Kantieret e Rilindjes Urbane përfshinë edhe Librazhdin. Qendra e qytetit, thjesht një hapësirë pa funksion dhe kaotike, nuk ka asgjë të njëjtë me çka qenë para Rilindjes Urbane, nga ana funksionale dhe estetike. “Është ridimensionuar i gjithë sheshi, madje çfarë ka qenë nuk ka lidhje fare më. Ndriçimi, gjelbërimi është bërë nga e para, pllakat e gurit janë të vendosur nga fillimi,” – tha kryetari i bashkisë.
Ndryshime rrënjësore kanë pësuar edhe lagjet e qytetit. Nga prishja e ndërtimeve pa leje, shtesa në objekte të ndryshme dhe gardhe është përfituar hapësirë publike në shërbim të qytetarëve, janë sistemuar rrugët, është shtuar gjelbërimi dhe rikthyer ndriçimi. Edhe biznesi ka ndjerë efektet pozitive pas transformimit urban që ka pësuar qendra dhe lagjet e qytetit. “Këtu na është dashur të prishim disa ndërtime pa leje, shtesa, gardhe, që kryesisht janë prishur me mbështetjen e banorëve të pallatit, të cilët i kanë hequr vetë këto ndërtime pa leje dhe pastaj kemi përfituar këto hapësira që janë të përbashkëta për të gjithë banorët e lagjes. Të gjitha bizneset këtu janë bërë atraktive nga momenti që është investuar në lagje. Gjithë vlera e pronës është ridimensionuar, duke u rritur më shumë,” – u shpreh kryetari i bashkisë.
Në degradim të plotë ishte lënë edhe kopshti i fëmijëve, një ndërtim që në vitet 70-të dhe ku nuk ishin bërë ndërhyrje prej mbi 30 vjet. Tashmë, pas rikonstruksionit të plotë, kopshti siguron për të vegjlit standardet më të mira. Po ashtu ka nisur rikualifikimi urban i hyrjes së qytetit, një zonë e degraduar, jo vetëm nga mungesa e investimeve, por edhe si pasojë e përmbytjeve nga lumi Shkumbin. Në jo pak raste janë vënë në rrezik edhe ndërtimet në pjesën e ulët të qytetit dhe bizneset pranë zonës. Për të shmangur këtë rrezik po ndërhyhet për devijimin e lumit Shkumbin, ndërtimin e digës dhe të një ure për sistemimin e ujërave të përrenjve që derdhen në Shkumbin. Për një shfrytëzim sa më efikas të hapësirës, ndërhyrjet përfshijnë jo vetëm punimet inxhinierike, por edhe trajtimin estetik të territorit. Mbi trupin e digës është parashikuar ndërtimi i shëtitores së re, me mjedise funksionale për çdo moshë, me gjelbërim dhe sistem ndriçimi dekorativ. Punimet kanë përfshirë një sipërfaqe prej 3 hektarësh, por përmes këtij projekti realizohet mbrojtja e një territori prej 30 hektarë. “Vazhdimisht lumi ka ngrënë territore të rrugës dhe kishim arritur në këtë situatë kur realisht rrezikohej edhe rruga që na lidh me Dibrën. Në projekt parashikohet veç projektit të argjinaturës, edhe një pedonale me stola,” – shpjegoi investimin kryetari i bashkisë.
Një proces i pandalshëm dhe i shëndetshëm i zhvillimit urban, e quajti Kryeministri, që do të shtrihet nga qendra drejt periferisë dhe njësive administrative. “Ky është një rezultat konkret i punës së mirëmenduar, jo vetëm projekte, por projekte me një strategji të qartë për t’u shtrirë nga qendra drejt periferisë dhe nga çdo periferi drejt njësive administrative. Unë e kam shumë të qartë që këtu ka akoma shumë nevoja, por është e rëndësishme që të gjithë njerëzit duhet të kuptojnë që ky është një proces i pandalshëm dhe shumë i shëndetshëm i zhvillimit urban. Përmirësimi i cilësisë si nata me ditën i hapësirës publike në qytetin bazë të bashkive të reja është një mesazh shumë i qartë për çdo banor të bashkive në fshatin më të largët. Nga ana tjetër është e vetmja mundësi për të krijuar komunitet, bashkëjetesë, sens përkatësie dhe për t’u shkëputur psikologjikisht nga ndarja dhe izolimi në shumë copa, me 400 komuna e me 400 mijë plagë që në vend që të kuroheshin vetëm u agravuan dhe u infektuan,” – u shpreh Kryeministri.
Transformimi urban po shoqërohet edhe me rritje të aktivitetit të biznesit aty ku është ndërhyrë. “Ajo që njerëzit nganjëherë nuk e perceptojnë për shkak të propagandë së kazanit është që kjo lloj qasje sjell rritje të ekonomisë lokale, sepse sjell rritje të dëshirës për të bërë biznes të vogël, sjell rritje të dëshirës për të konsumuar dhe patjetër edhe rritje të vetëpunësimit, ose të punësimit të vogël,” – nënvizoi Kryeministri.
Gjate inspektimit, Kryeministri shoqërohej nga kryetari i bashkisë Kastriot Gurra, deputetët Taulant Balla, Evis Kushi, Musa Ulqini dhe Anastas Angjeli.