Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Takimi në Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, i ministrave dhe drejtuesve të strukturave të shtetit të përfshira në përballimin e situatës së krijuar në vend nga reshjet me intensitet të lartë:

Kryeministri Rama: Këtu jemi në Zyrën Operacionale të situatës, ku prej 2 ditësh jemi të angazhuar në bazë të informacioneve paraprake, të marra nga emergjencat dhe përpara sesa t’ia kaloj fjalën secilit, do dëshiroja një paraqitje të përmbledhur.

Dorian Tola: I nderuar Zoti Kryeministër! Të nderuar pjesëmarrës!

Unë jam Dorian Tola, koordinator në Zyrën Operacionale të Situatës. Do t’ju paraqesim një përmbledhje të gjendjes në vend të shkaktuar si pasojë e reshjeve intensive që kanë rënë ditët e fundit në vendin tonë.

Reshjet intensive të shiut, të cilat kanë rënë në vendin tonë kanë prekur disa qarqe të vendit. Qarqet më të prekura janë Durrësi, Tirana, Dibra, Lezha dhe Gjirokastra. Në këtë tabelë, ne paraqesim secilën problematikë të krijuar në secilin qark. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Zezë në Fushë-Krujë, 3 familje mbetën të izoluara dhe u evakuuan nga forcat zjarrfikëse. Gjithashtu në Lezhë, një shkollë ka ndërprerë procesin mësimor. Ka prezencë ujë në rrugë dhe në katet e para të banesave dhe bizneseve në disa ndërtesa të qarqeve të përmendura.

Në autostradën Tiranë – Durrës, uji ka bllokuar një pjesë të segmentit të saj, prandaj dhe rruga ka qenë devijuar nga aksi dytësor, nga Ndroqi. Në Dibër, ujërat e lumit Drin kanë dalë nga shtrati duke rrezikuar 5 banesa, familjet e të cilave janë evakuuar. Në Shkodër, ujërat e lumit kanë shkatërruar një urë, e cila ka qenë më parë e dëmtuar, ura rurale që lidh Tamarën dhe Vajkalin. Në të gjitha akset e qarkut Kukës dhe Dibër ka rënie gurësh dhe materialesh. Firmat e mirëmbajtjet po punojnë për ta pastruar dhe për ta mbajtur gjendjen nën kontroll. Gjendja më problematike paraqitet në aksin Hadroj-Qafë Bene,  ku nga rënia e gurëve dhe dherave ka krijuar probleme serioze për qarkullimin. Më e renduar gjendja në qarkullim paraqitet në Shkozë dhe tek tuneli.

Sipas informacionit të fundit që ne kemi për hidrovorët, në Akërni dhe Kavajë, hidrovorët nuk funksionojnë, ndërsa në Lezhë është e rrezikuar nga ngritja e ujërave, mund të përmbytet. Situata po mbahet nën kontroll.

Kemi disa qendra shëndetësore të përmbytura. Këto janë në qarkun e Lezhës, kemi një qendër shëndetësore në Shën Koll,  kemi ambulancat në Zejmen, grykë Lumi, në lagjen SMT dhe një qendër në Korçë.

Përsa i përket shkollave, në disa qarqe te vendit, gjatë pjesës së parë të ditës, procesi mësimor u ndërpre para se të ndërpritej nga Ministria e Arsimit, për arsye të prezencës së ujit në katet e para të shkollave.

Përsa i përket gjendjes energjetike në vend, aktualisht janë rreth 199 mijë abonentë, të cilët kanë mungesë të energjisë elektrike. Gjendja më e renduar paraqitet në Fier, në Dibër, në Tiranë, në Shkodër rreth 26 mijë abonentë pa energji elektrike. Grupet e OSHEE janë duke punuar, për ta mbajtur situatën nën kontroll.

Parashikimi i motit për 24 orët e ardhshme dhe për ditët në vijim parashikohet mot me vranësira të dendura, me reshje shiu me intensitet të ulët, mesatar deri të lartë, pra, pritet të vazhdojë kjo situatë hidro–meteorologjike. Në zonën e qendrës dhe veriut, reshjet me intensitet të lart aktivizohen lokalisht herë pas here, ndërsa në jug, reshjet me intensitet të lartë vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Në veri do të ketë borë në lartësinë 1200 metra. Era do të fryjë nga juglindja dhe perëndimi. Do të kemi dhe situatë meteorologjike të rënduar në det. Sot, gjatë paradites është ndërprerë puna në Portin e Durrësit dhe të Vlorës për arsye të kushteve të rënduara të motit.

Qarqet më të rrezikuara nga përmbytjet vazhdojnë të mbeten Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Gjirokastër. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Përpara se të marrin fjalën ministrat e përfshirë drejtpërdrejtë në këtë situatë, të cilët i falenderoj, sepse realisht kanë bërë një punë përgatitore mjaft të detajuar, dëshiroj që të dëgjojmë një prezantim të situatës nga Drejtori i Emergjencave Civile. Emergjencat Civile kanë marrë këtë informacion prej disa ditësh dhe faktikisht prej dy ditësh që të gjitha strukturat, nën drejtimin e ministrave dhe personave përgjegjës, janë angazhuar për ta përballuar sa më mirë të jetë e mundur, një gjendje që realisht është vërtetë e pazakonshme përsa i përket reshjeve të parashikuara.

Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Premçi: Faleminderit Zoti Kryeministër!

Unë jam Shemsi Premçi, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Në datën 4.11.2016, nga Qendra e Monitorimit të Përmbytjeve për Europën dhe sidomos për Europën Lindore, në Sllovaki dhe nga shërbimet meteorologjike shqiptare kemi marrë informacion se Shqipëria do të jetë me e rrezikuara në rajon për shkak të intensitetit të reshjeve. Për këtë, menjëherë kemi përgatitur një buletin informativ, ku kemi informuar të gjithë sekretarët e përgjithshëm të ministrive, Kryeministrinë, Zyrën Operacionale të Situatës, gjithë prefektët dhe kryetarët e bashkive. Ky informacion është i datës 4, për gjithë strukturat qendrore dhe vendore për situatën. Është përsëritur dhe është sjellë në vëmendje në datën 6 e njëjta situatë, sepse të dhënat meteorologjike nga shërbimet vinin duke u qartësuar dhe duke u specifikuar për çdo rajon në veçanti dhe për këtë kemi bërë përsëritjen dhe sjelljen në vëmendje.

Në datën 7 e kemi ritheksuar edhe njëherë dhe kemi kërkuar marrjen e masave konkrete, kemi kërkuar ndihmën e policisë, të shërbimeve zjarrfikëse në nivel bashkish, kemi kërkuar ndihmën e forcave të ushtrisë, kryesisht të forcave që merren me mbrojtjen civile dhe janë dislokuar moto-gjeneratorë të fuqishëm në rajonin e Lezhës, si burim alternativ për hidrovorët në rast se do kalonin në black-out. Kemi dislokuar pompa me kapacitet të lartë për nënstacionin në Lezhë, me qëllim që të mos përmbytet dhe të mos krijohet black-out në furnizimin me energji elektrike të hidrovoreve, të cilët luajnë rolin kryesore për largimin e ujit drejt detit.

Normalisht kemi bërë një informacion të detajuar mbi situatën e pritshme për datën 7, 8, 9 e 10, me qëllim që të merreshin masa, ndoshta edhe për pezullimin e aktivitetit në shkolla, për faktin se shërbimet meteorologjike, për datën 8 kanë njoftuar shkarkesa të shumta elektrike, pra, rrufe, kryesisht në zonën veri-perëndimore, duke filluar nga derdhja e Bunës në det, deri në rajonin e Fierit, po kështu në rajonin e Dibrës, të Burrelit, të Kukësit, Gjirokastrës dhe të Korçës, për të cilën është mbajtur komunikim i vazhdueshëm nga Qendra Kombëtarë e Emergjencave Civile me gjithë faktorët e menaxhimit operacional dhe atyre të koordinimit në nivel qendror dhe vendor.

Sot konkretisht u përballëm me situatën dhe situata numër një ka qenë situata e orës 05:30, ku nivelet e ujërave që vinin nga kanalet kulluese në rajonin e Tiranës depërtuan në autostradë dhe niveli, në orën 05:30 arriti në 70 cm dhe 50 cm, në rajonin e Kasharit dhe në rajonin e Vorës, për të cilat ju kërkua menjëherë ndihmë Policisë së Shtetit, kryesisht Drejtorisë së Policisë së Qarkullimit Rrugor, për bllokimin e autostradës dhe devijimin e rrugëkalimit në rrugën e Kavajës.

Situata numër 2 ishte ajo e orës 07:00 në rajonin e Tiranës, kryesisht përgjatë lumit Tiranë, në rajonin e Paskuqanit dhe në rajonin e Bregut të Lumit, ku u rrezikuan rreth 40 familje, të cilat janë evakuuar nga forcat e policisë dhe nga forcat e ushtrisë në një kohë rekord dhe ku mbetën vetëm dy persona të bllokuar në mesin e lumit, për të cilët u organizuan forcat speciale për t’i nxjerrë nga uji ku kishin mbetur mbi pemë.

Situata numër 3 ka qënë në orën 08.00 në Shkodër, ku pas rritjes së nivelit të shkarkimeve të detyrueshme në hidrocentralin e Vaut të Dejës, lumi Drin dhe lumi Kir rritën nivelet dhe u përmbyt lagja Ajasëm në hyrje të Shkodrës dhe Bahçallëk dhe janë evakuuar 40-45 familje. Po kështu kemi pasur një situatë në Fushë Krujë, siç u raportua dhe nga Zyra Operacionale, në orë 09:30. Dalja e lumit Zezë ka përmbytur zonën  në vendin e quajtur lokali Brazilit, ku janë evakuuar 3 familje dhe vazhdojnë të evakuohen familje të tjera për shkak të prurjeve masive të lumit Zezë. Atje janë dërguar ekipet e Ministrisë së Brendshme, Forcat Speciale të Ministrisë së Brendshme dhe forcat e ushtrisë, pra, tre ekipe.

Situata numër 5 e rënduar është në rajonin e Matit, në vendin e quajtur Lis-Gjetan, në vendin e derdhjes së lumit Mat me liqenin e Ulzës, ku janë bllokuar 3 familje, që akoma nuk janë evakuuar për shkak se ka vështirësi në ndërhyrje dhe kërkohet ndërhyrja nga ajri, ndërkohë që forcat operacionale po bëjnë tentativat për të hyrë me motobarka, me forcat operacionale të ushtrisë dhe policisë. Po gjatë natës së mbrëmshme ka pasur bllokime të segmenteve rrugore në Tropojë, Bajram Curri, Dragobi, Valbonë dhe Lekbibaj. Ka pasur rrëshqitje të dherave dhe të inerteve në segmentin rrugor Kukës – Dibër dhe në zonën Dushaj, Fushë Arrës, Pukë, si dhe në disa rajone të tjera. Ka pasur segmente rrugore të bllokuara në rajonin e Gjirokastrës dhe në rajonin e Ersekës.

Aktualisht në situatat që sapo përmendëm janë duke operuar 300 forca të policisë, kryesisht forca të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forca Speciale; Janë 200 forca zjarrfikëse të rajonit Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe të Matit; Janë 50 forca të  ushtrisë me mjetet lundruese dhe me mjete të rënda; Janë 70 forca të Emergjencave Civile që po bëjnë  koordinimin dhe mbështetjen me të gjitha mjetet e kapacitetet që kanë ato, me mjetet lundruese dhe mjetet e shpëtimit; Janë 30 mjete lundruese aktualisht në operacion. Njëkohësisht janë marrë të gjitha masat për të njoftuar lidhur me situatën e pritshme për problemin e shkarkesave elektrike. Dje është  mbledhur Komiteti i Menaxhimit të Digave të Larta, nën drejtimin e Drejtorit të Korporatës Energjetike, ku është marrë vendimi për monitorimin e raportit të shkarkimeve të detyrueshme në raport me prurjet natyrore, për të cilën është marrë një vendim i veçantë që mos të ndodhemi përpara katastrofave në rast të situatave të  rënduara.

Koordinimi dhe bashkëpunimi i të gjithë strukturave, faktorëve operacionalë ka qënë mëse i mirë dhe i vlerësuar deri tani dhe për momentin, situata është nën kontroll. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit!

Atëherë po kaloj tek energjia, tek Ministri i Energjisë dhe pastaj një informacion dhe nga Drejtori i OSHEE, duke qënë se kjo është një situatë që impakton drejtpërdrejt edhe shumë abonentë të Operatorit të Shpërndarjes.

Ministri Damian Gjiknuri: Zoti Kryeministër! Të nderuar anëtarë!

Që në momentet e para kur kemi marrë informacionin për përkeqësimin e motit dhe monitorimin që i bëjmë prurjeve, sidomos të lumenjve të veriut, kryesisht kaskada e Drinit, nga Korporata Energjetike janë marrë masat që në zbatim të rregullores të ruajmë kuotat që parashikon rregullorja, po njëkohësisht të menaxhojmë prodhimin e energjisë elektrike, si edhe shkarkime të tilla të kontrolluara, për të zvogëluar çdo lloj impakti për pjesën e poshtme.

