Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama sot, në Kuvend:

Duke qenë se projekti që sot diskutojmë vjen në vazhdën e një reforme të thellë transformuese të sektorit, besoj është momenti i duhur për të folur me shifra dhe fakte për gjendjen e trashëguar të sektorit, për gjendjen aktuale të sektorit dhe për gjendjen e pritshme të sektorit.

Është spektakolare të dëgjosh se si përgjegjësit për gjendjen e trashëguar të sektorit kanë kurajën të flasin njësoj sikur vrojtojnë nga kullat e plazheve horizontin dhe jo sikur deri dje, deri 18 muaj më parë, kanë pasur në dorë t’i bëjnë gjërat që thonë sot. Jo vetëm s’i kanë bërë, por i kanë lënë në një rrokopujë të papërshkrueshme.

Konkretisht;

KESH-in, ndërmarrjen publike kyç për sektorin, e lanë me 540 milionë dollarë borxhe, të krijuara drejtpërdrejt nga vendimmarrjet tërësisht qorre të qeverisë.

OST-në, një tjetër ndërmarrje kyçe të sektorit, e lanë me 20 milionë dollarë borxhe, duke e bërë të pamundur praktikisht përmbushjen e funksionit të saj si operator i tregut dhe i sistemit të transmetimit nga mosshlyerja e detyrimeve ndaj shpërndarësit.

Linjën e interkonjeksionit me Kosovën, dihet mirë historia, e lanë plotësisht të bllokuar për arsye tërësisht të errëta.

Operatorin e Shpërndarjes, në kolaps të plotë ekonomik dhe teknologjik, përveçse në një situatë totalisht absurde ligjore, me 1 miliardë dollarë borxhe, të cilat tejkalonin me disa herë kapitalin e kompanisë dhe me një nivel faturash të pambledhura prej 1.3 miliardë dollarësh, me një nivel historik humbjesh, prej 48%, që në momentet e fundit përfunduan në 51% humbje. 51 % humbje! Vetëm në periudhën janar-gusht të vitit 2013, kur kujtuan se duke bërë përshesh në çdo shesh do të mund të mbanin pushtetin, akumuluan 220 milionë dollarë borxhe në kurriz të kompanisë, duke u shkelur syrin të gjithë llojeve të shkelësve të ligjit për të mos e paguar energjinë elektrike.

150 milionë euro të humbura çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike dhe të kompensuara drejtpërdrejtë nga buxheti i krijuar prej atyre që e paguanin energjinë elektrike dhe prej atyre që paguanin taksat. Me një sistem tarifor qesharak dhe skandaloz që vetëm stimulonte abuzimin dhe nuk mbulonte asnjë kërkesë, jo për investime, por as për përmbajtje. Me një prodhim pjesërisht të liberalizuar, por me kontrata skandaloze që janë sot e gjithë ditën lak në fytin e sistemit dhe që janë sot e gjithë ditën borxhe, që përsëri i shlyejnë qytetarët që paguajnë energjinë, qytetarët që paguajnë taksat. Me një model tregu të bllokuar, jo funksional dhe në emergjencë të vazhdueshme. Me një kuadër ligjor që nuk i përgjigjej realitetit të sektorit dhe nuk garantonte absolutisht asnjë të ardhme për sektorin.

Kjo është gjendja e trashëguar.

Cila është gjendja aktuale dhe çfarë kemi bërë, ne, në vetëm 18 muaj? Përsëri me shifra dhe me fakte, se me arsye dhe logjikë, përtej shifrave dhe fakteve, është e kotë të merresh me këta.

Kemi arritur të reduktojmë nivelin e humbjeve vjetore në një masë të konsiderueshme dhe sot jemi në një nivel 31%, që është nata me ditën në raport me 18 muaj më parë dhe që tanimë, duke pasur stabilitet bazik në sektor, kemi të drejtën e plotë të besojmë se do të shkojmë nën 30%.

