Takimi i Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave me drejtuesit e administratës qendrore në Qark për shërbimet ndaj qytetarëve:
Kryeministri Edi Rama: Mirëmëngjes të gjithëve ! Faleminderit për prezencën tuaj! Sot jemi këtu në Vlorë, në vazhdim të punës për të përmbushur objektivat e kësaj dite, që vijon mbas takimit të djeshëm të qeverisë për mbledhjen e radhës. Pas takimeve të bëra veç e veç me ministrat për çdo sektor është me rëndësi që edhe për publikun, këtu në qarkun e Vlorës, por edhe më gjerë, të bëjmë të qarta disa gjera që për ne janë themelore dhe kanë të bëjnë me funksionimin e administratës qendrore në territor.
Për ta bërë sa më të frytshme dhe njëkohësisht sa më konkrete këtë përpjekje, është me rëndësi që drejtpërdrejtë, secili prej anëtarëve të qeverisë dhe duke pasur parasysh takimin e mëparshëm me përfaqësuesit e administratës qendrore në çdo sektorë, të nënvizojë elementët kryesorë, duke pasur parasysh objektivat dhe problematikat e konstatuara gjatë viteve të shkuara , posaçërisht gjatë 4 viteve të shkuara të qeverisjes sonë.
Së pari, dua të nënvizoj që ne, jo thjesht kemi konstatuar, – ky besoj se është një konstatim i përbashkët i qytetarëve, – që në të gjitha ato shërbime që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me qytetarët, posaçërisht, në zyrat që u shërbejnë atyre, edhe në këtë qark, si në çdo qark tjetër kemi probleme të mëdha për të zgjidhur; Probleme të mëdha në raport me efiçiencën e shërbimeve, probleme të mëdha në raport me sjelljen në raport me qytetarët në këto shërbime dhe në raport me betejën e nisur nga qeveria, për të ulur në mënyrë drastike barrën e burokracisë mbi qytetarët.
Po e nis nga më e thjeshta. Megjithëse ne kemi aprovuar qysh në mbledhjen e parë të qeverisë, se nuk duhet t’u kërkohen më certifikata qytetarëve, vazhdon prodhimi i certifikatave. Pavarësisht se numri i tyre po shkon në rënie, sasia e certifikatave që prodhohet, domethënë, sasia e kohës që u merret njerëzve për shkuar për të marrë certifikatën, volumi i radhëve që ata mbajnë për të nxjerrë certifikatën, paratë që paguajnë për të marrë një certifikatë vazhdojnë të jetë në nivele të papranueshme. Për çfarë arsyeje u kërkohet certifikata? E kur them certifikata kam parasysh edhe plotë dokumente të tjerë, që tanimë me vendim qeverie nuk mund t’iu kërkohen më qytetarëve, por duhet t’i garantojë çdo zyrë vetë, për qytetarin. Nëse për një shërbim, qytetari duhet të jetë i pajisur me një, dy, tre… dokumente dhe këto dokumente i lëshon shteti, vetë zyra duhet t’i marri ato nga brenda shtetit dhe në mënyrën më të thjeshtë, përmes portali e- Albania. Sepse bëhet fjalë për të gjitha ato dokumente që janë pjesë e bazës të të dhënave dixhitale dhe pasi qeveria ka miratuar edhe vulën elektronike, këto dokumente kanë vlerë të barabartë me dokumentin në letër, të vulosur dhe të firmosur nga zyrat përkatëse.
Që këtu kemi një problem, mospërgjigjeje, mosreagimi të administratës dhe kush e mban përgjegjësinë për këtë? Sigurisht që përgjegjësinë për këtë e mbajnë drejtuesit e këtyre zyrave, që vazhdojnë kërkojnë certifikata në letër dhe sigurisht për këtë, përgjegjësinë e mbajnë edhe punonjësit e gjendjes civile, që vazhdojnë të prodhojnë certifikata në letër, megjithëse kjo ju është bërë shumë e qartë, është në kundërshtim me vendimin dhe vullnetin e qeverisë për të çliruar njerëzit nga barra e burokracisë. Përsërisë e them, nuk është thjeshtë certifikata, por janë plot dokumente të tjerë, që nuk duhet t’i kërkohen më qytetarit.
Së dyti, problemi i zyrave dhe sporteleve, të cilët pa pritur e pa kujtuar gjatë javë, – edhe këtu në Vlorë është përsëritur jo njëherë, por disa herë në zyrën e hipotekës, – s’ka më njeri në sportel dhe njerëzit rrinë e presin në boshllëk, presin që të shfaqet personi. Pastaj gjejnë justifikime komplet idioteske, jo pati defekt këtu e aty, që nuk kanë lidhje, sepse njerëzit rrinë dhe presin, duke parë përballë të gjithë sportelet bosh. Këto janë aspekte sa elementare, aq dhe të rënda për njerëzit që duhet t’i marrin këto shërbime kaq të thjeshta dhe kaq të padiskutueshme.
Ndërkohë kemi të tjera probleme strukturale, sistemike, në pjesët e administratës qendrore që funksionojnë këtu, në raportin me grupet e interesit, në raportin me qytetarët në çdo sektor. Jam i bindur që edhe nga bisedat përpara këtij takimit, ministrat kanë nënvizuar këto problematika, por është me fort rëndësi që këto të ndahen edhe me qytetarët që na ndjekin dhe është me fort rëndësi që çdonjëri nga drejtuesit e administratës qendrore të ndihet i detyruar jo karshi thjesht ligjit, jo karshi thjesht nesh, por karshi çdo qytetari, për të rritur cilësinë e shërbimit.