Dhe siç u përmend, për pjesën e gjenerimit, për shkak të prurjeve dhe reshjeve të shumta, kuota e Fierzës sot që flasim po afrohet drejt 289 metra dhe për periudhën e në fjalë, periudhën e dimrit nuk duhet normalisht të shkojmë mbi 290, megjithëse hapësira është 296. Kemi filluar menaxhimin e kësaj prurje të mëdha, duke prodhuar tërësisht nevojat për energji elektrike që ka Operatori i  Shpërndarjes, duke prodhuar me kapacitet të plotë e furnizuar Operatorin e Shpërndarjes, pjesa tjetër kemi filluar tregtimin e energjisë dhe një pjesë, depozitimin e energjisë, në mënyrë që të shfrytëzojmë maksimalisht edhe prurjet që vijnë, një pjesë për t’i derdhur, pjesën tjetër për të prodhuar energji elektrike dhe njëkohësisht, duke përfituar edhe në aspektin ekonomik të kompanisë.

Nga ana tjetër po monitorohet tërësisht situata. Nga informacionet që kam, nuk është se ka pasur përmbytje për shkak të shkarkimeve të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, janë më shumë nga fryrja e Kirit, që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkarkimet e ndodhura. Besoj se, nëse do të vazhdojë ky intensitet reshjesh  dhe me këto prurje, nuk do të kemi probleme serioze përsa i përket përmbytjeve.

Nga pikëpamja e sigurisë së digave, Komiteti u mblodh dhe ka marrë vendimet e duhura dhe është në përputhje të plotë me rregulloren, duke synuar mbajtjen sidomos të HEC-it të Komanit, – sepse ai është kryesisht burimi i përmbytjeve, sepse është një rezervuar më i vogël e që përmbledh jo vetëm rrjedhjet që vijnë nga pjesa e sipërme e Fierzës, por dhe të gjitha derdhjet që vijnë nga Alpet, apo zona tjetër përgjatë gjithë pjesës së liqenit, – në një kuotë prej 173 metër, në mënyrë që të evitojmë ndonjë situatë të jashtëzakonshme, nëse do të kemi prurje jashtëzakonisht të mëdha. Përsa i përket situatës së kaskadës dhe gjenerimit, situata po monitorohet dhe të gjitha këto raportime që u dhanë këtu janë për shkak edhe të mirëfunksionimit të kësaj strukture të re që është e organizuar në çdo ministri dhe që raporton këtu në Kryeministri.

Përsa i përket shpërndarjes, do të bëj një përmbledhje shumë të shkurtër, pasi janë ato të dhëna që u paraqitën këtu. Masat janë marrë, kemi një raportim të rregullt nga Operatori i Shpërndarjes në lidhje me situatën. U tha për numrin e abonentëve që janë prekur, janë kryesisht zonat rurale dhe janë linja ajrore të degraduara, me infrastrukturë shumë të dobët, gjë që dihet dhe sa herë ka furtunë apo reshje të tilla, gjithmonë ka ndërprerje. Nga ana tjetër, disa ndërprerje kanë ndodhur për masa sigurie, sepse futja e ujërave në nënstacione apo në kabina mund të krijojë probleme të mëdha dhe këto janë stakime që quhen për arsye të sigurisë dhe Operatori në bazë të rregullores teknike në këtë drejtim ka marrë masat e duhur duke bërë stakime, të cilat do të jenë të përkohshme dhe me përmirësimin e motit, energjia do të kthehet. Situata në hidrovore paraqitet në përgjithësi mirë. Me përjashtim të hidrovorit të Akërnisë dhe të një hidrovori tjetër, pjesa tjetër e hidorvoreve në gjithë vendin janë furnizuar rregullisht me energji elektrike, gjë që ka bërë që të lehtësohet situata. Përsa i përket prurjeve, një gjë duhet kuptuar dhe unë po marr shkas nga fakti se edhe hidrovoret kanë një limit të tyre të shkarkimit. Kur ka reshje e prurje të mëdha, në fund të fundit, ky është një proces fizik i ditur, që sasia është shumë më e vogël sesa prurjet dhe jo gjithçka mund të parandalohet nga funksionimi normal i hidrovorit. Linjat e tensionit të lartë janë në përgjithësi të gjitha funksionale, nuk kemi probleme, me përjashtim të problemit të Kukësit, i cili u riparua dhe ndërkohë po i kërkojmë një kompanie private që ka një linjë të saj të tensionit të lartë për ta futur edhe atë në përdorim. Jemi duke negociuar me ta, në mënyrë që të jetë një furnizim alternativ për zonën e Kukësit që të mos mungojë energjia në këtë  periudhë të vështirë.

Pra, situata e përgjithshme është nën kontroll, nuk ka ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme. Ka ndërprerje të energjisë, kryesisht në zonat rurale dhe kjo gjë mendohet të  vazhdojë për aq kohë sa do të rrezikohet jeta e njerëzve, për aq kohë sa do të rrezikohet infrastruktura energjetike dhe do ta kenë të pamundur grupet teknike për të operuar për rregullimin e këtyre defekteve në kohët që ka intensitete reshjesh, sepse rrezikohet jeta e punonjësve dhe në fund të fundit, efektiviteti nuk është i duhuri. Drejtuesi i Operatorit të Shpërndarjes mund të japi informacionet më të fundit dhe informacioni që unë si ministër disponoj është i marrë nga informacionet që vijnë nga OST, KESH dhe OSHEE. Faleminderit!

Drejtori i OSHEE Ardian Çela: I nderuar Zoti Kryeministër! Të nderuar pjesëmarrës!

OSHEE me të marrë sinjalizimin për reshjet që priteshin ka ngritur shtabin qendror në drejtorinë qendrorë dhe në 10 drejtoritë rajonale janë ngritur shtabet dhe  grupet e gatishmërisë. Këto shtabe raportojnë në mënyrë periodike, çdo një orë, për situatën dhe ky informacion përcillet sipas piramidës, në Kryeministri, në Ministri dhe në Ministrinë e Brendshme, Shtabin e Emergjencave. Janë grupet e gatishmërisë, rreth 1500 punonjës të OSHEE që janë në terren, për të evidentuar, lokalizuar dhe likuiduar avaritë në mënyrën më të shpejtë, por duhet të kemi parasysh që shumë nga këto avari apo mungesa të energjisë janë për shkak të sigurisë teknike. Gati 57% e mungesës së energjisë që është ndërprerë në disa fidera është për shkaka të sigurisë teknike, sepse niveli i ujerave është rritur tejmase, duke përmbytur nënstacione ose kabina, ku duhet ndërprerë energjia, sepse nuk mund të garantohet siguria e jetës së punonjësve. Është garantuar furnizimi me energji elektrike për të gjithë objektet e rëndësisë së veçantë, spitalet, hidrovoret dhe objektet e ndryshme administrative. Përsa i përket numrit të fiderave, në një total prej 1200 fiderash në rang vendi, që administron Operatori i Shpërndarjes, është ndërprere energjia në 163  fidera dhe këto janë për një total prej 199 417 banorë, nga të cilët 32 479 janë në zona urbane dhe pjesa tjetër në zona rurale.

Ne kemi informacion për secilin rajon, sesi paraqitet gjendja. Në qarkun e Tiranës janë 22 fidera ku ndërprere në energjinë elektrike, por në këto, 10 janë për arsye sigurie, siç është ai Kombinatit, apo edhe në nënstacionin e Farkës së fundmi, sepse niveli i ujërave është rritur ndjeshëm dhe rrezikon jetën e punonjësve. Kemi kabinat në zonën e Kasharit, të cilat janë përmbytur nga prurjet e ujit, kështu që nuk mund të operohet në ato fidera.

Kemi një urë që është dëmtuar në Kashar dhe ka dëmtuar dy fidera përsëri, të cilat furnizojnë të gjithë atë zonë dhe zonën e Vorës. Gjendje e rënduar është në zonën e Burrelit ku janë 33 fidera për rreth 25 mijë banorë. Në zonën e Vlorës janë 25 fidera për 11 700 banorë dhe në Fier ku janë 22 fidera për 90 mijë banorë. Vlen të përmendet që në Fier dhe në Vlorë nuk kemi reshje të shumta, por janë erëra të forta që kanë arritur deri në 40 km në orë, kur në parametra teknikë, deri në 20 është shpejtësi shumë e madhe, me rrezikshmëri të lartë dhe në këtë rast e kemi në dyfishin e asaj të lejuar.

Është përmirësuar gjendja edhe në qytetin e Durrësit dhe në qarkun e Durrësit. Në këto momente që flasim janë vetëm 4 fidera pa furnizim me energji elektrike. Edhe në Elbasan, por pritshmëria në Elbasan, sipas njoftimeve që kemi po shtohet niveli i ujit dhe kjo do të agravojë situatën.

Kemi një situatë për të gjithë qytetet dhe qarqet që përmendëm, të detajuar në çdo fshat ku është problematika. Por për sa kohë niveli i ujit dhe pritshmëria e reshjeve nuk do të bjerë, e kemi të pamundur të ndërhyjë në disa zona, sepse nuk mund të punohet për sa kohë niveli i ujit është i tillë. Vlen të përmend që kemi dhe një defekt në zonën e Krumë-Kalimash, ku është pa energji nënstacioni i Krumës, sepse është këputur përcjellësi 35 kW dhe me të pushuar erërat aty janë grupet e gatishmërisë, por në kushtet aktuale nuk është e mundur të eliminohet kjo avari.

Kryeminsitri Rama: Ministri i Bujqësisë e ka ndjekur në kohë reale, prej 48 orësh, situatën dhe besoj se një përmbledhje nga aspekti i Ministrisë së Bujqësisë është shumë e vlefshme.

Ministri Edmond Panariti:  Faleminderit Zoti Kryeministër! Të nderuar anëtarë!

Siç tha Kryeministri, unë e kam ndjekur në vazhdimësi situatën, edhe pa filluar, sepse ne ishim prek kohësh të alertuar nga rrezikshmëria që paraqiste ky fenomen atmosferik dhe reshjet e bollshme që priteshin. Për rrjedhojë, sistemi i hidrovorëve ka qënë në funksion të plotë, më përjashtim, siç u tha edhe këtu, të hidrovorit të Synejt që pësoi një defekt dhe pjesërisht të hidrovorit të Akërnisë. Fakti që hidrovorët ishin në funksion të plotë bëri që sasia e madhe e ujit të evakuohet në kohë, të pompohej në mënyrë aktive.

Nga ana tjetër, gjithë rrjeti i kanaleve kryesore ka qenë i pastruar në kohë. Kështu që presioni  i madh që ujërat ushtruan kryesisht në zonën e Kurbinit u bë e mundur që nëpërmjet kanalit të ujerave të larta, në të cilin jemi investuar fuqimisht gjatë gjithë  periudhës së verës, t’i tërheqë në mënyrë aktive gjithë ujërat e përrenjve malorë, që vërshuan me një intensitet shumë të lartë.

Po ashtu, flota  ere e ekskavatorëve është pozicionuar pikërisht në grykat e kanaleve, aty ku ndodh dhe fenomeni i bllokimit nga inertët që vijnë nga përrenjtë malorë, nga cungje dhe inerte, në mënyrë që grykat e kanaleve të mbahen të hapura dhe uji evadojë. Kjo ka bërë të mundur që ne të kemi një sasi shumë të kufizuar të tokave nën ujë, që llogaritet rreth 80 ha, pikërisht si rezultat i drenimit me shpejtësi. Presioni i madh i ujërave ka bërë që ne të kemi disa dëmtime të pjesshme në sistemin e digave, të kemi dëmtime të pjesshme në Daragjat, në argjinaturën e Kirit ku po ndërhyhet, në Droj kemi pasur çarje të argjinaturës, por po ndërhyjmë me të gjitha fuqitë që kemi në dispozicion, për ta mbajtur atë me materiale inerte.

Ndërkohë nuk kemi dëmtime në blegtori, edhe për shkak të faktit se si rezultat i njoftimit me kohë, nga drejtoritë e bujqësisë, të blegtorëve të atyre zonave, u spostuan ato tufa që ishin afër burimeve ujore, në mënyrë që të shmangej ekspozimi dhe mbytjet eventuale të gjësë së gjallë.

Po kështu, presion të madh të ujërave kemi pasur në rrethin e Gjirokastrës si rezultat i intensitetit të reshjeve. Kështu që kemi dëmtim të pjesshëm të argjinaturës së Drinos, por sigurisht, Bordi i Kullimit është atje, po monitoron situatën. Ndërsa për sa i përket tokave bujqësore, sasia e tyre nën ujë është shumë e kufizuar.

