Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri:

Jam sot para jush për t’i njoftuar opinionit publik vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave për miratimin e zonave të rrezikshme minerare dhe programit të ri 3 vjeçar të aktivitetit minerar në vend.

Vendimi rishikon dhe përcakton 62 zona të rrezikshme minerare, kryesisht në Bulqizë dhe në Batër, në të cilat do të jenë të ndaluara dhënia e lejeve dhe ushtrimi i aktivitetit minerar. Konkretisht, në rajonin krommbajtës të Bulqizës do të ndalohet ushtrimi i aktivitetit minerar në një pjesë të zonës D, e cila konsiderohet me rrezikshmëri për jetën e punonjësve.

Përcaktimi i zonave të rrezikshme do të rrisë sigurinë për jetën e minatorëve. Do të revokohen tërësisht lejet kur në këto zona shfrytëzohet minerali dhe kur bie në pjesën e zonës së rrezikshme minerare. Gjithashtu do të revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre  të shfrytëzimit janë të vendosura në një pjesë të zonës së rrezikshme minerare. Në total janë rreth 18 leje, të cilat do të revokohen, duke pasur si objektiv kryesor rritjen e sigurisë në punë dhe ndalimin e aktivitetit të pjesshëm në zonën e rrezikshme.

Në koordinim me Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës do të bëhet monitorimi i këtyre zonave të rrezikshme dhe do të ndalohet çdo aktivitet ilegal që cenon jetën e qytetarëve.

Dua të kthehem edhe te gjendja në të cilën e trashëguam sektorin minerar, përtej akuzave që ngrihen. Në vitin 2005 rezultonin rreth 430 leje minerare, përpara dy vjetësh gjetëm mbi 800 leje minerare, të gjitha të lëshuara në mënyrë kaotike dhe me një fragmentim të tejskajshëm. Qeveria e Partisë Demokratike u tregua e papërgjegjshme në trajtimin e kësaj industrie, duke dyfishuar dhe parcelizuar në mënyrë kriminale zonat minerare.

Pavarësisht se në industrinë minerare në të gjithë botën ndodhin aksidente, ky shfrytëzim barbar në tetë vitet e qeverisjes së djathtë përkeqësoi situatën, duke marrë jetën e dhjetëra minatorëve, cenoi themelet e sigurisë në punë, mbolli konflikte, të cilat e kthyen kryesisht Bulqizën në një Far West shqiptar, çka rëndoi më keq bilancin e viktimave brenda dhe jashtë minierave.

Hapi i parë që ndërmorëm ishte rikthimi i kontrolleve periodike në këtë zona minerare. Fillua procesin e kontrollit individual për secilin subjekt, jo vetëm në aspektin e plotësimit të kritereve të sigurisë në punë, por edhe sa i takon zbatimit të detyrimeve financiare që kishin karshi shtetit. Revokuam mbi 200 leje minerare, të cilat nuk respektonin kriteret teknike, si dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit, ndërsa janë në procedurë heqjeje edhe 32 leje të tjera. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre, qindra subjekte të tjera, deri në plotësimin e kushteve të sigurisë.

Përmes ndërhyrjeve ligjore që bëmë vjet i dhamë zgjidhje problemit të konfliktit mbi rrugët e kalimit në galeritë minerare. Ashtu sikurse eliminuam fenomenin e mbivendosjeve, duke revokuar 20 leje minerare.

Ndaluam shfrytëzimit e sterileve. Të gjithë i mbani mend para dy vitesh, pamjet e grave dhe të fëmijëve që shfrytëzoheshin njësoj si hienat tek sterilet minerare, të cilat tashmë ky aktivitet është plotësisht i ndaluar dhe nuk funksionon më.

Vumë nën kontroll ndryshimet e herëpashershme të kufijve të zonëve minerare, duke i vënë fre, zgjerimeve të pakontrolluara; Kemi sanksionuar me ligj rehabilitimin progresiv mjedisor, duke detyruar subjektet të ngrinë fondin për kthimin mjedisit në gjendjen e mëparshme. Janë mbyllur 119 galeri të braktisura për vitin 2015 dhe janë planifikuar të mbyllen 64 të tjera.

Ndryshe nga qeverisja  e mëparshme që i la në mëshirë të fatit, kjo qeveri e mbajti premtimin për minatorët. Ulja me 5 vjet e daljes së moshës në pension apo dyfishimi i pensioneve për 3840 minatorë, sot është një realitet. Fatkeqësisht edhe gjatë këtyre dy viteve ka pasur viktima gjatë aktivitetit minerar, megjithëse aktiviteti minerar duhet të pranojmë që është një aktivitet me rrezik të shtuar dhe një industri që gjithmonë ka viktima. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të venë rregull në këtë sektor të nxjerrë plotësisht jashtë binarëve gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike.

Ju e dini se konjuktura aspak e favorshme e çmimeve te mineraleve në tregun botëror ka bërë që të ulet kërkesa për mineralet shqiptare.

Gjithsesi paralelisht me forcimin e masave të sigurisë në punë po punojmë intensivisht për zhvillimin e sektorit në tërësi dhe të industrisë përpunuese në veçanti. E pikërisht është i bërë i mundur fillimi për herë të parë pas shumë kohësh në koncesionarin më të madh të Bulqizës, investimi për pusin e thellë të Bulqizës dhe zgjatja e jetës së minierës, pra për shkak të intensitetit të kontrolleve dhe detyrimin që ndoqi kjo qeveri ndaj këtij koncesionari kryesor.

Vazhdon puna për hapjen e tranverbankut të Qaf Buallit dhe tranverbankut të Klosit që shërben për shkarkimin e të gjitha ujërave të vendburimit të Bulqizës. Gjithashtu janë investuar mbi 3 milion dollarë të tjera në impiantin e seleksionimit të kromit në Klos, Uzinën e Ferrokromit në Burrel, si dhe Uzinën Ferrokromit në Elbasan.

Është rritur 35 % sasia e ferrokromit të prodhuar, të krahasuar me vitet e mëparshme të qeverisjes. Pritet të ketë investime në sektorin e bakrit në minierat e Perlatit dhe të Spaçit.

Gjithashtu priten investime në minierën e bakrit të Rehovës dhe atë të hekur-nikelit në Myc, Mamëz, Kukës. Këtë vjeshtë do të vihet në punë fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash, ku janë investuar rreth 7 milionë dollarë.

Nisur nga situata e trashëguar rivendosja e ligjshmërisë në sektorin minerar është një proces i vështirë, por qeveria është plotësisht e vendosur për ti shkuar deri në fund.

Përmes masave të marra dhe atyre që do të ndërmerren në vazhdim shpreh bindjen se po ecim në rrugën e duhur për rritjen  e sigurisë shtimin e investimeve, rritjen e eksporte

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.