Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedim publik i Kryeministrit Edi Rama përmes rrjeteve sociale: 

 

Jam këtu për të bërë një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me ju, në përgjigje të shumë pyetjeve dhe po ashtu, të pyetjeve që do vazhdoni të bëni. Përpara se të nis t’i përgjigjem pyetjeve, dua të vë në pah disa gjëra, duke filluar nga një fakt që duhet t’i shërbejë të gjithëve si një mësim. Një fakt aspak pozitiv, i konstatuar nga testimet, që tregon qartë se çfarë përgjegjësie të madhe ka secili prej nesh në funksion të ruajtjes së shëndetit të njerëzve të vet më të afërt, që tregon qartë  se, sado rregulla të vëmë, sado polici të kemi, sado ndëshkime në Kodin Penal, në fund të ditës, gjithçka kryesore varet nga secili prej nesh. Varet nga sjellja e secilit prej nesh në një luftë ku nuk është kush ia hedh shtetit, por secili respekton rregullat, në mënyrë që të mos i fusi (largqoftë!) prindërve, familjes, të afërmve, miqve, bombat në trup.

Një djalë, i cili nuk duhet të lëvizte nga qyteti në qytet, pa simptoma, siç jemi pa simptoma të gjithë, dikush  e ka, dikush nuk e ka, por që e kam thënë që ditën e parë, duhet të sillemi sikur e kemi, niset në një zonë tjetër të vendit, se e kishte marrë malli për prindërit. Të dy prindërit e moshuar, me probleme shëndetësore për shkak të moshës dhe jo vetëm, i infekton. Sot, prindërit janë të rrezikuar seriozisht. Djali nuk ka simptoma, akoma sot që flasim. Ҫfarë do të thotë kjo, sidomos në kushtet kur ne do të hapemi gradualisht? Kjo do të thotë që në fund të ditës, roja që nuk duhet të lëshojë istikamin është vetja jonë.

Dëgjo shumë, lexoj shumë, ju ndjek shumë të gjithëve, edhe ju përgjigjem e nganjëherë me ndonjë “shpullë” në përgjigje, për të  sjellë në vete disa prej jush që flisni broçkulla. Por ajo që dëgjohet gjithmonë e më shpesh është, pse nuk lirohemi? Ҫfarë është kjo diktaturë, ne dimë vetë të ruhemi, ne dimë vetë të mbrohemi. E pra, patjetër që do të lirohemi, hap pas hapi, por në themel të çdo hapi që hedhim për t’u liruar, qëndron përgjegjshmëria e secilit prej nesh për të mbrojtur veten e për të mbrojtur të tjerët. Pse nuk më ka marrë malli mua për nënën time? Nuk dua unë të shkoj ta takoj nënën time? Apo kam frikë se do më kapi policia rrugës? Jo, unë e zbatoj rregullin, njësoj siç ju kërkoj juve ta zbatoni, pikërisht sepse besoj që ky rregull më mbron mua, familjen time, nënën time, të gjithë të afërmit e miqtë e mi. Rregullat nuk janë në këtë kohë sepse kështu do shteti, sepse kështu dua unë, siç dërdëllisin disa këtu, por rregullat në këtë kohë janë për të na dhënë të gjithëve një kornizë sigurie dhe për të përcaktuar një vijë të kuqe, shumë të fortë, që përkufizon qartësisht lirinë tonë si një mundësi që mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. E në këtë rast, ky rregull i përmotshëm e i përhershëm ka një komponent të ri; Komponentin e mbrojtjes së jetës dhe mbrojtjes së shëndetit.

Ҫfarë nuk thonë e çfarë nuk shkruajnë disa këtu, dëngla, budallëqe me okë, “kjo është një përallë, ky është një komplot i madh, këtu qeveritë po përdorin virusin për të shkatërruar popullin”.

A jeni në vete! E shihni çfarë bëhet!

Dakord, Shqipëria, disave nuk ua mbush mendjen, shqip disa nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të lexojnë e për pasojë nuk duan të kuptojnë sidomos kur nuk e duan atë person, apo atë forcë, që jua përçon fjalën dhe informacionin. Dakord, unë qenkam ai që po përfitoj për të vendosur komunizmin këtu. Po botën e shikoni? E shikoni çfarë bëhet rreth e rrotull? Njerëz, miq e të njohur  rreth e rrotull nëpër botë keni që të gjithë. Po ekran keni, apo atë mrrokllën që përdorni për të shkruar komentet nuk e përdorni për të parë se çfarë ndodh kudo në botë?