Jemi në ndjekje të situatës në vazhdimësi. Bordet e kullimit janë totalisht në terren, mjetet motorike në dispozicion të bordeve janë të gjitha në pikat nevralgjike, aty ku kemi edhe fenomenet e bllokimit nga argjinaturat. Po kështu jemi në koordinim të plotë me bashkitë, sidomos për të mbajtur në gjendje funksionaliteti rrjetin e kanaleve të dyta, pasi që sistemi të jetë në efektivitet të plotë duhet të jetë në sinkron të plotë.

Situata është në përmirësim, sepse çdo pushim që krijohet në ndërprerjen e reshjeve, e lejon sistemin që të evadojë me shpejtësi ujërat që grumbullohen në toka bujqësore, apo në grykat e kanaleve kryesore. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit Zoti ministër! Ministri i Transportit lidhur me masat që ndërkohë janë marrë, por edhe me ecurinë, hap pas hapi, në  terren të situatës së rrugëve.

Ministri Sokol Dervishaj: Faleminderit zoti Kryeministër! Të nderuar kolegë! Ministria e Transportit që në fillim të paraqitjes së parashikimeve për situatën e motit ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ka ngritur shtabin e saj të emergjencës, për të koordinuar të gjithë aspektet që  kanë lidhje me detyrimet që ajo ka. Në këtë kuadër dua të theksoj që  ka qenë shumë efikas mënyra e komunikimit dhe e bashkëpunimit në përballimin e kësaj situate, për shkak se dhe çështjet që ne mbulojmë janë çështje që ndërthuren me njëra tjetrën e pa një koordinim maksimal, edhe përballimi do të ishte i vështirë. Kështu që nga kjo pikëpamje dua të them që të gjithë anëtarët e nivelit teknik të grupit të punës dhe të shtabit të përbashkët kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë.

Nga pikëpamja e Ministrisë së Transporteve  dhe Infrastrukturës dua të them që tre janë dimensionet kryesore që ne kemi ndjekur; Akset kryesore nacionale; ujësjellësit dhe për aq sa ka kontribut dhe përgjegjësi ministria, në çështjen e digave. Për çështjen e digave këtu u fol nga dy ministrat, ministri i Energjetikës dhe ministri i Bujqësisë, kështu që nga kjo pikëpamje nuk kam se çfarë shtoj. Në çështjen e ujësjellësve mund të them se situata është nën kontroll të plotë dhe se nuk ka asnjë problematikë deri tani, qoftë në furnizimin me energji të ujësjellësve, apo nga krijimi i ndonjë shqetësimi që mund të vinte nga reshjet e tepërta.

Përsa i takon çështjes së akseve rrugore nacionale, sikurse u përmend këtu, ka një problematikë në disa prej tyre. Problematikë që ka ardhur për shkak të reshjeve, por edhe për shkak të shkarjeve së dherave apo defekteve që kemi pasur të trashëguara më parë. Ka pasur disa pika të nxehta, që për shkak të reshjeve kanë agravuar. Megjithatë, ajo që dua të theksoj është që të gjithë kontraktorët e mirëmbajtjes së  rrugëve, pavarësisht vështirësive, janë kontaktuar me kohë dhe janë vënë të gjithë në punë për të kryer  detyrimet e tyre. E kjo është një gjë që po ndodh.

Nga kjo pikëpamje mund të them që në aksin Tiranë-Durrës, i cili ka qenë problematik për shkak të reshjeve, janë angazhuar 6 fadroma dhe mjete të shtuara e fuqi punëtore nga kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugëve dhe praktikisht po bëjnë një punë të mirë. Në zonën e Fushë Krujës, nga prurjet e shumta të përrenjve ka prani të madhe të ujit në rrugë dhe përveç ujit, edhe gurë apo rrëshqitje, jo shumë serioze. Po punohet me ekskavatorë e me fuqi punëtore të shtuar në këtë aks.

Akset problematike, sikurse u përmend, janë ato të veriut, kryesisht për shkak edhe të problematikave që ne kemi pasur me mirëmbajtjen e tyre, por sidoqoftë, situata tashmë është nën kontroll dhe rrugët po pastrohen për aq sa është detyrimi i këtyre kontraktorëve.

Ajo që dua të theksoj është që sikurse u paraqit edhe nga parashtrimi i situatës meteorologjike, nëse do të ketë një situatë normale reshjesh, kjo është një situatë e përballueshme. Vëmendjen duhet ta kemi kur ka prurje të mëdha reshjesh. Intensiteti i lartë i reshjeve na shkakton probleme dhe këtu duhet të jetë edhe përqendrimi më i madh vëmendjes. Momentin që ka intensitet të lartë reshjesh, apo kemi parashikime që në këtë periudhë të ditës do të ketë intensitet të lartë reshjesh, ajo është gjëja që ne duhet të koordinojmë më mirë, sepse ne i dimë pikat ku reshjet e shumta shkaktojnë shkarje dherash apo problematika të dëmtimit të akseve dhe për të përqendruar të gjitha kapacitetet, jo në të gjitha akset, por në ato pjesë të aksit, të cilat janë më problematike për t’u trajtuar.

Përgjithësisht situata mund të themi që me vështirësitë e saj mund të përballohet me efikasitet. Megjithatë është vetëm fillimi i situatës, duhet të jemi të vëmendshëm në trajtimin e saj në mënyrë permanente gjatë gjithë kohës. Koordinimi i deritanishëm ka qënë efikas, kështu që unë besoj se me këtë mënyrë funksionimi do të bëjmë të mundur përballimin e saj, për t’ju përgjigjur sa më mirë qytetarëve. Praktikisht nuk po e zgjas më tepër, se duhet të shkojmë të verifikojmë rrugët.

Kryeministri Rama: Faleminderit Zoti ministër!

Besoj që na vlejnë edhe disa fjalë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm për rolin e deritanishëm të forcave të ushtrisë dhe për gatishmërinë për të përshirë më shumë forca, në rast se kjo do të jetë e nevojshme në orët apo në ditët në vijim.

Gjeneralmajor Jeronim Bazo: Faleminderit Zoti kryeministër! Zotërinj ministra, zotërinj pjesëmarrës!

Sikundër u tha nga parafolësit, edhe forcat e armatosura i kanë paraprirë me kohë situatës, duke qenë edhe më në gjendje për të pasur në vëmendjen tonë parashikimin në kohën e duhur të situatës së motit në Republikën e Shqipërisë. Ne kemi rritur gatishmërinë dhe përgjigjen që në fundjavën e kaluar. Në të gjitha forcat, ajrore, detare dhe tokësore, – madje do të sillja në vëmendjen tuaj që ditën e diel, ne patëm një operacion të gjatë e të lodhshëm, por të suksesshëm, të kërkim-shpëtimit në det, ku njerëzit tanë ia dolën të shpëtojnë jetën e njerëzve të humbur në det për shkak të motit dhe të detit të trazuar, gjë që edhe i parapriu situatës së vështirë të reshjeve gjatë të hënës dhe sot që flasim, ditën e martë, – kemi qenë në vazhdimësi në gatishmëri, duke iu përgjigjur dhe duke ruajtur komunikimin korrekt dhe koordinimin, çka është tepër e rëndësishme, me Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri dhe me Zyrën Operacionale të Qendrës së Emergjencave Civile, për t’ju përgjigjur në kohë çdo lloj situatë që mund të lindi për shkak të acarimit të motit. Në momentin që po flasim jemi prezent me forca dhe mjete në qarkun e Lezhës, në Fushë Krujë, në Burrel, në lumin e Tiranës, në zonën e Paskuqanit e Babrrusë dhe aty ku merr kthesën lumi, pa dalë tek zona e quajtur “City Park”. Jemi në gatishmëri për të rritur ndërhyrjen tonë me evakuimin, shpëtimin e jetës së njerëzve dhe për të ndërhyrë me forca dhe mjete atje ku e kërkon situata, ose atje ku bëhet më e papërballueshmja nga vetë forcat në terren. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit!

Dhe në fund, ministri i Shtetit për koordinimin me pushtetin vendor, lidhur me koordinimin dhe me rritjen e bashkëpunimit, orë pas ore, mes strukturave të e pushtetit vendor, aty ku ka probleme dhe gjithë strukturave të shtetit, të angazhuara në territor.

Ministri Bledi Çuçi: Faleminderit Zoti Kryeministër! Të nderuar anëtarë!

Mund të them që ka funksionuar këtë herë koordinimi, ndoshta si asnjë herë tjetër, sidomos për bashkitë, të cilat janë prekur nga përmbytja, ka pasur një koordinim shumë të ngushtë me strukturat e emergjencës, të ngritura nga qeveria dhe u pa për herë të parë, edhe forca operacionale që kanë bashkitë e reja tashmë, edhe për të ndihmuar në hapjen e kanaleve kulluese, siç tha dhe ministri i Bujqësisë. Mendoj se ka qenë një element shumë pozitiv fakti që, menjëherë, të gjitha struktura operacionale të bashkisë, aty ku ka pasur probleme dhe të gjitha ndërmarrjet në varësi të bashkisë, të cilat kanë mjete në dispozicion, janë vënë në dispozicion të përmbytjeve. Kështu që mendoj se tashmë është ngritur si strukturë koordinuese dhe gjithë forcimi që ne i kemi bërë këtë vit edhe flotës së bashkive, për të ndihmuar në hapjen e kanaleve, dha rezultatin e duhur në këtë situatë. Tashmë të gjithë kryetarët e bashkive, edhe në koordinim të prefektëve, të cilët kanë marrë situatën në dorë, janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që do vijë në ditët në vijim. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Duke ju falënderuar dhe për të mos e zgjatur, sepse, qoftë ministri i Transportit, qoftë ai i Bujqësisë, po qoftë edhe gjithë të tjerët do të jenë sipas detyrash specifike të kësaj situatë në terren. Ashtu sikundër janë edhe ministrat e tjerë që prej disa orësh. Unë do të dëshiroj vetëm që të theksoj se kjo situatë, nga pikëpamja e motit nuk do të përmirësohet në orët në vijim. Sipas parashikimeve dhe  faktikisht, harta e parashikueshmërisë, e vënë në dispozicion të strukturave tona nga emergjenca civile, ka rezultuar deri tani e saktë, edhe pse, sigurisht, ne do ishim shumë të lumtur, nëse do të rezultonte e pasaktë, edhe për orët në vijim, por të gjitha gjasat janë që të paktën në 24 orët e ardhshme, situata nuk do të ketë përmirësime të ndjeshme. Mund të ketë agravime në zona të caktuara, mund të ketë lehtësime në zona të caktuara, por në tërësi do të jetë një situatë shumë e rënduar. Parashikimi i bërë nga Qendra e Koordinimit në Sllovaki thotë se bëhet fjalë për një situatë vërtetë të veçantë nga pikëpamja e rëndesës.

Me rëndësi mbetet që të jemi të koordinuar dhe që Zyra Operacionale e Situatës të mbledhë në kohë reale gjithë informacionin. Dua t’i falënderoj të gjitha strukturat që kanë ngritur dhe kjo është prova se kanë funksionuar të gjitha qelizat e këtij rrjeti koordinimi, që ne e eksperimentojmë për herë të parë në kushte reale, pasi e kemi simuluar në kushte jo reale. Ndërkohë besoj që në orët e mbrëmjes do të kemi një komunikim tjetër këtu, pa penguar aspak punën e secilit në terren dhe duke iu kërkuar qytetarëve mirëkuptim, qoftë përsa i përket atyre segmenteve të rënduara nga rëniet e dherave dhe gurëve për shkak të reshjeve shumë të fuqishme, qoftë përsa i përket ndërprerjeve të domosdoshme të energjisë elektrike për arsye sigurie, qoftë sa i përket edhe situatave të caktuara në ato, deri tani, për fat të mirë, pak zona ku është dashur ndërhyrja e trupave, për të siguruar në radhë të parë jetën e njerëzve. Shumë faleminderit dhe forca, që ta përballojmë me sa më shumë efikasitet këtë situatë.​

 

***

 

Takimi i pasdites në Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, i ministrave dhe drejtuesve të strukturave të shtetit të përfshira në përballimin e situatës së krijuar në vend nga reshjet me intensitet të lartë:   

Kryeministri Rama: Faleminderit për të gjithë punën e kryer deri tani dhe për prezencën tuaj edhe në terren. Ndërkohë që, ne e kemi ndjekur çdo minut këtu nga Zyra Operacionale e Situatës gjithë vijimësinë e përpjekjeve, ashtu sikundër edhe gjithë volumin ankesave, kërkesave, shqetësimeve të mbledhura në të gjithë territorin, në të gjitha nivelet, që nga niveli i qeverisjes vendore, tek niveli i qytetarëve që na janë adresuar.

Do të doja një prezantim nga njëri prej personave përgjegjës të Zyrës Operacionale të Situatës dhe pastaj me radhë për të bërë një pasqyre transparente të gjithë ditës dhe po ashtu edhe për të informuar lidhur me pritshmërinë lidhur me orët në vijim, ku siç është theksuar edhe më parë pritet një tjetër furtunë reshjesh të dendura dhe erash të forta.