Dua të nënvizoj edhe aspektin e cilësisë së burimeve njerëzore, që është një aspekt shumë problematik në të gjithë territorin. Kemi njerëz të mirëshkolluar, kemi njerëz të mirëtrajnuar e të mirëpërgatitur që rrinë pa punë dhe kemi analfabetë që merren në punë e që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kemi njerëz që paguhen nga taksat e shqiptarëve komplet në vendin e gabuar, që nuk përputhin as arsimin, as trajnimin, as eksperiencën me nevojën e vendit të punës që mbulon. Të tilla ka pa fund dhe justifikimet për këto, duke filluar nga justifikimi me parti, duhet të marrin fund.
Ajo që unë ju kërkoj të gjithëve është një skanim i të gjithave burimeve njerëzore të çdo drejtorie të administratës qendrore në Qarkun Vlorë dhe përputhshmëria midis vendit të punës dhe diplomës, eksperiencës të çdo individi që mbulon një vend pune. Ky raport i duhet dorëzuar çdo ministri dhe një kopje zyrës së Zëvendëskryeministres në Këshillin e Ministrave, e cila ndjek gjithë procesin që ka të bëjë me ristrukturimit që ne po bëjmë. Çështja e burimeve njerëzore është një plagë, me të cilën ne do të merremi shumë seriozisht. Është e paimagjinueshme që rolin e elektricistëve ta bëjnë masazhatorët, profesorët e fizkulturës, muzikantët dhe rolin e muzikantëve ta bëjnë të tjerët e kështu me radhë. Çudirat e burimeve njerëzore në këtë vend, ne duhet t’i adresojmë me kurajo dhe me përgjegjshmëri dhe mbi të gjitha, me besnikëri ndaj të gjithë atyre njerëzve që kanë sakrifikuar për të bërë studime, kanë sakrifikuar për t’u trajnuar, për të krijuar një eksperiencë në profesionin e tyre dhe nuk futen dot në punë, nuk i shërbejnë dot shtetit, sepse i kanë zënë rrugën, të tjerë që zënë vende pune që nuk kanë lidhje fare me profesionin e tyre, apo me eksperiencën e tyre. Kjo është e papranueshme dhe kjo duhet të marri fund një orë më parë.
Nuk mundemi t’i japim një cilësi të re qeverisjes, nuk mundemi t’i japim një cilësi të re zhvillimit, në qoftë se nuk zgjidhim këtë problem themelor, burimet e infektuara njerëzore në administratën qendrore, qoftë në qendër, qoftë këtu. Është e paimagjinueshme që në sistemin tonë të taksave-tatimeve të ketë mësues fizkulture dhe ndërkohë, në shkolla, fizkulturën e bëjnë zyshat e aritmetikes. Kjo është e paimagjinueshme! Ajo që ndodhi me Reformën në Arsim dhe përpjekja për të pastruar burimet njerëzore të kontaminuara për shkak të mospërputhjes së detyrës së mësuesit me profilin, apo të mospasjes fare diplomë të mësuesit është vetëm maja e ajsbergut në të gjithë administratën tonë. Kudo në çdo zyrë, ne kemi probleme të tilla që na bëjnë qesharak si shtet, qesharak si shoqëri dhe këto duhet të adresohen urgjentisht.
Një raport i detajuar i të gjitha burimeve njerëzore në këtë këndvështrim duhet përgatitur dhe duhet dorëzuar nga çdo drejtori, këtu në Qarkun e Vlorës, por sigurisht do ta kërkojmë dhe do ta marrim në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të adresojmë këto çështje themelore, fondamentale, elementare, parimore, një orë dhe më parë.
Dua t’ia kaloj fjalën ministrit të Brendshëm, sepse këtu në Qarkun e Vlorës, ne kemi domosdoshmërinë të adresojmë edhe një problematikë që nuk mund ta lëmë të zhvillohet në kahun negativ, që ka të bëje me përformancën e Policisë së Shtetit, që ka të bëje me çfarë presim ne dhe çfarë objektivash kemi ne për gjithë këtë territor ku duam të krijojmë një model shembullor të zhvillimit të qëndrueshëm, të rritjes ekonomike, të punësimit përmes ndër të tjera, turizmit dhe ku nuk mund t’ia lejomë vetës ku të kemi një ngjarje të vetme kriminale të pazbuluar dhe jo më disa me radhë.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj: Para se të trajtoj disa çështje që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë këtu në Qarkun e Vlorës, unë dua t’ju them se Ministria e Brendshme ndër të tjera ka tre fusha të rëndësishme në përgjegjësinë e saj: Rendin dhe Sigurinë; Marrëdhëniet me organet e qeverisjes vendore dhe një sërë shërbimesh të rëndësishme në funksion të qytetarëve, në mënyrë të veçantë kontrollin e territorit.
Dëshiroj të theksoj tre prioritet thelbësore për Ministrinë së Brendshme, që janë të vlefshme edhe në këtë territor ku jemi. Së pari, atë që ka të bëjë me integritetin e njerëzve që punojnë në këto struktura. Integritet që është i lidhur jashtëzakonisht me cilësinë, rendimentin, me efikasitetin, por edhe me shërbimin ndaj njerëzve.