Prandaj, edhe një herë, prindërit tanë janë gjëja më e çmuar që kemi, nuk mund t’i rrezikojmë, nuk mund t’i fusim në qorrsokakun e kësaj lufte, nga ku ata janë më të rrezikuarit e nga ku është shumë e vështirë (largqoftë!) të dalin gjallë nga terapia intensive, për shkak të moshës, për shkak të sëmundjeve të tjera që mund të kenë. Dënglat “do shkojë djali atje se shteti i ka braktisur ata”, lërini ju lutem, sepse po bëjmë gjithçka, ditë e natë, për të ndihmuar sa të mundemi kudo e këdo. U bënë 6 javë pak nga pak, keni dëgjuar të vdesë ndonjëri për bukë? As e keni dëgjuar, as do e dëgjoni kurrë, për 1001 arsye, por në rastin konkret, edhe për një arsye të madhe, që ai solidaritet që i ka karakterizuar shqiptarët përjetësisht, sot ka edhe një komponent të fortë të shtuar, përveç solidaritetit të familjes, të miqve, të fqinjëve etj., që është solidariteti i madh i shtetit. Me të gjitha të metat, me të gjitha boshllëqet, edhe me abuzime që mund të ketë lart e poshtë, që nuk i përjashtoj fare, asnjëherë, ato pako që çojmë kur janë pjesë e operacionit që drejtohet nga Ministria e Mbrojtjes – se ka edhe pako që i çojnë bizneset -, i verifikojmë të gjitha, i monitorojmë të gjitha. E faktikisht ka filluar xhiroja e dytë dhe e tretë në shumë familje.

Ju lutem shumë, fokus tek sjellja dhe tek ndërgjegjja. Si do bëjmë, do hapemi e pastaj do fillojmë të shkojmë të gjithë nëpër plazhe? Do fillojmë të hapemi të gjithë rrugëve, me idenë që nuk më kap mua, me idenë që është liria ime, apo me idenë që e di Zoti? Zoti të ka dhënë ty, njeriut, mendjen që të mendosh e të mbrosh veten e të mbrojë dhe Zoti.

“A do miratoni një ditë leje për fëmijët që të shkojnë tek prindërit? I kemi në qytet tjetër. T’i hedhim një sy, janë moshë e thyer, se na mori malli? Të lutem kthe një përgjigje.”

Malli patjetër të merr, por, mbi të gjitha, arsyeja thotë që ti nuk duhet të shkosh t’i takosh prindërit, sepse (largqoftë!) ju bën atë gjëmë që ju bëri ai djali që nuk vajti t’i infektojë, nuk diskutohet, por vajti se e mori malli dhe tani i bie kokës me grushte e nuk di si do shkojë fati i prindërve të tij.

“Përshëndetje! Për nesër e në vazhdim do të jetë përsëri e bllokuar në fundjavë?”

Të shtunë e të dielë do të jetë e njëjta gjë, siç ishte të shtunën e të dielën e kaluar. Të gjithë në shtëpi,  pa përjashtim, përveç atyre që janë në ato punë të lejuara për të shtunë e të dielë, sepse jemi në një situatë shumë pozitive, por situata pozitive është e përmbysshme sa hap e mbyll sytë, nëse ne lëshohemi. E patë që doli me Covid, njëri prej atyre që erdhën nga Greqia, që më ra goja? Fatmirësisht është në karantinë. Po të kishte vajtur në shtëpi në Përmet, sot edhe Përmetin do ta kishim zonë me vatër infeksioni. Ku ka Kryeministër në botë, edhe më i çmenduri dhe më i keqi qoftë, të dojë t’i shtojë vetes e punës së vet halle kaq të mëdha, sa halli i kësaj situate e sa halli i të qenit shënjestër për sharje, akuza e për mallkime të njerëzve që nuk hyjnë dot sot, në vendin e vet, normalisht.

Më thoni çfarë të doni, nuk ka problem, i gëlltis të gjitha. Si mendoni, është kënaqësi kjo, dëshirë, është çfarë? Kjo është një domosdoshmëri. Nëse ne do të hapnim kufirin sot, ashtu siç pretendojnë disa, ne sot nuk do ta kishim këtë situatë. Nëse ne nuk do bënin karantimin e detyruar nëpër shtëpi për ata që erdhën më parë, në ato dy-tre javët para se të mbylleshim, se nuk kishim si i fusnim 140 mijë persona menjëherë në hotel dhe nëse nuk do bënim karantinimin në hotel sot, me pikatore, ne do kishim probleme. E për çfarë na duhen këto probleme!

