Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e zyrës së rikonstruktuar të ISSH-së për Tiranën:

Mirëdita të gjithëve!

Jam shumë i mbresuar nga gjithë ky transformim. Prej kohësh kemi diskutuar me Erionin për domosdoshmërinë e transformimit të zyrave të pritjes së pensionistëve, të cilët, ndryshe nga të rinjtë, çdo ditë e kanë shumë të çmuar si ditë të jetës së tyre dhe të cilët në muzgun e natyrshëm të jetës meritojnë shumë më tepër. E mbi të gjitha, meritojnë të begenisen në mënyrë të edukuar, në mënyrë qytetare, në mënyrë që sidoqoftë dhe sadoqofshin problemet e jetës së tyre të përditshme, në kontaktin me shtetin të ndjehen të respektuar për gjithë atë që kanë bërë gjatë jetës së tyre për këtë shtet dhe për ketë vend. Ky është vetëm hapi i parë, shumë i rëndësishëm, sepse në këtë mjedis shërbehen rreth 100 mijë pensionistë dhe pensioniste gjatë vitit, por është një hap që do të sjellë hapa të tjerë, në mënyrë që zyrat e pensioneve në vendin tonë të jenë jo strofulla të errëta lëmoshash të dhëna mes pisllëkut, rrëmujës, mërzisë, por të jenë mjedise të ndritshme, të pastra, ku reflektohet mirësi, ku reflektohet edukatë dhe ku reflektohet vetëdije për shërbimin publik. Nga ana tjetër, s’mund të rri dot pa e thënë që kur hyra dhe pashë këto vajzat e mrekullueshme që na rrethojnë nuk mu duk edhe aq e errët perspektiva për të dalë në pension, sepse është vërtetë kënaqësi që të vish të marrësh pensionin dhe të ndeshësh këto fytyra të pastra, të bukura dhe të buzëqeshura.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, është rasti për të ripërsëritur se reforma e pensioneve është një nga gjërat më të rëndësishme dhe më themelore që ne kemi bërë në rrugën e shtetndërtimit, në rrugën e transformimit të Shqipërisë nga një han pa porta në një shtet ku secili kontribuon sipas mundësisë, por shërbehet dhe shpërblehet sipas kontributit. Duke hequr tavanin e pensioneve maksimale, ne çelëm një horizont të ri mundësish për njerëzit që punojnë, për njerëzit që kontribuojnë për pensionin e tyre, duke u dhënë një perspektive. Një perspektivë të re, e cila sot është e mundur pikërisht sepse nuk ka më tavan. Gjithkush vendos për pensionin që dëshiron të ketë dhe gjithkush përcakton me kontributet e tij nivelin e pensionit që merr. Faktikisht, sot, të gjitha llogaritë na bëjnë krenarë. Na bëjnë krenarë që një reformë të vonuar 20 vjet, një reformë që qeveritë ia lanë qeverisë pasardhëse për të mos u marrë me ujërat e ndenjur dhe për të vegjetuar në ujërat e ndenjur me shpresën se do të jetonin më gjatë në pushtet, ne e bëmë dhe e bëmë me kurajo, e bëmë me vendosmëri, e bëmë duke marrë parasysh edhe të gjitha kostot dhe rreziqet.

Por çfarë na tregojnë llogaritë? Na tregojnë se faktikisht kemi një rritje të përgjithshme dhe progresive të pensioneve dhe se faktikisht të gjithë përfitojnë një pension më të lartë falë kësaj reforme. Pra, edhe përfituesit më modest, për nga niveli i përfitimit, përsëri përfitojnë më shumë. Për një individ që gjithë jetën e vet me pagë minimale ka arritur të sigurohet në 35 vjet, pensioni do t’i dalë 143 mijë lekë dhe jo 141 mijë siç dilte me skemën e mëparshme. Nuk është një dallim i madh, por është një dallim i rëndësishëm brenda fashës minimale. Ndërkohë që në të gjitha fashat e tjera dallimi shkon duke u thelluar. Rritja më e madhe padyshim është për pagat mbi pagën minimale. Le të marrim një pagë shumë përfaqësuese për ata të cilët janë rrogëtarët e rregullt dhe të gjithhershëm të shtetit, pagën e një mësuesi të shkollës së mesme, me 35 vite sigurime. Me skemën e vjetër, para reformës, pra deri në dhjetorin e vitit të shkuar, pensioni i një mësuesi apo një mësueseje të një shkolle të mesme do të ishte 245 mijë lekë, ndërkohë që falë kësaj reforme pensioni i të njëjtit mësues apo mësuese është 297 mijë lekë. Pra, prek 300 mijë lekëshin me një rritje 51 mijë lekë më shumë, që do të thotë se ne kemi rivlerësuar me rritje të ndjeshme progresive kontributet e mësuesve dhe mësueseve në 35 vite. Ato 35 vite punë të siguruara muaj pas muaji nga rroga sot kthehen në një shpërblim tërësisht të befasishëm për këtë kategori, me 51 mijë lekë më shumë, që do të thotë se për mësuesit dhe mësueset është rritja më e madhe e pensioneve në 20 vite. Që do të thotë se formula e re e llogaritjes në bazë të kësaj reforme është një formulë që na çon në kushtet e një Shqipërie shumë më të drejtë, shumë më solidare dhe mbi të gjitha shumë më të vetëdijshme se njerëzve që kanë kontribuar për vite të tëra dhe që janë në pension shoqëria u detyrohet më shumë respekt dhe më shumë vlerësim financiar.

