Deklaratë e ministres e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito
Sot kemi një lajm të mirë për shqiptarët, Shqipërinë dhe veçanërisht për median në Shqipëri.
Organizata prestigjioze “Reporter pa kufij”, me qendër në Paris, ka publikuar sot raportin e saj vjetor mbi lirinë e medias në gjithë botën.
Shqipëria jo vetëm që ka ecur përpara krahasuar me një vit më parë, duke u ngjitur plot 17 vende në renditje, por vendit tonë, raporti prestigjioz i kushton edhe një kapitull të veçantë me titull: “Një faqe e re në historinë e medias shqiptare”.
Është në fakt një kapitull i ri sa i takon lirisë së medias në Shqipëri dhe ne jemi shumë krenarë që në vetëm pak muaj qeverisje të Aleancës tonë për Shqipërinë Europiane kemi krijuar një klimë krejt të re për median dhe për gazetarët.
Siç e kemi thënë edhe më parë, libri i gabimeve të qeverisë së mëparshme na ndihmon për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.
Ka kaluar përfundimisht si koha kur ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, renditej ndër 10 armiqtë më të mëdhenj të lirisë së shtypit në botë, ashtu edhe koha e blerjes ose shkatërrimit të mediave, sipas interesave partiake.
Siç theksohet edhe në raport, qeverisja jonë po krijon një frymë sigurie dhe progresi, duke:
- forcuar pavarësinë e medias,
- duke synuar të krijojë transparencë të plotë sa i takon pronësisë dhe financimit të saj,
- duke krijuar të gjitha kushtet që gazetarët të ushtrojnë në mënyrë të lirë, të pavarur e dinjitoze profesionin e tyre.
Ky raport është sigurisht një inkurajim për punën e deritanishme, por edhe një shtysë e fortë për të mundësuar një përmirësim të klimës së medias në Shqipëri, edhe në vitin e ardhshëm.
Ju faleminderit.