Nivelin e arkëtimeve vjetore e kemi rritur me 100 milionë dollarë deri në fillim të prillit 2015. Parafytyroni, deri në fillim të prillit 2015, në harkun e 18 muajve, kemi arritur të tejkalojmë 300 mijë aktmarrëveshje me debitorët, që këta i lanë rrugëve, duke lënë rrugëve të gjithë sistemin se mendja e tyre ishte rrugë, rrugë, rrugë dhe të gjithë në rrugë!

Vlera totale financiare e aktmarrëveshjeve të nënshkruara është 50.5 miliardë lekë, ose e thënë ndryshe, 505 milionë dollarë. Nga ana tjetër, vlera e kamatvonesës së falur, si pasojë e përfitimit nga skema lehtësuese që ne iu propozuam debitorëve është 39 milionë dollarë. Në vitin 2014 KESH-i ka blerë me një çmim 2.89 euro më lirë se në vitin 2013 dhe 15.98 euro më të lirë se çmimi mesatar i 5 viteve të fundit.

Për vitin 2014, KESH-i ka shitur me çmim mesatar 15.51 euro më shtrenjtë se viti 2013, këtu flasim për shitjet jashtë dhe 4.31 euro më të shtrenjtë se çmimi mesatar i 5 viteve të fundit. Llogaritë janë të thjeshta, janë të qarta dhe diferenca është nata me ditën, errësira me dritën.

Krahasuar me vitin 2013, ndonëse se me 40 % më pak prurje në Fierzë, është mundësuar shfrytëzimi më efecient i burimeve dhe është rritur në mënyrë të ndjeshme rezerva energjetike. Investimet e realizuara gjatë vitit 2014 kanë bërë të mundur të futen në prodhim 12 HEC-e me një vlerë totale të kapacitetit prej 480 milionë dollarësh. Gjatë vitit 2015 parashikohen të futen në prodhim edhe 8 të tjerë, me një investim të parashikuar prej 280 milionë dollarë. Është shlyer 70% e borxheve të akumuluara nga prodhuesit e të vegjël, të cilëve u bënin kontrata me vizatime fëmijësh dhe pastaj të gjithë barrën e financimit ua linin në kurriz. Brenda gjysmës së parë të 2015 do të likuidohet plotësisht ky borxh. Një borxh që tejkalon 60 milionë dollarë ndaj prodhuesve të vegjël, prodhuesve privatë. Ndërkohë, është e qartë që mbështetja e marrë për të investuar në sistem nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare është rezultat i drejtpërdrejt i reformës që ne kemi bërë në këtë sektor, si parakushti për të siguruar këtë mbështetje.

Ky parakusht ka ekzistuar edhe më parë, por askush nuk ka marrë përsipër ta përmbushë. Sepse, për këta politika e shkeljes së syrit ndaj vjedhësve dhe abuzuesve me energjinë ishte e vetmja politikë. Çrregullimi i plotë i sistemit, çoroditja e plotë brenda sistemit dhe shkelja e plotë e rendit ligjor në sistem ishin zgjedhje e qartë politike, për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, duke e bërë shtetin copë-copë. Është garantuar financimi i parë 115 milionë dollarë nga Banka Botërore për të nisur projektin e madh të rimëkëmbjes së sistemit energjik. Ky projekt parashikohet të shkojë përtej shifrës së 400 milionë dollarëve për sektorin e shpërndarjes, ku është sfida jonë kryesore. Pasi, tanimë, falë mirëkuptimit të plotë të shumicës dërrmuese të qytetarëve dhe falë mbështetjes së plotë, që kjo reformë dhe këto masa kanë marrë, nga qytetarët ne jemi në gjendje të fillojmë të investojmë në sektor. Pikërisht, sepse kjo reformë ka dhënë rezultate dhe se tanimë ka një të ardhme, pasi rruga e hapur garanton qëndrueshmëri, edhe me financimi me grante ka filluar të vihet në lëvizje. Sot, deri tani, kemi 15.2 milionë euro grante për projekte të rritjes së eficiencës së energjisë elektrike. Reforma tarifore, reforma e shumëkërkuar, reforma e shumëpritur, reforma e shumëvonuar e sektorit energjetik që korrigjoi shtrembërimin themelor të tregut dhe siguroi përafrimin me koston, përmes heqjes së fashave abuzive prej 300 kilovat dhe unifikimit të çmimit, më i ulët sesa çmimi i deridjeshëm, nga 10.5 mesatarja në 9.5 mesatarja, ka siguruar një tjetër gur themeltar për ta çuar përpara sektorin në drejtimin e duhur.