Dorian Tola: Ka një përmirësim të ndjeshëm përsa i përket furnizimit me energji elektrike, ku numri i abonentëve pa energji elektrike ka ardhur në rënie. Madje, sipas informacionit të fundit që kemi, aktualisht në të gjithë vendin janë rreth 60 mijë abonentë të mbetur pa energji elektrike. Gjithashtu, përmirësim ka pasur në drejtim të zhbllokimit të disa akseve rrugore në qarkun e Durrësit, në Lezhë dhe në Kukës.

Është ndërprerë procesi mësimor në të gjithë vendin, deri në një urdhër të dytë.

Siguria e jetës: 80 familje janë evakuuar në Tiranë, 4 familje në Dibër, në një rast evakuimi është përdorur helikopteri i Forcave të Armatosura, në një operacion të vështirë nga ajri. Fatkeqësisht një person është gjendur i mbytur në Lumin e Tiranës nga forcat polumbare të RENEA-s. Rasti po hetohet, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Akset rrugore: Akset më problematike paraqiten: Bajram Curri-Valbonë, i cili është i bllokuar; Në akset Shkodër-Qafë Qele dhe Harku i Bërdicës ka prani të shtuar uji, si pasojë e hapjes së HEC-it; në Skuraj, rruga është përmbytur për shkak të hapjes së portave të HEC-it Shkopet; në Kukës është shembur një urë mbi lumin Bushtricë, e cila lidh dy fshatra; kemi bllokim të segmentit Ndoj-Qafë Shtamë, në kilometrin e 13-të, si pasojë e rrëshqitjes masive të inerteve; gjithashtu, fshatin Zhebe në Përmet është izoluar, pasi është shembur ura që e lidh me qytetin; autostrada Tiranë-Durrës është hapur në një drejtim, pra është përmirësuar gjendja; gjithashtu është hapur për qarkullim edhe aksi Dushaj-Lekbibaj.

Energjia elektrike: Siç e përmendëm, është bërë një punë shumë e mirë në drejtim të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. Aktualisht në gjithë vendin janë rreth 60 mijë abonentë të mbetur pa energji elektrike. Kemi fidëra të stakuara për arsye sigurie. Ka defekte në rrjetin ajror, për shkak të erërave të forta, po punohet për riparimin e tyre.

Hidrovoret: Në Akërni, Vlorë dhe Kuçovë, dy hidrovore raportohen të jenë pa energji elektrike.

Spitalet: Në rang vendi, janë disa spitale e qendra shëndetësore që kanë pasur dëmtime si pasojë e reshjeve. Në disa prej tyre ka pasur prezencë uji në katet e poshtme, në disa ka pasur dëmtime si pasojë e shiut të rënë. Kështu, në Lezhë ka 2 qendra shëndetësore dhe 4 ambulanca; në Kurbin ka 4 qendra shëndetësore; nga përmbytjet mund të rrezikohet dalja e ujërave të zeza në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut; në Durrës kemi qendrën shëndetësore dhe 4 ambulanca, të cilat kanë prezencë uji; në Kukës, 3 ambulanca të dëmtuara nga reshjet; në Shkodër, 8 qendra shëndetësore të prekura nga përmbytjet.

Tokat bujqësore në rang vendi: Në Shkodër 600 ha raportohen me prezencë uji; në Lezhë 850 ha; në Fushë-Krujë 280 ha; në Durrës 200 ha; në Tiranë 15 ha; në Gjirokastër 130 ha.

Forca të angazhuara: Gjithsej, 136 Forca të Armatosura, 23 mjete dhe 5 agregate kanë qenë në mbështetje të Emergjencave Civile.

Parashikimi i motit nuk ka ndryshuar. Pritet që situata të përkeqësohet 24 orët e ardhshme dhe reshjet me intensitet mesatar, deri të lartë do vazhdojnë të bien edhe në ditët në vijim.

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për këtë përgjithësim të situatës. Por është me rëndësi edhe një paraqitje e përditësuar nga ana e ministrave dhe e drejtuesve të lartë të strukturave të përfshira në këtë operacion, që, për hir të së vërtetës, duket qartësisht i mirëorganizuar, i mirëkoordinuar dhe funksionon, deri tani, sipas parashikimeve, – pa harruar dhe sidoqoftë vështirësi të posaçme, sidomos në disa zona, – patjetër edhe një kufizim objektiv ende në mjete, për sa i përket nivelit të pushtetit vendor, që për hir të të vërtetës edhe ai ka qenë vërtet i angazhuar, i përgatitur dhe mbi të gjitha, i koordinuar plotësisht, qoftë me Zyrën Operacionale të Situatës këtu, qoftë, çka është më e rëndësishmja me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Po ia jap fjalën drejtorit për të na bërë një përgjithësim të shkurtër dhe ajo që besoj iu intereson atyre që na ndjekin është pritshmëria për orët në vijim dhe pikat e nxehta ku duhet pasur një vëmendje dhe kujdes i veçantë, qoftë nga qytetarët qoftë dhe nga nivelet e qeverisjes në komunitet.

 

Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Premçi: Pas marrjes së informacioneve dhe testimit nga shërbimet meteorologjike shqiptare dhe qendra e monitorimit në Sllovaki, me urdhër të ministrit të Brendshëm, pasi u njohëm me situatën, janë ngritur 12 Shtabet e Emergjencave Civile në nivel prefekturash. Është vlerësuar situata në maksimum dhe janë dhënë detyra të posaçme për gjithë nivelet e qeverisjes qendrore dhe vendore. Janë informuar gjithë Ministritë e linjës dhe deri më tani, situatat më kritike kanë qenë në rajonin e Tiranës: autostradat, hyrja te nyja e “Pallatit me Shigjeta”, rruga “Don Bosko”, Lumi i Tiranës, ku kemi pasur rreth 80 familje me prezencë uji, për të cilat janë angazhuar menjëherë të gjitha strukturat e Policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e ushtrisë dhe janë evakuuar menjëherë familjet dhe aktualisht ndodhen të sistemuara në shkollën 9-vjecare “Gramoz Palushi”, ku janë gjithsej 170 persona me të gjitha kushtet e nevojshme minimale për të jetuar.

Situatë të njëjtë ka pasur edhe në zonën e Laknasit, frutikulturë, Valias për të cilët në bashkëpunim edhe këto janë sistemuar në shkolla sipas referencave që ka dhënë pushteti vendor.

Në zonën e Lezhës ka patur probleme në Droje, prezencë të ujit në 35 familje.

Në Shënkoll ka patur tendenca për thyerje të argjinaturës dhe aktualisht ka plasaritje të argjinaturës. Strukturat operacionale po merren me riparimin e saj.

Në Kurbin ka patur rrezikim të dy familjeve në zonën e Gurzës dhe forcat ushtarake i kanë evakuuar menjëherë.

Në Shkodër në lagjen Ajasem ka prezencë uji në 40 banesa. Është bërë evakuimi që në orën 08.30 deri në 09.30. Në Kukës, rajon i  Tropojës ka patur 35 shtëpi të dëmtuara si rezultat i stuhisë, kryesisht çatitë. Ka patur bllokime të rrugëve në segmentet Bajram Curr-Valbonë dhe Dushaj –Lekbibaj. Në Dibër, segmenti më i dëmtuar është zona e llixhave dhe në fshatin Katund i ri, ku rrezikohen 35 familje, ku po operojnë të gjithë forcat operacionale të ushtrisë, policisë dhe të shërbimit zjarrfikës, në Durrës ish këneta, në Sukth dhe 17 familje janë në Fushë-Krujë të evakuura për momentin.

Shtëpi me prezencë uji në të gjithë territorin e Shqipërisë janë gjithsej 180, por jo të përmbytura. Duhet ta theksojmë jo të përmbytura sepse aktualisht në asnjë nga banesat nuk ka ujë, me përjashtim të 10 banesave, të cilat kanë nga 10 – 30 centimetra ujë.

Të gjitha ekipet e zjarrfikëseve dhe të policisë kanë punuar për largimin e uji nga këto banesa, me të gjitha kapacitetet e pompave që disponon ushtria, shërbimi zjarrfikës dhe policia.

105 banesa janë në Tiranë, kryesisht në rajonin e Paskuqanit, 40 janë në Shkodër, 25 në Lezhe dhe 5 në Mat. Vlen për tu përmendur  se gjithë intensiteti i reshjeve që ka kaluar kapacitet maksimale ku mund të përmendim 2600 m3 në sekondë kanë qënë prurjet vetëm në pellgun ujëmbledhës të liqenit të Komanit. Por falë menaxhimit të mirë të kaskadës dhe kapaciteteve të plota në punë të hidrovorëve, si dhe puna e bërë muajt e fundit  që  janë pastruar mbi 1230 kilometra e kanaleve të të gjithë niveleve të larta të mesme dhe të ulëta, situata e përcjelljes së ujit drejt bregdetit ka qënë mëse ritmike dhe e kënaqshme. Menaxhimi, bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjitha strukturave të koordinimit dhe ato operacionale ka qënë shumë i mirë.

Kapaciteti maksimal i hidrovoreve ka funksionuar që në datë 4 nëntor, kur është dhënë alarmi se do të ketë situatë kritike të pritshme dhe kjo ka lehtësuar përballimin e sistemit kullues në të gjithë territorin, kryesisht në ultësirën veriperëndimore, Shkodër, Lezhë dhe në rajonin e Durrësit, edhe pse prurjet kanë qënë në nivele kritike.

Gjatë 24 orëshit janë angazhuar gjithsej 1579 forca policore, 240 mjete, 15 motobarka dhe një motoskaf.

Nga shërbimet  e mbrojtjes ndaj zjarrit janë angazhuar 220 forca, 20 mjete zjarrfikëse, 25 pompa uji dhe 15 motobarka. Nga ministria e mbrojtjes, 180 forca, 25 kamionë, 6 motobarka, 1 helikopter, 10 mjete të rënda, dhe 5 zjarrfikëse.

Emergjenca civile ka angazhuar 70 forca, 10 motobarka dhe 3 fadroma. Gjatë kësaj kohe kemi  patur 2 humbje jetësh. Njëri është nga rajoni i Tiranës, ku policia po heton për shkaqet, ndërsa në rastin e Zef Ndoit në rajonin e Plan Bardhës, Klos janë të dhëna të sakta se shtetasi ka tentuar të kalojë lumin me mjet ku është  konfirmuar nga shërbimet e policisë.

Një nga operacionet më të vështira ka qënë operacioni i kryer nga forcat ushtarake në rajonin e derdhjes së lumit Mat, në liqenin e Ulzës dhe konkretisht në vendin e quajtur Lis ku kanë qënë të izoluara tre familje. Edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga shërbimet e policisë dhe forcat e ushtrisë, familjet kanë bërë rezistencë për të mos u larguar. Me ngritjen e helikopterit kryefamiljari Nebi Gjetani ka refuzuar të largohet. Lidhur me këtë mendoj që pjesë të caktuara qoftë të pushtetit vendor apo segmente të caktuara janë munduar të bëjnë politikë me fatkeqësinë e përmbytjes për të cilën unë shpreh keqardhjen. Kryefamijari nuk pranoi të largohej dhe madje mbante të bllokuar edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, të cilët më pas janë evakuuar nga strukturat e ushtrisë dhe ato zjarrfikëse dhe operacioni ka qënë shumë i suksesshëm.

Si konkluzion, mund të them se koordinimi ka qënë shumë i mirë në të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, dhe rezultat kanë qënë të kënaqshme për menaxhimin e situatës tepër të rëndë kryesisht për rajonin e 5 qarqeve Dibër, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë. Shprehim keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore edhe pse për hir të së vërtetës duhet të themi se një pjesë e strukturave të pushtetit vendor kryesisht në Mat nuk ka qënë bashkëpunues me strukturat e emergjencave civile dhe të ushtrisë dhe ky është një mesazh për të cilën duhet të bëjmë kthesë, në raport me reagimin ndaj njoftimit që japin strukturat e emergjencave civile.

 

Kryeministri Rama: Ndërkohë kemi një situatë specifikisht shqetësuese në Tiranë dhe për këtë arsye kemi thirrur edhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për të shfrytëzuar këtë komunikim për një informacion sa më të qartë dhe për të dhënë mesazhet e nevojshme për qytetarët e Tiranës për shkak të problemit të ujit të pijshëm që lidhet me rezervuarin e Bovillës.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj: Kemi bërë një menaxhim dhe normalizim të situatës gjatë orëve të ditës. E vetmja çështje e pazgjidhur ose që është një çështje aktive është çështja e uji të pijshëm në Tiranë. Unë sapo kthehem nga Bovilla dhe bëmë dhe aty një demonstrim fizik të situatës së ujit. Ka një etalon se si matet uji që quhet MTU, niveli i turbullirës për litër, i cili është katërfishi i normave maksimale që lejon BE që të futet në makineri dhe filtrohet. Madje makinat matëse të nivelit të turbullirës nuk masin mbi nivelin 1000 MTU. Ne jemi 4 herë mbi nivelin që mund të matin makinat. Arsyeja si e dimë këtë është sepse është dashur të hollohet disa herë tretësira për të arritur me deduksion që niveli i ndotjes është i një turbullire të një situate të pazakontë dhe për ata që prodhojnë makineritë e filtrimit.