E pra, ju lutem shumë, ndërgjegjësohuni e mblidhni mendjen top, që të gjithë, që kjo ka ardhur këtu për të na sjellë problem, ka ardhur këtu për të na krijuar situata krejt të pakëndshme, ka ardhur këtu për të na i shtuar hallet, por nuk ka ardhur këtu për të ikur sa hap e mbyll sytë e patjetër do gjejmë balancën midis mbrojtës së shëndetit me çdo kusht. E kam thënë, ekonomia bie, por ngrihet, njeriu jeton edhe pa bukë me ditë të tëra, por po vdiq, nuk ringjallet më. Të vdekurit nuk i ringjallim dot më. Prandaj, ju lutem shumë, me vetëdije që çdo hapje kërkon një balancë më të fortë e sa më shumë të hapemi, aq më pak është roli i shtetit, i policisë dhe i ushtrisë, i inspektorëve dhe i kontrolleve, ai që e mban balancën e aq më shumë është roli i individit, roli i secilit prej nesh.

“Lejo lëvizjen e lirë me automjete, qoftë dhe një person brenda, jemi të detyruar të mos përmbushim dot nevojat tona brenda afatit të caktuar për shkak të distancës.”

Ne kemi një strategji hapjeje të vlerësuar dhe të aprovuar nga ekspertët dhe të konsultuar edhe ndërkombëtarisht me të tjerë, për të dëgjuar, për të kuptuar. Dje kemi pasur një bashkëbisedim jashtëzakonisht të dobishëm, falë kancelares gjermane që na vuri në dispozicion, me kërkesën time, grupin e ekspertëve gjermanë me në krye Institutin e Shëndetit Publik gjerman, Institutin “Robert Koh”. Mos përdorni më kot shembuj, Gjermania, Suedia, Norvegjia e të tjera. Ju garantoj që edhe me ekspertët gjermanë kemi konfirmuar drejtësinë dhe saktësinë e strategjisë sonë, qoftë për hapjen, qoftë për testet. Jeni bërë të gjithë ekspertë testesh e flisni të gjithë për teste, duke dëgjuar televizor e duke dëgjuar lloj-lloj dokrrash, në vend  që të fokusoheni të dëgjoni ekspertët dhe ekspertë jo të të gjitha llojeve, por ata që kanë mandat institucional, që mbajnë përgjegjësi për ato që thonë, jo ata që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për ato që thonë nesër.

Ne duhet të bëjmë një lëvizje të përshkallëzuar dhe nga fillimi i javës tjetër, në një sërë zonash të vendit do të kemi një relaksim më të madh sesa në Tiranë e në zona të tjera që janë me risk më të lartë. Kjo do të thotë që nuk do të hapet në asnjë mënyrë transporti nga një zonë në tjetrën, nga një qytet në tjetrin,  edhe për disa ditë e javë, që të jemi shumë të qartë. Por do të lejohet një lëvizje e relaksuar në zona që kanë risk të ulët.

