitorët e huaj nuk janë vetëm ata që investojnë aty, por janë dhe zëra të rëndësishëm për të sjellë të tjerë.

 

***

Përmirësimi i klimës së biznesit është qëllimi i reformave dhe përpjekjeve në fazën e dytë të programit ekonomik të qeverisë. Kjo dhe përparësitë e sfidat e ekonomisë shqiptare u diskutuan sot në konferencën “Reforma në ekonomi dhe klima e biznesit”, i moderuar nga ministri i Financave dhe ku u angazhuan në diskutime Kryeministri, Ministrja e Ekonomisë, përfaqësues të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, investitorë të huaj në Shqipëri dhe drejtues të bizneseve vendase.

 

Ministri i Financave Arben Ahmetaj solli në vëmendje dy statistika të rëndësishme për ecurinë ekonomike të Shqipërisë; Statistika e parë dëshmon trendin në rritje të investimeve të huaja, ku vetëm në 4 mujorin e parë të vitit 2016 janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, 499 biznese të huaja, çka përbën gjysmën e bizneseve të huaja të regjistruara në vitin 2015. Ndërkohë në referencë të shifrave të Bankës së Shqipërisë, viti 2015, tha Ahmetaj, është vit rekord i tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Statistika e dytë ka të bëjë me rritjen e konsumit. Tremujori i parë i vitit 2016, sërish sipas shifrave të ofruara nga Banka e Shqipërisë, është tremujori i tretë radhazi, pas  tremujorit të 3-të e të 4-rt të vitit të kaluar, që konsumi rritet.

Ministrja e Ekonomisë foli për incentivat e qeverisë për të krijuar një klimë të mirë të të bërit biznes. “Qeveria ka marrë përsipër të zhvillojë disa incentiva që lidhen me zonat ekonomike dhe teknologjike, që janë zona ku ne marrim përsipër të lehtësojmë biznesin për arsye jo vetëm procedurale, por edhe tarifore, doganore, ose të pagesës së taksave. Kemi zhvilluar dhe përmirësuar ligjin e Partneritetit Publik Privat, kemi bërë një ligj të ri të investimeve strategjike, kemi mundësuar një ligj të ri të turizmit dhe padyshim i kemi dhënë një dimension të ri AIDA-s, duke e kthyer në portalin e vetëm unik ku mund të shkojë biznesi dhe të jetë investitor dhe Agjencia të marrë përsipër ta asistojë atë më procedura të lehtësuara e të veçanta. Të gjitha këto sjellin një situatë komunikimi që kërkon të mendohet pak më gjerë sesa Shqipëria, pra, në rrafshin ballkanik.”

Banka Botërore dhe FMN janë të angazhuar në Shqipëri në një program trevjeçar, në mbështetje të reformave. Përfaqësuesja e BB në Shqipëri, Tahsin Sayed, theksoi se Banka Botërore bashkëndan vizionin e qeverisë shqiptare, për ta bërë Shqipërinë një destinacion interesant investimi. “Po shënohen shenja që tregojnë një rimëkëmbje të ekonomisë dhe rivendosjen e ekuilibrit të rritjes në raport me investimet private,” – tha Sayed. Ajo veçoi, duke i quajtur “hapa shumë të lavdërueshëm”, reformën e pensioneve, stabilizimin e sektorit të energjisë, reformat në ofrimin e shërbimeve publike, angazhimin e qeverisë për të ecur më shpejt sa i takon lehtësisë së të bërit biznes, krijimin e sportelit të vetëm të regjistrimit të biznesit, aktivizimin e lejeve elektronike.

Investimet e huaja direkte, Sayed i konsideroi si një nga fushat e përparësisë. “Shqipëria ka një sërë pikash të forta dhe përfshin së pari, një popullsi të mirëarsimuar dhe me njohuri në teknologjinë e informacionit dhe një afërsi të konsiderueshme me bllokun më të madh ekonomik në botë dhe një kosto të ulët të krahut të punës,” – u shpreh Sayed, duke vlerësuar në këtë drejtim se “qeveria ka bërë shumë për të inkurajuar investimet e huaja, duke bërë hapa shumë të rëndësishëm që të përfshijë sektorët që shfrytëzojnë kapitalin njerëzor dhe lehtësojnë krijimin e vendeve të punës.” Por përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri shtoi se duhet të sigurohet që të kemi një sistem të duhur gjyqësor dhe zbatimin e shtetit të së drejtës.

Edhe në vlerësimin e përfaqësuesit të FMN-së Jens  Reinke, situata makroekonomike ka një përmirësim të vazhdueshëm. “Qeveria ka qenë shumë e kujdesshme për të kontrolluar shpenzimet dhe për të punuar me të ardhurat dhe të garantojë që situata fiskale të mbetet e qëndrueshme. Njëkohësisht reformat strukturore po ecin përpara në tërësi,” tha Reinke, duke nënvizuar se përmirësimi lidhet edhe me funksionin e investitorëve të huaj, por lehtësimi i të bërit biznes duhet të vijojë. Në këndvështrimin e përfaqësuesit të FMN-së, përmirësimit të klimës së biznesit do t’i shërbejë edhe reforma në sistemin e drejtësisë. “Kjo do të çojë edhe në një mjedis shumë më të mirë për të gjithë investitorët e huaj. Duke mos bërë këtë reformë në sistemin e  drejtësisë, investitorët mund të kalojnë në situata jo të këndshme,” theksoi ai, duke shtuar se “do të jetë e rëndësishme për të frenuar shumë prej akuzave që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.”

Në analizat e tyre, sugjerime, veçanërisht sa i takon përmirësimit të sistemit të drejtësisë, dhanë edhe drejtues të shoqatave e investimeve të rëndësishme në Shqipëri. “Të gjitha faktet makroekonomike në Shqipëri janë pozitive dhe këto janë konfirmuar nga institucione financiare ndërkombëtare, me të cilat ne bashkëpunojmë çdo ditë,” tha Silvio Pedrazzi, Presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj, FIAA, ndërsa lajmëroi se nga takimet me Konfindustria-n në Itali, Shqipëria shihet si një vend i përshtatshëm për investime dhe se do të ndërmerren hapa të reja për të rritur prezencën e kompanive italiane në Shqipëri. Edhe për të, reforma në drejtësi konsiderohet shumë e rëndësishme nga komuniteti i biznesit, pasi edhe kjo shihet si një pengesë për ta.

Përfaqësuesi i kompanisë kanadeze “Tireks Eksploration”, Përparim Alikaj,  ngriti gjithashtu si shqetësim çështjen e drejtësisë, nisur nga përvoja e tyre prej më shumë se një vit në gjykatat shqiptare.

“E di që është një çështje e mbartur për vite të tëra. Është një rast spektakolar sesi një administratë ju jep të njëjtën të drejtë dy kompanive të ndryshme. Ju mund ta merrni me mend vetë se pse mund të ndodhë një gjë e tillë. Duhet të presim përfundimin e vendimit të gjykatës, se gjykatat janë këto që janë, por prapë një gjë tjetër nuk e kemi shpikur e s’kemi si ta shpikim, përveçse të përmirësojmë situatën në gjykatat ekzistuese, përmes reformës në drejtësi,” – u shpreh Kryeministri në përgjigje të këtij shqetësimi.

Të tjerë investitorë u shprehën për nevojën e përmirësimeve në procedurat doganore, të rritjes së arsimit profesional për forcë më të kualifikuar pune etj..

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.