Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Programi kombëtar i rindërtimit, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit përfshin operacionin e rindërtimit të të gjitha institucioneve arsimore të dëmtuara, në të cilat ka nisur sot  shembja e plotë e objekteve. Janë plot 103 shkolla që do të ndërtohen nga themelet, sipas të gjitha standardeve europiane dhe pritet të jenë gati për vitin e ardhshëm mësimor.

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, si dhe ministren e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se procedura për fillimin e rindërtimit të të gjitha shkollave të dëmtuara është në proces dhe sot ka filluar hapja e shesheve të ndërtimit në disa pika. Sipas Kryeministrit, këto shkolla do të vendosin një standard të ri në sistemin tonë arsimor.

“Standardi është Eurocode 8. Hapësirat mësimore rriten. Kapaciteti shkon në 24 nxënës për klasë, që është fantastike. Po ashtu, në kopshte ka një rritje të numrit të klasave dhe ulje të numrit të nxënësve për çdo klasë. Të gjitha shkollat janë me laboratorë kimie, biologjie, fizike dhe matematike. Kanë të gjitha bibliotekë, hapësirë multifunksionale, sallë të edukimit fizik, palestër me 400 metra katrorë, me ambiente ndihmëse, dushe, garderobë, tualete, sallat e mësuesve, kabinetet e psikologut, infermierisë, bllokun e shërbimeve dhe në hapësirën e jashtme, pista vrapimi, fushë multifunksionale për volejboll, basketboll, tenis dhe kënd sportiv, minifutboll. Oborrin e sipërm për aktivitete të përditshme e kanë 1800 metra katrorë, të standardizuar dhe oborrin e poshtëm 6244 metra katrorë, ku janë të gjitha hapësirat sportive dhe ku kanë më në fund edhe kopështin bujqësor me serat,” u shpreh Rama.

Ministri Ahmetaj dha ndërkohë lajmin se Parlamenti Europian sapo ka aprovuar edhe 100 milionë euro nga shuma që u miratua në Konferencën e Donatorë në 17 shkurt, në Bruksel. Shumë shpejt do fillojmë detajimin e 100 milionëve në dy fasha kryesore, një pjesë për arsimin dhe pjesa tjetër për trashëgimisë kulturore duke përfshirë edhe Amfiteatrin e Durrësit, ku do bëjmë një projekt shembull,” tha Ahmetaj.

Kryeministri kërkoi gjithashtu që në projektet e reja të parashikohet edhe situata aktuale e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, ku nxënësit janë të detyruar të zhvillojnë mësim online, pasi objektet shkollore janë të mbyllura.

“Një element që do shtoja, është edhe elementi që sjell situata e re e krijuar. Është një situatë që nuk do mbarojë shpejt, por njëkohësisht i gjithë procesi i hapjes do jetë dhe një proces adoptimi i distancimit social dhe i një metode tjetër komplet të organizimit të punës, të organizimit mësimit dhe për këtë arsye duhet të fusim patjetër elementin e kapacitetit digjital, për të pasur një kombinim mes mësimit në klasë dhe mësimit online për nxënësit, në mënyrë që deri kur kjo mortje të ketë marrë fund me vaksinën, të kemi turne javore me një pjesë që vjen në klasë, një pjesë që vazhdon mësimin nga shtëpia, që do të thotë që duhet të pajisim me një kapacitet mësimdhënieje të drejtpërdrejtë shkollat edhe fëmijët. Kjo duhet të mbahet parasysh si komponent,” deklaroi Kryeministri.

Kreu i FSHZH, i pranishëm në këtë takim online, garantoi se semestri i dytë i vitit të ardhshëm mësimor do t’i gjejë të gjithë nxënësit në objektet e reja.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.