Plot 7 mijë banorë të zonave rurale të Kolonjës do të kenë një infrastrukturë rrugore sipas të gjitha standardeve europiane. Kjo falë Programit të Rilindjes Urbane që ka zbritur tashmë edhe në rrugët e fshatrave të Kolonjës: Selenicë, Starje dhe Taç-Lartë. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zoti Niko Peleshi ka inspektuar nga afër projektet e Rilindjes Urbane në këtë zonë, të cilat synojnë të përmirësojnë jetesën e banorëve, por edhe t’iu vijnë në ndihmë fermerëve që vuanin mungesën e infrastrukturës, si dhe të rrisin numrin e turistëve.
“Janë rreth 7 mijë banorë që përfitojnë nga këto rrugë se janë rrugët e fshatrave pranë Kolonjës,” u shpreh Niko Peleshi. Ndërsa Kryeministri tha se “Kjo është shtrirja e Rilindjes Urbane nëpër fshatra”. Ndërkohë, së shpejti pritet të nisë edhe projekti për rivitalizimin e qendrës së qytetit të Leskovikut. “Qendrën e Leskovikut që kemi premtuar e kemi filluar,” shtoi Peleshi. Një tjetër investim i rëndësishëm i Programit të Rilindjes Urbane që u inspektua nga Kryeministri Edi Rama ishte edhe ai rikonstruksionit të rrugës “20 Maji”, që ndodhet në hyrje të qytetit të Ersekës. Projekti synon rivitalizimin e hyrjes së qytetit Erseke si destinacion turistik, por edhe kthimin në një hapësirë me funksionalitet social për banorët e Bashkisë Kolonjë.