Po ashtu, kemi kompensuar në shtesë page të drejtpërdrejtë, ashtu siç u zotuam, në xhep, jo me ato teoritë e kompensimeve “sillni faturën t’ju japim kompensimet”, mbi 210 mijë familje të klasifikuara si të varfra dhe në nevojë. Janë mbi 210 mijë familje që marrin çdo muaj, drejtpërdrejt, shtesë në pagë, shtesë në pension për të përballuar efektin e reformës tarifore.

Kemi korrigjuar formulën e përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë nga HEC-et private, duke i dhënë fund një kapitulli skandaloz abuzimi dhe spekulimi financiar, në kurriz të financave publike dhe në kurriz të konsumatorëve pagues të energjisë dhe taksapagues të këtij vendi.

Kemi shtuar me 40 milionë dollarë financimet në gjenerim dhe kemi kaluar në një fazë tërësisht të re menaxhimi të kaskadës nëpërmjet një kontrolli hidrik e regjimi optimal të saj, ku kanë marrë fund ato ndërhyrjet politike, lëre të mbushet se do ta shesim, dhe më pas kur mbushej më shumë se ç’mund të mbante, përmbytej e gjithë Shkodra e Nën-Shkodra, e u thuhej që “kjo erdhi ngaqë ra shiu më i madh i 100 vjetëve të fundit”. Dhe, brenda 1 viti, pesë herë rresht ra shiu më i madh i 100 viteve të fundit, vetëm se ai i radhës ishte më i madh se ai i pak javëve më parë.

Kemi filluar procedurat për prishje të kontratave koncensionare me mbi 30 hidrocentrale në potencë për mospërmbushje detyrimesh nga koncensionari. Koha kur kontrata koncensionare nënshkruhej dhe lihej në sirtar, harrohej e pamonitoruar, dhe të ashtuquajturit koncensionarë e kthenin atë në letër me vlerë për tregun e zi të kontratave, ka marrë fund.

Kemi zgjidhur problemin për të ndërtuar infrastrukturën zëvendësuese të projektit të kaskadës së Devollit, një problem i trashëguar si të gjitha problemet e trashëguara në të gjithë sektorët, dhe si problemi i madh i trashëguar në të gjithë projektin madhor të tyre që ishte rrugë, rrugë, rrugë, që nuk mbaruan një rrugë deri në fund, që të gjitha rrugët i kanë lënë rrugëve dhe përveçse duhet të mbulonim gjithë ato borxhe që kishin ndaj sipërmarrjeve për atë copë rrugë që kanë bërë, tanimë kemi sfidën që të sigurojmë financimin për të përmbushur projektet e hapura me 5%, me 3% deri nganjëherë edhe me 1% të totalit, për të bërë ato prerjet e shiritave elektoral.

Kemi garantuar vazhdimin dhe financuar deri në përfundim ndërtimin e linjës 110KW të Unazës së Jugut. Ashtu sikundër, vlera e kryer e investimit, për të dyja lotet në vitin 2014 arriti në 186 milionë dollarë. Puna për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit, 400KW, Tiranë-Prishtinë, ka nisur, dhe vlera e investimit të fazës paraprake në lotin e parë ka kapërcyer 4 milionë eurot.

Është nënshkruar një marrëveshje shumë e rëndësishme, në funksion të projektit të liberalizmit të tregut, por dhe hapjes së tij dhe të integrimit të një tregu përtej se kombëtar, rajonal, me Kosovën, që është zanafilla e një projekti më të madh për një treg rajonal me të cilin jemi duke diskutuar dhe me vende të tjera.

Si përfundim, kemi investuar për sigurinë e digave, në HEC-et “Fierzë”, “Koman” dhe “Vaun e Dejës”, investime në masën e afron 9 milionë dollarëve.

