Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përfundimit të restaurimit të Parkut të Apolonisë:
Mirdita të gjithëve!
Është vërtet një moment kënaqësie dhe krenarie, ky moment sot, kur sëbashku jemi këtu për ta shpallur të shpëtuar këtë Park fantastik dhe për ta hapur për publikun shqiptar e për vizitorët e huaj, si një tjetër derë krenarie për dinjitetin tonë kombëtar dhe pasuritë e jashtëzakonshme që na lanë qytetarët tanë, si pjesë e qytetërimit mesdhetar.
Nuk do t’ia dilnim dot, nëse ky projekt ambicioz nuk do të kishte pasur përkujdesjen e veçantë të profesor Pirro Thomos, i cili meriton duartrokitje më shumë sesa ministrja e Kulturës dhe unë.
Patjetër, edhe përkujdesin maniakal të një tjetër njeriu të rëndësishëm të kulturës tonë bashkëkohore, Maks Velos, që e përshëndes me shumë kënaqësi për praninë e tij këtu. Një prani që më siguron njëkohësisht se gjërat janë bërë më së miri, sepse po të mos kishte ndodhur kështu, Maksi nuk do të vinte.
Por edhe falë ndjeshmërisë dhe gatishmërisë së ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, e cila vjen nga një vend mik dhe fqinj, Kroacia, ku çka ne po përpiqemi të bëjmë sot, është bërë kohë më parë dhe mbi thesaret e trashëgimisë kulturore është ndërtuar edhe një pjesë e konsiderueshme e mirëqenies së Kroacisë. Për këtë arsye dua ta falenderoj edhe ambasadoren, e cila ishte vërtetë shumë e interesuar dhe krijoi mundësinë që ky projekt të merrte një mbështetje financiare nga Bashkimi Europian. Më në fund ia dolëm që Bashkimi Europian të mos financojë vetëm burgje dhe gjithë infrastrukturën e ‘represionit’ shtetëror, por të fillojë të financojë edhe infrastrukturën e mirëqenies shpirtërore, që sjell edhe mirëqenie ekonomike.
Dhjetë vjet më parë, drejtuesit e Parkut Kombëtarë të Apolonisë dhe grupi arkeologjik i shpëtimit që vepronte në këtë zonë dhanë një alarm tronditës për shkatërrimin e këtyre vlerave. Me një shqetësim të madh, ata shkruanin se dëmi i shkaktuar është i madh dhe nisur nga përcaktimi arkeologjik, përveç vlerës materiale, dëmi ka një vlerë të madhe e të parikuperueshme të trashëgimisë historike e kulturore. Jemi të gjithë dëshmitarë dhe për këtë kemi dëshmitar të pakontestueshëm edhe priftin, se kërkimet dhe grabitjet ecën paralelisht në gjithë zonën që përfshinë grykën midis kodrave të Apolonisë. Bëheshin ditën për diell kërkime që ishin grabitje dhe grabitje që dukeshin si kërkime. Ndërkohë askush nuk e vinte ujin në zjarr për vite e vite të tëra.
Në vitin 2009, një prej të përditshmeve Europiane, e përshkruante kështu gjendjen në këtë Park të jashtëzakonshëm: “Janë disa shtylla druri që mbajnë ende në këmbë një nga kishat më të vjetra në vend, atë të Shën Mërisë në qytetin antik të Apolonisë. Objekti është i shkatërruar dhe mund të rrëzohet nga çasti në çast”.
Kur erdha këtu, sëbashku me ministren dhe drejtorin e Institutit, për një inspektim paraprak, e dëgjova nga goja e prifti se çfarë binte jashtë, hynte brenda, në një kishë që është një nga perlat e gjithi trashëgimisë tonë kulturore në rang republike.
Për fat të mirë, ndryshimet e 2013-ës sollën dhe ndryshimin e qasjes ndaj gjithë trashëgimisë sonë kulturore dhe gjithë këtyre thesareve të mbetura në mëshirë të fatit, pjesë e të cilave edhe Apolonia. Në janar të vitit 2016 nisi projekti që sot është i përfunduar, edhe pse vetën si fazë e parë, pasi ka ende një fazë tjetër ku do të rindërtohet infrastruktura përreth. Njerëzit do të kenë mundësi që nga një portë e re hyrëse që lidhet me by-pass-in e Fierit të mund ta vizitojnë lirisht Apoloninë.