Faktikisht, i gjithë Qarku i Gjirokastrës do të jetë një zonë ku do të ketë më shumë lehtësira në lëvizje. Po kështu i gjithë Qarku i Dibrës do të jetë një zonë ku do të ketë më shumë lehtësira në lëvizje. Po kështu Bashkia e Divjakës do të jetë një zonë që do të ketë më shumë lehtësi lëvizjeje. Sikundër edhe Bashkia e Sarandës, Konispolit dhe Himarës, do të jenë një tjetër zonë që do kenë liri lëvizje të ndërmjetme, pra, edhe ndërmjet njëra-tjetrës. Po kështu edhe zona Pogradec, Përrenjas e Librazhd. Këto janë zona me risk të ulët, që sëbashku me ministren e Shëndetësisë e me disa ekspertë të saj i kemi diskutuar gjerësisht edh përpara se të vija këtu, – prandaj e shtymë pak këtë komunikim, – jemi kuptuar mirë. Ministrja e Shëndetësisë do të bëjë me dije rregullat që do të funksionojnë në këto zona, por të jemi shumë të qartë. Hapja sjell jo vetëm një rrezikshmëri më të lartë për infektimin, por edhe mundësinë që numrat të rriten, pra, aty ku nuk ka asnjë, mund të fillojmë të kemi. Që do të thotë që ne nuk mund të rrimë mbyllur deri sa të dali vaksina. Jam shumë dakord me shumë njerëz që thonë “si do rrimë mbyllur”, jo se do vdesim për bukë, se atë vdekjen për bukë nuk e duroj dot fare kur e përmendni se është komplet pa lidhje me realitetin historik e realitetin aktual të Shqipërisë, por sepse realisht nuk mban më nëse rri kjo punë derisa të dali vaksina dhe nuk dihet se kur del vaksina, për një vit, për një vit e gjysmë, për dy vjet, nuk e di askush. Por duhet të garantojmë sjelljen, duhet të garantojmë rregullat në të gjitha aspektet. E përsëris, nuk është çështja e Kodit Penal, këtu është çështja e kodit njerëzor, mbro familjen tënde, mbro prindërit e tu. Nuk mundesh ti trimi i lagjes të hapësh lokalin me idenë që nuk të kapin – e mund të mos të të kapin – dhe aty në atë lokal të të vijë dikush të të fusi bombën në xhep e ti të shkosh t’ia fusësh pastaj bombën prindërve në shtëpi. E kështu për të gjithë sipërmarrësit, për të gjithë tregtarët, për të gjithë konsumatorët.

Në këto zona do të mundësojmë që lëvizja fshat – qytet të jetë shumë më e relaksuar.

Do të mundësojmë që dalja me këmbë të jetë shumë më e relaksuar.

Do të mundësojmë që pensionistët të dalin në një fashë të tyren në mëngjes, të tjerët në shtëpi, deri në 8:30 apo në 9:00, – kjo do përcaktohet në urdhrin që do nxjerrë ministrja e Shëndetësisë – dhe pastaj, pensionistët në shtëpi, të tjerët mund të dalin; prindërit me fëmijë jo më shumë se 10 vjeç, mund të dalin dhe të rinjtë, por jo më shumë se 2 veta dhe duke ndaluar rreptësisht qëndrimin në vend dhe grumbullimin nëpër parqe, shtrirjen nëpër lëndina të grupeve dhe pikniqet dhe të gjitha ato që pastaj do sjellin përveç dëmit të drejtpërdrejtë tek ata që mund të infektohen, edhe kthimin mbrapa.

Ky proces, – e thonë të gjithë dhe edhe dje, me ekspertët gjermanë këtë diskutuam, – do të jetë liro-shtrëngo në varësi të numrave, në varësi të dinamikës në territor.

Paola Grabova bën një pyetje që e bëjnë shumë, – sepse shumëkush merr përsipër të flasë për testet, duke dëgjuar majtas-djathtas dhe nga ata që flasin majtas-djathtas, shumica nuk dinë çfarë flasin, – “A është e mundur që të shtohet numri i testeve dhe a mund t’i prodhojmë në Shqipëri?”

Le të thonë ç’të duan këta profesorët e aritmetikës “7×7=42”, strategjia jonë e testeve është e saktë. Edhe dje, në diskutimin me ekspertët gjermanë, por edhe në të gjitha diskutimet me ekspertë të tjerë në vende të tjera, por edhe falë ndërlidhjes së vazhdueshme që ka ISHP-ja me këto institute, kemi konfirmuar plotësisht nga biseda dhe nga të gjitha pyetjet që kemi bërë dhe përgjigjet që kemi marrë, që ne kemi strategjinë e duhur.

Nuk bëhen teste për teste.  Gjermania nuk teston persona asimptomatikë, nuk nxjerr tamponët rrugëve, për të bërë teste KҪK, “kap çfarë të kapësh”. Gjermania ka të njëjtin sistem dhe ndjek gjurmët, ndjek kontaktet, siç bëjmë edhe ne, ndjekim gjurmët, ndjekim kontaktet. Gjermania niset vetëm nga personat me simptoma, jo nga të tjerët. Kështu që nuk është çështje kjo, “bëni më shumë teste”. Sot mund të më bëni mua një test. Unë mund të jem me Covid, por virusi mund të jetë në fazë inkubacioni dhe mua më thoni je negativ. E me idenë që unë jam negativ, nëse nuk sillem sikur e kam Covidin, siç bëj faktikisht çdo ditë, unë mund të shkoj të marr në qafë të tjerë. Nga ana tjetër, testi mu bë sot, po nesër do ma bëjnë përsëri testin? Pasnesër do ma bëjnë përsëri? D.m.th, populli do bëjë testin çdo ditë këtu?!