Besoj se të gjitha këto shifra, të gjitha këto fakte, flasin qartë se ku ishte sektori 18 muaj më parë, ku është sot dhe kudo të jetë në kufirin e 5 viteve, ku ne jemi të bindur se do ta kthejmë sektorin e energjisë në vend, nga sektorin e problemeve më të mëdha, e barrës më të madhe të detyrimeve, dhe të gropës më të madhe financiare, për vendin, në një sektor jo vetëm të vetmjaftueshëm, që nuk do të ketë më nevojë të financohet nga taksat për të kompensuar humbjet, në një sektor fitimprurës për ekonominë tonë.

 

***

 

Fjala e dytë e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Për të “këqijat”. Përsëri me shifra e fakte, sepse është e kotë të hyjmë në debat alogjik.

Cila ishte situata, cila është situata dhe cila pritet të jetë situata në raportet me gjithë listën e të “këqijave”?

Në shtator të vitit 2013 kishim bilancin e pesë viteve të njëpasnjëshme që shënonin rënie ekonomike. Faktikisht, nga një pikë ku rritja në vitin 2008 figuronte zyrtarisht -dhe po e marrim të mirëqenë, edhe pse e dimë si bëheshin shifrat në INSTAT-in e kohës,- 7.5% në 2008, në vitin 2013 zbriti në 1%. Tre vite të njëpasnjëshme, gjithmonë janë shifrat e INSTAT, gjithmonë këto shifra merren me rezervën përkatëse, por po them se edhe me shifrat e INSTAT-it tuaj, pesë vjet rresht vetëm rënie, rënie, rënie, rënie. Tre vite të njëpasnjëshme shënonin rënie, rënie, rënie në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

720 milionë dollarë mali i borxheve mes të rrugës, në momentin kur ne morëm detyrën. Borxhe ndaj kompanive për ato rrugët e papërfunduara dhe për aq sa të bëra, të financuara nga kompanitë dhe të papaguara. Borxhe ndaj kompanive që furnizonin spitalet, që në atë moment të mos harrojmë ishin pa ilaçe dhe nuk besoj se është një kohë kaq e gjatë, që në memorien e shqiptarëve të mos jetë ende i regjistruar lumi i kronikave me njerëz hallexhinj që rrinin në dyert e farmacive rreth e rrotull spitaleve, me recetat e doktorëve të spitalit për të blerë ilaçe se ilaçet mungonin. Ndërkohë që sot jo vetëm ilaçet janë nëpër spitale, por ulja e çmimit të ilaçeve, siç ishim zotuar, ka sjellë 70 milionë dollarë kursim.

Borxhi real publik që iu mbajt i fshehur shqiptarëve, iu mbajt i fshehur partnerëve tanë ndërkombëtarë, shumë më i lartë sesa 60% i deklaruar.

Arka e shtetit bosh. Mjafton t’ju kujtoj këtu se në ç’gjendje i latë rezervat e shtetit për emergjencat.

150 milionë euro sistematikisht të humbura në gropën e zezë të sektorit të energjisë elektrike dhe me radhë e me radhë, për të mos u zgjatur.

Tani, numërojmë të këqijat;

Duke filluar nga tremujori i fundit i 2013-s, realizuam 63 milionë dollarë më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 6.4% më shumë të ardhura.

Në vitin 2014 janë arkëtuar 395 milionë dollarë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose 12.1% më shumë.

Të ardhurat e vitit 2013 ishin, faktikisht, 359 milionë dollarë më shumë se të ardhurat e vitit 2008.

Nga 2008 në 2013 i keni rritur të ardhurat më pak sa ç’i kemi rritur ne në harkun e një viti të vetëm.

Gjatë vitit 2013 keni rimbursuar 7.4 miliardë lekë. Këtu nuk po llogaris pjesën që kemi rimbursuar ne, në periudhën e fundit të viti 2013, si Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në vitin 2014 e kemi çuar në 100 milionë dollarë rimbursimin dhe e kemi bërë automatik. Nuk ka një kompani sot, që të thotë se për të marrë rimbursimin automatik të TVSH-së duhet të paguajë siç paguante, për ta ndarë shumën e rimbursimit me “çetat” e financave, apo me ata që ishin të lidhur me ato çeta, edhe më lart se financat në të njëjtën godinë.