Sot, kjo reformë është një shtysë shumë e fortë dhe kuptimplotë për të gjithë ata që janë ende në punë, për të gjithë ata që duhet të sigurohen, për të gjithë ata që janë të siguruar, në mënyrë që të përgatisin një dalje në pension shumë më dinjitoze sesa ajo që u lejonte formula e vjetër e 20 viteve, me një pension tavan, që të gjithë prisnin Vitin e Ri, se mos kushedi Kryeministri i radhës dhe qeveria e radhës do t’ua rriste ndonjë çik dhe zakonisht, siç e dini, në vend të rritjes së pensionit ju premtohej një gjel deti që pastaj, pas Vitit të Ri, dilte se ishte një gjysmagjel përralle.

Vetëm në vitin 2015 falë formulës së re ne kemi bërë një sevap shumë të madh, si shoqëri, për 5000 pensionistë, 5000 të moshuar dhe të moshuara që ndryshe nuk do të merrnin asnjë qindarkë. 5000 vetë që falë kësaj reforme marrin pensionin social. Pensioni social do të jetë i garantuar në vijimësi për të gjithë ata që nuk kanë kontribute në sigurimet shoqërore, për gra të cilat u kanë shërbyer devotshmërish burrave si shtëpiake dhe që në fund mbeten pa asnjë pension apo për të moshuar të cilët për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë kontribuar në sigurimet shoqërore.

Ne kemi krenarinë po ashtu që në vitin e shkuar, vitin që lamë pas, viti i parë i plotë i mandatit tonë qeverisës, ta kemi rritur me 93.392 vetë numrin e personave që janë në punë, vende të reja pune apo vende pune të formalizuara. Besoj i keni dëgjuar shpesh ata që ironizojnë me këtë “vende pune të formalizuara” duke thënë që këto s’janë vende pune, janë thjeshtë vende të regjistruara. Jo! Këto janë më shumë se sa vende të reja pune, sepse këto janë vende pune të reja dhe dinjitoze për shqiptarë dhe shqiptare të të gjitha moshave që ne i kemi shkëputur nga kthetrat e skllavërisë së punës në të zezë. Skllevër të cilët kanë pranuar për arsye të mbijetesës të punojnë në hije, të mos ekzistojnë në asnjë libër të shtetit dhe si të tillë, të mos pretendojnë në të ardhmen asnjë lloj pensioni. Faktikisht, lufta kundër skllavërisë, kësaj skllavërie e shtrirë në sistemin e punës së zezë në të gjithë territorin e Shqipërisë ka filluar realisht dhe konkretisht dhe me të vërtetë vitin e shkuar dhe do të vazhdojë intensivisht duke rritur çdo muaj numrin e atyre që dalin nga skllavëria dhe që bashkë me ata që hyjnë në vende të reja pune që krijohen në ekonomi rrisin kontributet në sigurimet shoqërore, por mbi të gjitha, fuqizojnë Shqipërinë e drejtë, Shqipërinë solidare, Shqipërinë ku nuk mund të jetojmë të ndarë në njerëz që jetojnë në dritë dhe njerëz që mbijetojnë në hije, në njerëz që figurojnë dhe në njerëz që nuk figurojnë, në qytetarë dhe në skllevër.