Ky projekt që bazohet në financimin e Komisionit Europian është në fakt ndërhyrja e parë, pas 30 vjetësh pa asnjë ndërhyrje dhe pa asnjë kujdes për këtë mrekulli. Është një ndërhyrje kuptimplotë që jo vetëm i jep fund kërcënimit mbi trashëgiminë e jashtëzakonshme të kësaj zone, por i jep gjithë qarkut të Fierit në veçanti, por edhe më gjerë, një tjetër instrument të pazëvendësueshëm zhvillimi ekonomik e social.
Ne jemi shumë të lumtur që ky projekt dhe serioziteti me të cilin u zbatua përbën edhe një shembull kuptimplotë për të mundur që të kërkojmë më shumë nga miqtë dhe nga partnerët tanë dhe për fat të mirë, Bashkimi Europian do të investojë deri në vitin 2020 rreth 12 miliardë euro në një zonë të gjerë që përfshin Ballkanin dhe Turqinë. Një pjesë e mirë e këtyre investimeve lidhet me kulturën, me trashëgiminë kulturore dhe identitetin europian të gjithë kësaj zone.
Masterplani i përgatitur për Parkun Arkeologjik të Apolonisë është i plotë dhe ne nuk na mbetet vetëm ta çojmë atë drejt zbatimit përfundimtar, duke pasur parasysh se ka ende elementë që kanë nevojë për ndërhyrje, duke qenë të bindur se kompletimi i gjithë këtij masterplani do të jetë edhe një shtysë jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për rritjen e kapaciteteve njerëzore në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në funksion të studimeve mbi trashëgiminë kulturore dhe të një rilindjeje të plotë të gjithë kësaj fushe, ku për 20 e kusur vite u bënë dëme të pallogaritshme.
Nuk dua të hyjë në detaje për gjithë elementët e këtij Parku, edhe pse janë të përshkruara gjerësisht në dokumentin e përgatitur nga ekipi i Ministrisë së Kulturës, por dua vetëm të nënvizoj domosdoshmërinë e vazhdimit të mëtejshëm në këtë drejtim dhe e përpjekjes për të bërë një ndryshim në mendësinë e njerëzve, që investimet në kulturë i shohin si investime në luks apo në gjëra qejfi, si investime që nuk përkojnë me prioritetin themelor të rritjes ekonomike, të rritjes së mirëqenies.
Në fakt, e kundërta është e vërtetë.
Njerëzit që gabimisht turren të thonë me vrap se “njerëzit s’kanë bukë dhe ju merreni me monumente kulture”, duhet të kuptojnë se çdo monument kulture i restauruar është rritje ekonomike. Çdo monument kulture i kthyer në identitet dhe i aksesueshëm për publikun është rritje e mirëqenës. I gjithë rrjeti i monumenteve të kulturës, që, fatmirësisht, Shqipëria e ka endë shumë të pasur, pavarësisht dëmtimeve të jashtëzakonshme që janë bërë në çerek shekulli pa shtet, është në fakt një rrjet më vete, i pazëvendësueshëm, për të fuqizuar ekonominë dhe për të rritur mirëqenien, duke rritur edhe punësimin.
Nëse ne flasim për turizëm dhe nëse të gjithë biem dakord se turizmi është një motor i zhvillimit të ekonomisë, atëherë duhet kuptuar që turizmi nuk është deti, dielli dhe mali. Turizmi ka si komponent themelor të vetin, aty ku vende e kanë fat ta kenë, trashëgiminë kulturore. Rritja e numrit të njerëzve që frekuentojnë zonat e trashëgimisë kulturore, apo monumente të veçanta kulture është drejtpërdrejtës rritje e konsumit në ato zona, rritje e drejtpërdrejtë e kapaciteteve të mikpritjes, e kapaciteteve hotelerike dhe edhe e punësimit, sëbashku me rritjen e të ardhurave.
Ka të dhëna shumë të thjeshta për këtë. Pasi ne kemi ndërhyrë në funksion të programit tonë kombëtar të Rilindjes Urbane, që është një program i kombinuar mes përmirësimit cilësor të hapësirave publike, kryesisht duke filluar nga qytete që kanë më shumë trashëgimi si Berati, Gjirokastra, Kruja, Korça, Fieri e me radhë, kemi parë shifrat. Ja tre shifra që janë shumë kuptimplota;
Në Gjirokastër, numri i vizitorëve dhe këtë ne e matim me numrin e vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, duke pasur parasysh që gjithkush që shkon në Gjirokastër është një turist e patjetër viziton Kalanë, ka qenë 6900 njerëz në vit në vitin 2013 dhe në vitin 2016 ishte 46200. Sigurisht, njerëzit kanë ardhur në Gjirokastër për faktin se programi kombëtar i Rilindjes Urbane ka filluar ta nxjerrë Gjirokastrën nga errësira e harresës, e rrënimit dhe e braktisjes.