Vijmë tek doganat, një e “keqe” tjetër që ia kemi bërë ne këtij vendi. Faktikisht, kemi mbledhur 175 milionë dollarë më shumë.

Shkojmë më tutje. Një e “keqe” tjetër që ia kemi bërë këtij vendi. 350 milionë dollarë, para borxhesh të shlyera tanimë, kompanive që ju i latë me lakun e falimentit, – flas për vitin 2014, – ndërkohë që shuma për të cilën ne jemi angazhuar dhe që ju e keni lënë në kurrizin tonë do të shlyhet plotësisht, qindarkë më qindarkë.

Sikur mos na i kishit lënë ato borxhe, mund të vinit e të thoshit pse nuk keni më shumë investime, por nuk keni gojë ta thoni këtë gjë, – ju keni xhanëm, – por të kesh gojë ta thuash këtë gjë duhet një pafytyrësi që vetëm ju mund ta keni. Sepse faktikisht, paratë e borxheve, ne po i shlyejmë një për një.

Vazhdojmë me një të “keqe” tjetër që ia kemi bërë ne sipërmarrjes. Në paketën e viti 2014 kemi pasur 10 masa lehtësuese. Masa lehtësuese, të cilat kanë bërë që 97% e shqiptarëve të paguajnë më pak taksa se ç’paguanin dhe faktikisht, të marrin deri në një rrogë më shumë nga heqja e asaj famëkeqes taksë e sheshtë.

Në vitin 2015 kemi shtuar 12 masa të tjera lehtësuese fiskale.

Një tjetër të “keqe” që ia kemi bërë ne shqiptarëve; heqja e pensionit tavan dhe ndryshimin radikal të skemës së pensioneve, duke bërë që të mbarojë presioni abuziv dhe asfiksues i atij tavanit 240 mijë lekë, që nuk mund ta kapërcente dot askush, se aty ia kishit vënë kufirin ju shqiptarëve dhe talleshit çdo vit, me ato indekset e inflacionit që i shisnin për rritje pensionesh.

Me reformën tonë të pensioneve, ne kemi realizuar:

·   Të gjitha ato gra, të cilat për shkak të mosqenies në një punë dhe për shkak të mungesës së kontributeve, gra shtëpiake përgjithësisht, që do të kishin mbetur pa asnjë qindarkë pension, sot marrin pensionin social. Janë këtë vit, as më shumë e as më pak, 5 mijë gra e burra që marrin sot pensionin social.

·   Ashtu si kundër, ne kemi bërë këtë të “keqen” tjetër; Kemi bërë të mundur që pensioni të mund të shkojë edhe në 350 mijë lekë për njerëz të zakonshëm, të cilët kanë paguar kontributet shoqërore.

·   Është mirë ta theksojmë këtu, që në vend të një tjetër grope ku thellohej deficiti në kurriz të kontribuesve dhe në kurriz të së ardhmes dhe bëhej gjithnjë e më pamundur të mbahej në këmbë një skemë pensionesh, brenda së cilës çdo vit shtohet numri i atyre që duhet të marrin pension, ne sot kemi krenarinë të themi që në vitin e parë, të plotë, të qeverisjes sonë kemi kaluar në pozitiv. Pra, kemi siguruar kontribute më shumë sesa ç’ japim pensione. Kjo është një e “keqe” tjetër, brenda së cilës mund t’ju them se kemi rritur numrin e kontribuuesve dhe të ardhurat e drejtpërdrejta për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ashtu sikundër, sot pa asnjë dyshim është një shifër absolutisht shembullore, që janë për vitin e shkuar afërsisht 95 mijë kontribuues të rinj.

·   Kemi realizuar pas kaq shumë vitesh tallje, abuzim dhe shpërfillje për një shtresë të sakatuar si minatorët, të cilëve u është premtuar e ripremtuar ulja e pensionit, pikërisht uljen e pensionit në 55 vjeç.

Faktikisht, 2280 ish minatorë që deri sot përfitonin 8 mijë lekë pension, – një turp, – sot përfitojnë me skemën tonë, dyfishin e pensionit.