Nga ana tjetër, ne ishim njësoj si në sektorët e tjerë, njësoj si në sektorin e energjisë, njësoj si në sektorin e ujit, njësoj si në sektorë të tjerë edhe në sektorin e pensioneve, në buzë të “humnerës”. Pasi kontributet ishin gjithmonë e më pak sesa nevojat dhe gjendeshim përpara një deficiti të krijuar vit pas viti që rrezikonte ta çonte shtetin në pamundësinë për të paguar pensionet. Gjendeshim në prag të të njëjtit kolaps, njësoj si me kolapsin e energjisë, njësoj si me kolapsin e disa sektorëve të tjerë jetikë për vendin të cilët u lanë për vite të tëra të rrënohen dhe të degradojnë thjeshtë dhe vetëm për të mbajtur pushtetin. Por, për ta mbajtur pushtetin duke u shkelur syrin njerëzve dhe duke u bërë pjesë e një hileje kolektive që në shqip quhet “me ia fut vetes”.

Sot përsëri ne do të bëjmë një dhënie të disa pensioneve, siç bëmë edhe në Vlorë, siç do të bëjmë edhe në qytete të tjera për ta promovuar fort këtë skemë. Përpara kësaj unë dua të them se jam shumë i lumtur që gratë dhe burrat, gjyshërit dhe gjyshet që janë rreth 100 mijë që vijnë në këto dyer, nuk do të vijnë më këtu si në kohët më të këqija të radhëve të qumështit, duke pritur a do vijë apo s’do vijë qumështi dhe duke u shtyrë me njëri-tjetrin për të marrë një copë letër apo për të marrë pensionin e tyre. Faktikisht, bileta elektronike, e cila sistemon të gjithë procesin e marrjes së shërbimit, sistemi i pritjes së tyre dhe gjithë ky ekip i mrekullueshëm që ju shërben, janë një kapërcim cilësor në jetën e çdo pensionisti dhe pensionisteje që momentin e vetë më të pazëvendësueshëm ka pikërisht këtë, ardhjen në këtë zyrë, shkuarjen në zyrën e marrjes së pensionit. Po ashtu, edhe certifikata elektronike që merret menjëherë vetëm me Kartën e Identitetit dhe që eviton shkuarjen zyrë më zyrë, bredhjen degë më degë e kthimin mbrapsht sa herë që ka një ngatërresë, bën të mundur që çdo i moshuar me Kartën e Identitetit në xhep vjen dhe pritet si Zonjë edhe si Zotëri nga gjithë këto mbesa, për të cilat çdo gjysh do të ishte thellësisht krenar.

***

Në Tiranë u përurua sot Zyra rajonale e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pas një rikonstruksioni tërësor të të gjithë mjediseve ekzistuese të saj.

Zyra e ISSH-së në Tiranë ofron shërbim për 100 mijë pensionistë, të cilëve tashmë, pas rikonstruksionit, u lehtësohet marrja e shërbimit edhe në saj të teknologjisë, duke aplikuar biletën elektronike dhe certifikatën elektronike.

Në ceremoni ishte i pranishëm Kryeministri Rama, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së Vjollca Braho dhe pensionistë.

Gjatë ceremonisë u shpërndanë simbolikisht pensione për disa kategori, të përllogaritura në bazë të skemës së re, falë së cilës qytetarët po përfitojnë pensione deri në 100 mijë lekë më të larta.

Zonja Raime Gjokaj ishte 1 nga 5 mijë përfituesit e pensionit social, të cilës Kryeministri i dorëzoi librezën e pensionit. Zonja edhe pse shumë e moshuar e përfitoi sot për herë të parë pensionin, ndonëse ishte në moshë pensioni.

Një tjetër zotim i mbajtur, sipas Kryeministrit është ulja e moshës së pensionit për minatorët. Hamdi Bajram Hisku ishte një ish minator që përfitoi pensionin në bazë të skemës së re, ku krahas daljes në pension në moshën 55 vjeçare, përfiton një pension më të lartë 194 mijë lekë nga 139 mijë lekë që ishte me skemën e vjetër.

Eqerem Cenaliu, ushtarak, ishte një tjetër qytetar të cilit Kryeministri i dorëzoi sot librezën e pensionit. Me përllogaritjen mbi skemë e vjetër ai përfiton një pension më të lartë, nga 282 mijë lekë që ishte në 342 mijë lekë. Me vlerësimin për reformën dhe përfitimin prej saj, zoti Cenaliu, falenderoi edhe personelin e shërbimit, që i mundësoi dhënien e pensionit brenda një kohë shumë të shkurtër. “Dua të falenderoj personelin e shërbimit që e bëri kaq shpejtë këtë punë. Brenda 2-3 javëve ne na doli pensioni. Ka pasur raste që e merrje pensionin pas 1 muaji ose pas 2-3 muajsh” – theksoi ai.

Reformën në pensione, Kryeministrin Rama e cilësoi një shtysë kuptimplotë për të gjithë ata që duan të sigurohen dhe janë të siguruar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.