Së dyti, ka të bëjë me çështjet e luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Ky ishte një vit me disa tregues pozitivë për forcat e policisë në Qarkun e Vlorës, si në aspektin e rendit të sigurisë, në funksion të turizmit dhe në kontrollin detar. Por ne mbetemi të shqetësuar se përtej kësaj pamje të përgjithshme pozitive në Qark dhe në mënyrë të veçantë këtu në qytetin e Vlorës, konstatojmë disa dukuri që kanë të bëjnë me mungesë të eficiencës të strukturave të policisë. Është e papranueshme, fakti që vetëm gjatë këtij viti janë 5-6 ngjarje të rënda, vrasje me viktima dhe me jetë të pafajshme qytetarësh dhe zbulimi i autorëve lë shumë për të dëshiruar. Për të mos thënë se për ne është jashtëzakonisht shqetësues. Gjë që do na detyrojë të bëjmë një analizë më të thellë me forcat e policisë dhe duhet të jetë e nevojshme për të bërë ndryshimet dhe përmirësimet e duhura, qoftë në përbërjen e tyre, qoftë në drejtimin e tyre. Por është shumë e rëndësishme për të theksuar edhe një marrëdhënie të re. Një marrëdhënie të re që duhet ndërtuar ndërmjet organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të policisë, policisë dhe komunitetit. Është përgjegjësia jonë dhe sëbashku me organet e qeverisjes vendore këtu dhe me organe të tjera përfaqësuese në territor të bëjmë kthesën e duhur, në mënyrë që të kemi mundësi të ndërtojmë një marrëdhënie krejtësisht të re ndërmjet strukturave të policisë dhe organeve të qeverisjes vendore , ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Kjo në funksion të nevojës që kemi për të pasur më shumë efikasitet në parandalimin e krimit, por edhe për një kontroll më të mirë të territorit. Është një fakt i njohur që në disa nga zonat rurale të Vlorës, gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe mbjellje të kanabisit. Ashtu siç është edhe sot një realitet i prekshëm që ky fenomen nuk ekziston më, edhe në sajë të faktit që kemi një marrëdhënie të re ndërmjet policisë dhe komunitetit, një marrëdhënie të re ndërmjet strukturave të policisë dhe organeve të qeverisjes vendore. Në këtë kontekst, ne jemi të qartë ne këtë vendimmarrje, roli i prefektit në ndërtimin e kësaj marrëdhënie, në koordinimin e kësaj marrëdhënie mbetet përcaktues dhe ky ka qenë dhe është një preokupim i drejtpërdrejtë i Kryeministrit, që t’i japim një dimension të ri rolit të prefektit në territor. Kjo përbën një nga masat kryesore që kemi në kuadër të gjithë këtyre prioriteteve dhe objektiveve. Besoj fortë se në radhët e strukturave të Policisë të Qarkut të Vlorës kemi punonjës police, drejtues policie me shumë integritet, të cilët do duhet që të jenë shumë efikasë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre.
Kryeministri Edi Rama: Përpara se t’i jap fjalën ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është edhe anëtari i kabinetit që ka detyrimin të mbulojnë këtë Qark, në këndvështrimin e ecurisë së gjithë proceseve të brendshme të administratës, për të marrë të gjitha shqetësimet dhe për të konstatuar të gjitha problematikat që vijnë edhe nga qytetarët, unë dua që edhe njëherë, këtë herë me zë dhe me figurë, ta përshëndes Policinë e Shtetit për reagimin ndaj një krimi të papranueshëm mjedisor në zonën e Vjosës. Dua të nënvizoj që çdo krim mjedisor, i cili zbulohet nga media apo qytetarët dhe ndërkohë nuk është parë akoma nga Policia e Shtetit, është një mbyllje sysh e papranueshme, për të cilën praktika e nisur dje duhet të kthehet në normë. Mbyllja e syve duhet ndëshkuar me pezullim, madje edhe me ndjekje penale për ata punonjës, drejtues e shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit, që dredhin zinxhirë dhe pinë raki, ndërkohë që pas shpinës së tyre, të kthyer me qëllim nga ana tjetër trupi dhe sytë, zhvillohen krime të tilla.
Kjo është një zonë ku ne kemi përjetuar një situatë dramatike kriminale edhe me djegien e pyjeve, por jo vetëm kaq. Është një zonë e cila duhet mbrojtur në shumë elementë të tjerë të natyrës dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, këtu të pranishëm, duhet ta kenë shumë të qartë që krimet mjedisore janë njësoj si krimet ndaj njeriut, përsa na takon dhe çdonjëri prej atyre që janë me uniformë në territor duhet ta ketë shumë të qartë, që ashtu sikundër janë aty për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, janë aty për të garantuar që qoftë dhe prekja e një peme të vetme nuk mund të kalojë pa ndëshkim. Nëse refuzojnë të përfaqësojnë shtetin dhe refuzojnë të zbatojnë ligjin, atëherë shteti dhe ligji do të veprojnë ndaj tyre. Kjo nuk ka më asnjë diskutim.
Puna ka filluar përmes bashkëpunimit të ministrit të Turizmit dhe të Mjedisit me ministrin e Brendshëm për përgatitjen e sezonit të ardhshëm turistik. Sipas planit që do të paraqesë ministri i Turizmit, do të përfshihen edhe anëtarë të tjerë të kabinetit, që kanë lidhje me sezonin turistik. Ne duam vitin e ardhshëm, një sezon turistik ekzemplar në të gjitha pikëpamjet, në pikëpamje të sigurisë, në pikëpamje të shërbimeve shëndetësore, në pikëpamje të pastrimit dhe të të gjithë elementëve që janë përtej atyre që na ka dhënë Perëndia apo natyra, diell, det, rërë, për të kënaqur të gjithë ata që zgjedhin këtë zonë për pushimet e tyre, për të kënaqur të gjitha moshat, nga fëmijët deri tek më të moshuarit. Sigurisht edhe për të garantuar një pastërti shembullore, si asnjëherë më parë, në gjithë vijën. Por “A”-ja është siguria dhe mbrojtja e njeriut dhe e mjedisit. Në këtë aspekt, ju lutem shumë përfaqësuesve të Policisë të jenë shumë të qartë: Çdo cenim i mjedisit, nga prekja e pasurive natyrore deri tek ndërtimet pa leje është krim. Për çdo krim të tillë, ose do të ndëshkohet kush bën krimin, ose do të ndëshkohet kush mbyll sytë përpara krimit; Ose do të ndëshkohet shkelësi i ligjit, ose do ndëshkohet punonjësi i policisë, një nga të dy, sepse nuk ka mundësi që të dy të shpëtojnë paq nga kjo histori.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri: Ministria, e cila mua më jepet mundësia ta drejtoj, mbulon disa fusha shumë kritike për shërbime ndaj qytetarëve, ashtu si edhe investimet. Nganjëherë fokusohemi shumë te investimet, por harrojmë që me investimet vijnë dhe përgjegjësi të mëdha, që kanë të bëjnë me shërbimin. Problemet që kemi konstatuar me njerëzit kanë të bëjnë me shërbime ndaj qytetarëve, si në energji elektrike, në shërbimin e postës, si dhe shërbime të tjera, sidomos në transporte. Ne do t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë, për t’i bërë ato më transparente dhe për të luftuar korrupsionin e vazhdueshëm që kanë qenë në këto shërbime.