Kjo do të thotë që ne e kemi reduktuar në 30% furnizimin me ujë. Pra, vetëm 30% e kapacitetit furnizohet me ujë Tirana. Gjatë darkës do të ketë një furnizim me ujë të plotë, sepse është tashmë uji në depot e ujit i depozituar gjatë ditës, para se të ndodhte turbullira. Ne momentalisht jemi duke bërë teste çdo 10 minuta, por situata është aq dramatike, – do e shikoni dhe në pamjet që do kemi më vonë në televizion, ku dallohet me sy të lirë sa problematike është, – pavarësisht se në për çështje të ruajtjes së ruajtjes së një rekordi po e bëjmë çdo 10 minuta matjet. Çfarë do të thotë kjo? Tirana ka dy alternativa të furnizimit me ujë, një është burimi i Shën Mërisë dhe tjetra është Bovilla.

Bovilla është ujëmbledhësi më i madh në Tiranë. Furnizohet me ujë nga dhjetëra apo qindra përrenj dhe lumenj të vegjël. E gjithë turbullira e ardhura nga ajo reshje, sidomos mes orës 10 dhe 12, ka shkaktuar këtë dëm. Në një situatë normale, alternativë do ishte burimi i Shën Mërisë. Burimi Shën Mërisë gjithashtu është dëmtuar nga shkëmbinj dhe gurë në disa segmente. Të gjithë grupet e salduesve janë momentalisht aty. Besoj se do zgjidhet për 2-3 orë, çka do na japi një akses tjetër të ujit në Tiranë. E thënë thjeshtë për qytetarët, përpara një vendimmarrjeje të vështirë, kam vendosur dhe kam urdhëruar që të ndodhi ky reduktim i ujit, pra ne të lëshojmë në sistem atë që kemi tashmë të filtruar, por të mos e teprojmë. E di që kjo për shumë qytetarë që ndoshta e marrin pak me sportivitet, më mirë të kenë ujë se pastaj shqetësohen për turbullirat në mënyrë alternative, ky është një bast që ne nuk mund ta vëmë. E kjo është arsyeja pse dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të furnizohen sot në darkë për nevojat e 2-3 ditëve të ardhshme. Shpresoj se nuk do jetë e nevojshme pezullimi total i filtrimit të ujit në Bovillë, megjithatë është e mundshme. Më mirë ta themi të vërtetën siç është dhe të jemi të përgatitur e të marrim vendime të përgjegjshme. E besoj që vendimi që kemi marrë për të kufizuar ujin në Tiranë deri sa ne të shkojmë në një situatë të pranueshme, është vendim i drejtë edhe pse jo vendimi më komod i mundshëm.

Kemi një njoftim nga Ministria e Arsimit për pezullimin e mësimit nesër e duhet ta respektojmë, në fakt vetëm 2 nga 200 shkolla të Tiranës kemi pasur problematikë, megjithatë duke qenë se shumë prej oborreve kanë pasur inerte e duhet të pastrohen, gjithë bashkia do jetë në dispozicion nesër. Nuk kemi pasur probleme në 31 çerdhet dhe 26 kopshtet e rikonstruktuara, kishim menduar dhe për këtë ditë. Do të thotë që ne do t’i kemi hapur ato nesër, për prindër që për një arsye të caktuar nuk mund t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, në kopshtet e çerdhet e Tiranës dyert do jenë të hapura për të mundësuar sadopak një lloj komoditeti në këtë situatë të vështirë për prindërit që nuk kanë një alternativë tjetër, në dallim nga nxënësit e shkollave që mund të rrinë edhe vetëm.

Kemi dy pika nevralgjike në Tiranë. Janë dy pikat kulmore të lumit të Lanës. Shkoza dhe Pallati me Shigjeta. Më vjen mirë që rastësia e solli që të jap dhe një lajm të mirë, sapo kemi marrë një aprovim nga Kryeministri dhe qeveria shqiptare që ne të bëjmë zgjatimin e Lanës me shtrat dhe me sistemim nga pallati me shigjeta deri në Kashar, ndërkohë që është ministria e Transportit që më rezulton e buxhetuar këtë vit segmentin tjetër, nga materniteti i ri deri në Shkozë. Kështu që me sa mundemi ne po bëjmë zhbllokimet, dhe rehabilitimin e argjinaturave dhe një pafundësi tonelata të tëra qesesh dhe inertesh. Nuk jam këtu të bëj analizën se si kemi mbërritur në këtë ditë e ç’i kemi bërë natyrës, për këtë do flasim më vonë. Por lajmi i mirë për qytetarët është që mes Ministrisë së Transporteve dhe Bashkisë së Tiranës, qeveria shqiptare do të financojë zgjatjen e Lanës sepse na rezulton që aty ku Lana është e sistemuar, pra nga materniteti i ri deri tek Pallati me Shigjeta nuk kemi probleme. Kur takohet hinka në dy kulmet, aty pastaj vijon problematika. Kemi një situatë të përsëritur disa herë. Kësaj here ndoshta më të lehtë, në lumin e Tiranës, flas për pjesën e Tiranës, jo për pjesën e Kamzës ku kemi pasur dhe fatkeqësi, për zhvendosjen e të disatës herë të të njëjtit komunitet që është në shtrat të lumit. Besoj keni qenë të vëmendshëm edhe ndaj projektit të bashkisë për rehabilitimin e shtratit të lumit, por edhe ndërhyrjes dhe avokatisë së shoqërisë civile për të mos i zhvendosur ata banorë. Unë besoj që çdo gjë e ka një limit, pra i kemi dëgjuar palët, por unë nuk mund të lejoj që në qytetin tonë ne të vazhdojmë të avokojmë jetën e njerëzve në breg të lumit. Për të gjithë familjet rome bashkia është e përgatitur me banesa sociale, me bonus qeraje, me qendrat tona të emergjencës, sot janë evakuuar disa prej tyre në Shkozë, në qendrën që kemi aty dhe në Tufinë, por kjo histori duhet të mbarojë. Në fund të ditës duhet të japim një zgjidhje afatgjatë. E drejta e njeriut për të jetuar do respektohet, por jo për të jetuar buzë lumit. Na duhet të shpenzojmë para të taksapagueseve për të përsëritur të njëjtën lojë disa herë, dhe kur dalim në diell bëjmë të njëjtat debate për ku duhet të jetojnë këto familje dhe siç kemi zgjidhur të tjerët kështu do të veprojmë. E them këtë këtu sepse është më mirë ta kujtojmë që kjo vendimmarrje u vu në këtë kontekst e jo në një ditë të bukur me diell, ku secili mbron kauzat e veta.

Mbetet problematike gjithë zona e Malësisë së Tiranës, jemi në kontakt me ministrinë e mbrojtjes, kemi pasur një gatishmëri që me t’u rehabilituar moti, ne të fillojmë të ndërtojmë disa ura, sidomos në zonën e Çerkrezit, në zonën e Zall – Herrit, në zonën e Zall bastarit dhe të Zall Dajtit. Malësia e Tiranës ka dhe pjesën më të madhe të inerteve që sjell pastaj në grykëderdhjet e lumenjve. Për qytetarët e Tiranës ne kemi vënë në dispozicion të gjithë kamerat e qytetit, çdo qytetar mund të ketë akses në aplikacionin “Tirana ime” e të marri vendime të pjekura teksa e sheh live trafikun në Tiranë. Kemi pasur një ngërç, nga 10 minuta në 120 minuta sot, pastaj çdo gjë është rehabilituar por çdo gjë është rehabilituar, por është shumë e rëndësishme që secili t’i marri seriozisht njoftimet. Për të kontrolluar situatën, mjafton të shkojnë online e për qytetin e Tiranës e di ekzaktësisht se ku janë hapur e ku janë bllokuar rrugët. Në fund fare dua të falënderoj shumë të gjithë ata që kanë, sidomos një Tiranë, ku edhe pesha më e madhe e popullsisë e bën më delikate situatën, policinë e shtetit, ushtrinë, gjithë kolegët tanë të emergjencave, zjarrfikëset, ka qenë një koordinim i paprecedentë, të paktën për qytetin dhe për ata që kanë memorie se si janë menaxhuar krizat e viteve të fundit në qytet. U jam shumë mirënjohës të gjithëve. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Faleminderit, sidoqoftë është me rëndësi e vlen të theksohet çështja e kësaj emergjence specifike që ka të bëjë me ndotjen e ujit të Bovillës dhe që bëhet e mundur që të gjithë qytetarët e Tiranës ta kenë këtë informacion, gjë që mund të realizohet vetëm duke e përsëritur pa u lodhur e pa u mërzitur pasi është një situatë që askush nuk do të dëshironte të sillte implikacione shëndetësore krejtësisht të evitueshme, duke marrë masat, gjatë natës së sotme për të përfituar nga furnizimi me ujë të pastër e për të krijuar një depozitë për 2 apo 3 ditët në vijim. Shpresoj dhe besoj, duke qenë se deri tani parashikimet e bëra nga emergjencat civile kanë rezultuar korrekte, që të mos jetë nevoja, por në të gjitha rastet, masat duhen marrë.

Dua po ashtu të theksoj se një nga elementët që kanë ndryshuar rrënjësisht, në krahasim me të gjithë rastet e shkuara, ka qenë funksionimi vërtetë i mirë i hidrovoreve e duke qenë se bashkë me ministrin dhe me nxitjen e ministrit në radhë të parë, për hir të vërtetës, e kemi ndjekur këtë çështje që në kohëra me diell. E duke falënderuar ministrin për këtë rezultat, do doja që ndërkohë ti jepja fjalën ministrit të bujqësisë dhe për përditësimin e këtyre orëve, pasi ai dhe e ka ndjekur vetë në terren e ka qenë i koordinuar me të gjithë strukturat në gjithë territorin.

 

Ministri Panariti: Faleminderit zoti Kryeministër! Unë përpara se të organizohej ky takim i Shtabit të Emergjencës, sapo u ktheva nga zona  e Mamurrasit e cila paraqitet në gjithë rrethin e Lezhës dhe qarkut të Shkodrës si më problematike dhe aty jemi mobilizuar me të gjitha kapacitet  që kemi të bordeve të kulimit, të flotës së ekskavatorëve për të përballuar një situatë që paraqitet dhe në këtë moment që po diskutojmë, problematike. Kjo lidhet me faktin, siç përmendi dhe Drejtori i Emergjencave Civile që lumi i Drojës shkatërroi të dy argjinaturat, qoftë atë në drejtim të Lezhës, pra në drejtim të veriut, qoftë dhe pjesën jugore në drejtim të Tiranës. Në pjesën e Lezhës ne ndërhymë në mënyrë të menjëhershme. Aktualisht janë 4 ekskavatorë të cilët po e mbajnë argjinaturën e po bëjnë ç’është e mundur që uji të mos avancojë në drejtim të qytetit, kurse pjesa tjetër, nuk mundem të ndërhynim për momentin pasi është një rrezik i madh dhe për mjetet motorrike nga rrëmbimi që mund të pësojnë nga ujërat e fryra lumit, e kjo ka bërë, që në një segment rreth 1 kilometër, nga Fushë Kruja në drejtim të Mamurrasit, ne të kemi dhe përmbytje të rrugës nacionale, por aty vura re që policia e shtetit po bën një punë të jashtëzakonshme për të disiplinuar trafikun, i cili paraqitet për rrjedhoje i rënduar. Por kjo është një situatë specifike vetëm për atë segment. Në momentin që argjinatura herët në mëngjes do të mbahet edhe nga pjesa tjetër, do të kemi tërheqjen e ujërave. Për sa i përket pjesës tjetër, situata është nën kontroll, pasi kanali i ujërave të larta të zonës së Kurbinit funksionon me kapacitet të plotë dhe është në gjendje të përballojë dhe flukset e përrenjve malorë, të cilët janë më problematikët në situatat e një përmbytjeje nga reshjet e jashtëzakonshme.

Rrjeti i hidrovorëve është në funksion të plotë. Furnizimi me energji ka qënë i garantuar. Për sa i përket lumit Mat, është e pabesueshme, edhe nga diskutimet që pata me banorë atje, nuk mbahet mend ndonjëherë që lumi Mat të jetë fryrë në të tilla përmasa. Për rrjedhojë ka dalë në pjesën e Fushë-Kuqes, dukë vënë në kërcënim rreth 20-30 banesa.

Kur u largova unë, aty ishte ministrja e Arsimit, bashkë me Prefektin dhe me kryetarin e Bashkisë, për të marrë masa për evakuimin. Pra situata po menaxhohet me një përgjegjshmëri dhe me një urgjencë, për mendimin tim, të vlerësueshme.