Nuk funksionon kështu. Është një idiotësi interpretimi i tillë. Teste-teste-teste, siç thotë OBSH-ja, meqë të gjithë këto që flasin i referohen OBSH-së, do thotë testo-testo-testo, kontakte-kontakte-kontakte, jo nisu pas berihait dhe bëj tampona në ajër.

“Kam komentuar disa herë,” – thotë Lejda, – “po nuk kam marrë përgjigje. Punoj në një biznes të vogël. Aprovimi më ka ardhur që në datën 11 dhe s’më ka ardhur…” 

Tani që flasim, 54 243 pagesa nga paketa e parë janë në kontot e personave dhe faza e verifikimit të një pjese prej disa mijërash vazhdon, që do të thotë se në këtë fashë ka nga ata që janë refuzuar, janë ankuar dhe po verifikohen e nga vlerësimet e bëra, do të paguhen, apo që do të thotë se për shkak të futjes dhe të korrigjimit në proces të mekanizmit, p.sh, u tha që në fillim se nuk do paguhen ata që janë regjistruar këtë vit si biznes, është e pavërtetë dhe u bë me dije interpretimi i duhur i kësaj. 54 243 e kanë në konto pagën, transhin e pare. Kur të vijë transhi i dytë apo i treti, ne nuk do t’i heqim dy transhet e tjera, pavarësisht se shumica e tyre do kthehen në punë nga hapja. Duke filluar nga e hëna, mbi 27 mijë do shkojnë të punojnë dhe nga e hëna tjetër e tutje janë dhe disa mijëra të tjerë që do shkojnë të punojnë, gjithmonë nëse numrat do na e lejojnë dhe nëse nuk do kemi shumë si ai i marri që shkoi dhe iu la prindërve bombat në trup, se përndryshe do tërhiqemi përsëri mbrapa.

Nga paketa e zgjeruar, tani që flasim, 49122 persona i kanë paratë në bankë dhe kjo shifër do të shkojë në 176 mijë, pak a shumë. Në total jemi në numrin e 260 mijë personave që do të paguhen, me këta që janë paguar dhe me të tjerë që do paguhen. Unë dëgjoj këta të balonës tabake të “7×7=42”-it, që flasin për 1 milionë të punësuar e për 1 milionë të tjerë që duhet…, po sikur kishin ikur të gjithë nga Shqipëria, sikur nuk kishte njeri në punë këtu, përpara se të fillonte kjo flame. Tani na dolën që të gjithë janë në punë dhe të gjithë janë në Shqipëri. Me aritmetikën e tyre na del se Shqipëria ka 5 milionë banorë në total, ot ë llogarisim që ka dhe emigrantë.

“Kemi kafshë, shtëpiake. A do marrim autorizim?” 

Është edhe kjo diçka për të cilën kam marrë shumë ankesa të drejta nga njerëz që kanë qen, kanë një lidhje të tyren me kafshë shtëpiake. Në platformë do ketë edhe një autorizim specifik, por, ju lutem shumë, sepse duke bërë autorizime për bizneset, ka një mori kategorish, një mori detajesh për të zgjidhur dhe brenda ditës së nesërme besoj se do jenë të gjitha të konsoliduara në mënyrë që java tjetër të jetë më e thjeshtë për të gjithë.

Enkelejda thotë: “Kur do hapet QSUT-ja për të ofruar shërbime spitalore dhe kirurgjie për njerëzit që luftojnë?”

QSUT-ja nuk është mbyllur kurrë për njerëzit që kanë nevojë për shërbime spitalore dhe kirurgjie. Nuk është mbyllur asnjë ditë. Të sëmurët e Onkologjikut asnjë ditë nuk janë përjashtuar nga shërbimi. Nuk ka ndodhur.

“Kam qenë në punë të zezë. A përfitoj nga paga e luftës?”

