Kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Berat, zhvilloi një vizitë të pa lajmëruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Kryeministri u njoh nga Drejtori i ZRPP-së të qytetit me situatën dhe problematikat e këtij institucioni, si dhe bisedoi drejtpërdrejt me qytetarë të ndryshëm, të pranishëm në mjediset e kësaj Zyre, për cilësinë dhe kushtet e shërbimit që u ofrohet. Qytetarët thanë se me drejtimin e ri të ZRPP-së është shënuar një fillim i mbarë, si dhe u shprehën të kënaqur me ecurinë e punës deri më tani.
Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi shprehu shqetësimin se “qyteti i Beratit është zonë e paregjistruar”. Për më tepër, drejtori i ZRPP-së e njohu Kryeministrin se “katër zona janë në regjistrim fillestar, ndërsa pjesa tjetër është regjistruar”. Por, sipas tij, problem është dixhitalizimi i regjistrit të pronave.
Kryeministri Rama shprehu shqetësim për problemet që janë trashëguar lidhur me situatën e dokumentacionit, duke nënvizuar se procesi i dixhitalizimit duhet ngritur nga e para, por kërkoi që ndërkohë qytetarëve duhet t’i ofrohet shërbim korrekt në çdo sportel. “Probleme të mëdha janë trashëguar me situatën e dokumentacionit. Është një katrahurë në të gjitha nivelet. Edhe procesi i regjistrimit dixhital është zhvilluar në mënyrën më katastrofike. Duhet, praktikisht, t’i ngremë të gjitha nga e para”, theksoi Kryeministri. Kreu i Qeverisë shtoi se pavarësisht situatës me dixhitalizimin e regjistrit të pronës, shërbimi dinjitoz për qytetarët nuk duhet të mungojë në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë. “Asgjë nuk na justifikon në raport me njerëzit. Njerëzve duhet t’u japim shërbimin më korrekt të mundshëm në çdo sportel”.
***
Kryeministri Edi Rama adresoi sot nga qyteti i Beratit, gjatë një vizite të palajmëruar në Drejtorinë e Shëndetit Publik të këtij qarku, dy nga problematikat akute të sistemit tonë shëndetësor: furnizimin e spitaleve me medikamente dhe vënien në funksionim të aparaturave spitalore. Të dyja këto problematika shqetësuese, theksoi Kryeministri, së shpejti do të marrin zgjidhje, ndërsa po punohet për reformimin e këtij sistemi.
“Kemi trashëguar një situatë katastrofike me ilaçet dhe me aparaturat, në të gjithë sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë. Aparatura të blera që nuk kanë punuar një ditë, ose që nuk punojnë se kanë mangësi dhe as që nuk janë vënë në punë se janë me probleme, me tenderë skandalozë. Po ashtu me ilaçet. Por të dyja shumë shpejt do t’i vëmë në vijë. Furnizimin me ilaçe e kemi prioritet, po e sistemojmë. Plus që kemi edhe një ulje të çmimeve. Ndërkohë që për aparaturat, po ndërtojmë një skeme të re, të funksionimit dhe të mirëmbajtjes,” – u shpreh Kryeministri, në një bisedë me stafin e këtij institucioni.
Mjekët sugjeruan që politikat shëndetësore nuk duhet të mbështeten në bazë rrethi, por edhe rajoni. “Këtu ka një emërtesë ku thotë Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, por ‘de facto’ ka vetëm emrin, pasi asnjë funksion nuk ushtron,” – u shpreh një mjek.
Kryeministri Rama theksoi se sistemi i shëndetësisë, sikundër i gjithë sistemi organizativ i shtetit, ka nevojë për një ristrukturim tërësor. Në funksion të kësaj, Kryeministri Rama e vlerësoi si një hap jetik reformën territoriale.
“Reforma territoriale është hapi i parë i rëndësishëm, themelor, për të ristrukturuar gjithë funksionimin e shtetit. Reforma territoriale do të na japë mundësi të re, perspektivë të re për shëndetësinë, për transportin, për arsimin, për pastrimin, për trajtimin e mbetjeve, për ujësjellësin, për energjinë. Është një reformë historike dhe jetike, për të ngritur shërbimin në një cilësi të re. Ju e shihni vetë që në këto kushte është e vështirë, sepse është i gjithë sistemi që duhet rindërtuar dhe duhet riorganizuar, flas për gjithë sistemin organizativ të shtetit,” – u shpreh Kryeministri.
***
Kryeministri Rama inspektoi sot në Berat, ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e Bulevardit “Republika” të këtij qyteti, pjesë e projektit BiD, i cili nisi të vihet në zbatim në tetor të vitit 2013.
“Projekti i parë i një ndryshimi të madh” do ta cilësonte atëherë kryeministri nisjen e tij, investim i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit.
Teksa u takua me ndërtues e projektues, të cilët i përgëzoi për punën e deritanishme, Kryeministri kërkoi përfundimin e punimeve dhe vazhdimin me pjesët e tjera, brenda këtij viti.
Kryeministri tha se në se realizohet ashtu siç duhet, ideja bazë, – kjo pjesë qytetit mund të shndërrohet në një magnet të fuqishëm për të tërhequr më shumë vizitorë e turistë. E ndërmjet të tjerave për ti dhënë mundësi të reja zhvillimi biznesit të vogël.
Ashtu si në fillim, kryeministri e cilësoi një projektin “një dallëndyshe”, por jo të vetme, pasi ka edhe shumë projekte të tjera që po vihen në zbatim. “Ne na duhet ta mbarojmë këtë pjesë dhe të vazhdojmë brenda këtij viti me pjesët e tjera në mënyre që gjithfarë përfshin ideja bazë të mund të realizohet, edhe lulishtja edhe dy anët e munguara që duhet të lidhin sheshin me lumin. Në mënyrë që të transformohet rrënjësisht kjo pjesë e qytetit dhe të shërbej si magnet i fortë për të tërhequr më shumë vizitorë edhe për të rritur patjetër edhe konsumin sidomos duke shtuar shumë mundësitë për biznesin e vogël. Jam i bindur që do të funksionoj dhe si “dallëndyshja e parë” ky projekt po sjell tani “dallëndyshe” të tjera sepse është vetëm fillimi që lajmëron pranverën.” u shpreh kryeministri.