Ajo që është për të vlerësuar është që po bëhet ç’është e mundur që të mbahet në gjendje të konsoliduar argjinatura e Tales. Aty janë aktualisht 3 ekskavatorë që po punojnë. Pretendohet që fronti atmosferik të zhvendoset. Gjithë parashikimet janë që presioni do të spostohet drejt qendrës dhe jugut. Prandaj unë ditën e nesërme më tepër vëmendjen do ta kem të përqendruar te bordet e kullimit të qarkut të Fierit, Vlorës ku pretendohet të kemi reshje me përmasa të mëdha dhe për rrjedhojë dhe presioni i ujërave do të jetë i madh. Jam optimist që do ta përballojmë mirë situatën, sepse ju e dini të gjithë që në basenin e Vjosës, në pellgun e Vjosës, ne kemi bërë ndërhyrje në 15 pika, ku janë ndërtuar vepra arti gjë që jep një garanci që ujërat e Vjosës do të arrijnë qëndrojnë brenda shtratit të tyre dhe si rezultat i pritave dhe i digave të ndërtuara menjëherë pas përmbytjeve tw vitit të kaluar. Gjithsesi, situata duhet ndjekur në vazhdimësi dhe me vëmendje të madhe për të bërë ç’është e mundur që të minimizojmë ato pasoja që mund të vijnë nga këto reshje të jashtëzakonshme. Kemi pasur bashkëpunim të frytshëm, në sintoni do të thoja, me pushtetin lokal, gjë që na gëzon, për arsye se, në mënyrë që sistemi të funksionojë në mënyrë integrale duhet që të kemi sintoni dhe sinkroni midis ndërhyrjeve që bëjmë në nivel qendror me ndërhyrjet që ndodhin në nivelet e kanaleve dytësore nga pushteti vendor.

 

Kryeministri Rama: Faleminderit zoti ministër! Do plotësoja me lejen tuaj një element që në fakt e diskutuam dhe në një takim të përbashkët që patëm gjatë këtyre orëve, që, faktikisht, duke marrë parasysh volumin e atyre reshjeve deri tani dhe duke abstraguar nga fakti që kemi ndërmarrë operacionin më masiv të pastrimit të kanaleve kryesore dhe atyre dytësore, sikur të mos kishim bërë këtë punë kolosale gjatë këtij viti do të ishim duke u përballur me një situatë shumë më dramatike. Patjetër që kjo është edhe shprehje e faktit që na duhet ende të vazhdojmë këtë punë. Kemi arritur thuajse të pastrojmë 1000 kilometra kanale të cilat na e kanë lehtësuar punën shumë dhe shpjegojnë dhe faktin që sasia e hektarëve të përmbytur është shumë më e vogël se çka do të ishte po të merrnim parasysh të njëjtin volum reshjesh, në kushtet e kanaleve të bllokuara.

Nga ana tjetër, e falënderoj edhe OSHEE-në për punën e jashtëzakonshme për punën që ka bërë, duke ulur në mënyrë shumë të ndjeshme numrin e abonentëve që nuk furnizohen me energji elektrike.

Për më shumë, do të doja fjalën e ministrit të Energjisë lidhur me sigurinë dhe administrimin e kaskadave dhe më pas dy fjalë nga administratori i OSHEE-së për atë që duhet të presin qytetarët në orët në vijim dhe gjatë ditës së nesërme.

 

Ministri Gjiknuri: Vëmendja është përqendruar në dy drejtime: Shpërndarja e energjisë elektrike dhe evitimi i problemeve të mëdha që kanë ardhur për shkak të erërave të forta dhe motit jashtëzakonisht të keq, që kanë detyruar Operatorin e Shpërndarjes të bëjnë ndërprerje të energjisë elektrike, gjithmonë për arsye teknike dhe të sigurisë të rrjetit, që përkthehet dhe në siguri të jetës të qytetarëve. Mbase drejtori do të japë një situatë më të detajuar më vonë, por, të paktën nga të dhënat e orës 18:00 që unë zotëroj, situata është në përmirësim të dukshëm. Pothuajse është përgjysmuar numri i abonentëve të cilëve iu ka munguar energjia elektrike. Kemi disa probleme në Tiranë për shkak të shembjes së një ure dhe ekspozimit të disa kabllove të energjisë elektrike, pranë Institutit të Kamzës. Po bashkëpunohet edhe me forcat e Ushtrisë, në mënyrë që situata aty të vihet nën kontroll dhe të mos ketë rrezik për jetën e njerëzve dhe shumë shpejt të rikthehet furnizimi me energji elektrike. Megjithatë, dua të them, masat e përgjithshme janë marrë. Vihet re një reagim i shpejtë i gjithë grupeve në terren, gjë që konfirmohet, siç u tha pak më parë, edhe nga fakti që hidrovorëve nuk i ka munguar energjia në përgjithësi. Ky është një aspekt jashtëzakonisht pozitiv, që duhet vënë në dukje, se ky fenomen nuk ka ndodhur vite të tjera. Kjo është një masë për shkak të investimeve që janë bërë, por dhe koordinimit të mirë të strukturave të Ministrisë së Bujqësisë me Operatorin e Shpërndarjes. Situata është nën kontroll. Siç u tha këtu dhe u evidentua përmbytjet kanë qënë shumë më të pakta, megjithëse unë jam gjithmonë i parimit, që ne duhet ta kuptojmë që kur ka reshje të mëdha, kur ka prurje, fenomeni i përmbytjeve është normal, sepse sado mirë që të punojnë hidrovorët, kur prurjet janë në një masë të tillë që vijnë për shkak të reshjeve të shumta edhe përmbytje do të ketë.

E rëndësishme është që strukturat shtetërore dhe kapacitetet që janë në dispozicion për të shkarkuar ujin të funksionojnë në mënyrë të plotë dhe në pjesën më të madhe kjo ka ndodhur. Për sa i përket gjendjes së kaskadës, se gjithmonë një merak i përgjithshëm është që ka të bëjë me sigurinë e digave, sepse ato jo vetëm që kanë një rëndësi të madhe kombëtare, por dhe dëmet  e tyre mund të jenë të jashtëzakonshëm nëse siguria e digave nuk ruhet siç duhet.

Siç e raportova dhe gjatë paradites, e në vazhdimësi, komisioni i trajtimit të flotave dhe Sekretariati është mbledhur në mënyrë të vazhdueshme për të parë në përputhje me Rregulloren të gjitha masat që duhen për të mbajtur nën kontroll sigurinë e digave, për të bërë ato shkarkime që quhen të kontrolluara dhe që nuk shkaktojnë kryesisht përmbytje. Në mbledhjen që u bë një ditë më parë u morën vendimet përkatëse, duke u synuar mbajtja e kuotës maksimale të hidrocentralit të Komanit 172 metër, sepse kështu e thotë rregullorja që në këtë periudhë nuk duhet të ngrihet mbi 172 metër, si dhe të Vaut të Dejës në 75 metër mbi nivelin e detit, kuota e dytë.  Aktualisht, situata e fundit që unë kam, Fierza, kemi 1500 metër kub prurje, ku funksionojnë 3 agregatë në punë, që do të thotë po prodhojnë energji, ndërkohë që shkarkimet nga Fierza janë 0, sepse akoma ka hapësirë, pasi kuota është 289.27 metra. Pra ka hapësirë për të rezervuar dhe pak ujë, e për të penguar rrjedhjet, apo shkarkimet e panevojshme që do të rëndonin situatën në hidrocentralin e Komanit. Kurse në Koman, kuota është 172.62 metra. Për këtë arsye po punohet me 2 agregatë për prodhim energjie. 1 agregat nuk është në gjendje pune por do të vihet nesër në gjendje pune, për arsye se për shkak të remontit, sipas projektit të sigurisë së digave dhe rehabilitimit të turbinave në hidrocentralin e Komanit ky agregat ka qënë i mbyllur dhe nesër do të vihet në përdorim. Pra është pjesë e skemës teknologjike për të riparuar agregatin që është në remont duhet që të mos funksiononte ky agregat. Nesër do të vihet dhe një agregat në punë që do të prodhojë më shumë energji. Ndërkohë në Vaun e Dejës, kuota është 75.55 metër dhe prurjet janë 250 metër në sekondë.

Në total, nëse prurjet e përgjithshme janë 3 mijë metër kub, për shkak të reshjeve dhe shkarkimeve kryesisht të përrenjve që derdhen në rezervuarin e Komanit, shkarkimet totale, që përfshijnë prodhimin e energjisë dhe shkarkimet e kontrolluara, janë në total 1760 metër kub ujë, të cilat nuk përbëjnë aspak rrezik për përmbytje masive ashtu siç kemi mësuar të shohim vitet e shkuara.

Këtu dua të theksoj edhe një gjë, që fatkeqësisht ka pasur edhe spekulime politike, si duket shpeshherë politika do mundohet të kapitalizojë edhe me fenomene natyrore, gjoja sikur akuzohet autoritetet publike korporata, të cilat nuk kanë njoftuar për shkarkimet e ujërave apo është shkaktare kryesore e disa përmbytjeve që kanë ndodhur. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Të gjitha vendimet e komisionit janë bërë publik. Korporata elektroenergjetike shqiptare çdo 2 orë përditëson të gjitha strukturat e emergjencave civile dhe të gjitha strukturat lokale në lidhje me shkarkimet e mundshme, kryesisht agregatet çfarë janë në funksionim, përveç atyre në Koman që po punojnë me kapacitet të plotë dhe po prodhohet energji, kjo sjell dhe të ardhura për korporatën. Nga ana tjetër, shkarkimet kanë qënë në nivele të tilla që nuk shkaktojnë përmbytje. Prandaj këto spekulime politike duhet të frenohen. Nuk duhet të përhapin panik në njerëz. Më vjen keq, pasi janë pikërisht këta njerëz që dikur, mbase mbajnë mend kohën e tyre në qeverisje, nuk dua ta politizoj, por kjo është e vërteta, që i urdhëronin hapjet, apo shkarkimet me telefon nga zyrat e qeverisë, ndërkohë që sot kaskada menaxhohet nga profesionistë dhe në përputhje me rregulloren. Dikur këta njerëz urdhëronin me telefon hapjen e portave dhe të nesërmen dilnin për të justifikuar që përmbytjet po ndodhin sepse ky fenomen ndodh një herë në 10 mijë vjet apo është ai rasti apokaliptik që nuk parashikohet. Garantoj popullatën që çdo komunikim, nëse do kemi prurje jashtë niveleve, të cilat mund të parashikojnë ato shkarkimet e kontrolluara, e do detyrohemi të shkarkojmë porta, njoftimet do bëhen në kohë, strukturat do jenë në gatishmëri. Me këto kuota që janë, nuk kontribuojnë në përmbytje të asaj natyre që jemi mësuar të shohim në vitet e kaluara në Ultësirën e Nënshkodrës. Këtë e jap me garanci të plotë.

Nga ana tjetër, kemi aktivizuar të gjitha procedurat për depozitim energjie, shitje të energjisë në treg, pra gjithë prodhimi i energjisë, si dhe njëkohësisht të gjithë nevojat për importin e energjisë, apo nevojat që ka Operatori i Shpërndarjes, po sigurohen nga prodhimi i kaskadës së Drinit. Edhe kjo ndikon në një situatë më të mirë ekonomike për Operatorin e Shpërndarjes. Strukturat janë në funksionim të plotë. Informimi është i vazhdueshëm. Ne do të informojmë popullatën për çdo të papritur, por në nivelet që jemi, i garantojmë ata që nuk do ketë asnjë gjë të pazakontë nisur nga këto kuota e këto prurje që parashikohen për periudhën në vijim.

Do ishte e mirë që të ndalohen spekulimet politike. Mos përfitohet për gjëra që nuk mund të përfitohen. Mos përhapim panik në popullatë, duke i vënë gishtin strukturave që realisht po punojnë për mbarëvajtjen e kësaj situate dhe jo të jenë përgjegjëse për gjëra që varen nga natyra.

Për sa i përket Operatorit të Sistemit të Transmetimit, linjat e tensionit të lartë janë të gjitha në funksionim. Ka pasur vetëm pak ndërprerje, 5-10 minuta, në pjesën e Rrashbullit. Por ato janë vënë në punë përnjëherë. Këto kanë ardhur për shkak të erërave të forta. Era ka qenë gati 50 km/orë në raste të caktuara. I gjithë rrjeti i transmetimit, i tensionit të lartë është në gatishmëri të plotë. Asnjë nga nënstacionet e tensionit të lartë nuk rrezikohet nga përmbytjet, gjë që mund të sillte ndërprerjen masive të energjisë elektrike. Situatën po e monitorojmë. Administratori i OSHEE do të thotë diçka më shumë, por dua t’i falënderoj të gjitha strukturat, sidomos OSHEE dhe grupet në terren, të cilët, edhe në kushte të vështira, kanë arritur të rikthejnë energjinë edhe në zona që kanë qenë shumë problematike pavarësisht se kushtet e motit nuk i kanë favorizuar aspak operacionet e tyre në terren. Këto janë të dhënat më të fundit. Në vijimësi ne do të komunikojmë edhe me zyrën këtu në Kryeministri, po do njoftojmë publikun për të gjitha masat dhe rreziqet e mundshme që mund të paraqiten nga situata të paparashikuara të motit.