E vetmja gjë që ne po përpiqemi tani dhe duam të bëjmë. Pasi kemi vendosur që t’iu japim një pagë edhe punonjësve të Ballshit, të cilët jemi munduar me të gjitha mënyrat që t’i ndihmojmë gjithmonë, por ajo është një situatë private, e ngatërruar, në një kategori biznesi shumë të ndërlikuar, por kjo është temë tjetër. Atyre do t’u japim një pagë nga paketa e zgjeruar, ndërkohë po studiojmë numrin e familjeve që nuk kanë përfituar për shkak të pikëzimit si familje në ndihmë ekonomike dhe ku ka shumë që punojnë aktualisht në të zezë, të cilët nuk mund t’i ndihmojmë dot direkt, por do përpiqemi t’i ndihmojmë në këtë mënyrë. Pra, gjithë këtë kategori familjesh, – duke përjashtuar ata që kanë mashtruar e ka shumë që kanë mashtruar me të dhënat për të marrë ndihmë ekonomike dhe prandaj janë përjashtuar, – do t’u vijmë në ndihmë. Nuk e di ekzaktësisht sot, sepse akoma s’jemi në fazën përfundimtare të kësaj analize, qoftë nga pikëpamja e kategorisë, qoftë në pikëpamjen financiare, por do ta shtojmë edhe një bllok tjetër familjesh, ku një pjesë jo e vogël punojnë në të zezë.

Vjollca Blloshmi pyet: “Kam dy fëmijët në Tiranë. Jetoj dhe punoj në Gjermani. Si mund t’i marr fëmijët?”

Vjollca, të lutem, ti dhe të gjithë duhet të mirëkuptoni, nuk janë hapur fluturimet me asnjë vend. Janë hapur korridore humanitare për të lehtësuar kthimin në vendin tonë të atyre që janë jashtë dhe do vazhdojë korridori të jetë i hapur, por edhe për disa javë nuk mendoj se do ketë hapje të fluturimeve. Ka vende në Europë që nuk pranojnë fare askënd, as shtetasit e tyre dhe nuk kanë fare fluturime që sjellin shtetas të tyre apo të tjerë. Prandaj ju lutem shumë durim, edhe pak.

“Kam një bar, kafe të vogël. A mund të punoj me dyer të mbyllura, duke siguruar të gjitha kushtet e higjenës, pra, kush dëshiron kafe të vijë ta marrë tek dera, duke ruajtur distancën si në market. Më shumë se ekonomikisht, po rëndohem psikologjikisht.”

E di, por e gjithë ekspertiza, të gjitha këshillat janë që të ruhemi seriozisht nga hapja e bareve, restoranteve, lokaleve, sepse janë një vatër infeksioni e jashtëzakonshme kudo në botë. Po shohim të gjitha opsionet, por duhet dhe pak durim.

“Kam gati një muaj që nuk funksionon komisioni për aksidentet rrugore. Duhet të marrim kompensimin nga siguracioni.”

Kjo është një marrëdhenie me kompaninë e sigurimeve. Kjo nuk është një marrëdhënie e drejtëpërdrejtë me shtetin.

“Përse duhet të lëviz me taksi që kushton 5 herë më shtrenjtë, sesa me mjetin tim privat?”

Lëvizja me automjet privat, jo për punë, do të lirohet kur të jemi më të sigurtë. Ndërkohë që do ta kemi më të lirë për një fashë të caktuar orare edhe lëvizjen me automjet privat, jo vetëm të atyre që shkojnë në punë, por edhe të të tjerëve, në ato zona ku do të pilotojmë një hapje më të madhe, për të parë efektet dhe për të parë a do të rritet dhe si do të rritet. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë,  unë e kam kuptuar duke dëgjuar me vëmendje, duke mbajtur shënim, duke mësuar dhe është shumë e veshtirë që ju që nuk dëgjoni, nuk mësoni, që s’doni ta kuptoni, ta mësoni. Por unë  e kam mësuar mirë këtë gjë, nga ata që e dinë mirë këtë punë. Virusi nuk ikën meqë ne po mbyllemi në shtëpi. Është aty, pas dritares, prapa derës. Ne, duke qenë në shtëpi, nuk i japim mundësi që të vijë të na hidhet dhe pastaj të na përdori për transportues zinxhir. Në momentin që dalim, ne ekspozohemi dhe prandaj, kur dalim, duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të respektojmë rregullat. Prandaj, sa më shumë të hapemi, aq më shumë ekspozohemi. Duhet të bëhemi ne të ndërgjegjsëm, se nuk bëhet kjo punë me ushtri dhe polici, duke i vënë çdo njeriu mbi kokë një ushtar dhe një  polic. Kjo bëhet me ndryshim të sjelljes. Harrojeni normalitetin që kishim përpara kësaj! Deri kur të dali vaksina, normaliteti që do kemi, nuk do jetë si ai i mëparshmi. Mblidheni mendjen top dhe mos diskutoni më histori komunizmi, histori diktature e histori komplotesh ndërkombëtare, për të shkatërruar popullin e budallëqe të kësaj natyre.

