Një tjetër konkurs ndërkombëtar po zhvillohet në Tiranë, këtë herë për rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi”. Sot janë paraqitur projekt-idetë arkitekturore nga gjashtë skuadrat finaliste. Konkursi, i cili ka për qëllim modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij objekti të rëndësishëm, ka tërhequr pjesëmarrjen e arkitektëve dhe studiove të njohura nga e gjithë bota.
Projektet do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga ekspertë të njohur të fushës, të cilët do të vlerësojnë kreativitetin, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e ideve për t’i dhënë Pallatit të Sportit jo vetëm një pamje moderne, por për ta bërë një pikë referimi të garave sportive europiane.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!
Jemi edhe një herë përsëri në një kohë shumë të shkurtër, në një tjetër konkurs ndërkombëtar për një tjetër ide të kahershme dhe projekt shumë ambicioz, rilindjen e pallatit të sportit Asllan Rusi i cili ka qenë një pikë referimi në një histori të gjatë përpjekjesh dhe sfidash sportive dhe që sot, në një kohë të re, meriton një formë të re, një forcë të re dhe një vëmendje të re.
Unë besoj se skuadrat finaliste të këtij konkursi do na vënë përsëri në pozitë të vështirë për të përzgjedhur projektin më të mirë sepse janë të gjitha skuadra me talente të jashtëzakonshme dhe me kapacitete të provuara në shumë vende të tjera. Janë skuadra, një pjese e të cilave punon aktualisht dhe në Shqipëri dhe ne jemi shumë krenar për këtë, por kam besim që me jurinë ndërkombëtare që kemi krijuar edhe këtë herë do t’ia dalim që të bëjmë një gjykim ashtu si duhet.
Nuk dua të humbas më tej kohën e konkursit. Dua të shpreh njëkohësisht kënaqësinë që në sallë shoh disa nga protagonistet e mëdhenj të kohës kur pallati i sportit gëlonte nga kompeticioni, nga shpirti i garës, nga tifozët dhe kam shumë besim që me këtë projekt do t’i rikthejmë ata, por do të rikthejmë dhe pikërisht atë frymë dhe atë energji të pazëvendësueshme të hapësirës së Asllan Rusit ku jam shpresëplotë se gjithë lëvizja e re sportive që kemi krijuar në të gjitha shkollat dhe që po rritet vit pas viti me pjesëmarrjen e mbi 12 mijë fëmijëve, vajzave dhe djemve nën kujdesin e Komitetit Olimpik Shqiptar, do të furnizojë këtë pallat sporti me prurje të reja dhe me talente dhe yje të reja.
Nga ana tjetër, Shqipëria sot është në kohën kur synon shumë lartë edhe në aspektin e pjesëmarrjes në kompeticione ndërkombëtare. Zhvillimi i finales së Konferencë Ligës në futboll ishte një kulminacion i një larmie aktivitetesh ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri dhe synimi për të luajtur në Shqipëri finalet e Kupës së Kampioneve të Europës apo të Superkupës Europiane edhe në basketboll apo në volejboll nuk është i paarritshëm dhe ndërkohë që ne kemi pasur kontakte me federatat ndërkombëtare dhe janë interesuar dhe për kapacitetet, ky projekt, ky pallat sporti që shpresoj ta realizojmë në një kohë të arsyeshme do të na japë mundësinë që të kemi një kandidaturë shumë të besueshme të Shqipërisë për të pasur këtu edhe finale apo ndeshje të atyre niveleve më të larta eurpiane.
Shumë faleminderit edhe një herë. Faleminderit finalistëve për besimin. Faleminderit për angazhimin për projektet e tyre, faleminderit për kontributet e paçmuara që japin këtu në Tiranë dhe në Shqipëri me angazhimin e tyre dhe faleminderit dhe miqve dhe të ftuarve të tjerë që janë të pranishëm sot në këtë garë që jam i bindur që do jetë tërheqëse dhe emocionuese. Faleminderit shumë!