Këto janë disa të “këqija”, për të cilat ne jemi shumë krenarë.

Le të vijmë tek rritja ekonomike. Ju thashë se shifrat e INSTAT-it tuaj tregojnë që në pesë vjet, trendi i rritjes ka ardhur në rënie pindarike. Faktikisht, siç e konfirmoi edhe emisioni i fundit i FMN-së, por siç e konfirmojnë edhe shifrat, rritja ekonomike është rikthyer. Nëse i referohemi tremujorit të katërt të 2014-s, me një rritje prej 2.4% jemi plotësisht të saktë kur themi që objektivi i 2% rritje ekonomike në vitin e parë, në vitin më të vështirë, në vitin më skandaloz për shkak të trashëgimisë suaj, është plotësisht i arritur. Ashtu siç është plotësisht i arritshëm edhe objektivi për rritjen 3% të këtij viti.

Vijmë tek punësimi, se këtë pjesë e keni shumë për zemër. Në mënyrën më spekulative i referoheni një shifre që për ne është shifër inkurajuese, shifra e njerëzve të regjistruar në kërkim të një pune në rrjetin e zyrave të punës. Është një gjë elementare, e njohur botërisht, jo për specialistët, por edhe për ata që kanë dëgjuar qoftë edhe një herë për këtë çështje, se kur rritet shpresa për punësim, rritet edhe numri i njerëzve që kërkojnë punë në zyrat e punës. Por, nëse doni të mos spekuloni, por të shikoni shifrën reale të punësimit, atëherë po i referohem të njëjtin burim, burimit të INSTAT-it, që i referoheni ju për të thënë se na qenka rritur papunësia. Jo, nuk është rritur papunësia, por është rritur numri i punëkërkuesve që drejtohen në zyrat e shtetit. Ndërkohë që po i njëjti burim, në anketën e forcave të punës të tremujorit të katërt, flet për një rritje 8.5% të të punësuarve gjatë 2014-s në raport me 2013. Dhe, përcakton një numër të rritur të të punësuarve me 82 629 persona dhe jep indikacionet e plota lidhur me sferat ku ka ndodhur kjo rritje e punësimit.

Le të vijmë tek e “keqja” tjetër. Një e keqe që përsëri jemi krenarë. Që ka të bëjë me konsumin. Nëse do të ishim në një fazë depresive, – siç është PD-ja dhe që depresionin e vet mundohet t’ia përcjellë shqiptarëve dhe ta ndajë me shqiptarët, – nuk do të kishim konstatuar rritje të konsumit, por rënie të konsumit. Është indikatori më i thjeshtë, edhe më kuptimplotë.

Në tremujorin e katërt të 2014-s kemi një rritje të volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, që është indikatori më domethënës, me 4.1%. Në tremujorin e katërt të 2014-s, ky indeks i rritur flet qartësisht për rritje të qëndrueshme të konsumit, pa folur për rritje specifike të konsumit brenda zërave të tjerë, ku tek ushqimet kemi 11.3% rritje të konsumit, që për ne përkthehet në atë që kemi thënë më parë, duke lehtësuar barrën fiskale të tatimpaguesve të thjeshtë, kemi krijuar mundësinë që ata të blejnë më shumë.

Faktikisht, kemi marrë përgjigje në shifra nga ekonomia;

Eksportet, në janar të 2015-s kanë arritur në vlerën 180 milionë dollarë. Në shkurt të 2015-s, janë rritur përsëri dhe nëse i referohemi marsit, kemi një trend të qartë rritjeje të qëndrueshme krahasuar me vitin e mëparshëm.

Duke thënë të gjitha këto, dua ta vë theksin tek një bindje e vërtetë dhe shumë e thjeshtë. Të gjitha këto nuk do të thonë që kemi kaluar nga ferri në parajsë, as nga depresioni total ekonomik dhe social që ju latë, në një gjendje lumturie. Por, duan të thonë vetëm që ne e kemi kthyer vendin në drejtimin e duhur dhe kemi vendosur bazën në të gjithë sektorët përmes reformave tona, për të kërkuar ende më shumë dhe për të marrë ende më tepër, rezultatet pozitive, qoftë këtë vit, qoftë në vitet në vijim.