 

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit zoti ministër. Është e qartë që as ne dhe asnjë qeveri, apo bashki në botë nuk disponon ndonjë instrument për të ndaluar përmbytjet kur ato vijnë si rezultat i daljes nga parametrat maksimalë të mundësisë së administrimit të infrastrukturës së reshjeve.

Sot jemi dëshmitarë që përmbytje shumë më të mëdha dhe shumë më rrëqethëse sesa kjo e Tiranës ndodhin edhe në qytete shumë më të zhvilluara dhe shumë më të konsoliduara, në pikëpamjen e infrastrukturës dhe gjithë sistemeve të mirëmbajtjes. Mjafton të kujtojmë dhe është diçka që sot ua kam kujtuar edhe disa qytetarëve që herë pas here më kanë sinjalizuar me mesazhet e tyre, pasi ishin, për fat të keq, të bllokuar në autostradë, rastin kur deri në Paris shkoi uji në katin e parë të Muzeut të Luvrit. Pa folur pastaj për rajonin, ku vetëm një shtrëngatë ekstreme në një kohë të shkurtër krijoi gjithë atë kaos dhe gjithë ato pasoja në Maqedoni, apo në Serbi, pak kohë më parë, apo në Itali ku pamjet e këtyre situatave janë bërë të përsëritua, ashtu sikundër janë të tilla edhe në të gjithë zonën e Europës Mesdhetare.

Ajo që ne mund të bëjmë është ajo që po bëjmë, që të ndalemi tek kufiri ku ndahet tërbimi i natyrës nga mundësitë e administrimit. Realisht, deri në këto momente, besoj që, puna e bërë në terren dhe mbi të gjitha i gjithë ky koordinim, si asnjëherë më parë, që po bëhet dhe falë këtij sistemi që ne kemi ndërtuar posaçërisht për situatat e emergjencave flet vetë.

 

Drejtori i OSHEE Adrian Çela: Nga raportimi i fundit që kishim në orën 12:00, situata për sa i përket furnizimit me energji elektrike është përmirësuar ndjeshëm. Kjo në saj të funksionimit edhe të Shtabit që kemi ngritur dhe grupeve që janë në terren. Këto shtabe bëjnë jo vetëm raportimin, por edhe evidentimin dhe koordinimin me struktura të tjera, si Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve, apo Ministria e Pushtetit Vendor. Vlen të përmendet që grupet në terren janë duke punuar në kushte ekstreme. Mjafton të përmend dy raste që janë duke punuar aktualisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Njëri është në zonën e Institutit të Kamzës, ku është shembur ura dhe janë dëmtuar dy fidera, 27, 28 që furnizojnë gjithë zonën e Kamzës dhe Kasharit. Në këto kushte aty aktualisht janë duke u vendosur shtyllat, sepse shtrati i lumit ka dalë, nëse reshjet do lejojnë ata do vazhdojnë edhe gjatë natës të shtrijnë kabullin. Rasti tjetër është ai i fiderit 4 në Shkodër, në zonën e Muriqanit, ku ushtria dhe OSHEE po punojnë me lundrat e ushtrisë për tu shtrirë kabulli, pasi lumi ka dalë nga shtrati. Situata është përmirësuar ndjeshëm. Është garantuar furnizimi i gjithë hidrovorëve. Kjo dhe në saj të investimeve që janë bërë gjatë vitit të fundit në 29 hidrovore. Është garantuar furnizimi i gjithë spitaleve dhe institucioneve të tjera të rëndësisë strategjike. Zonat e qyteteve kanë një furnizim konstant.

Rreth 62 mijë abonentë që në orën 18:00, janë pa energji, numri i fiderave është 47. Këto 47 fidera janë kryesisht në zona rurale ku dhe fiderat janë të amortizuara. 54% e këtyre fiderave janë s’takuar për arsye sigurie. Zona më e prekur është rajoni i Tiranës, konkretisht, zona e Kamzës, Farkës.

Dua të përmend dhe një fakt, i cili ka qenë shumë i shpeshtë, si në javën e kaluar dhe është vënë re dhe në ditën e sotme. Disa nga fiderat siç është rasti i Farkës, janë dëmtuar nga ndërhyrje të kompanive private për punë private, apo hapje rrugësh, e ndërtime banesash. Ky është një shqetësim që ne me ministrin e kemi biseduar gjatë këtyre ditëve. Po përgatisim një strategji për ta ndaluar edhe këtë shqetësim që ka OSHEE, që investimet që bëhen në rrjet na dëmtohen dhe kostot i merr OSHEE.

Zona me rrezikshmëri të lartë kanë qenë dhe zonat e jugut, Gjirokastra, Vlora, Berati, Fieri ku reshje aktualisht nuk ka pasur, por shpejtësia e erës në këto zona ka shkuar deri në 54 km/orë. Periudha më e ngarkuar ka qenë nga ora 12:00-14:00, ku numri i fiderave që dolën jashtë funksionit ishte 197, duke regjistruar rreth 210 mijë banorë pa energji elektrike. Numri tani ka zbritur në 47 dhe situata vazhdon të jetë dinamike. OSHEE ka bërë publik në media e kudo 11 numra telefoni në të gjithë Drejtoritë Rajonale, call center që funksionojnë dhe 1 në Tiranë, funksionojnë 24 orë. Gjithë abonentët për gjithë problematikat që kanë mund të telefonojnë për çdo asistencë që do kenë nevojë. Në garantojmë që grupet e punës do vazhdojnë të jenë në mënyrë të pandërprerë në terren edhe gjatë orëve të natës edhe gjatë ditës në vazhdim. Nëse do ketë përkeqësim të kushteve atmosferike, për arsye sigurie dhe niveli i ujërave arrin rrezikshmëri për jetët e njerëzve sigurisht ne do bëjmë ndërprerje të energjisë elektrike. Iu garantoj qytetarëve që do jemi gjithmonë në funksion të tyre, në gatishmëri.

 

Kryeministri Rama: Faleminderit! Roli i Forcave të Armatosura ka qënë fantastik sot. Realisht operacionet kanë qënë shumë efikase, madje edhe operacionet speciale të evakuimit kanë rezultuar te suksesshme në shpëtimin e jetës së njerëzve. Do të doja të falënderoja ministren që ka qënë vetë në terren. Fillimisht fjalën e Shefit të Shtabit për orët që kanë kaluar dhe pastaj dy fjalë dhe nga ministrja për gatishmërinë për orët vijim.

 

Gjeneralmajor Jeronim Bazo: Në orët që pas mbledhjes së paradites, sikundër u tha dhe nga parafolësit, ne kemi një prezencë të shtuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por kryesisht në Ultësirën Veriperëndimore. Gjithashtu, në ndjekje të porosisë së veçantë të ministrit të Mbrojtjes, ne lëshuam edhe një urdhër tjetër për të rritur gatishmërinë për tu përballur me situatën e përkeqësuar që presim në orët dhe ditën në vijim. Duke qenë në kontakt me qendrën tonë meteorologjike, në mbështetje të asaj që përmendi edhe ministri i Bujqësisë, parashikimi është që fronti atmosferik do të lëvizë në drejtim të jugut dhe ne po marrim masat përkatëse për të qënë të pranishëm në orët dhe ditët në vijim për t’ju përgjigjur situatave të ndryshme. Vëmendja jonë kryesore është për operacionet e kërkim shpëtimit, sikundër e patë dhe operacionin që është i shfaqur në ekran, sado spektakolar dhe fitimtar që duket, më besoni që pas kësaj fotografie ka sakrificë të lartë, ka profesionalizëm, ka dhembshuri njerëzore, durim dhe suksesi që ju e shikoni.

Gjithsesi qendra e rëndesës, zoti Kryeministër, e operacioneve të Forcave të Armatosura është koordinimi dhe komunikimi efikas, pasi sikundër u tha dhe nga parafolësi dhe u theksua nga ju, e rëndësishme është ky sistem që kemi ngritur dhe të ruhet i qartë dhe i pastër zinxhiri i komandimit. Kush bën çfarë. Dhe besoj se këtë radhë duken rezultatet e kapjes së situatës që në fillim, pasi rreziku, ose armiku kryesor nëse do të shprehesha me terminologji ushtarake është kaosi dhe mungesave e prioriteteve kur i adresohemi të tilla çështjeve. Kështu që unë mund të them me bindje që në orët e ditën në vijim, ne do të jemi në gjendje, ose sipas planit kombëtar që kemi dhe bashkë me Drejtorinë e Emergjencave Civile ne mund të trefishojmë katërfishojmë prezencën tonë. Faleminderit.

 

Kryeministri Rama: Faleminderit Gjeneral dhe shpresojmë që të mësojmë nga ju në vijimësi për tu ngritur në nivelin e qartësisë strategjike që ju e keni për shkak të detyrës dhe të koordinimit që ju në ushtri e keni bukën e përditshme.

 

Ministrja Kodheli: Shumë shkurt nuk dua të përsëris parafolësit. Thjesht dua të falënderoj gjithkënd për bashkëpunimin, një falënderim i veçantë, më lejoni dua ta tejçoj tek ju për alterimin që ministrja Nikolla, por edhe ministri Panariti bëri për situatën e fundit në Lezhë dhe në Shën Koll. Në këto momente që po flasim, me komunikatën e fundit të para treçerek ore që ka ardhur tek unë, në Lezhë ka 30 efektive të Forcave të Armatosura, 3 agregatë, mjekë të kapaciteteve të larta, ka 5 mjete të tilla në Shën Koll dhe 10 efektivë për gjithë atë problematikë për shkak edhe të argjinaturave që rrezikonin të dëmtoheshin atje. Unë thjesht dhe vetëm dua të rifalenderoj Qendrën e Bashkuar Operacionale të Forcave të Armatosura, komandën mbështetëse, forcën tokësore sidomos, batalionin e parë të këmbësorisë së Vaut të Dejës, drejtoritë e Shtabit, drejtoritë e përgjithshme në Ministri dhe në mënyrë të veçantë Forcën Ajrore, repartin e pilotëve, të cilët sot në një mënyrë spektakolare, ashtu si gjenerali e tha të rrezikshme për jetën dhe të trupës që ka qënë brenda në helikopter kanë mundësuar shpëtimin e jetës së një nëne shtatzënë dhe të një fëmije të vogël. Kështu që i falënderoj edhe një herë për bashkëpunimin. Ne kemi bërë planin tonë për ndërhyrjet në të gjithë vendin, bazuar edhe në të dhënat e fundit meteorologjike dhe do të vazhdojmë t’i mbetemi këtij komunikimi dhe këtij plani. Unë ju falënderoj.

 

Kryeministri Rama: Faleminderit zonja ministre. Është me shumë rëndësi që plani për orët në vijim dhe për nesër duke marrë parasysh edhe spostimin e mundshëm dhe të parashikuar të motit të keq drejt zonës jugore është tanimë operacional. Ndërkohë që ministri i Transportit dhe Infrastrukturës është në terren. Aty në atë aspekt po bëhet aq sa është e mundur, por do të doja që zv/ministri të bëjë një përshkrim sintetik dhe nëse ka elementë që njerëzit që na ndjekin duhet t’i kenë në konsideratë duke pasur parasysh pika të nxehta në akset rrugore.

 

Zv/ministri i Transporteve, Bahri Shaqiri: Të gjitha strukturat e ministrisë së transporteve dhe infrastrukturës janë në terren dhe po funksionojnë në mënyrë të pilotë. Situata në rrugë në të gjithë qarqet e vendit, ku është problematikë është paraqitur në materialin e zyrës së ZOS. Kanë filluar të ketë probleme në Rrugën e kombit. Në fushën e skarpateve që analizuar para pak kohësh si pasojë e reshjeve kanë filluar të rrëshqasin. Të gjithë kompanitë e kontaktuara po punojnë me forca dhe mjete të shtuara për pastrimin e aluvioneve dhe situata ndodhet më e mirë. Për sa i përket situatës së ujësjellësve përveç ujësjellësit të Tiranës, është e qetë. Nuk ka probleme dhe është në ndjekje të vazhdueshme. Gjithashtu, jemi në koordinim të vazhdueshëm me pushtetin lokal, përsa i përket situatës së digave. Janë 61 diga që administrohen nga pushteti lokal dhe me pak kujdes, besoj që nuk do të ketë probleme. Për sa i përket situatës në porte ka patur vetëm një problem në Portin e Vlorës. Është dëmtuar një kalatë, por tragetet kanë funksionuar në rregull. Për sa i përket situatës në aeroportin e Rinasit, ka patur thjesht vetëm vonesa si pasojë e vonesës së udhëtarëve, ngaqë ka qënë e bllokuar autostrada. Do të jemi edhe për ditën e nesërme në funksion të plotë për të menaxhuar situatën me forca të shtuara.

