Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, vizitoi sot zonën hidrokarbure Molisht-Shpirag, ku kompanitë Royall Dutch Shell dhe Petromanas Albania janë duke kryer operacionet e kërkimit për hidrokarbure.
Molisht-Shpirag përbëjnë bllokun e kërkimit 2-3 dhe në bazë të Marrëveshjes Hidrokarbure, ka përfunduar faza e parë e kërkimit. Gjatë kësaj faze ka përfunduar shpimi i pusit Shpiragu-2 dhe është në proces shpimi i pusi Molishti-1. Investimi në këtë fazë kap vlerën e mbi 200 milionë dollarëve, ndërsa shpimi për kërkimin e hidrokarbureve shkon afro 3500-4000 metra nën tokë.
Pas shpimit të pusit Shpiragu-2, në tetor-nëntor 2013 u krye testimi, rezultoi në zbulim të naftës dhe gazit, në sasi të konsiderueshme.
Nga drejtuesit e kërkimeve, Kryeministri Rama u informua se aktualisht operacionet hidrokarbure janë përqendruar për përfundimin e shpimit të pusit Molishti-1 dhe se parashikohet edhe shpimi i 3 puseve të tjerë, me investim prej 200 milionë dollarë. Kastriot Bejtaj, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Petromanas, tha se treguesit e parë të pusit Shpiragu-2 flasin për përmbajtje hidrokarbure, naftë e lehtë, e një cilësie shumë të mirë, 150 tonë në ditë dhe 50 m3 gaz, në ditë. Ai u shpreh edhe për nivelin shumë të mirë bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe autoritetet lokale.
Kryeministri Rama e konsideroi një lajm shumë të mirë, këto tregues, për industrinë e hidrokarbureve dhe ekonominë shqiptare në tërësi. Por ky sektor, theksoi Kryeministri, përballet me problematika serioze dhe mungesë transparence, për adresimin e të cilave nevojiten hapa të shpejtë për ristrukturimin e tij.
“Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë hapa shumë të shpejtë për ta ristrukturuar gjithë sektorin, në mënyrë që aktorë të një rëndësie kaq të lartë, sa ç’jeni ju, jo vetëm që të ndjehen mirë brenda kufirit të zonës, por të ndjehen mirë në gjithë raportet me sektorin, sepse e dimë që sektori ka qenë jashtëzakonisht problematik, jashtëzakonisht jo transparent, jashtëzakonisht i kapur nga interesa dhe fije që e kanë dëmtuar shumë perspektivën e tij dhe kanë cenuar të ardhurat e popullit. Ndërkohë, në këtë vijë paralele, ju duke shpuar e duke nxjerrë dhe ne duke garantuar rrugën e transparencës, do të bëjmë të mundur që përfitimi reciprok të jetë absolutisht i plotë, aq më tepër që nafta këtu është i një cilësie spektakolare dhe është një kualitet i ri për Shqipërinë.” –u shpreh Kryeministri.
Një lajm shumë të mirë e vlerësoi edhe ministri Gjiknuri, i cili theksoi se me investimet që po kryhen në këtë bllok mund të rritet deri në 50% prodhimi i naftës në Shqipëri.
“Mbi të gjitha, cilësia e naftës është shumë e mirë dhe potencialisht mund të rrisë prodhimin e Shqipërisë deri në 50 % më shumë sesa është sot. Gjë që, duke marrë parasysh edhe cilësinë shumë të mirë të naftës, në terma financiarë do të thotë gati 70% më shumë të volumit të eksportit të naftës sot. Rëndësia e gjithë këtij blloku, nëse do të zhvillohet si duhet, në bazë edhe të investimeve tepër serioze nga Shell dhe Petromanas do të jetë një lajm shumë i mirë për Shqipërinë, një rritje shumë e madhe e prodhimit, më shumë të ardhura edhe për shtetin shqiptar; një gjë shumë e mirë për industrinë e naftës dhe e kthen Shqipërinë në një vend të rëndësishëm nafte, të cilësisë nga më të mirat e naftës së lehtë që ndodhen sot në botë.” –tha ministri Gjiknuri.
Kërkimet në këtë zonë kanë filluar që në vitin 2001, kur u shpua pusi Shpiragu-1, i cili vërtetoi praninë e hidrokarbureve në strukturën e Shpiragut. Të dyja kompanitë kontraktuese Royall Dutch Shell dhe Petromanas Albania janë kompani të listuara në bursat ndërkombëtare.