Rilindja Urbane në Vlorë vazhdon të shtrihet në brendësi të lagjeve me projektet për rikualifikimin urban të lagjes Kume dhe Çole.
Lagja Kume në Vlorë, deri dje me një bllok problematik banesash për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe tejet të rënduar, po del në dritë falë ndërtimit të infrastrukturës së re nëntokësore, gjelbërimit, si dhe hapjes së akseve lidhëse të bllokut me rrugët kryesore.
Për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punimeve ishte në Vlorë Kryeministri Rama. Ky investim është mirëpritur dhe mbështetur gjerësisht nga komuniteti, për impaktin pozitiv që ka patur tek ta.
“Është një investim i mirëpritur nga komuniteti, sepse po shohin rezultate. Sipas projektit, muret janë të gjtiha të unifikuara. Brenda 10 ditëve mendojmë të fillojmë shtrimin me asfalt, sepse të gjitha punimet e tjera kanë mbaruar. Ndërkohë do t’i bëjmë një rishikim edhe një pjese të projektit, sepse ka disa zona që duhen parë më mirë. Duke qenë kaq pranë detit me këtë investim këtyre banesave ju rritet vlera,” – u shpreh Afrim Qendro, ndërsa theksoi se paralelisht do të punohet edhe për projektin e ri të ujësjellësit. “Paralelisht do të bëjmë ndërtimin e ujësjellësit dhe përfundimisht ujërat e zeza, ujërat e bardha, ujësjellës-kanalizim, ndiçim gjelbërim do të jenë gati”, – u shpreh nënkryetari bashkisë Vlorë, Afrim Qendro.
Edhe lagjja Çole në Vlorë po transformohet në brendësi të saj, për të krijuar një hapësirë të përbashkët cilësore për jetën e komunitetit aty. Pasi inspektoi punimet në lagjen Kume, Kryeministri Rama u ndal edhe në lagjen Çole ku po punohet me infrastrukturën rrugore.
“Jemi diku tek 60% e realizimit të projektit. Kanë mbaruar gjithë punimet nëntokësore. Pjesa e trotuareve në disa zona ka mbaruar, gjithashtu dhe pjesa e parqeve. Ka filluar lyerja e fasadave dhe jemi drejt përfundimit. Gjithë ky bllok do funksionojë edhe nga pikëpamja e lëvizshmërisë së trafikut, por edhe për ambientet që janë krijuar me këtë ndërhyrje”, – u shpreh nënkryetari Qendro.
Kjo ndërhyrje do të krijojë jo vetëm hapësira mes lagjes, por edhe do të hapë akse lidhëse me rrugët kryesore të qytetit. Aktualisht janë ndërtuar rrjetet e reja të ujësjellës – kanalizimeve e janë kryer punimet elektrike, ndërsa po punohet me infrastrukturën rrugore, gjelbërimin dhe fasadat e pallateve.