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit. Ka rëndësi që ndërkohë të përgjithësohet një inventar i pikave të nxehta për të futur eventualisht edhe forca të tjera në mbështetje për të bërë pastrime dhe pastaj për të pasur gati planin e ndërhyrjes riparuese.

 

Drejtori i OSHEE Ardian Çela: Siç thash më parë që situata është dinamike dhe grupet janë në terren, përmirësimi i situatës ndihet dukshëm. Nga raportimi para një ore, kam një raportim tjetër, ku numri i fiderave nga 47 ka zbritur në 34 dhe numri i abonentëve që janë pa energji nga 64 mijë në 50 mijë. Kjo situatë vazhdon të përmirësohet. Në qytetin e Tiranës ku paraqitet gjendja më dramatike, më e lënduar numri i fiderave ka zbritur në 11 që kanë pa furnizim energji elektrike. Pra, grupet në terren po vazhdojnë të punojnë.

 

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit dhe besoj që një përmbyllje të të gjithë kësaj dite komunikimi, por edhe në funksion të vazhdimit të mëtejshëm të gjithë operacionit të koordinuar dhe të ndjerë në kohë reale nga ZOS këtu në Kryeministri duhet ta bëjë ministri i Brendshëm të cilin, po ashtu, dua ta falënderoj, pasi ka pasur në vëmendje prej disa ditësh këtë situatë dhe faktikisht, duke qënë se dhe barra kryesore bie mbi trupat e Policisë së Shtetit dhe mbi strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme e para ndër të gjitha Drejtoria e Emergjencave të Përgjithshme, Emergjenca Civile, fakti është që deri tani mund të themi se ka një kontroll të përgjithshëm dhe të detajuar, por është me rëndësi që të dëgjohet nga vetë goja e ministrit dhe sigurisht ta dëgjojnë këtë qytetarët që na ndjekin për çfarë duhet pasur parasysh në orët në vijim dhe gjatë ditës së nesërme.

 

Ministri Tahiri: Faleminderit Zoti kryeministër kolegë dhe pjesëmarrës! E thanë disa nga parafolësit, dua ta theksoj dhe unë jo sepse vlen për shpjegimin e situatës, por na shërben mbi të gjitha ne dhe qytetareve për ti kujtuar pse gjendemi në të tilla situata që nuk janë vetëm për shkak të natyrës dhe kapriçove të pazakonta ndonjëherë, por edhe për shkak të gabimeve të trashëguara me sjelljen tonë të vazhdueshme, në vitet e kaluara me mjedisin dhe me zhvillimin urban. Erioni, Kryetari i Bashkisë së Tiranës e përmendi pak.

Unë kam qenë në disa nga zonat kryesore të Tiranës ditën e sotme dhe fatkeqësitë të mëdha lidhur me pasojat, kryesisht pasuri, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës kryesisht, por dhe të shirave të rrëmbyeshëm, vjen për shkak të ndërtimeve të pamenduara dhe abuzive në shtretërit e lumenjve. Ndaj, ndoshta konkluzioni i parë që nxjerr unë, kemi nxjerrë të gjithë ka të bëjë me marrjen e masave afatgjata lidhur me më së pari ligjin për sigurimin nga katastrofat që është një ligji i domosdoshëm e që disiplinon jo vetëm mundësinë për të garantuar jetën, shëndetin dhe pasurinë e qytetarëve, por mbi të gjitha për të parandaluar nga sot e tutje përsëritjen e këtyre situatave.

U theksua që nga data 4, të gjitha shtabet e emergjencave janë në gatishmëri, në çdo qark. Unë dua të falënderoj prefektin, dua të falënderoj pushtetin vendor, dua të falënderoj gjithë institucionet për kontributin e pamasë. Duket si slogan, por në fakt është ekzaktësisht kështu, i gjithë shteti është në këmbë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të parandaluar humbjen e jetëve, dëmtimin e shëndetit apo të pasurisë të qytetarëve shqiptarë.

Janë deri tani, 2 viktima të regjistruara, pavarësisht se me të drejtë drejtori i emergjencave civile bëri ndarjen e shkaqeve. Viktima e regjistruar në Tiranë sipas hetimeve është për shkak të rrjedhjes së vrullshme të lumit të Tiranës, ndërsa në qarkun e Dibrës për fat të keq bëhet fjalë për  pakujdesi të tepruar nga viktima.

Gjithsesi në këtë rast pasojat janë shumë më minore se sa do ishin në të kaluarën për të njëjtën situatë që jemi. Kjo për shkak të parashikimit, të organizimit paraprak, të koordinimit të shkëlqyer ndërmjet të gjitha agjencive që kanë kontribut në përballimin e emergjencave civile dhe dua ta theksoj, për shkak  të pjesëmarrjes.

Qytetarët shqiptarë si kurrë më parë deri më sot, kanë qenë pjesëmarrës, në ndarjen në mënyrë solidare të kësaj barre të përbashkët për përballimin e kësaj emergjence. Kjo, falë informacionit, falë kontributit të të gjitha institucioneve në informimin e publikut dhe qytetarëve, falë dhe domosdoshmërisë dhe vetëdijes për të përballuar bashkë këtë situatë, në çdo qytet të Shqipërisë. Mjafton të theksoj faktin që janë mbi 6000 njoftime të qytetarëve brenda pak orësh në ditën e sotme, në numrin e emergjencës 112, lidhur me situata të  veçanta, kritike, të rrezikut për vetë ata, për jetën e tyre apo për komunitetin vendor ku jetojnë. E theksoj këtë sepse është element themelor pjesëmarrja e qytetarëve në përballimin e këtyre situatave. Pra nëse i gjithë shteti është në këmbë, shoqëria është po ashtu në këmbë, sot, për përballjen e kësaj situate. Nesër, dhe në orët në vazhdim, vijon e njëjta situatë, u theksua e u përsërit nga disa prej parafolësve. Presim që emergjencat të zhvendosen në qarqet jugore të  Shqipërisë, të qendrës e jugore, kryesisht Elbasan, Fier, Vlorë, Gjirokastër. Ndaj dhe fokusi ynë kryesor do jetë nga njëra anë për përballimin e emergjencës imediate në këto qarqe dhe nga ana tjetër për  riparimin e dëmeve në qarqet ku sot u vërejt problematikë e theksuar.

Unë do doja të përsërisja domosdoshmërinë për tu bërë bashkë me qytetarët nga njëra anë dhe për të pasur njoftim për çdo situatë emergjente. Këtu dua të falënderoj edhe mediat të cilat kanë ndihmuar jo pak në krijimin e një pikture të  përgjithshme për situatat e emergjencës në çdo qytet nga njëra anë, e nga ana tjetër në pasqyrimin e çdo problematike, duke krijuar dhe vetëdijen tonë apo edhe përgjigjen tonë më imediate. Dua të theksoj nevojën që t’i bëj thirrje edhe një herë qytetarëve që të shmangin lëvizjet e të minimizojnë në maksimum lëvizjet në gjithë Shqipërinë e veçanërisht në qarqet që theksova. Kjo sepse, nga njëra anë duhet të tregohemi të vëmendshëm për të mos rrezikuar jetën e shëndetin, por nga ana tjetër duhet të kontribuojmë, duke mos shtuar kaos, atëherë kur për shkaqe natyrore apo për shkaqe të emergjencave të tilla, kaosi është një nga sfidat kryesore, siç e tha edhe Gjenerali.

E rëndësishme është që qytetarët në zonat e prekura nga prezenca e ujit sot, të jenë të vetëdijshëm që nuk kanë nevojë, madje shton konfuzion rezistenca për evakuim. Është shteti që në këtë rast merr barrën e përgjegjësinë për të garantuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve e po kështu, barrën e përgjegjësinë për të garantuar pasurinë e qytetarëve.

Evakuimi është një masë e domosdoshme për të garantuar pikërisht këto. Për ne është pasuri më e vyer jeta dhe shëndeti i qytetarëve ndaj të gjitha rastet e evakuimit janë detyrimi ynë kryesor për  të garantuar jetën e vetë personave që rrezikohen më së shumti e që  fatkeqësisht edhe sot pati raste të refuzimit të evakuimit për shkaqe të mosbesimit historik ndaj institucioneve në vendin tonë. Këto janë masa të detyrueshme që duhen ndërmarrë. Ndaj unë do i bëja thirrje qytetarëve, mbi të gjitha të mos tregohen indiferentë e të konsiderojnë çdo rrezik si rrezik potencial për të shkaktuar dëme të mëdha, pa neglizhuar asnjë rrëke uji apo asnjë situatë rreziku të mundshëm lidhur me pasurinë, shëndetin dhe jetën e tyre. Çdo institucion është në këmbë dhe në gatishmëri të plotë për të bërë evakuimin e qytetarëve në rrezik.

Sot në momentin që flasim janë mbi 3500 forca në dispozicion vetëm për evakuimin dhe përgjigjen e rasteve të emergjencës së lartë. Pra kjo është vetëm për evakuimin dhe emergjencën e lartë. 3500 forca në dispozicion, për çdo qytetar, në çdo cep të Shqipërisë që mund të shmangin për sa është e  mundur pasojat në shëndet dhe në jetën e qytetarëve. Por është e rëndësishëm që edhe gjatë orëve në vijim dhe mbi të gjitha gjatë ditës së nesërme të shmangen maksimalisht dhe të minimizohet maksimalisht lëvizja e qytetarëve në akset nacionale, por edhe në zonat urbane, pasi kjo shton kaosin nga njëra anë dhe rrezikun nga ana tjetër.

Do të vazhdojë me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërprerja e mësimit, unë e dëgjova dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës e do këshilloja që përveç rasteve të domosdoshme edhe ndërprerja e mësimit të aplikohej edhe për kopshtet dhe çerdhet, sepse është e nevojshme që pavarësisht masave që janë marrë me rikonstruksionin e kopshteve dhe çerdheve dhe evitimit të situatave të përmbytjes në oborret e tyre është e nevojshëm të shmangen trafiku, lëvizja e popullsisë, lëvizja e qytetarëve, në mënyrë që të kemi një kontroll sa më të mirë dhe hapësirë sa më të madhe për të pasur lëvizjen e forcave dhe garantimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve. E njëjta gjë dhe në gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Falënderoj ministren e Arsimit, ajo tani është në Kurbin, por e falënderoj për gatishmërinë për t’iu përgjigjur emergjencës lidhur me shkollat, kopshtet dhe çerdhet dhe i bëj thirrje prindërve të tregohen të kujdesshëm, lidhur dhe me shoqërimin e fëmijëve edhe me marrjen e masave për të mos u ekspozuar ndaj rrezikut.

Pak a shumë, kjo është situata sot dhe kjo pritet të jetë situata nesër. Numrat e emergjencës janë aty, me staf të shtuar për t’iu përgjigjur thirrjeve të qytetarëve, jo vetëm për nevojat që ata kanë, por dhe për shqetësime të tjera që lidhen me komunitetin e tyre. Rezervat e shtetit janë në gatishmëri të plotë. Dua ta theksoj këtë sepse kjo i përgjigjet një situate fare të pakëndshme që kemi trashëguar në të kaluarën. Sot rezervat e shtetit janë në gatishmëri të plotë dhe në gjendje mjaftueshmërisht të mirë për t’u përballur me çdo emergjencë, jo në shkallën që jemi sot, por edhe në një shkallë shumë më të gjerë që shpresoj të mos vijë. Janë diku tek 35 familje që janë të akomoduar në shkollën “Gramoz Palushi” në Paskuqan, dhe rezervat e shtetit kanë marrë të gjitha masat për akomodimin e tyre dhe ushqimin e tyre gjatë gjithë kohës që do të zgjasë emergjenca. Kjo vlen për të gjithë Shqipërinë, ndaj janë marrë masat paraprake dhe të domosdoshme për ti dhënë zgjidhje çdo situate emergjence. Faleminderit!

 

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit! Besoj se sidoqoftë, pavarësisht parashikimeve për një spostim të gravitetit të gjendjes kritike drejt zonës jugore, duhet të ruajmë maksimumin e gatishmërisë në gjithë territorin, pasi parashikimet janë parashikime. Deri tani kanë dalë të sakta, por mund të mos jenë gjithmonë të sakta. Aty ku situata është e lehtësuar dhe nëse moti nesër do ta lejojë, duke filluar nga Tirana duhet filluar menjëherë një operacion solidariteti për çdo familje të prekur, po kështu dhe në pjesë të tjera të territorit.

Padyshim që emergjencat duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me bashkitë edhe për këtë aspekt, pra flas për bashkitë tanimë të prekura, për çdo familje dhe në fshatin më të largët që të ketë një asistencë solidare kudo ku është nevoja. Patjetër, që dhe në orët në vijim, do të jemi në gatishmëri ne këtu të paktën, ndërkohë që nesër anëtarët e qeverisë do të vazhdojnë në terren dhe shpresojmë që gjërat të vazhdojnë me këtë disiplinë dhe me këtë koordinim.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.