Normaliteti i ri do të jetë ndryshe. Edhe kur të dalim, do të sillemi ndryshe. Nuk ka më dhënie dore. Nuk ka më turru të gjithë futu në autobus. Nuk ka më futu në restorante, bëj radhë jashtë sa të lirohet vendi tek Dolce Vita në bar. Nuk ka më shko në plazh, të gjithë rrëmujë atje dhe bëj transmetim me valë djerse dhe avujsh alkoli nëpër Pub-e dhe Beach bar-e. Nuk mundet! Por sigurisht nuk do të rrimë brenda të gjithë dhe nuk do të presim për të ikur virusi, për të dalë. Do dalim, por duhet të bashkëjetojmë me këtë rrezik, në çdo hap. E nëse nuk e bëjmë këtë, mjafton pak për t’i bërë gjëmën gjithë popullit. Pastaj e shikojnë  mirë sesi shkojmë, ata që thonë, kjo është përrallë, ky është mashtrim, kjo është 5G-ja dhe lloj-lloj budallallëqesh. E shikojnë mirë, kur të shikojnë (largqoftë!) prindërit apo veten shtrirë në spital. Siç do ta kishim parë mirë, nëse nuk do të kishim marrë këto masa që morëm dhe nëse ne nuk do të ishim të suksesshëm të zbatimin e tyre, bashkërisht.

“Ҫfarë po bëhet me dentistat?”

Me dentistët akoma. Dentistë, parukeri, bare, restorante, lokale janë ato më riskun më të lartë. Ky është fakt. Kështu i definon e gjithë bota.

“Kisha një pyetje, kur do hapen kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë?”

Kush e di kur do hapen kufijtë mes vendeve? Nuk e di askush. Edhe Kosova po kalon një situatë jo të lehtë. Për fat të mirë jemi dy vende që kemi numra që nuk na kërcënojnë sistemin shëndetsor. Kjo është kryesorja. Prandaj duhet të durojmë edhe pak.

“Bashkëshorti im punon shofer në transportin urban në Berat dhe punëdhënësi i tij ka pushuar të gjithjë shoferët dhe fatorinot dhe i ka drejtuar për dokumentet e asistencës. A ëhstë e drejtë?”

Të gjithë shoferët, punonjësit, fatorinot dhe çfarë janë në kompanitë e  transportit urban me nën 14 milionë lekë [të reja] në vit, që hynë në biznesin e vogël, do të përfitojnë pagën e luftës nga paketa  e parë. Të gjithë të tjerët do të përfitojnë pagën 40 mijë lekë [të reja] nga paketa e zgjeruar. Të gjithë pa përjashtim.

“Zoti Rama, jam biznes furrë buke. Ditën e dielë do të punohet apo jo?”  

Jo, njësoj si fundjavën e kaluar dhe njësoj si të gjitha të dielat në historinë e kësaj lufte të  deritanishme.

“Kisha një shqetësim. Lejet e e-albania-s janë vetëm për punë. Familja ime ka biznes ushqimor dhe deri më sot furnizohen pikat e shumicës më makinën tonë private. Si mund të kem një zgjidhje?”

Nëse biznesi yt ushqimor është i siguruar, pra, nëse nuk je fantazëm, në kuptimin në të zezë, por je në punë i deklaruar, automjetin mund ta kesh privat dhe të shkosh me të të bësh punën tënde.

“Jemi biznes familjar shërbim transporti. Kemi ndërprerë punën. Na janë refuzuar pagesat.”

Jeni kategori që do të paguheni një më një. E thashë edhe më parë dhe për ata që nuk e ndoqën që në fillim, shifra e atyre që i kanë sot në bankë paratë nga paketa e zgjeruar,  është mbi 49 mijë. Ata nga paketa e parë është mbi 54 mijë. Që do të thotë, ata i kanë marrë dhe do të vazhdojnë. Asnjë dyshim për këtë.

“Po ne që kemi 5 apo 6 vite pa punë, çfarë page do të marrim dhe kur do ta marrim?”