Shërbimi i transportit, fatkeqësisht ka qenë shumë i militantizuar. Nuk dua thjesht t’ia vë fajin një partie, por përgjithësisht ka qenë tendenca që atje të shkonin njerëz të mirëfilltë militantë dhe që shpesh pushtetin e tyre e përdornin për të bërë favore, qoftë për veten e tyre, qoftë edhe elektorale. Shërbimet e patentave, të gjitha shërbimet e tjera si merrej patenta, apo dokumentet e makinës, një korrupsion i lartë. Theksi i reformës së parë që do të ndërmarrim aty është jo vetëm përzgjedhja e një personeli të aftë dhe me integritet, por mbi të gjitha, ofrimi i shumë shërbimeve që dikur merreshin nëpër sportel, tashmë mund të bëhen online, për një luftë të vërtetë me të gjithë korrupsionin që ka ekzistuar me këtë proces të dhënies së patentave, që fatkeqësisht, siç e kam përdorur shpesh shprehjen, “ne jepnim armë” me këto mjete të lëvizshme, të cilat merrnin dhe jetë njerëzish.
Gjënë e parë që bëmë, hoqëm policinë “gri”, që ju e dini shumë mirë, kishte bërë një postbllok sa mbaronte Transballkanikja e fillonte autostrada dhe sa herë kaloja atje, shikoja një çetë tamam gjysmë bashibozukësh, që vazhdimisht ndalonin kamionë, autobusë etj.. Realisht ju nuk e shikoni më atë, por ky është vetëm fillimi, sepse është masa e parë. Ky institucion do të përfshihet në një reformë të thellë, që do të fillojë nga përzgjedhja nëpërmjet një procesi transparent e personelit të duhur, të kualifikuar profesionalisht.
Të njëjtën gjë duhet të themi edhe për shërbimet portuale, qoftë në Sarandë, qoftë në Vlorë. Sidomos Porti i Sarandës ka pasur një bum lëvizjesh, trefishim i numrit të vizitorëve për shkak edhe të krocerave. Edhe ata janë pjesë e shërbimit, sepse ky vend, sidomos kjo zonë, zhvillimin e pret nga turizmi. Fatmirësisht, edhe nga vizita e fundit që bëri një delegacion i autoriteteve amerikane për sigurinë dhe shërbimet në porte, la disa vërejte, por përgjithësisht përshëndeti punën e mirë të bërë në këto porte dhe realisht, rekomandimet e tyre duhet të merren parasysh nga administrata portuale. Këto janë shërbime jetike, qoftë për turistët e huaj, qoftë për qytetarët shqiptarë.
Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes. Ne po investojmë shumë në energji. Vlora si qark ka përfituar mbi 20 milionë euro, përfshirë projektet e fundit në energji elektrike. Por këto asete duan njerëz që t’i mirëmbajnë, qoftë në shërbimin në sportel tek qytetarët, qoftë dhe teknikë të mirë për të mirëmbajtur rrjetin elektroenergjetik. Si hap i parë, ne do të fillojmë një garë të hapur për të gjithë drejtuesit lokalë të Operatorit të Shpërndarjes kudo që janë në Shqipëri. Një garë të hapur në mënyrë që të kemi mundësi të përzgjedhim profesionistë që mund të drejtojnë Operatorin e Shpërndarjes. Ndonjëherë, fatkeqësisht, jam ndodhur përpara kërkesave absurde, sa herë pyesja njerëzit në Vlorë, ku ke dëshirë të punosh. Pjesa më e madhe e tyre thoshin, “drejtor OSHEE-je” dhe mua kjo më dhimbte. Kuptohet, më pëlqente fakti që shumë njerëz duan të punojnë te OSHEE-ja, por më shumë e shikonin si një lopë për ta mjelë, sesa një shërbim jetik për qytetarët. Prandaj kemi marrë një vendim, të zgjedhim njerëzit profesionistë, për të administruar këtë sistem kaq jetik për qytetarët shqiptarë.
