Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare lidhur me akuzat e opozitës për rritjen e inflacionit në Shqipëri:
Unë jam shumë dakord me ju zonja Tabaku, është sigurisht shumë e rëndësishme dhe e dobishme që të flasim për jetën e përditshme të njerëzve dhe duke qenë se unë nuk kam shkollë dhe ju jeni me shkollë, unë nuk po hyj se nuk hyj dot tek debati juaj me ministren e financave për stagflacionin, por po i marr me radhë disa nga gjërat që thatë ju.
Duke qenë se ju flisni me shifra, unë do isha shumë mirënjohës nëse do të më orientoni dhe të na orientoni se ku i keni gjetur shifrat e INSTAT-it se unë i kam përpara dhe sipas INSTAT-it, inflacioni në Shqipëri është rritur 6,2%, në Serbi 9,6%, në Maqedoninë e Veriut 10,5%, në Kosovë 11,2%, në Mal të Zi 11,2%, në Bosnje dhe Hercegovinë 13,2%. Ky është prilli. Maji në Shqipëri 6,7%, pra në Shqipëri nga 6,2 ka shkuar 6,7%, në Maqedoninë e Veriut jemi në 11,9 nga 10,5 që ishim në prill, të tjerat i publikojnë në ditët në vijim të qershorit, kështu që nuk kam të tjera të dhëna.
A ka vallë ndonjë arsye pse Shqipëria të jetë thuajse sa gjysma e të gjithë vendeve të rajonit kur vjen puna tek rritja e inflacionit? Me siguri ka arsye.
Mbase ka më shumë arsye se ato që duke u përpjekur të mësoj unë mund të them këtu, por së paku janë dy arsye të rëndësishme; e para, fakti që vetëm në Shqipëri, si askund tjetër në rajon dhe si askund tjetër në Europë, çmimi i energjisë vazhdon të mbahet aty ku ishte përpara sesa të shfaqeshin simptomat e krizës.
Ndërkohë që, kudo tjetër, energjia po bën raprezalje mbi ekonominë dhe sot nafta është patjetër komponent, por energjia për të cilën ne vazhdojmë paguajmë nga buxheti i shtetit është arsyeja pse kemi këtë normë inflacioni dhe e dyta, rritja e prodhimit vendas sepse nuk e kemi importuar të gjithë masën e normës së inflacionit nga vendet e tjera dhe për shkak të zëvendësimit.
Dje solla një shifër konkrete atje në Samitin e Ballkanit të Hapur dhe po e përsëris këtu që ta dëgjojnë të gjithë; vetëm për eksportet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut kemi një rritje shumë domethënëse, thuajse dyfish në aspektin e fondeve. Kjo për inflacionin.