Ju që keni me vite pa punë  nuk do të merni pagë nga këto që po diskutojmë. Sepse nuk është bërë deti kos, që t’i kthehemi gjithë historisë së papunësisë në këto 30 vjet. Por do të adresojmë ata, të cilët janë në ndihmë eknoomike. Ata, të cilët janë në situatë shumë të vështirë dhe nuk e kanë fituar ndihmën ekonomike. Ata, të cilët janë të detyruar të mbyllin punën, ose janë të larguar dhe të pezulluar nga puna për shkak të kësaj situate.

Më kanë hequr nga sigurimet pa më lajmëruar në datë 15 mars. Më kanë regjistruar përsëri në datë 31 mars. Për këtë arsye jam penalizuar.”

Nuk penalizohesh. Do të marrësh pagën zotëri.

“Lokalet e natës kur do të happen?”

Nuk do të hapen.

“Punoj në një kopësht privat. Pagën e luftës e mora.”

Shyqyr që doli njëri që thotë e mora. Ju lutem shumë, edhe ata që e kanë marrë, se e thonë që e morën, nuk na prishin punë, por, përkundrazi, që edhe këta që shkruajnë dokra ta shohin se çfarë themi janë të vërteta, nuk janë numra në hava, nuk janë “7×7=42”.

“Desha të pyesja, pagesën e sigurimeve, kush do ta paguajë? Do ta paguajë unë apo biznesi?”

Paga që ti merr është pagë  direkte për ty.

“Zoti Rama, si mund të nxjerrim autorizim të ikim në Greqi, se po humbim punën. U bëmë dy muaj këtu në Shqipëri.”

Jemi duke pritur të konkludojmë me Kryeministrin e Greqisë për ata që janë punonjës sezonalë. Ndërkohë që për të tjerët duhet bërë dhe pak durim.

“Kam pak ditë që kam mbushur moshën e pensionit. Në punë nuk më pranojnë. Ndërkohë që të më dalë pensioni duhet edhe 5-6 muaj. Isha i vetmi i punësuar nga familja. Ndërkohë me se do të ushqehem deri atëherë.”

Kjo është shumë specifike. Nese mundesh, të lutem, ço një ankesë konkrete që ta ndjekim tek Platforma e Bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al.

“Jam drejtues i një kompanie prodhimi ushqimor. Kushtet higjenosanitare i kemi prej vitësh. Duart i dezifenktojmë disa herë në ditë, pasi dorashkat na pengojnë shumë. Distancën prej 2 metrash e kemi të pamundur për arsye prodhimi. Mund të krijojmë një ndarje?”

Ju lutem, edhe njëherë, në pikat e prodhimit duhet të ndiqni ekzaktësisht protokollin e sigurisë, asnjë më shumë, asnjë më pak.

“Ne të rinjtë kur do dalim xhiro?”

E di, është e dhimbshme kjo. Nuk e them për të qeshur , por pak nga pak. Në ato zona që do të hapen pak më shumë nga java e ardhshme, do të mund të dalin edhe xhiro, por xhiro do të jetë vetëm me një tjetër të shoqëruar, ecje në distancë, jo grumbullim, jo ndalim, jo shtrirje nëpër bare, nëpër parqe, jo piknik etj..

“Berberet kur hapen? Ti ku qethesh?”

Ma bëjnë shumë këtë pyetje. Nuk po ju them ku qethem e si qethem sepse do të filloni të bëni shumë nga ato historitë jo bunkeri, jo Surreli.

Pak a shumë janë të njëjat pyetje, të cilave ju përgjigja.

Në vijim do të dalë urdhëri i minisres së Shëndetsisë, i detajuar, lidhur me zonat e quajtura jeshile, me risk të ulët, ku do të bëjmë një përshkallëzim dhe do të pilotojmë një hapje më të relaksuar. Do të ndjekim aty dinamikën e numrave, për të parë nësë do të kemi aty një zinxhir infeksioni që do të jetë më i arsyeshëm, më i natyrshëm. Por kjo nuk do të thotë që të dalim dhe të infektojmë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë thjeshtë dhe vetëm që nuk do të habitemi nga fakti që do të kemi rritje të numrave duke u hapur. Ajo që është e rëndësishme është të ruajmë shumë fort prindërit dhe ata që kemi të sëmurë. Të respektojmë shumë fort rregullat. Ky është thelbi.

Faleminderit  për momentin!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.