Investimet nuk do të mungojnë në infrastrukturën turistike, në infrastrukturën rrugore, në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Por të gjitha këto asete, që të bëhen vlerë për qytetarët, duan njerëzit e duhur. Ndryshe janë investime të hedhura dëm. Duket sikur kontribuojnë në ekonomi, por, fatkeqësisht, këto asete do të rrënohen, në qoftë se nuk mirëmbahen nga njerëzit e duhur. Këtu do të jetë fokusi i qeverisë, krahas objektivave të mëdha që unë nuk po i përmend këtu, siç është përfundimi i shumë veprave infrastrukturore, që do t’i shërbejnë jo vetëm Vlorës, por të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi një shërbim këtu që mund të konsiderohet një model, jo sepse e themi ne, ose se duam ta promovojmë për të bërë shembuj të sforcuar, por sepse një grup i tërë interesi, që është biznesi, e thotë dhe e rinënvizon ”taksat në Vlorë janë model”. Kjo i dedikohet në radhë të parë drejtores, për të cilën, çuditërisht, asnjëherë deri më sot nuk kam marrë një ankesë të vetme nga biznesi dhe për të cilën, çuditërisht, nga Vlora është rast unikal, që kam marrë mesazhe falënderimi. Që vlonjatët të ngrenë dorën e të shtypin germa për të falënderuar dikë, kjo është vërtetë një sforco historike për ADN-në e vlonjatit. Kjo ka të bëjë me ndjenjën atdhetare të padurimit, për ta parë Shqipërinë më të bukur, për ta parë Vlorën më të zhvilluar, për ta parë komunitetin në progres. Kështu e kam kuptuar unë gjithmonë padurimin. Kjo është dhe arsyeja që dje, kur u çua një nga aktorët e Vlorës dhe tha “si ka mundësi, bëre Teatrin në Korçë dhe nuk e bëre në Vlorë”, i thashë, kur korçarët vishnin smoking për të shkuar në Teatër, ju hidhnit gunat përmbi tela dhe kthenit mbrapa Perandorinë. Kështu që këtu jemi në zonën e luftës, nuk jemi në zonën e Teatrit.
Në këtë zonë kemi një shërbim model. Po e sjell këtë shembull këtu, edhe për të thënë që ju lutem shumë, ne nuk do të tolerojmë asnjë rast të vetëm, kur biznesi do të ndeshet me burokracinë dhe kur burokracia do t’i krijojë probleme biznesit. Kur them biznesi, nuk kam parasysh vetëm kompanitë e mëdha, por kam parasysh çdo lloj bashkëqytetari të çdo niveli, që qoftë edhe thjesht është vetëpunësuar me biznesin e tij. Situatat absurde që iu krijon administrata atyre që vetëpunësohen dhe krijojnë punë për të tjerët janë situata të patolerueshme. Ne duhet dhe do t’iu kundërvihemi me forcë.
Në këtë aspekt, unë përfitoj nga rasti që t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Vlorës, që të konsiderojnë përfshirjen në platformën e bashkëqeverisjes dhe po ashtu t’i ftoj të gjithë drejtuesit e administratës qendrore, që në çdo pikë shërbimi t’i informojnë qytetarët për mundësinë e kësaj platforme, si një instrument për të ngritur shqetësimet e tyre.
Platforma ka nisur punën. Ne kemi ngritur një grup të tërë njerëzish që punojnë dhe përpunojmë ankesat, kërkesat, opinionet e qytetarëve. Të gjithë ministrat janë të angazhuar për t’i trajtuar personalisht, të gjitha rastet që kanë të bëjnë me ministritë e tyre. Kjo duhet të jetë në interes jo vetëm të qeverisë në Tiranë, anëtarëve të kabinetit, por të çdo drejtuesi të administratës qendrore në territor, që nga policia, tatimet, shërbimet sociale, tek hipotekat dhe ALUIZNI, që janë dy njollat më të zeza të shtetit këtu në Vlorë. Gjashtë drejtorë ALUIZNI kemi ndërruar në Vlorë e të gjashtë janë ndërruar për arsye shkeljeje me të katër këmbët, se duhet të kesh katër këmbë e jo dy duar e dy këmbë që të ushtrosh pushtetin e popullit në atë formë që është ushtuar në zyrën e ALUIZNI-t të Vlorës. Shkelje me katër këmbë të të drejtave të qytetarëve dhe korrupsion i hapur, që për fat të keq nuk është ndjekur më pas, ashtu siç duhet dhe aty ku duhet. Këto shërbime do të transformohen edhe për shkak të reformës që ne po bëjmë. Brenda fillimit të vitit të ardhshëm do të kemi shkrirjen e këtyre strukturave të ndara dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Titujve të Pronësisë dhe krijimin e premisave për një shërbim shumë më dinjitoz ndaj qytetarëve.
Po nënvizoj edhe dy fusha të tjera themelore për mendjen dhe shëndetin; Arsimi dhe shëndetësia. Në arsim kemi bërë progres të qenësishëm, por jo të mjaftueshëm, për të frenuar pushtimin e mësuesisë nga injorantët, nga militantët pa shkollë, të cilët mund ta meritojnë patjetër një punë, por nuk mund të meritojnë që të promovohen si mësues; Ose nga ata me shkollë që diplomën e kishin për biologji dhe në shkollë jepnin matematikë; Ose diplomën e kishin për muzikë e në shkollë bënin fizkulturë. Kemi probleme me arsimin, përsëri. Kemi probleme me transparencën e kontratave të përkohshme dhe mbi të gjitha kemi probleme me drejtuesit e shkollave. Ndërkohë që për mësuesit është krijuar një sistem, i cili do shkojë duke u konsoliduar dhe do kalojë nga një sistem i ngritur me vullnetin e mirë të ministres dhe i mbajtur në këmbë me vullnetin e mirë të qeverisë, në një sistem që do të jetë bazë ligjore, për të mos prekur burimet njerëzore në arsim. Por na ka ndodhur që është hapur loja dhe është bërë baltë me drejtorët e nëndrejtorët e shkollave. Edhe kësaj do t’i vihet fre një herë e mirë, sidomos në të gjithë ato raste, kur konstatohet nivel shqetësues injorance i drejtuesve të shkollave. Drejtues shkollash që janë nën nivelin e mësuesve. E për këtë arsye, 300 mësuesit më të mirë, të dalë nga testimi kombëtar që bëhet periodikisht nga Ministria e Arsimit, do të ftohen të drejtojnë shkollat në vend të 300 drejtorëve më problematikë në sistemin arsimor. As nuk duam të dimë fare se për kë votojnë këta mësues dhe a e duan po jo partinë tonë. Këtu nuk jemi për partinë, këtu jemi për shtetin! 300 mësuesit më të mirë janë yje në ballë të këtij vendi dhe lum kush merr shërbimin e tyre, duke qenë në qeveri e jo e kundërta. Të jemi shumë të qartë në këtë pikë.