Në Berat, në vitin 2013 kemi pasur 3600 vizitorë në kalanë e Beratit. Me shifrat e vitit 2016 kemi 22500 vizitorë dhe kjo lidhet me programin kombëtar të Rilindjes Urbane në Berat, lidhet me jo vetëm me rindërtimin tërësor të të gjithë infrastrukturës në pjesën historike, ku aksi i rrugës kryesore, sot është aks i një bulevardi këmbësor, por dhe me rindërtimin e muzeut “Onufri” dhe ekspozimin në kushte tërësisht të reja të atij thesari aq të çmuar për Berat, për Shqipërinë dhe Mesdheun.
Në Butrin kemi pasur 60000 vizitorë në vitin 2013. Mos harrojmë që Butrinti është shembulli i parë që është ndërtuar në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe të rritjes ekonomike përmes trashëgimisë kulturore. Vitin e shkuar kemi pasur 166000 vizitorë dhe është arritur një shifër rekord në gushtin e vitit të shkuar, prej 3700 vizitorësh të huaj që e kanë vizituar Butrintin brenda ditës.
Të gjitha këto përkthehen në një nxitje të madhe për njerëzit që jetojnë në këto zona, përkthehen në investime, për shkak se njerëzit kuptojnë dhe reagojnë ndaj potencialit ekonomik që krijohet nga gjithë këto prurje. Gjithkush në këto zona vrapon të mos i lërë këta vizitorë të vijnë, të shikojnë gurët e të ikin, pa ndaluar për të marrë shërbime. Gjirokastrës, sot është një vend ku po ndërtohen hap pas hapi, por me një ritëm të shpejtë e ndryshe nga deri në vitin 2013, ku të gjithë iknin dhe shtëpitë monumente kulture binin, bujtina fantastike dhe hotele klasi, që realisht nuk kanë asgjë më pak se sa hotelet e klasit në Kroaci, në Greqi apo Itali.
Mund të vazhdoja me shembujt të tjerë nga Korça, nga Elbasani, nga zona të tjera të Shqipërisë, duke marrë Durrësin ku pas 5 vitesh që qëndroi i mbyllur, sot, Muzeu Arkeologjik i Durrësit që ka një koleksion fantastik prej 2800 veprash që u restauruan të gjitha, njëpërnjë, është një tjetër instrument zhvillimi ekonomik për Durrësin.
Në fund dua ta theksoj se sado e sforcuar mund të duket për këtë ditë dhe për këtë temë, në fakt nuk është aspak e sforcuar që ne jemi ende në beteja sureale, për të shpëtuar trashëgiminë kulturore nga duart e gjykatësve të korruptuar. Nuk është një rast, janë shumë raste kur trashëgimia kulturore është kthyer në një plaçkë, falë vendimeve “qorre” të qeverisë së kaluar dhe falë gjykatësve të korruptuar.
Rasti më tipik është Lezha. Ne duam që edhe Kalanë e Lezhës ta kthejmë në një instrument për rritjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së zonës. Aty është dhënë leje nga qeveria e mëparshme jashtë gjithë kritereve, jashtë gjithë normave ligjore dhe rregullave procedurale, për ta kthyer Kalanë e Lezhës në një motel. Ne kemi nisur proceduarën për anulimin e këtij projekti monstruoz, sepse tjetër gjë është që në këtë zonë të krijosh mundësinë për një shërbim për të jetësuar zonën e për ta bërë Apoloninë të vizitueshme 24 orë, tjetër gjë është që këtë zonë t’ia japësh një njeriu e t’i thuash ktheje në një shërbim hotelerie për vete.