Për ta mbyllur, meqë nga kulla e plazhit më erdhi një pyetje. Pse ikin shqiptarët?

Së pari është, besoj unë, fyerje për inteligjencën e shqiptarëve që t’ju thuhet se ajo çka po ndodh në këto javët e të fundit është e lidhur me ndonjë rënie të ekonomisë, është e lidhur me ndonjë rrënim që është lehtësisht i lexueshëm, po të krahasojmë me një, dy a tre vjet më parë.

Jo!

Ashtu sikundër, as unë dhe as ne, nuk do të themi mbas një muaj apo dy muajsh, kur gjithshka të jetë kthyer në normalitet, që ja, u ndalua fluksi i papritur i shqiptarëve që largohen, sepse u përmirësua ekonomia në një mënyrë të tillë që ata vendosën të mos largohen. Këto janë abuzime qesharake.

Fakti është që, kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh, nga njëra anë, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të Gjermanisë për rreth 45 000 të huaj, por, me profesione të caktuara dhe për arsye të caktuara të ekonomisë gjermane, në raport me nevojën, dëshirën, aspiratën e njerëzve për të kërkuar aty një jetë më të mirë. Që edhe kjo nga ana e saj nuk është diçka për të cilën ne mund të themi pse e bëjnë, sepse ne nuk jemi ata që themi jemi të dytët mbas Gjermanisë. Nuk kemi qenë të dytët pas Gjermanisë dje, nuk jemi të dytët mbas Gjermanisë sot dhe nuk pretendojmë se Shqipërinë do ta bëjmë të dytën pas Gjermanisë, nesër.

Nga ana tjetër, mbi këtë keqkuptim ka hyrë në veprim elementi kriminal dhe mjafton të shikojmë në vendet fqinje dhe kemi të njëjtën situatë. Largimet në Kosovë, të cilat ndodhën në kohë paralele, sot janë amortizuar. Çfarë ka ndodhur, ka ndryshuar ekonomia e Kosovës brenda këtyre javëve? Jo! Është frenuar fluksi i stimuluar nga elementët kriminalë. Ndërkohë që, po të shikojmë në rajon, Serbia ka një trend ikjeje shumë më të lartë se i yni në vite, në disa vite dhe ka një largim shumë më masiv se i yni dhe sot që po flasim.

Fakti që ka zona të varfëra, sidomos në verilindje të vendit, fakti që ka njerëz që e kanë jashtëzakonisht të vështirë të nxjerrin bukën e gojës sot, sigurisht që është i pamohueshëm. Askush nuk e ka mohuar dhe është turp për ju, që këtë fakt ta lidhni me këtë qeveri.

Ne nuk kemi marrë përsipër ta bëjmë Shqipërinë parajsë. Ne nuk kemi një shkop magjik, që çfarë ju shkatërruat dhe çfarë ju bëtë copë-copë në 8 vjet, ne ta rindërtojmë dhe ta rivëmë në vend në 18 muaj.

Ne kemi bindjen e plotë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur dhe nga ana tjetër kemi bindje edhe më të plotë që shqiptarët nuk janë dele që ju t’ju bëni bariun. Shqiptarët janë shumë më inteligjentë se kaq dhe kanë të gjitha aftësitë që të vlerësojnë, të gjykojnë e më pas të japin gjykimin e tyre. Jam absolutisht i gatshëm që bashkërisht ta presim gjykimin e shqiptarëve kur të doni ju, në 21 qershor apo mbas dy vjetësh. Por, të jeni të bindur që në këtë pikë nuk gaboj nëse ju them që gjykimi negativ i shqiptarëve do të bjerë përsëri mbi ju, se jo vetëm e latë atë vend aty ku e latë, por s’keni reflektuar asgjë mbi atë që bëtë dhe mbi të gjitha, çka ju përpiqeni të bëni, që çfarë u trashëgua negativisht të na e lini ne. Kjo është një lojë që nuk e ha më askush.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.