Të jemi shumë të qartë edhe në pikën tjetër, që ne nuk mund të vazhdojmë të kemi një sistem rekrutimi dhe vendosjeje në punë të infermierëve, bazuar tek partia. Kjo është një tjetër çmenduri, që do të marrë fund. Çfarë ka ndodhur jo vetëm në këto 4 vite, por edhe në vitet më parë, me infermierët është e papranueshme. Është parë jo sa është niveli i tyre profesional, por sa janë në gjendje të bëjnë gjilpëra, për të marrë vota për partinë, kjo është e papranueshme. Prandaj, ministria e Shëndetësisë po krijon të njëjtin sistem, portalin e infermierëve, ku do të referohet çdo institucion, mbi bazën e testimit e mbi bazën e pikëve, për t’i punësuar. Ashtu sikundër sistemin e mbrojtjes nga shteti të infermierëve që janë në punë, që kanë eksperiencë e që nuk mund t’i marrin e t’i lëvizin drejtorët sipas qejfit.
Dua t’ua kaloj fjalën të dyja ministreve, që të adresojnë shkurtimisht këto çështje, duke i kërkuar drejtuesve të arsimit dhe të shëndetësisë këtu, që të jenë shumë të qartë në këtë aspekt dhe njëkohësisht, edhe ata të japin në kohë reale, një pasqyrë të qartë të burimeve njerëzore dhe përputhshmërisë së vendit të punës me kërkesat për të gjitha ato vende pune që janë jashtë portalit “Mësues për Shqipërinë”
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla: Ne do të vijojmë me rezultatet e reformës në arsim, ku thelbi do të jetë cilësia. Unë do të doja të ndaja me ju, ato çfarë është detyra jonë, objektivat tonë në këto 100 ditë të para.
Nga 1209 mësuesit e testuar të Vlorës, 67 prej tyre kanë nivelin shumë të mirë, por ndërkohë 13% e tyre janë evidentuar me nevoja të shumta dhe emergjente për kualifikim. Brenda 100 ditëve të para, ne informojmë të gjithë prindërit e Vlorës, por dhe stafet pedagogjike që do të realizojmë trajnimin dhe më pas, testimin e këtyre mësuesve, për të verifikuar daljen nga këto nevoja emergjente. Është e vërtet që, nëse Vlora ka 67 mësues që kanë kapur rezultatet më të larta të performancës, janë 25 drejtues shkolle që janë nën nivelin mesatar të stafit që drejtojnë. Kjo nuk ka të bëjë me faktin që kemi drejtues që performojnë pak më dobët sesa mësuesi që ka dalë më mirë, por sesa niveli mesatar i shkollës. Madje Vlora është kampion, sepse ka një drejtor që në raport me mesataren e stafit që drejton është minus 17 pikë. Është një moment shumë i rëndësishëm, në të cilin ne do të jemi shumë të vendosur për ta ndryshuar këtë realitet. Ashtu sikurse Vlora është një detyrim i madh për ne, për ta parë drejt e në sy këtë realitet, pa fshehur asgjë, është nën mesataren me 1 pikë të të gjithë mësuesve të vendit, në testimin e dalë. Janë 25 drejtues shkollash që do të lëvizin, por kemi edhe 10 drejtorë që kanë performuar më mirë dhe kanë rezultatet më të mira, janë maksimumi me 27 pikë. Ndërkohë që 23 mësues dalin me rezultate më të larta, pra, mbi 27 pikë.
Mua më vjen mirë që ndajmë dhe një lajm të mirë, që po ecim përpara me shkollën e drejtorëve. Do të jetë një investim prej 3 milionë dollarësh, një projekt shumë i rëndësishëm për të mundësuar jo vetëm rritjen e kapaciteteve të drejtuesve të shkollës, por prerjen njëherë e përgjithmonë të ndërhyrjeve të politikës. Ne do ta bëjmë ligjor procesin e licencimit të çdokujt që aspiron për të qenë drejtues shkolle dhe kushdo që do të jetë nesër, në detyrën e ministrit, minimalisht ka detyrimin ligjor për të zgjedhur nga ky staf, për të mos humbur cilësinë, për të vijuar punën si drejtues shkolle.
Në ditët në vijim, ne do të përcaktojmë një nismë, për të thënë të vërtetat e për t’i shkuar të vërtetave deri në fund. Ne kemi realizuar një testim në të gjitha klasat kolektive, për të matur realisht sa dhe si punojnë mësuesit e Shqipërisë. Edhe pse në kushte të vështira, ne kemi detyrimin t’ju shërbejmë nxënëseve dhe të gjitha testimet janë kryer në një mënyrë shumë serioze. Jemi në procesin e vlerësimit të të gjitha testeve në Tiranë dhe shumë shpejt do të kemi jo vetëm informimin për prindërit, por dhe marrjen e përgjegjësive nga qeveria, nga Ministria e Arsimit, nga gjithë strukturat e arsimit, nëse është e nevojshme, për të vijuar me plane plotësuese për nxjerrjen nga vështirësitë.
