Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vlorës do t’i rikthehet qendra e saj historike. Tërësisht e degraduar, qendra dhe hapësira urbane përreth saj është shndërruar në një kantier të madh, ku punohet intensivisht për rindërtimin dhe restaurimin e godinave historike dhe monumenteve të kulturës. Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet  restauruese aty ku qyteti ende ruan identitetin, me gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të.

Projekti përfshin ndërhyrje restauruese në 68 objekte, monumente kulture dhe objekte të tjerë në zonën arkeologjike B të qytetit. Deri tani është ndërhyrë në 53 objekte në rrugën “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit.

Kryetari i Bashkisë Dritan Leli shpjegoi se godinat janë ndërtuar në periudha të ndryshme, shumë prej të cilave datojnë shumë herët dhe të dëmtuara nga ndërhyrjet në infrastrukturë përgjatë viteve. Një nga ndërtesat interesante që do të shërbejë si pikë atraksioni për turizmin është edhe ajo e parashikuar për Muzeun e Hebraizmit, për të cilën kryetari i bashkisë shpjegon: “Kjo është godina ku është vendosur të jetë muzeu kombëtar i Hebraizmit. Është  një godinë, e cila rikonstruktohet 1/3 thuajse tërësisht, sepse ka qënë e dëmtuar. Është përdorur si godinë banimi në vite, megjithatë ka goxha informacion si godinë historike.”

Projekti do të ruajë vlerat arkitektonike-historike të ndërtesave, duke ruajtur kështu identitetin e tyre. “Është rënë dakord që fasada të sjelli karakteristikat e godinave të vjetra,”- pohon kryetari i bashkisë Leli.

Ministria e Kulturës shpjegon se gjatë punimeve janë bërë edhe zbulime të papritura, siç janë tre puset, apo elementë të ndryshëm arkitekturorë, të cilat janë restauruar me kujdes, duke ruajtur origjinalitetin e tyre. “Këtu është një nga ato zbulimet që nuk pritej në fazën e restaurimeve. E gjithë kjo u zbulua në momentin që filluan prishjet dhe heqjet e suvatimeve. Këtu kanë ecur avash për të bërë dhe pjesën e restaurimit si qëndisje,” – shprehet ajo.

Kryeministri Rama tha se me përfundimin e projektit, perspektiva turistike e zonës është shumë premtuese. “Ajo që është e sigurt është që kjo do bëhet një zonë e jashtëzakonshme. Kjo ishte një plehrë. Do bëhet një zonë e jashtëzakonshme. Unë pashë Korçën herën e fundit, gjithë ajo zona e pazarit tani ka hyrë komplet në atë sistem që duhet të hynte dhe këtu do ndodhë e njëjta gjë. Do bëhet zonë turistike fantastike.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.