Pasi Ministria e Kulturës anuloi procedurën, ne u ballafaquam në gjykatë dhe humbëm gjyqin. Shkuam në Apel dhe Apeli doli me një vendim që i bashkohet zinxhirit të gjatë të vendimeve sureale të gjykatave tona, që nuk dha vendim. As tha “i takon shtetit”, as tha “i takon “këtij”. Tani presim me ankth se çdo të thotë Gjykata e Lartë. E nëse Gjykata e Lartë do të vendosë që Kalaja e Lezhës t’i hiqet nga sofra e ekonomisë dhe mirëqenies gjithë popullit të Lezhës dhe t’i jepet një individi për ekonominë dhe mirëqenien e tij personale, atëherë do jemi përpara një tjetër rasti flagrant të mënyrës sesi sistemi i korruptuar i drejtësisë ka ngritur një mur mes nesh dhe të ardhmes. Një mur mes një Shqipërie që rritet ekonomikisht sot me 3.5% dhe një Shqipëria që i ka të gjitha mundësitë që të rritemi me 5 apo 6%. Një mur mes një Shqipërie që sot ka 1 miliardë investime të huaja, që është një shifër rekord, por që nesër mund të ketë 3, 4 apo 5 miliardë investime të huaja.
Si mund të vijnë investitorë e huaj në Shqipëri, të rrisin prezencën e tyre, të rrisin volumin e parave që hidhen në ekonominë shqiptare dhe kështu të rrisin edhe mundësitë për punësim, nëse investimet e tyre kërcënohen nga gjykatës, si gjykatësi që Kalanë e Lezhës refuzoi t’ia kthente popullit, por ia la në dorë një individi, i cili synon ta kthejë Kalanë në pronë private!
Si mundet të kapërcejmë hendekun që na ndan ende sot me vendet e Bashkimit Europian dhe të ulemi në tryezën e familjes europiane duke qenë dinjitozë, qoftë në pikëpamje të shtetit, qoftë në pikëpamje të zhvillimit ekonomik e social, nëse nuk e shembim murin e ngritur nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, nëse nuk i fusim gjithë këta gjykatës e prokurorë në rresht, për të kaluar skanerin e Vetting-ut dhe për të ndarë ata që janë vërtetë profesionistë e që vërtetë mund t’i shërbejnë Kushtetues, ligjit dhe popullit, duke dhënë vendime të drejta, me ata që duhet të shkojnë përpara drejtësisë, si pengmarrës për 20 e kusur vite të sistemit të drejtësisë!
Jo nuk mundemi!
Nuk mundemi e është koha për ta bërë këtë gjë, duke zhbllokuar rrugën e negociatave me Bashkimin Europian që na ka thënë shumë qartë; ju presim në tryezën e negociatave, por duket të na vini me rezultate në luftën për shembjen e murit të gjykatave të korruptuara.
Është koha për ta zhbllokuar këtë rrugë. Nuk është koha për të bllokuar rrugët e Shqipërisë.
Nuk është koha për të bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirisht në rrugët e vendit. Nuk është koha për të bllokuar njerëzit që kanë punë, që kanë nevojë të lëvizin, fëmijët, nxënësit, studentët, gjyshet, gjyshërit, kompanitë, mallrat, që janë gjaku i ekonomisë tonë çdo ditë. Por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit një shtet modern, demokratik dhe europian, ku secili në rrugën e vet duhet të jetë i garantuar në konkurrencë dhe i vlerësuar sipas meritës, ku për secilin ka një mundësi dhe ku mundësia për secilin i jep gjithkujt shansin të krijojë mirëqenie. Mirëqenia nuk është status i privilegjuar, por është një mundësi për secilin.
Faleminderit për këtë punë fantastike, të gjithë atyre që kontribuuan e që do vazhdojnë të kontribuojnë për Apoloninë dhe gjithë rrjetin e trashëgimisë sonë kulturore. Faleminderit dhe një herë Bashkimit Europian. Më vjen shumë mirë, sa herë më jepet mundësia të falenderoj Bashkimin Europian, se nuk më vjen shpesh, të themi të drejtën. Faleminderit shumë dhe të gjithëve juve që jeni këtu, për të kremtuar një ditë të shënuar për trashëgiminë tonë kulture dhe sigurisht, për Fierin që po rilind ditë për ditë, duke u kthyer nga një katund i madh me gropa e pallate, në një qytet dinjitoze, ku rritja e mëtejshme ekonomike dhe punësimit do të jetë rezultat i punës fantastike dhe transformuese që përmes programit kombëtar të Rilindjes Urbane po bën kryetari i bashkisë së Fierit.
Shumë faleminderit!