Ditën e hënë, edhe Universiteti i Vlorës fillon vitin e ri akademik në kushte të reja, pasi është një institucion që ka kapërcyer procesin e akreditimit nga agjencia britanike. Ka qenë një proces tejet serioz, që ka shënuar standarde të reja për të gjithë institucionet e Arsimit të Lartë. Ministria e Arsimit garanton që të gjitha rekomandimet e lëna nga agjencia britanike do të jen në axhendën tonë të punës, për të filluar procesin e verifikimit të të gjithë kritereve ligjore dhe gjithë rekomandimeve të lëna. Janë të gjithë procese që në atë çka është Reforma jonë në Arsim, do të përafrojnë standardet e shkollës shqiptare dhe universiteteve shqiptare me standardet më të mira europiane. Ka shumë rrugë për të bërë, por jemi të vendosur të ecim në këtë rrugë, për sa kohë që matjet e institucioneve prestigjioze dhe që kanë bërë të mundur rishikimin e gjithë Reformës në Arsim të qeverisë shqiptare, thonë që jeni në rrugën e duhur. Ne jemi të vendosur për të ecur në këtë rrugë, sikurse jemi të vendosur për të riorganizuar të gjithë strukturën e arsimit në vend.
Po ashtu do doja të bëja me dije se nga Drejtoria Arsimore Rajonale në Vlorë, zyrat arsimore do të kenë një strukturë krejt të re, që do të jetë shumë më pranë shkollave, duke bërë të mundur inspektimin dhe inspektorin për çdo shkollë dhe për të matur punën e çdo shkolle me tregues realë të matshëm. Kështu që, edhe drejtuesit e arsimit në Vlorë, edhe në zyrat arsimore ta dinë që në ditët në vijim do kemi një proces krejt të ri riorganizimi dhe vendosjes së njerëzve që performojnë më mirë dhe garanton cilësi të arsimit në Vlorë, në Sarandë dhe në Delvinë.
Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu: Qarku i Vlorës ka një sistem të kujdesit shëndetësor, i cili përbëhet nga rrjeti i kujdesit parësor, rrjeti spitalor dhe rrjeti i qendrave të përkujdesit social. Kemi ende shumë për të bërë sa i përket rrjetit parësor të ofrimit të shërbimeve. Nuk jemi akoma aty ku duhet. Ne kemi 1550 punonjës shëndetësie në të gjithë sistemin tonë parësor dhe shëndetësor dhe një pyetje i bëjmë vetes të gjithë së bashku: A jemi ne aq shumë eficentë sa duhet të jemi në raport me pritshmëritë që qytetarët kanë përkundrejt sistemit shëndetësor dhe atij të mbrojtjes sociale?
Ne kemi një raport të sistemit të financimit më shumë në spitalor, sesa në parësor dhe në fakt duhet të jetë invers. Ne duhet të investojmë më shumë në parandalim, më shumë në diagnostikimin e hershëm dhe në kujdesin ndaj popullatës, sesa në spitalor. Kemi bërë të pamundurën që gjatë këtyre viteve të fuqizojmë sistemin spitalor dhe sot, për sistemin spitalor kemi një instrument, i cili është instrumenti më i fuqishëm në dorën e mjekut të familjes, që është kontrolli mjekësor bazë e që bën kontrollin dhe diagnostikimin e hershëm të popullatës, na ndihmon me të dhëna epidemiologjike në lidhje me sistemin tonë shëndetësor dhe më pas na drejton të marrim vendime dhe politika në lidhje me përmirësimin e këtij sistemi.
Ndaj fokusi ynë në këtë 4-vjecar do të jetë fuqizimi i sistemit parësor, në raport dhe me financimet ndaj tij. Ne e dimë që kemi ende shumë për të bërë në Qarkun e Vlorës, në raport me qendrat shëndetësore. Kemi 30 qendra shëndetësore, 186 pika ambulatore, të cilat janë me burimet njerëzore, por nuk janë me infrastrukturën që presin qytetarët. Ne do mbështesim dhe me buxhetin e vitit 2018 kemi parashikuar një fond specifik për projekte për përmirësimin e infrastrukturës së qendrave të kujdesit parësor. Nga ana tjetër, ne duhet të optimizojmë burimet tona. Sëbashku me strukturat e shëndetësisë, me drejtoritë rajonale të shëndetit, me drejtoritë e shëndetit publik duhet të futemi në një organizim të thellë. Në këto 100 ditë do të riorganizohemi dhe do të punojmë të gjithë së bashku për të krijuar agjencitë e kujdesit, agjencitë e menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, të cilat do të sjellin bashkë 2 shërbime: shërbimin parësor dhe atë spitalor në funksion të nevojave të popullatës.
Në raport e Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, që është një instrument tjetër financues i sistemit, ne kemi ende shumë për të bërë në kuadër të monitorimit të gjitha hallkave të sistemit, kundrejt pritshmërive që kanë qytetarët. Ne nuk mundemi më të financojmë shërbime, të cilat nuk ofrojnë cilësi dhe performancë shërbimesh që do qytetari. Ne nuk mundet të pajtohemi sot me faktin që ka spitale që performojnë në 50% të kapacitetit të tyre. Ndaj ne duhet të transformojmë spitalet tona në funksion të rritjes së përmirësimit të cilësisë së qytetarëve.
Në 100 ditët e para të qeverisjes po ndërtojmë një sistem transparent të përzgjedhjes së drejtuesve të sistemit shëndetësor. Kemi hapur konkurset për spitalet universitare dhe rajonale. Dje kemi hapur konkurset për drejtuesit e spitaleve bashkiake. Ne duhet të garantojmë një sistem transparent në përzgjedhjen e drejtuesve, në mënyrë që drejtuesit që do të zgjidhen në Qark, qoftë spital, qoftë rajonal, qoftë bashkiak dhe më tej, duke u shtrirë në drejtuesit e qendrave të parësorit, duhet të garantojnë përdorimin me eficencë të burimeve njerëzore dhe financiare. Ne nuk mund të kemi sot spitale që kanë të gjithë listën esenciale të barnave dhe spitale që nuk e kanë atë, kur ato financohen njësoj. Do të thotë që të gjithë të marrim përgjegjësi, nga unë e para dhe deri tek drejtuesi i fundit i sistemit të spitaleve, përse duhet të mungojnë barnat esenciale në spital. Kjo ka lidhje me efikasitetin në përdorimin e burimeve financiare në mënyrë më të përgjegjshme dhe garancia janë ata njerëz, të cilët me meritokraci e transparencë vendosen në krye të sistemit dhe e udhëheqin atë për të ofruar shërbim.
