Damiana Bakiu është vogëlushja 12 vjeçare, e cila prej disa vitesh është e diagnostikuar me diabet. Ajo është një prej 1800 fëmijëve në Shqipëri, të cilët vuajnë nga kjo sëmundje, kostoja e së cilës në të shumtën e rasteve bëhet e papërballueshme për familjet e tyre. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Diabetit, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin miq në familjen e Damianës, për t’u dhënë një lajm të mirë, buxheti i vitit 2018 rimburson jo vetëm insulinën për diabetikët e çdo moshe, por edhe fishat e diabetit për të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Kjo do të thotë, mesatarisht 1.2 milionë lekë në vit kursim për familjet.
Për prindërit e Damianës, dhe jo vetëm, ky është një lehtësim. “Kemi vite që e presim dhe jemi të gëzuar që kjo do të realizohet,” thotë nëna e Damianës, e cila është detyruar të lerë punën për t’u kujdesur për vajzën e saj. “Është një ndihmesë shumë e madhe jo vetëm për ne, por për shumë fëmijë që vuajnë nga diabeti,” -shprehet kryefamiljari Bashkim Bakiu.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi se “momentalisht rimburojmë 100% insulinat për të gjithë pacientët, qofshin fëmijë, qofshin të rritur. Mirëpo për fëmijët, familjeve u kushton shumë blerja e fishave. 100 mijë lekë në muaj, madje edhe më tepër i kushton çdo familjeje blerja e fishave të diabetit. Janë 1800 fëmijë në të gjithë Shqipërinë, të cilët vuajnë nga diabeti, për të cilët qeveria planifikon rimbursimin për vitin 2018 të fishave të diabetit.”
Ministrja e Shëndetësisë shpjegoi mënyrën e rimbursimit të fishave dhe njoftoi se “nga janari do të hyjë në fuqi me miratimin e buxhetit dhe listës së materialeve të rimbursueshme. Nga pikëpamja e rimbursimit merret receta tek mjeku i familjes dhe familjet do të tërheqin fishat një herë në dy muaj, siç merren medikamentet e tjera.”
Kryeministri Rama tha se me këtë vendim, një barrë e madhe lehtësohet nga buxheti i familjeve. ”Jemi këtu për t’u thënë se do t’ua lehtësojmë këtë barrë. Është një barrë e madhe, por që na takon ne që ta marrim përsipër për fëmijët, pasi për familjet është hall i madh për t’u marrë me këtë sëmundje, që me përparimet e shkencës kam shumë besim që do të vijë dita më herët se vonë t’i gjendet një zgjidhje. Por, ndërkohë, ne na duhet të zgjidhim këtë që e kemi më imediate, që të paguajmë nga buxheti fishat për të gjithë fëmijët.”
Ministrja Manastirliu sqaroi gjithashtu se familjet do të lehtësohen ndjeshëm edhe nga burokracitë e përfitimit të ndihmës ekonomike që jep shteti për këto familje. “Kemi vendosur që në kuadër edhe të derregullimit, pra, të burokracive që ekzistojnë për marrjen e ndihmës që i alokon shteti të gjithë pjesës së fëmijëve që marrin pagesë invaliditeti, të heqim paraqitjen tek shërbimi social shtetëror, një herë në vit. Fëmijët janë të diagnostikuar një herë me diabet dhe nuk ka më kuptim që të shkojnë çdo vit për të bërë dokumente dhe për të marrë një ndihmë financiare që i jepet familjes.”
Ndërsa duke folur për benefitet e recetës elektronike në shmangien e abuzimeve me medikamentet, ministrja Manastirliu tha se në gjysmën e parë të vitit të ardhhëm, receta elektronike do të shtrihet në të gjithë vendin. “Receta elektronike do të shtrihet edhe më gjerë. Ka përfunduar shtrirja në Fier, po mbaron Shkodra dhe besoj se 6 mujorin e parë të 2018 përfundon shtrirja në të gjithë Shqipërinë.”
Për vajzën tjetër të familjes Bakiu, e cila aktualisht është nxënëse në klasën e dytë, por edhe për të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e katërt, Kryeministri Rama tha se vitin e ardhshëm, prindërit nuk do të shpenzojnë për blerjen e librave. “Vitin tjetër do t’u japim libra falas. Edhe ky është një lehtësim, se me ato lekët që kushtonin librat e shkollës, prindërit mund të blejnë për ju libra të tjerë, lodra, apo veshjet që ju keni dëshirë.”