Kemi ende shumë për të bërë në lidhje me Inspektoratin Shëndetësor Kombëtar, i cili duhet të jetë dora jonë në të gjithë sistemin, në lidhje me të gjithë ato problematika që sot has sistemi.
Ne kemi filluar 100-ditëshin e aksionit të pastrimit të spitaleve dhe t’i çlirojmë nga të gjitha ato aktivitete jospitalore dhe po e shtrijmë këtë edhe në brendësi të spitaleve, në lidhje me hapin e parë: pastrim, higjienizim, uniformat e personelit, në mënyrë që duke e filluar nga disiplina, pastërtia, për të vazhduar me eficencën dhe performancën më të lartë të shërbimeve të ofruara.
Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor duhet të gjejë edhe mënyra alternativa në ofrimin e shërbimeve dhe për këtë jemi duke punuar, për të zgjeruar paketën bazë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, qoftë në sistemin publik, qoftë në sistemin privat.
Pa u dashur të përsëris platformën “Infermierë për Shqipërinë”, të gjitha këto prioritete do t’i çojmë përpara në këtë 100-ditësh të parë.
Kryeministri Edi Rama: Pamja është e qartë. E rëndësishme është që ne të konsolidojmë sistemin e rekrutimit dhe lëvizjes së mësuesve, duke e kthyer në një sistem totalisht elektronik. Nuk ka pse kjo histori të kalojë nga një zyrë në një zyrë tjetër. Është plotësisht e mundur që platforma, njëlloj si platforma e pranimit në universitet, të jetë totalisht elektronike dhe të mos ketë më asnjë lloj subjektiviteti njerëzor, përsa i përket rekrutimit të mësuesve në vendet e lira dhe po kështu, edhe për infermierët.
Si përfundim, mbetet plagë e hapur, por që ne do ta kurojmë me shumë agresivitet, plaga e inspektorateve. Kemi një numër të madh inspektoratesh, të cilat kanë karakteristikat e bandave, ku më shumë e ku më pak janë organizata që funksionojnë si banda, pavarësisht se sa dhe si, kjo është një temë tjetër. Kur them si banda, kam parasysh kulturën organizative, kam parasysh sensin e përgjegjësisë dhe agresivitetin e tyre në raport me publikun. Kjo nuk është një çështje individësh. Ndryshimi i vetëm midis bandave dhe inspektorateve në Shqipëri është që bandat janë të përbëra nga banditë, inspektoratet janë të përbëra nga individë, që për shkak se sistemi i inspektimit është tërësisht i mbrapshtë sillen në mënyrë të mbrapstë. Unë gjithmonë besoj që janë sistemet që i korruptojnë njerëzitm nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemet. Sistemi ynë i inspektorateve është një sistem i korruptuar dhe korruptiv. Numri i gjobave dhe volumi i sulmeve të këtyre strukturave në drejtim të njeriut të pambrojtur, të njeriut që s’di ku të ankohet, është katastrofik. Për fat të keq, rezultati i këtyre gjobave është zero. Rritja e agresionit nuk ka sjellë ndonjë përmirësim, kur vjen puna tek ajo çka ne duam të përfitojmë nga ky sistem.
Reforma e inspektorateve po konceptohet dhe po shkruhet. Shumë shpejt, ajo do të bëhet publike dhe do të aplikohet, duke bërë një reduktim drastik të tyre, duke bërë një bashkim të një sërë inspektoratesh, duke i kaluar në një varësi tjetër dhe duke ndarë qartësisht rolet dhe detyrat. Në Shqipëri jetojmë në një sistem ku vetëm Ministria e Jashtme nuk ka inspektorat. Të gjitha ministritë e tjera kanë secila inspektorët e vet. Se çfarë do të thotë kjo, nuk e di si përkthehet, por një sistem komplet i çoroditur inspektoratesh, që kanë pjellë njëri-tjetrin dhe për ekzigjenca të partisë dhe të tepsisë, për të futur njerëz në punë.
Nëse flasim për burime njerëzore dhe për përshtatshmërinë e këtyre burimeve në raport me detyrat, tek inspektoratet është një hata e madhe se si dhe çfarë janë të rekrutuarit, për të bërë këtë detyrë. Për më tepër, për shkak të sistemit kanë një formë “sqepi” si individë, që turren në adresë të presë së tyre. Për të gjitha këto dhe për të lehtësuar këta njerëz, për t’i tërhequr nga kjo veprimtari agresioni të përditshëm ndaj qytetarëve, për t’i rehabilituar dhe për t’iu marrë më të mirën atyre që vërtetë vlejnë në një sistem tjetër dhe për t’i përcjellë ata që janë kalbëzuar në pikën që janë të parikuperueshëm, që të shkojnë të rehabilitohen në jetën dhe në sipërmarrjen private, apo të vetëpunësohen diku tjetër, na duhet kjo reformë dhe ne do ta bëjmë me shumë vendosmëri dhe me shpejtësi.
Duke i falenderuar të gjithë të pranishmit, të mos harrojmë raportin e burimeve njerëzore të çdo drejtori të administratës qendrore në Qarkun e Vlorës, të përputhur me objektivat e çdo vendi pune. Kjo është një detyrë që duhet përmbushur brenda 10 ditëve. Çdo drejtori duhet të dorëzojë kë ka në punë, çfarë diplomash kanë, çfarë pune supozohet se duhet të bëjnë.
Shumë faleminderit! Një fundjavë të mbarë dhe një fillimjavë me energji sa më pozitive, në funksion të këtyre çështjeve, të cilat ne diskutuam.